Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta ka zhvilluar në Presidencë një takim me ish-të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Kreu i shtetit shqiptar në mesazhin e shpërndarë për publikun me rastin e këtij takimi është shprehur se Ambasador Grenell ka promovuar investimet amerikane dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon. “Albania from the Air” ishte libri panoramik që Presidenti Ilir Meta i dhuroi Ambasadorit Richard Grenell me qëllim që ky i fundit të njohë bukuritë dhe magjinë e turizmit shqiptar.
MESAZHI I PRESIDENTIT META
Ishte kënaqësi të takoja këtë mëngjes Ambasadorin Grenell. Mbështes përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar investimet amerikane dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, si e vetmja mënyrë për të garantuar mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë dhe veçanërisht brezin e ri.
Përpara vizitës të tij në Jug të vendit i dhurova librin “Albania from the Air”, një botim i veçantë mbi mrekullitë natyrore shqiptare, pasi jam i sigurt se herën tjetër ai do të shpenzojë më shumë kohë për të eksploruar Shqipërinë tonë të bukur. (DIELLI)