Në fillim të ditës të premten (22.07) pothuajse gjysmë ore pas mesnate, 140 deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, miratuan paketën e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi.Vota e konsensuale, që kurorëzoi një proces 18 mujor angazhimi të politikanëve, ekspertëve vendas dhe të huaj, të mbështetur fuqimisht nga BE dhe SHBA, kaloi pas një maratone negociatash që u shoqëruan me mosmarrëveshjesh dhe grindje politike mes palëve pozitë-opozitë. PD i kundërshtoi deri në minutën e fundit disa dispozita të draftit të reformës në drejtësi, gjë që e shtyu zvarriti procesin. Marrëveshja e arritur me maxhorancën qeverisëse në mbrëmjen e së mërkurës (20/07/2016) u anullua nga PD pak orë më vonë për shkak kërkesash të reja që morën dje 14 orë për të arritur përsëri marrëveshjen. Sjelljet politike të opozitës ngjallën zemërimin e Brukselit, Uashingtonit por dhe të qytetarëve të Shqipërisë, që zhvilluan manifestime para Parlamentit në mbështetje të miratimit të reformës. Më tepër se përgjegjshmëria ndaj vendit dhe qytetarëve duket se ka qenë presioni ndërkombëtar në arritjen e konsensusit, presion që arriti kulmin e vet me paralajmërimin për “pasoja specifike, negative, të rënda dhe afatgjata nga Shtetet e Bashkuara” ndaj politikanëve të opozitës nëse nuk arrihej një marrëveshje e re. Ndërkohë që Brukseli paralajmëroi me kohë që dështimi për dakortësi mes palëve “do të hiqte mundësinë e hapjes shpejt të negociatave të anëtarësimit me BE”. Por përtej perspektivës së hapjes së negociatave vota konsensuale u kërkua me këmbëngulje nga maxhoranca qeverisëse dhe faktori ndërkombëtar edhe si një parakusht që reforma në drejtësi të ketë legjitimitet dhe të gjejë zbatim.
Reforma në drejtësi mbështetet nga 91% e qytetarëve të Shqipërisë që në jetën e tyre të përdishme kanë vuajtur për më shumë se dy dekada mungesën e drejtësisë prej kapjes së saj në mënyrë kapilare nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Qytetarët kanë parë mosndëshkimin e politikanëve të korruptuar dhe janë dëshmitarë të rasteve kur gjyqet kundër tyre janë mbyllur për procedurë nga gjykatës të blerë. Interesin e qytetarëve ka kryefjalë edhe deklarata përshëndetëse e BE-së në orët e para të mëngjesit (22.07). BE e vlerëson miratimin e reformës si «një hap të paprecedent , që adreson një kërkesë të vjetër nga shumica dërrmuese e qytetarëve për një drejtësi të përgjegjshme, të pavarur dhe transparente. Reforma përbën gjithashtu një kontribut për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjitha këto janë përparësi kyçe për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE » theksohet në deklaratën e delegacionit të BE-së në Tiranë.
Edhe SHBA e cilësuan miratimin e reformës «një fitore të popullit shqiptar». Në deklaratën përshëndetëse, ambasadori i SHBA-së, në Tiranë Donald Lu vë në dukje që «SHBA është krenare që ka mbështetur hartimin dhe negocimin e kësaj pakete reforme të fortë».
Rama: fshesa e hekurt e Vetting-ut për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar
Edhe kryeministri Rama e vlerësoi paketën e miratuar si «arritjen më të shëndetshme, më të ndershme, më të drejtë të kësaj reforme. I siguroj të gjithë shqiptarët, se gjykatësit e prokurorët e korruptuar do t’i fshijë nga sistemi i drejtësisë fshesa e hekurt e Vetting-ut”, tha ai pas miratimit të reformës në Parlament.
Marrëveshja mes palëve parashikon që të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor,(KLGJ) dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) t’i nënshtrohen Vetting-ut nga struktura e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Ajo parashikon edhe hedhjen e shortit në rast se gjatë dy raundeve të para të votimit, Parlamenti nuk i zgjedh dot anëtarët e KLGJ dhe KLP.
Paketa kushtetuese e miratuar sjell një riorganizim thelbësor të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe synon pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga politika. Ajo do të plotësohet nga ligje dhe akte nënligjore, procedura dhe rregulla që do të shtrihen në gjithë sistemin e reformuar të drejtësisë.