FIJET E JETËS TJERR/
Dy shekuj jeta më fali,/
në të dy jetoj pa vdekur,/
dyqind rrudha kam te balli,/
dy shekujt m’i kanë gdhendur./
Jeta ime dhe e tjetrit/
u trazua, u bë dimër/
kudo frone lanë mbretërit,/
prapa tyre erdhën princër./
Zbrita shkallët e rregjimit,/
derën ma përplasi shteti,/
në kërkim të moderimit/
udhëtoj si dallgë deti./
Bota sillet qark, e di
prapa pushtetit më nxjerr,
lëmsh u bë, po përsëri
fijet e jetës i tjerr.
- 1. NUK DUA TJETËR
Dua vendin, jo partitë
shokët dua
dhe kolegët,
vrisnja mendjen fort një ditë:
-Ku i kemi sot strategët?
Më i madhi mes të mëdhenjve,
ai me emrin Skënderbe,
mur u ngriti maskarenjve,
dritë jeshile pamë ne.
Ishte frymë, shpirt i kombit
me bëma dhe histori,
i shqiponjës, jo i korbit
mbreti Zog pa mbretëri.
Në stuhi i erdhi rradha,
lart na ngjiti dy-tri shkallë,
hodhi hapin mbi gërmadha
po kohës s’i bëri ballë.
Më moderni për Europën
pas Enverit u ngrit Sala,
shkelmoi muret, puthi botën
nga integrimi merr të fala.
Vendin dua, jo partitë
sistem të ri, jo të vjetër
s’e vras mendjen asnjë ditë
kam lirinë, nuk dua tjetër…
- 2. NUK MË ZE MERAKU
Tualet s’i bëj fytyrës së keqe,
rolin e strucit nuk e luaj dot,
trà të rëndë hallesh mbaj mbi këllqe,
supin traut vetëm ia ve kot.
Ndaj u ngjita në pemën e jetës,
shkunda ca vite për në muzé,
kapak u vura,
ia zbrita vetes
meraku për ‘to jo nuk më ze.
3. I THEM TRËNDAFILIT
Trëndafili me shumë erë
stinët tok i bën pranverë,
rritet me të njejtin emër
dhe në baçe, dhe në zemër!
E gjej mbjellur nëpër kopshte,
zbukuron ngado natyrën,
rrezaton edhe për mua,
mbi mermer ia njoh fytyrën.
Po, i them që për partitë
asnjë gonxhe mos e çil,
nëse ato të kanë mbjellur,
s’ke pse quhesh trëndafil.
- 4. MALLKIM
Kemi qënë fare afër
shekuj mbetëm larg të tërë,
s`kemi marrë notën katër
por s’e themi ç’kemi bërë
Mallkuar qoftë politika
që na humbi dinjitetin,
pse akoma më ze frika
pse me frikë e shaj shtetin?
E kam dashur dhe e dua
sa dy sytë që shoh para,
por s’ka qënë jo për mua
për kështu i humbtë fara…
Gjenovë, 2011
- 5. MENDJA MA THOTË
Më kap shpesh një frikë
që s’jam kaq i zoti,
pse s’vij në Amerikë
ashtu kot së koti…
Të shoh botë me sy
se si bëhet jeta,
të takoj dhe ty
pa më zënë dreka.
Të bëj dhe vizita
në qytetet shtete,
ngaqë Amerika
fort të bën për vete.
Jo, nuk kam lajthitur,
nuk është gjë e kotë,
kam pritur e pritur
se mendja ma thotë.
Pranvera mos ardhtë,
vera dhe as vjeshta
pa ndërruar bashkë
dy-tri fjalë të thjeshta…
Nuk bëj asnjë punë
po s’takova ty,
mos humsh ti as unë
pa u parë me sy.
- 6. ROZAFA FLET
Larg në vitet më të thella
ngjatjetohem me kështjella,
sa e lashtë, aq e bukur
një mbi Bunë është ngulur.
I afrohem, takoj muret
dhe baladën çfarë thuhet,
larg dhe afër shkon mendimi,
pastaj ndalet te murimi.
Tre vëllezër, një me besë,
nuk lartuan një fortesë,
me magji ditët u zgjatën
se kështjella prishej natën.
Kur një plak sekretin gjeti,
-Do kurban! -tha si profeti,
u lidh besa, njeri e mban
nusja e tij u bë kurban.
Pas murimit mban fortesa,
betonoi themelet besa,
kur nuk ke, s‘e ndërton jetën
flet Rozafa të vërtetën.
- 7. VARGJE PËR KOSOVËN
Mëngjezet i kishe nga Perëndimi
andej nga shkon dielli
rrugës së gjatë,
natën e përzure,
zbardhi agimi
dita erdhi me pejzazhe pa natë.
Shpëtove jetën,
kapërceve vdekjen
ky shekull
nuk udhëheq tragjedira,
ditët e zeza zbriti,
nxirru mbetjen
mblidh e shumëzo veç ditët e mira.
- 8. PA MOSHË
Jam një shtetar, asgjë më tepër
më thërrasin dhe zotëri,
në moshë e shpirtë jo i vjetër,
me mend e punë jo i ri.
Si krejt të tjerët jam i lirë,
nuk më bllokon aspak karriera,
midis jush o njerëz të mirë
hyj e dal si vetë pranvera.
Nuk jam ngjitur aq lart, në majë
sa mos të shoh qartë nga sytë,
për jetën nuk kam pse të qaj,
dhe e pastër vjen, dhe e ndytë.
Pak dijetar, pak i paditur
jam i ri, nuk i vjetroj këngët,
i zhgënjyer dhe i mahnitur
në betejë fitoj me fjalët.
- 9. VENDLINDJES
S’isha djalë metropoli
por një ditë ma mori zemrën,
kur u ndamë, pazëshëm foli:
-Kurdo hapur e ke derën!
Nuk më mbajti dot vendlindja,
që të rrija, s’qeshë i zoti
gjithnjë them se “Je e imja,
për ty syrin ma lag loti”.
Me freskinë djaloshare
drejt Shëlliut i çoj sytë,
padyshim them hapur fare:
-Si vendlindja s’ka të dytë!
- 10. NUK KA ARDHUR
Nga maja malesh hedh sytë
që të shoh botën mes reve,
paska ardhur dhe kjo ditë
e pejzazhit pa relieve.
Jemi rritur ne si brez
me imazhe parajsore,
por inatin fort ma ndez
fjala e urtë popullore*
Seç na fliste me kandar
që askujt “mos i shih gunën”,
gjithë marshimit tonë krenar
fjala shpesh ia vinte vulën.
Me të qena e të paqena
botën mbarë e çuditëm,
gënjeshtare qe dhe kënga,
vetes vetë ia hapëm gropën.
Thuhej: “Buzë Adriatikut
rreze lëshon Shqipëria…”,
i perëndoi ylli armikut,
me hap para erdh liria.
Por s’ka ardhur koha e mjaltit,
dimrat vijnë me përmbytje,
udhëve drejt, pafund të hapit
pse të ketë pikëpyetje?
*Tjetrit mos i shih gunën,
por shikoji punën.
- 11. LETËR E HAPUR*
Pati një “Letër” të hapur,
thirrje
përkthyer më shqip,
tufanet nuk kishin plasur,
sistemi mbahej në zgrip.
Përmes rrugëve pa rrugë,
kodrat, malet “Letra” preku,
me lugën flori a pa lugë
u hëngër kripa,
byreku.
“Lertra” ecte në malore
por fitorja s’buzëqeshi,
tokat i bëri pjellore
dhe pyjet shpejt i xhveshi.
Fletët mbylli më në fund,
malet fusha nuk i bëri,
s’e ka emrin asgjëkund,
mbeti dhe pa gropë varri.
*Letër e hapur e ish-KQ
të PPSH
- 12. SI TË BËJ?
Jo, aspak s’jam i partishëm
fjalën nuk e them nën zë,
më mohoi sistemi i djeshëm,
as i sotmi s’më ka gjë.
-Si të bëj? -them me vete,
se jam me shkollë të lartë,
për elitat s’kam urrejtje,
por një gjë s’e kam të qartë.
Për fat të keq këtë botë
në drejtim s’e ka elita,
politika është e kotë
i tremb vlerat e vërteta.
-Si të bëj? -vazhdoj pa ngutje
në kuptimin më të mirë,
s’frikem pse më hedhin tutje,
brenda burgut jam i lirë.
- 13. ANTINJERËZ
Pas tokës e qiellit
Perëndia
dha urdhër të bëhet dhe njeriu,
një auditor të kishin të tria,
të katërt në mes ajo nuk shtiu.
Po ca njerëz i la te Satani,
shihen arës,
në publik me Judën,
në kopshte si Eva dhe Adami
frutat hanë dhe përmbysin kupën.
Antinjerëz, përplot me mëkate
ja kush jetës ia zezon të bardhën,
kot e mprehin tehun e çdo shpate,
as më mizori nuk na e vret fjalën.
Kush lakmon Olimpin me Zeus
portën e Ferrit e ka të mjaftë,
dielli më nuk ftohet në minus,
dhe as mesdita nuk bëhet natë.
14. UDHËKRYQ
Pak kisha parë me sy hapur,
pak kisha dëgjuar me veshë,
ç’kisha të miat
pata falur,
mbajta shpirtin,
i tillë qeshë.
Kokës me grushta iu vërsula,
majtas as djathtas
nuk më ecet,
nga vetja të keqen e shkula,
po udhëkryqi
ende mbetet.
15. NDALE RRUGËN E KURBETIT!
Dy djem i humbën në kurbet,
nëna mbet fare pa djalë,
deti detit pse s’i flet,
përse dallga nuk çon fjalë?
Vera iku dhe prapë erdhi,
lule shprese nuk ka çelur,
lotët krua nëna derdhi,
qyqe mali, oh, ka mbetur!
Asnjë lajm, as dhe një letër
s’e gjen udhën për në Mat,
dita kot pret ditën tjetër
se mos ndoshta vjen me fat.
Seç i foli deti detit
edhe dallga çoi një fjalë:
-Ndale rrugën e kurbetit,
mos u bë flijim i gjallë!