• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mos e shit Portin e Durrësit zoti kryeministër!

February 3, 2022 by s p

 

Gezim Zilja/

Ç’janë këto fletë e zarfa derë më derë o Edvin Beu, alias kryeministri ynë? Po pyet popullit tonë të telendisur e varfëruar, për punëra të qeverisë, kur ky pret të mjel dhinë a delen të ushqejë fëmijët? Je bër si Fidel Kastrua qëmoti Edvin Bej me ato fjalimet “korr e mos lidh.” Tetë vjet në timon na ktheve te përsheshi me dhallë sa trahanaja na duket luks. Nuk e patëm kështu kur more bejllëkun. Tani do mendjen e fukarasë me demek do qeverisësh me popullin, që është ca sylesh me thënë të drejtën, po jo aq sa mendon ti. Me qënë se jemi te “këshillimi popullor” bej efendi, pse nuk u këshillove për Portin e Durrësit, që po ua jep falas Alabbar-ëve dhe  Emaar-ëve? Ka plot ekspertë në Shqipëri, që i dinë këto punë dhe u dhimbset Shqipëria, po ti je bërë jo bej e kryebej por edhe inxhinier, arkitekt, historian, albanolog, urbanist, ambientalist, doktor, profesor, romancier, infermier, financier, portier e refer. Me një fjalë e ke kthyer qeverinë në kotec pulash, ku këndon zotrote, si kaposhi i Përrallës së Plakës, që pillte vetëm flori. Ju po projektoni shndërrimin e Portit të Durrësit në një lloj Dubai të Evropës dhe ndërtimin e portit të mallrave në Porto Romano. Zhurma e demagogjia bëhet për kullat në portin e Durrësit, në qindra hektarë tokë të dhënë falas. Gjithë të tjerat janë në ajër ose në kokat e sëmura të qeverisë o Beu ynë sepse: 

1. Qeveria para së të japë leje për të shpërbërë Portin e Durrësit, duhet të marrë mendim nga agjencitë e specializuara: Kapiteneria e Portit, Agjencia Portuale Durrës, Universiteti dhe Akademia e Detit, përfaqësitë studimore, që merren me ndërtimin e porteve, përfaqësuesit e Bashkisë, Prefekturës, Komunitetit të Durrësit,  grupet e interesit në tërësi etj. Ky është ligj kushtetues. Pas kësaj mund të vazhdohet puna e qeverisë për dhënie lejeje, që Porti i Durrësit të kthehet në Dubai, e të ndërtohet  një tjetër mallrash në Porto Romano. Një rast i tillë po ndodh në Kroaci, ku porti ekzistues po kthehet në port turistik. Në Rijeka, Kompania vëndase ACI-Gitone në bashkëpunim me kompaninë gjermane LÜRSEN po përfundojnë dokumentacionin për ndërtimin e marinës në porto Baros në Rijeka dhe porti i konteinerëve po ndërtohet në Jug të portit ekzistues, në një thellësi uji prej 30m. Ky vendim është shoqëruar me konsultime publike me grupet e interesit, operatorët portualë, stivadorët, agjensitë detare dhe spedicionere, pilotët dhe shërbimet ndihmëse, si dhe me botën akademike. Në ndërtimin e portit turistik të Rijekës nuk janë planifikuar ndërtime banesash dhe kullash si në Durrës. Kostua e parashikuar e ndërtimit do të jetë 54,5 milion USD dhe do të jetë një koncension 30 vjeçar. Këto të dhëna mund t’i gjejë kushdo në internet.

2. Përse porti i jahteve dhe kullat o Beu ynë nuk ndërtohen në Porto Romano, duke  e kthyer atë copë tokë në  Dubain durrsak?  Nëse Alabbari ktheu shkretëtirën, ku piqet kulaçi në diell, në një  parajsë, çfarë e pengon atë, që një vend mesdhetar dhe të bekuar si Porto Romano, ta kthejë  në parajsë!? Përse ai kërkon me çdo kusht Portin e Durrësit, e ky pas tre mijë vjetësh të ngrejë leckat në krah e t’ia mbathë 6,5 km larg, në Porto Romano? 

3. Pse nuk bëhet me tender ky investim gjigand por i jepet të parit, që ofron projektin, preventin dhe paratë? Kjo është shkelje e ligjit shqiptar për tenderat. Le të bëjmë një llogari. Sipërfaqja e truallit të portit 80ha e llogaritur me 2000 ero/m2, sipas vlerës së tregut, arrin 1.6 deri në 1.8 miliard euro. Gjatësia e kalatës së portit është 2.200 metra dhe vlera e tij si port, së bashku me investimet e kryera aty, llogaritet rreth 1.3 miliardë euro. Porto Romano sipas projektit kushton 500 milionë euro dhe është investim i qeverisë shqiptare. Arabët do të investojnë 2 miliardë euro, pothuaj aq sa ia dhuron qeveria me truallin falas. Për të ndërtuar portin e ri shqiptarët do të shpenzojnë. (1.8+1,3 +0,5) = 3.6 miliardë euro. Shkurt edhe një idjot e kupton se çfarë po ndodh.  Përgjigju bej efendi se populli është i zemëruar dhe do të dijë se ç’bëhet me pronat e tij. 

4. Portet nuk ndërtohen me kërkesën e sheikëve dhe palaçove të qeverisë që shkojnë në Dubai e sillen si zorraxhinjë te Nustreti, por nga kërkesat e tregut, leverdia ekonomike dhe pozita gjeografike. Zhvillimet e sotme në transport dhe në logjistikë kushtëzojnë ndërtimin e anijeve, rrjedhimisht dhe të porteve. Tendenca e ndërtimit të porteve është të presë anijet e dhjetëvjeçarëve të fundit përfshirë dhe kontejnerët. Në Selanik ka një port modern, që është në gjendje të presë edhe anijet e kontejnerëve të tonazheve të mëdha. Në Rijeka po ndërtohet porti i kontejnerëv me një thellësi tridhjetë metra. Thellësia maximale e Portit të Durrësit është 11.5m kurse në Porto Romano për arsye gjeografike dhe teknike nuk mund të kalohet thellësia 7.5 metra dhe gjatësia e kalatave nuk mund të kalojë 200m. Ekspertët thonë se në Porto Romano nuk mund të ndërtohet dot një deep port ( Port i thellë) ku të ankorohen anijet kontejnere të tonazheve të larta. Atëherë si do të bëhet “ Porti më i madh në Ballkan dhe një shëmbull në Mesdhe mbi transportin modern detar në Porto Romano” sipas cicërimave të ministres Balluku?! Pyetja që shtrojnë specialistët është: nëse ka një deep port në Selanik, po ndërtohet një deep port në Rijeka, i aftë për të pritur anijet e gjeneratës së fundit të konteinerëve, atehere kujt do t’i shërbente ky port me thellësi 7.5 metra? Si ta quajmë këtë: padituri, babëzi apo tradhëti kombëtare? Veç kësaj një port nuk mund të imagjinohet pa lidhje me autostradë dhe hekurudhë të paktën me vendet e rajonit?! Kur do t’i bësh, e me çfarë parash të gjitha këto o beu ynë? Nëse  plani i qeverisë vihet në zbatim asnjë anije kontejnerësh e dhjetëvjeçarëve të fundit nuk mund të ankorohet në Porto Romano. Biznesmenëve tanë dhe vëllezërve kosovarë do t’u duhet të shkojnë në Selanik apo Rijeka dhe  atëherë asgjë nuk mund të korrigjohet. Për aq kohë, thonë ekspertët, ( jo gomerët) që Shqipëria nuk është në gjendje të ketë një Deep Port, Porti i Durresit mbetet e vetmja mundësi, që mos të pengohet lëvizja e panderprerë e mallrave. Dështimi i projekteve të tilla e çon në falimentim një shtet të vogël e me arkat bosh si Shqipëria. 

PS. Sipas burimeve të sigurta “Emaar Group” dhe qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe janë tërhequr nga ndërtimi i Portit Turistik të Durrësit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e ka pranuar zyrtarisht se as kompania e njohur dhe as Emiratet nuk janë pjesë e projektit. Në vend të “Emaar Group”, në portin e Durrësit, Mohamed Alabbar ka sjellë një tjetër kompani të tij, të regjistruar në ishujt Cayman, si kompani offshore. Më hollësisht për këtë aferë do të shkruajmë herën tjetër. 

.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Gezim Zilja

Xhelua…

December 2, 2021 by s p

Gezim Zilja

E quajnë Xhelo, rreth të dyzetepesave, por nuk di si e ka ndërruar emrin në Xhoni atje në Amerikë. Po shkelte për herë të parë në qytet pas njëzetë viteve, që ishte larguar. Dhjetë vjet të shkuara vdiq i ati, që jetonte fillikat. E shoqja, mësuese nga ato që nuk harrohen kurrë nga nxënësit, tepër e dëshpëruar nga mungesa e gjatë e  djalit të vetëm, kishte ikur më parë në atë botë, zemërplasur dhe  pengun për ta parë edhe një herë para vdekjes. Jemi njohur me Xhelon në universitet dhe që atëherë nuk ishim parë. Nuk di si ma kishte gjetur numrin e telefonit.

 -Do të më ndihmosh, të shkoj në varret e prindërve të vendos një tufë lule. Ma ka lënë amanet Barbara, ta bëj tufën me shumë lule sidomos krizëntema te bardhe-kuqe,- ngatërronte gjoja shqipen Xhelua. 

– Kush është Barbara? 

– Gruaja ime amerikane. Doja një shqiptare në fillim po fitoi Barbara. Kemi një shtëpi të madhe, me pishinë, që ia blenë prindërit, dy fëmijë..  

– Atje banon edhe sot? 

– Sigurisht. Po vjehrri ka një fermë….

-Xheloooo! Prindërit e tu ishin të vetmuar. I varrosi gjitonëria dhe një halla jote…  -E, eeee! Kam një hallë, po nuk pata kohë ta takoja, se mbarova ca porosi. Unë u kam dërguar prindërve 100 dollarë çdo muaj dhe ndonjë plaçkë. Kam folur dhe në telefon. Do të kisha ardhur edhe në varrim po punët e shumta…. 

-Në Shtëpinë e Bardhë punon ti ? Me sytë nga dera vdiqën. Nuk erdhe as për babanë e as për nënën. Të paktën të shihnin nipat,- nuk mu durua.  Po ku i mbyllej goja amerikanit Xhoni-Xhelo. – Kam tre makina atje në Amerikë. Doja t’i dërgoja një babait. Këtë e kam marrë me qera këtu, pak shtrenjtë mu duk, po hajd’ mo…

-S’ka gjë. Deri te varrezat do na çojë.-  Zbritëm nga makina. Në disa hektarë mbi pjerësitë e kodrinave, zgjateshin pafundësisht, në mënyrën më të çuditshme, varret e mermerta. Tela, gardhe, kangjella hekuri, rrugë pa rrugë, pemë e lule, ku i gjalli e kishte vështirë të kalonte edhe brinjas, pa shkelur mbi ndonjë varr. Ngushtë, shumë ngushtë flinin gjumin e madh të gjorët, që duket nuk gjenin rehat edhe atje nën tokë. Xhelua filloi të më tregonte sipas asaj, që i kishin thënë, se varri i nënës ishte një kilometër drejt rrugës kryesore, pastaj ktheheshe djathtas mbi ca varre të mëdhenjë me mermer e çati të kuqe, ku ishte një pishë me dega të thyera…  Në anën e kundërt të rrugës ishte varri i babait, në mes të dy varreve rrethuar me kangjella hekuri me nga një deriçkë… U bën tre orë që po kontrollonim. Gjetëm dy varre me emrin e të ëmës por mbiemri ishte ndryshe. Dielli ishte në perëndim dhe dita po ia linte vendin natës, që po pllakoste dalëngadalë. 

-Xheloooo! Vetëm po u ngrit nëna ose babai ( Zot! Mos më fut në gjynah!) ta na tregojnë ku janë. Eja të ikim. Vijmë nesër me sabah. 

–  Nesër më ikën avioni. E kam prerë biletën vajtje-ardhje. Bëhen merak Barbara me fëmijët. Mbase vjen nesër dhe i vendos ti lulet. Ma bëj këtë nder…

– Porosi e kryer. Ik i qetë!- Pastaj mërmërita: Do i gjej dhe do u them i keni lulet nga Xhelua. Mendova se më dëgjoi e do i ngelej hatri, por ai vazhdonte i çelur në fytyrë dhe plot gjallëri. Nuk dukej fare i mërzitur. Mund edhe të mos më besonte. Fundja varret nuk mund t’i merrte dot njeri. Ato aty do të ishin edhe pas njëzetë apo njëqind vitesh. Hipëm në makinën me qera, që u ndez me të shkrepurën e parë. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

Tuneli i Llogorasë dhe llogaria e Llogorasë

November 22, 2021 by s p

Gezim Zilja/

Gara për tunelin e Llogarasë është nisur më 20 qershor 2020 dhe është anulluar tri herë. Sipas ish-kryetarit të KLSH, deputetit Bujar Leskaj :” .. Qeveria në mënyrë të pashpjegueshme, zgjodhi ofertën me vlerë 140 milionë euro, kur në mars të vitit 2021, për këtë prokurim, refuzoi një ofertë me vlerë 110 milionë euro të një konsorciumi të përbërë nga një kompani turke dhe një shqiptare!?Dëmi ekonomik dhe abuzimi në këtë vepër është jo pak, por 30 milionë euro!( Shih: Gazeta panorama 15.11.2021). Gjatësia  e Tunelit të Llogorasë do të jetë 5.9 km dhe do të bëjë kalimin nga Dukati në Palasë për 10 minuta. Nga porta hyrëse e tunelit, duke ndjekur rrugën e ekzistuese duhen 30 minuta deri në Palasë. A ia vlejnë miliardat e planifikuara, kur fitohen vetëm 20 minuta kohë dhe  turistët vështirë të braktisin Qafën dhe bukuritë mahnitëse të Llogarait për të fituar 20 minuta? A është Vlora gati ende për tunele, porte e aeroporte luksi? 

Qyteti vuan sidomos në verë mungesën e ujit. Janë mijëra vlonjatë që kthehen në verë për pushime në shtëpitë e tyre sidomos nga Italia e Greqia. Në gjendjen skandaloze të mungesës së ujit dhe rrugëve lidhëse brenda lagjeve  ata marrin shtëpi me qira në zonat me ujë ose mallkojnë veten dhe ia mbathin andej nga kanë ardhur. Zona turistike si Radhima, Orikumi, Dukati e Llogorai kanë ndëprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike. Lagjet informale pas fushës së aviacionit e deri në pyllin e sodës, jetojnë pa asnjë shërbim social. Mijëra njerëzve aty u mungojnë rrugët, ndriçimi, ujët e pijshëm, kanalizimet, kazanët e plehrave e shërbime të tjera bazike. 

Vlora ka rreth 130.000 banorë. Në standardet e sotme duhet që për çdo banor të ketë të paktën 7m2 deri në 8m2 sipërfaqe të gjelbëruar. Në vitin 2010 kjo shifër ishte 5m2/gjelbërim/banor. Sot të dhënat janë 1,7 m2/gjelbërim/banor me tendencë uljeje të mëtejshme. Kjo “përkthehet” që Vlora nga një qytet ku aroma e jodit dhe portokallit ndihej deri në Sheshin e Flamurit, sot ka ajër të ndotur dhe prania e dioksidit të karbonit (CO2) është tetëfishuar karahasuar me dhjetë vjet më parë. 

Zhdukja e gjelbërimit dhe betonimi i Vlorës, duke e katandisur në 1.7 m2/ gjelbërim për banor është krim mjedisor nga qeveria, dhe bëhhet thjesht për të vjedhur. Pak gjelbërim, shumë sëmundje kanceroze, të mushkrive, zemrës, etj. 

Gjatë ndërtimit të Shëtitores sipas ambientalistëve lokalë, veç zhdukjes së gjëlbërimit tradicional, është llogaritur që rilindja për çdo palmë qerose apo rrap (jo palma, bimësi e pemë tradicionale) të mbjellë, ka derdhur mbi 7 (shtatë) m3 beton. Lind nevoja urgjente e rivlerësimit të Kurorës së Gjelbër, që rrethonte qytetin, rehabilitimit të pyjeve të Sodës e të Zvërnecit dhe krijimi i parqeve të reja.

Shëtitorja nga Skela deri të tuneli ndotet nga ujrat e zeza (tetë kanale) që derdhen lirisht në det, prandaj Vlora nuk ka për të pasur kurrë jo turistë elitarë, por as nga ata që psonisin në marketet rrotull lagjeve. Shëtitorja nuk ka park çlodhës, teatër, kinema, librari, bibliotekë. galeri artesh, muze, podiume të thjeshta, ku mund të këndohet e kërcehet, vepra arti të traditës apo historisë. Madje nuk ka as as tualete apo një çezmë, ku të freskohesh ditëve të nxehta. Në krah të Kripores janë me dhjetëra hektarë tokë e pashfrytëzur, si toka të kripura. Aty mund të ndërtohet një qytezë sportive, ku të zhvillohen aktivitete sportive për të gjitha moshat. Nuk ka pse masakrohet pylli i Sodës, duke ngritur fusha sportive në mes të tij. Papunësia kap shifra alarmante. Qyteti ka pasur një kombinat ku konservoheshin nga frutat e perimet e krahinës deri mishi e sardelet. Aty punonin qindra gra e burra e prodhimi cilësor eksportohej në Europë. Kjo traditë është shkatërruar plotësisht. Flota e peshkimit një nga krenaritë e qytetit është degdisur në  Zvërnec në kushte primitive. Asaj duhet t’i kthehet krenaria e dikurshme, duke e sjellë sërish në Skelë dhe aty pranë të ndërtohet një merkato peshku moderne. Duhet të zhvillohet e  ringrihen institutet e ullirit, pemëtarisë e vreshtarisë. ku punonin shkencëtarë të vërtetë për shtimin e përmirësimin e kultivarëve të ullirit, pemëve frutore  e vreshtarisë të përshtatura për klimën vendase, të një cilësie shumë më të lartë nga këto që importohen..Vlora antike me muret e saj vazhdon të varroset në beton, dhe qytete antike si Amantia, Ploça e Oriku apo Kalaja e Kaninës janë në mëshirën e Zotit. Nga Vlora deri te Tuneli rreth 6km nuk ka asnjë vepër artistike, shtatore, monument, që të përjetësojë ngjarjet e figurat historike. Ç’lidhje ka Muzeu i Pavarësisë me piramidat buzë ujit, rrathët e betonit herë si kuleçë e herë si petulla me një pishë të tharë në mes dhe ai koçeku betonit që zgjatet pa kuptim? 

P.S. Paratë e hedhura për Rrugën Panoramike, ndërtuar mbi kodrinat e Vlorës, që u inaugurua këtë behar me tamtame  e tralala nga kryministri dhe ministrja Balluku, shkuan për për dhjam qeni. Numri i makinave në 24 orë nuk e kaloi kurrë atë të kokrrave të tespiheve të një turku mysliman.Tani në dimër nuk ka fare trafik dhe rruga shfrytëzohet nga çobanëria për të çuar e marrë nga kullotat delet, dhëntë, dhitë, cjepët e lopët. Kjo duket qartë nga kakërdhitë e bajgat me të cilat mbushet rruga panoramike çdo mëngjes e mbrëmje. Investimet miliardëshe që janë hedhur këto nëntë vjet në Vlorë kanë pasur ndikim të pa përfillshëm në përmirësimin e mirëqënies së banorëve dhe shtimin e vendeve të punës. Nëntë muaj vlonjatët pinë kafe, hanë trahana e presin beharin, të fillojnë të bubrrojnë. Tuneli, aeroporti dhe porti janë dhurata, që kryeministri i bën vetes, qeveritarëve, miqve oligarkë dhe mafies ndërkombëtare, që kanë pushtuar bregdetin. Asgjë nuk e lidh kryeministrin me këtë qytet të bekuar veç grabitjes, kapriçios dhe delirit të madhështisë.   

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

PETREFI…

November 11, 2021 by s p

Gezim Zilja

– Hajde të të qeras se sot jam në formë! Kam sebep.

– Ka ngordhur ndonjë ujk andej nga lagjja apo si? Ti s’të jep gur të vrasësh kokën?! Bjond, syshplarë, faqekuq, veshllapush,  me kokën asimetrike, hundën e shtypur, gojën e vogël,  ku djathtas-posht mungojnë dhëmbi i qenit dhe dhëmballa ngjitur, (i ka kaluar me kohë të 60-at) duke hequr zvarrë sandalet, që nuk i mbërthen kurrë, me kapi miqësisht nga krahu. Koprac deri në thua, sigurisht, që do të më kërkonte diçka.

– Ajde, tani, lëri këto! Do vinë dhe dy të tjerë.- Petrefi është pronar i shkollës private “Pegaso.” Rritur jetim, me një babaqafor pijanec, që e ngordhte në dru, e poshtëronte, duke e sharë dobiç e hajdut, largohej me ditë nga shëpia, nuk shkonte në shkollë  dhe vidhte gjithçka mundte për të shuar urinë. Për herë të parë në jetë mbushi barkun 16 vjeç, kur zuri punë në ofiçinë si nxënës-xhenerik. Rrogën e parë bleu 20 byrekë, doli tinëz në një cep të ofiçinës dhe i përlau në pushimin e drekës. Me ardhjen e demokracisë, punonjësit privatizuan kapanonin e ofiçinës dhe magazinën. Petrefi i dëboi të gjithë: ca me mashtrime se do iu jepte paratë më vonë, ca me gjyqe false, ca me kërcënime dhe i kaloi objektet në pronësi të vet. Dikush ia shtiu në vesh, që t’i përshtaste për shkollë private dhe hopa! Nxorri licencën dhe siguroi diku, diplomën e shkollës së lartë.

-Kam gjetur nja dhjetë kokosha sivjet pa filluar shkolla. Paratë në dorë nga 2 milionë për kokë: 20 milionë sa për bismilah.  Pres dhe nja dhjetë të tjerë, që do të më vinë më vonë… Ndrinte e ngazëllente presidenti i Pegaso-s.

– Po kokosha sikur u thonë atyrë që transportojnë skafistët matanë…?

-Jo, jo! Janë dhe këta kokosha, nuk vijnë në shkollë dhe bëjnë pagesën e plotë për gjithë vitin.

– Po kush firmos dëftesat e tyre, rregjistrat, amzën?

– Mësuesit ore. Kot i mbaj 30 copë, me bukë unë? Me rastin e kovidit ua përgjysmova pagën,- shtoi me mburrje.

– Nuk kundërshtuan, nuk u ndjenë fare ? Më pikoi në shpirt.

– Ku do shkojnë? Një vend pune ka vajtur 7.000 euro. Donin të bënin dhe grevë legenat. Bëni, u thashë, po do ngordhni për bukë. Naaaaa. Si pula të lagura u bënë.  Pastaj më afroi fytyrën, duke u mbllaçitur, nga shpërtheu një duhmë këllire, që më përzjeu stomakun. – Ka dhe që nuk pranojnë. Kam një mësuese të re të pa diplomuar, që i plotëson sipas ligjeve, – më shkeli syrin. Në tavolinë ishte ulur një djal trupmadh, rreth të tridhjetave, që nuk fliste fare dhe as që ndiqte bisedën. Kthente me eks gotën, kapte me gishtat si kthetra copat e mishit, që pasi i gëlltiste, bënte një pa-pa-pa të zgjatur dhe fërkonte mollën e Adamit gjithë kënaqësi.

-Po ky? pyeta Petrefin.  – Është im bir. Aaaaa, e kam pikë të dobët. Ka dëshirë të bëhet kryetar bashkie. Do më ndihmosh një çikë me miqtë e tu. Lekë duan këta të partive. Pse ça janë ata që janë bërë…shpërvoli buzët gjithë yndyrë. – Unë jam biznesmen, kam prona, para’. Mbaj 100 frymë me bukë. Jam dhe familje patriotike. Pse të mos bëhet djali im?

–  Çfarë po thua o njeri?  Ky nuk ka as diplomë ? fola i bezdisur.

– E ndihmoj unë me eksperiencën time. Diplomën e rregullojmë. Do merrni gjë tjetër? Për djalin nuk kursehem unë. 

– Si nuk i theve këmbët po erdhe u ule me këtë sojsëz !? Iu hakërrova gjithë mllef vetes. Ndërkohë Petrefi, po i thoshte kamerierit, duke zgjatur gishtin tregues: Hidhi dhe ato të koshit në qese! Më arriti pas pak, duke u tundur si patokët e Libofshës. Në dorë mbante qesen e mbushur me mbeturina. – Pse të venë dëm? Ua hedh qenve e pulave, që mbaj në tokën e marrë me qera, andej nga pylli…

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja

Ministri i arsimit të mbretërisë dhe ministrat e tranzicionit shqiptar

November 4, 2021 by s p


Gezim Zilja/


Te ky shkrim dua të kujtoj gjestin e rrallë të ministrit Mirash Ivanaj, dorëheqjen e tij, kur mbreti “hëngri” fjalën e dhënë, pasi i kërkoi të bënte lëshime në reformat arsimore, që ai ndërmori gjatë viteve 1933-1935. Në një shtet ku mbizotëronte padija dhe korrupsioni, me probleme të panumërta ekonomike, ku varfëria dhe sëmundjet gëlonin gjithandej, ku shkollat shtetërore ishin të pajisura keq dhe mësuesit ishin të paktë, shkollat private sidomos ato greke e italjane ndiqnin një politikë antishqiptare, ai guxoi: i kërkoi mbretit reformim rrënjësor të arsimit shqiptar dhe liri të plotë për zbatimin e platformës së tij. Mbreti pranoi. Në kujtimet e vlonjatit Beqir Sinani, një njeri i ditur, nga ndihmësit më të ngushtë të Ivanajt, në hartimin e platformës për arsimin fillor, lexojmë: “… Kjo punë (hartimi i platformës. Shën. im.) bëhej jashtë jashtë orarit zyrtar sidomos natën. Punonim deri më 9-10 të natës dhe atëherë shkonim në shtëpi… “ Qëllimi i reformës së Ministrit Ivanaj, ishte që shkolla shqipe të kishte karakteristikat dhe fizionominë e saj, të ishte laike, shtetërore, kombëtare e demokratike, me tekste bashkëkohore të ngjashme me shkollat e perëndimit dhe të edukonte e orientonte në atë drejtim brezin e ri. Këto ide kërkoi të sanksionoheshin me ligj dhe në shumë raste ia arriti qëllimit edhe për shtetëzimin e shkollave private, veçanërisht ato italjane dhe greke. Beqir Sinani shkruan në kujtimet e tij: “… Me veprimin përmbysës, me stilin e punës së tij, ai kishte prekur shumë interesa të rretheve reaksionare të fashizmit dhe ndihej se rregjimi mund të kthente situatën e mëparshme…“ Mbreti nën trysninë e disa ministrave të tij, intrigave të oborrit, sidomos të reaksionit italjan dhe atij grek, këmbënguli të bëheshin disa lëshime përfshirë dhe ato lidhur me shtetëzimin e shkollave private. Ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, besnik i parimeve të veta nën moton: ”Frangar non flektar!” (thyhem por nuk përkulem) nuk pranoi të bënte asnjë ndryshim në platformën e tij. I papërkulur, i bindur thellësisht në parimet e veta atdhetare, pa shumë fjalë e justifikime, pas një pune titanike dy vjeçare për reformimin e arsimit shqiptar, më 30.07.1935, i dorëzoi kryeministrit dorëheqjen. Ai shkruante: ” … Tue qenë i bindur vetëm në shkolla të shtetit, pa asnjë cënim të së drejtës individuale ose kolektive, djelmënia shqiptare mund t’edukohet si e tillë dhe të fitojë si ndjesinë kombëtare, e ndërgjegjen shqiptare ashtu dhe moralin shoqnuer dhe disiplinën shtetnore në kuptimin e sakrificit për Atdheun dhe për Mbretin, nuk mund të bashkohem me mendimin e shumicës së Këshillit Ministruer, e të pranoj çfarëdo ndryshimi. Për këtë arsye kam nderin të Ju paraqes dorëheqjen nga Dikasteri i Arsimit.Mirash Ivanaj d.v.30.07.1035. Gjatë leximit të jetës së tij, në librin shkruar nga Lazër Radi, hoqa një paralele me ministrat e arsimit këto tridhjetë vjet, që mendoj se kurkush nuk ua mban mend emrat. Gropa ku e ka zhytur politika dhe ministrat arsimin është e frikshme. Cili nga njëzetë a tridhjetë ministrat e tranzicionit kanë paraqitur te Kryeministri, kur kanë marrë detyrën (me përjashtim të viteve 1992-1996, kur ndodhi depolitizimi i arsimit) një platformë, ku të shkruheshin qëllimet, objektivat dhe reformat, që kërkonte të zbatonte? Edhe kur janë larguar apo zëvendësuar asnjë nuk ka dhënë llogari për atë çfarë bëri e nuk bëri. Cili nga ata ngriti zërin për një problem të vetëm serioz për çështjet arsimore para kryeministrit, dha dorëheqjen ose bëri publike ankesën se po pengohej në reformat e tij? Edhe dorëheqjen e kanë bërë se ia ka kërkuar kryeministri dhe kanë ikur me bishtin nën shalë si një njerëz pa nder, pa dinjitet, pa integritet e ambicje profesionale por me portofolin e stërmbushur?! Duhet të pranojmë me keqardhje, që ministrat e arsimit janë emëruar në detyrë jo për profesionalizëm apo përkushtim ndaj arsimit kombëtar, por për përkatësinë partiake, si jesmenë e eunukë besnikë të kryeministrave përkatës. Gjithë puna e ministrave ka qenë e përqendruar te emërimet e vartësve, rregullimin dhe qokat ndaj njerëzve të afërm, porosive të partisë për të punësuar militantët, kujdesit parësor për tenderat dhe favore të tjera. Në këto 30 vjet të “mbretërimit” të ministrave të llojit myqerem, janë dhënë lincenca për universitete, faktikisht kioska, që shisnin diploma si gjiza e kosi në dyqanet e bulmetit. Në arsimin parauniversitar janë dhënë e jepen lincenca shkollave me ambjente skandaloze, ku notat i vendos pronari, mësuesit trajtohen më keq se hamenjtë në tregun e shumicës së fruta-perimeve, e qëllimi janë fitimet e pronarit etj. etj. Në sitemin arsimor të sotëm edukimi moral, qytetar, dashuria për familjen, atdheun, kulturën, traditën e historinë është në kuotat më të ulta. Ndryshe nuk ka si shpjegohet, që rinia dhe ajka e inteligjencës shqiptare ikën e ikën pa kthyer kokën mbrapa. PS. Prokurori komunist Bedri Spahiu: Besoj se gjatë kohës së burgut do t’i kesh rishikuar pikëpamjet e tua? Mirash Ivanaj: Jam nji mendimtar dhe nji demokrat, që edhe sikur të kthehesha mbrapa në jetë, do të ndiqja po të njëjtën rrugë. Vdiq nga torturat në burgun komunist më 1953.Citimet janë marrë nga libri i Lazër Radit: Ministri i hekurt, Mirash Ivanaj. Durrës 2018.Sh. Bot. J.J. Radi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT