• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JANË PO ATA…….!

November 9, 2017 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

3Kostreci hasan

Shpesh dhe sa herë që shkojmë në Atëdhe e diskutojmë me miqtë apo me të afërmit tanë për situatën, ata përherë ankohen, si për prolemet ekonomike, për papunësinë e madhe, por sidomos për politikën e korruptuar dhe kur shtojnë se “janë po ata”, nuk bëjnë ndonjë prezantim të zakonshëm, por fjalën e kanë për vazhdimësinë e po asaj pjese të shoqërisë, e cila si dhe baballarët e tyre, kanë të njëjtin parim; Gënjeshtrën dhe mashtrimin.

Se si ndodhi që ky lloj elementi erdhi përsëri në pushtet edhe mbas nëntëdhjetës, faktorë ka shumë, por një gjë vlen të përmëndet, se shqiptarët gjithmonë dhe kurdoherë janë mashtruar. Kështu ndodhi në dyzet e katrën, kur iu premtuan, se do hanin me lugë floriri dhe kur erdhi puna s’mbushën dot as barkun me bukë, në nëntëdhjetën kur demokracinë ua besuan dhe ua lanë në dorë pësëri po këtyre dhe ky fenomen ka shtatë dekada e më shumë që vazhdon. Do shkojmë në komunizmin thuhej atëhere, do hyjmë në Europë, thonë këta sot,  prandaj dhe më vjen keq, kur në televizor shoh herë pas here gazetarë apo edhe njerëz të thjeshtë, por që i përkasin krahëve të ndryshëm, të cilët debatojnë në studio aq ashpër dhe me pasion me njëri tjetrin, sikur të ishin armiq. Shajnë, ofendojnë, bile për të mbrojtur “Bosat” e tyre, janë gati që edhe të zihen. Të jenë këta vërtet idealista dhe me ideollogji të ndryshme, apo  të manipuluar e nuk e kuptojnë se skenarët e politikës si atëhere ashtu edhe sot, i ka bërë dhe vazhdon që t’i bëjë tjetër kush dhe kjo situatë na kujton edhe njëherë atë periudhë, kur sa herë që “Merhumi”thoshte “Të forcojmë luftën e kllasave”, ishte vegjëlia, jo të gjithë sigurisht, që merrte derën në krahë dhe për ta vënë ‘atë porosi” në  zbatim, ushtronte dhunë, persekutim dhe propogadonte urrejtje. Dhe e dyta këtu nuk është fjala për të larguar nga pushteti një parti që ta zëvëndësojë një tjetër, të cilat jo vetëm që në këto njëzet e shtatë vjet janë provuar dhe sprovuar disa herë dhe si përfundim s’kanë prodhuar asgjë, por nga që janë me të njëjtën origjinë, kanë edhe të njëjtin mentalitet, prandaj në se duam dhe kërkojmë që të kemi ndryshime, kjo klasë politike duhet patjetër larguar.

E si mund të quhemi shtet demokratik, kur dy nga reformat më të rëndësishme, si ç’ishin dënimi i krimeve të komunizmit dhe dhënia e pronave pronarëve, s’u kryen, dhe shprehja se ‘Të gjithë jemi fajtorë dhe të gjithë bashkëvuejtës”, jo vetëm që ofendoi ish shtresën e persekutuar dhe i barazoi me kriminelët e përmëndur më lart, por hoqi gjithashtu tek shqiptarët çdo shpresë për të patur ndryshime.

Në këto shtatëdhjet e ca vjet, qeveritë, për të ruajtur pushtetin e tyre kanë bërë një politikë mashtruese si brënda, ashtu edhe jashtë vëwndit. Me ish Jugosllavinë, ish Bashkimin Sovjetik apo edhe me Kinën, Enveri dhe klika e tij nuk u shkëputën se kishin ideollogji të ndryshme, por vetëm sepse u rrezikohej karrikja, por edhe këta, për të krijuar imazhin sa më të  keq të Shqipërisë në mënyrë që të mos hyjmë në Europë, ç’farë nuk kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë; Sajuan 97-tën, 21 Janarin, greva, bojkote herë pas here, protesta, çadra etj. dhe janë gati që të lidhen përsëri me Rusinë, me Kinën, bile dhe me Korenë e Veriut, por vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo me Gjermaninë, jo. Arësyeja, sepse nuk duan që të vihen nën kontroll dhe të mos kenë mundesi të vazhdojnë korrupsionin. Por zanafilla e këtij fenomeni nuk është diçka e re, por ka filluar qysh në komunizëm. Varfëria ekstreme e asaj kohe detyroi atë gjeneratë, që për të mbijetuar, ta ushtronte këtë lloj “aktiviteti”në masë dhe meqënëse dënimi për të, krahasuar me akuzën për “agjitacion e propogandë”, qe fare i vogël, u stimulua akoma më shumë. Po edhe familja e diktatorit dhe antarët e byrosë, nuk vodhën pak, sepse me ç’para ata bridhnin nëpër Europë dhe për t’u egzaminuar nga një sëmundjem doktorët dhe mjekët i kërkonin nga Franca. Me rrogat që merrnin? Sigurisht që jo, por në se atëhere s’guxonte njeri që të hapte gojë, sot, po për të njëjtën gjë, je i lirë që të flasësh, por s’ta var kush.

Reforma në drejtësi apo Vetingu që të huajt po mundohen të zbatojnë, është një mundësi për ta pastruar këtë korrupsion që përmëndëm, por me këtë klasë politike, rrezik përsëri të dështojë, prandaj e vetmja mënyrë, për mendimin tim, janë zgjedhjet dhe vota e popullit, por nëqoftëse edhe kjo vazhdon të mashtrohet, perspektiva dhe e ardhmja e Shqipërisë vihet në dyshim.

Gjithçka të dashur lexues, që shkrova dhe thashë, nuk janë të reja dhe shqiptarët s’i dinë, por është mllëfi që na shtyn dhe sidomos përgjigjësia që kemi ndaj Atëdheut dhe kombit tonë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, JANË PO ATA…….!

Debati:RESPEKT PER AKTORËT, POR JO PËR FILMAT

March 31, 2017 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/ NJU JORK/

3Kostreci hasan

Duke patur jo vetëm dashuri, por edhe pasion për artin, më kujtohet që qysh në fëmijëri kërkoja t’i ndiqja të gjitha kurset e hapura në atë kohë në shtëpinë e pionerit apo në atë të kulturës në Elbasan dhe duke qënë ato gjithashtu edhe me drejtues të mirë e të përkushtuar si zoti B. Qorri, që kishte rethin e letërsisë, zoti N. Bumçi rrethin e muzikës, profesor H. Çaushi kursin e kitarrës e të tjerë, i bënte ato ambiente tërheqëse dhe mjaft të këndëshme, por si nga familje e persekutuar dhe me biografi jo të pranueshme nga regjimi, si dhe shumë të tjerë, gjithmonë jam përjashtuar dhe asnjëherë s’më është dhënë mundësia që ato t’i përfundoj. E rëndë kjo sigurisht, aq më tepër kur diskriminimi në atë moshë ndjehet edhe më shumë, por megjithatë u mundova që atë boshllëk që m’u krijua, ta kompesoj duke parë filmat që çfaqeshin në atë kohë në kinemanë e qytetit duke filluar nga i pari film shqiptar “Tana’apo ‘Skënderbeu”më vonë i realizuar në bahkëpunim me kinematografinë Sovjetike e me radhë, por meqënëse në ato vite vinin, për fat, edhe mjaft filma të huaj, si italjanë, francezë, polakë, hungarezë ndonjëherë, bile edhe amerikanë, prodhimet e kinostudios “Shqipëria e Re” sa vinin e po  zveniteshin dhe askush nuk po interesohej që t’i shihte më. Kjo jo edhe aq për arësye të nivelit të tyre dobët, se sa prej përmbajtjes, ndonjëherë edhe qesharake. Megjithatë nuk mund të mohohen vlerat e disa prej aktorëve të asaj periudhe si N. Frashëri, K. Roshi, N. Luca, R. Ndrenika, R. Arbana e të tjerë, talenti i të cilëve pëlqehej dhe binte në sy, por ajo që sot po diskutohet, në se a duhen  çfaqur ato edhe sot, për mendimin tim, jo, sepse shumica e tyre ishin jashtë realitetit dhe nuk pasqyronin gjëndjen aktuale të kohës. Ishte sigurisht orientim dhe për këtë nuk mund të fajsohen as regjizorët, as kineastët dhe as artistët dhe meqënëse personazhet kryesorë të atyre filmave duhej qe të ishin patjetër o ndonjë kooperativist që bënte dy norma, o një traktorist që ngrihej me natë apo një ushtar vigjilent që azgjësonte këdo që donte të kalonte kufirin, prodhimtaria e kinostudios “Shqipëria e Re”, nuk po prodhonte më art, por vetëm ideollogji, propogandë dhe demagogji.

Tirana që ishte kryeqytet dhe presupozohej të kishte jo vetëm nivel, por edhe kërkesa më shumë në këtë drejtim se sa rrethet e tjera, duke hequr dhe përzënë nga regjimi një pjesë të mirë të inteligjencës egzistuese apo burgosur e pushkatuar dhe zëvëndësuar atë me një prurje masive nga zonat e thella të Shqipërisë, cilësia e shoqërisë edhe aty, sigurisht, ra dhe si rezultat edhe deformimet që ato filma paraqesnin,  jo vetëm që s’i komentonte njeri, por përkundrazi pëlqeheshin dhe nga pjesa më e madhe, shiheshin me kënaqësi. Fenomen që nuk ndodhte në disa qytete të tjerë, sidomos në Elbasan, Shkodër apo Kavajë, ku meqënëse popullsia edhe për një kohë, mbeti autotktone dhe e pa u përzjerë, kishte tjetër mentalitet dhe arsyetonin ndryshe.

Duke punuar me “Rruga Urën’, rasti më kishte rënë që të shkoja shpesh në veri e sidomos në Fierzë, ku në atë kohë kish filluar të ndërtohej hidrocentrali dhe kushtet e puntorëve në ato të ashtu quajtura “vepra të madhe”, qenë skandaloze. Kineastët kanë xhiruar, sigurisht edhe atje mjaft filma e dokumentarë, por asnjëherë ata s’janë njohur me jetën konkrete të atyre zonave. Kapanonet ku ata flinin, që realisht i pata parë vetë, nuk kishin ndonjë ndryshim  nga stallat e lopëve dhe për t’u ngrohur kur ata ktheheshin nga puna, përdornin një fuçi të madhe pa kapak, e cila gjithë natën villte tym dhe blozë dhe dukej tamam si një krater vullkani dhe e përzjerë me erën e çizmeve të llastikut, e bënin atë ambient vërtet kafshëror. Mencat gjithashtu ishin pa xhama dhe akull të ftohta dhe nga që shpesh s’gjendeshin as lugë, lëngun e hollë të fasuleve dhe pa yndyrë, e merrnin me koren e bukës, ndërsa çajin e darkës, pë të kursyer një tre lekësh, shumica e pinin pa sheqer. Në vitin 76, në mos gabohem, kur në veri ra një shi i madh, kuksianët për të kapur ndonjë kanaçe apo shishe coca cole bosh që Drini i solli nga shteti fqinj, rrezikuan jetën dhe u futën në ujin e ftohtë me gjithë rroba. I tregova këto dy episode, për të thënë që ky ishte realiteti i vërtetë i Shqipërisë në atë kohë dhe jo ajo që paraqitej nëpër ekranet e filmave apo të televizorëve. Kanë kaluar njëzet e gjashtë vjet dhe ende s’është bërë as dhe një dokumentar për t’i treguar gjeneratës së re se ç’ka parë dhe hequr ky popull, sepse ato që kameramanët në atë kohë kanë regjistruar dhe duan që t’i çfaqin edhe sot përsëri, nuk ishte Shqipëria e vërtetë, prandaj dhe nuk është e nevojshme që të gënjehemi e të mashtrohemi përsëri?

Ai që ka nostalgji, le të marë kaseta dhe t’i shikojë në shtëpi për hesap të vet, por jo populli që nuk do më as t’i kujtojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, POR JO PËR FILMAT, RESPEKT PER AKTORËT

GJENERATA JONË

March 21, 2017 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

1-hasan-kostreci Shpesh e kemi dëgjuar dhe vazhdojmë ta dëgjojmë shprehjen, se nuk është më ai njeriu i parë’, apo ka ndryshuar bota dhe megjithëse të thëna këto nga goja e popullit, kanë një vërtetësi, të cilën ç’dokush, nëqoftëse bën një krahasim me një periudhë prej disa dekadash përpara, varet, sigurisht edhe nga mosha, them se e aprovon e bije dakord dhe nëqoftëse po, pse atëhere të ndodhë ky fenomen dhe kush ka influencuar që jemi në ketë gjëndje, te cilën nëqoftëse brezi i ri s’e kupton dhe thotë se kështu kemi qënë, ndofta, gjithmonë, gjenerata e jonë e konstaton, e ndjen dhe jemi ne pikërisht që e themi.

Viti 2017, që sapo filloi na kujton edhe njëqind vjetorin e fitores së revolucionit bolshevik në Rusi, kur dinastia shekullore e Carëve u përmbys dhe me propogandën se ky do ishte një pushtet i sovjetëve, do me thënë i puntorëve dhe i fshatarëve, nxiti dhe ngriti më këmbë edhe mjaft popuj të tjerë si në Amerikën Latine, në Azi, në Europë dhe për fatin tonë të keq, edhe në Shqipëri dhe se ç’ndodhi me to, shëmbull le të marim përsëri vëndin tonë, ku jo vetëm që pushtet i puntorëve dhe i fshatarëve, siç u premtua, ai nuk u bë kurrë, por përkundrazi duke u kapur nga një grup mafiozësh, të cilët rreth vetes grumbulluan pjesën më ordinere dhe kriminelët e shoqërisë, instaluan atë diktaturë aqë të egër, e cila gjeneratës sonë, sidomos, i kushtoi aq shumë dhe numuri i krimeve në këto vënde të dala mbas vitit nëntëdhjetë, si në Rusinë e Leninit e të Stalinit; Të Maos në Kinë, të Potit në Kamboxhia apo edhe të Enverit ne Shqipëri, janë të llahtarëshme dhe të pabesueshme.

Brezi i ynë mban mënd dhe kujton mjaft mirë gjithashtu se si zhvilloheshin gjyqet në atë kohë, ku me motivet agjent, tradhëtar apo armik i popullit pushkatoheshin, burgoseshin apo internoheshin njerëz të pafajshme dhe kur vegjëlia, te cilës iu premtua se do hante me lugë floriri, thërriste dhe çirrej me histerizëm ‘Me varje, me varje”

Ishin ditë të vështira që kombi ynë s’i kishte parë ndonjëherë, kur injoranti u bë prokuror; krimineli hetues apo kryetar dege, ndërsa mafiozi lider dhe ndërsa ky kontigjent sa vinte e më shumë shtohej, njeriu i mirë, i ndershëm dhe fisnik po shkonte drejt zhdukjes dhe me këtë proces të tillë që sistematikisht vazhdoi për gati dyzet e pesë vjet, ishin më se të mjaftueshëm për ta shpërbërë këtë komb të vogël siç jemi neve dhe prurë në këtë gjëndje ku aktualisht jemi sot. “Kemi bërë detyrën”, shprehen disa nga ata që kanë patur ato pozicione, po pjesa tjetër që jo vetëm s’pranoi të angazhohet në ato “detyra”, por përkundrazi i kundërshtoi, qënkan, sipas tyre, fajtorë! Kjo tematikë, edhe pse deklarata e lëshuar nga shteti shqiptar qysh me atë fillim  “Se të gjithë jemi fajtorë dhe të gjithë bashkëvuejtës’, jo vetëm që s’u mbyll, por përkundrazi ka vazhduar dhe do vazhdojë deri sa ajo periudhë një ditë të zbardhet plotësisht. Ky fenomen u pa edhe para pak kohësh në diskutimin mbas vdekjes së poetit D. Agolli apo edhe rreth shkrimtares Diana Çuli më pas, e akuzuar kjo e fundit për pushkatimin nga regjimi i atëhershëm i dy poetëve të rinj, Leka dhe Vilson Blloshmi.

Emrin e kësaj zonje, në fakt, e kam hasur para disa vitesh në promovimin e librit kushtuar pikërisht atyre dy martirëve e organizuar nga organizata shqiptaro – amerikane, ‘Shtëpia e Lirisë” në Washington dhe si drejtuese e gazetës “Drita” në atë kohë, lexova njëkohësisht edhe komentin që ajo kishte bërë rreth poezive të tyre. Koment i cili fare qartë ua rëndonte akoma edhe më shumë akuzën. Si fytyrë e pashë para disa javësh tek “Top Stori”, ndërsa si natyrë dhe karakter e përcaktova nga diskutimi i saj, ku jo vetëm që deri në vitin 94, ajo nuk dinte asgjë rreth fatit të tyre, por me përgjigjen, që ishte sistemi që i pushkatoi dhe jo ajo, më la të dyshoj se ende nuk ishte penduar.

Sistemi që shpesh përmëndet, me të cilin këta lloj lloj mundohen që të justifikojnë bëmat e tyre, nuk ishte diçka abstrakte, por përkundrazi ai u ndërtua, funksionoi dhe u mbajt më këmbë në sajë të këtyre personave, të cilët o të indroktinuar, o për interes, o për karakter dhe moral të dobët apo edhe nga injoranca bashkëpunuan me atë regjim dhe ishin një kontigjent i gatshëm që diktatura i përdorte sa herë që u duhej të sajonin ndonjë grup kompllotist e të pushkatonin dikë, siç është rasti në fjalë apo të burgosnin apo të internonin individë e familje dhe me dëshmitë e tyre, sigurisht të rreme, dihet, që kanë marë më qafë qindra e qindra njerëz të pafajshëm, por nëqoftëse shteti në këto njëzet e gjashtë vjet demokraci në këtë drejtim s’ka bërë asgjë, por dhe hakmarrje individuale, për fat të mirë gjithashtu s’kanë ndodhur,  nuk do të thotë që edhe viktimat ato i kanë harruar, prandaj persona të tillë, mendoj, që sa më pak të ekspozohen dhe jo pastaj, si rasti i zonjës Çuli që organizon takime dhe u flet audiencës për ndershmëri dhe moral apo të gazetarit, zotit Hila, i cili krenohet me pozitën e të atit, ish oficer i lartë i minitsrisë së brendëndëshme në atë kohë, pozicion nga ku pikërisht organizoheshin dhe kurdiseshin akuzat ndaj njërit që vihej në shënjestër dhe duhej të eleminohej. Këta lloj individësh duhet të dinë gjithashtu se populli ynë, si i vogël në numur, i ka njohur dhe i mban mënd mirë si persekutorët ashtu edhe kriminelët e asaj periudhe dhe nuk ka aq shumë nevojë për të hapur dosjet. Njeh njëkohësisht trashëgimtarët dhe pozicionet e pa merituara që ata mbajnë sot, di njëkohësisht dhe arësyen se pse këto punë përfunduan kështu dhe demokracia tek ne nuk funksionoi, por një acarim dhe revoltë nga këta, ndryshe nga këto brënda llojit që kanë ndodhur në këto njëzet e gjashtë vjet, do jetë, mendoj e rrezikshme dhe me pasoja për vëndin, por mos dënimi i krimeve të komunizmit, mos dhënia e pronave ish pronarërëve të vërtetë e deri në mos realizimin e vetingut dhe reformës në drejtësi që aktualisht kërkohet sot, nuk është se shtetit shqiptar dhe atyre që e kanë përfaqësuar, u ka munguar dhe u mungon vullneti, siç shpesh këta akuzojnë njëri tjetrin në parlament, por e një vyrtuti të rëndësishëm, i cili brënda tij ka edhe moralin, edhe karakterin, edhe humanizmin, që quhet “GENIE”, i cili as nuk shitet dhe as nuk blihet në pazar, por vetëm trashëgohet.

 

Filed Under: Komente Tagged With: GJENERATA JONË, Hasan Kostreci

“Ç’farë bëmë me demokracinë?…. VETËM BËNI SIKUR……

December 15, 2016 by dgreca

1-hasan-kostreci

NGA HASAN KOSTRECI/Tema që para pak ditësh shtjelloi në studio drejtuesja e emisionit televiziv, ‘Ora News’, Ilva Tare, “Ç’farë bëmë me demokracinë”, ishte interesante, por edhe pjesmarrësit e ftuar në atë emision, duke qenë jo vetëm gazetarë apo analistë të njohur, por edhe të pjekur në mendime, pyetjes iu përgjigjën saktë dhe me mjaft seriozitet. Megjithatë këdo që ata fajësuan, për mos mbarëvajtjen e proceseve demokratike në këto njëzet e gjashtë vjet, si mentaliteti i prapambetur i popullit tonë, i cili vjen nga një diktaturë e gjatë dhe e egër komuniste, varfëria, mediokrriteti apo kryeneçsia e politikanëve e të tjera që u përmëndën aty, qëndrojnë, por nuk e tha, si të thuash, hapur, ajo që, per mendimin tim, është më kryesorja dhe e rëndësishme. Kur Napoleon Bonoparti pyeti një nga gjenaralët e vet se pse e kishte humbur një betejë? Ai iu përgjigj; Për shumë arësye madhëri. E para, na u mbarua municioni. Mjaft, ndërhyri perandori, sepse nuk ka nevojë më për të tjerat’. Pra, nëqoftëse politikanëve u ka munguar dëshira dhe vullneti, që ne si shoqëri të ecim përpara e të integrohemi, të tjerat janë sekondare. Po të vihet re, gjithashtu, se që të gjitha ngjarjet e ndodhura gjatë këtyre dy dekadave e gjysëm, si 97 –ta, 21 Janari ose ndryshe siç është quajtur Ngjarja në Bulevard”, rasti i Komunës së Fierit, që u përmënd edhe aty, vërtet qesharake, por dëmi qe tepër i madh, bojkotimet herë pas here në parlament nga të dyja palët, greva e socialistëve përpara universitetit të tjera si këto, të cilat duke u bërë edhe në disa momente kyçe dhe tepër delikate, të bën të dyshosh se nuk ka qënë edhe aq për të kundërshtuar njëra tjetrën si parti, se sa me një qëllim të përbashkët, për të prishur imazhin e Shqipërisë. E njëjta gjë është bërë edhe me sjelljen brutale ndaj disa biznesmenëve të huaj që vijnë për të investuar miliona dhe ikin për të mos u kthyer më kurrë.

Por edhe antagonizmi që po shohim aktualisht midis politikanëve nga të dyja partitë për Reformën në Drejtësi, të duket më tepër si falsifitet, bile ndonjëherë, dëshëroj që të jem i gabuar, si teatër dhe në se tensioni herë bije dhe herë ngrihet sipas rastit, më tepër për ta bërë atë sa më interesante dhe tërheqëse për publikun, ndërsa skenari mbetet i njëjte dhe ashtu siç është lënë amanet nga R. Alija, ‘Vetëm bëni sikur’. Pra, kontradita, në realitet për të gjitha problemet e ngritura, ka dhe kjo është një tipar themelor i demokracisë, po a janë ato realisht apo vetëm në dukje, sepse me “Vetëm bëni sikur”, është praktikuar edhe për ligjin e ilustracionit, për ligjin e pronave, për hapjen e dosjeve, të dekomunizimit e të tjera si këto dhe si përfundim të gjitha kanë mbetur zvarrë dhe asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar.

Oferta e ish kancelarit gjerman, Shtraus në tetëdhjet e pesën, kur gjëndja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve ishte katastrofale, nga regjimi i atëhershëm u refuzua kategorikisht dhe arësyeja a vetme, sepse atyre u rrezikohej pushteti. Mos ka të ngjarë që ky fenomen po përsëritet edhe tani që ne asnjëherë të mos integrohemi në Europë!

Është thënë se gjenerata e re dhe sidomos ajo studentore nuk duket edhe aq intelektuale, e pjekur dhe si rezultat edhe e pa aftë për të marë në dorë fatet e shoqërisë. Pra del që shanset edhe kjo t’i ketë që nesër të katandiset më shumë në një turrmë, se sa popull. E kujt atëhere i leverdis ky fenomen. Edhe ndonjë veprim që ata në mënyrën e tyre të pjekur apo të pa pjekur, bëjnë, quhet ekstremizëm dhe bombardohet nga opinioni dhe media aq shumë, sa ata paralizohen. Ekstremizëm u quajt gjithashtu edhe veprimi para disa vitesh e një ish të burgosuri, i cili protestën e tij e shprehu duke u vetë djegur. A mos është ky një mentalitet i mbetur nga komunizmi, që ‘Murit nuk i bihet me kokë’. Jemi në demokraci dhe duhet pasur kurajo për të kundështuar çdo gjë që duket e pa drejtë, ndryshe teoria e R. Alisë, ‘Vetëm bëni sikur” do vazhdojë ende gjatë, ndofta edhe për njëzet e pesë vjet e më shumë të tjera.

Filed Under: Komente Tagged With: Hasan Kostreci, VETËM BËNI SIKUR……

MASHTRIMI I MADH

December 1, 2016 by dgreca

*NJË DËM TË MADH QË KEMI PËSUAR DHE VAZHDOJMË AKOMA TË MOS E KORIGJOJMË/

1-hasan-kostreci

NGA HASAN KOSTRECI/Historikisht, po të shikojmë se kush nëpër periudha dhe vënde të ndryshme ka bërë revolucione, kush ka luftuar për të krijuar barazi dhe i urren të pasurit, duke i quajtur çfrytëzues, ndërsa të varfërit viktima. Kush është pjesa më e guximshme e shoqërisë dhe hidhet në aksione për të ndryshuar botën, dihet që në ballë dhe gjithmonë ka qënë dhe mbetet vetëm rinia, por me karakteristikat që përmëndëm e të tjera, del që ajo anon pak nga e majta dhe me të drejtë ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Winston Çurçill ka thënë, se të jesh i ri dhe të mos kesh prirje të majta, quhesh pa shpirt, por që të vazhdosh të jesh i tillë edhe kur bëhesh i pjekur, je i marrë. Por ky fenomen, pra natyra impulsive e të rinjëve, shpesh është edhe çfrytëzuar. Komunistët, përshëmbull si dinakë dhe mafiozë që i ishin, pikërisht këtë pjesë të shoqërisë fillimisht mashtruan dhe e bënë për vete. Me ta i mbushën bataljonet apo brigadat e para që iu ngjitën maleve për të luftuar pushtuesin, por në realitet më shumë për t’u ndeshur me kundërshtarët e tyre politikë dhe duke çfrytëzuar naivitetin dhe padjallëzinë e tyre, i ndërsyen mbasi morën pushtetin edhe kundër  intelektualëve, njerëzve të arsimuar dhe kundër asaj shtrese modeste të pasur në qytet apo në fshat, sikur ata të ishin faktorë destabilizues në shkatërrimin e vëndit. Ishin po ata që e nxitën këtë pjesë kundër armiqëve imagjinarë të klasës, në prishjen e kishave apo të xhamijave dhe duke e futur gjithmonë thellë e më thellë në atë batak të madh që quhej ‘Revolucion socialist’, e bënë pjesë aktive të asaj ideollogjie të marrë dhe kriminale që i kushtoi aq shumë vëndit dhe shoqërisë sonë. Një pjesë, në fakt që e kuptuan se sa të gabuar ishin e se ku po shkonin, nisën të distancohen, por pjesa më e madhe e vazhdoi atë rrugë, i ndoqën ata nga pas dhe duke kryer edhe disa shkolla të ashtuquajtura partie apo marksiste leniniste, u bënë tamam robotë dhe vegël në duart e bosëve të tyre.

Por ‘Ashtu si bën, ashtu edhe e pëson’, thotë një shprehje e jona popullore dhe vërtet që  jo pak nga ata, mbasi diktatura i çrytëzoi dhe i shtrydhi mirë e mirë, përfunduan burgjeve apo u vranë si armiq, agjentë në shërbim të të huajve apo dhe tradhëtarë, por, siç thamë, përqindja e angazhuar me ta, qe e madhe dhe si vënd dhe popull i vogël që jemi, na kushtoi, aq më tepër sepse duke u bërë edhe prindër, merret me mënd se ç’kulturë  dhe edukatë ata transmetuan tek pasardhësit e tyre.

Më kujtohet ç’më tha një fshatar i thjeshtë nga viti tetëdhjetë e nëntë, kur u duk se diçka do ndryshonte; Im bir është mësuar ta kalojë kohën në vatrën e kulturës apo nëpër mbledhje rinie apo partie, por jo që të ngrihet e të punojë tokën ashtu siç kam bërë unë” dhe fillozofia e tij qe e saktë, sepse ne përveç të tjerave, kishim humbur edhe konceptin e punës dhe transformuar në një shoqëri pa ego dhe pa ambicje dhe gjithë këto pasoja, sepse ne jemi një popull që gabohemi kollaj dhe të prirur më shumë për të përqafuar të keqen, se sa të mirën.

Por edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada e gjysëm në demokraci dhe me sistem, tashmë kapitalist, akoma nuk kemi krijuar një gjeneratë të pjekur, puntore dhe sidomos, intelektuale. Universitete gjatë këtyre viteve janë hapur mjaft dhe kjo për mendimin tim, qe e mirë, sepse të dalë nga ai sistem, ishte e nevojshme që të rinjtë të edukoheshin dhe të merrnin një kulturë ndryshe nga ajo që trashëgonin, por a e kemi një rezultat të tillë dhe a janë vërtet studentët që mbarojnë këto shkolla ashtu si duhet?

Qeveria e asaj kohe, në realitet, e angazhonte shumë rininë studentore duke i çuar  nëpër hekurudha për të hapur trashe, në korrje gruri apo misri si dhe në zbore ushtarake dhe ato nuk kishin edhe aq për qëllim që t’i bënin ata praktikë e të njiheshin me realitetin, se sa për t’i çoroditur dhe për të mos u lënë kohë të lirë që të mendoheshin. Pikërisht me ato aktivitete ia nxorrën mëndtë gjithashtu edhe ‘çikës së maleve’, të cilës duke i lidhur një shall të kuq në qafë  dhe e çuan në aksion, kur u kthye, qe transformuar aq shumë, sa nisi të urrejë, bile edhe prindërit e saj, duke i quajtur fanatikë, të prapambetur dhe me miza në kokë.

Por edhe rinia e sotme duke parë disa programe televizive pa cilësi dhe pa ndonjë informacion edukativ, duke shkuar nëpër klube nate, ku më shumë dëgjon ‘tallava’, se sa muzikë të bukur e të këndëshme, duke u shkëputur, pothuajse krejtësisisht nga libri dhe për më tepër duke parë korrupsionin e madh që po ndodh në politikën tonë, për fat të keq, po degjenerohet, se sa po emancipohet. Një tjetër faktor gjithashtu po aq i rëndësishëm në formimin e tyre, është sepse jo vetëm atëhere, por ende edhe sot, vazhdohet që të mos jemi të sinqertë me ta. Akoma i manipulohet e kaluara dhe nuk i tregohet e vërteta për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë luftës, më mbas dhe sidomos për periudhën komuniste. Ajo ende nuk njeh patriotët, herojtë si dhe figurat kryesore të letërsisë, sepse ata ende vazhdohet që të quhen armiq, tradhëtarë apo bashkëpuntorë të fashizmit. Ajo ende shikon përçarje tek shqiptarët, e sidomos kur vijnë vijnë Festat e Nëntorit. E si atëhere të presim një rini ashtu si duam neve, kur ajo akoma nuk di se ç’modele të zgjedhë nga paraardhësit e saj e t’i kopjojë. Kjo është tamam si një fëmijë jetim, të cilit nga që gjithë jetën i kanë munguar prindërit, jo vetëm që edukimin do e ketë gjithmonë të mangët, por edhe të marë nga ambienti përreth, shpesh herë të dyshimtë. Mos ndofta kështu dikujt i intereson që të kemi një rini të të pajisur vetëm me diplloma, por apatike, pa nivel dhe e mangët intelektualisht. Sigurisht që kjo të bën pesimist, por edhe të frikson për të ardhmen e shoqërisë të këtij vëndi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, mashtrimi i madh

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT