• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENERALI NË KURTH

November 8, 2012 by dgreca

Tregim nga ngjarje e dokumentuar/
Nga Vullnet MATO/
Gjeneral Telini nxori nga xhepi i xhaketës ushtarake një grusht monedha argjendi dhe i vërviti mbi kokat e turmës së fëmijëve kureshtar të grumbulluar rreth tij. Ata u turrën si pulat e uritura mbi kokrrat e misrit, duke shtyrë njeri – tjetrin me sharje fjalësh të rëndomta, kush të rrëmbente më shumë.
– Senjor, Ambrucio, më thoni në ç’gjuhë flasin?- pyeti sakaq gjeneral Telini përkthyesin e tij, një italian që zotëronte mirë tre gjuhë ballkanike.
-Flasin shqip, zoti gjeneral, – iu përgjigj përkthyesi.
-Okej, ky fshat këtu është tokë shqiptare, shënojeni në hartë!- urdhëroi sekretarin e tij, kapitenin Frenk de Limperani dhe ndihmësin major Bonacini, bashkë me tre komisionarët e tjerë.
-Jo, në asnjë mënyrë, – kërceu nënkoloneli grek, Boçaris duke tundur përveç dorës edhe barkun voluminoz nga brofja përpjetë, – Ky është fshat grek prej shekujsh, ja, dëgjoni atje tej si brohorasin burrat e fshatit! “Zito Eladha!”…
-Atëherë, si është e mundur, bijtë e tyre ta flasin shqip gjuhën e nënës?- iu kthye gjeneral Telini, duke nënqeshur me qesëndi.
Nënkoloneli Boçaris shfry u bulçitë me zemërim.
– Dëgjoni këtu gjeneral, Telini, ju jeni shumë i mençur dhe po aq trim, sa aty në Korçë, krejt i vetëm i flakët përjashta pesëdhjetë andartët grekë që u futën brenda ndërtesës ku punonte komisioni. Edhe këtu gjithashtu po i shpërfillni thirrjet e gjithë këtyre burrave fshatarë që brohorasin për Greqinë e lashtë… Por duhet të dini, se dinakëria jonë ka qenë e do të jetë gjithmonë, shumë herë më e fuqishme se trimëria juaj dhe e gjithë shqiptarëve që po merrni në mbrojtje…
Gjenerali e kundroi nënkolonelin ma habi dhe njëherësh me përçmim, për atë presion kërcënues të hapur që bëri.
– Ju, nënkolonel Boçaris, mund ëndërroni të bëni gjithçka, nga dinakëritë e njohura greke, qysh nga Kali i Trojës. Por unë ndodhem këtu i caktuar nga Lidhja e Kombeve, si kryetar i komisionit ndërkombëtar, të vendos drejtësi në kufijtë e Ballkanit. Jo të gatuaj lakra turli për të ngrënë burrat që brohorasin të paguar për interesat tuaja nacionaliste.
Sakaq prefekti Follorinës, avokat Modhi, heshti i zënë ngusht, kurse majori shqiptar Bajram Fevziu dhe prefekti i Gjirokastrës Dhimitër Berati, luhatën kryet në shenjë miratimi duke, bërë shënimet përkatëse në hartat e pastra.
Të gjithë ata ushtarakë të lartë të komisionit, ngjanin si turmë liliputësh, përpara gjeneralit shtatlartë dhe burrë me autoritet superior, në veprimet e tij të drejta e të paanshme. Por dhe me pamjen e fytyrës, prej dyzetepesëvjeçari me mustaqe të shkurtra dhe me vetulla të trasha mbi sytë largpamës me vërtitje vrojtuese.
Pas përcaktimit të vijes kufitare në territorin Peshkëpi dhe Radat, të Leskovikut, ku grekët rrëzuan njërën nga piramidat e sapongritura, komisioni vijoi në kodrat që zgjateshin nga Rrëza e Zezë deri në Libohovë. Dhe pas afro një muaji saktësimesh territoriale buzë kufirit lindor, automjetet e tyre dolën në Kakavi, ku ata ndjeheshin tepër të lodhur.
Dielli i gushtit kishte nxehur së tepërmi të gjithë tokën kufitare. Por në mbrëmje, pasi zbriti nga xhipi i tij, gjeneral Telini ndjeu se ishte më tepër i nxehur e i djersitur nga pengesat dhe sharrënajat pa fund të palës greke, sidomos të vetë nënkolonelit Boçaris që kishte dalë në armiqësi të hapur me të.
– Senjor Gjeneral, ju sot jeni mjaft i rraskapitur dhe duhet patjetër të flini shpejt për t’u qetësuar! – e këshilloi mjeku i ekipit italian, major Kortini.
Gjenerali e kundroi një grimë ngultas pastaj i tha duke miratuar me kokë:
-Po, senjor dottore, keni të drejtë, duhet të pushojmë, se nesër
segmenti i territorit shqiptar të Çamërisë ka për të na marrë shpirtin me pretendimet patologjike të grekut Boçaris, që nuk na la një ditë të punojmë të qetë.
Ata u drejtuan për t’u akomoduar në hotelin kryesor të Janinës, duke ngjitur shkallët krejt të hepuar nga lodhja.
Nënkoloneli Boçaris kishte nuhatur qysh herët se Gjenerali, me observime gjuhësore dhe me provat e gjithanshme që përdorte, do ta linte patjetër brenda kufirit shqiptar Çamërinë veriore, përpjetë rrjedhës së lumit Kalama, ku pothuajse të gjithë flisnin shqip qysh nga lashtësia. Ai lajmëroi urgjent qarqet qeveritare bashkë me krerët e Komitetit të “Vorio-Epirit”, të cilët gjatë gjithë natës u mblodhën në Janinë për të diskutuar situatën. Në debatet e ndezura, fanatikët gjaknxehtë, u ndalën te dilema, nëse duhej lënë të ikte Çamëria, që shtrihej deri te gjiri i Prevezës, apo t’i linin shtetit shqiptar Korfuzin me ujdhesat jonike…
Afër mëngjesit nënkolonel Boçaris i ra tavolinën me një grusht tejet nervoz.
-As njëra, as tjetra, do ta zgjidh vetë, – u tha ai përfundimisht, i ngazëllyer nga ideja e fiksuar në trurin e tij.
Në mëngjesin e 27 gushtit u njoftua lëvizja e autokolonës së komisionit kufitar drejt Kakavisë, ku do të fillohej nga puna. Renditja e përcaktuar u pëlqye nga të gjithë. I pari do të ecte automjeti i përfaqësisë greke, i dyti “shevroleti” shqiptar dhe i treti “xhipi” i gjeneral Telinit, për ta pasur kësisoj udhëtimin të siguruar nga udhërrëfyesit e truallit ku kishin bujtur.
Pasi pinë dhe kafen e mëngjesit në hollin e hotelit luksoz, të çlodhur tashmë nga nata, ata u nisën të gjithë njëherësh drejt Kakavisë. Dukej sikur kilometrat përpiheshin shpejt nga rrotat e ftohura gjatë natës. Vetëm kur ndodhi në afërsi të vendbanimit Delvinaq, që automjeti i palës greke “u prish” dhe u ndal në cep të rrugës për të ndrequr defektin. Atëherë doli në krye të kolonës, grupi përfaqësisë shqiptare.
Majorit Bajram Fevziu i trokiti në mendje një fije dyshimi. Megjithatë, si njohës i asaj rruge, ai filloi ecjen vendosmërisht i ndjekur nga xhipi i gjeneral Telinit. Por, kur kishin mbetur edhe tetë kilometra për të arritur Kakavijën, pikërisht pasi “shevroleti” i shqiptarit Fevziu kaloi një kthesë të fortë shkëmbore, ndodhi e papritura. Nga një lartësi e madhe, “sharrtarët” grekë rrëzuan një kope trungjesh ahu, me të cilët bllokuan krejt xhadenë.
I pari doli për të hapur rrugën shoferi Farneti dhe përkthyesi Ambrucio. Por befas “sharrtarët” lëshuan nga lart një breshëri të tmerrshme zjarri, që i rrëzoi të dy përtokë pa frymë. Breshëria e zjarrit vazhdoi pa ndërprerje mbi kabinën metalike të xhipin që filloi të bëhej shoshë nga plumbat dum-dum. Ende pa arritur të hidhte hapin e parë jashtë derës, u përmbys i vdekur major Bonacini dhe pas tij doktori Kortini.
-Ah, kurthi yt i poshtër, o i mallkuari Boçaris! – mërmëriti me vete Gjeneral Telini, duke dalë nga dera e prapme me revolverin e tij në dorë. Ai lëshoi një varg plumbash drejt vrasësve, në dukje sharrëtarë që kishin uniforma ushtarake pa kapele. Për pak sekonda breshëria nga lart u duk sikur heshti. Por pasi arma e tij e vetme, i volli të gjithë plumbat, pa shkuar pesëdhjetë metra më tej, u shtri pa frymë edhe vetë gjenerali trim Telini. Pastaj “sharrtarët” zbritën tinëz si hajdutë dhe shkrehën disa plumba të tjerë, për të prishur kokat e të vrarëve. Kur panë se viktimat nuk njiheshin më kush ishin, ata u zhdukën në thellësi të pyllit.
Kishin kaluar pak minuta, derisa arriti në “Trojën e përgjakur” Agamemnoni dinak Boçaris, duke nënqeshur lehtas dhe duke pëshpëritur me vete: “Të thashë o gjenerali latin, dinakëria greke është shumë herë më e fuqishme se trimëria juaj dhe e këtyre qeleshebardhëve që po kthehen tani mbrapsht të shohin gjëmën”
Tragjedia e paparë dhe e paimagjinuar, i bëri komisionarët shqiptarë të përkulin kryet me dhimbje mbi të vrarët e komisionit italian, dhe mbi gjeneralin martir, që humbi aty jetën për drejtësi.Major Fevziu, duke shtrënguar dhëmbët në heshtjen e vet mortore, kundroi për disa çaste grekun Boçaris që mundohej me lëvizje alarmuese të kota, për të mposhtur ngazëllimin që i hovte përbrenda dhe mendoi me trishtim, se kjo ishte edhe vetë gjëma e kufirit shqiptar, të përdhosur në shekuj nga fqinjët e pabesë.
Pas lajmërimeve të vonuara, për shkak të prishjes së linjave telefonike, alarmi i madh i kësaj tragjedie të llahtarshme ballkanike, arriti pasdite deri te kryeministri italian. Qeveria italiane, tepër e tronditur nga ky provokacion i rëndë, shpalli një ultimatum të rreptë prej shtatë pikash. Të zbuloheshin menjëherë fajtorët dhe të dënoheshin me vdekje. Përveç nderimeve shtetërore që duhet t’i bëheshin gjeneralit, Greqia ta paguante kokën e Enriko Telinit me një dëmshpërblim prej pesëdhjetë milionë franga ari.
Por çuditërisht, qeveria greke e bëri veshin krejt të shurdhër dhe heshti në mënyrë mospërfillëse, si në të gjitha rastet e incidenteve kufitare.
Atëherë, për të detyruar zbatimin e menjëhershëm të atij ultimatumi, në mëngjesin e po asaj dite, pas një bombardimi të furishëm nga ajri, një skuadrilje anijesh luftarake italiane që patrullonte përgjatë Kanalit të Otrontos, pushtoi menjëherë Korfuzin dhe ujdhesat përqark tij.
Vetëm këto veprime të rrepta luftarake, e shkundën nga vendi qeverinë tinëzare greke, e cila lëshoi deklaratën e turpshme: “Ajo egërsi e tmerrshme ndaj Telinit, pa dyshim, u takon shqiptarëve!”
Mirpo praktika e tyre tradicionale “hidh gurin e fshih dorën” nuk piu ujë në këtë rast të kobshëm. Sepse për të zbuluar fajtorët e vërtetë, Konferenca e Ambasadorëve, që u mblodh urgjentisht, dërgoi me aeroplan të posaçëm, një komision me në krye kolonelin japonez Shiboja.
Hetuesit ndërkombëtar arritën në vendngjarje, te kthesa e Zhepës ku ende dalloheshin njollat e gjakut të gjeneralit, duke pasur ndërmend të kryenin vrojtime të gjata e të hollësishme. Por kryehetuesi japonez Shiboja, pasi u mendua një grimë, vendosi të bëjë një provë të tipit “Telini” Ai nxori nga këllëfi revolverin e tij dhe shtiu tri herë në ajër. Befas dolën nga pylli ushtarët e njësisë greke të vendosur prej vitesh aty afër dhe rrethuan komisionin, duke mos pasur dijeni për ardhjen e tij.
– Stop! Hetimi mbaroi! – thirri japonezi i zgjuar, – vrasësit u zbuluan! Kur tri të shtënat e dobëta të revolverit, u dëgjuan prej tyre menjëherë, nuk është e mundur kurrsesi, gjithë ato breshëri pushkësh që vranë gjeneralin të mos arrinin në veshët e gjithë këtyre ushtarëve kufitarë të instaluar këtu ndanë pyllit!…
Pas këtij veprimi dhe kontrollit të ushtarëve nga ana e asfalisë greke, prefekti i ri i Gjirokastrës Kolë Tromara që asistoi aty, zbuloi edhe provën tjetër, orën prej floriri të Gjeneral Telinit, të njohur nga të gjithë në dorën e njërit prej ushtarëve grekë.
Atëherë qeveria Greke pranoi plotësisht fajësinë e krimit dhe përmbushi detyrimet deri në një. Duke pushkatuar edhe 24 ushtarët e paguar nga Komiteti i Vorioepirit, që u paraqitën pa kapele si sharrëtarë, për të vrarë komisionin kufitar italian. Kësisoj u mbulua me humus pylli edhe dinakërinë e të pabesit Boçaris.
Megjithatë, gjaku i gjeneralin legjendar Enriko Telini, vizoi të gjithë gjatësinë e vijës së kuqe kufitare, të shtyrë padrejtësisht shumë thellë brenda tokës shqiptare, duke lënë Çamërinë të përgjakej nga dora e zervistëve grekë, me krimet dhe dëbimet njerëzore që pasuan në vitet e ardhshëm.

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Gjenerali ne Kurth, Telini, Vullnet Mato

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT