• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DE BIAZIN: HEROI I PROFESIONIT

October 8, 2016 by Administrator

Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka dhënë një intervistë të gjatë për prestigjiozen spanjolle “AS” duke treguar gjithë historinë e tij me kombëtaren shqiptare dhe duke komentuar takimin e nesërm ndaj Spanjës në “Loro Boriçi”, i vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës “Rusi 2018”

Ndeshja kundër Spanjës do të jetë një vazhdim i paraqitjes së mirë në Kampionatin Europian?

Shpresojmë të kemi një rendiment të mirë, edhe pse e kemi të qartë që Kampionati Europian i përket së shkaurës tashmë. Duhet të jemi të përulur dhe të përqëndruar. Madje, edhe në këtë mënyrë, diferencat mes nesh dhe Spanjës janë si të shkosh nga Toka në Hënë, ose si një luftë me gurë ndaj Kallashnikovit.

A mund të surprizojë Shqipëria në këtë grup të vështirë?

Për ne është akoma më e vështirë të bëjmë histori tani që ia arritëm njëherë. Grupi është shumë i fortë. Ndeshjet më të rëndësishme për ne janë kundër Maqedonisë, Izraelit dhe Lihtenshtejnit. Kundër Spanjës dhe Italisë nuk kemi çfarë të humbim. Mendoj se 40% shanse të dalë e para ka Spanja, 40% Italia dhe 20%-ëshi tjetër ndahet mes 4 ekipeve të tjera.

Ju pëlqen stili i lojës së Spanjës?

Më pëlqen, por preferoj të jem më shumë konkret sesa poetik. Nëqoftëse dikush ka cilësi, mund ta bëjë atë lojë. E rëndësishme është të marrësh maksimumin e mundësive që ke. Të gjithë lojtarët e Spanjës luajnë në ekipe të mëdha. Shikoni ku luajnë lojtarët e mi.

Diego Kosta apo Morata?

Nëqoftëse nuk luan asnjëri prej tyre do të ishte më mirë (qesh).

Jeni mik me Del Bosken. Çfarë mendimi keni për të?

Ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Të gjithë thonë se është e lehtë të fitosh me lojtarët që pati ai, por ai ia arriti me një përulësi të madhe. Në takimin mes trajnerëve në Paris na tha: “Kam fituar sepse kisha lojtarë të mirë.” Unë them se diçka e tillë ndihmon, por duhet t’u japësh atyre motivim për t’i bërë të fitojnë gjithnjë.

Është më e vështirë të fitosh trofe me Spanjën apo të kualifikohesh me Shqipërinë në Kampionatin Europian?

Janë dy suksese të ndryshme. Spanja pas 2008-s arriti të fitojë edhe në 2010-n dhe 2012-n. Ne shkuam në Hënë me kualifikimin për në Kampionatin Europian dhe tani është më e vështirë për ta përsëritur në vitet në vazhdim. Disa ditë më parë u thashë lojtarëve: “Jeni ngjitur nga Kategoria e dytë në të Parën. Tani duhet të tregoni që jeni lojtarë të së Dytës që luftojnë në të Parën. Nëse mendojmë se jemi lojtarë të së Parës, jemi të vdekur.”

Ju shkuat në Shqipëri pas një periudhë të vështirë në Serinë A.

Po. Më kishin shkarkuar nga Udineze pas vetëm 3 muajsh. Akoma nuk e kam kuptuar. Më acaroi diçka e tillë. Nuk mund të vendosësh për fatet e një trajneri në vetëm 3 muaj. Isha shumë i rënë moralisht, nuk doja të trajnoja më në Itali.

Bëtë një hap prapa për të ringritur karrierën tuaj?

Po, dhe askush nuk do ta kishte menduar. Në historinë time si trajner gjithnjë kisha arritur të plotësoja objektivat që më kishin vendosur klubet. U ngjita nga Seria C në Serinë A me Modenën, më larguan 3 herë nga Torino dhe gjithnjë i arrita rezultatet që më kërkuan, përfshirë ngjitjen në Serinë A. Goditja e fundit, përfundimtare, ishte ajo e Udinezes.

Mendonit se mund të bënit historinë që arritët me Shqipërinë?

Më duhej një sfidë e vështirë sepse doja t’u tregoja njerëzve që isha një trajner i vlefshëm. Shqipëria ma dha mundësinë. Askush nuk e mendonte se do të shkonim në Kampionatin Europian, por duke punuar fort, duke vepruar me mendje të ftohtë dhe duke zgjedhur lojtarët e duhur, ia arritëm qëllimit.

Çfarë menduat në momentin e parë që shkelët në Shqipëri?

Shkova aty një ditë dhjetori, e mbaj mend mirë. Nuk kisha qënë kurrë më parë. Në fillim ishte e vështirë sepse kisha vendosur me vështirësi. Fola me presidentin dhe arriti të më bindte. Ishte shumë e vështirë, por me kalimin e kohës mund të them se mora një vendim të mirë.

Çfarë ju shtyu të thonit po?

Më dhanë një fletë të bardhë pa kushte, dhe ta dini që nuk ishte për para, sepse fitoja 4 herë më shumë më përpara, por të kesh një popull mbrapa që të motivon dhe shpreson të ndryshojë mentalitet me ty, më shtyu të pranoja. Federata ishte e vogël, vendi gjithashtu, po përjetonin shumë probleme. Ndeshja e parë që luajtëm ishte në një stadium të vjetër që e kishin ndërtuar italianët në 1935-n dhe që thuajse nuk kishte ndryshuar fare që atëherë.

Dhe ju desh që të ndërtonit një kombëtare thuajse nga zero.

Nuk kisha njohuri për lojtarët që duhet të ndiqja. E filluam punën që nga themelet dhe udhëtuam shumë në kërkim të lojtarëve. Që nga Suedia deri në Azerbajxhan. Duhej të ndryshonim diçka, sepse me të njëjtët lojtarë të ekipeve të mëparshme do të kishim të njëjtat rezultate negative. Në ndeshjen e parë kundër Gjeorgjisë u shkuajta një letër futbollistëve: “Nëse ju më ndiqni mua, do të arrijmë aty ku nuk e mendoni.” Në fund ia arritëm, por ishte një udhëtim shumë i gjatë.

Si i gjetët futbollistët që mund të grumbullonit?

Në internet. Filluam nga sajti “Soccerassociation” duke parë në çdo lojtar të çdo lige nëse kishin shtetësi shqiptare ose nëse mbiemri i tyre ishte shqiptar. Sapo i gjenim, analizonim videot e tyre në “Youtube” për të parë nëse ishin të vlefshëm. Më pas, në fazën e fundit, shkonim të flisnim em ta dhe i pyesnim nëse dëshironin të luanin me ne.

Dhe funksionoi.

Po. Portierin Berisha shkuam ta kërkonin në një fshat peshkatarësh në Suedi. Luante në ligën e parë të Suedisë për Kalmarin. E bindëm dhe e bëmë të debutonte ndaj Iranit në një ndeshje të zhvilluar në Turqi. Priti çdo gjuajtje që i erdhi dhe bëri një super ndeshje.

Pra keni qënë më shumë se një përzgjedhës.

Duhet të punoja psikologjikisht më shumë se të trajnoja. U mundova t’u shpjegoja lojtarëve atë çfarë doja duke i parë në sy dhe duke i bërë të kuptonin. U përqëndrova te emocionet. Shumë donin të luanin për Shqipërinë sepse familja e tyre ishte nga atje, ose sepse gjyshërit e tyre kishin emigruar gjatë luftës. Në fund arritëm të bashkonim një grup djemsh që ishin të dhënë pas flamurit dhe që japin gjithnjë 100% për vendin e tyre.

Keni patur aq sukses sa ju dhanë dhe nënshtetësinë shqiptare…

Kryeministri Edi Rama është një njeri me vlera të mëdha. Ka jetuar në Gjermani dhe Francë dhe flet disa gjuhë. Për shkak të rezultateve tona të mira, arrita të krijoj një marrëdhënie direkte me të. Më dha pasaportën diplomatike, gjithashtu titullin “Honoris Causa”, dhe mbi të gjitha më krijoi iluzionin e të qënit një trajner shqiptar.

Si u përjetua pjesëmarrja historike e Shqipërisë në Kampionatin Europian?

Më e rëndësishmja ishte kur arritëm kualifikimin, duke u kthyer nga Armenia. Kishte njerëz në aeroport, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, nëpër të gjitha rrugët e Shqipërisë. Lojtarët nuk mund ta besonin çfarë kishin arritur. U tregua që ishim të gjithë bashkë dhe kishte një solidarizim të madh.

