• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vjena,vendqëndrimi e vendveprimi i Hasan Prishtinës

January 6, 2014 by dgreca

Shkruan: Hazir MEHMETI/Vjenë/

    Pa dyshim, njëra nga figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare, është Hasan Prishtina. Njëkohësisht njëra nga figurat më të anatemuara,  krahas At Gjergj Fishtës, si nga regjimi komunist në Shqipëri, po ashtu  në territoret etnike shqiptare të  pushtuara nga sllavët e grekët. Derisa pushtuesit ia kishin frikën idealeve të tij për liri e bashkim kombëtar, komunistët në Shqipëri nuk donin të dëgjonin për ide të bashkimit dhe lirisë për çka kishte punuar deri në vdekje Hasan Prishtina.

Në Kosovë, në vitet 70- ta, filloi një fazë shprehje e trimëruar pas disa ndërrimeve në aparatin e shtetit pushtues, kjo u reflektua edhe  në rikujtimin e figurave patriotike shqiptare edhe pse vazhdonte  gjenocidi e shtypja e egër nga regjimi  sllav mbi popullin shqiptar. Filloi të shkruhej më guximshëm nga disa intelektualë të kohës, edhe pse ata shpesh e paguanin me burgime të rënda, deri në burgun mё famëkeq tё quajtur Goli-Otok, një ishull ky në det, i zotëruar vetëm nga gjarpërinjtë e nga hije figura njerëzish.

Ndërkaq, në shtetin amë, Hasan Prishtina, ideatori, luftëtari e organizatori i kryengritjes për liri e pavarësi vazhdon akoma të  trajtohet nga fryma e vjetër komuniste e antishkencore. Aq më keq, tani kur do tё shënojmë 100- vjetorin e Pavarësisë, për çka Hasan Prishtina ishte njeriu më meritor. Akoma në tekstet, rrethet kulturore, shkencore, historike nuk u shkrua dhe dënua ashtu si duhet akti tradhtar i vrasjes së tij, i dënimit të tij me vdekje nga shteti amë i asaj kohe,  për të cilin Hasani dha çdo gjë. Derisa shtetet: Bullgaria, Serbia e Turqia e dënuan me vdekje kolosin e lëvizjes kombëtare, shteti shqiptar e dënoi disa herë me vdekje dhe tradhtisht e vrau, pas shpine, ashtu qysh nuk vret shqiptari. Kjo tradhti kombëtare ishte tragjike për kombin ndërsa fitore e madhe e qarqeve armike sllavo-greke.

Historia e jonë e fillim shekullit të njëzet ndryshe do të dukej pa Hasan Prishtinën, trurin e lëvizjes kombëtare shqiptare të kohës. Ai ishte largpamës me veprimet e tij. Kryengritjen politike e  ideore e filloi në parlamentin turk, duke u kacafytur haptas me deputetët armiq, guximshëm tregoi hapur se: ,,Do ngjitem në Drenicë dhe do mbathë opingat”  e luftës deri në lirinë dhe bashkimin e trevave shqiptare. Çka edhe do të ndodhë. Nga presioni i Hasan Prishtinës, në Parlamentin Turk, si deputet që ishte, për  lirinë e përdorimit të alfabetit shqip, me 2 gusht 1911 do të detyrohet Parlamenti Turk ta njoh përdorimin e alfabetit shqip në shkollat private në Shqipëri. Nga ky hap do vije hapi tjetër, po në të njëjtin vit, i deklarimit të vet qytetarëve shqiptarë, se në cilin alfabet dëshironin të mësonin. Hasan Prishtina, krahas përgatitjes për kryengritjen gjithëkombëtare për Pavarësinë e Shqipërisë mori iniciativën në Stamboll, të themelohet komisioni në Klubin Qendror  për mbledhjen e kontributeve të duhura për mbajtjen e Normales së Elbasanit. Ky Tempull i Diturisë ishte më i dashuri dhe i shenjtë për Hasan Prishtinën, për mirëvajtjen e tij shkriu tërë pasurinë e vet, filloi punën tek në mars të vitit 1912.

Vjena,  veprimtaria e  Hasan Prishtinës

Vjena, qendër jo vetëm në kuptimin gjeografik e Europës por edhe politike e ushtarake do tё jetë vendi ku Hasan Prishtina do qëndroi herë pas herë me ndërprerje, duke filluar nga prilli i vitit 1913, kur lirohet nga burgu i Kalemegdanit në Beograd.  Ai e donte jetën aktive në shërbim të çështjes kombëtare, për çka territori i Austro-Hungarisë ishte më i volitshëm se sa vendlindja e pushtuar nga ushtritë armike serbe, bullgare e malazeze. Vjena ishte në atë kohë qendër e refugjatëve  politik shqiptarë,  të cilët  kishin themeluar  grupin politik në Vjenë me emrin ,,Indipendent”, me të cilët Hasan Prishtina do të takohet.

Disa nga vendarët që e njohën Hasanin, ishin të mrekulluar me virtytet e tij prej burri dhe patrioti. Ishte këmbëngulës dhe i  pathyeshëm kur është në pyetje interesi i bashkimit kombëtar. Në kontaktet me Hasan Prishtinën u shqua familja e ushtarakut të lartë Modestus Urban dhe gruaja e tij Marie Urban, me të cilën kishin në pronësi ëmbëltoren në Vjenë, ku ajo punonte.  Vjena është vendi ku Hasan Prishtin përjetoj shumë kundërthënie e peripeci  të vazhdueshme. Jeta e tij nuk ishte aspak e lehtë. Kundërshtarët politik të tij tani ishin kundërshtarë  armiq dhe me çdo kusht donin vrasjen e tij. Për këtë qëllim u dërguan në Vjenë pesë atentatorë njëri pas tjetrit. Falë fatit dhe trimërisë së Hasan Prishtinës dhe  gruas së tij, Igballe Prishtina, Vjena nuk u bë varri i Hasanit nga pesë atentatorët e dërguar nga Ahmet Zogu dhe qarqet tradhtare të frymëzuara nga Esat Pashë Toptani. Për këtë do të shkruan gazeta shqiptare ,,Ora e Shqipnisë” dhe gazeta vjeneze ,,Neue Feie Presse” në vitin 1928. Atentatorët e dërguar në Vjenë: Pjetër Kallmati, Ibahim Lika- Lisi, Kruja, Hasan Sedi, Ibrahim Tabaku, si duket edhe i gjashti Hasan Kosova. Të gjithë këta brenda (nëntor 1927 deri në prill 1928)  një viti.

Hasan Prishtina, apostull i shkollimin kombëtar

Largpamësia e Hasan Prishtinës u pa me qëndrimin e tij ,,Arsimi është shpirti i një kombi”.

Duke e ditur gjendjen e mjerueshme të popullit analfabet ai u angazhua me të gjitha forcat në themelimin e shkollave shqipe dhe arsimimin e shqiptarëve kudo që ndodhën. Dhe, ishte i veçantë në fushën e arsimit kombëtar. ”Kontributi i tij për zhvillimin e arsimit kombëtar është i madh dhe nuk mund të gjendet krahasim, jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në historinë e popujve tjerë” (M. Pirraku, historian).

Ai, me këmbëngulësinë, oratorinë dhe pastërtinë si deputet i Prishtinës në Parlamentin Turk, bëri që të aktualizohet arsimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe. Me financimin e tij privat ai hap shumë shkolla, i ndihmoj shumë nga ato që ishin themeluar më parë. Duke e ditur se Vjena ishte qendër e kulturës, vendfillimi i albanologjisë, mbajti lidhje të vazhdueshme me intelektual që vepronin aty. Në përpjekjet e tij për hapjen e shkollave shqipe, Hasan Prishtina do shprehej: ,,arsimi është shpirti i kombit”, andaj e ndihmoi gjithkund ku ishte nevoja. Shembuj të tillë janë pjesë e përditshmërisë së tij.  Pasi vetё e  themeloi orkestrën frymore në Vushtrri, me mjetet e tij materiale, ai dërgoi në Vjenë për të blerë instrumentet muzikore Izet Badivukun, Latif Agë Fonden dhe Abit Novolanin.

Në vitin 1931 ai i shkroi nga Vjena  sekretarit të përgjithshëm te Shoqatës së Kombeve, Enrik Drunandit në Romë, ku pika e parë i kushtohet shkollave shqipe: ”Afër një milion shqiptarë të banuar në Kosovë dhe Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla me mjete private”.

,,Hasan Prishtina, çështjen e arsimit të popullit e shtronte  më parësoret të shtetit. Në këtë ishte shumë konkret dhe praktik, duke u nisur nga vetja. Ai ndanë 5% nga të ardhurat e tij për arsim. Kjo shumë ishte e lartë dhe e siguronte mbajtjen e dhjetë shkollave në Kosovë dhe 60 nxënës nga Kosova në Normalen e Elbasanit”.

,,Ai ishte personaliteti më kryesor dhe më me autoritet në vendosjen e alfabetit.  Në Parlamentin Turk, rreth formës së alfabetit,  do përgjigjet: ,,Ç’duhet bërë do ta bëjmë, sepse qëllimi ynë është vetëm për fitim të atdheut…Hasan Prishtina u printe ithtarëve për alfabetin latin. Për këtë sahanlëpirësit e kuzhinës turko- arabe, që për alfabet e merrnin atë arab, Hasanin e quanin spiun të Vjenës. Nga ana tjetër Hasan Prishtina nga rilindësit e kohës siç ishte Josif Bageri,  konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare. Lufta e Hasan Prishtinës njihej edhe jashtë tokave etnike shqiptare, qё nga Amerika e largët. Ndërkaq, Hil Mosi, i cili ishte përfaqësues i  qendrës kulturore shqiptare ,,Dija” në  Vjenë, i fton bashkatdhetarët të merrnin ,,për shembull ndershmërinë e deputet të Prishtinës,  i cili pasurinë e tij e përdor për lulëzimin e kombit, e kështu pasi që do vdesim një herë, emri i juaj do të rrojë i pa vdekur, gjersa të rroj Shqipëria”.

Hasani Prishtina në Vjenë e ndihmon materialisht botimin e revistës ,,Djalëria”. Ai kishte gjetur në Vjenë, një grup studentësh shqiptarë, të cilët kishin mbetur në gjendje të keqe materiale. U ndihmon atyre, duke ua hequr të gjitha shpenzimet dhe ishte interesuar për t’ua zgjedhur problemet e shkollimit në tersi”. Akti i tij i shkrimit të Testamentit të fundit, kur ishte i rrethuar nga tradhtarët e kombit të dërguar nga Zogu, me të cilën tërë pasurinë e tij qё disponoi, qё nga Stambolli, Selaniku, Shkupi, Prishtina, Tirana, Vushtrria, ia lёnte shkollës kombëtare, tregon se ai ishte apostull i shenjtë i shkollës kombëtare.Hasan Prishtina kudo që shkoi shndriti me punën e tij, qëndrimin e tij prej burri e patrioti. Kёshtu ngjau edhe në Vjenë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Hasan Prishtina, Hazir Mehmeti, Vjena-vendqendrimi

HASAN PRISHTINA E KA VENDIN MBI KALANË E SHKUPIT

January 1, 2014 by dgreca

 Shkruan: Prof.Dr.Vebi Xhemaili/

Hasani u lind në vitin 1878 në qytetin e Vushtrrisë (Vuçitërnë) Gjyshi i tij, Ali Berisha. Deri në vitin 1908 ai njihej me mbiemrin ’’Polaci’’, dhe Vuçitërni, ndërsa pas atij viti, zgjidhet deputet i Prishtinës, që atëherë, njihet me mbiemrin ’’Prishtina ’’. Ka mendime që Hasan Prishtina deri në vitin 1908 është quajtur Berisha.[1] E ëma ishte një bijë nga Drenica. Ahmeti kishte dy djem: Hasanin dhe Ymerin. As i pari, as i dyti nuk lanë trashëgimtarë, Hasan Prishtina kohën e vrasjes, jetonte në Selanik vetëm me nënën.[2]

Lëvizja kombëtare e popullit shqiptar mori dimensione të gjera dhe formë të organizuar  nga mesi i vitit 1908, kur u lidh fuqishëm me Lëvizjen Xhonturke. Fakti se Nijazi beu një ndër udhëheqësit kryesor të revolucionit të Turqve të rinj ishte shqiptar, falë autoritetit të tij shumë shqiptarë kanë marrë pjesë në këtë lëvizje e cila më vonë u shëndrua në revolucion të armatosur. Në këtë kohë gati tërë Lëvizja kombëtare shqiptare ishte afruar dhe ndihmonte me të gjitha format Lëvizjen xhonturke, duke shpresuar se pas ardhjes së tyre në pushtet do të largohej rreziku i agresionit të jashtëm për tokat shqiptare. Në këtë kohë Lëvizja kombëtare ishte e bindur se populli shqiptar  do të fitoj autonominë në kuadër të Perandorisë Osmane. Prandaj shqiptarët në lëvizjen xhonturke u inkuadruan me tërë forcat veta dhe ishin faktor me rëndësi në këtë revolucion.

 KONTRIBUTI I HASAN PRISHTINËS NË PARLAMENT

Pas shpalljes së kushtetutës, në vjeshtë të atij viti, turqit e rinj bënë zgjedhjet parlamentare. Hasan Prishtina u zgjodh deputet në Prishtinë. Gjithsej u zgjodhën 27 deputetë shqiptarë nga të katër vilajetet, por mjerisht, vetëm katër prej tyre u aktivizuan seriozisht për çështjen kombëtare shqiptare: Ismail Qemali, Nexhip Draga, Shahin Kolonja dhe Hasan Prishtina, këta u angazhuan deri në fund në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.[3] Të tjerët i mbyti fanatizmi, assesi të çliroheshin nga osmanizmi.  Hasan Prishtina deklaronte :”qëllimi i vetëm i Lëvizjes sonë Kombëtare Shqiptare është me sigurue shpëtimin e kombësisë sonë…dhe me shpëtue Shqipninë nga fatkeqsinat e mjerimit qi ka heq dorë sot.[4]

Oratoria e mbrehtë, temperamenti i tij në parlamentin turk tregojnë se ky ishte i përgatitur dhe i gatuar me frymën kombëtare, liridashës i popullit të tij. Ky burë i palodhshëm në parlamentin turk, duke luftuar si burrat për lirinë dhe kulturën e popullit të vetë pati plot sfida në jetën e përditshme, por gjithmonë ishte kryelartë, pasi pranë vetes pati edhe në momentet më të vështira, më kritike të shoqen Iballën deri në vdekjen  e saj. Hasan Prishtina Kaloi një jetë të rëndë të  mundimshme me plot sakrifica. Gjatë kohë ishte i përndjekur, i burgosur, i mërguar, i dënuar në mungesë me vdekje mbi 12 vjet, si nga qeveria xhonturke, jugosllave, poashtu edhe nga qeveria e Ahmet Zogut. Hasan Prishtina kurë nuk ka pasur frikë nga kanosjet, përfshirë këtu edhe jetën. Ky ishte i mëshiruar me luftën e popullit shqiptar për liri demokraci e pavarësi, ai ishte i përgatitur për lutë si me pendë poashtu edhe për armë.

KONTRIBUTI I HASAN PRISHTINËS PËR SHKOLLAT SHQIPE     

Pas shpalljes së Kushtetutës në vitin 1908, qeveria u detyrua, në fillim, t’i lejojë shqiptarët të hapin disa shkolla në gjuhën shqipe, të krijojnë klube, të shtypin gazeta në qendrat kryesore të vilajeteve. Hasani u përpoq në maksimum që të hapen sa më shumë shkolla e klube shqiptare në Kosovë, ku bënte pjesë edhe Shkupi. Ai dha një kontribut të madh për organizimin e kongreseve, si atë të Manastirit më 1908, për krijimin e alfabetit me orientim latin, që kundërshtohej nga qeveria osmane, të cilës i parapëlqente vetëm alfabeti arab. Për themelimin shkollave shqipe kombëtare në Kosovë (Shqipëria Lindore), ndihmesë të madhe ofroi  Klubi shqiptar i Shkupit i themeluar me iniciativën e Hasan Prishtinës në vitin 1908.[5]

Ndërsa vetë, Hasan Berisha (Prishtina), ishte një ndër anëtarët më autoritativ të Klubit Shqiptar Qendror “Bashkimi”, të Stambollit, ku Hasan Prishtina luante rolin e organizatës qendrore për Shqipërinë. Ai përfaqësonte Vilajetin e Kosovës, ndërsa detyra parësore e këtij klubi ishte  të punonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare për arsim kombëtar shqiptar.[6]

Me këmbënguljen e Hasan Prishtinës, në gjimnazin e Shkupit u fut edhe gjuha shqipe si gjuhë më vete, me profesorë Bedri Pejanin e Sali Gjyka. I pari ishte edhe mësues dhe mbante edhe postin e drejtorit të Idadies, ndërsa Sali Gjuka ishte mësues dhe njëherrit edhe drejtor i Normales së Shkupit. Por politika xhonturke i largoi nga procesi mësimor si të papërshtatshëm për politikën që ushtronin xhonturqit, Hasan Prishtina protestoi ashpër për largimin  e mësuesve shqiptar nga procesi mësimor. Hasan Prishtina në këtë kohë ishte plot vizion për çlirimin e kombit, prandaj ai insistonte  “Në zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare e cila do të krijonte kushte për çlirimin  Shqipërisë Etnike. Hasan Prishtina i indinjuar thellë në vendimet e padrejta antishqiptare të ministrisë të Arsimit të Qeverisë turke. Ky me një letër fton të gjithë nëpunësit shqiptarë të Anadollit që me nga një rogë të ndihmojnë shoqërinë “Përparimi”, për shkollën Normale. Poashtu këtë veprimtari kombëtare për shkollën shqipe të Hasan Prishtinës, shkruan edhe Faik Konica në gazetën “Flamuri”.[7]

Hasan Prishtina ishte kolos i shkollës shqipe për arsim kombëtar. Ai filloi programin e kongresit të Elbasanit ta jetësonte në praktikë. Ky në kazanë e Gjilanit vendosi të hapë tri shkolla shqipe, me mjetet e veta. Një e kishte hapur që më parë në vendlindje, në Vushtri dhe një tjetër në Polacë të Drenicës.[8] Këtë aktivitet kombëtar hasni e vazhdoi duke hapur shkolla të reja një në Moravë dhe një në Gjilan dhe një në Pozharan.[9]

Hasan Prishtina arsimin kombëtar e konsideronte si detyrë të shenjtë të çdo shqiptari. Prandaj shpesh deklaronte:” pa arsimin kombëtar një komb si ky i yni mund të shkrihet”. Prandaj Hasan Prishtina u zotua të japë 5% nga të gjitha të ardhurat që ka në vit.[10] Me këto të holla që ky atdhetar i kishte ndarë për arsimim kombëtar nuk ishte i vogël, me këto mjete ai mund të mbante nja dhjetë shkolla shqipe në Kosovë dhe ti shkollonte në Normalen e Elbasanit më se 60 nxënës nga Shqipëria Lindore.[11] Ndihmat e mbledhura dhe paratë që shtiu vetë për normalen, e kaluan shifrën e 50 mijë lirave turke. Poashtu këtë kontribut të Hasan Prishtinës për shkollat dhe nxënësit shqiptarë e konfirmon edhe gazeta “Lirija” e Selanikut.[12]

Por për fat të keq të kërkesave të Hasan Prishtinës dhe patriotëve tjerë pushteti xhonturk në vitin 1910 e mbylli shkollën Normale të Elbasanit. Mbyllja  e shkollave shqipe ishte zbatuar sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit ku thuhej: “Qeveria dha urdhër të mbyllen mësimoret në Shqipëri, për shkakun, se në këta u mësimi u epet me shkronja latine dhe pse mësuakan myslimanët shqiptarë të premten. Në këto rrethana ku sipas qeverisë turke ishin antikushtetuese  u ndalua aktiviteti kulturor dhe u mbyll shkolla Normale e Elbasanit.[13] I pari ndër të parët që reagoi ashpër nga shqiptarët ishte Hasan Prishtina, i cili në parlament tha “të mos të ndalohet të hapurit e shkollave shqipe.[14] Pas këtyre protestave të deputetëve shqiptarë ministria e arsimit dha urdhër që të rihapen përsëri shkollat shqipe në katër vilajete. Për këtë u gëzuam shumë.[15] Normalja e Elbasanit u rihap përsëri më në vitin 1912.[16] Rihapja e shkollave shqipe, e klubeve shqiptare dhe e Normales së Elbasanit, shënon fitoren e fundit të luftës së gjatë legale diplomatike të Hasan Prishtinës në Parlamentin e turk. Por një herrit edhe fillimin e Kryengritjes të Shqipërisë Verilindore i cili ishte vetë udhëheqës.[17]

Hasan Prishtina për shkak  të veprimtarisë patriotike nuk gjente rehati në asnjë vend evropian, ai tani më ndiqej edhe nga qeveria austriake, e cila i kishte përmirësuar marrëdhëniet me Jugosllavinë. Në këtë kohë edhe Zogu pas forcimit të tij në pushtet, kërkonte nga shtetet fqinje që Hasan Prishtia të dëbohet nga vendet e tyre. Ky atdhetar i palodhshëm për bashkim kombëtar, kur e pa se iu ngushtua rrethi i veprimit në Shqipëri, vendosi të strehohet në Francë, por ishte larg vendlindjes. Ky për të qenë më afër rrethanave politike që në këtë kohë e kishte kapluar Kosovën u vendos në Selanik. Por edhe këtu ishte gjithmonë në vëzhgim të spiunazhit jugosllavo-zogist.

Më në fund pas katër atentateve të organizuara kundër tij, Hasan Prishtina u vra tradhtisht më 14 gusht 1933 në Selanik nga një doras i paguar nga Amet Zogu Ibrahim Qelo.[18]  U vra në shërbim të atdheut të tij, në luftën e pa epur për bashkimin e të gjitha trevave shqiptare në një shtet të pavarur, të lirë dhe të bashkuar. Vrasja tradhtare e tij kishte lidhje sekrete edhe me qeverinë jugosllave, sepse ajo kishte frikë nga shkëputja e Shqipërisë Lindore.[19]

Vdekja e Hasan Prishtinës është një humbje e madhe për popullin dhe kombin shqiptar, siç shprehet Sami Frashëri, “Njeriun e bëjnë të pavdekshëm veprat e tij”.[20]  Veprat e Hasan Prishtinës janë të përjetshme, do të jenë përherë shembull frymëzimi për gjeneratat e reja për të sakrifikuar veten, në luftë për liri e bashkim kombëtar. Prandaj Hasan Prishtina është meritor të qëndroj mbi kalanë e  Shkupit, pasi ky kolos shqiptarë për këtë është meritor. I dha Shkupit më shumë se çdo shqiptarë tjetër deri më sot. Ndërsa tjerët që janë propozuar andej lumit Vardar, kurrë se kanë parë Shkupin, e për vepra të tyre në Shkup, mos të flasim, pasi e dinin se Shkupi gjithmonë ka qenë kryeqendra e shqiptarëve dhe u takon shqiptarëve.

Prandaj shatorrja Hasan Prishtinës duhet të shkëlqejë mbi kalanë e Shkupit, në një lartësi mbi 100 metra, që vepra e tij atdhetare gjithmonë të shkëlqejë mbi Shkupin, pasi flijoi çdo gjë për Shkupin dhe Shqipërinë Lindore. Me Krerët e Lëvizjes Kombëtare për shkaqe të jashtëzakonshme e pranuan autonominë në Shkup. Pasi në tetor filloi lufta,  pavarësia u shpall në Vlorë, nga dora e  Ismail Qemalit, sipas marrëveshjes paraprake me Hasan Prishtinën.

Kontributi i Hasan Prishtinës për zhvillimin përparimin, avancimin e arsimit kombëtar që shkriu tërë pasurinë e tij që kishte në Vushtri,  Prishtinë, Shkup, Selanik, Stamboll e gjithkund.[21] Hasan Prishtina me veprimtarinë e tij do të jetë gjithmonë model frymëzimi për brezat e rij, u vra nga dora e tradhtarit, edhe pse  shkriu tërë pasurinë e tij për bashkimin kombëtar. Ky u vra pse luftoi për zhvillimin  arsimit kombëtar dhe çlirimin e Shqipërisë Verilindore nga sunduesit serbo-sllav, në luftë për bashkimin e saj me shtetin amë.

Prandaj ky burrë i madh i kombit, nuk krahasohet; as me të birin e Ahmet Delisë, as me figurën e Qemal Agollit, por as me Adem Jasharin i cili luftoi për Kosovën. Vetëm Hasan Prishtina luftoi në Shkup, për Shkupin dhe Shqipërisë Etnike.

 



[1] Familja Prishtina  ka prejardhje nga fshati Polac i Drenicës, ndërsa kjo familje në Vuçitërnë erdhi nga Mikushnica, fshat afër Galicës dhe Lubovecit, të grup fshatrave të qytetit të Dubovcit.

[2] Shkëlzen Raça, Disa të dhëna të shtypit grek për vrasjen e Hasan Prishtinës, “Rilinda”, më 12.X.1985.

[3] Historia e popullit shqiptar, Tiranë 1994, f. 130.

[4] AQSH-Tiranë, F.418, Dos, 8, f. 9.

[5] Gazeta “Fjala”, Prishtinë 1969, f.16-17.

[6] Gazeta “Beogradske novine”, 28.VIII.2008.

[7] “Flamuri”, Boston 10, III, 1910, Tahir Abdyli…, vep. e cit.  f. 79.

[8] Tahir Abdyli, vep. e cit. f. f.300.

[9] Po aty.

[10] “Bashkimi i Kombit”, nr. 13,  Manastir, më 3 dhjetor 1909.

[11] Tahir Abdyli, vep. e cit. f.69.

[12] “Lirija”, e Selanik, nr. 73,  më 30 janar 1910.

[13] “Shqipeja e Shqipnisë”, nr.7, më 27 nëntor dhe nr.8, më dhjetor 1910.

[14] “Shkreptima”, nr.11, kajro, më 11(24), XII.1910.

[15] AQSH-Tiranë,  Fond. 37, dos, 7, f. 20.

[16] Gazet “Shkupi”, nr.33,  1(14), prill 1912.

[17] S.Kulçe, Osmanli tarihide, Izmir 1944, f. 412-440.

[18] Ajet Haxhiu, v. e cit. f. 10; Hasan Prishtina u vra ditën e diel në ora 14 pas dite  në rrugën Simski. Në varrimin e tij morën pjesë shumë shqiptarë, shumica ishin emigrantë shqiptarë, që kishin ikur nga regjimi i Ahmet Zogut. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar. Ky mjerisht pas vete nuk la asnjë trashëgimtar

[19] Gjerësisht Shkëlzen Raça, Disa të dhëna të shtypit grek. Tahir Abdyli, Hasan Prishtina vep. e cit. f. 367.

[20] Sami Frashëri, Vepra, Prishtinë 1978, f. 15.

[21] Tahir Abdyli, vep. e cit. f. 241.

Filed Under: Featured Tagged With: Hasan Prishtina, Vebi Xhemali

HASAN PRISHTINA: ”KY DASHAMIR I BËN NJË NDER TË MADH AMËS SHQIPËRI…”

August 13, 2013 by dgreca

E kujtojme me rastin e 80-vjetorit te vrasjes-( 1873-14.08.1933)/

Ne Foto: Me një grup bashkatdhetarësh, me banim në Suedi, para shtatores së Hasan Prishtinës (Tiranë, 29 Nëntor 2012)/

Nga:Prof. MURAT  GECAJ/

 ”…Mue, në idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue, ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!”  (H. Prishtina)

1.

Përsëri erdhi data përkujtimore e atij gushti të paharruar dhe që lëndoi shumë zemra shqiptarësh. Ajo lidhet me emrin e nderuar të atdhetarit të madh Hasan Prishtina. Krahas figurave tjera të shquara atdhetare, si Bajram Curri, për atë kam dëgjur të flitet me dashuri e respekt, që në fëmijëri e rini, atje në vendlindjen time, Malësi e Gjakovës (Tropojë). Më pas, u njoha më mirë me jetën e tij, në vitet e studimeve universitare. Ndodhi që, kur punoja redaktor në gazetën ”Bashkimi”, në vitet ’70-të të shekullit të kaluar dhe i sollen eshtrat e tij në Shqipëri e i rivarrosën në Kukës, shkova atje për të bërë një shkrim. Ai u publikua, me titullin e një vargu të rapsodisë popullore, thurur ato ditë: ”Prapë, na erdh’ Hasan Prishtina!…”. Dhe ja, përsëri tani, kemi detyrim ta kujtojmë e ta nderojmë atë, për ndihmesën e gjithanshme ndaj Atdheut e Kombit tonë.

Të gjithë ne, tani ndiejmë krenari të ligjëshme edhe kur e dimë se, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, u vendosën me ceremoni shtatore të tij, në Tiranë, Prishtinë e Shkup.

 

2.

Ishte data 14 gusht e vitit 1933. Hasan Prishtina, figurë e njohur e lëvizjes për liri e pavarësi, kishte dy javë që ndodhej ne Selanik (Greqi), me misionin e lartë  atdhetar që të pengonte me çdo kusht shpërnguljen e kosovarëve për në Anadoll të Turqisë, pas marrëveshjes së bërë ndërmjet qeverive serbe e osmane. Duke kaluar qetësisht nëpër një rrugë të atij qyteti, ai u godit pas shpine tradhtisht, me pesë plumba vdekjeprurës, nga një agjent i paguar, dorë e stërgjatur e armiqve të tij dhe gjithë popullit shqiptar. Tek rrëzohej si lisi përtokë, në moshën 60-vjeçare, ai burrë i madh i Kosovës kreshnike dhe i mbarë Shqipërisë, ndoshta vetëtimëthi, përsëri solli ndërmend betimin solemn, që kishte bërë para popullit e Atdheut, të cilin e mbajti me nder deri në fund të jetës: ”…Mue, në idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue, ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!”

Në jetën e tij prej luftëtari të paepur, ai u ndoq këmba-këmbës nga armiqtë e shumtë e pabesë, të cilët i bënë katër atentate dhe e dënuan gjashtë herë me vdekje, në mungesë. Por, megjithatë, nuk u përkul as nuk u ndal asnjëherë në rrugën e nisur në shërbim të mëmëdheut, siç e dëshmon edhe kënga popullore kushtuar atij: ”S’ të shtroi ari i tanë mbretnive,/ s’ të lidhën leqet e tradhtive…”.

3.

Lindi në qytetin Vuçiternë të Kosovës, më 1873, pra 140 vjet më parë. Familja e tij ishte shpërngulur në atë qytet nga fshati Polanc i Drenicës, krahinë e njohur për qendresën shumëvjeçare për liri e pavarësi. Mësimet e para i përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në një kolegj francez të Selanikut dhe të lartat për drejtësi, në Stamboll. U rrit dhe u edukua njeri i zgjuar e luftëtar, nga i ati dhe e ëma, në djepin e popullit kryengritës të asaj krahine. Kështu, mësimet e para atdhetare, që mori në familje dhe më vonë në shkollë, ai i vuri në shërbim të çlirimit e bashkimit kombëtar. Periudha, kur u rrit e u burrërua Hasan Prishtina, ishin vitet e zjarrta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nga i ati kishte trashëguar pasuri jo të vogël, por atë e përdori për blerjen e armëve në shërbim të kryengretjes së përgjithshme antiosmane të viteve 1910-1912 dhe,  në vijimësi, për çeljen e shkollave shqipe.

Me penë e me pushkë, me fjalë e me diplomaci, kudo ku u ndodh, ndërmjet miqësh e armiqësh, Hasan Prishtina nuk pushoi asnjëherë të propagandonte dhe të përpiqej për të venë në zbatim idenë e tij: çlirimin e bashkimin e Atdheut të robëruar dhe zhvillimin e tij. Me fjalën e ëmbël e të guximshme dhe me artikujt e tij në shtypin e kohës, zgjonte ndërmjet popullit e rinisë kosovare ndjenjat e atdhedashurisë, urrejtjen e thellë ndaj pushtuesve e tradhtarëve.

Hasan Prishtina u bë luftëtar aktiv edhe për gjuhë  e shkollën shqipe, të cilat i vlerësonte si faktorë të domosdoshëm për zgjimin dhe forcimin e ndjenjave kombëtare. Vetë u kujdes që 50 djem kosovarë të shkonin për të vazhduar mësimet në shkollën Normale të Elbasanit dhe të bëheshin mësues për shkollat në gjuhën amtare në Kosovë. Ashtu si rilindësit e tjerë, punoi me ngulm kundër ndasive fetare e krahinore, kundër vllavrasjeve e gjaqeve. Në vitin 1908, ishte nismëtar për tubimin e 30 mijë kosovarëve në Ferizaj dhe mbështeti Kongresin e Manasitrit për alfabetin, që e kemi në përdorim  sot. Deputet në Parlamentin xhonturk (1908), në moshën 35-vjeçare doli në opozitë, bashkë me  disa deputetë të tjerë, atdhetarë shqiptarë. Shtypi i kohës shkruante: ”Ky dashamir (H.Prishtina,-shënimi ynë) i bën një nder të madh amës Shqipëri, për të cilën ai është gati të bëhet theror”. Duke u ngritur me forcë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, në Parlamentin xhonturk protestoi energjikisht kundër premtimeve të tyre boshe dhe barbarizmave në Kosovë. ”Deputeti kryengritës, që kërcënon Sulltanin”, siç e quajtën qeveritarët e kohës dhe shtypi xhonturk, pa iu trembur syri aspak, brenda në Parlament, e quajti kriminel gjeneralin xhelat Durgut Pasha. Siç do të shkruante vetë H. Prishtina më pas, në vend të një kolltuku me turp të Stambolit, zgjodhi rrugën e ndershme, kryengritjen në  male, ndërmjet popullit trim e liridashës të Kosovës.

4.

Pas Kuvendit historik të Junikut, në majin e vitit 1912, të prirë nga atdhetarët e trimat luftëtarë, Bajram Curri e Isa Boletini, u vendos të lidhej besa për kryengritjen e përgjithshme, kundër sundimit osman. Me zemra të ndezura e me besim të plotë në fitoren përfundimtare mbi armiqtë  pushtues, kryengritësit shqiptarë rendnin me armët krahut, duke kënduar: ”Besa-besë, nji herë kemi thanë,/ ty, Shqipni, na të kemi nanë;/ besa-besë, nji herë kemi thanë:/ për Shqipni, jetën duem me dhanë!”. Ismail Qemali gjithnjë i kujtonte fjalët, që i tha Hasan Prishtina, kur biseduan për fillimin e kryengritjes së përgjithshme: ”Hasan Beg, i besoj fetarisht karakterit të zotnisë sate. Ky besim më ka shtyrë me i shkrue në zemër ato fjalë, që i përdorove sot në Parlament, tue thanë:-Kam me kenë njeni e  ndoshta i pari i atyre, që kanë për ta ngrehë flamurin e kryengritjes”.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, Hasan Prishtina u caktua ministër i  Bujqësisë, në Qeverinë e Vlorës. Në vitin 1915, ishte në ballë të kryengritjes së Lumës e Hasit (Kukës), kundër pushtimit serbo-malazez. Në vitet e pushtimit austriak e internuan në Vjenë, bashkë e me Bajram Cuirrin

Gjithnjë i papërkulur e me besim të madh në forcë e popullit tonë trim e liridashës, për vite me radhë Hasan Prishtina qëndroi në krye të lëvizjes atdhetare për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, me anën e kryengritjes së armatosur, me shpresë të madhe se një ditë Kosova do të ishte zonjë në truallin e vet të stërlashtë amtar. Ai nuk u pajtua asnjëherë me aneksimin e Kosovës nga monarkia shoviniste serbe. Si deputet i prefekturës së Drinit, në Parlamentin e parë shqiptar (1921), mbrojti me zjarr të drejtat e popullsisë shqiptare të krahinës së Dibrës dhe të mbarë trojeve amtare, si në Maqedoni e Kosovë, duke demaskuar masakrat e  shovinistëve, që synonin të shuanin ndjenjat liridashëse dhe t’i serbizonin ato krahina. Për ”drejtësinë” serbe ai shkruante: ”…asht i vetmi vend në botë, ku bëhen vrasje në prani të gjyqtarëve, të cilët heshtin!”

Pas krizës qeveritare dhe rrëzimit të qeverisë së P.Evangjelit, në dhjetor 1921 Hasan Prishtina u caktua kryeministër i Shqipërisë dhe në përbërje të Qeverisë caktoi figura të njohura të Kombit tonë, si: Fan Noli, ministër i Jashtëm; Zija Dibra, ministër i Brendshëm; Hoxha Kadriu, ministër i Drejtësisë; Bajram Curri, komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë etj. Shpejt u ndërlikuan rrethanat nga kundërshtarët e tij politikë dhe H. Prishtina u detyrua të jepte dorëheqjen, por asjëherë nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij atdhetare. Kështu, në vitet 1922-1923, së bashku me ”Dragoin e Dragobisë”, Bajram Curri, drejtuan Lëvizjen fshatare në Veri, kundër vendosjes së diktaturës, me thirrjen luftarake: ”Në shtatë e në shtatëdhjetë!”. Në atë periudhë, ministria e Luftës urdhëronte, me anë të një telegrami, vartësit e saj në Malësi: ”Ata, qi kanë guxue me i mbajtë apo arratisen me ta (H.Prishtina me shokët e tij,-shënimi ynë), të ndiqen e të dënohen, sikurse vetë kryengritësit”. Por ata nuk u trembën as e ulën ritmin e kundërshtimit ndaj qeverisë në Tiranë dhe gjetën strehë në ”Shpellën e pushkëve” apo në ”Stanin e Hasan Prishtinës”, në Malësinë e Gjakovës(Tropojë) e kudo në ato krahina.

Shtypi i kohës, duke çmuar lart veprën e tyre atdhetare, shkruante: ”Të mos ishte Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, me disa shokë të tjerë, s’do të bëhej kurrgjë as për gjuhë as për Shqipëri”. Sa domethënëse ishin dhe fjalët, që deklaroi vetë Hasan Prishtina në Parlamentin shqiptar, pas rrëzimit të qeverisë demokratike të Fan Nolit: ”Shqiptarit nuk mund me ja lidhë gojën jo dyfeku, por as topi!”

Kundërshtarët e ndiqnin me ngulm dhe donin ta kapnin ”kryet e gjarpërit”, siç e quajtën ata H.Prishtinën. Por populli i donte dhe i mbronte me besnikëri prijësit e vet, pra dhe ai, ndërmjet tij, gjeti forcë e papërkulshmëri. Bashkë me atdhetarë të tjerë, Hasan Prishtina e përkrahu pa rezerva Revolucionin e Qershorit 1924. Në shtator të atij viti, bashkë me Bajram Currin, shkroi në Gjenevë, si përfaqësues i ”Komitetit për mbrojtjen e Kosovës”, ku protestuan energjikisht në Lidhjen e Kombeve, kundër barbarizmave serbe në Kosovë.

Mbas dështimit të Revolucionit, në dhjetor të vitit 1924, shumë demokratë mërguan jashtë Atdheut, ndër të cilët ishte dhe H. Prishtina. Por edhe atje nuk e ndali veprimtarinë e tij për të mirën e popullit, të Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë. Nën drejtimin e tij, u themelua dhe vazhdoi, për disa vjet me radhë, veprimtarinë politike jashtë vendit ”Komiteti i çlirimit të Kosovës”. Ai u lidh ngushtë me lëvizjet përparimtare të popujve të tjerë, në luftë kundër rregjimeve shtypëse të Ballkanit dhe politikës së tyre antishqiptare, sidomos kundër politikës shoviniste të kralëve të Jugosllavisë, që përpiqeshin me çdo mjet ta kolonizonin dhe serbizonin Kosovën e pamposhtur.

5.

Në vitin 1929, Hasan Prishtina i dërgoi një peticion ”Lidhjes së Kombeve”, ku jepte fakte e dëshmi të shumta për pozitën skllavëruese të shqiptarëve në Kosovë. Gjithashtu, aty argumentonte qartë politikën e shfarosjes së shqiptarëve nga qeveria shoviniste jugosllave: ”…Qeveria e shteti serbo-kroato-slloven e trajton këtë popull të rrënjosur në tokën e tij, siç trajtoheshin në kohët e largata të lashtësisë, fiset e mundura dhe të skllavëruara. Shqiptarët janë dëbuar nga tokat e tyre, nga trualli i tyre aq stërgjyshor, i vaditur me gjakun e djersën e tyre; ata janë shtërnguar ta braktisin atë…ndërkohë që qeveria serbo-kroato-sllovene e ndanë pasurinë e tyre në mes të serbëve, malazezëve dhe emigrantëve rusë”. Por fjalët e tij shkuan në vesh të shurdhër, prandaj përsëri iu drejtua ”Lidhjes së Kombeve”, në mbrojtje të të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës.

Protestat e ashpra dhe të vendosura të H.Prishtinës e ruajtën aktualitetin e tyre, deri në vitin 1998-1999,, kur mbi popullsinë shqiptare të Kosovës vazhdonin të  rëndonin si malet:  shtypja e diskriminimi i rregjimit serb, gjendja e diferencuar ekonomike dhe, në përgjithësi, politika nacionaliste shoviniste serbe.

            6.

Vrasja pas shpine e H.Prishtinës, 80 vjet më parë, shkaktoi dhimbje e zemërim në mbarë popullin shqiptar, ndërsa armiqtë fërkuan duart nga gëzimi. Shtypi i huaj i kohës shkruante: ”U zhduk njëri prej armiqve më me rëndësi të politikës serbe në Shqipëri” dhe se ai, ”si politikan  energjik, që ishte, nuk ndenji kurrë i qetë, por mori pjesë në të gjithë çështjet, që i përkisnin fatit të Shqipërisë”.

Jeta e Hasan Prishtinës është ajo e një atdhetari të papërkulur, e mbushur me përpjekje dhe sakrifica të panumarta, me synimin që t’i shihte Kosovën e Shqipërinë të bashkuara e të përparuara, me ekonomi, arsim e kulturë  të zhvilluar, në rrjedhat evropiane. Janë aq domethënëse fjalët e tij, se për tokën amtare nuk duhet kursyer asgjë: ”Bajmë be e lidhim besën e burrave, se kemi me ba çfarëdo flije, në kurban kjoftë nevoja!…”

Veprimtaria e lartë atdhetare e ”Luanit të Prishtinës”, ”deputetit kryengritës” etj., siç është cilësuar ai, ka lënë gjurmë të pashlyera ndër brezat. Ndonjë pseudohistroian është munduar të shfaqë mëdyshje për këtë figurë të ndritur të Kombit tonë, por ai ka mbetur përherë i paharruar. Në dhjetor të vitit 1977, eshtrat e tij u sollën në Shqipëri dhe, që nga ajo kohë, prehen në qytetin e Kukësit, me fytyrë nga Kosova e dashur e tij. Me atë rast, u thurën dhe këngë popullore, me vargje të tillë kuptimplotë, si: ”Borën e shkund në mal çetina,/ prapë na erdh’ Hasan Prishtina…/ Bajram Curri përmbi shkrep,/ po të pret si vllaun e vet…/S’të shtroi ari i tanë mbretnive/ s’të lidhën leqet e tradhtive”.

Për atdhetarin e shquar demokrat  Hasan Prishtina janë bërë botime e janë shkruar artikuj të shumtë. Emrin e tij e mbajnë shkolla e institucione të ndryshme, në trojet shqiptare. Ndërsa ishte peng i madh fakti që, nga rregjimi monist, nuk u nderua me titullin ”Hero i Popullit”. Por, megjithatë, është e sigurtë  që brezat e shqiptarave do ta nderojnë e kujtojnë përherë, këtë ”vigan liberator”.

 

Tiranë, 13 gusht 2013

 

Filed Under: Histori Tagged With: Hasan Prishtina, Murat Gecaj, ne 80 vjetorin e vrasjes

HASAN PRISHTINA, VIZIONAR I MADH-SHTATORJA NE TIRANE

November 23, 2012 by dgreca

Kryeministri Berisha ishte te premten e 23 nentorit, i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së shtatores së patriotit të shquar Hasan Prishtina. Shtatorja, e realizuar nga skulptori Artan Peqini, u vendos në një nga sheshet kryesore në qendër të Tiranës.E pranishme në këtë ceremoni të organizuar nga ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishte edhe Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, si dhe të ftuar të tjerë.

Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Hasan Prishtinës për pavarësinë e Shqipërisë. “Duke shprehur krenarinë tonë të madhe për këtë burrë të shquar të kombit, këtë arkitekt të pavarësisë së Shqipërisë, këtë arkitekt të bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, le të punojmë ne së bashku për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij në një Evropë të Bashkuar”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Sot për kryeqytetin e Shqipërisë është një ditë e shënuar, pasi vendoset këtu apo kthehet në kryeqendrën e Shqipërisë arkitekti i Shqipërisë etnike, arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë, burri i madh që shkriu energjitë e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, për pavarësinë e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve. Hasan Prishtina me veprën e tij, me të gjithë përkushtimin e tij, u shndërrua në flakëmbajtësin e idealit të bashkimit kombëtar të Lidhjes së Prizrenit. Ky burrë trim, guximtar e i mençur i kombit udhëhoqi lëvizjet më të mëdha çlirimtare që shqiptarët kanë pasur në kohërat moderne. Përfaqësuesi i shqiptarëve në Parlamentin e Perandorisë Osmane do të zotohej solemnisht se “unë do të organizoj kryengritje të armatosura për çlirimin e shqiptarëve, do të bëj gjithçka për Shqipërinë etnike”. Pas takimit të njohur tashmë në histori me Ismail Qemalin dhe një grup burrash të mëdhenj të kombit shqiptar, në Taksim, ai mori përsipër organizimin e kryengritjeve çlirimtare të shqiptarëve për të themeluar Shqipërinë etnike. Hasan Prishtina u kthye në Kosovë, në Drenicë, në Prekaz, Krujën e dytë të shqiptarëve dhe nisi organizimin e asaj lëvizje të madhe çlirimtare që do të përmbyste qeverinë xhonturke, qeverinë që erdhi me parulla të Revolucionit Francez, të cilat Hasan Prishtina i kishte bërë të vetat, por që dëshmoi armiqësinë më të madhe të shqiptarëve. Ky vizionar i madh parashikoi se aleanca Ballkanike nuk ishte gjë tjetër, përveçse aleancë e shenjtë kundër shqiptarëve, aleancë për copëtimin e trojeve të tyre, aleancë për asgjësimin e shqiptarëve. Ai kuptoi se shqiptarët i pret një pushtim i dytë i tipit të Dushanit, pushtim që synonte ekstreminimin përfundimtar të tyre. I vetëm, me një mbështetje të gjerë popullore, u ngrit kundër kësaj aleance, u ngrit kundër Portës së Lartë dhe bëri që zëri i shqiptarëve të ushtojë fuqishëm në të gjitha kancelaritë e botës.

Kryengritja e vitit 1912 e udhëhequr nga ky vigan jehoi në mbarë botën e qytetëruar. Hasan Prishtina nuk mundi të ishte në Vlorë ditën e shpalljes së flamurit, sepse aleanca antishqiptare e barbarëve që sulmuan trojet shqiptare e arrestuan atë dhe e mbajtën peng për muaj të tërë në Beograd. Përsëri i lirë do t’i përkushtohej më shumë se kushdo tjetër, do të vendoste gjithçka dhe mbi çdo gjë Shqipërinë etnike, bashkimin e trojeve shqiptare. Më pas në qeverinë e Ismail Qemalit, në qeverinë e Princ Vidit, në Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, përsëri ai u bë protagonisti kryesor i shqiptarëve, të trojeve të tjera të pushtuara nga armiqtë dhe fqinjët tanë.

Sot, Hasan Prishtina vjen këtu në gjirin e qytetarëve të kryeqytetit, në gjirin e qytetarëve shqiptarë. Ai qëndron madhërishëm në Prishtinë, qëndron në Shkup, ish kryeqyteti i lëvizjeve shqiptare nga i cili Hasan Prishtina do të trondiste në themele Portën e Lartë, do të shpaloste projektin e bashkimit të trojeve shqiptare. Ai vjen sot më krenar se kurrë, sepse shqiptarët janë të lirë në të gjitha trojet e tyre etnike, sepse shqiptarët janë sot me vetëdijen më të madhe se kurrë për të punuar me përkushtim për të shndërruar në realitet idealin e pavdekshëm të Lidhjes së Prizrenit, idealin e pavdekshëm të Hasan Prishtinës, idealin e bashkimit të shqiptarëve.

Duke shprehur krenarinë tonë të madhe për këtë burrë të shquar të kombit, këtë arkitekt të pavarësisë së Shqipërisë, këtë arkitekt të bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, le të punojmë ne së bashku për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij në një Evropë të Bashkuar.

Nder kujtimit dhe veprës së Hasan Prishtinës!”

Filed Under: Kronike Tagged With: Hasan Prishtina, Shtatorja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT