-Lufta e armatosur e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës, luftë kundër forcave ushtarake, policore, paramilitare dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Shtator 2015/ Në Kosovë, drejt krijimit të Gjykatës Speciale, Ligji për Dhomat e specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të specializuar, është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe hyn në fuqi pas dy javësh, në 15 shtator.
“Me këtë ligj themelohet dhe rregullohet organizimi, funksionet dhe juridiksioni i Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar”, thuhet në nenin 1 “fusha e veprimit dhe qëllimi i ligjit”, ndërsa në nenin e fundit – 65 thuhet se “ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”. Ligji është miratur në Kuvendin e Kosovës në 3 gusht 2015, është shpallur me dekretin e datës 20 gusht nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në nenin 1, pika 2, thuhet edhe se “Dhomat e specializuara brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të specializuar janë të domosdoshme për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të parapara në Ligjin nr. 04/L-274, për garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe për garantimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase në lidhje me pretendimet për krime të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare të kryera gjatë konfliktit në Kosovë dhe pas tij, krime të cilat ndërlidhen me ato që janë raportuar në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Dok 12462, i datës 7 janar 2011, dhe të cilat kanë qenë objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale (“TFHS”) e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (“PSRK”)”.
Ndërsa, në nenin 2 “përputhshmëria me Nenin 55 të Kushtetutës”, thuhet: “Çdo kufizim i të drejtave dhe lirive themelore bëhet në përputhje me nenin 55 të Kushtetutës për qëllime objektive dhe të arsyeshme që janë shprehur në këtë nen, në pajtim me kapitullin II të Kushtetutës dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe procesit të drejtë. Këto qëllime janë në interesin e Kosovës si shoqëri e hapur dhe demokratike dhe janë në shërbim të përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të Kosovës. Në përputhje me nenin 55 të Kushtetutës, këto kufizime shqiptohen vetëm në masën e nevojshme për përmbushjen e këtyre qëllimeve jetike”.
Ndërsa, Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, siç thuhet në nënin e fundit – 10, “hyn në fuqi gjashtë (6) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”. Në këta gazetë në 31 gusht 2015 është publikuar edhe ky ligj, e poashtu është miratur në Kuvend në 3 gusht e është dekretuar në 20 gusht nga Presidentja.
Fillimisht, në preambulë, thuhet:
“Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të Nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Duke konfirmuar edhe një herë qëndrimin dhe besimin e paluhatshëm që Lufta e armatosur e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës, luftë kundër forcave ushtarake, policore, paramilitare dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë;
Duke njohur sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), të mbështetur nga NATO, e udhëhequr nga SHBA-të dhe aleatet e saj, të cilët ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës;
Me qëllim që të mbrohet dhe zbardhet e vërteta për proceset e mundshme gjyqësore që do të zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara, pa ndonjë ndërhyrje dhe veprim të mundshëm i cili do të mundësonte ndërprerjen e këtij procesi dhe i cili do të mund të linte njollë të pazgjidhur në historinë e re të Republikës së Kosovës;
Duke ritheksuar zotimin e Republikës së Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj;
Duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës në vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, i paraqitur edhe në Marrëveshjen Ndërkombëtare të ratifikuar në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (Ligji nr. 04/L-274);
Miraton
Ligj për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara”.
Në nenin 1 – “qëllimi”, thuhet: “Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara”.
Mdërsa, në nenin 2 – “fushëveprimi” thuhet: “Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj çdo personi i cili akuzohet për krimet e pretenduara në proceset
gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara duke përfshirë mbrojtjen juridike për personat e akuzuar dhe mbështetjen financiare të anëtareve të ngushtë të familjes së tyre për udhëtimet që ndërlidhen me procedurat gjyqësore, që mbahen jashtë Republikës së Kosovës”.
Neni 9 – “aktet nënligjore” përcakton: “Ministria e Drejtësisë miraton akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji, më së largu tre (3) muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit”.
Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur sesionin pranveror me seancën e jashtëzakonshme të nisur pak para mesnatës së 3 gushtit, që ishte e treta brenda ditës për ndryshimet kushtetuese dhe ligjet drejt krijimit të Gjykatës Speciale.
Në 11 gusht, grupet parlamentare opozitare të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, dorëzuan në Gjykatë Kushtetuese kërkesën ku kontestohet kushtetutshmëria e amendamentit nr. 24 lidhur me formimin e Gjykatës Speciale, të votuar më 3 gusht 2015 nga Kuvendi. Lidhur me këtë kërkesë të opozitës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk është deklaruar ende.
BE-JA DHE SHBA-JA PËRSHËNDETËN MIRATIMIN E SPECIALES
Mogherini mirëpret miratimin e Gjykatës Speciale/
Bashkimi Evropian, Zyra në Prishtinë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë përshëndetur sonte me anë të një komunikate miratimin e amendamentit kushtetues dhe të Ligjit për themelimin e Dhomave të Specializuara, menjëherë pas votimit sonte në mesnatë të Projektligjit për Dhomat e Specializuara.
“Misionet e BE-së, Përfaqësuesi Special i BE-së/ Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë mirëpresin aprovimin e amendamentit kushtetues dhe ligjit të nevojshëm për themelimin e Dhomave të Specializuara.
Ky ishte një hap i rëndësishëm në rrugën Euro-Atlantike të Kosovës. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi kanë demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Dhomat e Specializuara janë instrument jetik për vendosjen e drejtësisë lidhur me pretendimet për krimet e supozuara gjatë konfliktit në Kosovë.
Themelimi i tyre do të forcojë parimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës në këtë fushë. Duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke siguruar drejtësi për viktimat, Kosova mund të arrijë pajtimin dhe të ndërtojë të ardhme më të mirë”, thuhet në komunikatën e përbashkët.
Mogherini mirëpret miratimin e Gjykatës Speciale/
Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mirëpriti miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë.
Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e zonjës Mogherini, thuhet se “aprovimi i sotëm i amendamenteve kushtetuese dhe ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special në Kuvendin e Kosovës është hap jetik në ofrimin e kornizës së domosdoshme ligjore për adresimin e pretendimeve të rënda që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës, si dhe zotimet e theksuara në Letërkëmbimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014.
Duke kuptuar që ky hap i deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk ishte i lehtë, ai është shenjë e përgjegjësisë dhe vendosmërisë për të nxjerrë të vërtetën dhe për të marrë vendime që janë në harmoni me rrugën evropiane të Kosovës.
BE-ja është e përkushtuar në ofrimin e asistencës në këtë proces dhe për të vazhduar punën me palët e përfshira për të përfunduar procesin e krijimit të mekanizmave të nevojshëm ligjor në mënyrë që të mund të mbahen procese gjyqësore të pavarura dhe të drejta në një të afërme”, thuhet në deklaraten e zonjës Mogherini.
KOSOVË – GJYKATA SPECIALE RIKTHEHET NË 3 GUSHT NË AXHENDËN E SEANCËS PLENARE TË KUVENDIT
-Mustafa: Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për Gjykatën Speciale e ruan sovranitetin e Kosovës/
-Thaçi: Që të kemi një mbështetje çfarë e meritojmë, duhet natyrisht që edhe ne të prodhojmë argumente/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Gusht 2015/ Gjykata Speciale rikthehet në 3 gusht në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku në 26 qershor për miratim mungonin 5 vota për të arritur numrin e nevojshëm 80 – dy të tretat e 120 deputetëve.
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare të hënën, në 3 gusht, në orën 10:00, me një pikë të vetme të rendit të ditës: Shqyrtimi i propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të riproceduar në Kuvend nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ky ishte vendimi i djeshëm i Kryesisë së Kuvendit, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, e cila u mbajt ndonjë orë pas mbledhjes së qeverisë së Republikës së Kosovës.
Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për Gjykatën Speciale e ruan sovranitetin e Kosovës, është shprehur kryeministri kosovar Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë ku u miratua unanimisht propozimi për riprocedimin e amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ai përkujtoi se, Kuvendi kosovar e ka shqyrtuar në 26 qershor amendamentin numër 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i cili është proceduar nga qeveria pas aprovimit në 7 mars 2015.
“Amendamenti është përkrahur nga 75 deputetë, por nuk i ka arritur votat e mjaftueshme prej dy të tretave, përkatësisht të 80 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në takimin e qeverisë të datës 27 qershor kemi shprehur përcaktimin tonë që pas konsultimeve të nevojshme me deputetë të riprocedojmë në Kuvend të njëjtin amendament kushtetues”, tha ai.
Kryeministri Mustafa tha se, ndërkohë janë zhvilluar takime me deputetë dhe me grupe parlamentare në të cilat është biseduar lidhur me nevojën e aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të mundësojnë themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Specializuar.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj, konsideroj që ne nuk e kemi asnjë pengesë kushtetuese që amendamentet të cilat janë aprovuar njëherë në qeveri të riprocedohen në Kuvend me kërkesë që t’i shqyrtojë edhe njëherë dhe të marrë vendim për aprovimin e tyre, duke pasur parasysh rëndësinë shumë të madhe që ka për vendin aprovimi i këtyre amendamenteve”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ai tha se, arsyeja e riprocedimit të amendamenteve ndërlidhet veçmas me përmbushjen e obligimeve të cilat i ka marrë Kosova në Ligjin për ratifikimin e letrës së Presidentes së Kosovës me Baroneshën Ashton të aprovuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 2014.
“Prandaj, ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjet të cilat i aprovon Kuvendi, ndërsa Kosova duhet të tregojë se është përgjegjëse dhe se është e zonja që të përmbushë zotimet e saj para komunitetit ndërkombëtar, zotime të cilat janë ratifikuar me ligj. Kosova përmes aprovimit të këtyre amendamenteve demonstron në mënyrë të qartë përcaktimin e qeverisë së saj për rend dhe ligj dhe për arritjen e standardeve të larta perëndimore të drejtësisë, por njëherit poashtu shprehë bindjen se votimi i tyre në Kuvend është në dobi afatgjate të Kosovës”, tha Mustafa.
Kryeministri i Kosovës theksoi se, themelimi i Dhomave të Veçanta sipas këtyre amendamenteve është kërkesë eksplicite e partnerëve tanë strategjikë, sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
“Gjatë riprocedimit kemi pas parasysh poashtu edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në aktgjykimin e saj e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit dhe e ka konfirmuar se amendamenti numër 24 nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me kapitullin 2 dhe me kapitullin 3 të Kushtetutës”, vijoi Mustafa.
Ai u shprehu besimin se aprovimi i këtij amendamenti është në dobi të shtetit të Kosovës dhe të zotërimit të drejtësisë mbi çdo dyshim të mundshëm.
“Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për këto amendamente kushtetuese e ruan sovranitetin e Kosovës, sepse institucionet e Republikës së Kosovës janë ato që marrin rolin dhe përgjegjësinë për një vendim të tillë. Për neve do të jetë e dëmshme dhe e papranueshme që për këtë çështje të vendoset mbi bazën e Rezolutës 1244, pasi që rikthimi dhe fuqizimi i kësaj rezolute sjell në pikëpyetje sovranitetin e vendit dhe vlerat e ndërtuara që nga periudha e shpalljes së pavarësisë”, theksoi kryeministri Mustafa.
Unë, vijoi kreu i qeverisë, pres që vendimi për ndryshimet kushtetuese të përkrahet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të pozitës dhe opozitës.
“Kjo është një çështje që i takon tërë vendit, ashtu siç është partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë ndihmuar vendin tonë në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe partneriteti me BE-në. Janë në interes të pozitës dhe të opozitës dhe të gjithë qytetarëve të Republikë së Kosovës. Ne poashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mund ta ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë vend të izoluar nga vendet mike. Na nevojitet përkrahja e tyre për integrimet në BE, për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për investime dhe zhvillim ekonomik dhe për forcimin e shtetit ligjor. Këtë duhet ta bëjmë së bashku me partnerët strategjikë në rrugën e integrimeve tona euroatlantike”, theksoi kryeministri Mustafa.
Prandaj, përfundoi kryeministri kosovar, duke pas parasysh rëndësinë e themelimit të Dhomave të Veçanta, unë ju ftoj që ta përkrahni riprocedimin e këtij amendamenti, përkatësisht amendamenteve kushtetuese, dhe poashtu Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më shpejtë ta thërrasë seancën dhe të aprovojë këto amendamente.
Edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për qeverinë dhe të gjitha institucionet e vendit që të riprocedohet për këtë çështje të rëndësishme të themelimit të Gjykatës Speciale.
“Vlerësoj se është e rëndësishme edhe për të kaluarën, për të sotmen dhe mbi të gjitha për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Ne kemi marrë obligimet si institucione para bashkësisë ndërkombëtare, në një proces të një bashkëpunimi të ngushtë, të një transparence të plotë, por edhe të një bashkëpërgjegjësie mund të themi lirisht”, u shpreh ai.
Prandaj, vijoi shefi i diplomacisë kosovare, edhe letërkëmbimet që kanë ndodhur duke u bazuar në vendimet e Kuvendit në mes të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Bashkimit Evropian janë edhe një përgjegjësi e re që del para institucioneve tona.
“Mendoj se kjo çështje është ajo që duhet të largoj ndasitë politike, përkundrazi është një përgjegjësi e përbashkët shtetërore dhe duhet të shndërrohet në një rrethanë të favorshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, që të vazhdohet menjëherë me çështjen e Stabilizim-Asociimit, pastaj me rekomandimin për liberalizimin e vizave, me anëtarësimin e Kosovës edhe në UNESCO, edhe në Interpol edhe me aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Gjithashtu, vlerësoj se është një standard të cilin Kosova e plotëson më mirë se të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe që do të mirëpritet prej të gjithë partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë dhe që do të kemi një mbështetje të fuqishme, gjithashtu edhe në të ardhmen”, theksoi Thaçi.
Pra, vijoi ai, ky votim apo ky kalim në Kuvendin e Kosovës në ditët e ardhshme do të mund t’i hap Kosovës një kapitull të ri, kapitullin e fuqizimit të integrimeve euroatlantike për Kosovën, por edhe ruajtjes, kultivimit dhe thellimit të partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Dhe, pastaj ne të procedojmë axhendën tonë shtetërore, në mënyrë që të kemi një mbështetje edhe më të fuqishme ndërkombëtare. Por, që të kemi një mbështetje çfarë e meritojmë, duhet natyrisht që edhe ne të prodhojmë argumente sikur sot që po prodhojmë si qeveri e Kosovës dhe në ditët e ardhshme edhe si Kuvend i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.
Ai përfundoi se, mbetet me shpresë, optimizëm dhe besim të plotë që edhe deputetët kësaj radhe do të votojnë pa ndonjë hezitim në drejtim të asaj që të përmbyllet edhe kjo sfidë apo bashkëpërgjegjësi e politikës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një ditë pas mosarritjes së numrit të nevojshëm të votave në Kuvend, qeveria në 27 qershor, në një mbledhje konsultative paralajmëronte riprocedim i Gjykatës Speciale dhe për këtë edhe bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën. Por, tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma në një deklaratë të përbashkët që pasoi shprehën dhe vazhdojnë të mbajë qëndrimin se, “vendimi i 26 qershorit i Kuvendit të Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”. Në vazhdimësi të këtij qëndrimi, tre partitë opozitare, me gjithësej 31 deputetë, edhe në deklarata të veçanta, edhe ditëve të fundit, u rishprehën kundër riprocedimit në Kuvend të Gjykatës Speciale. Opozita shprehu kundërshtime edhe me largim nga mbledhja e djeshme e Kryesisë së Kuvendit duke kërkuar të mos procedohen ndryshimet kushtetuese për Specialen.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, një debat të gjerë ngjalli edhe propozimi për mocion procedural i grupeve parlamentare opozitare lidhur me procedimin në seancën plenare të radhës të Projektrezolutës lidhur me krimet e kryera nga Serbia gjatë viteve 1998-1999. Propozimi u përkrah edhe nga përfaqësues të grupeve parlamentare në pozitë, mirëpo u kontestua në kuptimin procedural. Rrjedhimisht, nuk mori përkrahjen e shumicës së anëtarëve të Kryesisë për të hyrë si pikë e rendit të ditës në seancën e radhës.
Kosovë –Gjykata Speciale, ende as riprocdedim nga qeveria e as në axhendën e Kuvendit
-Shtypi kosovar: Përpjekja 2 për Specialen këtë javë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 27 Korrik 2015/-Nuk do të shkohet në pushim para riprocedimit të amendamentit kushtetues dhe vendimit për Gjykatën Speciale, është përkushtimi nga institucionet e Kosovës i ritheksuar edhe në fundjavën e kaluar, ndërsa ditën e parë të javës vijuese, sot, u mblodhën Kryesia e Kuvendit e kryetarët e grupeve parlamentare me axhendë përgatitjet për seancën plenare, e cila u vendos të mbahet të enjten e 30 korrikut.
“Kemi kërkuar që deputetët të mos shkojnë në pushime para se të vendosë Kuvendi për Gjykatën Speciale, përkatësisht para se ta riprocedojmë”, është shprehur kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, në konferencën për shtyp të premtën.
Qeveria e Kosovës pritet ta riprocedojë amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale, pasi të sigurohen të pakëtën 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, prej tyre 10 serbë. Në seancën e Kuvendit në 26 qershor për miratim të amendamentit mungonin 5 vota, derisa 75 deputetë ishin pro, 7 kundër, 2 abstenuan e opozita nuk mori pjesë në votim.
Votat kundër dhe abstenim ishin nga deputetët e koalicionit qeverisës, PDK-së, që ishin në seancë, ndërsa 4 mungonin kur u votua. Por, në zhvillimet pasuese, sipas burimeve mediale të raportuara javën e kaluar, “vetëm katër nga 13 deputetët e PDK-së, që nuk i dhanë mbështetje amendamentit kushtetues që do t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, nuk kanë ndryshuar qëndrim”, prandaj, “mbështetje Speciales pritet t’i japin 85 deputetë të koalicionit qeverisës”.
“Përpjekja 2 për Specialen këtë javë”, është një kryetitull në shtypin e sotëm kosovar, sipas të cilit “burimet kanë thënë se partitë e koalicionit janë ‘bindur’ se do t’i bëjnë 80 votat e nevojshme për ta kaluar Specialen”.
“Në qeveri nuk është në diskutim plotësimi apo ndryshimi i amendamentit ekzistues, të cilin Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar të jetë në përputhje me Kushtetutën”, thekoson shtypi.
Në 27 qershor, në një mbledhje konsultative të qeverisë u paralajmërua riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën që nuk votoi në Kuvend ndryshimet kushtetuese, por në 30 qershor tre partitë opozitare kosovare , me gjithësej 31 deputetë, në një deklaratë të përbashkët janë shprehur se, “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
“Opozita organizohet kundër Speciales”, shkruante dje shtypi në Prishtinë, sipas të cilit, “nëse kjo çështje procedohet sërish në Kuvend nga ana e qeverisë, opozita do ta kundërshtojë atë me metoda parlamentare e përtej parlamentare me qëllim që ta mbrojë demokracinë në vend”.
Se kur do jetë Gjykata Speciale në axhendën e seancës plenare, Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të vendosë në një mbledhje tjetër e jo sot, kur në rend dite ishin çështje të tjera.
Të enjten, në 30 korrik, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancën e radhës.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit.
Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë kërkesën për interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.
Kryesuesi i mbledhjes, Haliti, citoi shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Fitim Krasniqi, sipas të cilës, duke parafrazuar përgjigjen e ministrit, vlerësohet se pikat e adresuara në kërkesën e parashtruar për Interpelancë, veçanërisht tek pjesa e rekomandimeve, nuk kanë të bëjnë me fushën e përgjegjësive të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sepse ato lidhen me fushat e përgjegjësive të institucioneve tjera.
Më pas, në seancë do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për digjitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore dhe pritet të zgjedhen pesë anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Engel: Drejtësia nuk vihet në vend me fushata
Ligjvënësi amerikan Eliot Engel, i quan shpifje pretendimet se udhëheqësit e Kosovës po luajnë lojë të dyfishtë me Gjykatën e Posaçme.
Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha të mërkurën se drejtësia në Kosovë do të vihet në vend në gjykata, e jo përmes fushatave të shpifjeve. Në këtë mënyrë ai reagoi ndaj një shkrimi të autorit me prejardhje nga hapësirat e ish Jugosllavisë, Chuck Sudetic i cili akuzoi zëvendëskryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi se siç thuhet, po e rrezikon gjithë Kosovën për të shmangur përballjen e mundshme me Gjykatën e Posaçme.
Në një tekst me titullin “Banditët që e drejtojnë Kosovën” ai shkruan se Hashim Thaçi po e mashtron Amerikën dhe Evropën, duke bërë thirrje që të votohet Gjykata e Posaçme për krime lufte, por qëllimisht i ka nxitur disa prej deputetëve që ta bllokojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e saj. Ai citon diplomatë e ish-diplomatë perëndimorë pa i identifikuar ata të kenë folur për pasojat që do të ketë Kosova nëse nuk e themelon gjykatën. Ai citon një ish diplomat të ketë thënë se krimi i organizuar në Kosovë përfshinë transportim të paligjshëm të drogave, trafikim me njerëz, kontrabandë me mallra, trafikim të grave dhe prostitucion, shpëlarje parash, trafikim organesh etj. Sipas tij, nëntoka e Kosovës punon bashkë me grupe kriminale në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bullgari, Turqi dhe Shqipëri.
Gazetari Sudetic është bashkautor i librit “Gjuetia” të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte, në të cilin ajo ngrinte pretendime për përfshirje të ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.
Ligjvënësi Eliot Engel tha se shkrimi i gazetarit Sudetic, “i mbështetur në kërcënime e shantazhe anonime, thashetheme të pabaza dhe gënjeshtra të qarta dhe të ndyta, përbën një përpjekje transparente për t’i njollosur dhe diskredituar disa udhëheqës të Kosovës dhe për të minuar shtetin e ri, i cili po punon drejt forcimit të sundimit të së drejtës. Shumë nga akuzat në këtë artikull, të tilla si trafikimi i drogës, janë demaskuar për të satën here, madje edhe nga CIA në raportin publik të vitit 2000. Drejtësia do të vihet në vend në gjykata, e jo përmes fushatave të shpifjeve”, tha Engel.
“Ne amerikanët e dimë nga vet historia jonë se ndërtimi i demokracisë ishte diçka e vështirë që kërkon një punë me përkushtim të madh. Kosova po i tejkalon këto sfida tani, edhe pse zërat e mbërthyer nga e shkuara po punojnë për të minuar përparimin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara dhe kampionët e lirisë në Evropë dhe gjetiu duhet të vazhdojnë të mbështesin Kosovën. Derisa shpifësit si Chuck Sudetic përsërisin të njëjtat pretendime të pabazuara, parapëlqej të punoj krah për krah me qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e zgjedhur të tyre drejt një të ardhmeje edhe më të ndritshme”, thotë zoti Engel.
Shpifje e ka cilësuar shkrimin edhe Daniel Serwer, profesor në Shkollën Johns Hopkins për Studimet e Avancuara Ndërkombëtare në Uashington. Në një bisedë për Zërin e Amerikës ai tha se nuk sheh “ndonjë provë për këtë vlerësim në artikullin e tij, përveç personave të paidentifikuar dhe nuk mund të flas me siguri për burime pa emër”.
Zoti Serwer beson në përkushtimin e Kosovës për të ngritur Gjykatën e Posaçme, me gjithë vështirësinë për ta bërë një gjë të tillë.
“Nuk kam folur me ministrin e Jashtëm Thaçi gjatë muajve të fundit, që nga vizita e tij disa muaj më parë. Por ai ka bërë deklarata shumë të fuqishme në parlament si dhe për mediat, lidhur me nevojën e krijimit të kësaj gjykate. A është e mundur që ai në prapaskenë të jetë duke e penguar ngritjen e gjykatës? Shumica e politikanëve në Ballkan janë të aftë për gjëra të tilla. Nuk mund të them jo. Por mendoj se është me rëndësi të kuptohet që zoti Thaçi e ka mbështetur publikisht dhe me forcë krijimin e kësaj gjykate. Mendoj se për disa motive mjaft të arsyeshme, të gjitha këto akuza nuk do të sqarohen dot pa u shqyrtuar në një gjykatë të përshtatshme”, tha ai.
Shkrimi i gazetarit Sudetic që nxiti reagime edhe në Kosovë, nga disa vëzhgues të pavarur shihet si një formë trysnie për përshpejtimin e procesit të ngritjes së gjykatës së posaçme.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.
Opozita po bënë thirrje që të respektohet vendimi i deputetëve të parlamentit dhe të hiqet dorë nga themelimi i saj në formën si është ofruar aktualisht. Udhëheqësit e saj thonë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por kërkojnë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse.
Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri.
Qeveria po pret të sigurojë votat e mjaftueshme para se të ridërgojë në Parlament ndryshimet kushtetuese për të cilat nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve si dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave kombëtare
Më 26 qershor, parlamenti dështoi të sigurojë këtë shumicë.(Zeri i Amerikes)