Mund të shërbejë futbolli për të ngritur një shtet me probleme si Shqipëria?

Sigurisht. Më e rëndësishme për mua ishte që u dhamë fëmijëve të vegjël mundësi dhe iu vërtetuam që nëqoftëse gjërat bëhën mirë, atëherë mund të arrihen rezultate të mira. Tani jemi idhuj për ta, njësoj si Kristiano Ronaldo apo Mesi. Sot të rinjtë përvvec këtyre të fundit, flasin për Xhakën, Sadikun… Pjesëmarrja në Kampionatin Europian ka bërë të mundur rinovimin e dy stadiumeve. Janë stadiume moderne, si ato të Francës apo Spanjës. Të mëparshmit ishin katastrofë.

Shqipëria ka përjetuar një diktaturë 45 vjet me Enver Hoxhën. A dallohet kjo gjë në mentalitetin e lojtarëve?

Po, njësoj si në shumicën e njerëzve në atë vend. Kur më shohin në rrugë vendosin dorën në zemër dhe më falenderojnë. Ata vuajnë autoritetin e njerëzve me më shumë pushtet, qoftë ekonomik. Janë të bindur dhe të disiplinuar. Mua njerëzit më ofrojnë çdo gjë. Nuk mund të paguaj nëqoftëse shkoj në një restorant.

Ishim një ditë në një të tillë dhe nga një tavolinë tjetër na u ofrua një shishe që kushtonte 120 euro. Të mendosh sa vlerë kanë aty 120 euro. Dhe kjo nuk vjen prej suksesit tonë, por sepse e kuptojnë që jemi duke i bërë gjërat me seriozitet dhe duke u përfshirë në gjendjen e vendit. Nuk punojmë në Shqipëri për të nxjerrë fundin e muajit dhe për të kursyer. Nëqoftëse do të ishte për atë gjë, do të kisha ikur në Kinë kur e pata mundësinë.

A ndiheni shqiptar, edhe pse jeni italian?

Në njëfarë mënyre po. Për mua është shumë e rëndësishme besnikëria. Më ndodh kur jam në një klub dhe gjithashtu tani me kombëtaren shqiptare. Jam shqiptar sepse jetoj në atë realitet, edhe pse në disa pjesë të Italisë nuk tingëllon mirë të shprehem kështu. Është një pjesë që bën ndryshimin mes dy vendeve dhe i takon formës së politikës.

Por më përpara Italia ishte gjithashtu mafia, përveçse pica dhe spageti. Në fakt, në Amerikë gangsteri më i njohur është një italian. Mendoj se e gjithë bota është njësoj, dhe që kudo ka të këqinj dhe të mirë. Në Shqipëri shumica e njerëzve janë puntorë dhe jetojmë me pak. Është një popull me krenari. Më thonë gjithnjë që jam ambasadori i Shqipërisë në Itali.

Lojtari juaj më i mirë, mbrojtësi i djathtë Elseid Hysaj i Napolit, shkoi në Itali me gomone bashkë me babain e tij…

Dhe kjo gjë e ka bërë të jetë shumë kërkues. I ati tentoi të shkonte në Itali tre herë derisa ia arriti. Më pas çoi aty familjen e tij për të siguruar një jetë me më shumë mundësi, siç ndodhi me djalin e tij i cili u formua si futbollit në kategoritë inferiore të Empolit.

Si e kujtoni ngjarjen e dronit në ndeshjen kundër Serbisë?

Kur shkuam në Beograd ishin marrë masa të tilla sigurie njësoj si për zv. presidentin e SHBA-ve që kishte qënë për vizitë disa ditë më parë. Qarkullimi ishte bllokuar dhe çdo 150 metra kishte policë. Luanim në një stadium të vjetër ku nuk ishin përgatitur mirë dhe ku njerëzit mund të futeshin në fushë pa asnjë problem. Në fund mirë që dolëm shëndoshë, pasi mund të kishte shkuar më keq.

Tani luan gjithashtu Kosova. Si ju ndikon kjo?

Është e çuditshme. Shumica e tifozëve tanë nuk duan që Kosova dhe Shqipëria të luajnë të ndara. Për shumë prej tyre Kosova është Shqipëri. Tani ata kanë dy përfaqësuese, edhe pse slogani i tyre është “një komb, një kombëtare”. Lojtarët nga Kosova që luajnë për ne nuk duan të ndryshojnë ekip. Të shohim në të ardhmen.

EDHE “MARCA” SHKRIM PËR DE BIAZIN: HERO I PROFESIONI(panoramasport)

Filed Under: Sport Tagged With: Alban Kolonjari, De Biasi:, heroi

Mbahu Tom… Ti heroi i Partise dhe …i analistëve

March 21, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Sot më shumë se kurrë ti e ke kuptuar se sa i përdorur je. Ti heroi. Jo vetëm i partisë por edhe i analistëve. Ti munde i vetëm Berishën. More Shkodrën. Ti bëre kryeministër Edi Ramën. Kryetar kuvendi Ilir Metën. Shkrive pasurinë për partinë. Ngjyrose autobuzë, seli, fotobanderola me shumicë. Ia mveshe epokës më të ndritur të shqiptarëve, rilindjes, ngjyrën mavi. Binde Priftin të çmontonte dhe montonte video. Dogjët dhe shtetin. Disa makina të ndodhura rastësisht. Vratë militantë provincash. Njerëz të varfër që të këpusin shpirtin. Nga ata që për dhjetëmijë lekë se kanë për gjë të udhëtojnë edhe nga skajet e vendit. Të vinë aty në Tiranën e lavdishme dhe tu vënë zjarrin pikërisht shtetit. Godinës që ju përpiqeni ta bëni më të mirë. Të paktën kështu pretendoni.
Çfarë nuk bëre për ta hequr nga demokratët Ilirin. E bëre ndofta me zellin e atij njëriu që me një gur kërkon të vrasi dy zogj. Ose edhe me strategjitë e presionit. Mendonit se ato pak numra, do ju ndihmonin në pasigurinë e fitores. Pasi ju e dinit mire që në historinë zgjedhjeve shqiptare, fiton 1)nga konsumimi i pushtetit, pushtetarit, 2)nga thasët me miell, 3)nga shtrimet përciptas i disa rrugëve periferie, 4) nga blerja e votes, 5)nga llogaritë se sa mund të fitohet nga një drejtori, 6)nga përqindjet e tenderave etj. Ti këto i dije, por nuk kishe parashikuar shkathtësinë e Ilirit
pasi e mendoje të rëndë. Sot e kuptove se sa shumë gabim ke luajtur.
Je krejt i vetëm. Sot e ke kuptuar se sa me shpejtësi drite, u dha urdhëri tëmblidhet kuvendi. Se sa lehtë mund ë rrëzohesh. Se sa pa peshë
është të sakrifikohesh për partinë. Për miqtë e politikës. Që edhe pse u mburrën me ty për gjithë këto legjislatura, si heroi i tyre, si shëmbulli i tyre.
Me po kaq zell të kanë shpallur armikun e klasës, armikun e parties, armikun e demokracisë. Ja ky është shteti që ti pretendon se ke ndërtuar gjithë këto vite. Shteti ynë. Shteti i së drejtës. Shteti i miqve. Dhe jo i ligjit dhe i qytetarëve. Mbahu Tom, nesër mund të marrësh edhe ndonjë dekoratë nga Iliri.

Filed Under: Analiza Tagged With: heroi, Ilir Levonja, Tom Doshi

Në kujtim të luftëtarit dhe dëshmorit hasjan të Koshares

May 20, 2013 by dgreca

Ne Foto: Hysni Temaj 1976 -1999/ Nga GANI QARRI/ Zvicer/

Nga viti në vit, me kujdes dhe nderim të veqant, organizohen kujtimet ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe lirinë e shenjt të popullit të cilit i takojnë, në format më të mira të mundshme dhe në gjithë vendin anë e mbanë.Ndaj,ashtu si në trevat tjera edhe në Has, ato përsëriten përherë me krenari dhe në mënyrë të merituar, si rite tashmë tradicionale,që mbahen me shumë përkushtim në shenjë respekti ndaj veprave heroike të bijëve të kësaj ane, në mesin e të cilëve, dallohej luftëtari i  Koshares, Hysni Sylë Temaj nga fshati Kushnin i Hasit.Ai ra më 19 Prill të vitit 1999,bashkë me Eprorin e tij SaliÇekaj,në Kosharen e çliruar- vetëm pak ditë më parë, pas betejës së njohur historike të saj,për të mbetur përgjithmonë në kujtesën e popullit dhe gjithë atyre që gëzuan lirinë.

Lufta e lavdishme e Koshares, ndodhi mu në kohën kur vendit tonë, si asnjë herë më parë,pushtuesi serb aq shumë i`a kishte ngushtuar lakun në fyt,sa që Kosova përfundimisht -do të binte në përplitjet e fundit për jetë a vdekje,duke rrezikuar ekzistencën e saj të mëtejme si territor i përcaktuar gjeografik dhe emër i shenjt i atdheut të banorëve shekullor, autokton-shqiptar.

Ajo,kushedi për të satën herë,po digjej e shkrumbohej gjatë më tepër se 80 viteteve robëri,nën pushtimin barbar sllavë dhe tanimë nga çdo cep, dilte tym e flakë që në mënyrë marramendëse mjegullonin gjithë vendin e mbytur në trishtim, frikë dhe pasiguri të cilat shpejt dhe pakontrollueshëm, përhapeshin kudo.

Pushtuesi kësaj radhe kishte vendosur të kryente një fushatë të paparë shfarosëse,përmes së cilës, dëshironte të arrinte-hiq më pakë se shpërnguljen përfundimtare të të gjithë shqiptarëve, zhdukjen e tërsishme të secilit banor autokton që ekzistonte mbi këtë dhe arbëror dhe zhbërjen e plotë kombëtare të atdheut tonë të okupuar.

Ndaj në raste të tilla me rreziqe të pa-parapara, betejat e përmasave kaq të mëdha në çdo  vend dhe kohë, kërkojnë luftëtar të fortë e të paepur, të cilët janë në gjendje të përballen me të gjitha rrebeshet e flakëve të saj.

Kështu që kjo luftë e sapo filluar për liri,si për shumë breza atdhetarësh,edhe për Hysni Temajn, ishte çasti më fatlum në jetën e tij si ushtar i orëve të para të kësaj përpjekje madhore dhe sprove vetmohuese nga e cila,pas shumë vuajtjesh e përpjekjesh, do ta ndante vetëm rënja heroike e tij, në ballë të betejës legjendare të Koshares.

Ndaj nuk thuhet kot se trimat edhe në vdekje shkojnë kokëlartë! I tillë, krenar dhe i pa-përkulur nga kjo jetë,do të ndahej edhe luftëtari Hysni Temaj, duke rënë me heroizëm në fushbetejë,por vetëm pas kryerjes me nder të misionit kombëtar që luftëtarët e Koshares kishin marrë mbi vete, dhe përfundimit me sukses të betejës më kolosale që kanë parë kohërat, njohur vendi dhe përjetuar populli i këtyre trojeve, siç u dëshmua të ishte Beteja e Koshares,lavdia e së cilës, ndryshoi historinë e popullit shqiptar dhe të Kosovës së fundshekullit njëzet, në tërësi.

Me çlirimin e vijës kufitare, ai dhe bashkëluftëtarët e tij, arritën që për herë të parë pas afro një shekulli robërie,ta qonin në vend amanetin e shumë brezave të kaluar atdhetarësh,të cilët shkuan zemërdjegur,me ëndrrën e parealizuar për heqjen e “megjëve” të ngulitura dhunshëm-aty, ku ato nuk e kishin vendin,duke mbajtur me forc të ndarë shqiptarët,për më tepër se tetë dekada, si popull i një gjaku dhe gjuhe të përbashkët kombëtare.

Dëshmori i kombit Hysni Syl Temaj, u lind më  15 nëntor të vitit 1976 në fshatin Kushnin të Hasit dhe u vra pa e përfunduar tërësisht as gjashtëmujorin e ditlindjes së 23-të, të jetës së tij, duke rënë heroikisht më 19 prill të vitit 1999 në betejën e  Koshares, si pjestar i Brigadës së lavdishme 138,e cila udhëhiqej nga strategët e zgjuar ushtarak dhe eprorët-heronjë të kësaj lufte sublime, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj.

Ata për herë të parë, qëkur mbahej mend se populli ynë kishte rënë nën okupimin sllav,të vënë me të drejtë në krye të Brigadës heroike 138,arritën me plotë krenari jo vetëm të mateshin me ushtrinë pushtuese serbe por edhe ta thenin me turp atë, në mejdanin e përballjes me luftë të drejtëpërdrejt.

Brigada heroike 138, për herë të parë arriti të çliroi kalanë e pushtuar të Koshares dhe shkuli gurët e kufirit armiqësor të vën para shumë dekadash nga okupatorët serb mbi trojet tona. Ajo zhbëri vijën ndarëse të vizatuar pa u pyetur shqiptarët nga pushtuesi,e cila ishte vënë dhunshëm mes përmes tokave shqiptare dhe për afro një shekull, padrejtësisht ndante me forcën e armëve,trojet tona në dysh. 

Si shumica e pjestarëve të kësaj Brigade heroike,edhe dëshmori nga treva e Hasit-Hysni Temaj, i takonte një familje të njohur për ideale liridashëse dhe tradita kombëtare i cili tërë jetën e tij qysh nga fillimi i veprimtarisë patriotike e kishte vënë në shërbim të lirisë së vendit dhe popullit që i takonte.

Ai,kushtrimit të atdheut do ti përgjigjej pa asnjë hezitim për të rënë heroikisht në njërën nga betejat më të lavdishme historike të kombit të zhvilluar me sukses në luftën më heroike frontale,që zhvilloi populli i Kosovës për çlirimin përfundimtar të trojeve tona nga Serbia.

Hysniu ishte aktivist i njohur edhe para lufte si dhe njëri nga luftëtarët e parë të UÇK-së,nga treva e Hasit,i cili jo vetëm se luftoi me besnikëri dhe krah për krah trimave të mëdhenj të Koshares, por ai edhe ra heroikisht bashk me njërin nga kryeheronjt e saj, eprorin Sali Çekaj, në të njejtin vend dhe ditë,pas kryerjes shembullore të misionit heroiko- kombëtar,që ata kishin marrë mbi vete,për zhbërjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, duke shkulë pas rreth një shekulli pushtimi-gardhin e robërisë kombëtare i cili ndau me dhunë popullin tonë për afro një 100 vjet.

Ndaj,një luftë e tillë- kaq e rëndësishme,e madhe në forcë dhe e gjerë në shtrirje,kërkonte edhe flijime të dhimbëshme për suksesin e së cilës u vranë luftëtarët e saj më të mirë, ku njëri nga 114 dëshmorët e betejës së Koshares,të rënë me lavdi në Altarin e Lirisë së Atdheut, ishte edhe ushtari dhe luftëtari i dëshmuar kombëtar, Hysni Temaj nga fshati Kushnin i Hasit. 
Megjithëse, dëshmori ynë,prijësi i logjistikës dhe trimi i Koshares, si fëmijë shkollën fillore do ta kryente me sukses shembullor,gjendja e rëndë ekonomike nuk e kishte lejuar atë që ti ndiqte mësimet e mëtejme. Por,mbjellja me kujdes e dashurisë patriotike, për vite me radhë nga familja dhe përkushtimi i tij i flakët kombëtar,do ta udhëzonte Hysniun në rrugë të drejtë atdhetarie për të mos u nda asnjëherë nga aktivitetet e pareshtura kombëtare deri në ardhjen e momentit për kapjen e armëve dhe nisjes së  luftës për liri, të cilën ai për shumë kohë e kishte pritur dhe ëndrruar me padurim. 
Duke u nisur nga aktivitetet e pareshtura kombëtare që në rininë e hershme kundër pushtuesit serb,Hysni Temaj nuk ishte një ushtar i rastësishëm i kësaj lufte çlirimtare,ngase ai që me kohë ishte shkrirë i tëri në ndjenja atdhetarie dhe mrekulluar me bëmat e njohura historike të heronjëve tanë të mëdhenjë kombëtarë, të cilët u bënë idol i jetës dhe veprimtarisë deri në rënien e tij shembullore për lirinë e Atdheut.

 Heronjtë e mëdhjenjë të kombit,të njohur dhe adhuruar nga të gjithë shqiptarët, u bënë shembull i patjetërsueshëm dhe udhërrëfim i tij i njëkahëshëm, me kontributin e tyre gjigant për mbrojtjen e pjesëve të rrezikuara të atdheut,qysh nga lufta e shekullit XIX, për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, ku,sipas thënieve të familjarëve, pjesmarrës ishte edhe gjyshi i tij,i cili me siguri shpesh do ti ket folur të nipit për këtë luftë të suksesëshme kombëtare.

Mbrojtja e këtyre trojeve tona etnike,ishte ndër përpjekjet e para të suksesëshme që u organizuan nën udhëheqjen e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit,qysh në vitin 1878,kundër pushtuesve malazez, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, i cili u kishte falur tokat shqiptare fqinjëve hexhemonist greko-sllavë, dhe ata përpiqeshin që ato ti merrnin me forcë.

Ndaj edhe luftëtarët e Brigadës 138,do të dëshmoheshin jo me fjalë por me veprime të planifikuara organizative dhe luftime të vendosura e mirëstudijuara strategjike,duke u bërë shembull kombëtarie dhe pararendës të një forme tjetër lufte e cila mundësoi zhbërjen e kufirit ndërshqiptar dhe i hapi portën – lirisë së  Kosovës.

Hysniu edhe pse kishte kaluar të njëzetat dhe kishte hyrë moshën e pjekurisë,fazën e gjetjes së partneres së njëmendët të jetës dhe përgatitjes për krijimin e familjes, ai qysh para fillimit të luftës,gjith kujdesin dhe dashurinë shpirtërore do t`a falte atdheut të robëruar dhe çështjes së pazgjidhur kombëtare i cili për shkak të aktiviteteve të tij të pareshtuara,shpesh ishte detyruar ti kalonte kufijtë e Kosovës, për tu strehuar herë në Shqipëri e herë në trojet shqiptare të Iliridës,prej nga do të kthehej në vitin 1998,për tu inkuadruar në UÇK-në, e Prekazit legjendar.

Si luftëtar i vendosur dhe besnik që ishte,i përkushtuar me mish e me shpirt për rrugën e lirisë dhe çlirimin e vendit,i bindur në idealin e madh për të cilin flijoheshin me aq devotshmëri bijtë e shqipes-kudo, anë e mbanë Kosovës,pasi që ai edhe i takonte një fshati kufitar me Shqipërinë dhe njihte mirë rrugët malore të atij brezi nëpër të cilin kalonin vija të rëndësishme furnizimi me armatim e municione,Hysniut do ti besohej përkujdesja për mbarëvajtjen e logjistikës së luftës në rajonin e Hasit.

Madje, ky dëshmor- jo vetëm se ishte rritur këtyre maleve,por i prirë nga përcaktimi i tij- jetësor për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e kombit, këto rrugë i kishte rrahur kush e di sa e sa herë edhe për nevoja personale ,gjatë jetës në ilegalitetet,kështu që angazhimet e Hysniut për furnizim e ushtarëve me armatim e municion,gjatë gjithë kohës, patën shumë sukses.

Vijën furnizuese e cila kalonte nëpër Has, si njëra nga rrugët e para dhe kryesore edhe pse nuk ishte e lehtë të sigurohej sepse rrezikohej shpesh nga sulmet dhe pritat e organizuara të ushtrisë dhe policisë pushtuese serbe,ai gjatë gjithë kohës diti ta ruaj dhe bëjë të padukshme për armikun.

Hysni Temaj, edhe në situatat më të rënda,me ndihmën e Babait dhe vllezërve më të rinëj të cilët edhe pas rënies së Hysniut nuk e ndalën luftën në kuadër të UÇPMB-së, duke luftuar në të gjitha viset e Kosovës Lindore,deri në shuarjen e kësaj organizate luftarake, gjithmonë gjeti shtigje depërtimi për vete dhe bashkëluftëtarët,duke arritur të bëjë furnizimin me sukses të mijëra ushtarëve me municion dhe armatim nëpër vija të “pahetushme” rrugëtimi,deri me kalimin e tij përfundimtar në Brigadën 138,e cila asokohe bënte përgatitjet e fundit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Ndaj,dëshmori,ashtu siç diti të bëhej mbështetja kryesore e logjistikës së luftës për rajonin e Hasit, Hysniu po aq trimërisht diti edhe të hyjë në historinë e zhbërjes së kufirit shqiptaro-shqiptar,i cili me gjithë dëshirën e madhe,për të pa atdheun të lirë, ideali i tij do të realizohej vetëm pas rënies, sepse në këtë betejë do të vritej edhe ai heroikisht me bashkëluftëtarët më të mirë,në Kosharen e lavdishme.

Por,ishte pikërisht kjo betejë e madhe historike, strategjia e përsosur e udhëheqësve të saj Agim Ramadani e Sali Çekaj si dhe heroizmi i treguar i luftëtarëve të brigadës 138,që pas afro një shekulli,arritën ta përzinin armikun nga këto troje dhe rivendosnin vazhdimësinë e prerë padrejtësisht në mes tokës dhe etnisë shqiptare, për rreth 100 vite robëri sllave.

Ndaj si të gjitha pjesët e Kosovës,Shqipërisë dhe vendeve tjera etnike,edhe banorët e Hasit,nga të dy anët e kufirit,dhanë çdo gjë që mundën dhe patën për këtë luftë të shenjtë, duke filluar nga kontributi me ushtarë, ushqimi e veshmbathja, mbajtja e luftëtarëve, furnizimi me armatim e municione dhe deri te jeta e flijuar e rreth 20 dëshmorëve nga këto treva të coptuara shqiptare. 

Në mesin e tyre,për kontributin e pazëvendësueshëm që dha,pa asnjë dyshim, do të dallohej dëshmori i kombit Hysni Temaj nga fshati Kushnin i Hasit, i cili kush e di sa qindra herë, barti i palodhur armë e municion mbi shpinë, maleve  të larta të pashtrikut nga Shqipëria në Kosovë,deri te pjesmarrja e e tij e drejtëpërdrejtë në frontet e para të luftës së Koshares ku me 19 Prill të vitit 1999,do të binte heroikisht, bashkë me 114-luftëtar shembullor të kësaj beteje historike, për të mos vdekur asnjëherë. 

Por,megjithë kontributin shembullor,edhe fati sikur u tregua i padrejtë naj tij,sepse mu në momentet e mëdha të shpresës gjithëkombëtare, kur nuk kishte mbetur edhe shumë kohë për të përjetuar Lirinë e shumëpritur të Kosovës dhe gëzuar çlirimit përfundimtar të atdheut,ai bashkë me eprorin e tij- Sali Çekajn, do të vritej në Koshare, trupi njomë i të cilit përkohësisht do të varrosej në Shqipëri, për tu vendosur -përfundimisht, disa muaj pas çlirimit- në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, kurse Shtatorja e Hysni Temajt,hijeshon vendin në të cilin ai u lind dhe rrit me skamje,përndjekje e shumë mundime,në fshatin Kushnin të Hasit.

Ndaj, në shenjë respekti ndaj veprës së këti dëshmori,në çdo përvjetor mbahen homazhe ndereimi,ku ndonjëherë, përveç kurorave me lule, recitimeve dhe fjalimeve tradicionale për raste të tilla përkujtimesh,nga dhembja rastisë si pa dashtas, që para Përmendores së dëshmorit, të bie edhe ndonjë lot pikëllimi nga sytë e përmalluar të familjarëvë dhe të afërmëve të tijë,në shenjë kujtimi ndaj Hysniut.

 

Kjo ndodhë edhe për shkakun se Hysniu nuk u ndal asnjëherë – derisa ishte gjallë. Këmbët dhe trupi i këtij dëshmori të lirisë u treguan gjithmonë të palodhshme për vend dhe popull të cilat me qindra herë u ngjitën dhe zdorgjën maleve të pashtrikut për furnizimin e vendit me municion,ushtarë dhe armatime në mënyrë që të mund të zhvillohej kjo luftë e shenjtë për arritjen e lirisë së ëndrruar ndër shekuj, të cilën e gëzojmë ne sot. 

Ndaj,lavdia e rënies së tij,rritet edhe më tepër,sa herë kujtojmë se ai u flijua me trimat e mdhenj të Koshares së  lavdishme dhe udhëheqësit legjendar të kësaj beteje heroike,e cila arriti ta ndryshoi historinë e këtij vendi, njëherë e përgjithmonë.

Dëshmori i kombit, Hysni Temaj,sipas dëshmitarëve dhe bashkëfamiljarëve të tij, u vra në Koshare, në të njejtën ditë dhe vend me Sali Çekajn, njërin nga eprorët kryesor të brigadës 138,i cili bashkë me Agim Ramadanin, janë heronjtë dhe strategët vendimtar që pasuruan shekullin edhe me një histori-përmes heroizmit të treguar në Koshare, akt ky që  i hapi dyert e çlirimit të atdheut të të gjithë atyre që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e shenjtë të Kosovës.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: hasian i Koshares, heroi, Hysni Temaj

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT