• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POPULLI DHE TURMA

January 19, 2014 by dgreca

 NGA HASAN KOSTRECI/

Kur Napoleon Bonoparti me një grup besnikësh u largua nga ishulli i Elba , ku qe i interrnuar dhe po rikthehej përsëri në Paris, enthuziazmi i popullit që kishte dalë ta priste, qe tepër i madh dhe gjenerali që e shoqëronte. i habitur prej indiferentizmit të tij, e pyeti; Madhëri, këta janë duke brohoritur për juve, prandaj kthejuani, ju lutem, përshëndetjen.“Edhe po të më shpinin në gijotinë për të më prerë kokën, kjo turrmë, kështu do bënte”, iu përgjigj perandori.E thashë këtë episod për të treguar se turma dhe populli, megjithëse janë prej një përbërje, kanë dallim dhe sa i urtë dhe i mënçur është si popull, aq ekstremist dhe i marrë bëhet, kur transformohet në turmë dhe shëmbulla të këtij fenomeni kemi mjaft dhe mjafton të përmëndim ngjarjet e viteve shtatëmbëdhjetë të shekullit të kaluar, kur  populli Rus, nga gjiri i të cilit kishin dalë aq njerëz të mëdhej si Tolstoi, Pushkini, Çajkovski e të tjerë, i transformuar nga Ideollogjia Marksiste-Leniniste në turmë, mori përpara dhe azgjësoi miliona njerëz të pafajshëm; Ishte idollogjia e “Revolucionit Kulturol”në Kinën e Maos gjithashtu, ku mijra të rinj dhe të reja, iu vërsulën profesorave dhe pedagogëve të universiteteve dhe i tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e Pekinit, por lajthitje të këtij lloji në periudha të ndryshme ka patur edhe tek ne. E tillë përshëmbull ka qëne lëvizja e Haxhi Qamilit më 1914, kur fill mbas shpalljes së pavarësisë, fshatarë nga Shqipëria e mesme u ngritën më këmbë dhe kërkonin të sillnin përsëri “Babën”dhe qeveria komuniste e asaj kohe, për turpin e vet, e quajti atë lëvizje, si demokratike dhe udhëheqësin e saj, luftëtar të lirisë  dhe e shpalli hero; Revolucioni Fanolist i njëzet e katrës, gjithashtu, nuk mund që të quhet i pjekur, sepse u orvat të na binte bolshevizmin qysh në atë kohë dhe atë fatkeqësi që e pësuam në dyzet e katrën, do e kishim ndjerë edhe më herët, por që të dyja këto dhe të tjera, dështuan, sepse u ndeshën nga një grup patriotësh që e donin Shqipërinë, por dhe nga një popull i formuar ndryshe nga turma që krijoi diktatura dhe që në përmasa të konsiderueshme, për fat të keq, e kemi edhe sot.

Nëqoftëse një tornedo e fuqishme, rrëzon në fillim shtëpiat e ndërtuara me dërrasa, pastaj ato me tulla dhe po vazhdoi gjatë, rrezikon të shëmbë edhe ato të ndërtuara me gurë, i njëjti fenomen pothuajse ndodhi edhe me kombin tonë gjatë trysnisë komuniste dhe ishte fshatarësia fillimisht, e cila qe e para që u gënjye dhe e përkrahu atë regjim, por duke përbërë në atë kohë gati tetëdhjet përqind të popullsisë, u bë një turmë e fuqishme dhe e papërmbajtëshme që arriti të eklipsojë çdo zë apo sinjal që paralajmëronte rrezikun e asaj që po ndodhte, pikërisht të intelektualëve, patriotëtëve dhe elementit më të mirë, që faktikisht në mentalitetin tonë ne asnjëherë s’i kemi dëgjuar dhe vazhdojmë të mos i dëgjojmë.. “Kuadrat’ e parë, nëqoftëse na kujtohet, me origjinë fshati ishin dhe e quanin për mburrje kur kapnin, vrisnin apo dënonin ndonjë diversant që sakrifikonte veten për të përmbysur atë regjim, apo ndonjë fakir, që mundohej të arratisej nga ai ferr që po e pllakoste vëndin.

Shtresa tjetër që bashkëpunoi përsëri qysh në fillim me ta, s’ka dyshim, ishin hajdutët, vrasësit dhe pjesa më ordinere e shoqërisë, të cilët ai regjim sa erdhi në pushtet, i grumbulloi dhe nga që s’kishin nevojë as për instruktazh, i emëroi nëpër detyra edhe më të rëndësishme, si në ministri të brendëshme, kryetarë degash nëpër rrethe, prokurora, gjyqtarë, drejtora burgjesh, hetuesa e deri kaptera pa asnjë klasë shkollë, mjafton që të zbatonin “detyrën”e xhelatit,

E çfarë ndodhi; Vetëm për gjatë asaj periudhe, u vranë, u pushkatuan, u burgosën dhe u interrnuan dhjetëra mijë njerëz të pafajshëm, të gjithë këta elita e kombit dhe populli i mbetur në këtë mënyrë pa kokë, u transformua në një turmë të bindur, ku dominonte padija, injoranca dhe që aprovonte e ngrinte dorën për çdo krim apo marrëzi që diktatori bënte. Lufta ndaj “Armikut të Klasës” u bë motoja e kohës, që herë pas here merrte edhe koka njerzish. Përçarje që u shkaktua, s’kishte ndodhur as në pushtimin pesqind vjeçar Otoman dhe ndërsa familjet e të persekutuarve u izoluan, u lanë pa shkollë dhe tërë kohën të diskriminuara, pjesa tjetër që permëndëm, vetëm brohoriste për “fitorjet” e arritura. U brohorit kur u lanë vëllezërit tonë kosovarë në duart e Titos dhe u masakruan; U brohorit sa herë që lidhej apo prishej ndonjë miqësi; U brohorit për formimin e kooperativave, që e lanë fshatarin pa as dhe një pulë, apo kur shëmbëm kishat, xhamijat dhe tempujt fetarë; U brohorit kur u ndërtua metarulgjia “Çlirimi i dytë i Shqipërisë”, që helmoi pothuajse gjysmën e vëndit, ashtu edhe kur u ngritën ato treqind e ca mijë bunkerë që e bënë Shqipërinë, sipas tyre, “Shkëmb Graniti” U brohorit për dekada me radhë, bile edhe atëhere kur nisëm që të ushqeheshim vetëm me lakra.

Po atëhere a ishte turmë ajo, që u ngrit në nëntëdhjetën dhe rrëzoi komunizmin? Jo, studentët fillimisht, por edhe e gjithë Shqipëria dhe ishte hera e parë që mbas dyzet e pesë vjetësh, ne u bëmë edhe njëherë popull, por kjo nuk shkoi gjatë, sepse gjithçka menjëherë u manipulua dhe demokracia e aq shumë pritur, s’u realizua tamam, për të mos thënë që dështoi dhe kjo, sepse atë proces nuk e drejtoi opozita e vërtetë, që ishin të persekutuarit, të cilët o qenë akoma nëpër burgje, o të interrnuar, ose dhe jashtë, por tepër të lodhur dhe vrarë moralisht.

Pra, studentët, siç thamë, i nisën fillimisht ato revolta dhe për këtë ata kanë meritën e tyre, por për prejardhjen nga vinin (sepse të rinj nga të persekutuarit nëpër universitete nuk kishte) nuk mund që ta vazhdonin edhe më tutje dhe si rjedhim, liderit e parë që u  çfaqën në skenë, qenë po nga ata, do me thënë brezi i dytë apo i tretë i atyre që i përcaktuam në fillim dhe siç del, kemi një trashëgimi pushtetesh nga e njëjta shtresë shoqërore, ose si ç’thotë zakonisht populli, nga i njëjti klan, që e ka marë në dorë në dyzet e katrën, shtatëdhjet vjet më parë dhe vazhdon akoma ta mbajë edhe sot, por ky kontigjent, duke patur të trashëguar nga të parët, midis mjaft “veseve” edhe urrejtjen ndaj ish shtresës së tregëtarve, ish të burgosurve politikë dhe në përgjithësi ndaj ish shtresës së persekutuar,“Lufta e  klasës”,edhe pse në heshtje, përsëri vazhdon dhe nuk është e  rastit që familje me mbiemra të njohur si Toptani, Biçaku, Frashëri, Këlcyra, Vrioni, Libohova e të tjerë, të njohur nga historia si potogonistë të mjaft ngjarjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me egzistencën e kombit tonë si “Kongresi i Manastirit”, “Lidhja e Prizrenit” e deri tek “Shpallja e Pavarësisë”, nuk i sheh të emëruar në asnjë institucion shtetëror apo qeveritar dhe kjo tregon se mentaliteti komunist ende nuk është zhdukur dhe demokracia që ne presim, është akoma larg.

Mos marrja e statusit, për të tretën apo të katërtën herë, është gjithashtu një minus i. madh dhe tregon se edhe mbas njëzet e tre vjetësh, ne  nuk mundemi dot që të krijojmë shtet e të bëhemi eurpianë dhe sa më shumë që me dashje apo pa dashje vonohet ky proces, pasojat mbi popullin, do bëhen gjithmonë e më të rënda.

Filed Under: Opinion Tagged With: Hasan Kostreci, Populli dhe turma

NDOFTA JEMI PRISHUR SI GENIE!

October 21, 2013 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga periudha e komunizmit, disa ngjarje që na kanë ngelur në mendje, ndonjëherë edhe i kujtojmë; Ishte viti tetëdhjet e pesë, kur diktatori Enver Hoxha sapo pati vdekur dhe punoja në atë kohë në ofiçinën e ndërrmarjes “Rruga Ura” të Elbasanit. Normisti, një burrë i mirë, për të cilin ruaj edhe sot konsideratë, Z. Shkëmbi quhej, na njoftoi se kategoritë e larta, pra të shtatat që quheshin atëhere, meqënëse vëndi i punës, gjoja, nuk e përmbante, këtej e tutje nuk do paguheshin më dhe në ketë mënyrë nga rroga mujore, do na uleshin plot tetë qind lek. E diskutuam sëbashku ne që prekeshim nga ky vendim dhe ramë dakord që në pushimin e drekës të shkonim në drejtorinë qëndrore të ndërrmarjes e të ankoheshim. U bëmë gati dhjetë veta, shumica e të cilëve qenë me biografi të mirë, nja dy bile edhe me teste partie, ndërsa vetëm unë e kisha të nxirë dhe një tjetër diçka më pak, por kur tek dera, nga që ishin njoftuar, po na prisnin drejtori i ofiçinës sebashku me zv, sekretarin e partisë, dikush me preteksin se pati harruar diçka, u shkëput nga grupi dhe s’u kthye më, një tjetër tha se do shkonte deri në banjë, të tjerët gjithashtu s’u muarr vesh se nga vajtën dhe përpara tyre mbetëm vetëm unë dhe ai shoku, B. Çobani.

Protestë e organizuar? – më pyeti zv. Sekretari i partisë H. Marjanaku që më thirri mbas pak tek zyra e tij – nëqoftëse do njoftoja Degën e Brendëshme, ti pikërisht do e pësoje – m’u drejtua ai mua..

E përmënda këtë episod fare të thjeshtë, për të treguar se sa negativisht kishte ndikuar regjimi i atëhershëm në prishjen e karakterit dhe moralit të njerëzve,  por edhe se sa i diferencuar nga të tjerët shikohej një i persekutuar, sa që për ç’do gjë që ndodhte, ai do e pësonte i pari dhe megjithëse gjenerata e sotme këto gjëra nuk i beson, bile i quan edhe qesharake, ato janë fakte dhe shprehja se “Ç’të duhet ty që ngatërohesh me ta”, pra me këtë shtresë, ishte një porosi e domosdoshme, që i jepej çdo të riu apo të reje, jo vetëm prej organeve  përkatëse, por edhe nga vetë prindërit, pjestarët e tjerë të familjes apo dhe shoqëria

Të ardhur, pra nga një origjinë e tillë, ku dhe normat më elementare të mirësjelljes, qenë zhdukur fare nga përdorimi, si mund të pranojmë, që për një periudhë pak më shumë se njëzet vjet, ndryshuam dhe u kthyem në njerëz normalë, aq më tepër kur si edukata, e mirë apo e keqe qoftë, ashtu dhe morali, trashëgohen dhe për t’i përmirësuar ato, duhet patjetër kohë.

Po kush nga shtresat e popullsisë, mendohet se u dëmtua më shumë në këtë drejtim? Duke ditur se ideollogjia komuniste me gënjeshtrat e saj, asnjëherë nuk u përkrah nga intelektualët apo nga pjesa e formuar e kombit, prandaj dhe persekutimi mbi ta qe aq i egër dhe barbar, ishte injoranca ajo, një kontigjent që në përmasa të ndryshme e kanë të gjithë popujt, e cila, duke iu besuar dogmave të asaj ideollogjie, u bë jo vetëm përkrahëse, por dhe një forcë parësore, e cila më mbas morri në dorë edhe drejtimin e vëndit. Kjo nismë e quajur levizje komuniste, deri atëhere tek ne nuk ishte parë, prandaj dhe entuziazmi ndaj parrullave që ata lëshonin, se do hamë me lugë floriri, tërhoqi vëmëndjen e shumë njerëzve dhe sidomos të pjesës më parazitare dhe dembele të shoqërisë, të cilët nga që s’kishin ç’humbnin, u dyndën që të bashkoheshin me ta.

Po ç’ndodhi? Duke e propoganduar moralin dhe mediokritetin e kësaj pjese si model, pati pasoja mjaft negative, aq sa një njeri normal, me sjellje dhe edukatë modeste, i cili veçse përdorte shprehjet si më fal, të lutem, zonjë apo zotëri, jo vetëm që vërehej shtrëmbër, por duke e quajtur me mentalitet borgjez, shpesh edhe denoncohej.

Dhe ky fenomen dhe mënyrë veprimi vazhdoi tek ne për vite dhe dekada me radhë dhe megjithëse si shtresë e preferuar që ishte, këta u shkolluan dhe ndoqën universitet, si brënda vëndit ashtu dhe jashtë, prejardhja dhe genia e tyre nuk ndryshoi, por mbeti e njëjtë dhe elementi i dalë nga këto shkolla, më shumë ishin idhëtarë partie, se sa intelektualë.

Në vitin nëntëdhjetë, kur u ndërrua sistemi, ishte po ky kontigjent, që s’e pati për gjë të mohonte idealin e baballarëve të tyre e të përqafonin kapitalizmin; Apo armiqtë e djeshëm, t’i bënte sa hap e mbyll sytë “Miq natyralë”.Ky pra ishte morali dhe karakteri i kësaj pjese, prandaj dhe me të drejtë populli ynë shprehet se “Me keta elementë dhe me këtë përbërje, Shqipëria kurrë nuk ka për t’u rregulluar”.

Bëhet atëhere edhe njëherë pyetja; Qënka genia ajo, që ka influencuar  dhe vazhdon të influencojë kaq negativisht edhe në brezat e sotëm dhe këto çfaqje që aktualisht shohim, e paskan një domethënie! Me biografinë e shkurtër dhe të thjeshtë që i bëmë shoqërisë sonë, mendoj se kështu del, “Ishte Enveri fillimisht me Përkrahësit e Vet”, që e degraduan dhe e çuan këtë popull në fund; Qenë “Adhuruesit e Tij”, që erdhën njëri pas tjetrit mbas nëntëdhjetës në pushtet, të cilët prishën vetëm kupolat, simbolet e komunizmit, por nuk dënuan shkaktarët dhe ideollogjinë e tyre dhe tani rishtaz kemi një gjeneratë të re, që për nga mosha, i bije të kenë qënë “Pionierët e Enverit”. Eksperienca ka treguar, se atje ku“Merhumi”vinte dorë, farë të keqe, siç ishte edhe vetë, mbillte. Se sa efekt do ketë lënë tek ky brez, koha do e tregojë, por të shpresojmë që të jetë sa më i vogël, ose mundësisht hiç fare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Hasan Kostreci, jemi prishur, ndoshta, si gen

KUJTIM I NJE TANGOJE

July 26, 2013 by dgreca

            Tregim nga Hasan Kostreci /                                            

 Astriti i mbështetur  tek sedilja e vet, ishte duke shikuar në televizionin e vogël përballë, një film italian. Ora katër e mëngjesit dhe dritat brënda në  avionin  ‘Al Italia,’ akoma nuk ishin ndezur. Pothuajse  të gjithë pasagjerët po flinin, vetëm tek- tuk ndonjë si puna e tij që nuk kishte gjumë dhe shikonte televizor ose dikush tjetër që nën dritën e vogël sipër kokës, lexonte ndonjë libër. Por kishte edhe si puna e kësaj vajzës që për gati një gjysëm ore, bënte xhiro  poshtë e përpjetë midis rreshtave dhe sa herë që avioni lëkundej, ajo mbahej tek krahu apo këmbet e ndonjë që i mbledhur kutullaç dhe i mbuluar me batanije deri tek koka, ishte ne gjumin e thellë të mëngjesit. Astriti ngriti kokën dhe i hodhi asaj një vështrim, per t’i dhënë të kuptojë, se po bëhej ca e bezdisshme dhe ajo sikur ta kishte marë vesh reagimin e tij,  shkoi  për të marrë kafe në fund të avionit dhe më nuk u kthye.Per çudi, mënyra e të ecurit të saj, forma e supeve nga mbrapa dhe gjatësia, atij i shëmbëllyen me dikë, prandaj fshiu sytë, sepse mendoi mos ishte përgjumësh, u ngrit dhe e ndoqi vajzën deri në fund të avionit, ku ishte ndaluar dhe po bisedonte me stjuardesat. Priti atje gjatë mos ndoshta  ajo kthehej me fytyrë nga ai, por dikush nga mbrapa e preku  lehtazi dhe kur u kthye, pa nje grua trupmadhe, te gjatë edhe nja një pëllëmbë më shumë se ai, që dukej se ishte në ngutje për në banjë.

– Are you going to the bathroom? – E pyeti ajo dhe dhe meqënëse kalimi aty ishte mjaft i ngushtë, Astriti  u detyrua të kalojë ne rreshtin tjeter, erdhi përqark dhe u ul përsëri në sediljen e vet,

‘Do e shikoj më mirë, kur të kthehet’, mendoi dhe për çudi në moment ndjeu emocione.“Ajo ishte tamam Antonieta” i tha vetes.

“Po ti harron, se kanë  kaluar gati dyzet vjet qysh  atëherë,”e kundërshtoi.“dhe Antoneta, ashtu si edhe ti, tashti është plakur”

“Atëhere ka shumë mundesi, që kjo të jetë e bija,  konkludoi, nëqoftëse edhe përballë ka vërtet tiparet e saj” prandaj drejtoi trupin, fiku televizorin sepse nuk po kishte dëshirë të merrte vesh përfundimin e filmit që pati ndjekur dhe provoi që të flejë.

   Kishte kohë që nuk e pati zënë në gojë atë emër dhe pati kujtuar se koha kishte bërë të vetën dhe e kishte fshirë gjithçka nga kujtesa, prandaj dhe u habit me vetëveten për këto reagime gati të pa kontrolluara, që po bënte. U ngrit përsëri dhe nisi të kontrollojë aq sa mundej neper rreshta. Qetësia iu prish dhe nuk po mundej të qëndronte dot në një vend. Shkoi edhe një herë  deri në fund të avionit dhe u kthye.

“Mos ndofta ka kaluar  nga ana tjetër dhe nuk e pashë”, qetësoi veten, por njerëzit në këtë kohë filluan që të lëvizin dhe ai po behej i bezdisëshëm.

– Excuse me, Sir! – i foli tek veshi përsëri  e njejta grua, por këtë rradhë i erdhi nga ana e kundërt.

Ajo bllokoi gati të gjithë kalimin dhe Astriti u detyrua që të ngrihej në majë të gishtërinjve, deri sa i hapi asaj rrugë të kalonte.

   Por për çudi, në këtë çast ai nuk donte ta imagjinonte Antonetën të plakur si ç’ishte edhe vetja e tij. Emocionet, që iu krijuan ishin për atë që pa tani: E gjatë me supe të drejta, mesin e hollë dhe flokë kaçurrela, të prera shkurt. Tamam si Antonetën që kish njohur kur ajo qe vajzë. Do të donte që ta shikonte Netën të re dhe të freskët ashtu  si  dikur.

U orvat t’u binte edhe një herë rreshtave përqark, se mos ndoshta e shikonte të ulur, por ishte akoma errësire dhe pjesa më e madhe e pasagjerëve flinin. 

    “Në qoftë se është ajo, që mendoj unë, do ta takoj me siguri ne aeroportin e Romës, në Fiumiçino” – e qetësoi se fundi veten dhe u ul, mbylli sytë dhe   kujtimet e disa dekadave më parë filluan ta ngacmojnë ….

 Ishte viti gjashtëdhjetë  e gjashtë; Astriti, në atë kohë, ishe njëzet e katër vjec dhe punonte si mësues në fshatrat e Gramshit.

– Këtë vit do kesh për drejtoreshë një vajzë nga Korça, që porsa  ka mbaruar Institutin – e ngacmoi nje shok, qe u takuan ne restorantin e vogël të qytetit  – Ishte goxha vajzë, ja ke për ta parë nesër në mbrëmjen që do bëjnë arsimtarët me rastin e fillimit të vitit – i tha ai dhe i luajti syrin –  Lum ti!

 Të kombinuarit me një kolektiv të mirë për një vit të gjatë shkollor, për mësuesin, ishte diçka shumë e rëndësishme dhe ata mezi e prisnin listën e emërimeve, që zakonisht dilte nga mesi i Gushtit.

 Astriti mbahej si një djalë i qetë dhe i përmbajtur, kishte shoqëri edhe me vajza të bukura nga Elbasani apo edhe nga Korça, që patën ardhur kohët e fundit, por për çudi për këtë  që ia përshkroi shoku, po ndjente emocione dhe mezi po e priste ditën e nesërme që ta takonte.

 Mbrëmja e arsimtarëve u organizua jashtë, në lulishte, sepse edhe koha ishte e ngrohtë dhe e bukur. Astriti u ul në tavolinë sëbashku me një mësues të moshuar, porositën të dy nga një gote birrë, një pjatë me mëlçi te ngrohta dhe filluan të pijnë. Orkestra e hapi me një tango të qetë dhe arsimtarët që ishin në pritje për të goditurën e parë të tastjerës së fizarmonikes, u sulën drejt vajzave që i patën piketuar që më parë.

U deshën disa sekonda që grumbuli i madh në qendër të sistemohej dhe në pistën e vallzimit mbetën ata më të shkathtit që kishin zënë për mesi damat e tyre dhe po kërcenin, ndërsa të vonuarit u kthyen në tavolinat e tyre të mërzitur.

 Papritur, një vajzë e panjohur  u afrua tek ata dhe e ftoi Astritin për të kërcyer.

– Është detyra ime – i  tha ajo me të qeshur – që të njihem me mësuesit, me të cilët do të punoj këtë vit shkollor.

Astriti u turbullua, sepse nuk e priste që prezantimi me drejtoreshën  të bëhej në këtë mënyrë. Por më shumë e turbulloi edhe pamja e saj që për çudi, ishte ashtu siç e kishte imagjinuar; E gjatë si vajza që pa pak më parë, me flokë të shkurtëra, të dredhura dhe   fytyrë ëmbël.

 – Po të kërkoja sot paradite. – shtoi ajo duke kërcyer –  sepse më kanë folur mirë për ty dhe isha kureshtare që të njhnja.

 – Edhe unë gjithashtu. – iu përgjigj ai duke i u marrë pak fryma dhe më gjatë nuk mban mënd se çfarë biseduan, por vetëm di që atë tango e shijoi shumë  dhe ndjeu disa emocione të vecanta, që nuk i pati provuar ndonjëherë.

  Mbrëmja tradicionale  e arsimtarëve per të, ishte vetëm ajo tango.

   U permënd nga ato kujtime të shumë viteve të kaluara, kur pa se kishte aguar dhe stjuardesat po sillnin me karrocë mëngjesin. U ngrit më këmbë, shikoi edhe njëherë përqark për  vajzën, por  nuk ia zuri syri asgjëkundi.

 Sa mbaruan së ngrëni, kapiteni nga qëndra e zërit njoftoi se po uleshin në Romë.

Astriti zbriti shkallët e avionit, mori autobusin urban dhe u ul në sallen e pritjes në Fiumiçino. Hodhi edhe një herë sytë rreth e rrotull dhe përvec shqiptarëve, pa edhe mjaft të huaj që shkonin në Shqipëri për biznes apo turizëm. Vuri valixhen e vogel midis këmbeve dhe nxori të lexoje gazeten ‘The New York Post’, që e pati marrë me vete që kur u nisën.

 “Me duket, se paskam gabuar” arsyetoi, “Ajo vërtet ngjante me atë që mendoj unë, por kjo nuk do të thotë që…..

   Mendimi iu ndërpre, kur befas drejt tij po vinte vajza e gjatë simpatike, që pa në avion, duke mbajtur për krahu një grua të moshuar. Ato u ulën në një ndënjëse fare pranë dhe  Astriti u ngrit që  t’i ndihmonte, por  ato nuk e vunë re respektin e tij. 

 “Sa paska rënë! ,tha me vete, kur dalloi Antonetën e vërtetë që iu duk jo vetem e plakur, por ndofta edhe e sëmurë. I erdhi mjaft keq dhe pa dashje, e krahasoi me vajzën në krah, e cila ishte ajo që i ngacmoi imagjinatën dhe e lidhi me ato kujtime të hershme.

 “Ka kaluar shumë kohë dhe  sigurisht që gjithçka është harruar’, i tha vetes.

 – Nëna bëri para nje jave një operacion të rëndë në Amerikë – po i shpjegonte vajza një shqiptareje aty afer.

 – Si duket ai e paska lodhur mjaft të shkretën, sepse nuk ta jep përshtypjen, se është edhe aq e vjetër – i sugjeroi bashkëfolësja.

 –Nëqoftëse bëhet më mirë, kemi qejf që të shtunën t’ia festojmë në Tiranë gjashtedhjetëvjetorin – vuri buzën  në gaz e bija dhe hodhi syte nga e ëma, që vazhdonte të rrinte akoma me sy të mbyllur.

“Unë pra, e kam njohur atë kur ishte jo me shumë se njëzet e dy apo njëzet e tre vjeçe” mendoi Astriti, që i kapi veshi bisedën, “Afërsisht, aq sa mund të jetë  vajza e saj,  tani’.

   Ndjeu në shpirt  një trishtim ndofta për gjithë këto vite që kishin kaluar dhe u drejtua  tek bufeja për  të pirë diçka, por bashkë me kafen, u kujtua dhe pagoi edhe për një kartolinë, që e zgjodhi tek vitrina në ballë. U ul përsëri në  stol dhe po mendonte tekstin, se si do ta shkruante; “Të uroj ditëlindjen dhe të shëroheni sa më shpejt. Nga një mik i hershëm i rinisë tënde!”  Poshtë i vuri emrin e tij.

 Iu afrua vajzës së re që ishte duke parë një revistë dhe përpak sa desh i thirri ‘Antonetë’.

 – Dëgjova pa dashur, se nesër nëna juaj ka ditëlindjen – i tha dhe u emocionua akoma më shume kur ajo u ngrit dhe i qëndroi atij përballë, tamam si dikur e ëma që e ftoi atë për të kërcyer atë tango –  A ka mundësi t’ia jepni, kur të zgjohet, këtë kartolinë urimi nga unë? – E pyeti dhe për momentin iu duk sikur ajo do afrohej dhe do i vinte dorën e saj tek supi i tij për të kërcyer.

Vajza me mirësjellje ia mori kartolinën dhe e falenderoi, por pak e habitur për gjestin e këtij burri të moshuar dhe për më tepër të pa njohur. E përcolli atë me sy deri sa ai mori valixhen, që e kishte lënë pak me tutje dhe me hap të ngadaltë, u largua.

 Mbas pak filloi  hyrja dhe avioni i vogël, që u mbush  shpejt, nuk vonoi që të ngrihej. Astriti mbështeti kokën në dritare dhe po shikonte poshtë kaltërsine e detit Adriatik, që vënde – vënde ishte i mbuluar nga mjergulla……..

   Miqësia e tyre, qysh në javët e para mbas fillimit të atij viti, filloi të trashej dhe ai po ndjente për të ashtu si edhe ajo, çdo ditë e më shumë. Ishte vajzë  e mirë, e dashur, e edukuar dhe komunikimi i tyre sa vinte e po bëhej më i këndëshëm. Bile, Antoneta, nuk u shqetsua edhe aq, kur mori vesh biografinë e tij jo të mirë, ndërsa për Astritin ajo ishte një problem i madh, që një ditë me siguri do u krijonte atyre hendeqe në të ardhmen. Bile ajo filloi e para ta urrejë atë, kur ndjeu dhe kuptoi  shkëputjen dhe ftohjen e ngadaltë të tij, gjë, që pikërisht donte të arrinte edhe Astriti  pavarësisht,  se ajo ishte kundër  dëshirës dhe ndjenjave  të tij.

 Avioni bëri disa lëkundje të zakoneshme dhe ai u pëmënd, por meqënëse edhe një natë më përpara nuk kishte fjetur mirë,mbylli grilën anësore, mbështeti kokën dhe fjeti. 

    U përmënd nga zhurma e udhëtarëve, që ishin duke qëndruar  në rradhë  për të zbritur Pra, kishin mbërritur në aeroportin’ Nënë Tereza.’ dhe ai  shpejtoi hapin  të priste për një çantë të madhe, që e kishte futur në bagazh. Në sallë kishte mjaft pasagjerë, që po drejtoheshin për tek dalja. Ktheu kokën dhe  midis tyre, pa Antonetën plakë te  ulur në karrocë me kartolinen që i dhuroi ai në dorë dhe nënë e bijë hidhnin sytë rreth e përqark duke kërkuar për dikë.

– Do ta takoj. – tha se fundi i vendosur dhe po priste për bagazhin, që i erdhi pak me vonesë. Çau me zor njerëzit, që i kishin zënë rrugën dhe sa doli përjashta, e trëmbi boria e një taksie, që i kaloi gati tek këmbët. Ngriti i revoltuar sytë për t’i folur shoferit të pakujdesëshëm, por u step kur në krah të tij pa Antonetën, mikeshën e tij të vjetër dhe mbrapa nje burrë të moshuar sëbashku me “Antonetën” vajzë.

  Ngriti pa vetëdije dorën që t’i ndalonte, por asnjë nga ata nuk e vuri re; Makina mori kthesën me shpejtësi dhe doli jashte aeroportit.

Ndejti  aty gjatë pa levizur duke shikuar tymin e bardhë që makina la mbrapa dhe kur u përmënd, pa se përqark ishte qetësi dhe aeroporti pothuajse ishte boshatisur.

“ Duhet ta kisha takuar! – tha me vete – Ne kemi qënë vërtet miq të mirë bashke”

  Hodhi çantën e rënde krahëqafe dhe me hap te ngadaltë, u drejtua  nga autobuzi i linjës, që po priste udhëtarët e fundit që shkonin për  Tiranë…..

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hasan Kostreci, Kujtim i asaj tangoje

TË VLERËSOJMË ATO Ç’KA KEMI ARRITUR DHE TË MOS BËJMË EKSPERIMENTE!

June 11, 2013 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

Brezat e sotëm dhe sidomos gjeneratat e reja, kohën pesëdhjet vjeçare të komunizmit e konsiderojnë ndonjëherë si një periudhë tepër të largët që ka ekzistuar vite përpara dhe duke e quajtur kështu, problemet që shohim sot tek shoqëria apo politika jonë shqiptare, ia veshin më shumë natyrës së kombit tonë, që s’ka patur dhe s’ka ende kulturë, prandaj dhe problemet që kemi apo na krijohen, vijnë vetëm nga ky fakt, por në realitet, mendoj, që ky konkluzion i tyre është i gabuar dhe tregon se kjo rini nuk e ka ende të qartë, se ç’ishte komunizmi dhe ç’pasoja i la ai shoqërisë sonë.

Kur një profesor po u fliste një ditë studentëve të tij pikërisht për këtë temë dhe ata nuk po e kuptonin, iu drejtua njërit prej tyre që ishte shumë mirë në mësime; Pse nuk heq ti disa pikë nga notat e tua dhjeta që ke marë gjatë vitit dhe t’ia japësh dikujt tjetri që është në rrezik dhe mund të ngelë? Si mund ta bëj unë këtë, iu përgjigj ai, i kam fituar me mund dhe djerrsë, ndërsa ai s’e ka vrarë mëndjen fare dhe është dembel. E po ja, pra ky është parimi themelor i komunizmit, u tha profesori, dhe që të arrihet kjo, i afti, i zoti apo dhe i pasuri duhet të sakrifikohen, në mënyrë që të barazohen me dembelët, të pa aftët dhe parazitarët e shoqërisë. Çudi, iu përgjigjën studentët, tani vërtet e kuptuam, se ç’qënka në realitet kjo ideollogji.

Kjo pra ishte pikërisht edhe praktika, që u ndoq tek ne për gati pesëdhjet vjet dhe ndërsa shtresa e pa aftë dhe parazitare që përmëndëm në atë shëmbull, e stimuluar sigurisht edhe nga ai parim, u shtua në përmasa të mëdha, numuri i njerëzve të kualifikuar dhe me ambicje, që në çdo komb, përbëjnë ajkën e shoqërisë, gjithmonë e më shumë vajti duke rënë dhe masa e madhe e shoqërisë e mbetur mediokërr, e cila nga ai sistem u quajt “Njeriu i Ri”, dominoi të gjitha institucionet e asaj periudhe, duke filluar që nga politika, arësimi e gjihçka tjetër dhe kur me këtë përbërje në nëntëdhjetën u ballafaquam me demokracinë, e cila si bazë zhvillimi, ka garën dhe konkurencën, në vënd që kjo pjesë pa nivel dhe e ngritur artificialisht, të spostohej ose të paktën për një kohë, të dilte e mënjanuar, ndodhi ndryshe; Të përkrahur nga kasta e vjetër, ende e fuqishme, ata në forma më shumë të dyshimta kapën ekonominë, mediat, më vonë edhe politikën dhe kur kjo dukuri, u çfaq edhe më e qartë, bëri që më tepër se një milion e ca shqiptarë, mjaft prej tyre rini, njerëz të ndershëm dhe intelektualë, që supozohej me ta këtej e tutje të ndërtonim demokracinë, të zhgënjyer nga ky realitet, morrën rrugën e emigracionit.

I përmënda shkurtimisht të gjitha këto, jo dhe aq për ne moshën e vjetër, sepse i dimë fare mirë dhe s’i kemi harruar, por për gjeneratat e reja, të cilët, duke mos e njohur këtë histori dhe duke mos ditur njëkohësisht edhe se si rodhën tek ne ngjarjet, shprehen se i tillë është populli ynë, prandaj dhe nuk bëjmë dot shtet, por çdo kombi nëqoftëse do t’i presësh kokën, që në këtë rast janë ata që përmëndëm pak më lart, i njëjti fenomen kish për të ndodhur dhe fakti, që edhe sot mbas njëzet e ca vjetësh, nga sondazhet e bëra, del se e majta shqiptare dominon në shoqërinë tonë, tregon se vazhdimësia e transmetimit, por edhe e infektimit nga ajo ideollogji, jo vetëm që nuk është penguar, por vazhdon të përhapet ende edhe tek brezat pasardhës dhe ky bilanc asnjëherë nuk ka për të ndryshuar, deri sa mjaft ish mësuesë, pedagogë apo punonjës të ndryshëm të asaj administrate komuniste, do jenë ende në aktivitet. Por kjo gjeneratë ama duhet të kuptojë se e majta për të cilën ne po flasim, nuk është as e majta Italiane, Franceze apo Suedeze, por e majtë Shqiptare, e cila prejardhjen dhe historinë e saj ende të freskët, e ka mjaft të dyshimtë dhe pavarësisht se paraqitet si e distancuar nga mëma e tyre, majaja e asaj ideollogjie, siç po e shohim, po të hyri, është e vështirë mjaft, pastaj që të dalë.

Besoj, të gjithëve na kujtohet komedia “Prefekti”, që çfaqej në atë kohë nëpër skenat e teatrove tona dhe kur gruaja që i erdhi Qazim Mulletit në zyrë për t’i falur të birin e futur në burg, ky e pyeti; Sa kohë ka moj zonjë djali juaj që është futur? Tre muaj zoti Qazim, Po edhe tre ditë të qëndrosh me komunistët, bëhesh komunist dhe jo pastaj tre muaj.

E zura edhe këtë shëmbull, për të treguar se nga ajo ideollogji, nuk jemi mashtruar vetëm neve, por edhe miliona të tjerë nga vënde të ndryshme të botës, por duke ditur se parimet e saj, mbeten gjithmonë po njësoj, ashtu si ç’u tha edhe profesori në fillim të këtij artikulli, studentëve të vet, t’i ruhemi dhe të kemi kujdes që të mos e pësojmë edhe njëherë.

Jemi përpara zgjedhjeve dhe sentimetalizmi që ju të rinjtë keni në përgjithësi, të mos u rrëmbejë. Të vlerësojmë ato çka kemi arritur dhe të ecim më tej, por jo ndryshime të mëdhaja, sepse ndonjëherë atyre t’ua kesh edhe frikën.

Filed Under: Komente Tagged With: c'kemi arrite, Hasan Kostreci, jo eksperimente, te vleresojme

RËNDËSIA E FAKTORIT POPULL

March 31, 2013 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

Në momente të caktuara dhe kyçe të historisë sonë, faktori popull ka luajtur një rol të madh dhe tepër të rëndësishëm. Duke kujtuar periudhën e pushtimit otoman, qenë kryengritjet dhe revoltat e herë pas herëshme popullore të krahinave të ndryshme, të cilat mbajtën gjallë shpirtin dhe shpresën se një ditë do fitonim lirinë dhe në se kjo më 1912 u arrit, qenë sakrificat e patriotëve, por gjithashtu dhe të faktorit popull, i cili bëri të mundur realizimin e atij qëllimi. Ishte faktori popull gjithashtu, që u bëri ballë tendencava shoviniste të disa shteteve fqinjë, të cilët si gjatë Luftës Ballkanike, ashtu dhe më vonë, kanë patur ndaj nesh gjithmonë qëllime grabitqare dhe këto e shumë të tjera të nxjerrin në konkluzion, se kur populli organizohet dhe drejtohet për mirë, bën mrekullira, por kur bije në duar të këqija dhe manipulohet, ai kthehet pastaj në një turrmë të pa kontrolluar që bije trazira dhe sjell në pushtet individë, shoqëri apo sisteme të pa dëshërueshme.

Komunizmi përshëmbull lindi dhe u përhap fillimisht në Rusi, tentoi të depertonte edhe në perëndim, por nuk gjeti terren dhe u dëbua; Hyri e diktuar me forcë nga ushtria e kuqe në shtetet e lindjes, ndërsa në Shqipëri, për çudi, ajo u prit me dëshirë dhe krah hapur. Pse ndodhi kjo, sepse ata që e kuptuan se ç’ishte ajo doktrinë, qenë shumë të pakët në krahasim me shtresën e pa emancipuar fshatare, e cila bënte në atë kohë përqindjen më të madhe të popullsisë dhe e gënjyer nga premtimet e tyre, ajo u bë dhe faktor për fitoren e saj. Revolucionet në përgjithësi kanë për qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, por në se në mjaft vënde perëndimore, ky fenomen gjithmonë ka dështuar, e kundërta ka ndodhur në Rusi , në Kinë, në Kubë dhe në disa vënde të Afrikës apo Amerikës Latine, të cilëve kjo ideollogji u ka ardhur për shtat dhe e kanë përqafuar. Edhe Enveri pikërisht “Kllasën” përdori për të marë pushtetin dhe po atë ai ndërseu gjithashtu për të azgjësuar intelektualët dhe kundërshtarët e tij politikë, prishi dhe shkatërroi vlerat e historisë, kulturën, institucionet fetare dhe nga që “e donte dhe e kishte për zëmër aq shumë”, po nga ‘Kllasa”, ai mblodhi gjithë teneqexhijtë, furrxhijtë, shoferat, karrocierët, mjelëset e lopëve dhe i bëri pushtetarë.

Pra, në se në një kohë më të herëshmë, me veprimet dhe pjekurinë e tij, populli ynë ka lënë emër të mirë dhe ka bërë histori, qysh kur u përfshi nga ideollogjia komuniste, e cila, siç thamë, prioritet i dha vetëm injorancës, ai pësoi transformim dhe çdo dukuri intelektuale,  jo vetëm që nuk i lihej hapësirë, por përkundrazi zbehej, për të mos thënë më saktë që edhe kërcënohej dhe shkaku që treguesit edhe mbas dy dekada të shëmbjes së tij,  nuk janë edhe aq pozitivë, tregon se dëmi dhe shpërbërja e vlerave të kësaj popullsie që doli nga ai regjim, qe tepër i madh.

Megjithatë, nuk mund të themi se populli sot është po ai i viteve nëntëdhjetë, i cili tregoi kurajo dhe trimëri të përmbysë komunizmin, por nuk kishte eksperiencën e duhur të ndërtonte demokracinë dhe fakti që mjaft nga ata me prejardhje, por edhe me mentalitet komunist, u lanë në aktivitet edhe në procesin e ri, tregon se me dashje apo pa dashje ai bëri gabime, të cilat na kanë kushtuar dhe vazhdojnë akoma të na kushtojnë. Por, nëqoftëse për atë periudhë, nuk mund të fajësohet, sot, kur kanë kaluar njëzet e ca vjet, ai duhet të jetë një faktor kryesor dhe mban përgjigjësi për çdo tregues që shkon apo nuk shkon mirë dhe këtë ai e korigjon me votën që ka në dorë, të cilën jo vetëm duhet ta vlerësojë, por edhe ta hedhë atje ku duhet.Vëndet që sot ne i shohim me demokraci të stabilizuara, për të ardhur deri këtu, u ka dashur mjaft mund e djersë, prandaj të heqim dorë sa më parë nga interesat vetjake dhe të shohim të mirën e kombit.

“Duhet ndërruar sistemi”, dëgjojmë që përsërisin disa, por në realitet, mendoj, se duhen ndërruar njerëzit, sepse janë pikërisht këta që krijojnë turrbullira dhe pengojnë zhvillimin apo integrimin e vëndit.

Shtresa e persekutuar, e cila është prezantuesja e vërtetë e të djathtës, nuk e ka atë gjallërinë dhe aktivitetin e viteve të para dhe arësyeja qëndron, sepse u mungon uniteti. Protestën e bërë nga ata katër fatzinj vitin e kaluar, dy nga të cilët përfunduan edhe në vdekje, prej tyre u quajt e paarësyeshme dhe i braktisën, po ndonjë “më të arësyeshme”, për të kërkuar ato të drejta që u takojnë dhe u është mohuar, nuk po i shohim. Intelektualët, gjithashtu, tek të cilët populli ka patur dhe ka gjithmonë shpresa, s’i kanë ato vlera, të cilat kemi kohë që s’i shohim dhe çmallemi vetëm duke i gjetur në ndonjë libër historie, i cili flet për periudhat që thamë pak më lart.

Me anëtarsimin në “Nato”, nga ndonjë trazirë e llojit të 97tës apo 21 Janarit, meqënëse rebelizmin e kemi në gjak, s’mendohet që të përsëriten, kështu që  t’ia lemë ato veprime ordinere të kaluarës dhe të tregohemi këtej e tutje më europianë.

Shpresojmë, pra që zgjedhjet e ardhëshme të zhvillohen paqësore, sepse kështu do justifikohemi jo vetëm me të huajt, por dhe me vetë -veten.

Filed Under: Opinion Tagged With: e faktorit, Hasan Kostreci, popull, rendesia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT