NGA HASAN KOSTRECI/
Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga periudha e komunizmit, disa ngjarje që na kanë ngelur në mendje, ndonjëherë edhe i kujtojmë; Ishte viti tetëdhjet e pesë, kur diktatori Enver Hoxha sapo pati vdekur dhe punoja në atë kohë në ofiçinën e ndërrmarjes “Rruga Ura” të Elbasanit. Normisti, një burrë i mirë, për të cilin ruaj edhe sot konsideratë, Z. Shkëmbi quhej, na njoftoi se kategoritë e larta, pra të shtatat që quheshin atëhere, meqënëse vëndi i punës, gjoja, nuk e përmbante, këtej e tutje nuk do paguheshin më dhe në ketë mënyrë nga rroga mujore, do na uleshin plot tetë qind lek. E diskutuam sëbashku ne që prekeshim nga ky vendim dhe ramë dakord që në pushimin e drekës të shkonim në drejtorinë qëndrore të ndërrmarjes e të ankoheshim. U bëmë gati dhjetë veta, shumica e të cilëve qenë me biografi të mirë, nja dy bile edhe me teste partie, ndërsa vetëm unë e kisha të nxirë dhe një tjetër diçka më pak, por kur tek dera, nga që ishin njoftuar, po na prisnin drejtori i ofiçinës sebashku me zv, sekretarin e partisë, dikush me preteksin se pati harruar diçka, u shkëput nga grupi dhe s’u kthye më, një tjetër tha se do shkonte deri në banjë, të tjerët gjithashtu s’u muarr vesh se nga vajtën dhe përpara tyre mbetëm vetëm unë dhe ai shoku, B. Çobani.
Protestë e organizuar? – më pyeti zv. Sekretari i partisë H. Marjanaku që më thirri mbas pak tek zyra e tij – nëqoftëse do njoftoja Degën e Brendëshme, ti pikërisht do e pësoje – m’u drejtua ai mua..
E përmënda këtë episod fare të thjeshtë, për të treguar se sa negativisht kishte ndikuar regjimi i atëhershëm në prishjen e karakterit dhe moralit të njerëzve, por edhe se sa i diferencuar nga të tjerët shikohej një i persekutuar, sa që për ç’do gjë që ndodhte, ai do e pësonte i pari dhe megjithëse gjenerata e sotme këto gjëra nuk i beson, bile i quan edhe qesharake, ato janë fakte dhe shprehja se “Ç’të duhet ty që ngatërohesh me ta”, pra me këtë shtresë, ishte një porosi e domosdoshme, që i jepej çdo të riu apo të reje, jo vetëm prej organeve përkatëse, por edhe nga vetë prindërit, pjestarët e tjerë të familjes apo dhe shoqëria
Të ardhur, pra nga një origjinë e tillë, ku dhe normat më elementare të mirësjelljes, qenë zhdukur fare nga përdorimi, si mund të pranojmë, që për një periudhë pak më shumë se njëzet vjet, ndryshuam dhe u kthyem në njerëz normalë, aq më tepër kur si edukata, e mirë apo e keqe qoftë, ashtu dhe morali, trashëgohen dhe për t’i përmirësuar ato, duhet patjetër kohë.
Po kush nga shtresat e popullsisë, mendohet se u dëmtua më shumë në këtë drejtim? Duke ditur se ideollogjia komuniste me gënjeshtrat e saj, asnjëherë nuk u përkrah nga intelektualët apo nga pjesa e formuar e kombit, prandaj dhe persekutimi mbi ta qe aq i egër dhe barbar, ishte injoranca ajo, një kontigjent që në përmasa të ndryshme e kanë të gjithë popujt, e cila, duke iu besuar dogmave të asaj ideollogjie, u bë jo vetëm përkrahëse, por dhe një forcë parësore, e cila më mbas morri në dorë edhe drejtimin e vëndit. Kjo nismë e quajur levizje komuniste, deri atëhere tek ne nuk ishte parë, prandaj dhe entuziazmi ndaj parrullave që ata lëshonin, se do hamë me lugë floriri, tërhoqi vëmëndjen e shumë njerëzve dhe sidomos të pjesës më parazitare dhe dembele të shoqërisë, të cilët nga që s’kishin ç’humbnin, u dyndën që të bashkoheshin me ta.
Po ç’ndodhi? Duke e propoganduar moralin dhe mediokritetin e kësaj pjese si model, pati pasoja mjaft negative, aq sa një njeri normal, me sjellje dhe edukatë modeste, i cili veçse përdorte shprehjet si më fal, të lutem, zonjë apo zotëri, jo vetëm që vërehej shtrëmbër, por duke e quajtur me mentalitet borgjez, shpesh edhe denoncohej.
Dhe ky fenomen dhe mënyrë veprimi vazhdoi tek ne për vite dhe dekada me radhë dhe megjithëse si shtresë e preferuar që ishte, këta u shkolluan dhe ndoqën universitet, si brënda vëndit ashtu dhe jashtë, prejardhja dhe genia e tyre nuk ndryshoi, por mbeti e njëjtë dhe elementi i dalë nga këto shkolla, më shumë ishin idhëtarë partie, se sa intelektualë.
Në vitin nëntëdhjetë, kur u ndërrua sistemi, ishte po ky kontigjent, që s’e pati për gjë të mohonte idealin e baballarëve të tyre e të përqafonin kapitalizmin; Apo armiqtë e djeshëm, t’i bënte sa hap e mbyll sytë “Miq natyralë”.Ky pra ishte morali dhe karakteri i kësaj pjese, prandaj dhe me të drejtë populli ynë shprehet se “Me keta elementë dhe me këtë përbërje, Shqipëria kurrë nuk ka për t’u rregulluar”.
Bëhet atëhere edhe njëherë pyetja; Qënka genia ajo, që ka influencuar dhe vazhdon të influencojë kaq negativisht edhe në brezat e sotëm dhe këto çfaqje që aktualisht shohim, e paskan një domethënie! Me biografinë e shkurtër dhe të thjeshtë që i bëmë shoqërisë sonë, mendoj se kështu del, “Ishte Enveri fillimisht me Përkrahësit e Vet”, që e degraduan dhe e çuan këtë popull në fund; Qenë “Adhuruesit e Tij”, që erdhën njëri pas tjetrit mbas nëntëdhjetës në pushtet, të cilët prishën vetëm kupolat, simbolet e komunizmit, por nuk dënuan shkaktarët dhe ideollogjinë e tyre dhe tani rishtaz kemi një gjeneratë të re, që për nga mosha, i bije të kenë qënë “Pionierët e Enverit”. Eksperienca ka treguar, se atje ku“Merhumi”vinte dorë, farë të keqe, siç ishte edhe vetë, mbillte. Se sa efekt do ketë lënë tek ky brez, koha do e tregojë, por të shpresojmë që të jetë sa më i vogël, ose mundësisht hiç fare.