MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË GJERMANI
-RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË GJERMANI-
Rifat Hamiti pedagog, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, historinë e mësimit të gjuhës shqipe, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Gjermani nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Rifat Hamitin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
HISTORIA E MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË GJERMANI
Organizimi i mësimit plotësues në Gjermani daton që nga viti 1975, me shkollën e parë shqipe në qytetin Euskirchen (lexo Ojskirchen) Landi, apo siç thuhet në gjuhën shqipe Republikën e Vestfalisë së Rajnës Veriore (NRË), me mësuesin Faik Mehmeti. Tani në këtë shkollë mësimin e mbanë mësuesja e vyeshme dhe e përkushtuar sa e si duhet, Etleva Mançe. Në vitet në vazhdim u hapen edhe disa shkolla të tjera, por jo edhe sa duhet,jo edhe në proporcion me numrin e fëmijëve shqiptarë, me që në atë kohë ky lloj mësimi mbahej në kuadër të marrëveshjes ndërshtetrore në mes të ish Jugosllavisë dhe Gjermanisë. Për këtë arsye shkollat me mësim plotësues në gjuhën shqipe hapeshin shumë vështirë, sepse këtë e diktonte qëndrimi hegjemonist ndaj shqiptarëve i përfaqësive diplomatike të ish-Jugosllavisë. Atëkohë kuadrin arsimor me konkurs e përzgjidhte dhe emëronte, me mandat katërvjeçar, Komiteti për Arsim i Krahinës Autonome të Kosovës. Një kohë nga viti 1992 e deri në çlirimin e Kosovës, kuadrin arsimor, në vendet ku e finansojnë mësimin plotësues e zgjedhnin organet arsimore gjermane me ndërmjetsimin e KASH-it dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës. Vitet e fundit kuadrin arsimor, në republikat ku finansojnë këtë mësim e caktojnë ekskluzivisht organet arsimore gjermane, kurse në republikat tjera e zgjedhin perfaqesitë tona diplomatike në bashkëpunim me prindërit. Falë kërkesave të shumta të prindërve shqiptarë, me punë të „përkohëshme“ në Gjermani, te organet tona në Kosovë dhe te pala gjermane edhe pas presionit të organeve gjermane te përfaqësitë diplomatike të ish Jug. në vitet 1985-86 u hapen edhe disa shkolla të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në disa qytete më të mëdha të Gjermanisë Federale. Shkolla me mësim plotësues në gjuhën shqipe në qytetin e Düsseldorfit u hap në vitin 1985, me mësuesin, tani të ndjerin, Pal Përgjokaj. Kontribut të madh në hapjen e shkollës me MP në Düsseldorf dhanë prindërit, por edhe Klubi i Shqiptarëve nga Jugosllavia Emin Duraku, i themeluar në vitin 1978, i cili klub ishte përherë në anën e kërkesave legjitime për Republikën e Kosovës dhe në konflikt të vazhdueshëm me Konsulatën ish Jug. në Düsseldorf. Unë erdha në Düsseldorf, në shtator, kurse punës ia fillova në tetor të vitit 1989. Mësimin shqip e gjeta të konsiliduar, por me një numër shumë të vogël të nxënësve, gjithsej 36. Arsyet ishin nga më të ndryshmet si objektive ashtu edhe subjektive. Pas një pune më intensive me prindërit dhe gjithë bashkatdhetarët në këtë qytet, pas një viti shkollor numri i nxënësve arriti në 120.
DY MONOGRAFI PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE
Shtimi i vazhdueshëm i numrit të nxënësve, në vitin shkollor 1993/94, kushtëzoi angazhimin për mbajtjen e mësimit edhe të mësueses Nexhmije Hamiti, në Düsseldorf dhe në shkollën e posahapur në qytetin e Neussit( lexo Nojsit), qytet afër Düsseldorfit. Deri në momentin kur ne u pensionuam, në mbarim të vitit shkollor 2016/17, kjo shkollë, si për nga numri i nxënësve, si për nga aktiviteti mësimor e jashtëmësimor ishte shkolla më e mëdhe jo vetëm në Gjermani, por edhe në gjithë mërgatën shqiptare. Për punën e vet kjo shkollë ka nxjerrë dy monografi. Të parën Horizontet e Diturisë“, me autor Nuhi Bytyçin e Rifat Hamiti me rastin e shënimit të 10 Vjetorit të punës arsimore të kësaj shkolle.Kjo ishte edhe momografia e parë në gjithë hapsirën e mërgatës shqiptare, e cila shërbeu si udhërrëfyese e hartimit të shumë monografive tjera të Shkollave shqipe në Gjermani e shtete tjera të Europës. Në vitin 2010, kjo shkollë nxorriedhe monografinë e dytë, me autor Çerkin Bytyçin „ Urë Atdheu“, e cila u promovua me rastin e shenimit të 25 Vjetorit të punës së kësaj shkolle. Vitet e mëpastajme të punës sonë (2010-17), kur edhe u pensionuam, e që në bankat shkollore lamë mbi 320 nxënës e nxënëse dhe Këshilla të Prindërve shumë aktiv e të përkushtuar për ta mbështetur e përkrahur Shkollën shqipe, me siguri do të botohen në një monografi të re, apo si aneks i monografisë ekzistuese. Në pension shkuam të lumtur që arritëm të lëmë si trashëgimtarë të punës edukativo-arsimore tri mësuese nga Shqipëria londineze.
KËSHILLI I ARSIMTARËVE SHQIPTARË
Shtimit të numrit të nxënësve në të gjitha shkollat ekzistuese dhe hapjes edhe të shumë shkollave tjera në gjithë Gjermaninë i kontribuoi sidomos formimi i Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë(KASH) Naim Frashëri në Gjermani, me 14.shtator të vitit 1990, hartimit te Statutit dhe regjistrimit të këtij këshilli tek Gjykata Ekonomike, në Düsseldorf, me që unë edhe u zgjodha për drejtimin e këtij institucioni për katër vitet e ardhme, si inicues i themelimit të tij së bashku me dy kolegët tjerë, Sami Thaçi e Sejdi Gashi. Me këtë akt juridik, mësimi plotësues shqip dhe Shkolla shqipe në Gjermani u shkëput nga tutola (mbikqyrja) e mësimit plotësues nga ish-Jugosllavia. Kjo datë merret edhe si datë e Pavarësimit të Shkollës shqipe në Gjermani. Themelimi i KASH-it ndikoi në shtimin e besimit dhe mbështetjes së mësuesve dhe Shkollës shqipe, në përgjithësi nga ana e bashkatdhetarëve. Deri në këtë kohë për mësuesit kishte ngapak paragjykime, se po dërgohen nga sistemi, si të rekrutuar, e në fakt nuk ishte ashtu, prandaj prindërit edhe hezitonin t’i dërgonin fëmijët në shkollën shqipe, pa përjashtuar edhe vetëdijen e ultë të tyre për rëndësinë e të mësuarit të gjuhës amtare. Themelimi i KASH-it ndikoi dukshën në hapjen e shkollave të reja dhe shtimit të numrit të nxënësve e rrjedhimisht edhe të mësuesve në gjithë Republikën Federale të Gjermanisë. KASH-i, që në fillim të punës së tij u mor me hartimin e planit dhe programit mësimor-kurrikulës dhe me përzgjedhjen e materialeve mësimore, nga tekstet e mësimit të rregullt në trojet shqiptare në Ballkan( Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni), meqë deri në këtë kohë ekzistonte vetën një tekst për mësimin plotësues, por në të cilin tekst nuk kishte asnjë njësi mësimore me përmbajtje kombëtare shqiptare. Objektiv në përzgjedhjen e materialit mësimor ishin njësitë mësimore me përmbajtje kombëtare, nga lëmi i gjuhës dhe letërsisë, historisë, gjeografisë dhe kulturës e traditës kombëtare, por të zhveshura nga ideologjia komuniste. Më vonë u hartuan një mori tekstesh nga ne vetë arsimtarët, në bashkëpunim me Dr. Shefik Osmanin nga Tirana dhe nga hartues të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria. U hartua edhe Abetarja e parë për nxënësit në mërgim, autorë të së cilës isha unë dhe dy mësuesit e lartëpërmendur dhe të cilën Abetare unë ua dërgova edhe mësuesve në Amerikë. Në vitin 1994 një plan dhe program, bazuar edhe në planin e mëparshëm u miratua një plan edhe nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës. Janë realizua edhe projekte tjera në hartimin e teksteve mësimore veq e veq nga shtetet tona, e tani eshtë në realizim e sipër Projekti i hartimit të teksteve të përbashkëta nga dy shtetet tona Sot ekziston një kurrikulë e përbashkët për të gjithë mësuesit në mësimin plotësues, e miratuar nga dy Ministritë e shteteve shqiptare, Shqipëri e Kosovë. KASH-i gjatë gjithë kohës luajti dhe vazhdon të luaj një rol të rëndësishëm në funksionimin e Shkollës shqipe, konsolidimit të saj, zgjërimit të rrjetit shkollor, shtimit të numrit të nxënësve, organizimit të aktiviteteve të shumta jashtëmësimore, unitetit dhe ngritjes pë kuadrit arsimor, madje edhe të vetdijësimit të prindërve për rolin dhe rëndësinë e Shkollës shqipe. Në vitet e paraçlirimit nga zgjedha sllave, KASH-i ishte organ profesional, që juridikisht ndërmjetsonte dhe koordinonte punët arsimore në mes të Organeve Arsimore të Gjermanisë dhe Ministrisë së Arsimit të Qeverisë së Përkohëshme të Republikës së Kosovës. Sot ai ka rol profesional dhe bashkëpunon ngushtë me Ministritë e Arsimit dhe ato të Mërgatës të të dy shteteve tona.
MËSIMI PLOTËSUES PËR TË GJITHA GJUHËT E MINORITETEVE
Mësimi plotësues për të gjitha gjuhët e minoriteteve, pra edhe për gjuhën shqipe, që nga fillimi e deri në vitet 1992/93 është organizuar në të gjitha Landet(Republikat) e Gjermanisë Federale.Vitet e fundit shteti Gjerman në shumë Republika (Lande) e ka suprimuar fare këtë lloj mësimi plotësues për të gjitha nacionalitetet, kurse dy Republika e kanë reduktuar dukshëm, duke u mundësuar pjesëmarrje në mësimin plotësues vetëm fëmijëve të klasëve 1-4. Për të mirë prin Republika e Ëestfalisë së Rajnes Veriore, me 18 milon banorë dhe me kryeqytet Düsseldorfin, e cila jo vetëm që i jep hapsirë të madhe këtij mësimi, përfshirjes së fëmijëve prej klasës së 1-10, por edhe e paguan kuadrin arsimor, e kontrollon, e mbikqyrë, i mundëson ngritje profesionale dhe e trajton si kuadër të vetin. Kohët e fundit po bëhen përpjekje për të konsoliduar sërish mësimi plotësues edhe në ato lande ku tanimë pala gjermane nuk organizon e as nuk finanson. Kontribut në këtë drejtim po japin Ministria e Arsimit,Shkencës e Teknologjisë, Ministria e Diasporës së Kosovës, Ministria e Arsimit e Shkencës së Shqipërisë, Përfaqësitë Diplomatike të Kosovës e Shqipërisë në Gjermani si dhe prindërit që jetojnë e veprojnë këtu. Mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Gjermani është pjesë integrale e Sistemit edukativo-arsimor të Republikës së Kosovës dhe i Republikës së Shqipërisë. Megjithatë baza materiale përcakton fatin dhe perspektivën e mësimit plotësues gjithandej ku vendet nikoqire nuk finansojnë mbajtjen e mësimit plotësues. Të gjithë e dimë se Kosova dhe Shqipëria në këtë moment i kanë mundësitë e kufizuara finansiare,
ASPEKTE DHE VEÇORI TË MËSIMIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE
Mësimi plotësues që vitet e fundit emërtohet mësimi i origjinës në të gjitha shkollat në Gjermani mbahet në orët e pasditës. Nxënësit pjesëmarrës në mësimin shqip, paradite ndjekin mësimin e rregullt në gjuhën gjermane, kursepasdite, njëherë në javë 3-5 orë marrin pjesë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Ndarja e nxënësve nëpër klasë bëhet kryesisht sipas parimit klasët 1-4 dhe 5-10, por edhe kombinime të tjera, varësisht nganumri i nxënësve, fleksibiliteti i mësuesit/mësueses dhe marrëveshjes me palën gjermane. Pra për secilin grup parashihen 3-5 orë mësimore. Siç shihet klasët janë shumë heterogjene, me nivele të ndryshme moshe, me aftësi të ndryshme psiko fizike, me kompetencë të ndryshme gjuhësore etj. Ky heterogjinitet i nxënësve, kushtëzon edhe specifikën në procesin e mësimdhënies, kërkon një përgatitje të mirë didaktiko-metodike të kuadrit arsimor si dhe një fleksibilitet të jashtzakonshëm të mësimdhënësit në raport me situatat mësimore dhe me çdo nxënës veq e veq. Në mësimin plotësues nxënësit nxënë njohuri nga gjuha, letërsia, historia e gjeografia si dhe nga kultura e tradita gjithëkombëtare, duke i kushtuar rëndësi zhvillimit të kompetencës gjuhësore e të formimit, forcimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Pas mbarimit të klasës së 10 nxënësit që marrin pjesë në mësimin plotësues i arrijnë në nivel të kënaqshëm qëllimet e lartëpërmendura. Në raport me moshatarët e vet në Atdhe, këta nxënës në lëmin e kompetencës gjuhësore ndihen pak inferior, por jo edhe në kuptimin e formimit kombëtar. Ky nivel i njohjes së gjuhës nuk paraqet kurrëfarë problemi për komunikim normal e aq më pak për t’u integruar/riintegruar, në rast kthimi, në Atdheun e vet. Këta fëmijë, në raport me moshatarët e vet, që jetojnë këtu e që për arsyera të ndryshme nuk marrin pjesë në mësimin plotësues dallojnë si “nata me ditë“ në të gjitha aspektet, në atë gjuhësor, por edhe lidhjes emocionale me Atdheun e tyre.
PREJ PRINDËRVE KËRKOHET MË SHUMË
Duhet ta pranojmë se gjendja e mësimit plotësues në Gjermani, por edhe në gjithë diasporën shqiptare as përafërsisht nuk është në nivelin e duhur. Arsyet janë të ndryshme, nga ato objektive, deri te ato subjektive. Në bazë të konstatimeve, jo edhe aq të verifikuara përfshirja e nxënësve në mësimi plotësues, në Gjermani nuk e kalon kuotën e 30%, në qytetet ku funksionon Shkolla shqipe, 10% në nivel të Republikës Federale Gjermane, kurse në planin global, pra gjithëpërfshirës, në mësimi plotësues marrin pjesë 3-5% të fëmijëve. Siç shihet gjendja e mësimit të origjinës është shumë nën nivelin e dëshiruar. Nisur nga ky fakt na duhet një mobilizim shumë më i madh i të gjitha subjekteve tona: udhëheqësve të shteteve tona, udhëheqësve të përfaqësive tona diplomatike, prindërve, madje edhe vetë kuadrit arsimor, që kjo gjedje të përmirësohet. Duhet bërë shumë më shumë punë, që sa më shumë, mundësisht të gjithë fëmijët të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe. Prindërit duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha në hapjen e shkollave shqipe, këmbëngulje në dërgimin e fëmijëve të vet në mësimin e gjuhës shqipe, edhe atëherë kur të dy prindërit janë në punë, të investojnë edhe materialisht, po qe nevoja, për kuadrin arsimor dhe në përgjithësi për shkollën shqipe. Me një fjalë, të vetdijësohen për rolin dhe rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe. Prindërit duhet shumë më shumë të investojnë në dërgimin e fëmijëve të tyre në Shkollën shqipe. Ata nuk duhet të kursejnë kohë as lekë për tua mundësuar fëmijëve të tyre mësimin e gjuhës shqipe. Në të kundërtën me vetëdije apo pa të ua vjedhin fëmijëve të tyre elementin kryesor identifikues, të qenit shqiptar/e. Fëmijët që zotrojnë gjuhën e Atdheut të të parëve të vet, nuk e dinë nga vinë, nuk dinë ku gjenden dhe kah duhet të shkojnë. Fëmijët shqiptarë pa njohuri në gjuhën e prejardhjes shumë më pak kanë interesim ta vizitojnë vendin e të parëve të tyre, shumë më pak e duan dhe do punojnë në të ardhmen për Atdheun. Madje unë e them dhe më pak dashuri do të shprehin edhe për vet prindërit e tyre. Me vullnet dhe vetëdije më të lartpër rolin dhe rëndësinë e të njohurit e gjuhës së Atdheut, gjuhës së prejardhjes dhe edhe me një sakrificë më të madhe të prindërve do të tejkaloheshin edhe ato vështirësi e pengesa objektive që i ka jeta e mergimtarit. Edhe qeveritë e të dy shteteve tona duhet të bëjnë shumë më shumë për mësimin e origjinës në mërgatë. Në radhë të parë duhet të arrijnë marrëveshje ndërshtetrore, me të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët, për organizimin dhe legalizimin e mësimit të origjinës. Duhet të obligojnë përfaqësitë tona diplomatike dhe të ngarkuarit për arsim e kulturë të punojnë shumë më shumë në vënjen e kontakteve në radhë të parë me mërgatën dhe vetdijësimin e saj për rolit dhe rëndësisë e mësimi plotësues e pastaj edhe me organet vendore të arsimit. Përvoja e gjertanishme, sipas mendimit tim, lë shumë vend për të dëshiruar.
ROLI I VEÇANTË I MËSUESIT NË MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE
Rol të veçantë në tërheqjen e fëmijëve në bangat shkollore ka edhe kuadri arsimor. Mësuesi/ja në mërgatë nuk është thjesht vetëm mësimdhënës, por shumë më shumë. Është mësimdhënës që duhet të jetë i përgatitur mirë në aspektin didaktiko-metodik. Të njoh dhe respektoj dallimet dialektike të fëmijëve, por edhe të prindërve në të folur dhe të punoj në zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës së unisuar shqipe. Për shkak të specifikave të mëdha të mësimit plotësues, mësuesi/ja duhet të jetë shumë fleksibil për sitruatat mësimore. Mësuesi/ja duhet të jetë i pajisur dhe aftësuar edhe në aspektin kulturor, mundësisht me njohuri në luajtjen e ndonjë instrumenti, i aftësuar dhe përkushtuar në organizimin e aktiviteteve të lira jashtmësimore, si kusht shumë i rëndësishëm në motivimin e fëmijëve për të marrë pjesë rregullisht në mësimin plotësues. Mėsuesi/ja duhet ta ketë të zhvilluar sensin e bashkëpunimit dhe komunikimit të sinqertë e me dashuri me prindërit e fëmijëve dhe me gjithë komunitetin shqiptar e atij rrethi. Dhe pavarësisht se kemi zyrtarët e përfaqësisve diplomatike, mësuesi/ja duhet të jetë, siç thuhet, ambasador pa protofol i pjesës së kombit që jeton e vepron në atë rreth.
Përkujtim i eksodit të ambasadave në qytetin gjerman të Heidelbergut
NGA ALMA LIÇO/DIELLI /
2 korrik 1990. Mijëra bashkëqytetarë vërshuan si një uragan i papërmbajtshëm e thyen dyert e përfaqësive diplomatike në kërkim të lirisë. Ishin dallëndyshet e para që kërkuan të fluturonin të lira e të thyenin prangat e robërisë. Secili prej tyre ishte një hero, pasi rreziku i atij hapi aq të guximshëm mund t´u kushtonte atyre jetën. Në sundimin e saj të gjatë, gati gjysëm shekullor, diktatura kishte vrarë e masakruar me qindra qytetarë gjatë përpjekjes së tyre të dëshpëruar dhe njëkohësisht kurajoze për të kapërcyer telat me gjemba të kufirit, dhe kërkuar strehim në njërin nga vendet fqinje.
Vitet rrodhën si lumë dhe u mbushën tridhjetë vjet nga ajo ngjarje e përmasave historike. Shumë është folur e trajtuar gjatë këtyre viteve rreth atij eksodi biblik të shqiptarëve. Në këtë shkrim modest, nuk dëshiroj të përsëris ato që janë thënë dhe stërthënë në rrjedhën e këtyre viteve, sikur të mos bëhej shkak që kjo ngjarje e madhe të bashkonte një natë më parë, në qytetin gjerman të Heidelbergut, qytetarët shqiptarë, protagonistë të asaj aventure të rrezikshme. Takoheshin pas tridhjetë vitesh. Sa nostalgji. Të gjithë i bashkonte përjetimi dhe rrugëtimi i vështirë që kishin ndërmarrë së bashku drejt lirisë. Emocione të jashtzakonshme. Secili prej tyre kish ndjekur më pas rrugën e tij, me mundësitë që ua krijoi ai vend i begatë e i lirë. Madje shumë prej tyre kishin vite pa u takuar. Djelmoshat asokohe të rinj, tashmë ishin burrëruar, shumica martuar e bërë prindër. Dikush nuk i kishte me flokët e bukur të rinisë, apo dikujt thinjat fisnike ua kishin mbuluar ato. Po ashtu edhe vajzat. Të martuara e bërë nëna. Erdhën në këtë event përkujtimor, që u trajtua si një festë qytetarësh të lirë, së bashku me fëmijët e tyre. Ishin takime vërtet emocionuese , të mbrujtura me mall e nostalgji.
Në fillim të mbrëmjes, nismëtari dhe organizatori i bashkimit të protagonistëve në një event të tillë, Zoti Albert Lamaj, kish përgatitur një përmbledhje me filmime të atyre ngjarjeve të papërsëritshme. Risjellja e momenteve dramatike, që zinin fill me kapërcimin e kangjellave të ambasadave nga qytetarë të pambrojtur, e vijonte me të gjitha vështirësitë që pasuan në ato ditë përjetimesh jo të zakonta, përloti shumë nga të pranishmit, protagonistë të atyre ngjarjeve. Nuk mungoi as jehona që shtypi gjerman i bëri asokohe asaj.
Më pas, përmes kujtimesh dhe emocionesh, dy prej protagonistëve të pranishëm, përshëndetën këtë takim sa festiv, aq edhe përkujtimor, me aq shumë vlera qytetare dhe atdhedashurie.
Zoti Ylli Tabaku, ish i burgosur politik për rreth 28 vite në burgjet e diktaturës, përmes të tjerash, përcolli me shqetësim faktin e trishtë, se ndonëse kanë kaluar 30 vite nga rënia de Jure e regjimit, Shqipëria ende nuk mund të konsiderohet vend i lirë e demokratik, pasi pushteti ka ruajtur vazhdimësinë e tij në duart e pinjollëve të komunizmit, të cilët e drejtojnë atë në mënyrë korruptive dhe me të njëjtën mendësi. Ai i bëri apel më të rinjve që të mos e harrojnë kurrë atdheun, pasi ai do ketë gjithnjë nevojë për kontributin e tyre. Madje ai bëri thirrje për organizime programore politike të suksesshme të shqiptarëve në emigracion, për të ofruar në Shqipëri alternativa qeverisëse konkuruese, demokratike.
Zoti Bibjan Mirakaj, ish i internuar politik familjarisht përgjatë 25 vitesh, emocionoi gjithë të pranishmit me fjalën e tij. Ai përshkroi dinamikën e atyre ngjarjeve, duke i konsideruar heronj ata që i bënë sfidë diktaturës. Etja e tyre për t´u çliruar nga prangat e robërisë e rendur në rrugën e panjohur e plot rreziqe drejt lirisë, çau perden e hekurt të njërës prej diktaturave më gjakatare në botë, asaj komunisto-enveriste. Përmes një frymë paqësore bashkimi dhe atdhedashurie, ai përcolli mesazhin se lufta për demokraci nuk duhet të ndalet, pasi Shqipëria ka nevojë për të gjithë qytetarët e saj, kudo që ata ndodhen, për më tepër që ata, të cilët jetojnë në Shqipëri, si pasojë e keq-qeverisjes dhe korrupsionit galopant, përballen me padrejtësi të mëdha sociale, që kulmojnë dëshpërimisht me humbjen e shpresës për të ardhmen.
Mes përlotjesh dhe duartrokitjesh, mbrëmja vazhdoi më pas me trokitje gotash, biseda miqësore mes miqsh, muzikë e valle me motive bashkimi për të gjithë shqiptarët ku ata ndodhen. Pas disa orësh u mbyll kjo festë, ku nëpërmjet kujtimeve dhe ndjesive që do i shoqërojnë ata gjithë jetën, u përçua fryma e atdhedashurisë. Përqafime të ngrohta, dhe seicili u nis më pas për t´iu rikthyer jetës e tij, pa dyshim më i pasur shpirtërisht. U ndanë me bindjen e palëkundur se me kontributin dhe përkushtimin e tw gjithëve, Shqipëria është dhe do të mbetet atdheu i të gjithë shqiptarëve.Vatra e përbashkët që do t`i bashkojë ata gjithmonë.
E VEÇANTA E GJERMANISË – DO TË JETË M’E FUQISHME N’EVROPË
Nga DANILO TAINO/*
Përktheu “Corriere della Sera” Eugjen Merlika/
Koronavirusi ka nxjerrë në dukje brishtësinë e Evropës – ka thënë Angela Merkel para parlamentit gjerman që diskutonte mbi Këshillin evropian në lidhje me Recovery Fund.Atë që kancelariagjermane nuk e tha e nuk mund t’a thonte për voli ishte fakti që në këtë brishtësi ka një Vend që bën përjashtim e ky është Gjermania. E cila po del nga faza e parë e pandemisë pa dyshim më mirë se sa Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe pas-Brexit. Të njëjtit gjermanë, mund të mendohet. Në të vërtetë mbarështimi shëndetësor dhe ekonomik i lockdown-it është i paracaktuar të ndryshojë marrëdhëniet dhe dinamikat evropiane. Që Berlini ngurues e dëshëron apo jo, që kryeqytetet e tjerë e pranojnë apo jo, Evropa e s’ardhmes do të jetë dukshëm më gjermane.
Berlini jo vetëm e ka përmbajtur më mirë virusin e kufizuar numurin e vdekjeve, jo vetëm po mbështet më me efekt ekonominë: ka marrë një rol udhëheqës kur Merkel i ka hapur rrugën Recovery Fund-it të Komisionit BE. E ka bërë duke përvehtësuar projektin e Macronit, por me këtë ka shënuar një kthesë në paradigmën zotëruese deri n’atë çast, kthesë që vetëm Gjermania mund t’a bënte: vënien në bashkësi të rezervavepër të kapërcyer krizën në një kalim historik që po ndryshon barazpeshat e botës. “Është sfida m’e madhe në historinë e Evropës – tha Merkel përpara Bundestagut – e mënyra se si Evropa do t’a përballojë këtë pandemi në krahasim me të gjthë rajonet e tjera të botës, do të përcaktojë mirëqënien e qytetarëve evropianë dhe rolin e Evropës në botë”.
Në këto çaste, vdekjet nga koronavirusi në Gjermani kanë qënë rreth nëntëmijë (në 84 milion banorë). Në Francë , pothuaj 30.000, n’Itali pothuajse 35 mijë, në Spanjë më shumë se 28 mijë; mbi popullsi dukshëm më të paka në numër. Njëstudim i krahasuar i Oxford Economics mbi mënyrat se si katër ekonomitë më të mëdha të BE po i përgjigjen krizës arrin në përfundimin se do të jetë një “gjallërim jo i njëjtë, me dy shpejtësi” e mbi bazën e sasisë e të cilësisë së stimujve të përdorur nga qeveria e Berlinit dhe të16 Länder- ve, Gjermania do të dalë nga pandemia me një ekonomi të përforcuar në krahasim me të tjerat e kontinentit. Kjo nuk do të thotë se problemet e vjetra të Vendit janë zhdukur: kriza e sektorit automobilistik mbetet e thellë, sektori i shërbimeve është pak garues, financa e bankat çalojnë. Megjithatë Gjermania vendoset në qëndrën e çështjeve evropiane, siç nuk kishte qënë asnjëherë që nga 1945.
Megjithë vatrën e fundit në Vestfalinë Renane Veriore, në mbarështimin e krizës shëndetësore ka treguar se zotëron një aftësi drejtues si pak Vende të tjera. Ka rigjetur një farë qëndrueshmërie politike, me demokristianët e Merkel-it të rikthyer fuqishëm në sondazhe. Ka vërtetuar se, nëse do të duhej, që modeli i saj i defiçitit zero e borxhit publik nën kontroll është përcaktues për të patur hapësira bilanci në çastet e krizave. Po fuqizon hegjemoninë e saj në Vendet e Veriut të Evropës, të cilët, në një farë mënyre, do të pranojnë Recovery Fund; n’ata tëLindjes që do të mbahen afër nëpërmjet bilancit të BE për vitet 2021 – 2027; n’ata mesdhetarë në sajë të ndihmave evropiane të paracaktuara për ta dhe të faktit që zinxhirët e prodhimit të vlerave, në brëndësi të të cilave Italia ka një rol të rëndësishëm , priren gjithënjë e më shumë të kenë zemrën e tyre në Gjermani. Për më tepër boshti me Francën është bërë i qëndrueshëm.
Jo vetëm aq. Ndërmjet Vendeve të mëdha të botës, me gjasë Gjermania do të jetë ajo që do të dalë më pak e dëmtuar nga kriza: më mirë se Shtetet e Bashkuara me dobësitë e tyre të brëndëshme e mungesën ndërkombëtare, më mirë se sa Kina të cilën bota e quan përgjegjëse për pandeminë; më mirë se sa Hindia e Brazili (ndoshta vetëm Japonia, ndërmjet të mëdhejve, mund të ketë rezultate të ngjajshme me ata gjermane, por në një fushë shumë të ndryshme). Një vlerësim i fuqishëm global i Gjermanisë do të pasqyrohet mbi raportin e forcave në BE.
Barazpesha e re evropiane që po krijohet ndryshon pritshmëritë politike për të gjithë kryeqytetet e për të gjitha qeveritë. Edhe Roma, veçanërisht Roma, siç është parë këto ditë, duhet t’a studjojë.
*“Corriere della Sera”, 28 qershor 2020- Përktheu Eugjen Merlika
ROLI I MJEKUT TË FAMILJES NË SISTEMIN SHËNDETËSOR GJERMAN
Dr. med Angjelina Karamani nga Klinika Rhenumed në Meerbusch (Dusseldorf, Gjermani) rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rolin e mjekut të familjes në sistemin shëndetësor gjerman në luftën ndaj Covid-19. Me Dr. Angjelinën bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
OGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I MJEKUT TË FAMILJES NË GJERMANI
Së pari do ta nisja me rrugëtimin në Universitetin e Tiranës, një rrugëtim i veshtirë por edhe
inkurajues. Unë jam larguar në vitin 2011 për tu bërë pjesë e stafit gjerman të një spitali në Passeëalk (në Gjermaninë veri-lindore). Specializimi është “të bësh doktorin pa patur thjeshtë një titull de juro”. Përgjegjësitë janë të shumta dhe shpesh edhe të rënda por kjo në profesionin tonë është sfida që kemi pranuar. Specializimi ka një kohë zgjatje prej 5 vitesh dhe finalizohet në provimin shtetëror, i cili të jep mundësinë për të ushtruar profesionin e mjekut. Në rastin tim bëhet fjalë për specializim në mjeksinë interne, pra si mjeke për sëmundjet e brëndshme. Tani punoj në klinikën Rhenumed në Meerbusch (Dusseldorf). Në fushën e mjekësisë asnjëherë nuk ka një finish, thjesht ka vend për azhornime të herëpashershme. Ne si mjekë familjeje jemi të regjistruar në Dhomën e Mjekëve, e cila na detyron në pjesëmarrjen në specializime dhe azhornime gjatë gjithë vitit. Specializime këto që vlerësohen me pikë të ndryshme, të cilat paraqiten pranë Dhomës së Mjekëve çdo 5 vite (max 500 pikë). Tani do të thellohem tek roli i mjekut të familjes. Çdo qytetar gjerman i siguruar nga ana shëndetësore në mënyrë shtetërore ose private, ndiqet nga një mjek i familjes. Pacientët me simptoma akute në të shumtën e rasteve kurohen direkt nga mjeku i familjes ose nëpërmjet një rekomandimi drejtohen tek specialistë të fushave të ndryshme si psh kirurgu, ortopede, urologe etj ose në rastet më të rënda si infarkti i zemrës, iskemia cerebrale ose urgjencat kirurgjikale, rekomandimi i menjëhershëm për në spital. Një arsye tjetër është zhvillimi ciklik i check up-ve të detyrueshme ose jo. Në shtetin gjerman duke nisur nga mosha 18 vjeçare e deri në 35 vjeç një check-up komplet është i subvenksionuar nga shteti për të vijuar më tej nga mosha 35 vjeçare me një cikël më të shpeshtë kontrollesh (çdo tre vite). Kontrolli komplet konsiston në analizën e gjakut, urinës feceve (mbi 50 vjeç për të parandaluar kancerin e zorrës së trashë). Perveç check up-ve rutinë një peshë zënë dhe programet e kontrolleve 3 mujore për të sëmurët kronikë me diabet, bronkit kronik, azme dhe sëmundje kardiovaskulare. Pikërisht ky kontroll është një pikë shumë e fortë në sistemin shëndetësor gjerman sepse parandalimi në përkeqësimin e mëtejshëm të këtyre sëmundjeve përkthehet në një jetë më të qetë dhe më të gjatë për pacientët. Nuk mundem të anashkaloj dhe sëmundjet psiko-somatike për të cilat ne mjekët e familjes luajmë rolin e psikologut dhe kërkojnë një trajtim specifik dhe delikat. Dhe në rend të fundit por jo nga rëndësia është vaksinimi i detyrueshëm dhe i cili bëhet pranë mjekut të familjes.
ROLI I MJEKUT TË FAMILJES NË KOHËN E PANDEMISË
Roli i mjekut të familjes në kohën e pandemisë globale është shumë deçiziv ku fokusohet te ristrukturimi i vizitave, konsultat, konsultat online, cilët pacientë u lejuan të futen në klinikë dhe cilët u këshilluan përmes telefonit, testet e bëra, subvencionet e shtetit etj. Për fatin tonë të keq viti 2020 nisi me një peshë të madhe mbi supet e qytetarëve mbarë botërorë dhe për më tepër mbi supet tona si mjekë. Ju mund ta kuptoni fare thjeshtë që ne nuk kemi bërë thjeshtë rolin e mjekut por edhe atë të prindit, fëmijës, shoqes së ngushtë, psikologut, sepse u gjendëm në pozicionin e fatit të shpresës në mes të detit. Ka qenë një rol primar, gjithnjë në linjë të parë, pra kemi qenë dhe jemi kontakti i parë me pacientin. Një nga momentet më të vështira për mua ishte mbyllja e dyerve të klinikës, ishte vendimi i strukturave të larta shtetërore dhe duhej zbatuar. Kjo nuk na ndaloi asnjë moment për të zhvilluar konsultat online dhe ato telefonike dhe më besoni kanë qenë të shumta. Përsa i përket anës praktike mbi subvensionet shtetërore dua të them se funksionon dhe madje është shumë efikase. Instituti i studimeve Robert Koch vendosi disa kritere mbi të cilat vendosej zhvillimi i testeve për Covid-19: 1. Kontakti me një të infektuar, 2. Simptomat bazë të kësaj pandemie, pra kollë e fortë dhe temperaturë e lartë, 3. Për moshat mbi 60 vjeç dhe më së shumti për të moshuarit që jetojnë nëpër azile, 4. Ardhja nga zonat që konsideroheshin të rrezikshme (zonat e kuqe), kusht ky fillestar por i cili humbi vlerën me kalimin e kohës sepse e gjithë bota tashmë ishte një zonë e kuqe. Numri i testimeve ka qenë relativisht i lartë, flasim për mbi një milion testime në javë në të gjithë territorin. Pasi rasti ishte bindshëm serioz qytetarët drejtoheshin në qëndrat e posaçme shtetërore për tamponë. Në klinikën time janë kryer një numër i konsiderueshëm testimesh, ku shumica kanë qenë të subvencionuara nga shteti dhe një pjesë e vogël të paguara privatisht (me një çmim që varion nga 90 deri ne 150 euro). Në rastet kur pacientët nuk paraqisnin simptoma por dëshironin të bënin tamponin për arsye të ndryshme si psh udhëtimet brenda europës ose qëllime personale kemi aplikuar tarifën e sipër përmendur.
SHQIPTARËT NË DUSSELDORF
Raste me pacientë shqiptarë kam pasur, edhe pse dua të përmend faktin që unë në klinikën ku punoj kam bashkëkombas dhe kjo është një ndjenjë që të ngroh disi. I kam trajtuar me të gjitha mënyrat e mundshme për të bërë më të mirën dhe këtu vlen për tu përmendur fakti që unioni i mjekëve shqiptarë në Gjermanivuri në dispozicion të plotë telefonat e çdo mjeku anëtar të tij. Vendosëm kontakte dhe në rrjetet sociale për të bërë të mundur çdo lidhje me bashkëkombësit tanë. Do të ndaloj tek një rast i veçantë të lidhur me pamundësinë e një vajze të re shqiptare e cila ndodhej këtu për motive familjare dhe u gjend e bllokuar në shtetin gjerman. Vajza në fjalë pati disa simptoma që të bënin të mendoje se mund të ishte prekur nga Covid-19, por fatkeqësisht per shkak te sigurimit shendetesor gjerman që vajza nuk zotëronte testimi i saj u bë i pamundur. Megjithatë me shumë këshilla mjekësore munda ta ndihmoja dhe jo vetem kaq por sot ne ruajmë një miqësi disi të veçantë. Kjo do të thotë të jesh mjek familjeje fundja.
KTHIMI NË NORMALITET
Klinika ka rreth tre javë që i është rikthyer normalitetit në anormalitetin e momentit që jetojmë por kuptohet me zbatimin e disa rregullave të higjenës kundër Covid-19. Në klinikë nuk lejohen të qëndrojnë më shumë se tre pacientë në të njëjtën kohë dhe kjo organizohet paraprakisht nga sekretaria ime në mënyrë telefonike. Kemi detyrimin e maskerinave mbrojtëse dhe dorezave, pa harruar këtu edhe higjenizimin e menjëhershëm të duarve sapo hyjmë në klinikë. Besoj këto masa do të qëndrojnë të pandryshuara deri në formalizimin e një vaksinë dhe një vendimi të ri të stukturave më të larta shëndetësore.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA
Kjo pandemi vetëm ka shtuar besimin e pacientëve tek mjeku i familjes. Kjo do të thotë që pasoja janë pozitive në një situatë e cila pozitive nuk është. Kjo na bën ne mjekë vetë japim më shumë dhe më të mirën tonë dhe këtë unë e bëj në mënyrë të pakushtëzuar. Kjo është një pyetje të cilës më duhet ti përgjigjem jo më shumë nota optimizmi pasi në duhet të jemi vigjilent, sepse stina e vjeshtës, e cila përkon me pikun përhapjes së virozave nuk është larg. Masat i kemi marrë dhe formalizimi i një vaksinë kundër Covid-19 nuk do të vonojë. Gjithçka do të shkojë mirë.
- 1
- 2
- 3
- …
- 5
- Next Page »