• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qenia që fal jetën nën thundrën e turpiloquium-it

March 12, 2021 by dgreca

Nga Gladiola Jorbus/

Të gëzosh barazi ligjore, nuk do të thotë të gëzosh dhe të njëjtat të drejta. Në lidhje me këtë, mund t’i referohemi gjuhës plot nëntekste dhe të mbushur me shprehje seksiste, ofenduese e paragjykuese që artikulohet rëndom nga aktorë të ndryshëm politikë, mediatikë etj., përkundrejt zonjave. 

Në gjuhën e zakonshme, sharjet janë pjesë e të folurit fyes, cënues, vulgar dhe të privuar nga respekti. Si njësi të tjera të mëvetësishme e ndërlidhëse në këtë komunikim, shërbejnë dhe shpifjet, mallkimet, fjalët e pacipa, poshtërimet apo blasfemitë. 

Romakët e lashtë, të cilët shquheshin për një etikë seksuale të papërmbajtur, shpreheshin lirisht e përdornin një fjalor vulgar. Por rreth shekullit III para Krishtit, ata u kujdesën për të mbrojtur me ligjin dhe lokucionin ‘Lex de adtemptata pudicitia’, integritetin e një gruaje romake të martuar, të ve ose të virgjër, apo të të rinjve që u bënë subjekte të ngacmimit dhe të shprehjeve të pahijshme. 

Seksizmi linguistik përbëhet nga shaka maskiliste, shprehje që errësojnë rolin e grave, imponojnë nënvlerësimin e tyre dhe u japin përparësi burrave. Kjo mendësi është ngulitur në të folur si rezultat i një shoqërie me tipare të mizogjinisë (sjellje plot urrejtje dhe neverie nga ana e një individi kundrejt grave).

Në shoqëritë patriarkale, në të cilat reputacioni i gruas konsiderohet “vlera më e rëndësishme”, dyshimet, hamendësimet dhe për më tepër akuzat ndaj saj justifikojnë të gjitha format e dhunës dhe bullizmit. 

Në platformat e medieve sociale, zonjushat e zonjat janë të ekspozuara ndaj vëzhgimit publik e kritik dhe ngacmimi i tyre është shndërruar në një trend a praktikë të zakonshme. Agresiviteti ndaj gruas në internet nuk synon tjetër, veçse të përforcojë tiparet tradicionale femërore dhe stereotipet. 

A mund të çmontohen mekanizmat patriarkale e denigruese që e mbizotërojnë një shoqëri prej shekujsh?!

 Sistemi patriarkal në vetvete amplifikon sulmet seksiste duke i dhënë një pozitë sunduese vetëm asaj çka është e pranueshme nga meshkujt.  

Ndër termat që përkufizojnë stereotipat femërore mund të përmendim: ato që fyejnë pamjen e jashtme (e shëmtuar), intelektin (budallaçkë), përvojën seksuale (e shthurur), stabilitetin mendor (histerike, e çmendur), aftësinë profesionale (dembele, e paaftë) dhe moshën (plakë, e vjetër).  

“Ekzistojnë tri regjistra të fyerjeve seksiste: seksizmi, komentet mbi aparencën dhe mohimi i aftësive”, shpjegon Gwenaëlle Perrier, pedagoge e Shkencave Politike në Universitetin e Sorbonës, Paris Nord (e angazhuar në procesin e politizimit, institucionalizimit dhe profesionalizimit të çështjeve gjinore në politikat publike).

Ajo që ka ndodhur me gruan përgjatë rrjedhës së historisë është shumë e rëndësishme: kërcënimet, fyerjet bazuar në pamjen e jashtme, komentet nënçmuese të bazuara në gjini, stereotipet, referencat mbi trupin e saj. E gjithë kjo i ka shërbyer linçimit të figurës së tyre, sidomos të zonjave kompetente që janë protagoniste në politikë a në të tjera fusha të rëndësishme. 

Në ditët tona, edhe pse askush nuk habitet më kur dëgjon për përfshirjen masive të gruas në sferën publike e private, sërish ekziston paragjykimi, skepticizmi e përçmimi. 

Mund të vëresh me kujdes bisedat e zakonshme;  qoftë ato të thjeshtat apo profesionalet, për të kuptuar se gjuha e përdorur, karakterizohet nga fraza dhe struktura që përjetësojnë stereotipet, që dëmtojnë ose i bëjnë gratë të padukshme apo akoma më keq, i denigrojnë ato.

Tashmë ato e kanë fituar të drejtën jo vetëm për të marrë pjesë në proceset demokratike, por edhe të për të ushtruar rolin e tyre si ligjvënëse apo lidere, me respekt dhe autoritet të plotë.

 Gjithsesi dashakeqët, të pagdhendurit, seksistët a quajini si të doni, nuk reshtin së gjeturi mënyra për të abuzuar verbalisht, duke eptuar fyerje a trope (metaforë, ironi, sarkazëm, epitet etj.) ndaj gruas, qenies që fal jetën. Por meqenëse fal jetën, nuk ka pse të tolerojë absolutisht zgjedhën e turpiloquium-it. 

Fyerja e gruas që pretendon si reagim heshtjen e saj, konsiderohet një mënyrë e ulët dhe brutale për ta diskredituar atë.

 Por kjo fyerje nuk duhet gjykuar dhe anashkaluar si një çështje mendësie apo kulturore, por duhet trajtuar e dënuar si krim më vete. Mjafton t’u referohemi fakteve e dëshmive të dokumentuara ndër shekuj në mbarë globin, për t’u ndërgjegjësuar se ndaj gruas, vërtet është kryer gjenocid.

  • Turpiloquium – mënyrë të foluri ofenduese, e turpshme ose blasfemuese ndaj moralit individual, e huazuar nga latinishtja kishtare, e përbërë nga termat turpis ‘i ndyrë, i neveritshëm’ dhe loqui ‘ të folur’.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gladiola Jorbus, nën thundrën, që fal jetën, Qenia

Zotëria dhe shërbyesi

March 10, 2021 by dgreca

Nga Gladiola JORBUS/Dikush shërben, dikujt i shërbehet. Ab assuetis non fit passio. “Ajo që është e zakonshme bëhet si instiktive” – një nga parimet filozofike të Aristotelit. Kjo është motoja apo dualizmi i jetës?!

Përsëri të dy këta njerëz (Zotëria e Shërbyesi) mpleksen bashkë në të njëjtin dëshpërim; që të dy janë përfaqësues të gjinisë njerëzore. Secili e përfytyron jetën sipas mënyrës së vet. Të dy fantazojnë dhe presin, e ankthi  tejzgjatet në kohë.

Po koha?! Ah, ajo është aq abstrakte. Nocioni i saj tretet në hapësirë dhe pritja shndërrohet në përjetësi.Ai të cilit i shërbehet ka mijëra adhurues, ndonëse jeta e tij mund të përbëhet nga episode që kthehen në trajtë ciklike. Qenia njerëzore që shërben trondit, prek dhe shkakton dhembshuri, por nuk adhurohet kurrë.

Shërbëtori ngjall krupë dhe keqardhje njëkohësisht. Nga buka i takojnë vetëm thërrimet.Vallë, a ka shpresë për të ?!  Shpresa. Parodia therëse e jetës njerëzore. Njeriun e trembin njëlloj, suksesi dhe mossuksesi. Ai bie vetvetiu në grackën e dilemës. E më pas ngjizen me radhë: ambicia, paragjykimet, xhelozia, zilia, hipokrizia.  

Teatri absurd dhe pikërisht vepra e Samuel Beket “Duke pritur Godonë” na ofron një shembull tipik varësie nga sho-shoqi të marrëdhënies shërbëtor dhe i shërbyer (thënë ndryshe zotëria) Poco – Laki. Meqenëse nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin, ata shfaqen në aktin e parë të dramës, të lidhur me njëri-tjetrin me litar. Poco, zotëria, hap trastën dhe  ha mish pule, ndërkohë që kockat ua hedh “skllevërve”, që s’e kanë  për turp t’i lëpijnë. 

Në aktin e dytë, Poco e Laki hyjnë sërish në skenë, po tashmë, Poco është i verbuar, kurse Laki është bërë memec dhe në shpinë mban një çantë me rërë.

Pasi rrihen me njëri-  tjetrin, si për të parodizuar të ashtuquajturën “luftë e klasave”, zotëria  Poco dhe shërbëtori Laki largohen, të lidhur sërish me litar me njëri-  tjetrin. Dhe Hegeli, në librin e tij “Fenomenologjia e shpirtit” e trajton raportin zotëri –shërbëtor, ku sipas tij:

•zotëria e predominon shërbyesin dhe e konsideron mjet për të ndërvepruar;

•zotëria kufizohet me konsumimin e gjërave, pra me mohimin, duke arritur kështu një vetëndërgjegje të menjëhershme, pa njohur tjetrin dhe vetveten përmes tjetrit;

•përkundrazi, shërbyesi në punë fiton vetëdijen, superon fazën e ndërgjegjes natyrore dhe zgjeron horizontin e objektivitetit dhe lirisë.

Zotëria “përleshet për vdekje” me shërbyesin , do ta nënshtrojë atë,  e të sundojë krejt  botën, por ja ku vjen momenti final, e ai zbulon se ky qëllim do të mbetet  i papërmbushur dhe i paarritshëm.

Njeriu vjen për të ikur nga kjo botë, qoftë shërbëtor apo i shërbyer, si një anakolutë, në terrin llamburitës të ëndërr-zhgjëndrrës beketiane “Duke pritur Godonë”.

Shikoni, sa thjesht! Në se një këmbë ndihet e lodhur e vendosim të pushojë mbi tjetrën. A mund të vendoset dhe ky raport midis njerëzve, fare thjesht dhe pa shtresëzime sociale ndërmjet?! Pothuajse të gjitha besimet fetare mbështeten tek kompleksi i skllavërisë, po t’u referohemi urdhëresave të tyre: fal, mëshiro, përulu, kthe faqen tjetër.

“Liri, barazi, vëllazëri” ishte sllogani që frymëzoi Revolucionin francez  (1789 – 1799). Pra, në periudha të ndryshme historike, qenia njerëzore shfaqet e etur për barazi.

Po i referohem filozofit grek  Herakliti (540 – 480) para Krishtit, i cili iu drejtua nxënësve të tij, me këto fjalë:“Çdo gjë ndryshon, përveç ligjit të ndryshimeve’’.

Ndryshimi shënon çdo veprim, nëpërmjet të cilit bëjmë diçka ndryshe nga ç’është, e bëhet deri më tani. Ndaj, shërbyesi s’duhet të mbetet i heshtur, i pafuqishëm, i atrofizuar, sepse në fund të fundit është instrumenti përmes të cilit funksionon dhe lëviz gjithçka.

Kushedi, me shumë guxim e pak fat mund të shndërrohej në apogje !

Filed Under: ESSE Tagged With: Gladiola Jorbus, Zoteria

Emfazë retorike për Ruzhdi Golen

June 6, 2018 by dgreca

Nga Gladiola Jorbus/

Krijuesi Ruzhdi Gole u rishfaq para miqve të librit, me veprat më të fundit “Klorofil frymor”(2017) e  “Inde dhe ishuj” (2018). Mund të themi se në panoramën çorientuese dhe trullosëse të eseistikës bashkëkohore, përfshirë këtu dhe aktualitetin shqiptar, frymon dhe ngrihet krenare, pena e poe – prozës  së autorit R. Gole.

Sipas meje, veçantia më e madhe e tij mbetet oksimoroni, i cili krijon marrëdhënie sintaksore me vdekjen, dashurinë, pikturën, qytetin, shqisat, braktisjen, jetën, limontinë dhe ka si qëllim parësor të transmetojë sensacione, ndjenja, impresione, deduktime e sentenca sofiste.

Ndërkohë që shfleton poe – prozën e poetit Ruzhdi Goles, ti ndihesh si një ortek në rrokullisje pasi diçka i ka lëkundur ekuilibrin e brendshëm; në një pulitje sysh, të shfaqet e tërë qenësia tokësore e hyjnore që – kur ke qenë një pikëz jete brenda në mitër e gjer në zhvillimin e deritashëm.

Nën ndikimin e “Klorofilit frymor”, energjia që përthithim nga drita goliane, herë na zhyt në dëshpërim, herë na hap dyert e parajsës, për t’u rrekur më pas në një spleen (alla Bodler) dyrrachian të epërm si një qiell mbi krye.

Eseistika e krijuesit Goles fsheh një botë të vogël, strehon aq shumë ndjesi dhe mbart aq emocione, sa të duket sikur po shfleton esse nga Artur Rembo, nobelistja Gabriela Mistral apo argjentinasja me origjinë hebreje Alejandra Pizarnik. Autori ynë shkruan në hapësira krijuese që tërheqin të vërtetën; ai e paraqet natyrën siç është, siç shihet, kurse botën, ashtu siç ndihet – nga kjo pikë ai ka të zhvilluar një karakter të fuqishëm përshkrues, me një fjalor që i jep jetë një kryevepre të ardhshme.

Ai e vesh Evën e tij dhe e zhvesh me vërtetësinë e gjykimeve të reja, dashuron thjeshtësinë njerëzore dhe provon në lëkurën e tij çdo muzg, agim, perëndim; çdo ëndërr, çdo moshë a stinë.

Është e qartë se ekziston një kontradiktë, madje e papajtueshme, nëse i japim veprës një kuptim thjesht formal “prozë poetike”, por duke kryer zgjerimin semantik të frazës, mund të arrihet në një përkufizim të  tipit “ prozë që jeton në brendësi të vargut”.

Ky do të ishte deklamimi në një formë të pazakontë i një zhanri letrar që – pavarësisht nga varieteti i saj – ka ruajtur tradicionalisht kafazin formal të vargut në pasigurinë e frymimit prozaik. Prania e elementeve tërësisht estetike, revokimi i dyshimit në ekzistencën e një entiteti të dallueshëm nga jo-letrarja dhe jo-artistikja, mosshfaqja e ngërçeve strukturore të perceptimit do të thotë një kthesë ekspresioniste në fuqizimin e kohezionit ose konsistencës tekstuale në të këtillë vepër.

Dhe në fund, emfaza retorike: Jeta që zhvillohet sot pareshtur, nën zhurmat shurdhuese, nën paqen e përgjakur, në qetësinë ushtuese të një bote klishe të amplifikuar nga mediat, a ia vlen vërtet të rrëfehet?! Gjithësia rrëkëllehet në meandret e meditimit. Ndërsa autori Ruzhdi Gole, me stoicizëm e talent, shkruan e përshkruan në një poe – prozë të harlisur dhe arrin të ruajë simultanisht, bukurinë dhe shëmtinë në faqet e saj.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: emfaze, Gladiola Jorbus, Ruzhdi Gole

Disidenca e dritës

May 18, 2018 by dgreca

Nga Gladiola Jorbus/

Pa ndrojë mund të themi se çdo autor, në vetvete është sui generis. Profesorit Vaso Papaj, ndashtimi i paveçuar profesor, besoj se i shkon për shtat. Vazhdimisht, ai shfaqet si intelektuali që rravgon dhe përsiatet në mugëtirë e mugëllimë, në dritë e terrinë, në tejskajshmërinë e odisesë së një kërkimi shpirtëror që shkon drejt katharsisit. Por a do të arrijë ndonjëherë, ndërgjegjja e shoqërisë sonë shkallën sipërore të purifikimit?!

Çdo vend që ka vuajtur nën një regjim diktatorial, karakterizohet nga një e kaluar e errët, që i ka lënë plagë të vështira për t’u shëruar. Përkujtimi i personazheve që provuan në lëkurën e tyre ç’do të thotë privim nga të drejtat dhe liritë themeltare të jetës, veçse të fisnikëron e të shndërron në një person që kontribuon për ndërtimin e kujtesës historike; pasi njohja dhe trumbetimi i të vërtetës është një e drejtë e domosdoshme.

E si të mos konsiderohet shkrimtari, një krijesë misionare e flijëplote që kërkon të mbështetet mbi të drejtat njerëzore e thëniet hyjnore; në emër të jetëve të pajetuara, të dashurive të paplotësuara, të prezencave të munguara, të ëndrrave rinore të thërrmuara?!

Profesor Vaso, një përfaqësues dhe praktikant i shkencave ekzakte deri në krijimin e metaforave, me përmbajtje fotonike. Dihet rëndom që shpejtësia e dritës është 300.000 km/s në vakum, pra në hapësirën boshe. Këtë shpejtësi nuk e sfidon dhe as nuk e superon asgjë; duke u cilësuar kështu  më e madhja në Univers. Ndërsa në mjediset optike më të dendura, kjo shpejtësi nis e zvogëlohet.

Ashtu ndodh dhe me humbëtirën e autorit Papaj. Dritën mund ta ndiejnë vetëm kush e ka bukurinë në shpirt, qofshin këta dhe në abis, në humnerë a në ferr. Kurse të tjerë, mjeranë e bilmezë, edhe pse rrethohen nga drita, nuk mund ta prekin atë, as të përndriten, sepse zymtësia dhe shëmtia shpirtërore u ka veshur shpirtin.

Autori i rritur brigjeve të Adriatikut, pasi ka pirë njelmësinë e ujit të detit e të lotëve, imponon dhe pretendon vëmendje e respekt. Zëri i shkrimtarit që lutet për një botë më të mirë është vox Dei –zëri i Zotit.

Gjithashtu, Vaso Papaj provokon dhe një trajtim antikonformist të veprës së tij. Shpresa, e vetmja që mund të zbusë ekzistencën e padurueshme dhe të bëjë të mundur mbijetesën e pamundur në një kalvar Golgote, regëtin në grahmat e saj të fundit.

Edhe këtu, gjuha shqipe duket sikur na ka punuar një trill sa cinik, aq dhe fonetik, përmes  formave të ndryshme gramatikore. Shpeshherë, ne formojmë çifte antonimike duke iu referuar bashkëtingëlloreve të zëshme e të shurdhëta (sh, zh, ç) dhe përfitojmë fjalë si: dëmtoj – zhdëmtoj, liroj – çliroj, palos – shpalos.

Kur shqiptojmë emrin shpresë, ë –ja fundore shurdhohet, dhe duket sikur folja pres, përcjell fjalën shpres(ë); pres- shpres. Një gaz- maraz apo paradoks ?! Gjithsesi, edhe nën përmasat më të humnershme të horizonteve që s’premtonin ardhmëri, shpresa shpërthen brishtësisht dhe tenton të çlirohet nga vargonjtë e realitetit mbytës, në veprën e autorit të sipërpërmendur.

Konceptet e formuluara nga mendimet origjinale, empirizmi, kujtimet dhe empatia kohë – autor; ripërmasojnë tranzicionin e ekzistencës dhe vështirësinë maksimale në një shtet, ku ligji sipas Thomas Akuinit do të përkufizohej: “Lex malla, lex nulla” – “Një ligj i keq nuk është ligj”.

Prof. Vaso, përmes triologjisë së tij “Dritë në humbëtirë” aktualizon fort, kumtin e pavdekshëm shekspirian, të verbalizuar nga Hamleti unikal:

“Në kohën ku jetojmë, u dashka që vetë virtyti t’i kërkojë ndjesë vesit”.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Disidenca e dritës, Gladiola Jorbus

…humbasim privilegjin për të qenë të lirë

May 10, 2018 by dgreca

Kur humbasim të drejtën për të qenë ndryshe, humbasim privilegjin për të qenë të lirë/

Gladiola Jorbus

Nga Gladiola Jorbus/

Udhëtimi i vërtetë i zbulimit nuk konsiston në gjetjen e territoreve të reja, por në zotërimin e syve të tjerë, duke parë universin me sytë e një tjetri, qindra të tjerëve: duke vëzhguar qindra universet që secili prej tyre vëren, që secili prej tyre është. (M. Prust)

Dita e Diversitetit kulturor që përkujtohet çdo 21 Maj është një shkas për të lidhur çështje të kalibrit të tillë si identiteti kombëtar, të drejtat e minoriteteve apo komuniteteve të caktuara, por që ndonjëherë në vorbullën e mbijetesës kulturore paraqiten veçmas.

Pikësëpari duhet të fokusohemi te dialogu, sepse shumica e konflikteve janë shkaktuar pikërisht nga përplasja midis kulturave të ndryshme.

Dialogu me të tjerët dhe përqasja ndaj zakoneve dhe traditave të ndryshme nga tonat, na lejon të kuptojmë nevojat e të tjerëve, të mësojmë t’i respektojmë ato dhe të zvogëlojmë rrezikun e konflikteve të reja.

Për më tepër, larmishmëria e popujve dhe kulturave është një trashëgimi që nuk duhet humbur.

Mbështetur në Deklaratën e UNESKO-s mbi Diversitetin Kulturor të vitit 2001 mund ta definojmë diversitetin kulturor si një trashëgimi të përbashkët të njerëzimit, po aq të domosdoshme për këtë të fundit, sa ç’është dhe diversiteti biologjik në natyrë për organizmat e gjallë. Mbrojtja e tij (diversitetit) është një  nevojë etike, e pandashme nga respekti për dinjitetin e njeriut.

 “Të drejtat kulturore janë pjesë integrale e të drejtave të njeriut, të cilat janë universale, të pandashme dhe të ndërvarura…”, thuhet në Nenin 5 të Deklaratës Universale të UNECSO-s mbi Diversitetin Kulturor.

Në këtë mënyrë krijohet një përqasje pozitive ndaj  vlerave thelbësore të njohjes dhe të të kuptuarit midis gjeneratave, të rinjve me të moshuarit, midis personave me preferenca të ndryshme seksuale, me prejardhje nga zona rurale apo urbane, të racave të ndryshme, të vendasve me të migruarit ose emigrantët, meshkujve me femrat, të krishterëve me myslimanët, shumicës me pakicat kombëtare etj.

Ky dialog ndërkulturor në rrugën drejt kohezionit social prek aspekte të ndryshme të historisë së përbashkët, çon në bashkëveprime të bazuara në respektin reciprok, shtyllë kjo e bashkëjetesës paqësore dhe thelbësore për zhvillim.

Pluralizmi kulturor, qoftë ai paraardhës apo aktual mbetet një aspekt i çmuar i Trashëgimisë Botërore, prandaj i përket secilit prej nesh. Njohja dhe vlerësimi i trashëgimisë së çdo vendi fokuson datat e rëndësishme, figurat kombëtare, kulturën materiale dhe jomateriale; është një mundësi e pakrahasueshme për t’u ushqyer me rrënjët tona dhe me shprehjet e tanishme të diversitetit të shumëfishtë kulturor që ushqen identitetin tonë, përmes historisë që zbulon vazhdimisht, se kush jemi ne që jetojmë në këto hapësira multikulturore.

Por, shoqëria është shumë më tepër nga sa shfaq. Ajo vazhdimisht duhet të jetë e orientuar nga konceptet demokratike të bazuara në vlera e qytetari. Sfida shoqërore është avancimi drejt të jetuarit në hapësira që vërtet janë ndërkulturore.

Baza e kësaj bashkëjetese është toleranca – dhe njohja e përbashkët. Një kontakt shumëgjuhësor qëmtohet në sedimentin e brendshëm të origjinës, i cili është gjithashtu heterogjen dhe i larmishëm.

Të jetosh në diversitet është të mirëkuptosh e të perceptosh kontributet e grupeve të ndryshme dhe trashëgiminë e tyre jomateriale. Ky koncept i vërtetuar nga UNESCO-ja ofron një kuadër frytdhënës mundësish për reflektim dhe ndërveprim, i cili nuk duhet të shfaqet mungues, në planet e studimit dhe në veprimet e politikave ndërkulturore, lokale apo globale.

Pavarësisht momenteve të errëta në historinë tonë ia vlen të përmendim një vlerë të rëndësishme që kemi trashëguar nga paraardhësit: atë të tolerancës dhe bashkekzistencës sonë fetare; fakt identifikues dhe vlerë e evidentuar nga mbarë opinioni botëror për ne shqiptarët.

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim thellon kuptimin e vlerave të tij, ndërkohë që ndër pikat kyçe renditen: respektimi i të drejtave të njeriut, promovimi i dialogut ndërkulturor, qasja kulturore ndaj komuniteteve të ndryshme etj.

 Si mund të arrihet kjo? Gjithçka nis nga familja; është detyrë e prindërve të mos e ushejnë fëmijën me paragjykime e tabu; më pas shkolla e zhvillon dhe e pasuron këtë trend me aktivitete të ndryshme, kurse shoqëria e mbështet duke e promovuar diversitetin si një mozaik plot larmishmëri bindjesh kulturore, politike, filozofike, fetare, seksuale, mjekësore etj.

Ashtu si qielli ka vend për të gjithë yjet, ashtu dhe toka ka vend për të gjithë njerëzit.

 E si mund të luftosh përqasjen e gabuar ndaj një shtrese të margjinalizuar mund të pyesë dikush. Kjo në arsim mund të arrihet përmes metodave empirike si: dramatizime, projekte, vizita të karakterit humanitar e gjithfarë teknikash e lidhjesh ndërkurrikulare që kanë në qendër nxënësin.

Ne vetëm mund të argumentojmë mbi rëndësinë e lidhjes dhe njohjes globale në kuadrin kulturor sepse kultura, si mënyra më efikase që u shërben njerëzve për t’u përshtatur me njëri-tjetrin, përfshin krijimin dhe zhvillimin e trashëgimisë në përgjithësi, si materiale dhe jomateriale; ama jemi ne ata që zgjedhim në fund se ç’qëndrim duhet të mbajmë.

Sa s’është vonë, duhet reflektuar mbi nevojën për të inkorporuar në mënyrë të vendosur, konceptet dhe përmbajtjet në veprimet edukative të qytetarëve për të rindërtuar skenarët e bashkëjetesës, nga e cila do të riformësohet trashëgimia e ardhshme, që për hir të së vërtetës do të jetë ndërkulturore. Askush nuk mund të apelojë ndaj shumëllojshmërisë së diversitetit dhe as ta kufizojë atë, përkundrazi duhet të shfaqet plot bonsens, kureshtar dhe mendjehapur ndaj tij.

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim është një mundësi për të reflektuar mbi vlerën e dallimeve, midis realiteteve kulturore të planetit dhe për të kuptuar se si të ndërtohen kushtet për “të jetuar së bashku”, në një mënyrë më konstruktive përmes dialogut dhe respektit reciprok.

Me të drejtë shprehej ish- guvernatori i Nju Jorkut, Charles Evans Hughes Sr. se: “Kur humbasim të drejtën për të qenë ndryshe, humbasim privilegjin për të qenë të lirë’.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gladiola Jorbus, humbasim privilegjin, për të qenë të lirë

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT