(Esse) nga SOKRAT SHYTI/
1.Në jetën e secilit ndodhin të papritura befasuese,të cilat në fillim na duken si ëndërrime ,ose mendime të përtej vetëdijes së përditshme. Madje rastis që një telefonatë me pak fjalë na nxjerrë nga sënduku i kujtesës dekada të ndrydhura përjetimesh,ndonëse gjenden në thellësi të vetëdijes dhe aty kanë formuar koren mbrojtëse të sedrës së plagosur nga pabesitë hakmarrëse të së shkuarës,tmerrësisht të hidhur,që të mos ngacmohet e lëndohet. Pikërisht kur dëgjojmë telefonata të tilla,ne mbetemi të shtangur e mosbesues ndaj asaj që dikur na ka shqetësuar dhe na ka tromaksur,ngaqë na duket kumt i panatyrshëm dhe mjaft i sforcuar çfarë na sjell zëri përtej telit,e sidomos na bënë përshtypje që zotëron një forcë kaq të fuqishme,sa vë në lëvizje të vrullshme gjithë kujtimet tona të fjetura të viteve më të zjarrta.
Prandaj ende s’e besoja që,Maliqi,shoku im i fëmijërisë,më përcolli në orën dy të mesditës një kumt kaq të trazuar,mbarsur me ngacmim gërryes,i cili më ka gërricur herë pas here me djegësirën e paduruar të helmit,ndonëse njoftimi i tij ishte thjeshtë një thirrje për të shkuar në Shkodër,më 30 maj,në takimin e tre maturave të Gjimnazit,pas një gjysmë shekulli ndarje!
Në këtë çast trurin tim e goditi pyetja e përsëritur shpesh herë:pse ndodhi mes nesh ndarja e stërzgjatur,gjysmëshekullore,kur takimet mes nxënësve,pas mbarimit të shkollës së mesme,bëhen në çdo pesë apo dhjetë vjet?!…Dhe rendita shkaqe e justifikime të ndryshme për të shpjeguar këtë dukuri të pazakontë. Në fund u ndala tek bindja e pa kundërshtuar:asnjë nuk e pranon pohimin,që pengesën kryesore duhet ta kërkojmë tek vetvetja,sado të na vijë thartë e hidhur,me shpjegimin se ndarjen e kemi sjellë vetë,ngaqë tek ne ka munguar dëshira për t’u parë e takuar me njëri tjetrin! Në të vërtetë shkaqet gjenden gjetkë,dhe janë mbuluar me zhgunin e trashë të heshtjes tek pritat dhe pengesat e padukshme. Ndarjen e solli përdhunisht grupimi i shoqërisë në bashkësi kundërshtare!…
Ky ndëshkim mizor,që iu bë rinisë,veçanërisht gjimnazistëve,ishte goditja e parë më e egër e pushtetit komunist ndaj nesh,pjesës më vitale dhe të ndjeshme të shoqërisë,me synim të shkatërronte edukatën e shëndoshë,të mëkuar nga prindërit tanë me dëlirësi hyjnore! Kjo mësymje vrastare na zuri në befasi,të papërgatitur, pikërisht kur ëndërronin për të ardhmen me frymëmarrje të gjerë,ndaj nuk mund të na shkonte mendja tek dukuria më e kobshme,tragjike,ndarja e shoqërisë në klasa kundërshtare. Por edhe nëse dikush nga ne pajisej me fantazinë e orakullit,bënte përjashtim,dhe nën shtysën e një ngacmimi të brendshëm përmendte rastësisht fjalën e dhimbshme,ndarje,enkas për të parë si do reagojmë ne,shokët dhe shoqet,asnjë s’do ta merrte seriozisht,pasi na dukej absurde të hamendësohej për të pamundurën tragjike,se vjen një ditë tmerrësisht e mbrapshtë,që do t’i shkatërrojë lidhjet tona të pastra,si rrjeta kristalore diamanti!Sepse tek shumica jonë gëlonte dëshira,që vezullimet tona rinore do të mbeten të virgjëra e të paprekura,sido të shfaqen në të ardhmen brejtjet dhe ndotjet e kohës!…
Pikërisht ky premtim më shkaktoi tronditjen deri në palcë,në çastin kur dëgjova kumtin e ftesës,ndaj dhe ndenja disa sekonda në heshtje, pa iu përgjigjur.
-Duhet të shkojmë pa tjetër!…këmbënguli zëri i Maliqit,duke e marrë me mend që isha i pështjelluar nga mëdyshje kundërshtuese. Dhe që të mos hallakatesha në qerthullin e hamendjeve të trazuara,shtoi më tej:-Po të vë në dijeni se,ftesa ime shpreh dëshirën e shumë shokëve,të cilët ma theksuan disa herë në telefon,dhe unë kam detyrë ta përmend: malli gjysmëshekullor dhe shtysa e brendshme ju bënë thirrje të jeni pranë nesh! Për hir të së vërtetës,edhe ne kemi dëshirë për t’i parë e takuar. Apo jo? Mua më duket krejt e natyrshme që ata përjetojnë mall dhe kureshtje të pazakontë,duan të bashkëbisedojnë me ne,të mbijetuarit e Diktaturës së egër të Proletariatit,për të dëgjuar nga ne ku e gjetëm forcën e duhur të mbajmë mbi shpatullat tona të kërrusura peshën tmerrësisht të rëndë të atij ndëshkimi përdhunues…
Pohimet e shokut tim të fëmijërisë ishin bindëse. Asnjërit prej nesh,në moshën e artë të adoleshencës,nuk i shkonte ndërmend kobi i llahtarshëm,se brezin tonë do ta ndiqte pas mallkimi i gjëmës çnjerëzore:ideologjia komuniste do na helmonte gjakun e limfën e do na çorodiste mendimet,deri sa të na e shpëlante trurin me soj-soj broçkulla rrëqethëse, kanosëse,pastaj me metoda satanike të mbjellë brenda vetëdijes tonë rrjetat e trysnisë së skëterrshme,që do sprucojnë narkozën e padukshme të ideologjisë vrastare,e cila do trullosë deri në tjetërsim ndjenjat tona të pastra rinore,dhe do na përçajë e grupojë në formacione kundërshtare,duke kryer nëpërmjet mashtrimit seleksionimin e shoqërisë! Sigurisht në ballë do vendoset “Elita” e Kombit. Pas tyre do rreshtohen të përkëdhelurit e zgjedhur,duke patur detyrë parësore të ndërsehen egërsisht kundër pjesës së padëshiruar të shoqërisë,të vjellin orë e çast shkulma me urrejtje e thirrje histerike “armiq”,dhe vetëm në raste kur e kërkon politika e Elitës mund të përdoret një epitet pak më i zbutur, ”të deklasuar”!
Si pasojë e këtij shformimi të llahtarshëm klasor,u këputën ligamentet e u shkatërruan hallkat e lidhjeve të vjetra të adoleshencës rinore! Në kushtet e shtypjes së tmerrshme të trysnisë së vazhduar politike e ideologjike u shfaq çarja e madhe e shoqërisë,ndarja mes të përkëdhelurve të Diktaturës së Proletariatit dhe atyre me biografi të “njollosur”,të cilët, sipas botëkuptimit komunist të “Elitës”,përbënin ”llumin e shoqërisë socialiste”. Duke na cilësuar të tillë,mbi kokat tona filloi të vërtitej kamxhiku i ndëshkimit!Ndërkaq edhe mes të përkëdhelurve u bënë seleksionime e përzgjedhje,sepse duhej veçuar nga qumështi gjalpi dhe hirrën,me shpjegimin “bindës” se nuk mund të rrinë brenda të njëjtit grupim emrat e mëdhenj, anëtarët e Byrosë Politike,me anëtarët e komitetit Qendror të Partisë e të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
(Një shoku im,me biografi të “njollosur”,më kish treguar para ca kohësh se diçka e tillë ka ndodhur në dy takimet e fundit,me maturantët e vitit 1959,para shembjes së murit të Berlinit,sepse njërit prej ish nxënësve të klasës tonë i buzëqeshi ylberi i karrierës,u ngjit me katapultë në kupolën e Piramidës,dhe menjëherë pas këtij ndryshimi u fut në Grupin e më të Mëdhenjve,ruhej me truproja,u veçua me mure ndarëse nga të tjerët,askujt nuk i lejohej t’i drejtohej në emër,pa përdorur ndajshtimin e detyruar,shoku!…)
Tjetërsimet përdhunuese në shoqërinë shqiptare lëshonin rrënjë gjithnjë më të thella,dhe u përhapen me shpejtësinë e zërit në plazmën e secilit,si metastaza kanceri,duke injektuar helm në çdo qelizë të moralit e mbjellë gërryerje tmerrësisht të dhimbshme! Në këto kushte,ne,të “deklasuarit”,vërtiteshim vazhdimisht në vorbullën e goditjeve të katrahurës së llahtarshme,dhe na shtrëngohej çdo ditë e më shumë kulari i urrejtjes: na ndalohej të takoheshim me shokët tanë të dikurshëm,për të shkëmbyer dy fjalë e pirë një kafe! Madje na kërcënonin të mos i përshëndetim as me kokë,në largësi, që këtyre të mos u bëhet pis “biografia e pastër”!
Kjo ndarje mizore na drithëronte e rrëqethte deri në palcë!Çdo ditë duhet të gjenim forca të shumëfishta për mbijetesë,që të mbroheshim nga kafshimet vdekjeprurëse të bishës së përçudnimit,Diktaturës së Proletariatit,duke patur parasysh se ishim krejt të zhveshur nga të drejtat më elementare qytetare! Përçmimi i gatuar me urrejtje klasore qe’ futur si pykë ndarëse ndërmjet nesh,dhe grupimeve të tjera të shoqërisë,me biografi “kristalore”, (thuajse të “deklasuarit” kishin lebër,apo ishin skllevër të bardhë!),ndonëse para pesë dekadave disa prej nesh përbënin ajkën e maturantëve,krenarinë e gjimnazit, dhe në universitetet ku studiuam ia lartësuam emrin shkollës tonë!…
Na dukej sikur Shqipëria qe’ caktuar poligon qitje i Ballkanit,për të derdhur rrufetë e ndëshkimeve,ndaj pushteti komunist po tregohej kaq i tmerrshëm e mizor,sa drithërohej e lebetitej foshnja në barkun e nënës!Prandaj prognozat politike tejet të zymta,dëshpëruese e të pashpresa,i mjegullonin parashikimet e guximtarëve të përndjekur politikë,i pengonin të saktësonin kur do vijë koha e përmbysjes biblike,që tërmetet dymbëdhjetë ballësh të urrejtjes popullore të lëkundin e shkallmojnë themelet e betonuara të Diktaturës së Proletariatit. Megjithatë,ëndërrimtarët e Lirisë asnjë çast s’e humbën besimin,prisnin me padurim të shfaqej vërshimi i cunamit të revoltave rinore studentore,që do përhapte në mbarë shoqërinë shqiptare thirrjen jetike më të domosdoshme,pluralizmin politik,i cili do t’i jepte fund Diktaturës së egër çnjerëzore komuniste!
Më në fund,pas pesë dekadash përpjekje për mbijetesë,flladi i Atlantikut dhe ëndrra evropiane kapërcyen telat me gjemba të shtetit më të izoluar, dhe sollën tek ne sinjalet e pranverës së demokracisë,na zgjuan nga gjumi letargjik i dëshpërimit e na këshilluan të ndërgjegjësohemi për të ardhmen,si e vetmja rrugë të çlirohemi nga zhgualli i tmerrshëm i Diktaturës së Proletariatit:erdhi koha e shansit të shumëpritur të merrni fatin në duart tuaja,tani që komunizmi në arenën botërore e atë evropiane e ka humbur forcën e tij të mëparshme,dhe po futet fshikëzën e kolapsit të plotë,si krimbat e mëndafshit.
Menjëherë pas këtij kumti shpresëdhënës,nëpër hapësirat demokratike shqiptare filloi të flitet fare haptazi për qasjen e ditës biblike,shembjen e murit të Berlinit,e cila do shënojë agimin e një ere të re mbarë Evropiane!Ky lajm i bardhë e ngrohu shpirtit tonë të sfilitur me premtimin e shumëpritur për fundin e vuajtjeve,na krijoi besimin e ndryshimeve, sidomos pasi vumë re shenjat e nervozizmit të egërsuar tek demonët e skëterrshëm,se si këta po nxitonin të merrnin masa të ethshme tmerrësisht shtypëse për të mbajtur në këmbë me çdo kusht mekanizmin e Diktaturës së Proletariatit,duke patur gjithnjë parasysh mësimet “dritëdhënëse të pavdekshme” të Babait shpirtëror, se pavarësisht ndryshimeve të klimës politike në arenën botërore, pushteti duhet mbajtur me çdo kusht!
Por tashmë qe’ bërë e qartë për popullin tonë të martirizuar se,Djalli nuk e pengon dot ylberin e Shpresës së Madhe,dhe së shpejti do të lindi dielli nga Perëndimi,ndaj pas çdo bashkëbisedimi përsëritej prej mëngjesit deri vonë në mbrëmje krye vargu i poezisë së ditës:drejt botës së qytetëruar! Kudo ndjehej jehona e përmbysjes së madhe.
Ndërkohë pushtetarët e alarmuar,të cilëve po u rrëshqiste toka nën këmbë,nuk rrinin duarkryq:të egërsuar deri në shtazëri nga tmerri i përmbysjes,thurnin me ngut plane djallëzore në katakombet e territ të zi,për të shpëtuar Diktaturën e Proletariatit nga asfiksia e furisë së revoltës popullore. Sepse ishin plotësisht të bindur që xhandarët amerikanë dhe politikanët e Perëndimit,me institucionet e tyre inteligjente,po i vëzhgojnë ,prandaj duhen marrë masat për ta patur situatën nën kontroll,që kurrsesi të mos lejojnë forma të buta shndërrimi,pa gjakderdhje,e të mos ndodh disfata e turpshme,si në Rumani.
Pas shumë dredhish e pazare spekulativ,demonët e Udhëheqjes tinëzare të Komitetit Qendror gjetën zgjidhjen më të suksesshme për të bërë tjetërsimin e vrullshëm mashtrues: retushuan ngjyrën e Partisë së Punës,nga e kuqja në rozë,dhe në vend të drapër-çekanit vendosën një trëndafil. Në përputhje me këto ndryshime,Partia ndërroi emrin,u quajt Parti Socialiste,duke lënë të paprekur boshtin e vjetër ideologjik! Dhe për të mos cenuar aspak rolin udhëheqës të Sekretarit të Parë të Partisë së Punës,Kongresi vendosi njëzëri që në zgjedhjet e para “të lira” pluraliste të vitit ’91,pikërisht Ky Udhëheqës do të mbajë titullin më të lartë shtetëror:“President Popullor”!…
Parashikohej dhe shpresohej deri në 99 për qind të sigurisë,se tjetërsimet e detyruara do kryhen të suksesshme sipas parashikimeve të tyre,dhe Udhëheqjes,anëtarëve të Byrosë Politike,Qeverisë,Komitetit Qendror e Presidiumit të Kuvendit Popullor nuk do t’iu futet asnjë gjemb në këmbë! Kjo direktivë thelbësore përbënte tharmin e tjetërsimit, mbante gjallë tek ithtarët e Partisë së “Re” shpresën dhe besimin, se synimi do përmbushet vetëm nëse mbeten në postet e tyre prokurorët,hetuesit,gjykatësit,përdhunuesit mizorë, inkuizitorët e skëterrshëm të qindra e mijëra shpirtrave të pafajshëm ,(që ëndërruan me dekada për një demokraci perëndimore)!Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi tinëzar do përdoren të gjitha format,duke infiltruar disa nga zyrtarët e djeshëm në administratën e re “pluraliste”,mjeti më i sigurt për të patur ligjërisht mbështetjen dhe imunitetin e domosdoshëm të paprekshmërisë!
Por i kishin bërë hesapet pa hanxhinj. Shkulmat e papërmbajtura të urrejtjes popullore u shfaqën disa herë më të fuqishme,se pritat e demonëve të kuq: Uragani gjigant i lirisë përmbysi me forcën e tij shpërthyese të gjitha hamendësitë djallëzore.Vala e nëntë e verdiktit popullor dha ndëshkimin e merituar për Diktatorin gjakatar të Shqipërisë. Fuqia herkuliane e pashembullt rrëzoi dhe tërhoqi zvarrë shtatoren e Enver Hoxhës,në sheshin Skënderbej,urinuan mbi portretin e Hitlerit shqiptar,duke i llahtarosur deri në shokim bythëpuplat e djeshëm!
Ndërkaq,ky veprim i papërmbajtur kurajoz popullor shërbeu si mesazh i qartë për politikanët e ardhshëm demokratë,si paralajmërimi i parë serioz për të mos rrëshqitur në grackat intet e marrëveshjeve të heshtura:u thanë këtyre të kenë parasysh pikën kritike më parësore më të rëndësishme,se të ikurit nga pushteti do kërkojnë në këmbim të lëshimit “paqësor” të mos u preket qimja me ligjet e reja. Dhe në pamundësi të kundërshtimit të drejtpërdrejt,do pranojnë sa për sy e faqe të mashtrojnë vegjëlinë me sajesën e gjyqeve qesharake,farsë,(të “akuzohen” për disa shpenzime gjoja të tepruara,e për këto të jepen dënime simbolike),pa përmendur bëmat e tmerrshme të mizorive të panumërta,që u përdorën gjatë pesë dekadave,si mjete dhune për të mendërisht e shpirtërisht “rebelët e pabindur” të Diktaturës së Proletariatit!…
2.
Të përndjekurit politikë,të porsadalë nga burgjet e tmerrshme,dhe të internuarit e liruar ,(por që ende vazhdonin të jetonin në kampet e dikurshme),dukeshin më të trullosur se pjesa tjetër e shoqërisë,pasi ende nuk e ndjenin flladin e lirisë ngaqë vazhdonin t’i shihnin të krekosur persekutorët e tyre,të cilët livadhisnin me buzëqeshje vetëkënaqësie.(Për më tepër pëshpëritej lart e poshtë se,pas zgjedhjeve të 31 marsit disa persekutorë do zgjidhen e emërohen në poste kyçe të organeve më të larta të drejtësisë,thuajse mizoritë makabre të kryera prej tyre u përkasin kohëve të para Krishterimit,e jo pak vite më parë!)
Po të përmbushej me të vërtetë ky qëndrim judist,atëherë të përndjekurit politikë do mbeten prapë si zogjtë e korbit për shumë vite me radhë,edhe pas shembjes së murit të Berlinit!E ashtuquajtura “marrëzi politike”,që po ndodhte në Shqipëri, dëshmonte qartazi se në këtë truall rrënjët e komunizmit gjenden të paprekura në thellësi të katakombeve të krimit,s’kanë pësuar asnjë dëmtim e tërheqje gjatë rrëzimit të shtatores së Diktatorit, përderisa po instalohet e zbatohet pikë për pikë platforma e Gorbaçovit,parashtruar në Katovice,e cila i udhëzonte pushtetarët e rinj ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj të përndjekurve politikë,që këta të përdoren vetëm si fasadë e jashtme sa për të mashtruar diplomatët perëndimorët,t’iu krijohet përshtypja këtyre mendja se politikanët pluralistë janë bërë “antikomunistë”,ndaj nuk paraqitet nevoja që të deklasuarit e djeshëm të bëhen palë në mekanizmin e sofistikuar të pushtetit!…
Ngjarjet që rrodhën më pas treguan të kundërtën e asaj,që duhet të ndodhte:u formua shtrati i përshtatshëm për mbirjen e Ançarit politik,sa demonian kaq dhe i çuditshëm,i cili s’lejoi të mbillet e rritet në truallin e Parlamentit shqiptar ligji i çrrënjosjes së Diktaturës komuniste më të egër mizore e çnjerëzore të Evropës,të zhvlerësohet e dënohet Diktatori gjakatar për krimet e panumërta,që i shkaktoi këtij vendi për gjysmë shekulli!( Qëndrimet e paskrupullta të politikanëve pluralist i dhanë mundësi hijes së Kanibalit komunist të shëtitë pa u shqetësuar në ekranet e televizorëve,si “Hero i Popullit”,të shfaqet me bujë e madhështor në tribunat e manifestimeve dhe kongreseve,të zëri vend qendror në Galerinë e arteve,madje të bëhet pjesë e diskutimeve akademike tek disa titullarë shkencorë me emër të përmendur!…)
Por paradoksi mori përmasa tmerrësisht rrëqethëse e tronditëse,kur u vu re e pabesuara, se hija e Diktatorit dhe idetë e tij kanibaleske gjenden të pranishme në mendësitë e disa intelektualëve në moshë të re,të cilët kanë mbaruar studimet në universitete evropiane e amerikane!Madje,që kjo lajthitje “intelektuale” ta risillte të plotë imazhin demonian, kalemxhinjtë e zellshëm botuan e botojnë libra mjeranë,me stisje arsyetimesh nga më absurdet,e paraqitin Enver Hoxhën si “shpëtimtarin” e kombit shqiptar,se ky paska bërë përpjekje të stërmundimshme për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë!(Po të pranohen të njëmendëta këto pohime,të mbështetura mbi disa gjoja shkresurina arkivash,si do ta shpjegojnë këta “autorë” faktin e njohur nga të gjithë,se pikërisht Diktatura e egër e Enver Hoxhës terrorizoi barbarisht e mizorisht pothuaj gjithë emigrantët e ardhur ilegalisht nga Kosova,në vitin 1948,duke i futur nëpër kampe përqendrimi e burgje,në vend t’iu krijonte kushte të përshtatshme jetese,si vëllezër të një gjaku,e vetmja mundësi për t’ua lehtësuar sadopak mërgimin në tokën amë,e të zhdukte nga përfytyrimi makthin e përndjekjeve shtazarake të Udëbashëve të Rankoviçit?!…)
3.
Ethet e pluralizmit politik morën me kalimin e viteve simptomat e sëmundjeve ngjitëse. U mbollën dhe lulëzuan kushte mjaft të përshtatshme që,mediokriteti të ngjitet në majat marramendëse të pushtetit e politikës,duke ndihmuar tërthorazi komunizmin “pluralist” të hakmerret kundër demokratëve,që i pruri në pushtet furia e vrullshme popullore,i njëjti uragan që rrëzoi shtatoren e Diktatorit.Edhe pse 22 marsi i vitit ’92 i kaloi në minorancë komunistët socialistë,duke i detyruar ta lëshonin pushtetin pa derdhur shumë gjak,(siç ndodhi në Rumani),në vetëdijen e tyre hakmarrëse ata kurrë s’e pranuan humbjen.Prandaj që ditën e parë në opozitë synuan rikthimin me çdo kusht në pushtet,jo duke pritur katër vjet,por nëpërmjet zgjedhjeve të detyruara të parakohëshme,me trysni egërsisht të pashembullt,sa t’i kallej data dhe foshnjës në barkun e nënës!Një urdhër fantazmë i Hijes së dikurshme shëtiste si stihi e padukshme,duke kërkuar të rimblidhen forcat më të errëta të shoqërisë,kudo ku janë,që bota perëndimore ta dijë se Komunizmi ende ka aftësi ta rrimarë pushtetin me grykën e pushkës!…
Kështu,disa muaj pas zgjedhjeve të ’96-s,lubia e komunizmit u rishfaq me përmasa të llahtarshme e të përbindshme,duke vrarë,gjymtuar,plaçkitur,grabitur,djegur e shkatërruar çdo gjë që i dilte përpara!Një mizori kaq e lemerishme,si kjo,s’mbahej mend që nga koha e hordhive otomane!Kish ndodhur katrahura më e pashpjegueshme,të cilën as diplomatët mendjehollë evropianë e amerikanë s’dinin ç’emër t’i vinin e si ta quanin:grusht shteti komunist,apo përpjekje e përbashkët forcash të errëta për të rrëzuar demokratët?!…Vendi u shkretua llahtarisht:përqasej me Hiroshimën dhe Nagasakin!Burra e shquar të politikës botërore,si Romano Prodi,ndërmorën hapa të guximshme,pranuan takim me krerët rebelë! U kërkua me urgjencë të zhvillohen zgjedhje të reja,si e vetmja rrugë për të vendosur një pushtet të ligjshëm,edhe pse për diplomacinë ndërkombëtare qe’ katërcipërisht e qartë se zgjedhjet nën kërcënimin e kallashnikovëve do risjellin pa tjetër në pushtet komunistët e konvertuar në socialistë,për faktin se vendin e drejtonin bandat,trafikantët e armëve dhe drogës, kontrabandistët,bosët e Mafies!…
Kudo binte erë shkrumb!U dogjën komisariatet e policisë,repartet ushtarake,dyqanet, magazinat!U boshatisën burgjet. Morën arratinë vrasësit,kriminelët,hajdutët! Por pjesa më e madhe u bashkua me bandat!Shkatërrimi dhe shkretia përfshiu spitalet,çerdhet, kopshtet e fëmijëve!Shteti pushoi së ekzistuari!Qeveria e Pajtimit Kombëtar,që u krijua si zgjidhje e përkohshme,faktikisht shërbente si copë fasho plage për trupin e Shqipërisë,të djegur e përcëlluar nga flakët!Kjo pamje e llahtarshme tmerrësisht e trishtuar ia kalonte nga përmasat e plaçkitjes dhe grabitjes asaj të pas Luftës së Dytë botërore!
Për të “zbutur” sadopak përshtypjen rrëqethëse e kërcënuese të imazhit të Shqipërisë,në vështrimin e politikanëve evropianë e amerikanë,krerët në pushtet menduan të rifreskojnë parlamentin me prurje intelektualësh të njohur,të cilët treguan gatishmëri të retushojnë njëfarësoj gjendjen e tyre aspak të pëlqyer me emrin e nderuar të deputetit.Ky arnim ndërthurej e përputhej para së gjithash me interesat e kohës:”kokat e ndritura të kombit” ranë në ujdi që në rrjedhën e përzgjedhjes politike të futen kryesisht figura me krijimtari të shteruar,të cilët i pranojnë pa kundërshtime propozimet e ofruara,nën shtysën e ambicies së sëmurë,duke ëndërruar pareshtur se shoqëria do t’i vendosë në piedestal,e do t’iu japë statusin e personit publik,mundësinë e privilegjuar të dalin gjithnjë e më shpesh në ekranet e televizorëve,për rrjedhojë do t’u përmenden vazhdimisht emrat në faqet e gazetave e revistave!(Përsa u përkiste pëshpëritjeve nën zë të lexuesve dhe adhuruesve,që presin vepra të reja me përkushtim e frymëzim të kohës,këta do t’iu përgjigjen me krekosje se hëpërhë jemi tërhequr përkohësisht nga veprimtaria letrare,artistike,shkencore për shkaqe tepër madhore,pasi na kërkojnë interesat e larta të vendit të derdhim dijen dhe djersën tonë në politikë,ku rrihen problemet më të mprehta të ardhmërisë së vendit.Në të vërtetë përvoja parlamentare provoi të kundërtën:me përjashtime shumë të rralla,këta gjatë katër viteve e kaluan kohën nëpër seanca plenare duke dremitur e ëndërruar nëpër kolltukët e butë,pa e vrarë mendjen dhe pa iu bërë aspak vonë pse sherrosen e çirren mediokrit si të ndërkryer.Vetëm kur qaseshin pranë gotës së verës e mblidhnin toruarën dhe kujtoheshin për muzën,shprehnin pakënaqësi që kjo tregohet shpërfillëse dhe e pamëshirshme ndaj tyre,duke i braktisur!).
4.
Krimi i organizuar lulëzonte kudo.Bandat në qarqe e krahina të caktuara kontrollonin tërë veprimtarinë e shtetit.Mes kapove të bandave dhe drejtuesve të pushtetit ekzistonte një marrëveshje e pashkruar:Të parët i binin kraharorit me grusht,duke u mburrur haptazi se jemi më të fuqishmit e vendit,bëjmë zap jo vetëm opozitën por edhe bythëtundurit,të cilët duan të zhvatin më shumë nga sa u takon!Ndërkaq të dytët i këshillonin të mos bien kaq ashiqare në sy,sepse kështu dëmtohen të dy palët,pasi vëzhguesit e huaj kanë sy e veshë,përveç të dhënave të tjera,që vijnë nga zbulimet intilegjente!Vazhdonte kështu një kundërshti e heshtur,krahas bashkëpunimit,e cila me kalimin e kohës do shndërrohej në një gangrenë tepër të rrezikshme.Por kapot mendjemëdhenj këmbëngulnin në përparësinë e forcës së armëve,se me kërcënimet e tmerrshme i bëjnë gjëmën edhe opozitarit më zhurmues,prandaj dhe pushtetarët e majtë socialistë i kanë të gjitha kushtet të qeverisin duke përmbushur interesat e tyre,pa lënë asnjë çast në harresë marrëveshjet e ndërsjellta.
Imazhi i Shqipërisë në këndvështrimin e shteteve demokratike qe’tmerrësisht i frikshëm dhe mosbesues:Shqiptarët shiheshin më keq se banorët e botës së tretë,jo vetëm pse gjendja në vend ishte kërcënuese,e pasigurt,por sepse në kupolat e grupeve të mëdha mafioze të “Coza Nostra”-s italiane bënin pjesë kriminelë shqiptarë!Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e shihnin me shumë dyshim ecurinë e Shqipërisë. Pa një luftë të vendosur kundër krimit të organizuar ishte e pamundur të hamendësohej për pakësimin e korrupsionit në administratën e pushtetit. Nisur nga ky këndvështrim kritik, korrupsioni galopant me përmasa tmerrësisht të llahtarshme u bë temë qendrore e mbledhjeve të stërzgjatura të Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste:Shefi i Partisë nuk ngurronte të atakonte me ashpërsi të egër ministrat e tij,duke u vënë gjithfarë nofkash!Por lojës me emrin “Catarsis”, me gjithë kërcënimet e ashpra,duke përsëritur se dosjet e tyre do dërgohen së shpejti në prokurori, i doli shpejt boja.Sepse të gjithë e kuptuan që, edhe po të mbërrijnë në prokurori dosjet e tyre,këto asnjëherë s’do hapen, por do dremitin të mbuluara me pluhurin e harresës.Ndaj ministrat e përfolur si “hajdutë” ndjeheshin të sigurt në karriget e tyre,e dinin që asnjë gjemb s’do t’iu futet në këmbë,për faktin se në prokurori vegjetojnë ithtarët e bandave. Po e njëjta gjë ndodh në gjykatat e rangjeve të ndryshme. Zhurma e potershme në Komitetin Drejtues të Partisë Socialiste,pasqyruar me mënyrën më të bujshme në ekranet e televizorëve,ishte mashtrimi i radhës për vegjëlinë, që turmës t’i mbushej mendja se shteti ligjor po e vë në vend nderin e nëpërkëmbur.Por të vëmendshmit me nuhatje e kuptonin të vërtetën,se sherret e stërzgjatura brenda partisë Socialiste pasqyronin para së gjithash rivalitetin mes bandave,të cilat kishin filluar të asgjësonin njëra tjetrën për shkak të rindarjes së zonave të ndikimit për vjeljen e doganave,dhe se po zbeheshin e këputeshin lidhjet e mëparshme me anëtarët e Qeverisë.
Intelektualët e përndjekur politikë,ndonëse prej disa vitesh ndodheshin jashtë qelive të burgjeve e kampeve të internimit e ndjenin më afër se të tjerët kërcënimin mes grupimeve rivale.Përveç përjetimit llahtarisht të hidhur të terrorit të dikurshëm komunist,këtë ndjesi ua risillte në kujtesë fabula e njohur:”kur zihen buajt,shqelmat i hanë zhabat”. Sepse ende vazhdonin të ishin më të shpërfillurit e të pambrojturit e shoqërisë shqiptare.Kjo ndjesi e ndrydhur nuk shkaktohej vetëm nga shqetësimi i fantazisë së tronditur,por shfaqej shpesh si realitet i prekshëm me forma të ndryshme kërcënimesh.Për komunistët e konvertuar në socialistë,të përndjekurit politikë intelektualë përbëjnë edhe sot e kësaj dite pjesën më të urryer të shoqërisë,për shkak se në thellësi të vetëdijes së tyre këta ruajnë përjetimet e barbarizmave çnjerëzore,të cilat herë pas here i përshkruajnë me realizëm të dhimbshëm e therës nëpër libra e shkrime gazetash,duke treguar për bëmat e llahtarshme të Ferrit komunist 50 vjeçar,krejt ndryshe nga veprat e sheqerosura të Realizmit socialist,(qofshin këto madhore apo mediokre),duke i dhënë përmasat e duhura tragjedisë më mizore të gjysmës së dytë të shekullit të njëzet,që ende përbën paradoksin më tronditës të jetës parlamentare të pluralizmit politik,përderisa nuk e ka vendosur (dhe s’ka ndërmend) t’iu japë vendin që u takon në kodikun ligjor!…
5.
Synimi i pushtetarëve për të shkatërruar opozitën nëpërmjet terrorit psikologjik e fizik, që kjo të mos e merrte veten as pas një dekade nga tmerri i ngjarjeve makabre të vitit ’97, për fatin e mirë të këtij vendi nuk u përmbush,sepse Partia Demokratike gjeti forca shpërthyese të dilte nga zhgualli i hutimit dhe çoroditjes!Pjesa e saj më e qëndrueshme,që punonte me ngulm të rikthehej në pushtet,theksonte pareshtur në seancat parlamentare plagët e hapura të shoqërisë:krimin e organizuar,korrupsionin,kontrabandën,përvetësimin e fondeve publike,të cilat duke i ndeshur në çdo hap nuk i fshihte dot Qeveria qoftë me ndërrimet e kryeministrave,apo me ashpërsimin e lojës së brendshme,“Catarsis”.Në kampin e majtë hendeku i mosmarrëveshjeve po shndërrohej në çarje të pakthyeshme ,ndonëse në fillim u duk si përplasje mendimesh midis detashmentit të vjetër me të rinjtë. Në të vërtetë zhvillohej një luftë tmerrësisht e ashpër dhe e papajtueshme interesash,që çoi në shkëputjen nga trungu i partisë mëmë të degës më të madhe,me emrin Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo brejtje gërryese nga brenda u tha opozitarëve demokratë se erdhi koha e mësymjes së vrullshme për të rimarrë fatet e vendit në duar,dhe nëpërmjet reformave rrënjësore të guximshme t’ia ndryshoni Shqipërisë imazhin e rëndë,që e fut këtë shtet ndër vendet e frikshëm,me mungesë sigurie!
Prandaj zgjedhjet e korrikut të vitit 2005 risollën në pushtet demokratët dhe forcat e djathta. Sepse populli,të cilit i kishin ardhur në majë të hundës sherrosjet e pafund të grindarëve,(duke i shkaktuar një gjendje ekonomike përqasëse me ato të viteve 80-90 të tallonave uringrënëse),dha me bindje të plotë verdiktin e tij për të qeverisur të djathtët, i besuan premtimeve të tyre elektorale se do ta luftojmë me zero tolerancë korrupsionin dhe krimin e organizuar,të cilët gjatë tetë viteve të qeverisjes së kampit të majtë morën përmasat e gangrenës më të frikshme. Dhe për habinë më të pabesuar të krerëve të majtë ,(që ende shpresonin në marrjen e mandatit të tretë nëpërmjet manipulimeve të votimeve dhe derdhjes së tonelatave me helm kundër liderit demokrat,duke e quajtur “zjarrvënës të ’97-s”,siç bëri Hitleri me djegien e Raishtangut),ndodhi ndërrimi paqësor i pushteteve për herë të parë pas 14 vjet pluralizëm politik!Megjithatë u deshën të kalonin disa muaj mëdyshjesh e hamendjesh brejtëse,që këta ta pranonin mendërisht realitetin e ri,se tashmë përbënin pakicën,ndaj ishin të detyruar të kryenin detyrën e opozitarit,për më tepër,këtë herë të copëtuar,jo në një grup monolit parlamentar.
Pas dorëheqjes së liderit të majtë,për shkak të humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005,në drejtimin e partisë më të madhe opozitare ndodhi përmbysje tërësore përtej çdo hamendje e parashikimi,që krijoi pështjellim dhe hutim në opinionin publik,sepse në postin më të lart nuk u vendos asnjë kandidat me peshë të ndjeshme,i cili gjatë këtyre viteve kish treguar pak a shumë aftësitë e tij drejtuese,(ose njëri nga ish kryeministrat,ose “profesori”i shtruar,i cili e ushqeu me urtësi dhe moralisht partinë socialiste gjatë viteve të burgosjes së liderit).Gjasat po tregonin se të majtën shqiptare do ta drejtonte këtej e tutje ai që zotëron natyrshëm vullnet të hekurt, këmbëngulje të pathyeshme,vendosmëri të palëkundur,dhe vizion të ri.Dhe meqë askush nga drejtuesit e mëparshëm s’i gëzonte këto cilësi u ngërthye vëmendja tek kryetari i Bashkisë së kryeqytetit,i njohur nga të gjithë si “triumfator” në dy zgjedhje vendore.Për kushtet e rënda të krijuara,pas dështimit të turpshëm të 2005-s,ky mbetej kandidat i pakonkurueshëm me asnjë tjetër,i vetmi që do ta ngjiste të majtën socialiste në majën më të lartë të shoqërisë shqiptare,duke shprehur bindjen e patundur se në zgjedhjet e ardhshme këta do rikthehen pa tjetër në pushtet, pavarësisht nga dyshimet e disa skeptikëve të molepsur me ide të vjetra.
(Por të vërtetën lakuriqe,çfarë ndodhi realisht në partinë socialiste pas dorëheqjes së liderit të saj historik,na e rrëfeu ky vet në një intervistë të javëve të fundit,në televizionin Klan.Ndërmjet të tjerave,lideri theksoi me bindje të patundur dhe përçmim të hapur: “Kryetari zyrtar e bleu dhe e grabiti postin drejtues!”.Dhe për të qenë i besueshëm në arsyetimin e tij përmendi në formë pyetje,faktin e njohur:”Si ka mundësi që një program partie të rrëzohet nga shumica,dhe pas pak ditësh të ndodhi kthesa e plotë,treqind e gjashtëdhjetë gradë:autori dështak i programit të rrëzuar të zgjidhet drejtues partie?!”. Në fund shfaqi mendimin për fushatën elektorale të vitit 2009,përmes një sigurie absolute ,se e majta shqiptare llahtarisht e shpartalluar s’mund të rikthehet në pushtet pa u riorganizuar!”Kjo do të thotë që më 29 qershor më bije mua barra e rëndë e ripërtëritjes së partisë socialiste,duke kryer para së gjithash spastrime rrënjësore nga mentalitetet e sotme amatoreske,“përtej së majtës dhe të djathtës”,të cilat kryetari i papërgjegjshëm zyrtar i shpreh nga mëngjesi në darkë pa i kuptuar as vetë!”).
Ndërkaq demokratët,në krye të koalicionit të djathtë qeveritar,e kishin ngërthyer vëmendjen tek mbajtja e premtimeve dhënë elektoratit,për të merituar votëbesimin e tij: luftë me zero tolerancë krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në mendësinë e popullit qe’ krijuar përshtypja se drejtuesi demokrat dhe stafi e tij i kishin plotësisht të qarta hapat e para shumë të rëndësishme,që do hidhte qeveria e re: Para së gjithash duhen shpartalluar bandat në një kohe sa më të shkurtër,që kriminelët dhe hajdutët,kontrabandistët e tutorët të shkojnë përpara drejtësisë,sepse vetëm kështu rikthehet siguria e humbur dhe besimi tek shtetarët për një jetesë të qetë.Këto masa të vrullshme,që kërkojnë vendosmëri dhe guxim,dëshmonin para botës ndryshimin e madh rrënjësor ndërmjet të djathtës e të majtës. Reformat e mëtejshme,(vendosja në dietë e Qeverisë,ulja e taksave,rritja e rrogave dhe pensioneve,përdorimi i fondeve publike për zhvillimin e vrullshëm të rrugëve kombëtare,hapja e fronteve të reja të punës,përmirësimi i ndjeshëm i legjislacionit për bizneset e huaja e vendase,shtimi i ndjeshëm i të ardhurave,për këtë në çdo muaj qershor të paraqitet një buxhet i dytë shtesë),kujdesi për shërbimet shëndetësore ,sigurimi i plotë i energjisë elektrike,decentralizimi i pushtetit qendror,fillimi i një bujqësie intensive,krijimi i një tregu të shëndosh financiar,frenimi dhe parandalimi i shpërdorimeve të fondeve shtetërorë,heqja dorë nga 15 përqindëshi i fitimeve shtesë për ministrat dhe drejtuesit e lartë të administratës,(në kundërshtim me atë që vazhdonte në Bashkinë e kryeqytetit dhe disa bashki të tjera ku qeverisin socialistët),e bindën opinionin demokratike për ndryshimet rrënjësore në drejtim të ndërtimit e forcimit të shtetit,krijuan një klimë të përshtatshme për investimet e huaja,rritën ndjeshëm besimin tek Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Drejtuesit e Kancelarive të Bashkimit Evropian,të cilët filluan ta shihnin Shqipërinë si vend me të ardhme më të sigurt falë një përparimi të dukshëm, sepse jo vetëm po shëronte me shpejtësi plagët e tmerrshme të së kaluarës,por me kthjelltësi e vendosmëri nxitonte të mbushte boshllëkun e qeverisjes shterpë tetëvjeçare,e cila e futi vendin në kolaps të zi,duke e renditur si shtetin me qeveri më të korruptuar të botës,ku bandat livadhisin lirshëm dhe trafiqet e paligjshme lulëzojnë!
6.
Kështu,pas ardhjes në pushtet të forcave të djathta,në Shqipëri,u duk së jashtmi se nisi era e ndryshimeve të thella,të papara ndonjëherë:u hapën rrugë të reja,që për nga vështirësitë inxhinjerike dhe kostoja e tyre krahasohen me arteriet më të përmendura të Evropës,si rruga e Kombit,Durrës-Kukës-Morinë,një vepër madhështore!Boshtet veri-jugë,lindje-perëndim,bashkë me disa arterie të tjera të rëndësisë së veçantë i dhanë përparësi e mundësi Shqipërisë të krahasohet me njërën nga periudhat më të ndritura të Shteteve të Bashkuara,kur drejtohej nga Presidenti Ajzenhauer!Ndërtimi i TEC-ve të reja, ngritja e parqeve industrialë,fillimi i punimeve të hidrocentraleve me përmasa evropiane ,krahas qindra të vegjëlve,ngritja e linjave ndërkombëtare të interkonjuksionit me Kosovën,Malin e Zi dhe Greqinë e të disa nënstacioneve të fuqishme,gatishmëria e investitorëve të huaj për të vënë në përdorim burime alternative,rreth pesë miliard euro,u duk sikur krijuan shtratin e plotë për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi energjitike për Ballkanin,duke zhdukur përherëshmërisht terrin dhe frikën!
Këto ndryshime të vrullshme,përtej çdo parashikimi,afruan me shpejtësi Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.Bënë që të ratifikohet me shpejtësi të paparë MSA-ja nga 27 shtete të Bashkimit Evropian!Të shpallet Kosova shtet i pavarur!Shqipëria të pranohet brenda një kohe rekord anëtare me të drejta të plota në NATO!Dhe duke u mbështetur mbi besimin e patjetërsueshëm të reformave rrënjësore demokratike,Qeveria shqiptare paraqiti në Presidencën Çeke aplikimin për kandidate në BE,me synim parësor që brenda vitit 2010 shqiptarëve t’u jepet e drejta legjitime të shëtisin të lirë në vendet e Evropës së Bashkuar,një mundësi më shumë për ta ndjerë veten evropianë!…
7.
Tek hidhja në letër disa shënime,që do më shërbenin për të shkruajtur esenë,Maliqi më njoftoi me telefon se kishte rënë në ujdi me katër shokë,(përmendi emrat),të nisemi nga Tirana ditën e premte pasdite,me autobusin e linjës,për të patur më shumë kohë të çmallemi e të merremi me përjetimet e kujtimeve.Ky mendim më pëlqeu,dhe i dha shtysë imagjinatës time të futej në thellësi të galerisë së gjysmë shekulli më parë,kur gjendeshin të hallakatura e të shkalafitura mbresat e një bote të shpërndarë.Para së gjithash shtrydha kujtesën të ravijëzoja pamjen e jashtme të shokëve,që përmendi Maliqi,për të formuar një përfytyrim përqasës.Por përveç Zenunit,me të cilin qemë takuar disa herë,(në bibliotekën Kombëtare),dhe kishim shkëmbyer mendime të përgjithshme rreth çështjeve të ndryshme ,të tjerët nuk u futën në fokusin e përfytyrimit:e kisha të pamundur të krijoja imazhin e një portreti të tjetërsuar,nga 18 në 68 vjeç!Megjithatë nuk i humba shpresat,duke i thënë vetes se ndoshta mund të ndodhë diçka e ngjashme,si në takimin me Avdullain,në farmacinë e tij,kur mjaftoi vetëm buzëqeshja simpatike për të rifreskuar kujtesën,dhe ai u rishfaq në përfytyrimin tim me shëmbëllimin e djaloshit të dikurshëm.Pothuaj e njëjta gjë i ndodhi Avdullait,pasi hoqa kapelën dhe syzet:pas disa sekondave e përcaktoi saktë cili isha.Dhe u përqafuam me sy gati të përlotur!
-A nuk të duket tepër e çuditshme që shihemi me njëri tjetrin pas pesëdhjetë vjet ndarje,sikur të kemi qenë banorë të dy kontinenteve të largëta?!…- më pyeti ai duke tundur kokën.-Askujt nga ne nuk i besohet që Shqipëria jonë e vogël paska patur hapësira kaq të mëdha ndarje!…”-psherëtiu thellë.
Përmes këtyre dy shprehjeve derdhi pezmin e ndarjes më të gjatë mes shokëve,që dukej më tepër si sajesë imagjinate se sa përjetim i njëmendët.Për të mos u futur më tej nëpër labirinte të trishtuara arsyetimesh,duke mërzitur veten me diçka që s’ndryshohet, nisëm t’i tregonim shkurtimisht njëri tjetrit çfarë ndodhi pas marrjes së maturës. Avduallai u pështjellua me një mjegullnajë tronditje të beftë,kur dëgjoi shkurtimisht për kalvarin tim,se Diktatura e egër e Proletariatit ma theu rininë,më shkrumboi ëndrrat,dogji me kënaqësi sadiste dorëshkrimet letrare në oborrin e ministrisë së Brendshme,më përzuri nga puna,më quajti me gjithfarë nofkash,dhe pas këtyre veprimeve përçmuese më degdisi nëpër fshatrat e Myzeqesë,si të padëshiruar!
-Mos more,mos more! …përsëriti Avdullai me vështrim të murrëtyer,tejet i tronditur.-Diçka kisha dëgjuar,por s’e dija kaq të rëndë!”.
Për të mënjanuar këtë gjendje nervangrënëse,të papërshtatshme për të dy,filluam të rikujtojmë emrat e shokëve,të atyre që mbanim mend,duke treguar me dy fjalë si i kishin kaluar dekadat pas largimit nga qyteti verior. Vështrimet tona u ngërthyen të trembur kur u përmend emri i Bahriut,burgosur për “agjitacion -propagandë”.
-Pothuaj e njëjta gjë si me Maliqin-i thash unë.-Veç këtë radhë gjetën strumbullar akuze sabotimin politik!.
-Kur të qepeshin zyrtarët komunistë ta vinin menjëherë bishtin prapa!…shtoi Avdullai. -Ma do mendja që hetuesit dhe prokurorët kanë përdorur akuzat e vjetra të sabotimit për tharjen e kënetës së Maliqit”-theksoi ai.
-U bë gjyq i bujshëm në Vlorë,me fortfolësa,që ta dëgjonin të gjithë,duke i cilësuar agjentë ekonomikë tepër të rrezikshëm të këtij vendi!-plotësova unë me një psherëtimë të thellë.
-Mos more,mos more!…përsëriu Avduallai.-Po më vonë,kur doli nga burgu,e mori vesh kush ia punoi rrengun?.
-Kujt ia mbante të rrëmonte? Edhe kur e pyeti një funksionar i lart:ore, inxhinier, akoma nuk më ke thënë pse të futën në burg. Maliqi me zgjuarsi iu përgjigj: As unë për vete nuk e di. Por përderisa më rrasën brenda,do të thotë se diçka duhet të kem bërë…Ti vetë e përcaktove saktë pak më parë:kur të qepeshin zyrtarët komunistë,ta ngjitnin shpejt e shpejt bishtin e “mëkatit” për të përligjur ndëshkimin”.
Para se të largohesha nga farmacia e njoftova të vinte tek stacioni i trenit,ditën e premte ,në orën pesë pas dite,pasi do nisemi grup gjashtë shokë me autobusin e linjës. Ai pranoi me buzëqeshje,duke lavdëruar nismëtarin e këtij mendimi të mrekullueshëm.
-Kështu kemi mundësi të çmallemi më shumë,të shohim konviktin ku kaluam katër vite të adoleshencës,si dhe të vërejmë ndryshimet e metropolit verior…shtoi i kënaqur duke më shoqëruar deri tek dera e taksisë.
Gjatë kthimit për në shtëpi i bëja pyetje vetes nëse me shokët e tjerë do ecte takimi po kaq përzemërsisht,sepse vazhdonte të më ngacmonte përbrenda një pyetje nevralgjike mjaft shqetësuese dhe e ndjeshme:deri në ç’pikë do na pengojnë dasitë e tanishme politike të qasemi pranë njëri tjetrit,si dikur,në rininë e hershme,kur të gjithë ndjeheshim si të barabartë?
Mëdyshja ime brejtëse, për ironinë e hidhur të rrjedhës së jetës doli mjaft e saktë:mes shokëve të dikurshëm qenë formuar çarje të thella,si çarjet e tokës,që shkaktohen nga lëkundjet befasuese të tërmeteve të fuqishëm! Ishte tmerrësisht e dhimbshme dhe mjaft e trishtuar që tek disa ish gjimnazistë,ideologjia e Partisë së Punës kish lëshuar rrënjë po kaq të thella,si një rrap shekullor,dhe qe’ shndërruar në bindje të pandryshuar,përqasësh me stalaktitet e shpellave gëlqerorë! Nuk më besohej që nostalgjia e të djeshmes gëlonte në mendjen e tyre me një forcë të tillë,sa edhe pas rënies së Diktaturës vazhdonte do t’ua errësonte arsyetimin,thuajse para këndvështrimit gjendej një perde ndarëse plumbi,mes logjikës dhe realitetit!Më vinte për të ulëritur, kur vëreja formimin e vijave të kithëta të mendimeve,gjurmët e dukshme të ndarjeve,shkaktuar nga brejtjet gërryese ideologjike! Dhe pyesja veten mjaft i shqetësuar:si ka mundësi të jetë krijuar kjo shkëputje mendore, ,sa as dëshira më e hovshme e kujtimeve rinore nuk mjafton për të kapërcyer pengesën e hijes së djeshme?Si ka mundësi t’i tërheq për hunde me forcën e saj të mohimit, duke i kërcënuar në heshtje të mbeten ushtarë të “papërlyer”,ithtarë të luftës së klasave,duke u thënë me kanosje se pavarësisht nga ndryshimet e jashtme,tesera e kuqe e partisë do mbetet në limfën dhe gjakun e tyre, prandaj Enver Hoxha do jetojë në mendje e në zemër,si Baba shpirtëror,deri në firomën e fundit!…
Takimi me Skënderin dhe Hysenin nuk krijoi në brendësi të qenies time të njëjtën lidhje të ndërsjellë,si me Avdullan,(për shkak të tjetërsimeve të jashtme dhe informacionit tepër të zbehtë në kujtesë,i pamjaftueshëm për të formuar në përfytyrim përqasjen e duhur me 18 vjeçarët e gjysmë shekulli më parë).Por as këta nuk e patën të lehtë të shquanin në portretin tim tiparet e dikurshme. Sidoqoftë,pas shkëmbimit të përshëndetjeve të para,të gjashtë u rrëmbyem pas ndjesive rinore,të harruara prej kohësh,dhe filluam të përjetonim mendërisht pjesë të shkëputura të pesëdhjetë viteve më parë,që atëherë ishin përbërësit e dëshirave tona të zjarrta.
Rruga për në Shkodër na u duk shumë e shkurtër,rreth një orë e gjysmë,kur pesë dekada më parë zgjaste katër orë!Kjo shkurtësi kohore na solli ndërmend agjencinë e udhëtarëve ,prapa Orës së madhe të kryeqytetit,radhët e gjata për të blerë biletë,se duhej të vije këtu pa u gdhirë drita e të dergjeshe tërë ditën në këmbë,pa qenë i sigurt se mund t’ia dilje mbanë!Pastaj kujtuam autobusët e vegjël,”Satat”,që të merrnin frymën me ngushtësinë e hapësirës,dhe për shkak të mungesës së ajrit të ndrydhur shumë udhëtarë nxirrnin zorrët, duke e rënduar mjedisin me thartirën e të vjellave!(Për ta bërë më të plotë tablonë e rrugëtimit,nga nisja e qytetit,ku banoje,duhet t’u shtoje këtyre peripecive mundimet e lodhshme të mbërritjes deri në kryeqytet,shpesh herë hipur mbi karrocerinë e kamionit,si një dëng malli!…)
Koha e udhëtimit kaloi shpejt,duke biseduar.U befasuam kur vumë re nga dritaret e autobusit kalanë e Rozafës,me krenarinë dhe legjendën e saj të murosjes së nuses së re, me foshnjën në gji.Bahçallëku kish marrë pamje mahnitëse,me rrugë të zgjeruara dhe trotuare të reja.Buna madhështore dukej e përtëritur me vlerat e reja,që kish fituar nga lokalet luksoze,në të dy anët e saj:ajo rridhte e qetë drejt vendtakimit me vëllanë e saj të zhurmshëm,Drinin,për t’u derdhur në det bashkërisht.
-Cili nga ju ka ardhur fshehurazi për t’u larë në Bunë?…pyeta shokët e mi.
-Nga të gjashtë vetëm ne të dy,si më kokëshkretët,vinim të sodisnim guximtarët se si hidheshim nga hekurat e urës!…u përgjigj me buzëqeshje Avdullai.-Dhe pas kërcimit tërë qejf notonin nga njëri breg në tjetrin…Por sigurisht na pengonte frika mos zbuloheshim nga kujdestari i konviktit,që ta provonim vetë,duke e ditur se për këtë do hanim një ndëshkim të rëndë. E megjithatë prapë nuk hiqnim dorë nga kjo dëshirë,dhe sado rrallë, prapë gjenim rast të vinim kur ngrohej moti. Ndërsa në Kir shkonim më shpesh,për të mos thënë në të gjitha ditët e provimeve,sapo na lejohej të studionim jashtë konviktit…
-Ju kujtohet?Atje na kapi kujdestari,duke u larë!…ndërhyri Maliqi.-Sigurisht jo rastësisht, por dikush nga spiunët e brendshëm, që i jepte të dhëna për lëvizjet tona…
-E di,e di…tha Avdullai me vështrim të zymtë.
Me kaq bashkëbisedimi ynë u ndërpre,po hynim në qendër të qytetit.(Vijon)
8.