Nga Shefqet Kërcelli/
Në zbatim të detyrës së Ministres së Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, për promovimin e aktivitetit të Forcës Detare dhe thithjen e kontigjentit të detarëve profesionistë, Komanda dhe Shtabi i Forcës Detare kanë hartuar një program të vecantë, ku përfshihen vizita në anije, takime e biseda me detarë të vjetër, etj. Konkretisht paraditen e datës 21 dhjetor 2015, pjesë e këtij promovimi ishin një grup maturantësh të shkollës së mesme “Ismail Qemali” në Tiranë. Fillimisht nxënësit e kësaj shkolle u pritën në molin “0” të portit të Durrësit nga Zv/Komandanti i FD, Kapiten i Rangut të I-rë Adnand Agastra dhe kuadro të anijeve “Iliria”, “Lissus” dhe Motovedetës heroinë të FD, R-118. Mbasi urimit të mirëseardhjes zoti Agastra i shpjegoi vizitorëve detyrat kryesore që kryejnë anijet tona në det, operacionet humanitare dhe ato për zbatimin e ligjshmërisë, cfarë përfaqson profesioni i bukur i marinarit, anijet në përdorim të FD, që nga MV,R-118, anija “Iliria”, “Lissus” deri tek anijet më të shpejta për luftën kundër trafiqeve detare, “ARCHANGEL”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Më pas maturantët e “Ismail Qemalit” zhvilluan një lundrim në gjirin e Durrësit me anijen “Lissus” ku u njohën jo vetëm me bukuritë e gjirit të Durrësit, por panë dhe punën direkte të detarëve tanë nëpër poste luftarake. Zonja Aida Nova, nëndrejtoreshë e Shkollës “Ismail Qemali” u shpreh e entusiazmuar për këtë eksperiencë të re bashkëpunimi mes shkollës dhe Forcës Detare. Ne kemi zhvilluar aktivitete me komunitetin dhe shoqata të ndryshme, por ky i sotmi është tepër mbresëlënës shpjegoi zonja Nova. Ndërsa zonja Desara Karaj, mësuese kujdestare, ndërkohë dhe studjuese e historisë, u interesua për traditën dhe Historinë e Detarisë së Popullit Shqiptar, të cilën e pa të zgjeruar tek libri “Antologji e Detarisë Shqiptare”. Në vijim të lundrimit djemtë dhe vajzat maturantë vec fotove të shumta në anije dhe detit të paanë, shprehën dëshirën që mbas studimeve të arësimohen në shkollat e detarisë brenda dhe jashtë vendit. Maturantët Ambra Shehu, Jurgen Lubonja, Amarildi Tomorri, etj, provuan uniformën dhe kapelen e marinarit në urën e komandimit të anijes. Duam të bëhemi kapitenë anijesh! thanë këta të rinj. Mirë, mirë, por më parë duhet të jesh marinar! tha dikush tjetër. Kështu për mëse tre orë, ky grup rinor provoi ndjesitë, ëndrrat dhe emocionet që të dhuron zanati i detarit. Ne jemi popull detar dhe më këto aktivitete ne i zgjojmë ëndrrën dhe dëshirën të rinjve tanë që të kualifikohen e trajnohen për tu bërë pjesë e Flotës sonë Tregëtare ose Luftarake. Kështu tradita e detarisë shqiptare do jetojë në shekuj. Ky ishte dhe mesazhi i këtij aktiviteti mbresëlënës
Programi i bursave në SHBA për gjimnazistët, ja datat e konkurrimit
Kennedy-Lugar Youth Exchange and Study (YES) Program është një program pa pagesë që siguron bursa studimi për nxënësit e shkollave të mesme nga vendet YES për të kaluar deri në një vit akademik (2016-2017) në Shtetet e Bashkuara, duke jetuar me familje amerikane dhe duke ndjekur një shkollë të mesme amerikane. Fokusi i programit është zhvillimi i komunikimit ndërmjet qytetarëve nga Shtetet e Bashkuara dhe vendeve partnere, me qëllim ngritjen e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Nxënësit jetojnë në një familje pritëse, ndjekin një shkollë të mesme, angazhohen në aktivitete për të mësuar mbi shoqërinë dhe vlerat amerikane, sigurojnë aftësi drejtimi dhe ndihmojnë në edukimin e amerikanëve mbi vendin dhe kulturën e tyre.
Ky program mbështetet financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit
Faza e parë e konkurimit:
Qyteti: Tiranë
Data: 4 nëntor 2015
Ora: 8:30 to 11:00
Adresa: Universiteti “Marin Barleti”, Rr. “Sami Frashëri”,
nr. 41 (pranë kompleksit të pishinave)
Qyteti: Fier
Data: 6 nëntor 2015
Ora: 8:30 to 11:00
Adresa: Shkolla e mesme “Flatrat e Dijes”
Lagjja 1 Maj
Të gjithë nxënësit duhet të regjistrohen personalisht ditën e testimit; nxënësit nuk mund të regjistrohen online, me anë të e-mail-it ose në telefon. Testi i parë do të bëhet në të njëjtën ditë dhe orë që do të përcaktohet në momentin e regjistrimit. Për të gjithë ata që kualifikohen, testi i dytë do të bëhet të nesërmen.
Një listë me pjesëmarrësit e raundit të dytë do të bëhet publike në mbrëmjen e ditës së parë të testimit.
Aplikanti duhet të plotësojë këto kushte:
– Datëlindja nga 1 janar 1999 – 15 korrik 2001
– Nxënës në shkollë të mesme, klasa 10 ose klasa 11
– Nxënës me rezultate të mira
-Të kenë nota të mira
– Njohuri të mira të gjuhës angleze
– Të jetë shtetas shqiptarë
-Nxënësit me aftësi të kufizuar duhet të jenë të lindur nga 15 shkurt 1998-15 korrik 2001
Dokumentet që duhet të paraqiten:
Aplikanti duhet të paraqesë:
– Fotografi të kohëve të fundit 3 x 4 cm;
– Pasaportë, Certifikatë lindjeje; ose kartë identiteti
– një stilolaps
Për informacione më të hollësishme kontaktoni:
American Councils for International Education
Rruga “Ibrahim Rugova”, Sky Tower, 11-3, Tiranë
+355 4 2 235 347
tirana@americancouncilssee.org
www.ac-see.org
Meta dhe Arvizu apel të rinjve: E ardhmja e Shqipërisë në dorën tuaj
Salla e Kuvendit të Shqipërisë hapi dyert për 121 gjimnazistë nga e gjithë Shqipëria, pjesëmarrës në Konferencën e 5-të të Modeli i Kombeve të Bashkuara. “Modeli i Kombeve të Bashkuara” është një simulim i një grupi të rinjsh të cilët krijojnë ekipe që përfaqësojnë shkollat e tyre dhe angazhohen në veprimtari simuluese të forumeve të Kombeve të Bashkuara.
Të pranishëm në hapjen e punimeve të kësaj konference ishin Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Alexander Arvizu, Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjellou, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, përfaqësues të Trupave të Paqes në Shqipëri, si dhe përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Duke u uruar mirëseardhjen në sallën e Kuvendit të Shqipërië, Ilir Meta theksoi se të rinjtë kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në promovimin e tolerancës, dialogut, në uljen e tensionit dhe konfliktualitetit.
“Më lejoni t’iu uroj punime të mbara të simulimit të forumeve të OKB-së, unë jam thellësisht i bindur se aktivitete të tilla do të nxisin edhe më shumë shpirtin e angazhimit politik në të ardhmen e gjeneratës suaj. Në një mënyrë apo në një tjetër politika dikton ende jetën e individëve në Shqipëri. Shpresoj dhe besoj që së shpejti ju do të diktoni me energji dhe idealizmin tuaj politikën në Shqipëri, për ta bërë atë më njerëzore dhe vetë demokracinë një instrument gjithnjë e më të përkryer në shërbimin tuaj dhe të zhvillimit të vendit tone,” tha Ilir Meta.
Më tej, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se Shqipëria dhe shqiptarët janë të dedikuar ndaj tolerancës, e kanë të hershme dhe do të jetë gjithashtu edhe baza e zhvillimit të tyre të shpejtë.
“Ne jemi kombi që ka nxjerrë një shenjtore të tolerancës dhe të përkujdesjes ndaj njerëzimit ndaj njerëzve më të varfër, ndaj njerëzve më të dobët si Nën Tereza. Ne jemi një komb i cili ka një bashkëjetese të shkëlqyer dhe një tolerancë të jashtëzakonshme ndërmjet komunitetet të ndryshme dhe besimeve të ndryshme dhe është një shembull për të gjithë botën në këtë drejtim. Por njëkohësisht dua t’iu them edhe dy momente të tjera meqenëse Shqipëria këtë vit do të festojë edhe 70-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë, një ngjarje e rëndësishme për popullin dhe kombin tonë. Shqipëria ishte ndoshta i vetmi vend dhe shqiptarët ndoshta i vetmi komb që nuk dorëzuan asnjë hebre te pushtuesit nazistë. Përkundrazi i mbrojtën dhe ishte një vend që jo vetëm mbrojti të gjithë hebrenjtë kur filloi lufta e dytë botërore por ishte ndoshta një nga vendet e rralla ku kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se sa në fillim të saj. Dhe po kështu ne ishim një popull që edhe pushtuesit italianë kur kapitulluan i mbrojtëm dhe i ruajtëm nga pushtuesit e rinj nazistë, pra mbi 20 mijë ushtarë italianë. Dhe kjo tregon një dimension të jashtëzakonshëm të tolerancës të mikpritjes të respekti një sens të jashtëzakonshëm solidariteti, të cilat padyshim do të triumfojnë mbi konfliktualitetin dhe mungesën e tolerancës, e cila ende është e pranishme por me ndihmën tuaj absolutisht që jam i sigurt do të jetë krejtësisht e margjinalizuar në të ardhmen e Shqipërisë sonë dhe në të ardhmen e zhvillimit tone,” nënvizoi Kryetari i Kuvendit.
Ministrja e Arsimit, Nikolla, në përshëndetjen e saj për projektin “Modeli i Kombeve të Bashkuara” vuri në dukje se promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve nëpërmjet bashkëpunimit është tejet i rëndësishëm.
“Jam e entuziazmuar që ne jemi pjesë e kësaj iniciative globale që zhvillohet në 38 vende të ndryshme. Është i rëndësishëm për ne promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve nëpërmjet bashkëpunimit. Është e rëndësishme që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi për të marrë pjesë në modelin e Kombeve të Bashkuara për të përforcuar aftësitë e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare, negociatat, menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve përmes rezolutave dhe pjesëmarrjes duke luajtur funksione reale,” tha Nikolla.
Më tej, Nikolla tha se nëpërmjet modelit që ofrohet në këtë konferencë, shkolla merr një dimension të ri, por që njëkohësisht është edhe dimensioni i më i natyrshëm i saj si vatër e edukimit dhe përvetësimit dhe parimeve dhe vlerave të botës demokratike.
“Komunikimi ky mjet i rëndësishëm për të kapërcyer barriera dhe ndasi dhe krijimi i një platforme për bashkëpunim rajonal midis nxënësve, shkëmbimi i ideve për çështje të interesit global, çojnë drejt aftësimit për krijimin e rrjeteve ta bashkëpunimit për një demokraci të qëndrueshme dhe funksionale në rajon e më gjerë. Ky model i ofruar sot nga ky projekt, në këndvështrimin tonë, e vë shkollën në një dimension të ri, madje do të thoja në dimensionin më të natyrshëm të saj. Shkolla, si vatra e edukimit, të përvetësimit të parimeve dhe vlerave të botës demokratike”, tha, ndër të tjera, Ministrja e Arsimit.
Në fjalën e tij, përpara 121 të rinjve të pranishëm në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ambasadori amerikan, Arvizu kujtoi se jo gjithmonë Shqipëria ka qenë një vend i lirë dhe se vetëm përqafimi i vlerave dhe parimeve si bashkëjetesa dhe toleranca për diversitetin janë garanci që vendi ynë të jetë e pjesë e kombeve të lira dhe demokratike.
“Si shqiptarë ju e njihni shumë mirë historinë e vendit tuaj . Unë e di moshën tuaj dhe të gjithë ju keni pasur fatin që keni lindur në një kohë kur Shqipëria e radhiste veten mes vendeve të lira të botës pavarësisht sfidave të saj dhe vështirësive të saj. Gjatë gjithë jetës suaj Shqipëria ka qenë një vend i lirë dhe nuk ka kthim pas. Por fatkeqësisht nuk mund të thuhet e njëjta gjë për prindërit tuaj, për hallat, xhaxhallarët, për gjyshërit, pasi ata kanë pasur fatkeqësinë të jetojnë në një regjim që ndonëse ishte në OKB ishte e kundërta mes vendeve të tjera, pasi përfaqësonte një model për askënd. Shqipëria e vjetër ishte një model për askënd. Fatmirësisht ajo kohë ka kaluar tashmë dhe është koha të shohim drejt të ardhmes. Por nëse njerëzit nuk janë të kujdesshëm, historia ka mënyrën e të përsëriturit të vetvetes ndaj është e rëndësishme që të gjithë ne, pavarësisht nga sfondi, origjina nga e cila vijmë, pavarësisht besimit që zgjedhim është e rëndësishme që të zhvillojmë një vlerësim, një tolerancë për diversitetin,” tha Arvizu.
Në këtë kontekst, ambasadori amerikan theksoi se është e domosdoshme të ruhen parimet e shprehura në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, që përbën frymën e Kombeve të Bashkuara.
“Kur mendoj për Kombet e Bashkuara, me vjen në mend një dokument që mund ta bashkëlidh me OKB-në, që është fryma e kësaj organizate dhe që është Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila përfaqëson kulminimin e një procesi, që është themeli për paqen në botë, për bashkëjetesën, për vlerësimin dhe të kuptuarit. Kjo traditë duhet të vazhdohet me çdo kusht,” tha Arvizu, ndërsa shtoi se e vetmja mënyrë që kjo traditë të vazhdojë është që të gjithë të rinjtë e kësaj bote rrokin ndryshimin dhe e përdorin mirë atë.
“Modeli Kombet e Bashkuara” është një projekt që zbatohet si një bashkëpunim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Zyrës së Koordinatorit Rezident të Kombeve të Bashkuara, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trupave të Paqes në Shqipëri dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Projekti përfshin 121 nxënës të organizuar në ekipe që përfaqësojnë shkolla nga zona të ndryshme të vendit. Konferenca është forumi ku nxënësit shpalosin të gjithë përgatitjet dhe rezultatet e punës së tyre që nga tetori i vitit të kaluar.