Hasan Bajo, i përndjekur, i persekutuar dhe i burgosur prej regjimit komunist shqiptar për 10 vite me radhë në burgjet e Spaçit dhe Qafë Barit për agjitacion dhe propagandë kundër sistemit monist, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli – Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, New York heronjtë e rezistencës antikomuniste në burgjet më të tmerrshme të diktaturës komuniste, torturat në burgjet dhe kampe, ekzekutimet, ridënimet e njerëzve të pafajshëm, letërsinë e burgut si letërsi kujtese, morali dhe qëndrese, dhe letërsinë e të burgosurvë politikë të regjimit diktatorial si një letërsi memuaristike për vuajtjet në diktaturë dhe dëshmitë e krimeve çnjerëzore të komunizmit në Shqipëri. Z.Bajo rrëfen me detaje histori me bashkëvuajtësit e tij si: Visar Zhiti, Trifon Xhagjika, Zyhdi Morava, Gëzim Metolli, Pëllumb Lamaj, Maks Rakipaj, Qemal Dema etj. Me Hasan Bajon bashkëbisedoi gazetari i Diellit, Sokol Paja.
LETËRSIA E BURGUT SI LETËRSI KUJTESE, MORALI DHE QËNDRESE
Do të doja të theksoja se unë nuk kam shkruar qoftë edhe një rresht të vetëm atje, në burg, por jo pa krenari pohoj që i kam njohur ata që kishin guximin të bënin një gjë të tillë dhe do të kem lexuar ndoshta gjithçka që është shkruar prej tyre. Ishin miqtë e mi. Të shkruaje në burg ishte shumë më shumë se sa thjeshtë të shkruash. Më e pakta, nëse do të ishte me të vërtetë me fat, do të qenë dhjetë vjet dënim që do ti shtohej atij të mëparshmit po qe se do të pikasej apo për më keq në duart e operativit do të binin qoftë edhe dy vargje. Për më tepër, dënimit të marrë do të duhet t’i shtosh hetuesinë e gjatë, të ftohtit therës të qelive, urinë dhe torturat e pësuara, të bëra nga ata që qenë mjeshtër të vërtetë në llojin e tyre dhe për më shumë, mendoj se kjo qe më e gjëmshmja, ishte vrasja e shpresës përgjithmonë për të qenë një ditë përtej telave me gjemba. Fatkeqësisht fati jonë varej nga ai i perandorisë së lindjes. Kremlini rrëzëllente mënxyrshëm në pamposhtmërinë e tij. Dhe atje në burg ishin disa të “marrë” që sfidonin gjithçka. Ja disa prej tyre: Zyhdi Morava, Gëzim Metolli, Pëllumb Lamaj, Visar Zhiti, Maks Rakipaj etj.
KUJTIMET ME VISAR ZHITIN NË BURG
Me Visarin isha njohur në Institut, në Shkodër dhe megjithëse koha e njohjes qe e shkurtër, më ndërmendet se atje, në Spaç, e kam kujtuar jo rrallë pa ndonjë shkak për të qenë, madje edhe tani habitem se përse kisha parandjenjën se edhe atë do ta sillnin atje ku isha edhe unë, në Spaç. Dhe parandjenja nuk më pati gënjyer. Isha kthyer nga galeria dhe pasi pata ngrënë drekë, po laja tasin, kur një prej të njohurve më tha se autoburgu pati sjellë të rinj dhe njëri prej tyre që quhej Visar, më kërkonte. Dola me të shpejtë në shesh dhe atje në mes të mizërisë së të burgosurve, e gjeta. Në mes shumë gjërave të thëna njëri – tjetrit, unë bëra budallallëkun t’i uroja mirëseardhjen. Më ndërmendet vështrimi i tij që shprehte habi dhe keqardhje njëherësh. Pati menduar se kisha lajthitur dhe natyrisht, kishte plotësisht të drejtë. E si mund të urohet mirëseardhja në burg? Por ja që mua në atë kohë më qe mbushur mëndja keq. Të qënurit në Spaç ishte nder. Mbas disa ditësh kur kuptoi apo më saktë ndjeu se jo vetëm nuk isha i lajthitur por ato pak mënd që kisha i pata shtuar disi, më besoi të fshehtën e tij. -Vetëm ti e di. Askush tjetër, më tha. Patëm ndaluar së ecuri dhe unë vura re hijen e një mëdyshje përpëlitëse. – Jam në dorën tënde, dhe me të shpejtë shtoi. – Në hetuesi kam bërë poezi. Ishte radha ime të mendoja se ai nuk kishte lajthitur, e pati pësuar më keq, qe çmëndur, ndërkohë që pyesja veten. – E si mund të thuren poezi në hetuesi? Sikur e ndjeu se ç’mendoja. – Mundja të ftohtin. Në qelitë e Kukësit është tmerrësisht ftohtë. Harroja urinë, përballoja të keqen e mënxyrshme që më pati pllakosur, shkurt, ndjenja se jetoja. – Por si? Arrita ta pyes. – Ndërtoja dy vargje, pastaj dy të tjerë. I përsërisja dhe i përsërisja gjersa bindesha se nuk do ti harroja dhe kështu vazhdoja. – Ecim, i thashë duke kontrolluar i kujdesshëm përreth. – Dua ti dëgjoj. Dhe ai pa humbur kohë filloi të citojë. Dhe sa më shumë kohë kalonte, nga poezia në poezi, unë ngjisja qiejt. Do të kem qenë në të shtatin kur i mrekulluar nga fakti se Visari i pati bërë ato në hetuesi ( në Spaç pata gjetur poezi me të vërtetë të bukura siç ishte: “Dy hapa larg” e Jorgo Bllacit ), i thashë se ndoshta ne do të mbesnim përgjithnjë atje, se ekzistonin një mijë mënyra për të ikur nga kjo botë lehtësisht, por poezitë nuk duhej të humbnin. Do të duhet ti mësojmë, ti shkruajmë në copa fletësh dhe ti fshehim. E rëndësishme është që ato të mos vdesin, një ditë të dalin nga këtu. Dhe tani dua të dëgjoj sërish atë për diktatorin. Dhe ndërsa ai recitonte me zë të mbytur, të ulët, saqë më duhej të anoja kokën për ta dëgjuar, mendova se Visari kishte pasur arsye të më thoshte: -Në dorën tënde. Çmimi që do të duhej të paguaje për një poezi të tillë, ishte i lartë, jashtëzakonisht i lartë. Visari vazhdoi të thurte poezi dhe ne shokët e tij i lexuam, i shkruajtëm në copa fletësh dhe sigurisht i fshehëm. Arrij të kujtoj se të parit që ia dhashë poezitë për ti lexuar ishte Zyhdi Morava.
ZYHDI MORAVA NË KUJTIMET E MIA
Zyhdiu nuk shkruante vetëm poezi por edhe tregime, hera herës edhe ndonjë novelë. Dhe prej njërës prej këtyre të fundit që rrëfente se si komisari i çetës partizane për të shtënë në dorë një vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçare, edhe kjo partizane e së njëjtës çetë, vret pabesisht të vëllain e saj, thuajse e pësuam. Novelën, e shkruar në një fletore gjashtëmbëdhjetë lekëshe me katrore, polici roje arriti ta gjejë në mes dy batanijeve ku e kisha fshehur ndërsa ne ishim në galeri në turnin e tretë. Kështu na tha dikush për të cilin kishim dyshime se ishte i komandës. Ndoshta ishte vetë ai që kishte denoncuar. U përgatitëm për më të keqen. Pritja qe e ankthshme, e gjatë, me muaj. Çuditërisht arrestimi që prisnim nuk ndodhi. Për fatin e novelës nuk mësuam kurrë, asgjë…
GËZIM METOLLI NË KUJTIMET E MIA TË SPAÇIT
Gëzimin e kujtoj shpesh, ndoshta më shumë nga të gjithë miqtë e atjeshëm që nuk janë më në këtë botë. Dhe shkak është një poezi, më saktë, përkthimi i një poezie. Inviktus. I pamposhturi i shkruar dikur, diku, me qindra kilometra larg nga Spaçi, ndoshta më shumë se njëqind vjet më parë, qe thurrur enkas për ne. Jo vetëm atje por edhe tani, sado që kanë kaluar thuajse dyzet vjet, jo rrallë e gjej veten duke e cituar.
Në kthetrat e rrethanës keqas mbërthyer,
unë su përkula, as me zë s’bërtita,
nën të përgjakurit hekura kokën shtrënguar,
unë su përkula, por më lart u ngrita.
Dhe gjithnjë dy vargje të saj,
-as kërcënimi i viteve që kalojnë,
shpirtin e pamposhtur të ma përkulin smbërrijnë, do të më sjellin ndërmend mikun tim Islam Spahiun e hijshëm edhe kur qe tetëdhjetë vjeç. Fisnik, i ashpër, kokëfortë, mik besnik, antikomunist i xhindosur, stoik, i stërlexuar që do të më fliste për Dostojevskin, Kamyn, Bugovskin etj (të jem i sinqertë, për herë të parë atje në Spaç mësova se ekzistonin) sikur e shoh të qëndrojë gjatë në rradhë përpara berberhanes. Priste të ulej në vendin ku pasqyra mungonte. -Trishtohem, më tha kur e pyeta. -Trishtohem të shoh veten në pasqyrë. Gëzimi pati fatin e keq të arrestohej dhe të ridënohej disa herë. Nga hetuesitë kthehej i tjetërsuar fizikisht, i nxirosur nga të ftohtit, i pakësuar nga të pangrënët, thuajse i përgjysmuar. Vetëm flakëza që lodronte në sytë e tij mbetej gjithnjë e njëjtë, gjithnjë e pa shuar. Dhe ajo që më dhëmb është se vdiq në kohën e pluralizmit, në një mjerim të skajshëm duke lënë gruan e shumëvuajtur si vetë ai dhe vajzën. Në bibliotekën time gjëndet edhe libri i tij me poezi.
TË BURGOSURIT POLITIKË, NJË LETËRSI MEMUARISTIKE PËR VUAJTJET NË DIKTATURË
Të shkruarit e konsideroj mjeshtërinë më të vështirë. Natyrisht, nuk pres që kujtimet memoristike të kenë elegancën dhe fjalorin e Kutelit apo thellësinë e mendimit të Konicës. Jo rrallë duke ndjerë keqardhje dhe zhgënjim njëherësh, i kam premtuar vetes se nuk do të lexoja më prej tyre por kjo ka zgjatur pak kohë, pasi sërish i kam kërkuar dhe sërish i kam lexuar. Që një shkrim të botohet, mendoj, se duhet të jetë të paktën në nivelin mesatar të letërsisë së sotme. Dhe meqë jam i sigurtë se të gjithë ne që kaluam nëpër ato dyer të mallkuara duam mbi të gjitha Shqipërinë, është e pafalshme të cungojmë, thjeshtëzojmë në sensin e keq të fjalës, e për më tepër të dëmtojmë njërën prej atyre pak gjërave të bukura që i kanë mbetur ende tokës sonë të përbashkët. -Shqipja është gjuha e perëndive, thotë Naimi. Dhe jam i bindur se faji nuk është tek autorët e shkrimeve të tilla, ata aq ditën dhe aq bënë, por qëndron tek ndonjëri nga ne, që kur i është dhënë dorëshkrimi e ka emërtuar të jashtëzakonshëm, të shkëlqyer, madje kryevepër. Dhe kur ka ndodhur të njoh autorin e cilësimeve të tilla, jo rrallë kam menduar se tek unë është dobësuar, në mos ka vdekur shija e së bukurës, gjetja e saj sado e mezikapshme qoftë. Do të doja sinqerisht të qe kështu. Mendoj se një poezi, tregim, novelë, për më shumë roman me të vërtetë i arrirë, është më i vlefshëm se dhjetra kujtime memoristike. Ndoshta edhe në këtë jam i gabuar. Fola për shkrime të dobëta, pa vlerë, por kjo nuk do të thotë se nga shpirtrat dhe duart tona nuk është shkruar edhe prozë e vlefshme, madje me zë të lartë do të thoja shumë e vlefshme. I druhem cilësimit kryevepër. Dhe për mendimin tim, në krye të tyre do të vendosja pa mëdyshje Ridënimin e Fatos Lubonjës. Nëse do të njohësh Spaçin, të jetosh kohët e lemerishme që kemi përjetuar, asokohe Ridënimi duhet lexuar medoemos. I shkruar në një shqipe të pastër, i thatë, pa lule e lajle, i pamëshirshëm në atë që rrëfen, më ka rrënqethur edhe mua, që jo vetëm i kam njohur personazhet e tij, por kam ditur edhe fundin e tyre. Ridënimi është Spaçi, është absurdi, është vetë diktatura. E lashë për në fund, heroin, disidentin, poetin që e shihte atdheun lakuriq, që në fjalën e fundit kërkoi një top për të goditur Komitetin Qëndror. Trifon Xhagjika dergjet diku nën baltën e tokës që e deshi aq shumë, i harrur, do të thoja i ri-ekzekutuar. Është shpagimi i harrimit të tij dhe i shumë e shumë të tjerëve që kjo toka jonë ishte ashtu si ishte dhe është kështu si është.
LETËRSIA E REALIZMIT SOCIALIST
Pushteti, forca e artit është ndjerë që në kohët më të hershme, më parë se qenia njerëzore të njihte shkrimin. Në mitologjinë Greke është një ishull i vendosur në Mesdhe, me shpate shkëmbore që rrrëzohen në det, mbi të cilat thahen nën diell pirgje eshtrash njerëzore. Lundërtarët e njohin. Është ishulli i sirenave që me këngët e tyre i ndjellin dhe këndojnë aq bukur sa ata verbohen, nuk duan t’ia dinë për fatin që i pret, nuk duan t’ia dinë për pirgjet e eshtrave njerëzore që do tu shtohen edhe të tyret. Shkojnë drejt vdekjes duke ndjekur këngën…si ne. Qysh prej rinisë së hershme më është ngulitur një thënie e Latinëve të cilën Hygoi e vendos si titull të një kapitulli tek Viti 93. – Fjala është urdhëri i perëndisë. Po kështu do të doja të citoja njërin prej klasikëve qe kam përshtypjen se do të ketë qenë Lenini. -Arti, thotë ai, është i barazvlefshëm me artilierinë e rëndë në luftë, kur kundërshtari nuk e posedon atë. Rrallë, shumë rrallë, por ama ndodh, e gjej veten duke cituar ndonjë poezi apo nëpër subkoshiencë vërtitet motivi i ndonjë kënge për partinë apo më keq akoma, për Enver H. Kur vij në vete, i këpus një të sharë vetes. Enverizmi mbahej në dy kollona, propaganda dhe dhuna, ndaj mendimi se realizmi Socialist i ka shërbyer të keqes, diktaturës, po aq sa çizmja e policit, detashmentet e ushtrisë, sigurimi i shtetit, i ngjizur dikur në Spaç, më ka mbetur pa ndryshuar, madje më është përforcuar edhe më. E megjithatë për hir të së vërtetës më duhet të pohoj se lideri i kësaj të keqe të madhe më ka mësuar të flas më bukur shqip.
TORTURAT NË HETUESI, RIDËNIMI, PRITJA E TEJMUNDIMSHME
Zoti Shpend Sollaku, radhit mbi tridhjetë lloje torturash fizike të ushtruara mbi të burgosurit politikë. Nuk do të merrem me ato mbasi në fund të fundit ishin të përkohshme, pjesën më të madhe të tyre e pësoje përgjatë hetuesisë. Mbi ne ushtrohej edhe një lloj tjetër torture, më djallëzore se vetë djalli, më mizore se vetë vdekja, Ridënimi. Pritja e tejmundimshme, e tejgjatë, me vite, 10, 15 , 25, madje më shumë, të ishe përtej telave me gjemba, të shihje në sy fëmijët, gruan, babain, nënën në buzë të varrit, apo për gjëra më të thjeshta si është pirja e ujit në një gotë të xhamtë, të jesh i vetëm në një dhomë e të flasësh me vete pa u shqetësuar nga vështrimet e të tjerëve etj, rrënohej në një çast të vetëm. Dhe për ti pasur edhe njëherë këto, ia pate dalë të përballoje urinë ulëritëse, flakërimin e syve të vdekjes, poshtërimin, punën çnjerëzore në galeri. Jo rrallë, atë ditë që do ti prekje, ishe më afër se kurrë, në vënd të fletës së lirimit, dëgjoje të të drejtoheshin. – Në emër të popullit je i arrestuar. Dhe akuza për të gjithë ishte e njëjtë. Agjitacion dhe propogandë kundër pushtetit popullor. Thuhet se njeriu është më i fortë se guri. E besoj, është e vërtetë. Qenë me dhjetra që patën një mallkim të tillë, por çuditërisht asnjërin prej tyre nuk e la mëndja, nuk u çmënd. E rifillonin nga e para dhe sërish ëndërronin. Atje, në burg, nuk lodhesh kurrë së ëndërruari. Një tjetër torturë qe tejdhimbja e përhershme, e ndjerë në çdo rrahje të pulsit për ata që kishe lënë pas. E ndjej veten me fat, të përkëdhelurin e perëndisë, mbasi kur u arrestova nuk kisha fëmijë. Ndoshta është mospasja e tyre që isha ai që isha atje.
FUNDI I TRISHTË I QEMAL DEMËS
Heronjtë e vërtetë ishin ata që përballonin dhimbjen, mposhtnin makthin për fëmijët e lënë pas dhe mbeteshin të patundur në idealin e tyre, nuk jepeshin. E si mund të krahasohen vuajtjet-torturë të Qemal Demës me të miat, të cilin kur e arrestuan për herë të dytë pati lënë nënën plakë, gruan e sëmurë dhe katër vajza, më e rritura prej tyre dymbëdhjetë vjeçe, në atë gradishtën ku mjerimi të drithëronte, të zinte frymën. E megjithatë do ti uroja vetes një fund si i tij. I rrethuar nga e shoqja , katër vajzat, nga nipërit e mbesat, ai iku nga kjo botë i qetë, pa brengë, plotësisht i përmbushur duke mbetur gjer në fund njeri. Në shtratin e vdekjes, pesë ditë përpara fundit kërkoi ta linin vetëm. Shkroi letrat e lamtumirës për të shoqen, vajzat, nipërit, mbesat dhe për mikun e tij Lekë Mirakaj, bashkëudhëtar në kalvarin e gjatë të vuajtjeve. Isha i pranishëm, kur disa orë përpara fundit i tha të nipit, birit tim, me shaka. – Baba po ikën nga kjo botë i mundur. Kohë më parë, im bir, kishte fituar në shah. Pastaj i kërkoi së bijës, vajzës së dytë, të shkonte tek varri i të atit për ti thënë që ora për tu bashkuar kishte ardhur. Ishin ndarë përgjithnjë kur qe vetëm tetë vjeç. I ati ia kishte dalë ti shpëtonte ekzekutimit pa gjyq duke u arratisur nga qelia. Ishte i dëshiruar, i kishte munguar, kishte qenë mbiëndërr e pa realizuar përkëdhelja e kokës, përqafimi i babait, e pse jo edhe qortimi i tij. Ky qe fundi i Qemal Demës, por fatkeqësisht jo i shumë të tjerëve, shokëve dhe miqve të tij të prangave. Ikën nga kjo botë pa pasur ndokënd pranë për ti dhënë pakëz ujë, për tu mërmëritur një fjalë të ngrohtë. Ikën nëpër qiell me brengën cfilitëse për fatin e tyre që linin pas. Sa herë që marr gjëmën e ndonjë të njohuri atje, në burg, njëherësh me atë dëgjoj të dobët, jashtëzakonisht të dobët zërin që vinte nga dhoma ngjitur në pavionin për të dënuar ku isha shtruar. Përpiqesha të kuptoja se çkërkonte me aq ngulm, me aq dhimbje. Ndonjëherë, mbas mesnatës zëri vinte pakëz më i fortë, dhe unë me vështirësi arrita të kuptoj se ai kërkonte dikë. E pashë një herë të vetme, rastësisht, në korridor, të shtrirë në shtratin portativ duke e kthyer për në dhomë, ndërsa mua po më shpinin për në vizitë tek mjeku. Ishte i bardhë, tërësisht i bardhë, thuajse i tejdukshëm, tashmë i përkiste qiellit. Vetëm sytë e dhimbshëm ishin ende tokësor, lëviznin mundimshëm, dhe vazhdonin të kërkonin. Atëherë mendova se do të qe vëllai, motra, e shoqja, ndoshta ndonjë mik që kishte më pak të ngjarë. Por tani jam i sigurte se do të ketë qenë vajza, djali, ndonjëri prej fëmijëve, mbasi mendoj se dashuria për pjellën është nga ato pak gjëra të pa ndryshueshme të kësaj bote, ashtu si është jeta dhe vdekja, e pa të cilën ky rruzull do të pushonte së ekzistuari. Vdiq një natë në të zbardhur me atë emrin në gojë që nuk arrita ta mësoj kurrë.
ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË SHQIPËRI NJË ZHGËNJIM I MADH
Zgjedhjet Parlamentare në Shqipëri ishin një zhgënjim i madh. Ndjehem i indinjuar, i zhgënjyer, më shumë akoma, i zemëruar aq sa ëndrrën e madhe, të kahershme, bashkimin me Kosovën e kam braktisur. Nuk do ta kërkoj, nuk do ta dua më nga ndruajtja se do ta ndyejmë, do ta infektojmë edhe atë me virusin e nënshtrimit, me virusin që vret rebelimin ndaj së keqes, së padrejtës, me virusin e dashurisë së verbër ndaj prijësit të partisë sa do hajdut, i pabesë, i etur për pushtet të jetë. Le të jetë Kosova copëza e truallit tim me të cilën bijtë, si edhe bijtë e bijve të mijë të mund të krenohen. Më pëlqen të shpresoj se ajo do të dijë të jetë e tillë.