• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RACIZMI – TMERRET QË NUK DUHEN HARRUAR…

August 15, 2020 by dgreca

– Mjerë ai që gjykon me metrin e sotëm. Por edhe të harrohet është e padurueshme.-

Nga Gian Antonio Stella- “Corriere della Sera”, -Përktheu Eugjen Merlika-

            “Do t’ishte gabim të gjykoheshin veprimet e një epoke nga pikëpamja e një epoke tjetër”, shkruan Alexandre Dumas, duke vënë fjalinë në gojë të D’Artagnan-it tek Tre mosketierët. Fjalë ari. Siç dëshmojnë edhe rrahjet e zjarrta të mendimeve, mbi rrëzimin e përmendoreve të shumë njerëzve që, në kohën e tyre, mendonin se ishte “e zakontë”, sado që sot fjala na tmerron, të kishin skllevër. Mjafton të rilexohet se çfarë tha, edhe vetë Abraham Linkolni në Charleston, të Illinoisit, më 18 shtator 1858: “Nuk jam e nuk kam qënë kurrë i mendimit për të mbështetur n’asnjë mënyrë barazinë shoqërore e politike ndërmjet racës së bardhë e asaj të zezë; duhet të shtoj se nuk kam qënë në dobi të votës së negërve, ose t’i bënja ata ndihmës gjyqtarë, as për t’i aftësuar për të mbuluar detyra publike, ose t’u lejonja atyre martesa me të bardhët”. Për të shtënë dridhmën.

            Vlen, fatkeqësisht edhe për Kishën. Do t’ishte e drejtë, pikërisht sepse shumë priftërinj, fretër e misionarë, kanë zhvilluar betejë kundër skllavërisë, duke filluar nga i madhi Bartolomé de Las Casas që arriti në San Domingo si pronar skllevërish dhe i kushtoi jetën lirimit të tyre, të hiqeshin ato pjesë të historisë që edhe sot bëjnë të skuqen shumë të krishterë, të zotuar në vullnetarizëm, kryesisht n’Afrikë. Nga e cila, simbas studimeve, janë rrëmbyer e shpërngulur n’Evropë, n’Amerikat e në Vendet arabe së paku nja njëzet milionë afrikanë. Së paku.  

            Sigurisht, siç mëtoi më 1992 Gjon Pali i II në vizitën e tij të faljes në Gorè, portin senegalez nga niseshin anijet me negër (“Burra, gra e fëmijë kanë qënë viktima të një tregëtie të turpëshme në të cilën kanë marrë pjesë njerëz të pagëzuar, por që nuk e kanë jetuar besimin e tyre: si mund të harrohen vuajtjet e pafund të shkaktuara popullsive të shpërngulura nga kontinenti afrikan, duke përçmuar edhe të drejtat më parësore njerëzore?”) Kisha dënoi skllavërinë që nga viti 1462, në një letër të Piut II si një krim : “magnum scelus” (poshtërsia m’e madhe). Por bëhej fjalë për shpallje parimi të zhgënjyer.

            Heshtja për temën në Këshillin e Trentos, të hapur më 1545, kur rrugët detare për Amerikë ishin hapur  prej gjysmë shekulli dhe trafiku i të zinjve kishte filluar nga portugezët shumë katolikë (me aq pagëzime të rrëmbyerve në anije), thotë shumë. Ashtu sikurse përdorimi i 475 skllevërve në bordin e anijeve të flotës papnore me bazë në Civitavecchia deri në 1726. Mjerë ai që gjykon me metrin e sotëm. Por edhe të harrohet është e padurueshme.

            “Corriere della Sera”, 4 gusht 2020    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Gian Antonio Stella, racizmi, tmerret

FJALËT E ËMBLA TË MIQVE SHQIPTARË

April 2, 2020 by dgreca

Nga GIAN ANTONIO STELLA/

Perktheu: Eugjen MERLIKA/

            “Jo e jo. Nuk përgatis struktura, nuk dua të pres asnjeri. Shqiptarët e rinj do të vinin të trashnin rradhët e atyre që tashmë janë këtu, në Milano. A është e nevojshme t’a themi? Bëjnë gjthshka me përjashtim të dhënies ndihmesë bashkëjetesës qytetare”. A nuk është fort e ashpër? A nuk je duke e tepruar? “Aspak, me përjashtime shumë të rralla, shqiptarët vijnë këtu për të kryer krime. Janë të dhunshëm, nuk punojnë, futin në krizë sigurinë publike, hyjnë në tregun e drogës dhe të prostitucionit…”.

            Ishte 18 marsi 1997 dhe kryetari I bashkisë së Milanos, Marco Formentini i Legës së Veriut, i përgjigjej kështu Venanzio Postigliones i cili e pyeste se si do të përgjigjej, nëse qeveria e Romano Prodit do t’i kërkonte të bashkëpunonte në sistemimin e një pjese të të ikurve nga Shqipëria në prag të një lufte civile. Duhet të jetë e qartë: në burgjet italiane në të vërtetë kishte shumë shqiptarë që, të rrokullisur në një lloj anarkie të çmendur mbas viteve të diktaturës komuniste, ishin paraqitur shpesh shumë keq. Edhe një kryebashkiak i së majtës si Francesco Rutelli në Romë, n’ato ditë , tha prerë: “Jemi të gatshëm t’u ofrojmë solidaritet  atyre që me të vërtetë vuajnë: fëmijë e familje në vështirësi, por vetëm në bazë të një vërtetimi të një nevoje njerëzore të sigurtë. Nuk kam asnjë  synim të sjell në Romë kriminalitetin e ikur nga burgjet shqiptare”. Mosbesim i ligjëruar. Por pa atë dozë të racizmit që rridhte nga thirrjet legiste (“Një votë më shumë Legës, një shqiptar më pak në Milano”), në shfrimet e dufit të Mario Borghezios (që i veshi “bandave të kriminelëve sllavë ose shqiptarë” madje dhe nënëvrasjen e Novi Ligures), në afishen e varur në Pieve di Soligo: “Fillon hapja e gjuetisë kundrejt gjahut të presë shtegtuese: rumunë, shqiptarë, kosovarë…” Për të mos folur për të shtënat e Salvinit kundër hyrjes së Shqipërisë në BE: “T’u a lemë këtë Evropë e këtë euro shqiptarëve e të ikim ne”.

            Megjithatë, duke dërguar pardje n’Itali  tridhjetë mjekë e infermierë shqiptarë për të luftuar në spitalet tona në ballin e koronavirusit, kryeministri shqiptar Edi Rama, që e din se si bashkatdhetarët e tij me kohë janë përfshirë më mirë se të mërguarit e tjerë, ka kujtuar në një italishte të përsosur vetëm gjërat pozitive e ka përdorur vetëm fjalë t’ëmbla: “Shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi” Dhe përsëri: “Sot jemi të gjithë italianë”. Faleminderit.

            “Corriere della Sera”, 31 mars 2020      

  E përktheu Eugjen Merlika  

***

Shënim i Përkthyesit

            Autori i këtij shkrimi është një nga pendat më të njohura të publiçistikës italiane, ndër komentatorët më të shquar të së përditëshmes “Corriere della Sera”. Gian Antonio Stella ka lindur më 1953 në Asolo, provinca e Trevisos. Është autor i 32 vëllimeve publiçistike, të botuara nga viti 1977 deri në 2019. Është laureat i 15 çmimeve letrare e publiçistike italiane e të huaja. Në vitin 2002, kur në Itali vazhdonte të quhej problematike çështja e të mërguarve, me nota kritike edhe karshi shqiptarëve, Stella botoi veprën “Hordhia. Kur shqiptarët ishim ne”. N’atë libër ai u kujtonte bashkatdhetarëve të tij që, në sektorë jo të paktë të shoqërisë, ishin refraktarë kundrejt shqiptarëvet, se cila kishte qënë historia e mërgimit italian n’Evropë e në botë, në shekujt 19 e 20. Ishte një histori e ngjajshme me atë të shqiptarëve, kundrejt të cilëve ai nuk e fshihte mirëkuptimin e simpatinë, gjëra për të cilat besoj se të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës.

            Dërgimi i tridhjetë mjekëve e infermjerëve shqiptarë në ballin e luftës kundër koronavirusit është vlerësuar shumë n’Itali, si nga klasa politike (madje vetë Salvini, i përmendur në këtë shkrim për një shprehje përçmuese ndaj Shqipërisë, i ka shprehur edhe publikisht falënderimin kryeministrit), ashtu edhe nga opinioni publik. Duhet të vemë re me kënaqësi se edhe ky i fundit ka ndryshuar shumë në drejtim të gjykimit për ne, që është bërë mjaft pozitiv. Kjo i kushtohet punës së shumicës dërmuese të shqiptarëve, veprimtari e bazuar në korrektësinë dhe mbajtjen e fjalës së dhënë, gjë në të cilën vendasit nuk shkëlqejnë shumë. Duhet të theksojmë këtu edhe ndihmesën e vlerësuar të qindra e mijra djemve e vajzave shqiptare që, me aftësinë e tyre në studime e në punë, me korrektësinë e vullnetin e mirë për të hapur rrugën e jetës, kanë arritur të bëjnë edhe karierë në fusha të ndryshme, duke u bërë qytetarë të nderuar të shoqërisë italiane.

            Falënderimi, me të cilin mbyll shkrimin gazetari i shkëlqyer italian, nuk i drejtohet vetëm kryeministrit i cili ka pjesën e vet në këtë veprim të lëvdueshëm, por të gjithë popullit shqiptar, të gjithë Shqipërisë që shpalosi në këtë mënyrë vlerat e saj tradicionale, me të cilat jemi krenuar e jemi lavdëruar në shekujt e gjatë të historisë sonë. Ato vlera pësuan një goditje të fuqishme në gjysmë shekullin komunist, me përpjekjen mizore të Sigurimit të shtetit për të kthyer në spiunë të njëri tjetrit pothuajse të gjithë popullsinë.

            Por duket se ato vlera u ringjallën përsëri, ndoshta se bëjnë pjesë në ADN-në tonë si popull, herë herë duke u shpalosur e ngritur krye në jetën tonë shoqërore. Ndoshta ato vlera përfaqësojnë të vetmen shpresë në t’ardhmen tonë, një shpresë të venitur, pothuajse të vrarë nga politika në këta tridhjetë vite. Mendoj se duke e parë atë dukuri n’atë këndvështrim, si vepër kombëtare e jo si trill i çastit politik, si shpalosje të vlerave të shqiptarëve e të Shqipërisë, si vënie në jetë e një parimi të lashtë të filozofisë morale të popullit tonë, simbas së cilës shqiptari për mikun ka gati “bukë e kripë e zemër”, pa vënë theksin mbi personin që i takoi t’a shpallë zyrtarisht, në sajë të postit që mban, e mbi motivet e hamendësuara apo të vërteta të tij, pa njëjtësuar veprimin me figurën e kryeministrit si njeri por si institucion, ne të gjithë do të jemi të vetëdijshëm për dobinë e atij veprimi. Ai është shprehje e mirënjohjes së Shqipërisë për fqinjën e përtej detit, e cila po kalon një nga periudhat më të vështira që prej tre çerek shekulli e me të cilën historikisht na kanë lidhur më shumë gjëra të mira se të këqia.

            Duke treguar mirënjohje ne lartësojmë vetveten dhe emrin e Vëndit tonë në botë. Madje këtë nuk duhet t’a bëjmë nga pozita e llogaritësit të çastit aktual evropian në funksion kritikues për të tjerë, por thjesht sepse respektojmë vlerat tona. Nëse vlerat tona çmohen e merren si shembull ne jemi të paguar me ndërgjegjen tonë. Ndonjë shprehje skeptiçizmi e qesëndie që është shfaqur aty këtu në opinionin publik nuk i shërben përfytyresës sonë e ndonjë vrejtje e hapur për lënie mbas dore të problemeve tona për të zgjidhur ata të Italisë, më duken tepër mjerane dhe as të denja për shqyrtim.

            Do të bënim mirë të lehtësoheshim sado pak nga ngarkesa mendore ideologjizuese e politikës, që na errëson pa da pamjen e të lëvronim  në vetvete arsyen e ftohtë t’aftë të vlerësojë në çdo kah veprimet e dukuritë në vetvete, pavarësisht kush i kryen apo kush i përcakton. Mendoj se në këtë mënyrë do të jemi më objektivë në gjykim e më të dobishëm për veten e për kombin të cilit i përkasim.

            Në këtë mënyrë, të gjithë së bashku duhet t’i urojmë punën e mbarë e sukses atyre vajzave e djemve tanë, që na përfaqësojnë në një ndërmarrje të vështirë e të rrezikshme. E kemi për detyrë t’u sigurojmë atyre mbështetjen e ngrohtë të gjithë Atdheut, për të cilin ata po shkruajnë sot një faqe të bukur që, siç del edhe nga shkrimi i mësipërm, bota e vlerëson dhe e merr si shembull.

            Faleminderit Gian Antonio Stella për shkrimin tuaj dhe vlerësimin e Vëndit tonë, shqiptarët do t’u jenë mirënjohës me të gjithë fuqinë që dijnë t’i japin ata asaj fjale.   

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Gian Antonio Stella

LAMTUMIRË FJALËVE TË MARRA, KTHEHET DËSHIRA E FJALËVE TË VËRTETA

March 17, 2020 by dgreca

… “Dua fjalë që të mos poshtërohen, fjalë që nuk vyshken. Dua gjëmba e rrënjë, në të cilat shumë rrallë mund të duket ndonjë gjethe, por fjalët e tjera nuk i dua…” Mjaft me fjalët që i merr era…/

Nga GIAN ANTONIO STELLA/

            “N’errësirë fjalët peshojnë dyfish.”, ka shkruajtur Elias Canetti. Asnjëherë më parë nuk ishim kujtuar sa në këto ditë. Ditë në të cilat të gjithë mund të gjejmë veten në një tjetër prej shënimeve të shkrimtarit të madh, të përmbledhura në librin Provinca e njeriut. Shënime në të cilat ai bënte thirrje: “Dua fjalë që të mos poshtërohen, fjalë që nuk vyshken. Dua gjëmba e rrënjë, në të cilat shumë rrallë mund të duket ndonjë gjethe, por fjalët e tjera nuk i dua…” Mjaft me fjalët që i merr era…

            Qartësi. Për këtë italianët ndjejnë nevojë. Duan të kuptojnë. Duhet të kuptojnë. Më së fundi, më mirë se sa të dëgjojnë fjalë siguruese, të paracaktuara të përgënjeshtrohen shpejt, siç ndodhi me fjalinë e virologes Maria Rita Gismondo (“Qe një shpëlarje truri kolektive…. Kur e gjithë kjo të ketë mbaruar, do të porosis një varëse t’artë me formën e koronavirusit”) parapëlqejnë maturinë e ndershme  të shkencëtarëve si Alberto Mantovani: “Koronavirusi është një armik i panjohur. Nuk e njohim. Të bëhen asgjë  rreziqet është shkencërisht e gabuar, madje e rrezikshme”.   

            Dalja kobzezë e Christine Lagarde, presidente e BQE që, pak ditë më parë, shkaktoi rënien drastike të bursave nëpërmjet një fjalie të gabuar në çastin e gabuar, duke detyruar të ndërhynte edhe vetë kreu i Shtetit, qe vërtetimi i fundit për të satën herë i faktit se si fjalët, për t’a thënë me librin e Carlo Levit, janë me të vërtetë gurë. Jeta jonë, prej shumë vitesh, merret me një klasë politike që jo vetëm nuk ka kundërshtuar poshtërimin e gjuhës së vendit, të paditur nga njerëz të shtatit të Tullio de Mauro apo Francesco Sabatini, por e ka shoqëruar, gudulisur. Përfundimi është se fjalët dalëngadalë kanë humbur kuptimin.

            Kemi lexuar e dëgjuar gjithshka në tridhjetë vitet e fundit. Fyerjet kundërshtarëve të krahasuar me Stalinin, Goebbelsin, Hitlerin e Pol Potin. Britmat shtazarake në sallat parlamentare të kthyera shpesh në mejhane grindavecësh sherrxhinj: “Hale! Je një hale! Hale!”, “Pushtër! Të shitur! Pushtër!,” “Je një kurvë!”, “Çakall komunist!” e të tjera.  Deri në fyerjen në rrugë të një kreu Shteti, Oscar Luigi Scalfaro: “Me një pordhë do t’i nxjerr bojën”. Një barbarizim i pandalshëm, që do të kishte shkandulluar edhe njerëz me gjykime të ashpra si Filippo Tommaso Marinetti që kapej me Gabriele d’Annunzio duke e vulosur si një “budalla xixëllues”.

            E sa herë që dikush shkandullohej , fyhej me një zgërdhimje, sikur të bëhej fjalë për ankesa të shpirtërave të bukur: “E çfarë kam thënë vallë?”. Deri edhe akuzat Evropës që ishte, simbas Umberto Bossit, “një diktaturë naazikomuniste”, kaloheshin si një shaka e asgjë më shumë: “E çfarë kam thënë vallë?” Kuptohet vetiu se pse kur Webi filloi të mbushej me plehra antisemite, një ministër Drejtësie  arriti deri aty sa të udhëhiqte rebelimin kundër atyre që në Bruksel mendonin për një ligj që të dënonte racizmin: “Jo. Në demokraci një qytetar duhet të ketë të drejtën të thotë marrëzitë më të mëdha që beson”.

            Ose të shtjerë në fushatat zgjedhore, kuptohet, premtime gjithënjë e më mahnitëse. Një milion vënde pune. Dy milionë vende pune. Nga një çark dhëmbësh për të gjithë. Nga një shtëpi secilit. Zhdukje të burokracisë. Fshirje të varfërisë. Të gjithë duke i shkuar pas Cettos gjithfarësh: “Do u japim njëmijë euro çdo njeriu. Dymijë! nuk do të ketë më fatura të gazit dhe, shtoj do t’i heqim edhe ato të dritave. Poshtë kopracia, hajt! T’i lyejmë shtëpitë e të gjithëve. Falas!”.  

            Ditë mbas dite, për inat të një pakice të vullnetëshme, fjalët prej guri që bëjnë një Shtet serioz janë zbrazur deri sa janë bërë shumë shpesh të lëngëta, të avullta, të mekura. Të kota. Të kthyeshme si një mushama me dy ngjyra. Një tweet, një postim, një video flash, një fjali e drejtë, e gjithshka mund të fshihet. Çdo kompetencë. Çdo studim. Çdo bindje shkencore. Reset. Hajt. ”Mbi shumë të rinj e djelmosha, me bashkëpunimin e shumëve”, ka shkruar gjuhëtari Massimo Arcangeli, “zotëron një minimalizëm pop në emër të të cilit do të duhej të rrëzohej gjithshka që duket si pengesë kërkesave të një komunikimi sa depërtues po aq refraktar për të pranuar vetëm një grimcë të mendimit të ndërlikuar”. “Fjalët, uffa!”.

            E megjithatë kujton Papa Françesku, “fjalët nuk janë asnjanëse, dhe as i lënë kurrë gjërat siç janë. Nuk lindin në tavolina, në sallonet e mira të rretheve të mbyllura dhe të vetëparaqitura. I japin më mirë zë vlerave kulturore e shpirtërore të rrënjosura në kujtesën e përbashkët të një populli, të cilit i kthejnë fuqi të re. Pjellshmëria e tyre është e lidhur me një bashkëndarje të jetës; është e përpjestuar me gatishmërinë me të cilën ne pranojmë të lihemi të pyetemi e të trazohemi nga realiteti, nga gjëndjet e historitë e njerëzve.”

            Ja pra, nëse ka ndonjë dhuratë që këto ditë të tmerrshme mund të na lenë është kjo: rifitimi, mbas kaqë gumëzhimash e poteresh e përçmimi të kompetencave, të fjalëve që kthehen të kenë një peshë.

            “Corriere della Sera”, 15 mars 2020            E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Fjalet peshojne, Gian Antonio Stella

KUFIJTË E PAKËNAQËSISË SONË

May 11, 2016 by dgreca

Nga Gian Antonio Stella/

“Corriere della Sera”/- Përkthyer nga Eugjen Merlika/

Ose janë sharlatanë shkencëtarët që studjojnë demografinë, ose janë të tillë ata që gjejnë lehtë zgjidhje të lehta. “Nëse ëndërra e disave do të sendërtohej, dhe Vendet e pasura do të “blindonin” kufijtë e tyre”, shkruajnë në esenë e tyre “Gjithshka që nuk ju kanë thënë kurrë mbi imigracionin” (Laterza), Stefano Allievi dhe Gianpiero della Zuanna, duke cituar të dhënat zyrtare të Population Division të Kombeve të Bashkuara, “në krye të njëzet viteve banorët e tyre, në moshë pune do të kalonin nga 753 në 664 milionë”. Tetëdhjetë e nëntë milionë më pak. Pak a shumë sa popullsia në moshë pune e Gjermanisë dhe Italisë, të marra së bashku.

Në rastin tonë, “në njëzet vitet e ardhëshme, për të mbajtur të qëndrueshme popullsinë në moshë pune (20 – 64), çdo vit duhet të hyjnë në Itali 325 mijë punonjës të mundshëm, një numur i afërt me ata që kanë hyrë në fakt në njëzetvjetorin e shkuar. Përndryshe, në krye të vetëm njëzet viteve, punonjësit e mundshëm do të bien nga 36 në 29 milionë.” Me përfundime shkatërruese që nga  prodhimi industrial deri tek barazpesha e pensioneve. Vlen kjo dhe për Austrinë që don të mbyllë Breneron : pa të mërguar të rinj, në 2035 popullsia në moshën 20 – 64 do të pakësohej me 16%, nga 5,3 në 4,4 milionë. Me atë që pason. E thjeshtë të mbyllesh : po pastaj ? Kush don mundet edhe të mallkojë kohët, po pastaj ?

Atëherë, skërmitet ndonjeri, “duhet të marrim të gjithë ata që arrijnë?”. Aspak. Do të ishte e pamundur, edhe sikur në mënyrë paradoksale, do të pranonim. Nëse do t’ishin Vëndet e varfëra të mbylleshin papritmas, në fakt “në krye të njëzet viteve popullsia në moshë 20 – 64, do të shtohej me 850 milion njerëz ose më shumë se 42 milion në vit.” Dridhma.

Askush nuk ka formulën magjike për të zgjidhur këtë problem epokal. Askush nuk mund t’a nxjerrë nga historia. Njerëzit shpërngulen, siç shpjegon filozofi dhe evolucionisti Telmo Pievani, “që prej gati dy milion vitesh”. Por kurrë më parë kishte qënë një cunami demografik i këtij lloji. Kjo është çështja : nëse do të mbajmë nervat e forta dhe të vetëdijësohemi me realizëm për vështirësinë e gjetjes këtu e shpejt të zgjidhjeve shpëtimtare, ashtu sikurse shkenca luhatet me dyshim para viruseve të reja, por është e pamundur t’i nënështrohemi disa zakoneve të këqija. Prej kësaj rrjedh arnimi i përditshëm e i mundimshëm i gjëndjeve të jashtzanshme me shpërndarjen e t’ardhurvet tek njëri apo tjetri pronar hoteli (madje pa skrupuj) pa një projekt me frymëmarrje të gjërë. Prej kësaj ulurimat kundër të ikurvet nga uria e nga luftërat me nxitjen për të ndaluar valën e pamasë duke shtrirë rrjeta dhe tela me gjemba. Dhe asnjë copë shtetari që të sigurojë shoqëritë tona të lemerisura, duke treguar se janë në lartësinë e sfidës biblike.

Një raport i OKB-së thotë se “kush le një Vend  më të varfër për një më të pasur, mesatarisht ka një shtesë 15 herë më të madhe se rroga e tij dhe një pakësim 16 herë të vdekshmërisë foshnjore” : cilido prej nesh, në vendin e tyre, do të ishte i gatshëm të rrezikonte lëkurën për të “gjetur fatin” siç thonin gjyshët tanë mërgimtarë venetë. Edhe se, Zoti mos e dhëntë, do të na shtinin me armë. Aq më tepër, duke ditur që n’Evropë dhe n’Itali, në sajë të një rrjete familiare dhe një ndihme shoqërore që, sidoqoftë, siguron atë minimum jetësor të pamendueshëm gjetiu, ka ende hapësirë për kë është i gatshëm të kryejë “dddjobs”, punët “dirty, dangerous and demeaning” (të ndyra, të rrezikëshme e poshtëruese), të papranuara nga ai që priste diçka më të mirë.

Nuk do të mjaftonte as edhe një shpejtim mrekullues në t’ardhmen : në Kaliforninë e Google-t dhe Apple-t kujtojnë akoma Allievi e Dalla Zuanda, “çdo dy vende pune të reja high tech lindin pesë të tjera të një profesionalizmi t’ulët : dikush duhet të hekurosë këmishët e të pasurvet, të punojë kopshtet e tyre, të kujdeset për të moshuarit e tyre”. Krejt tjetër nga kurset e formimit për baristë akrobatikë.

Si do të dalim nga kjo gjëndje ? Zgjidhje të shpejta “me çelsa në dorë”, për inat të gjithë demagogëve, nuk ka. Do të duhet kohë, durim, vendosmëri, largpamësi. Megjithatë disa gjëra në rrëmujën janë të qarta.

Pika e parë, askush nëse mund të jetojë ku ka lindur, nuk përballet me shpenzimet, mundimet, rreziqet dhe poshtërimet e një farë soji udhëtimesh : duhet pra “t’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre” seriozisht e jo me hipokrizi, jo me lëmosha të vogla (G8 e Akuilës i dha Afrikës 13 të mijtat e fondit të dhënë bankave për krizën), me dhuratat diktatorëve apo me bashkëpunimin ndërkombëtar të viteve Tetëdhjetë, që mbaroi i përlarë nga skandalet (të paharrueshme siloset veroneze të shkrira nën diellin sudanez), mbasi Gianni de Michelis kishte pranuar në Dhomën e Deputetëve se 97% e financimeve për Botën e Tretë përfundonte (shpesh nëpërmjet marrëveshjesh private) në sipërmarrjet italiane që donin porosi për jashtë shtetit.

Kurrë më. Më mirë të ndryshohen rregullat e tregëtisë ndërkombëtare, të cilat, për të mbrojtur gjëndjen e Perëndimit, i gozhdojnë Vëndet në zhvillim të mos rriten. Citojmë Kofi Annan-in : “Bujqit e Vendeve të varfëra nuk duhet vetëm të konkurojnë me financimet e prodhimeve ushqimore t’ eksportit, por duhet të kalojnë pengesa të mëdha për importimet. (…) Tarifat doganore të BE mbi prodhimet e mishit arrijnë maja të barabarta me 826%. Sa më shumë i shtojnë vlerën prodhimeve të tyre Vëndet në zhvillim duke i përpunuar, aq më shumë shtohen taksat doganore.” Gjëndja nuk ndryshon mbas ndonjë viti.

E dyta : mjaft me trafiqet e armëvet drejt Vendeve në luftë. Sa eritreas që vijnë me barkat ikin nga shtëpitë e tyre, mbasi kanë provuar mbi fshatrat e mbi familjet e tyre “mirësinë” e armëvet të shitura regjimit të Isaias Afewerki-t edhe nga firma italiane dhe evropiane, siç vërtetoi Ekspresi , edhe se kishte një embargo ? Mëtojmë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre e njëkohësisht të humbasin ndjenjat duke blerë armët tona ?

E treta : krahas një strategjie të shpejtuar për t’i krijuar kushtet italianëve të lindin më shumë fëmijë, gjithënjë e më tepër të domosdoshëm, duke filluar nga një rigjallërim i vërtetë i rolit edukativ të shkollës edhe në këtë drejtim, është e ngutëshme të arrijmë, më së fundi, në rregullat e reja të nënshtetësisë. Ndoshta do të duhen dhjetëvjeçarë për të sendërtuar ëndrrën e Mamelit (“Të shkrihemi së bashku ora tingëlloi”), të zgjeruar drejt shumë italianëvet të rinj që duan të ndihen italianë, por sigurisht nuk është e lehtë të mëtohet që të jetë një qytetar i mirë ai që ka shumë të mundimëshme të bëhet qytetar.

“Corriere della Sera” 1 maj 2016         

  Përkthyer nga Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: “Corriere della Sera”, E PAKËNAQËSISË SONË, Gian Antonio Stella, KUFIJTË

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT