• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aferat me Portet e  Durrësit dhe gjumi i thellë i opozitës

October 21, 2021 by s p

Gëzim Zilja/

U bënë mbi dy vjet, që flitet për kthimin e Portit të Durrësit, port me rëndësi strategjike, në port qejfesh, rezidencash, parqesh, një lloj Dubai në zemër të Shqipërisë dhe ndërtimin e një të riu në Porto Romano. Mënyra sesi po serviren këto investime ngjall shumë dyshime se po kryhet një akt i madh antikombëtar me pasoja të rënda e të pariparueshme. Kjo mund të sjellë veç të tjerave mangësi në kontrollin dhe administrimin e territorit, që kërcënojnë sigurinë dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme. Në Republikën e Shqipërisë ka një dokument themeltar që quhet, Strategjia e Sigurimit Kombëtar ku theksohet: “… SSK-ja është dokumenti më themelor planifikues për Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë…”Komisioni i SSK-së nuk është mbledhur për të dhënëmendim për këto investime dhe kjo përbën një shkelje të rëndë lidhur me pozicionin strategjik të Portit të Durrësit. 

Për portin shkruhet:”…: Mbështetur në këtë dokument në portin e Durrësit janë bërë investime me vlerë qindra milionëshe për modernizimin e tij dhe realizimin e SSK-së…” Afera me arabët hedh në erë investimet e bëra në Portin e Durrësit, që  çuditërisht ende vazhdojnë. A do të përgjigjet kush për shkatërrimin e këtyre investimeve, si godina të administratës, magazina, bazë logjistike, riparim, zgjerim, thellim kalatash etj?

Në mbledhjen për zgjedhjen e kompanive konkuruese më 22.09.2021 ministrja Balluku tha: “ Porti aktual na bën krenar por fatkeqësisht duhet ta ndryshojmë…. Ndotja akustike, ndotja e ajrit janë problem për qytetin. Kjo pengon zhvillimin…” Kaq arsye gjeti ministresha, që të spostohet Porti i Durrësit.Po aty me një lehtësi marramendëse e plot krenari ajo parashikoi se: “… Durrësi do të kthehet në një pikë referimi për të gjithë Mesdheun. Projekti i zhvillimit i një marine elitare dhe një balline ujore do të konkurojë të gjithë investimet në fushën turistike e ndërtimit në kryeqytetet europiane e në të gjithë botën. Disa vite më parë një investim i tillë quhej utopi. Tani te ne këto janë bërë të zakonshme …”Kjo mënyrë të shprehuri të kujton veprën e “pavdekshme” të etërve, Metallurgjikun e famshëm, tashmë një varrezë gjigande dhe atë shprehjen: Shqipëria është fanar ndriçues në Europë. Investitori arab në një intervistë të stërzgjatur me Blendi Fevziun pohoi plot sinqeritet: “…Unë do t’i kryejë këto investime dhe do t’i shesë të gjitha ndërtimet kryesisht arabëve por edhe të huajve, që të nxjerr fitimet e mija…” Pyetja është: Çfarë fiton Shqipëria nga ky investim gjigand?! Do të punësojë kamerierë e fshatarët përreth do të shesin patate e qepë? Me këtë terr informativ dhe mungesë transparence, Porti i Durresit me 80ha tokë, e 76ha akuarium mund të ndodhë që një ditë të quhet Emiratet e Bashkuara Arabe të Ballkanit Perëndimor. 

Gjatë paraqitjes së projekteve për Porto Romanon çdo përfaqësuesi firme  iu lanë pesë minuta kohë.  Ministrja Balluku deklaroi me një fudollëk të pajustifikuar:“…Personalisht  e kam bezdi kur më kufizojnëkohën… Kohënpër paraqitjen e projekteve e kam vendosur unë, vetëm 6 muaj. Meqënëse bashkëpuntorët e mi janë më miqësorë ( çast kur minitresha buzqëqeshi duke ngritur vetullën e djathtë) po shtoj plus 2(dy) muaj, pra tetë muaj…” Pastaj plot madhështi shtoi: “… Me shumë kënaqësi u them se këtu nuk flitet thjesht për një port të një shteti të vogël, por për një port me rëndësi të veçantë për rajonin. Ky port bëhet për të ndryshuar konceptin për tregëtinë detare jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë rajonin. Flitet për një kapacitet ekonomik që do të reflektojë jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë Ballkanin…” Pra veç të tjerave ministrja dhe shtabi i saj do të mësojnë rajonin e më gjerë të ndryshojnë konceptin për tregëtinë detare!?Nuk u tha se çfarë kapaciteti do të ketë fillimisht ky port, deri ku mund të shkojë vlera e projektit, cilët do të jenë financuesit etj. etj.  Në fjalim ajo parashikoi, që në vitin 2030 Porto Romano ( Porti i Durrësit, ka kapacitet 5 miljon tonë në vit) do të ketë një kapacitet prej 50 miljonë tonë në vit!? Si shtet rrumpallë që jemi, në Porto Romano vitet e fundit janë ndërtuar dy terminale të reja, që kufizojnë shumë ndërtimin e portit të ri. Ç’do të bëhet me to? Dhe kryesorja: Për gjithë këto projekte e investime gjigande, a do të ketë oponencë? Që të ndërtosh porte të tillë duhet të jenë ndërtuar më parë autostrada e rrugë hekurudhore, që lidhin Durrësin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pa këto Porto Romano në madhësinë që kërkon Balluku është një utopi. Para disa ditësh u njoftua se në  Sofie u nënshkrua memorandumi tri palësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për Korridorin VIII (projekt i vitit 1996) si një hap i rëndësishëm bashkëpunimi midis tri vendeve, për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Ky memorandum i përmendur si një fitore e madhe e qeverisë Rama, është një copë letër mirëkuptimi firmosur nga tre ministrat e transporteve. Në komunikatë anashkalohet një fakt themelor: nuk thuhet se për Korridorin VIII nuk ka asnjë financim dhe ndihmë nga BE-ja; kjo u la si detyrë parësore për të tri vendet pjesëmarrëse por pa afat kohor. Sa para dhe kohë i duhen Shqipërisë të ndërtojë pjesën e saj të hekurudhës dhe autostradën deri në Qafë Thanë? Si do të arrijë ky port gjigand të thithë e shpërndajë 50 milionë tonë mallra në vit, kur deri sot asnjëherë nuk është kaluar shifra 5(pesë) milion ton/vit, që është kapaciteti i përgjithshëm i portit ekzistues? Pse opozita nuk kërkon transparencë të thellë, që të kuptojmë se ç’po ndodh me portet e Shqipërisë, të Vlorës e të Durrësit? Këto janë investime që ose  e nxjerrin në dritë Shqipërinë ose i bëjnë gropën. Dhe gjithë kjo lihet në dorë të ministres, që pa e fyer duhet të them, që nuk ka njohuritë e duhura për ndërtimin e porteve, transportit detar e atë tokësor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

Politika dhe tragjedia e Elbasanit

October 7, 2021 by s p

Gëzim Zilja

Para zgjedhjeve të 25 prillit në Elbasan pati një përpjekje midis dy grupeve kundërshtare të PD-së dhe PS-së. Ngjarja tronditi Elbasanin dhe mbarë Shqipërinë. Përpjekja me armë pati një ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimet e zgjedhjeve në qytetin e Elbasanit e më gjerë. Grupet kundërshtare  u goditën me pistoleta, ku si pasojë pati  një të vrarë dhe tre të plagosur. Në vendngjarje ndodheshin dhe forcat e policisë por ato ndërhynë me vonesë, duke mos e parandaluar dot ngjarjen e rëndë. Policia arriti të ndalojë një furgon të militantëve të PS-së me materiale kompromentuese si karta indentiteti, shuma parash, lista të personave, që u ishin dhënë para’ dhe sende të tjera kompromentuese. Sipas mediave të cilat ndoqën ngjarjen fillimisht thuhej: “ …Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Elbasanit ditën e sotme 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të së dielës.Pjerin Xhuvani ka mbetur i vrarë dhe 3 persona të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje me armë, që dyshohet se nisi për shkak se një makinë po shpërndante para në emër të Partisë Socialiste… Mësohet se kreu i PD-së në Elbasan, Gazment Bardhi ka kërkuar që OSBE të jetë prezente në Elbasan pas ngjarjes së rëndë të ditës së sotme. Në polici është vetëdorëzuar Arbër Papleka, autori i dyshuar i vrasjes. Në polici mësohet se është shoqëruar dhe vetë Gazment Bardhi, si dëshmitar i ngjarjes.  Po sipas shtypit Gazmend Bardhi ka deklaruar: “Ne kemi të filmuar faktin, që personi është filmuar nga grupi i mbrojtjes së votës, duke dhënë para dhe duke mbledhur karta. Personi që ka këtë celular ka shkuar për të dëshmuar në polici.”  Drejtuesi politik i PS-së Taulant Balla,ka qenë më i prerë në deklaratën e tij duke fajësuar forcat kundërshtare:”… Këto janë provokime, që kanë autor Partinë Demokratike dhe presidentin Ilir Meta dhe ka akuzuar se demokratët kanë zbarkuar në çdo cep grupe paramilitare.” Nga shtypi dhe deklaratat e policisë u bë me dije se u kryen disa arrestime dhe po vazhdonin hetimet me intensitet. Në kushtet e ndodhisë duhej që policia të dilte me përfundime, të sqaronte me hollësi e të zbardhte gjithçka. Por edhe sot nuk ka një përfundim apo komunikim se çfarë ndodhi dhe kush ishin shkaqet e vërteta të përplasje me armë në Elbasan. Taulant Balla dhe Gazment Bardhi ishin drejtuesit politikë të fushatës në Elbasan respektivisht të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Ata janë figura shumë të rëndësishme në partitë e tyre. Ajo që të bën përshtypje është se pas vrasjes së Pjerin Xuvanit dhe arrestimit të militantit të PD-së, asnjë nga forcat politike nuk ka marrë përsipër të diskutojë më për këtë ngjarje. PS-ja  dhe PD-ja pas zgjedhjeve shpallën fitoret, njëra të vërtetë dhe tjera me pretendimin sa ia kishin vjedhur. Në analizat e tipit marksist–leninist të dy partive vunë në dukje “sukseset,” duke shpallur armik dhe fajtor kundërshtarin politik pa kthyer asnjëra gishtin nga vetja . Por ajo që të trondit dhe të bësh të mendohesh thellë është se Taulant Balla nuk e përmendi ( pale të mbante zi) për asnjë çast militantin Pjerin Xhuvani, që u bë kurban, duke kryer detyrat e partisë. PD-ja nga ana e saj e harroi “anëtarin e grupit të mbrojtjes së votës” që me “bekimin” e Gazment Bardhit kreu aktin e vrasjes pavarësisht nga rrethanat. Sot babai i katër fëmijëve Arbër Papleka, rrezikon burgun e përjetshëm. Të dy partitë nuk bënë të paktën një deklaratë sado hipokrite, që të distancoheshin nga ngjarja dhe të dënonin aktin e vëllavrasjes. 

Në një shtet demokratik  çështjet e pushtetit nuk zgjidhen me grykën e armës por me votë të lirë. Këtë teori duhet të “injektojnë” drejtuesit politikë te militantët e tyre në bazë. Drejtësia shqiptare krahas zbardhjes së plotë të ngjarjes duhet të zgjidhë në hetimet e saj pyetjet themelore: Kush i armatosi këta njerëz? A janë fajtorët kryesorë ata burra e djem, që shkrehën armët e vranë njëri-tjetrin apo ata që i armatosën, iu mbushën kokat me urrejtje e premtime dhe i dërguan në luftë kundër “armikut.”  Madje jo vetëm drejtësia por vetë partitë, drejtuesit e lartë të tyre, duhet të analizojnë hollësisht me gjakftohtësi e atdhetarizëm punën e drejtuesve politikë në Elbasan dhe çfarë masa duhen marrë, që këto të mos ndodhin më. 

Policia dhe drejtësia shqiptare ka një pafundësi ngjarjesh në shqyrtim, të cilat shtohen çdo ditë. Por politika është ajo që i inkurajon ose i pret rrugën krimit dhe korrupsionit. Duket se ka një marrëveshje të nëndheshme (qofsha i gabuar) midis politikës dhe prokurorisë që kjo ngjarje të harrohet. Përndryshe  nuk ka pse zgjatet e zvarritet deri në kufijtë e absurdit, e të kosiderohet si një vrasje ordinere e të mos trajtohet si një ngjarje me prapavijë politike. Kështu, mjerisht edhe në kushtet e drejtësisë së rilindur, politika e mosndëshkueshmërisë të krerëve politikë, do të vazhdojë të sundojë në Shqipëri.  

Filed Under: Politike Tagged With: Gezim Zilja

SAKO

September 30, 2021 by s p

Gezim Zilja

Mëngjes herët u ula në barin e hotelit trekatësh të Sakos, dikur një shtëpi përdhese e rrethuar me gardh. Dielli sa kishte nxjerrë kokën mbi kodrinat dhe rrezet e tij po pushtonin dalëngadalë sipërfaqen e detit ende të përgjumur, duke stërpikur përkohësisht ngjyrën e kaltër me një portokalli, që i afrohej  bregut me shpejtësi. Vështirë një piktor mund ta hedhë në telajo atë nuancë portokallije ndoshta edhe pse kjo zgjat disa dhjetëra sekonda. 

– Keni ndopak punë sivjet o Sako?

-Bereqaversën, gjynah të qahem! Po jemi populli i poshtër.
Hotelet rreth e qark i kanë dyfishuar çmimet. Ky lokali ngjitur  ( Sakua i ka rritur me kohë çmimet) e ka bërë mishin e pjekur me 2.000 lekë kilogramin… Befas ndërpret fjalën, hedh sytë nga hyrja e lokalit dhe godet ballin me dorë. Dy ukrainase, me rroba plazhi, me ca këmbë kilometrike, të drejta, të derdhura  si statujat greke, plot hire e të shkujdesura u ulën pranë nesh. Sakos iu lëmua fytyra e  po i dilnin jashtë kokordhokët e syve. 

– Sakooo, po të sheh gardiani.-  I tromaksur brof në këmbë dhe kthen kokën nga hyrja e hotelit. Gardiani është e shoqja. Me ca flokë gjysmë bjond, të qethura shkurt, që ngjasonin si një furrik kashte kthyer përmbys, krehur s’dihet qëkur, ajo kishte kthyer kurrizin, duke pastruar tavolinën. 

– Po ti po tall b.. me mua,-  mu drejtua gjoja i fyer.  – Aman se ma nxiu jetën,- qeshi pastaj i lehtësuar, duke me shkelur syrin gjithë djallëzi. Sakua sa ka mbushur të gjashtëdhjetat. Faqekuq, energjik, kokëmadh, hundëpatate, me barkun e bollshëm, sa rripi i pantallonave dhe tokëza mezi duken, të zhytur fare pranë herdheve e këmishën të zbërthyer, ngjason me personazhet feudalë të letërsisë klasike ruse. Ditë më parë më kishte kërkuar librin për “skelarët” dhe ”atë për ngjarjet e vitit 1997.’’ Nxorra librat nga qeska. – Të kam sjellë tre dhe një me tregime. Sakua i mori dhe filloi t’i shfletojë me kureshtje.

 –Ou! Po këta të dy kanë dhe foto!? Më pëlqejnë shumë librat me foto.  Pastaj i ktheu nga ana e pasme, pa çmimet u vrenjt dhe më pa në sy. – Kushtokan ca këto librat…

 –Pa problem. Merri po t’i dhuroj! Fytyra iu përfshi nga një valë kënaqësie sa mu duk se dhe veshët llapushë po lëkundeshin, duke më falënderuar. – Eeee! Fisniku, fisnik ngelet. Qafsha të gjithë, që do t’i lexoj! Një djalë rreth të njëzetepesave, me ca mustaqe të holla  po ndiqte bisedën përkulur mbi Sakon.- Afrohu, afrohu këtu Myler! Ky xhaxhi është shoku im. Më dhuroi këto librat… 

– Libraaaaa,? tha djali i çuditur. –Ti bën libra? E kush blen sot libra? mu drejtua, duke më parë me ca sy maçoku nga poshtë lart. … 

– Ore trap! Çar po flet.? Ik zhduku që këtu!- iu gërmush  Qakua. – Është djali im po mos ia vër re! Me shqelma e mbaroi të mesmen. Mi griu paratë me këto kurvat…

 – Lere djalin rehat! Udhëroi gardiani pa kthyer kokën. Sakua kaptoi pështymën poshtë dhe bashkoi fort buzët. Lashë mbi tavolinë 100 lekëshin e ujit. Si pa mëndje gishtërinjtë e Sakos e thithën si magnet. Më përcolli deri tek dera e lokalit: – Po dil ndonjë herë t’ia shtrojmë e të kënaqemi. Dil për zotin se na merr malli! Ishte i njëzeti behar, që ma përsëriste ftesën. U largova pa kthyer kokën. Në sy më shfaqeshin fytyra e lumtur e Sakos pasi i pohova, që librat janë falas dhe mënyra si përlau 100 lekëshin e ujit ndërsa në kokë më godisnin ritmikisht si me çomangë fjalët  e Mylerit: – Ti shkruan libraaa!? Po ku blen sot njeri libra!? 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gezim Zilja

Koço…

September 10, 2021 by s p

Gezim Zilja

  • Mos na rri kaq larg, pi një kafe me popullin,- dëgjoj një zë të njohur.
  • O Koço, nuk të pashë. Do ulem pa tjetër.-  Ora nuk ka shkuar ende shtatë, lokali është bosh, po Koçua e ka filluar ditën e punës.
  • O Pëllumb! Edhe kafe, raki për presorin!- iu drejtua pronarit. E kuptoj që çdo kundërshtim është fare i kotë. 
  • Më thanë që të erdhi djali nga Anglia,-  hapa muhabet.
  • Erdhi ore erdhi, po çe do që erdhi. Katër vjet kisha pa e takuar.  Nuk ndenjën në shtëpi, se unë jam akoma me mobiljet e Enverit. Ndenjën në hotel. Po vend kishim se unë vetëm me plakën jetoj.- Kishte një mllef të madh Koçua, që donte ta zbrazte. 
  • Po nipin e kishin marrë me vete?-  buzëqesha kot. 
  • E kishin marrë ore, e kishim marrë, po çe do. Nuk na njihte fare. Le që nuk e la e ëma të afrohej me ne!?
  • Po si kështu?
  • Na morën me plakën një darkë andej nga lokalet e shtrenjta, anës detit, po çe do. E bëri det me peshq e prodhime deti po nuk më shkonte poshtë. Më ngelën sytë te nipçja se e takoja për herë të parë. Po nusja….
  • E nga e ka nusen?
  • Nga fshatrat e Fierit. E ka gjetur vet atje në Angli. Po nuk më la ta përkëdhelja nipçen. Aman more, kanë kanë nënë e babë vetë këto gra a ç’dreqin kanë ?- shpërtheu Koçua. –S’vura gjë në gojë. Nja dy dopio i ktheva se më mërziti ajo m.. laleshke. Në shtëpi na solli djali. I la dhe njëqind euro në dorë gruas. Atje janë mbi komodinë edhe sot e kësaj dite. Plaka u vjen ndonjëherë rrotull por ia kam bërë benë se po i preku me dorë, do t’ia thyej brinjët,- hoqi në zemër, duke lëshuar një “uuufffff” të tejzgjatur. Mu bë se dhe deti atje tej e ndjeu psherëtimën, u drodh, e ndaloi valët për një çast. Duhej pa tjetër të ndërroja temë.

Dy vjet më parë Koçua u nda nga shoku i fëmijërisë Musai, që shkoi në Kanada. Qe një ndarje e vështirë. Ai i la amanet, që me kafen e mëngjesit, të porosiste dy gota, një për Musanë dhe një për vete. Pëllumbi ia sillte çdo mëngjes pa folur. Koçua e cikte gotën, e thoshte: – Të paça o byrazer!- Kthente një gllënkë nga e tija dhe pastaj nga e shokut. Kur u ula, vura re, që çuditërisht mbi tavolinë ishte vetëm një gotë. Kjo ishte arsye për të ndërruar muhabet. E ngacmova: – Koço! Po ç’ne një gotë? Sikur…-  Ngriti sytë e thellë, që ende nuk e kishin humbur blunë e detit, kaloi dorën mbi flokët e rralluar, pastaj mbi fytyrën e pa rruar dhe mu drejtua gjithë seriozitet:

  • E kam lënë o presor. Doktori më tha që e kam copë mëlçinë. Kjo që shikon është e Musait. Si thua ti, të mos e pi?! Po e kam amanet ore dhe amanetin nuk e tret dheu. E rrëkëlleu me fund dhe mu drejtua: -Hë si thua tani?- 
  • Tani,- i thashë,- Musai nuk do të mërzitet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ese, Gezim Zilja, Koco

Duhen të dorëhiqen 28 deputetë të tjerë

September 2, 2021 by s p

Nga Gezim Zilja

Pesëmbëdhjetë ditë para se të hapet parlamenti Najada Çoma dorëzoi kartonin e deputetit pa bërë ndonjë deklaratë publike serioze. E kam njohur kur u shtrova në spitalin infektiv një vit më parë. Përkushtimi, dituria, thjeshtësia, komunikimi me vartësit dhe të sëmurët më bënë përshtypje dhe shkrova një artikull me titull: “Doktoreshë Najada dhe engjëjt e saj.” Sipas gjykimit të Edi Ramës kjo mjeke e shkëlqyer me rolin e saj si shefe e spitalit infektiv në kushtet e jashtëzakonshme të pandemisë, duhej  të kthehej në një hambar  votash për PS-në. Por nuk ndodhi aspak kështu. Si kandidate e PS-së në rrethin e Tiranës, doktoresha shumë e njohur mori një rezultat tepër zhgënjyes. Mendoj se Gjeneral Çomo ( kështu e kam quajtur në atë shkrim)  duke parë lojën e pisët politike midis socialistëve, atë midis forcave politike gjatë fushatës zgjedhore dhe sidomos numrin e votave të fituara,  kuptoi që ky karton deputeti nuk vlente. Partia (domethënë kryetari) vendosi rradhën në listën e kandidatëve sipas qarqeve, listë që pati fuqi absolute. Numrat sipas renditjes fitonin kartonin e deputetit edhe pse me votat e fituara mund të ishe i fundit. Për çudi asnjë kandidat nuk u ngrit para 25 qershorit të denonconte këtë ligj, që cënonte thellësisht parimin e barazisë së votës. Kjo tregon mjerimin e madh, të mungesës së mendimit ndryshe në partitë shqiptare. Gjatë fushatës së partive nën zë kërkohej, që kandidatët të mos bënin fushatë për veten por vetëm për partinë, duke nënkuptuar se fituesit janë vendosur. Numri prej më shumë se 10.000 votash që duhet të merrte kandidati i pafavorizuar nga lista ishte sikur të kapërxeje ylberin. Le të sjellim nga dy shëmbuj për PS-në dhe për PD-në, që të kuptohet qartë se çfarë ligji hartuan pozita dhe opozita, që e pranoi e miratoi KQZ-ja dhe pse ky ligj  u anullua më vonë nga Gjykata Kushtetuese.

Në qarkun e Tiranës tetë kandidatë kanë më shumë vota se doktoresha (1583) nga Fidel Ylli me 1727 vota deri te Pandeli Majko me 8785 vota. Po kartoni u fitua nga doktoresha. Në Korçë kandidati i PS-së Arjan Jaupllari me nr. rendor (11) merr 5764 vota po kartonin e deputetit e merr Enslemevera Zake (1) me 3080 vota. 

Në qarkun e Fierit kandidati i PD-së Agron Kapllanaj me numrin rendor shtatë (7) mori 9274 vota, dhe doli në krye të listës. Po ky nuk fitoi dot kartonin e deputetit sipas ligjit idjot me shumëzime e pjestime absurde, (Ky absurd ndodhi dhe në Durrës me kandidatët Igli Cara(7) me 6952 vota dhe Manjola Luku(9)  me 6108 vota)  që kërkonte mbi 10.000 vota. I dyti me numër votash pas tij vjen Luan Baçi (4) me 5325 vota. Eralda Bano (2) mori 1295 vota dhe doli deputete. Mbi Eraldën janë tetë kandidatë  nga Ferdinand Çela (10) me 1318 vota te deri Jakup Beqiri (18) me 2453 vota. Në Korçë Andrea Mano (7) me 5496 vota, nuk fiton. Sorina Kote (2) me  1622 vota merr kartonin e deputetit edhe  janë tre kandidatë mbi Sorinën veç Andrea Manes. Ky vendim absurd dhe antidemokratikk ishte marrë nga pozita dhe opozita shqiptare në akord të plotë, që në listat e hartuara nga kryetarët e partive të fitonin miqtë, krushqit, “kushurinjtë” dhe “kushërirat’’ sipas listave dhe numrave rendorë. 

Kjo do të thotë që deputetët e ardhshëm në shumicën e tyre, të jenë të bindur, ndaj kryetarëve për dhuratën, e pamerituar që u kanë bërë. Duke shqyrtuar rast pas rasti të gjitha qarqet dhe duke iu referuar Vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 13.07. 2021, mbi shfuqizimin e pikës 3, neni 163, nr 10.019 të Kodit Zgjedhor, si të papërshtatshëm me kushtetutën, 13 deputetë të PS-së dhe 14 deputetë të PD-së nuk meritojnë të futen në parlament.  Ndër të tjera Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj thekson se janë shkelur:

  1. Parimi i barazisë së votës
  2. E drejta për tu zgjedhur
  3. Barazia para ligjit

Nëse do të kishim një Gjykatë Kushtetuese të pa ndikuar politikisht dhe të guximshme, Vendimi duhet të hynte në fuqi edhe për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit e jo për zgjedhjet e ardhëshme të vitit 2025. Po nëse do të kishim dhe kandidatë (tashmë deputetë) që respektojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese  të datës 13.07.2021, plot 28 të tillë, duhet të dorëzonin kartonat dhe të ishin të larë me ndërgjegjen e tyre dhe sigurisht me parimin e barazisë së votës. Ndryshe ai karton do tu rëndojë në ndërgjegje gjithë kohën dhe ka gjasa tu kthehet në një gur të Sizifit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Gjykata Kushtetuese, Parlamenti shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT