• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qeveria i dhuron koncesionarit veç Portit të Vlorës edhe 3,7 miliard lekë

March 25, 2021 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Në pranverën e vitit 2014 kryeministri shqiptar pasi zbuloi Portin e Vlorës,  ( një sipërfaqe 10.5ha, me akuarium 5 ha) trumbetoi me të madhe rehabilitimin e tij si pasuri kombëtare. Në një intervistë të gjatë të firmës italiane dhe drejtorit shqiptar të portit asokohe, u deklarua se punimet e filluara do të mbaronin më shtator të vitit 2016. Parashikoheshin punime për terminalin e ri, thellimin e akuariumit dhe shtimi i dy kalatave të reja midis dy moleve, që do të bënin të mundur ankorimin e jahteve, anijeve dhe kroçerave të tonazheve të mëdha. Gjithë investimi sipas përfaqësuesit të Autoritetit Portual të Vlorës do të kapte shumën 15 milion Euro. Në muajin nëntor të vitit 2018 në një nga vizitat e shumta të tij në Vlorë, Rama deklaroi, që punimet për zgjerimin e kalatave janë kryer në masën 80%, megjithëse edhe sot atje janë vetëm dy kalata të kohës së Italisë të zgjeruara kohë pas kohe gjatë 80 viteve. Pasi bëri dhe ca llogje me përfaqësuesit e pushtetit lokal që zakonisht buzëqeshin e miratojnë, shtoi që punimet po kryhen në kuadër të investimit dhe kapin vlerën 15 mln euro. Drejtori i portit A. Malaj shtoi se: “Besoj vitin tjetër, ( 2019) për sezonin e ardhshëm, bashkë me projektin e ri për zgjerimin e kalateve do të bëjmë të mundur aksesimin e sa më shumë qytetarëve.” Për të mos mbetur pas ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, nënvizoi se po bëhen përpjekje për të futur një linjë të re tragetesh me Italinë. Gënjeu dhe ky pa ia kërkuar njeri. Askush nuk kërkoi llogari pse projekti nuk ishte mbaruar në shtator të vitit 2016 sipas kontratës, sa milionë euro i ishin paguar firmës, që zhvillonte punimet dhe sa miliona të tjera ishin shtuar e do të do të shtoheshin mbi projektin!?  Po japim më poshtë listën e parave ( të dhëna zyrtare) që janë shpenzuar për rehabilitimin e Portit të Vlorës. Zgjerimi i Terminalit të Pasagjerëve, përfunduar në vitin 2018 me vlerë kontrate 2.6 miliard lekë; Rikonstruksioni i Kalatës Lindore në Portin Detar Vlorë, realizuar  në vitin 2019, me vlerë kontrate 115 milion lekë; Rikonstruksion i Portës Hyrëse Perëndimore të Portit realizuar në vitin 2016 me vlerë kontrate 103 milion lekë; Linja e furnizimit me ujë të portit realizuar në vitin 2015 me vlerë kontrate 59 milion lekë; Krijimi i rrjetit të transmetimit të të dhënave të sigurisë realizuar në vitin 2017 me vlerë 652 milion lekë; Rikonstruksioni i Degës së Doganës Vlorë me vlerë kontrate 300 milion lekë. Këto janë vetëm disa prej investimeve të rëndësishme me një vlerë totale mbi 3.7 miliard lekë që janë shpenzuar për pesë vjet në Portin e Vlorës, më qëllim që ai të shndërrohej në port modern turistik dhe ankorimin e  anije të tonazhit të lartë.

Supozojmë se këto investime janë bërë me cilësi, pa mangësi në dokumentacion, janë zbatuar rregullat e ligjet e shtetit dhe nuk është zbatuar thënia e famshme e deputetit Shalsi: “ Do të vjedhim dhe ne por më pak se të parët.” E zemë se në Port janë ndërtuar edhe dy kalatat ( 15 milionë euro)  që mungojnë, madje edhe porti i jahteve, i hidroplanëve dhe acquaparku sipas premtimeve e kontratave. Pasi u harxhuan plot 3.7 miliard lekë të dokumentuara, del Vendimi nr.1 i  Këshillit Kombëtar të Territorit datë 14. 10. 2020: “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale”, i cili parashikon zhvendosjen brenda një afati 3-vjeçar të Portit Detar të Vlorës në Triport, ose në Portin e Peshkimit”. Dy muaj më vonë në06.01.2021  Autoriteti Portual Vlorë lëshon njoftimin bombë:  “Qeveria do të japë me koncesion për 35 vite portin turistik të Vlorës. Sipas tenderit të hapur nga Ministria e Infrastrukturës porti i ri “Marina Vlorë” do të akomodojë (Vlora e ka një port jahtesh në Orikum) deri në 400 anije turistike. Ky koncesion është propozim i pakërkuar i miratuar tashmë nga Autoriteti Kontraktues.” Janë po ata oligarkë, miq të kryeministrit, që pasi përlanë Rrugët e Bardha në Palasë, ca copa të majme në Dhërmi, Himarë e gjetkë, me stomakun e tyre gjigand po gëlltitin  Karaburunin e tashmë Portin e Vlorës. Edhe tuneli i Llogorasë, edhe rruga Orikum-Dukat  janë planet e kryeministrit për të lehtësuar bizneset e këtyre  oligarkëve në bregdetin e Dhërmiut ku sigurisht Kryeministri do të ketë favoret e veta. Në një njoftim tjetër po aty thuhet: “… Porti turistik i Vlorës do jepet me koncesion për 35 vite, do kushtojë 22.7 mln €! Data e hapjes së ofertave do të jetë 26.02.2021….”   Mund të duket e pabesueshme po kjo është një nga shëmbujt më të shëmtuar sesi qeveria Rama pasi harxhon shuma maramendëse, ia bën objektin dhuratë koncesionarit me kërkesën e këtij të fundit.  Gjithçka është bërë e bëhet në bregdetin e Vlorës, komuniteti nuk është është pyetur asnjëherë dhe tenderat e firmat ndërtuese gatiten e caktohen nga qeveria e Tiranës. 

Përfaqësues të Partisë Demokratike denoncuan këtë aferë me shifra dhe fakte, “si rasti më flagrant i injorimit të interesit publik, lokal e kombëtar,”  që duhej të përfundonte në prokurori. Pas këtij denoncimi, vjen përgjigja nëpërmjet shkrimit të një deputeteje vlonjate. Pasi mburr me të madhe gjenialitetin e kryeministrit dhe punët e shumta që ai ka kryer në Vlorë ajo shprehet se:”… Vlora ka pësuar një dinamikë të qartë urbane gjatë këtyre viteve. Ky cikël ka prekur edhe portin … Ndërsa ka ndodhur ky proces porti nuk mund të ngelej një karikatinë jo funksionale…” Ky pohim është mjaft i vërtetë, por pasi u hodhën 3.7 miliardë lekë dhe Rilindja e bëri portin  “Lule të Vilajetit” përse i dhurohet me gjithçka (këtë sqarim duan vlonjatët) kjo pasuri kombëtare një privati, duke degdisur  Portin e Vlorës në Triport, pranë portit të peshkimit pa kurrfarë studimi, me një infrastrukturë mizerabël!? Deputetët e PS-së duhet të dëgjojnë me vëmendje dhe t’i përgjigjet  seriozisht ankesave e vrejtjeve të opozitës me gjuhën e njeriut që e do qytetin, madje të kërkonin  një diskutim popullor lidhur me ankesat e opozitës dhe qytetarëve për këtë aset jetik të qytetit. Deputetja ia “përplas” në fytyrë opozitës, se Skënderbeu i Elisës,  “s’do kallauz,” pra është i pagabueshëm.  Më tej fyen e denigron opozitën më fjalitë e epitetet e mëposhtëme: ” Gjuha totalitare, gjuha e thyer a gjuha që thyen, për fat të keq, është kthyer sërish në jetën publike, cekët, shpërfillëse dhe e zymtë, si shenjë e të menduarit dhe e praktikës opozitare!?” “Opozitë e papërgjegjshme, imponuese kundër Edi Ramës,” “Opozitarë të mërzitshëm, të pabesueshëm, me zell përrallor,”  “Mëshirim i ankthit të padurueshëm, dëshmi e një mendimi të ngrirë, të pastrukturuar, pa histori” , “Opozitarët kanë shkarje logjike e duhet të bëjnë terapi” etj, etj. Një gjuhë të tillë fyese dhe plot urrejtje do ta kishte zili edhe Nevzat Haznedari me Aranit Çelën në kohën e tyre. Pyetja e përfaqësuesve të PD-së së Vlorës ishte konkrete dhe logjikshme: Pse u hodh një mal me para kur dihej që disa muaj më vonë porti do t’i jepej dhuratë privatit? Nuk mendoj se deputetja ka gisht në aferat e kryeministrit dhe grabitjet e shkatërrimet, që po i bëhen Vlorës. Po s’ka pse bën ushtarin e Rilindjes, duke shpallur të çmendur bashkëqytetarët e vet, me të cilët duhet të ndajë hallet dhe problemet. Vlora vlen shumë më tepër se një karrige deputeti sepse si thotë populli: prapanica qëndron, karrigia fluturon. Sa për Kryeministrin atë nuk e lidh asgjë me Vlorën. Ai thjesht betonizon, prish, ndreq, rrëmben për të pasuruar veten dhe grupin e madh të hajdutëve antishqiptarë. Përfundimisht taksapaguesit shqiptarë kanë paguar 3,7 miliard lekë në Portin e Vlorës, i cilësuar Aset Kombëtar nga vetë Kryeministri, për t’ia bërë dhuratë privatit ditën për diell. Këtë veprim e ka bërë Rilindja pa pyetur e pa i dhënë llogari kurrkujt të dashur qytetarë vlonjatë: të bardhë, të kuq, blu, mavi, larashë, të varur e të pavarur. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Koncesionari, Porti i vlores

Shkëlqimi dhe mjerimi i Çështjes çame

March 11, 2021 by dgreca

– Atyre që ëndërrojnë e shpresojnë ende te kapedanët kandidatë, do u rekomandoja të kujtonin vargjet e këngës së vjetër të Minushes, por në variantin çam: Ne PDIU-ja, ma keshe shtëpinë/ Qaje moj Minushe, qaje Çamërinë! …/

SHKRUAN: GEZIM ZILJA/DIELLI

Duke parë skenën politike shqiptare, ku menjëherë mendja të shkon te dokumentarët me hienat dhe tufat e qenve të egër, nuk mund të rri pa thënë, atë që mendoj për këtë çështje, që e kam patur dhe e kam shumë për zemër. Duket sheshit se përfaqësuesit e çamëve e tradhtuan çështjen e shenjtë, që djeg e drithëron me historinë e masakrave, varret e prishura, e shpirtrat e të parëve, që enden, e enden në ato toka të bekuara, pa gjetur prehje. 

Themelimi i “Shoqatës Çamëria” ishte nismë e një grupi të madh çamësh, kryesisht nga qyteti i Vlorës dhe i Fierit, intelektualë dhe punëtorë. Shoqata në themelimin e saj shprehu si qëllim, të vetin, kthimin e trojeve të Çamërisë, zotërve të tyre, larguar më dhunë nga ushtria dhe policia greke. Në krye të “Shoqatës” u zgjodh burri i shquar i Çamërisë, intelektuali dhe patrioti i paharruar, Abaz Dojaka. “Shoqata” nën drejtimin e këtij njeriu idealist e plot virtute, bëri shumë herë më tepër se është bërë këto tridhjetë vite nga PDI-ja, PDU-ja dhe së fundmi PDIU-ja. Në kohën e zotit Dojaka, kishte entuziazëm dhe besim se çamët do të arrinin qëllimin, që i kishin vënë vetes. Atëherë kishte vetëm një yll polar, vetëm një qëllim, atë të njohjes dhe kthimit të pronave zotërve  të tyre. Në shumë pak kohë ajo arriti të ndërkombëtarizojë çështjen çame dhe të hartojë një program të thjeshtë e të zbatueshëm për arritjen e qëllimit bazë. Ndoshta është vendi të përmendim edhe një kryetar tjetër, shumë të çmuar të “Shoqatës,” Arshi Rexho. Nuk mund të harrohen sakrificat e tij për njohjen e çështjes çame sidomos jashtë vendit. Tridhjetë vjet më vonë problemi çam është kthyer në një tragjikomedi me regjisor, skenarist e aktorë vetë çamët dhe përfaqësuesit e tyre në parlamentin shqiptar. Tashmë jemi shumë larg idealit dhe kohës kur në krye ishin Abaz Dojaka, Arshi Rexhua dhe të tjerë. Më vonë “Shoqata” e pa të arsyeshme të kthehej në parti me kryetar çamin, Tahir Muhedini. Partia mori emrin PDI, Partia për Drejtësi dhe Integrim. Programi saj ishte po ai i Shoqatës “Çamëria” me ndonjë ndryshim të vogël. Çamët menduan se krijimi i PDI-së do të rriste shanset e zgjidhjes së problemit të tyre, duke pasur përfaqësuesit e vet në parlamentin shqiptar. Në zgjedhjet e vitit 2009 me një fushatë spektakolare nën sloganin e spikatur patriotik “E duam Çamërinë” arritën të fitonin një deputet, Dashamir Tahirin, në rrethin e Vlorës, atje ku çamët janë ngulur me shumicë. Ky ishte deputeti i vetëm i fituar nga partia çame. Në krahun e të majtëve nga lista emërore fitoi deputeti socialist Shpëtim Idrizi, çam, me kombësi shqiptare. Për arsye të ndryshme të dy deputetët krijuan partinë e re PDU-në, Partia për Drejtësi dhe Unitet, që edhe kjo do të merrej me problemin çam. Përfundimisht të dy partitë u shkrinë në një të vetme, PDIU, me kryetar Shpëtim Idrizin, nënkryetar Dashamir Tahirin dhe president Tahir Muhedinin. U gjetën tre karrike që krerët mund të rrinin rehat. Por ç’ndodhi në të vërtetë me partinë e re? PDIU-ja hyn në aleancë me qeverinë Berisha. Këtu fillojnë dhe pazarllëqet e para të PDIU-së. Ata ia “nxinë” jetën qeverisë demokratike me ato dy vota (vezë të arta) që sa herë i nevoiteshin, PDIU-ja e detyronte të kërcente vallen e famshme të Osman Takës, herë me muzikë e herë pa muzike. Në shkurt të vitit 2012 partia came arriti të merrte Zëvendësminstrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zëvëndësministrin e Arsimit dhe të Shkencës, Zëvendësministrin  e Drejtësisë,  Kreun e Sigurimeve Shoqërore, Kreun e Shërbimit Kombëtar të Punës, Nëndrejtorin e Arkivës së Shtetit, Kreun e Drejtorisë së Patentave, Kreun e Inspektoriatit Qendror të Ndërtimit dhe të Karburanteve dhe ca sardele e cironka shtesë  hera-herës.

Në 23 qershor 2013 PDIU “a gonfie velle” arriti apogjeun e vet me pesë deputetë. Dashamir Tahiri, Omer Mamo, Shpëtim Idrizi, Tahir Muhedini, Aqif Rakipi me përjashtim të Dashamir Tahirit anuan nga qeveria e majtë. Ata u muarën me gjithçka përveçse me çështjen çame.  Përçarjet midis tyre erdhën jo për çështje parimore por thjesht për çështje interesash. Në vitin 2017 përdredhjet e Idrizit ia kaluan kërcimtarëve dhe pelivanëve të cirqeve më të njohura mjafton të shohim tabelat me votat e PDIU-së në vitet 2013 dhe 2017.

Viti 2013    Tirana          Vlora            Fieri     Durrësi      Elbasani    Dibra

Vota           9.173            6.782         9.058       3.785          12.110     248

Viti 2017      Tirana         Vlora       Fieri       Durrësi       Elbasani      Dibra

Vota            12.434          3608        6347       4519          29.431       12.605

Kokoshi që polli tre vezë të arta çeli zogj në furrikun. që u  fabrikua, nga Partia Socialiste, në Elbasan dhe në Dibër. Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda nuk ia dolën të fitojnë në Tiranë dhe tre deputetët, që fitoi PDIU-ja kaluan me PS-në. Sot krerët e PDIU-së të djeshmit e të sotmit janë më të përçarë se kurrë. Idrizi dhe Doda kandidojnë nën siglën e PD-së, duke pasur në mes “armikun” Dule të  PBDNJ-së, Dashamir Tahiri nën siglën e partisë së Jozefina Topallit dhe Tahir Muhedini me Partinë Socialiste?! Çamët e mirë dhe të mençur mund të votojnë nga dhe si të duan. Por kapedanët çamë që morën përsipër “Çështjen çame” të ndarë në tre parti e kanë tradhëtuar atë në mënyrë të pariparueshme. Atyre që ëndërrojnë e shpresojnë ende te kapedanët kandidatë, do u rekomandoja të kujtonin vargjet e këngës së vjetër të Minushes, por në variantin çam: Ne PDIU-ja, ma keshe shtëpinë/ Qaje moj Minushe, qaje Çamërinë! 

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Zilja, i Çështjes çame, mjerimi, Shkëlqimi

Ditët kot të një kryeministri të lodhur

March 5, 2021 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Qysh se janë shpallur zgjedhjet e reja, kryeministri i Shqipërisë ka marrë “shkopin” si pleqtë e qëmotit e kontrollon çifligun rreth e qark. Sa herë ndërtohet apo rindërtohet një shtëpi e dëmtuar nga tërmeti, me çelësa në dorë, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, pasi i telendis me batuta e ironi të shplara, hallexhinjtë e pastrehë, duke u thënë se vetëm ai mund t’ua ndërtojë shtëpitë,  i detyron t’i thonë “faleminderit” dhe t’i përkulen deri në tokë, shpëtimtarit të tyre çorapekuq e këpucëgrisur. 

 Shkon pothuaj çdo ditë në stadiumin e Tiranës ( jo rrallë në Rinas për pritjen e vaksinave) e rri me orë sa të vaksinohen ca pleq trutharë, që i ka harruar edhe mortja vetë. Me psikologjinë e skllavit, kjo kategori pleqsh militant,  pa dinjitet, të zhveshur moralisht, deklarojnë atë, që nuk ua kanë thënë as fëmijëve të tyre: ” Març nga ditët tona! Tu bëftë dita njëmijë shoku kryeministër!” Më i turpshëm dhe i pandershëm është qëndrimi i udhëheqësit, që gjoja i keqardhur përgjigjet: Pupu! Mos e dhëntë zoti! E ku e dinë qyqarët skllevër se udhëhqësit as i kërcet fare për ta, por lutet  të jenë gjallë deri në 25 prill? Me këto shaqje të neveritshme Rama trysnon shqiptarët, që kanë nevojë për një vaksinë apo fatkeqët e tërmetit, duke u thënë  drejtpërdrejt: Po nuk u zgjodha unë sërish kryeministër ndërtimi i shtëpive dhe vaksinimi do të ndërpritet sepse jam unë ai, që ju ka siguruar paratë e tërmetit dhe po siguroj edhe vaksinat. Ai tall prapanicën me rregulloren KQZ-së dhe injoron faktin që kjo trysni e paturp, që u bëhet nevojtarëve ditën me diell, përbën vepër penale dhe si e tillë duhet trajtuar nga prokuroria speciale. 

 Nga dreka pasi ka marrë me vete dhe ditët shtesë të pleqve trutharë, tashmë të vaksinuar,  kryeministri fillon një nga pelgrinazhet e tij të pafundme në qytetin e Vlorës. Aty “shet” për të qindtën herë pedonalen ende të papërfunduar (vetëm ai e di sa ka kushtuar) si një sukses të Rilindjes. Pas kësaj shëtitorja anëdetit, nën britmat e daullet e militantëve, fotografohet  nga toka, ajri, deti ( gjiri i Vlorës është mrekulli e natyrës) e shpërndahet si një sukses i jashtëzakonshëm i Rilindjes.  Po çfarë ofron vërtetësisht kjo shëtitore, vepër e shekullit XXI? Në 3-4 km asfalt e beton, rrethuar me pallate, që zgjaten si xhungël betoni, nga anëdeti deri mbi kodrinat, me rreth 25 mijë banorë, dikur plot gjelbërim, sot bëjnë hije disa palma kokërjepura, me kurorë sa një qeleshe e lebërve tepelenas. Në të gjithë shtrirjen e saj nuk gjen asnjë bibliotekë, kinema, amfiteatër veror, muze të natyrës apo kujtesës, vepra arti ( kyeministri ka shpallur si të tillë një karburant) të paktën për ngjarjet e viteve 1991 apo 1997, galeri artesh, kopësht fëmijësh, shkollë, miniparqe të gjelbëruar për nëna me fëmijë apo të moshuar, pa folur për parkingje automjetesh. Nga Skela deri te Tuneli derdhen ujrat e zeza ( tetë kanale të tillë) dhe era e fekaleve pas orës njëzetë të mbrëmjes kutërbon dynjanë. Në verë nga ora 10.00 deri në orën 18.00 pedonalja është e papërdorshme. Ajo ndizet nga dielli përvëlues, betoni dhe asfalti, dhe nuk ka një hije, ku të futësh kokën apo një çezmë ku të freskohesh. Atëherë ku është këtu mrekullia tokësore e ndërtuar nga Rilindja, kur njerëzit, që vijnë me pushime nuk kanë çfarë të vizitojnë dhe me se të argëtohen?! Sa për ujë të kripur, rërë, mish të pjekur në hell dhe peshk importi, gjen kudo me bollëk. E keqja më e madhe është se  nuk  ka ndonjë cm2 bosh për të ndërtuar në të ardhmen vepra sociale. Ka të ngjarë me sa thuhet, që të mbillet me pallate dhe fusha para Shkollës së Marinës. Nga droni gjithçka duket bukur, por njerëzit nuk fluturojnë, ata jetojnë, ecin e argëtohen në tokë. Pas tetë vitesh ( shtatë vite ka që vazhdon pedonalja) kryeministri premton aeroport, rrugën Orikum-Llogora, tunelin Llogora-Palasë, dhënien me PPP të portit të Skelës, duke stërpërsëritur deri në pafundësi fjalët “ rregjimi i kaluar i PD-së, nuk bëri asgjë për Vlorën.” Zotëria haron ose bën sikur, sepse  Bashkia e Vlorës qysh nga viti 1997, drejtohet nga socialistët. 

Megjithatë Rama nuk po ndihet më i sigurt në Vlorë, ndaj la aty njërën këmbë e tjerën e zgjati deri në Durrës. Me vendosjen si drejtues politik nga PD-ja, të vlonjatit Bujar Leskaj, Rama e ka humbur qetësinë dhe sigurinë. Në Vlorë ka muaj, që është  ngritur fryma kundër Rilindjes, korrupsionit dhe demagogjisë. Me punën e mençur, eksperiencën organizative, këmbënguljen si drejtues politik dhe mbështetjen e gjerë të demokratëve, kryesia e PD-së së Vlorës po del nga gjumi i rëndë tetëvjeçar i pasigurisë dhe përtacisë. Burra, gra, vajza e djem po punojnë plot besim të bindin vlonjatët se 24 vjet drejtim i majtë, Vlora nuk është ajo që duan ata dhe nuk mund të trajtohet si pronë e  socialistëve. Në fshatrat e Vlorës, që Rama i ka quajtur si bastjone të sigurta, gjendja po ndryshon bindshëm në favor të PD-së. Nga këto ndryshime, kryeministrin po e lëshojnë nervat dhe si thashethemexhi i rëndomtë fshati, përgojon në mënyrë të përsëritur, drejtuesin politik të PD-së, për jetën e tij private, duke ironizuar, se është qejfli “rakie e qoftesh” dhe shtrembëron qëllimisht mbiemrin e tij…. Lufta politike është luftë programesh, arritjesh, dështimesh, suksesesh,  vizionesh, me fakte e vepra për zhvillimin e Shqipërisë.. Një gotë raki apo verë me miqtë në një ditë pushimi apo pas një pune të lodhshme është traditë shqiptare, nuk është mëkat dhe nuk dëmton as pozitën, as opozitën, as politikën e as familjen. Nëse flasim për politikanë përdorues hashashi e kokaine, këtu punët ndryshojnë. Por kjo është një histori me të cilën duhet të ishin marrë me kohë organet e specializuara. Lufta pa princip për marrjen e mbajtjen e pushtetit dhe mungesa e argumentit e ka shndërruar Ramën në njeri agresiv, arrogant, të padurueshëm, delirant, hakmarrës, dhe gënjeshtar. Të gjitha këto cilësi, si dhe lidhjet e dyshimta me biznesin e kanë transformuar përfundimisht despot të një shteti të varfër, ku skandalet ndjekin njëri -tjetrin. Pas vizitës në pedonalen e famshme, ku vazhdon të punohet, që prej vitit 2014, kryeministri kthehet në Fier dhe hedh një sy nga spitali në ndërtim i turqve edhe ky dhuratë për kryeministrin, nga shoku i vet Erdogan. Kapanonet njëkatëshe kilometrike, që ngjajnë si dikur kazermat e Ali Rizait në Fushën e Shallvareve, ka të ngjarë të jenë gati në afatin e caktuar. Një orë më vonë, shtatë makina të policisë, gardës dhe shërbimit informativ, shoqërojnë kryeministrin e Shqipërisë me sirena e borie drejt sarajeve të Surrelit, pas një dite të lodhshme, të harxhuar fare kot.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, kryeministri

Përse nuk publikohen kontratat me Pfizerin për vaksinat dhe shitjen e portit të Durrësit Emirateve Arabe?

February 10, 2021 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Një nga problemet serioze sot në Shqipëri e në botë është ai i luftës kundër pandemisë. Duket që qeveria shqiptare është fare e papërgatitur dhe papërgjegjshme. Njerëzit nuk shpëtohen me policë. Ata po vdesin dhe do të vdesin ende, jo vetëm për faj të pandemisë. Deri tani në Shqipëri kanë ardhur rreth 3.000 vaksina, gjysma e tyre  në mënyrë të fshehtë, që asnjë nuk e di nga dhe si? Vazhdojnë të bëhen nga 60 vaksina në ditë. Nëse vazhdohet me këtë ritëm në fund të një viti do të kemi 21.600 të vaksinuar. Me këtë ritëm i bije që në 50 vjet të vaksinohen 21.600×50= 1.080.000 njerëz. Nëse në Shqipëri do të vaksinoheshin 5.000 njerëz në ditë, atëherë për një muaj do të vaksinoheshin 150.000 shqiptarë dhe për një vit  do të kryheshin 1.800.000 vaksinime një shifër e mirë por jo e mjaftueshme. Për vaksinimin brenda një viti ose një viti e gjysëm duhen bërë rreth 8.000 deri 10.000 vaksina në ditë. Aktualisht ne kemi vetëm një qendër vaksinimi që vaksinon maksimumi 60 të tilla në ditë dhe rezervat janë në fund. Thuhet se deri në maj do të vijnë rreth 460.000 mijë vaksina. Por përsëri thuhet se firma Pfizer i shet këto vaksina dhe nuk merr përsipër transportin dhe ruajtjen e tyre. A ka Rilindja një plan për transportin dhe ruajtjen e kësaj sasie? A ka qendra të gatëshme dhe infermierë që të realizojë minimumi 5.000 vaksina në ditë? Jemi në prag të një katastrofe humane, ose me hir të zotit, drejt një imunizimi të turmës, që ka kosto të lartë sepse ndërkaq mund të zhduket fare brezi i tretë deri sa të arrihet. Pyetja ime përtej retorikës e politikës është: Pse nuk bëhet publike kontrata me Pfizerin e kompani të tjera, që populli të dijë ç’po ndodh vërtetësisht me jetët e paratë tona? Pse nuk ka një plan të shpallur vaksinimi të popullsisë? Pse mbahet sekret, e nuk publikohen kontratat? Ç’është ky kryeminstër me brekushe që pret me orë të tëra në aeroport si të jetë Mesia, që po pret shpëtimin e shqiptarëve, kur flitet për 1900 doza:2= 800 të vaksinuar. Kjo është e turpshme. 

Nga ana tjetër opozita duhet të ndalet me forcë te ky problem, të ketë një taktikë e strategji të qartë nëse vjen në pushtet ( nuk mjafton vetëm të kritikosh) , të mos ndodhet nesër para të papriturave e të vazhdojë avazin tridhjetëvjeçar se ”këtë na la pushteti që iku e s’kemi ç’bëjmë.” Duhet të kërkohet me forcë të publikohen kontratat për vaksinat se janë paratë e popullit dhe vdekja po korrë të varfërit; të pasurit edhe kur vdesin kanë pranë të afërmit, kurse të vdekurit e spitalit i përcjell Tirja me shoqe në atë botë, i mbështjell me çarçaf të palarë, të uritur e me buzën plasur,për një pikë ujë. 

Problemi tjetër është ai i dhënies me qera apo shitjes  së portit të Durrësit, tashmë dhe qyteti i Përmetit, që arabët e paskan dhe atë për zemër. Si është e mundur që populli të lejojë (parlamenti është një klub mëllenjash e gallofësh) këtë bandë të specializuar hajdutësh, banditësh e antishqiptarësh, pa fe e atdhe, të shesë e blejë territore të Shqipërisë pa dijeninë e shqiptarëve? Ky i çmendur kryeministër deklaroi me lehtësi një ditë më parë se do të ndërtohet ( dhe e shiti si sukses) porti i ri i Durrësit, sikur do të ndërtohet një stallë lopësh në periferi të fshatit. Po ne e kemi portin në zemër të Shqipërisë, një port modern, në një pozicion strategjik, i ngritur 3.000 vjet më parë, në kryqëzim të rrugëve detare të Mesdheut. Në dokumentin e Strategjisë së Sigurimit Kombëtar, që është një detyrim i çdo qeverie,për portin e Durrësit thuhet midis të tjerash se: “… ai është gjithashtu një vendndodhje kyçe për rrjetet e trageteve dhe tranzitin e pasagjerëve, duke i dhënë Durrësit një pozicion strategjik në lidhje me Korridorin VIII, që do lehtësojë tranzitin e pasagjerëve dhe mallrave në Ballkan deri në Detin e Zi.”

 E tmerrshmja është që asnjë nuk di se ç’është thënë e çfarë kontrate është lidhur me arabët nga kryeministri dhe miqtë shqiptarë të Nusretit. Banda e rilindjes thotë që janë investime që do të zhvillojnë Shqipërinë. Janë tjetër investimet e huaja dhe tjetë robëria ekonomike. Në shumë vende të Afrikës e Amerikës Latine, të bekuara nga zoti për pasuritë e tyre, veprojnë me mijëra firma e korporata të huaja europiane, amerikane e arabe, por këto vende janë e do të mbeten të varfëra se kontratat  me qeveritë vendase, janë abuzuese, skllavëruese, poshtëruese dhe pasurojnë vetëm klikat që sundojnë atje. Kjo po ndodh sot në Shqipëri. Ajo që të çudit më shumë është heshtja e opozitës lidhur me portin e Durrësit. Nuk dinë, nuk kuptojnë, janë bashkëpuntorë apo çfarë? Të paktën të kërkojnë zbardhjen e publikimin e bisedimeve me arabët, kontratën ( ruajna zot!) nëse është firmosur. Merren me biftekët dhe miqtë faqezinjë të Nusretit por nuk kërkojnë ( dhe për këtë janë protestat) të zbardhen bisedimet e zhvilluara. Sërish po kujtoj thënien e Ismail Qemalit, kur bashkëpunëtorët e vet shpallën haptas pakënaqësinë dhe trishtimin për kufijtë e njohur nga Fuqitë e Mëdha. “ Bijtë e mi! Në këto kushte të rrethuar nga fqinjë armiq, që kërkojnë ta zhdukin fare Shqipërinë kaq mundemi të bëjmë. Ata që do vijnë më pas, në mos e zmadhofshim dot, le mbajnë fort atdheun që u lamë ne!” ….

Filed Under: Analiza Tagged With: arabet, Gezim Zilja, Kontratat me Pfizerin, Porti i Durresit

Si u shëmtua “Zana Popullore” e folkloristit shkodran Kasëm Taipi

February 4, 2021 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Kasëm Taipi( 1893-1935 ) një nga mbledhësit e rrallë të folklorit shqiptar  botoi në vitin 1933 vëllimin me këngë popullore kryesisht atë qyetit të shkodrës  dhe të Veriut me titullin “Zana Popullore.” Botimi përfshinte këngë shkodrane atdhetare, patriotike, trimërie, të dashurisë, të ahengut  shkodran, bejtet e famshme shkodrane dhe shprehje frazeologjike. Llogariten rreth 22.000 vargje nga trevat shqiptare të Veriut të marra drejtpërdrejt nga populli. Libri pati një  jehonë të jashëzakonshme në kohën që u botua.  Në parathënien e tij te libri “Zana Popullore”  Kasëm Taipi plot thjeshtësi e me dorën në zemër shkruan: I shtyem prej dëshirit që me e vjeftun edhe unë me fuqitë e vogla të mija, zhvillimit të historisë kombëtare dhe përparimit të gjuhës qysh prej vitit 1915 (22 vjeç )nisa të përmbledhë e të përshkuej me kujdesin ma të madh këngë të ndryshme të popullit..”

Vështirë të gjesh sot një botim të “Zanës Popullore.” Ata pak shkodranë që e kanë e ruajnë si relike të jashtëzakonshme plot vlera dhe nuk e nxjerrin nga shtëpia. Këngët ai i mblodhi drejtpërdrejtë nga populli, duke shëtitur më këmbë gjithë krahinat e veriut, duke i dhuruar një pasuri të paçmuar  popullit shqiptar dhe veçanërisht atij shkodran. Shkodra si djep i qytetërimit shqiptar ka nxjerrë një numër shumë të madh artistësh, poetësh, këngëtarësh, aktorësh, piktorësh kompozitorësh, shkrimtarësh etj. Kasëm Taipi eci në gjurmët e Zef Jubanit, Pashko Vasës, Ndre Mjedës, Filip Shirokës, Kel Marubit, Kol Idromenos, Vinsent Prendushit etj. Kjo trashëgimi vlerash bëri që ai edhe pse jo me shkollë të lartë ( nuk ka pse çuditen disa) të shkruajë me një gjuhë të pasur popullore e një renditje të saktë shkencore, me sqarime të hollësishme, gjithçka që grumbulloi e botoi. Ai i takon brezit të mbledhësve të folklorit shqiptar të shekullit të XX duke filluar nga Spiro Dine-ja (1846-1922) At Vinçenc Prendushi (1885-1949) At Bernardin Palaj (1894-1946,) At Donat Kurti(1902-1983,) deri te “I fundmi mohikanëve,” i palodhuri dhe i paharruari Fatos Mero Rrapaj. 

Në vitin 1998 Instituti i Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë nën kujdesin e Selami Tabakut, Xhyher Canit me redaktor Safet Hoxha dhe recenzentë ( kurrë nuk e kam kuptuar këtë fjalë) Kozma Vasili e Rudof  Marku botuan librin: “Këngë Popullore Shkodrane” nga Kasëm Taipi. Po të mendosh se ky libër është botuar 65 vjet më vonë se “Zana Popullore” ( 1933) mendon se  do të jetë më i plotë, më i saktë dhe më i detajuar, me shënime e sqarime të  lavdërueshme. Por mjerisht nuk ndodh aspak kështu siç do ta shohim më poshtë.

 Është e çuditshme sesi në ribotimin e librit të Kasëm Taipit,  është vendosur vetëm parathënia e botuesve dhe jo parathënia e tij, gjë që nuk ka ndodhur as me Thimi Mitkon , as me Spiro Dinen e të tjerë. Natyrshëm lexuesi i sotëm do të dijë se ç’mendon, pse dhe ku i ka mbledhur këngët, cila është puna e autorit dëshirat, fjalët e tij dhe qëllimin pse ai ka bërë ato sakrifica të jashtëzakonshme për t’i mbledhur vullnetarisht. Por kjo nuk ndodh. Në parathënien e librit (bot. 1998) shkruesit deklarojnë: Në vëllimin që po paraqesim nuk kanë hyrë  të gjitha këngët e përfshira te “Zana Popullore.” Në të janë zgjedhur ato këngë që përfaqësojnë më mirë llojin sidomos epikën historike dhe janë hequr disa të tjera që janë më pak të realizuara…” Më tej vazhdojnë: Këngë të kësaj natyre (këngë lirike. shën im) të mbledhura nga Kasëm Taipi megjithëse dialektalizmat e sidomos  turqizmat që nuk  janë të pakta ua zbehin sadopak vlerat kanë mbetur e jetojnë edhe sot… Edhe dorëshkrimet janë seleksionuar sidomos nga vlerat artistike që ato ruajnë f.q 9…” Të mendosh se të gjitha këngët popullore shkodrane të kënduara nga Marie Kraja, Luçie Miloti, Ibrahim Tukiqi, Bik Ndoja, Shyqyri Hafizi, Mukadez Çanga e shumë djem e vajza dje dhe sot janë origjinale nga Kasëm Taipi dhe shijohen aq shumë nga të gjitha brezat në Shkodër, duket se sa të kota  dhe  të gabuara janë gjykimet e mësipërme.  Gjithë ajo sa citohet më sipër  është një shëmti e madhe  dhe të kujton ideologjinë e diktaturës  që në çdo lloj botimi hiqte e vinte sipas udhëzimeve të partisë vargje, e poezi të folklorit, madje poetëve të veçantë ua kthente në karton librat kur nuk u pëlqenin. Arsye tjetër se ato nuk duhen prekur është se ato janë materiale burimore që Kasëmi Taipi, Shkodrani i  Madh, i ka mbledhur nga goja e popullit dhe si të tilla kanë vlera të jashtëzakonshme. Mendim im është që këto këngë të mos preken e të shkruhen ashtu si janë. Edhe nëse në to ka turqizma, greqizma e sllavizma e ndonjë pasaktësi historike, fare thjeshtë ashtu si në shumë botime të këtij lloji jepen sqarime e shënime në fund të këngëve. Por të vësh dorë mbi ato thesare është e pafalshme ( në disa raste janë hequr e venë vargje të tjera siç pohojnë autorët e parathënies)  e kjo s’është gjë tjetër veçse mendësi enveriste ose në rastin më të mirë padituri ( injorancë) e redaktuesve. Për ta mbyllur këtë akt të shëmtuar po citoj poetin e madh Agim Shehu, një nga njohësit e thellë të folklorit shqiptar. Në Parathënien e librit “Këngë populloretë labërisë. Bot 1991)” mbledhur nga Fatos Mero Rrapaj, sa i përket fjalëve e thënieve të huaja ai shprehet: “Një fjalor i tërë me struktura të foluri që shpesh tani s’janë më të gjalla u rrinë këngëve ngjitur nga e kaluara, siç rrinë myshqet e gjelbra në muret e kështjellave. Fraza të hershmë disi arkaike tani rrinë varur në shtatin e këngës si veshje të lashta dalë nga përdorimi. Gjithë kjo materie ka fytyrën dhe gjuhën e kohës së vet. Mjaftojnë shënimet poshtë dhe ai fjalor hap gojën të të flasë atë që mban brenda (fq 5.)”

Por bëmat  në “përpunimin “ e ribotimin e veprës së Kasëm Taipit nuk mbarojnë këtu.  Parathënësit na bëjnë me dije: “Jemi nga fillimi i shekullit tonë kur në Shkodër më parë se në qytet e tjara kanë filluar të shtrihen më gjerë marrëdhëniet kapitaliste në prodhim … Të kësaj kohe janë krijimet e natyrës folklorike : “Kanë ikur shegertët e kundraxhinjëve” dhe “Gjithë punëtorët në kamë janë çue.”  Këto janë dhe të parat këngë për lëvizjen e klasës punëtore në vendin tonë…”  Vetë botuesit (faqe 108) sqarojnë se poezia e parë është në kujtim të një ngjarjeje të vitit 1877 dhe shtojnë se “ është greva e parë e punëtorëve” në Shqipëri.  Në Epikën Historike 2, botim i Akademisë së Shkencave, viti 1981, në parathënie gjejmë po të njejtin arsyetim, për këto këngë, që duket është kopjuar në vitin 1998: Elementë të kësaj teme te këto këngë dëshmojnë për lindjen e mardhënieve kapitaliste në qendrat e qyteteve. Kërkesat e punonjësve për shtesën e mëditjeve nga padronët, format e protestës kundër shfrytëzimit kapitalist borgjez paraqesin një fazë me shumë rëndësi të zhvillimit të ndërgjegjes së klasës tonë punëtore…”…  Po në parathënien e Ep. Hist. 2. bot 1981, pasi përmendën Hamz Kazazi, Dasho Shkreli, Tafil Buzi, Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, etj. theksohet: ” Në figurat dhe gjestet e tyre gjen një shprehje të lartë ideja marsist-leniniste se masat janë krijueset e vërteta të historisë” faqe 8” dhe më tej: Këngët kanë nxjerrë në pah vazhdimisht lidhjet reaksionare, antipopullore, antipatriotike të klasave sunduese. Në to shihet qartë se pushtuesit kanë gjetur mbështetje herë pas here te pashallarët vendas të cilët kanë shërbyer si agjentë për skllavvërimin e popullit..fq 24,”  

Këto lloj gomarllëqesh i gjen për këto këngë pothuaj në të gjitha botimet e para vitit 1990 dhe kjo është e kuptueshme, ndryshe partia nuk i botonte.  Në vitin 1981 kjo e folur e drunjtë edhe justifikohet, por të flasësh me këtë gjuhë në vitin 1998 është e papranueshme. Të vazhdosh më këtë “muzikë” në vitin 1998 kjo do të thotë, që gjithçka në parathënie është kopjuar nga parardhësit pa menduar  ose autorët as ia kanë haberin fjalëve: marëdhënie borgjezo kapaitaliste, dhe klasë punëtore. Në të dy rastet është për të ardhur keq. Por ka edhe më. Në parathënien e ribotimit të Akademisë së Shkencave thuhet: Mbledhësi patriot ka përfshirë në vëllim edhe këngë që pasqyrojnë kryengritjen e vegjëlisë së Shkodrës kundër ligjeve të Tanzimatit. Në këto këngë përfshihen figura të tilla si ajo e Hamz Kazazit…faqe 7” . Në faqen 79 te kënga për Hamz Kazazin jepet sqarim krejt tjetër se:  Shkodranët u ngritën (viti 1835) kundër sundimtarit turk për arsye se kërkonte 100 ushtarë për kalanë e Shpuzës dhe 75.000 grosh për riparimin e kalasë nga tregëtarët e qytetit. Shënimi i dytë është i vërteti. Fakti historik është se reformat e Tanzimatit u shpallën katër vjet më vonë, më 3 nëntor 1839, në pallatin e Trëndafilave (Gjylhane) të Stambollit në një ceremoni madhështore ku u lexua dekreti i Tanzimatit (Hatti Sherif i Gjylhanes, Dekreti i Shenjtë i Gjylhane) për riorganizimin e Perandorisë turke.   

Në këngën: Bini djem zoti ju dhashtë ( është shkruar “dhashë”) ka dy vargje ku thuhet: Pa ndigjoni ju, vezirë/ nuk asht Shkodra si n’Babune. Në fund jepet sqarimi; Në Babunë më 1831 kishte komanduar Mustafa Pasha veziri feudal kurse tani luftonte populli i  prirë nga Hamzë Kazazi, udhëheqës i dalë nga gjiri i saj. Siç shikohet gjuha e drunjtë e ideologjisë komuniste vazhdon të falsifikojë historinë. Hamz Kazazi në rini kishte mësuar mjeshtërinë e përpunimit të mëndafshit e jorganëve dhe merrej me tregëtinë e tyre. Në kohën e Mustafa Pashë Bushatit kishte ushtruar detyrën e kullukçibashit (komandant i rojeve të tregut të Shkodrës) që e mbajti deri në prag të kryengritjes kur e shkarkoi Hafëz Pasha. Në krye të kryengritjes u zgjodhën njerëz të pasur e me shumë ndikim në qytet si Hamz Kazazi, Hysen Beu, Haxhi Idrizi, Dasho Shkreli, Haxhi Avdurrahmani, Selja Kasëmi, Ali Bajrami, Jusuf Beu, Kasëm Hoxha, Faslli Doda, Abdyl Sokli, Sulejman Gjylbegu e tj. që përbënin parinë e Shkodrës.  

Dhe ja xhevairi i fundit i akademistëve që bëjnë ç’të duan me këtë pasuri që me aq mund i mblodhi Kasëm Taipi i Shkodrës.  Në rreshtat e fundit të Parathënies deklarohet gati me ngazëllim: “… Në vëllimin e ri është bërë ndonjë ndryshim i natyrës drejtshkrimore pasi Kasëm Taipi siç thotë vetë në fjalën “lexuesve të ndershëm” i ka rregjistruar këngët e tij siç i ka dëgjuar nga populli. Ky është padyshim kritëeri i botimit të folklorit por gjithmonë duke ruajtur një konsekuencë gjuhësore dhe me një kulturë paraqitjeje të gjuhës. Zanorja “ë” është kur lexohet sipas metrit dhe theksit të vargut, duke shmangur apostrofet e shumtë.  Janë ndjekur në vijat kryesore veçoritë e të folmes së gropës(!?) së Shkodrës. Për këngët e botuara janë marë për bazë edhe përmbledhjet ku ato zënë vend.” Le të shohim vetëm një këngë, që i bën jehonë kryengritjes së vitit 1835 të udhëhequr nga Hamz Kazazi dhe paria e Shkodrës. Kënga në botimin e “Zanës Popullore” mban titullin “Kënga e Hamz Kazazit” por ribotuesit e AK-së e kanë titulluar “Bini djem ju dhashtë zoti” gjë që e kanë bërë (ndryshimin e titujve nga origjinali) në një pjesë të madhe të këngëve, duke e shëmtuar edhe më shumë ribotimin. Qysh në titull fjala “dhashtë” është shkruar “dhashë”. Nuk po ndalemi në këtë çështje se gabimet drejtshkrimore janë të shumta. Strofa e parë, Iptida u këndue fermani/në mehqeme n’odë të kadisë/Shkodra të venë e bani/I erdh hakut Osmanllisë. Dialektin shkodran e kanë “rregulluar” kështu: “kndue” e shkruajnë “këndue”; fjala “ të venë” duhet “të vetën.” Në strofën e dytë lexojmë vargun e parë “Të shkunden dy fermana” kurse duhet:  “të shtunen dy fermana.”  Pra fjalët “të Shtunë” janë zëvëndësuar me “të shkunden.” Është me të vëtetë katastrofë.Te vargu: Hamza  a me do burra:  duhet: “Hamza aga me do burra” Te vargu 25 gjejmë: Vedvedin e ban “fisda” ku fjala “fisda” duhet fida (turq-theror.) Në çdo varg apo strofë do të gjenden gabime që ia ndryshojnë kuptimin fjalëve e rrjedhin si një lumë në çdo këngë të ribotimit. Duhet thënë se në botimet e Akademisë së Shkencave para vitit 90-të gjen plot budallallëqe në parathënie, ku për futet e ideologjia komuniste kot më kot, por sa i përket dialektalizmave, sqarimit të fjalëve të huaja, drejtëshkrimit  të fjalëve dhe sqarimeve historike, vështirë të gjesh gabime. Po ky sakatim kjo përqeshje e tallje, kjo qethje zero, që kalon hera-herës deri në depilim,  që i bëhët veprës së pavdekshme të Kasëm Taipit është e palejueshme. Kasëm Taipi vdiq shumë i ri vetëm, 42 vjeç. Thuhet që është varrosur pranë xhamisë së Luguçezmes dhe sot nuk dihet me saktësi varri i tij. Por populli Shkodrës  ia ka borxh ( ashtu si vlonjatët të madh, Fatos Mero Rrapaj) një monument, këtij biri të heshtur, që me aq zell, patriotizëm e dashuri na i përcolli këngët shkodrane e ato të Veriut. 

Po i mbyll këto shënimet me fjalët e poetit Agim Shehu: Çdo këngë folklorike sidomos historike e kaluar ka vlerë kur ajo ka rezonancë të plotë në çdo ind të saj me logjikën historike të ngjarjes kënduar nga gjithë populli dhe pranuar nga historiografia jonë… Qoftë dhe një apo pak vargje të ndryshuara mund të tjetërsojnë ngjarjen dhe të shpërfytyrojnë heronjtë nga ideali dhe lufta e tyre. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Kasem Taipi, Zana popullore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT