• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL

July 12, 2020 by dgreca

SPECIALE E GAZETES”DIELLI”: KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL/

-Dialogu rifilloi sot, në 12 korrik, përmes një videokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian/

Beograd, 12. jula 2020. – Predsednik Republike Srbije Aleksandar Vucic ucestvuje na video-konferenciji Dijalog Beograda i Pristine pod pokroviteljstvom Evropske unije, kojom predsedava visoki predstavnik Evropske unije za spoljne poslove i bezbednosnu politiku Zozep Borel. FOTO TANJUG/ INSTAGRAM “BUDUCNOSTSRBIJEAV”/ an, fotografija niske rezolucije

-Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor  2018/

-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel/

-Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 12 Korrik 2020/ Kosova dhe Serbia rifillojnë dialogun në Bruksel, sot përmes njëvideokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimit virtual sotka bërë të ditur se palët janë pajtuar edhe për axhendën e takimit të radhës të enjten e javës së ardhëshme në Bruksel.

 “Ne sapo përfunduam takimin virtual mes presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Hoti. Kam kënaqësinë të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është kthyer në binarë pas 20 muajsh”, ka thënë Lajçak.

Ai ka shtuar se, “si rezultat i takimi të sotëm jemi pajtuar për elementet kryesore të procesit”.

“Jemi pajtuar poashtu për axhendën e takimit të radhës i cili do të zhvillohet në Bruksel të enjten që vjen me pjesëmarrjen personale. Dua të falënderoj të dyja palët për angazhimin e tyre konstruktiv sot”, ka thënë Lajçak, citon Koha në raportimin e korrespondentit në Bruksel.

Korrespondenti i Gazetës DIELLI në Kosovë në vazhdimësi ka raportuar për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, nga raundi në raund, që nga fillimi:

Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor  2018, i cili, siç u deklarua atëherë  ishte i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian – Shefja e  Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut  është mbajtur në 24 qershor, ndërsa i dyti në 18 korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit 2018, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.

Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur në 17 shkurt 2008.

Takimi i 8 nëntorit  2018 ishte i teti  i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.  Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i 8 nëntorit  2018 ishte i gjashti, pas të pestit në 18 korrik e të katërtit në 24 qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. 

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

DATAT E TË GJITHA TAKIMEVE TË NIVELIT TË LARTË KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL:

30 RAUNDET KRYEMINISTRORE

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 tetor
Raundi 2 – në 7 nëntor
Raundi 3 – në 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 janar
Raundi 5 – në 19-20 shkurt
Raundi 6 – në 4 mars
Raundi 7 – në 20 mars
Raundi 8 – në 2 prill
Raundi 9 – në 17 prill
Raundi 10 – në 19 prill
Raundi 11 – në 21 maj
Raundi 12 – në 20-21 qershor
Raundi 13 – në 8 korrik
Raundi 14 – në 24 korrik
Raundi 15 – në 27 gusht
Raundi 16 – në 8 shtator
Raundi 17 – në 7 tetor
Raundi 18 – në 6 nëntor
Raundi 19 – në 5 dhjetor

Raundi 20 – në 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 janar
Raundi 22 – në 12 shkurt
Raundi 23 – në 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 shkurt

Raundi 25 – në 21 prill

Raundi 26 – në 23 qershor

Raundi 27 – në 29 qershor

Raundi 28 –  në 25 gusht

Raundi 29 – në 13 tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

TAKIMET E PRESIDENTËVE

Viti 2017:

Thaçi – Nikoliç -2 takime

-1 shkurt

-24 janar

Thaçi – Vuçiç

-3 korrik

-31 gusht

Viti 2018:

-23 mars

-24 qershor

-18 korrik 

-7 shtator  (vetëm takime të ndara me Mogherinin)

-8 nëntor 

Viti 2020:

Hoti -Vuçiç

12 korrik (takim virtual)

16 korrik (pritet takimi në Bruksel)

KOSOVA, NË DIALOG PËR NNJOHJE NGA SERBIA – TRE PARIME E PESË OBJEKTIVA

Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.

Këto theksoshen në fjalimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti të mbajtur në10 korrik 2020 në konferencën virtuale të Samitit të Parisit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në10 korrik nga ora 10:30, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 korrik, ndërsa sot takimi ishte virtual.

“Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë, normalisht edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve që duhet të jetë derivat i njohjes reciproke”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hoti në një konferencë shtypi këtë javë në Prishtinë.

PRESIDENTI THAÇI TË HËNËN DO TË UDHËTOJË PËR NË HAGË I FTUAR NGA SPECIALJA PËR INTERVISTIM

 Në 8 korrik 2020 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se të hënën e 13 Korrikut 2020 do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Duke njoftuar këtë Presidenti Thaçi shkruante:

“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.

Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.

Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!

Zoti e bekoftë Kosovën!”.

Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në mbrëmjen e 29 Qershorit 2020 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes derisa nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës  një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku  përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së,  Kadri Veseli.

 “Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Filed Under: Politike Tagged With: dialogu ne Bruksel, Hoti, Kosove-Serbi, Lajcek

Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin bilateral

July 7, 2020 by dgreca

Paris, 7 korrik 2020- Pas takimit në Elysee, ku ishte pritur nga Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka nënshkruar sot pasdite në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës dy marrëveshje bilaterale Kosovë-Francë.


Nga pala franceze marrëveshjet u nënshkruan nga Sekretari i Përgjithshëm në MPJ, Francois Delattre.
Njëra marrëveshje e mundëson zhvillimin e aktiviteteve në Kosovë të Agjencisë franceze për zhvillim, kurse tjetra e lejon punësimin e anëtarëve të familjeve të diplomatëve.
Me këtë marrëveshje vendosen bazat e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Franceze për Zhvillim në sektorët si energjia, shëndetësia, sektori i ujit, teknologjia digjitale, trajnimi profesional etj.
Përveç mbështetjes që Franca i jep Kosovës nëpërmjet Bashkimit Evropian, këto dy marrëveshje shënojnë thellim konkret të marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Francës janë duke përgatitur një numër marrëveshjesh, të cilat dëshmojnë kualitetin e shkëlqyeshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, dy marrveshje, Hoti, Ministria e Jashtme

Hoti dhe Vuçiqi më 12 korrik, dialog me ndërmjetësimin e BE-së

July 6, 2020 by dgreca

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të rinisë më 12 korrik.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar të hënën, se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen në raundin e ri të bisedimeve.

“Mund të konfirmoj se më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të vijnë në Bruksel për dialog. Mikpritës i këtij samiti do të jetë Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell në prani të të dërguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak”, tha ai.

Stano në një konferencë për media shtoi se me këtë takim shënohet rifillimi i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në të do të diskutohen “të gjithë çështjet e hapura”.

Sipas zëdhënësit Stano, ky takim në Bruksel, ka për qëllim që të çojë përpara punën për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Filed Under: Politike Tagged With: dialog BE, Hoti, Vucic

Kosova, koordinim për rifillimin e dialogut me Serbinë

June 23, 2020 by dgreca

-Presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti koordinohen për takimin në Uashington/

-Sot në Kuvend: Raportim i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debat parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi/

PRISHTINË, 23 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/Para udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti janë takuar sot dhe i kanë harmonizuar qëndrimet për një përfaqësim sa më të mirë të Republikës së Kosovës në takim të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti kanë vizion të qartë dhe pajtueshmëri të plotë për një përfaqësim shtetëror sa më dinjitoz në rifillimin e dialogut, i cili pritet të jetë i vështirë.

Republika e Kosovës është e bekuar më mbështetjen e partnerëve të saj strategjikë dhe krerët shtetërorë janë shprehur optimistë se ky proces do ta përmbyllë kapitullin e hidhur të luftës dhe do ta forcojë paqen në gjithë rajonin tonë, thekson deklarata dërguar nga Presidenca.

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot pasdite në një seancë plenare, ku në axhendë janë edhe këto dy pika: Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z, Avdullah Hoti; Raportim i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debat parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Kryeministri Hoti të enjten pritet të udhëtojë në Bruksel për takime me krerë të Bashkimit Evropian e prej atje shkon Uashnigton, ku së bashku me presidentin Thaçi të shtunën do të kenë takim të dialogut Kosovë-Serbi.

Filed Under: Kronike Tagged With: Hoti, kosova, Thaci

PLATFORMA E QEVERISË SË KOSOVËS PËR DIALOGUN DHE MARRËVESHJEN ME SERBINË

June 17, 2020 by dgreca

Hoti: Marrëveshja me Serbinë, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës/

-Kryeministri Hoti mori pjesë në tryezën me temë “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?”: Parimi mbi të cilin ne do ta vendosim këtë proces është: E para, integriteti territorial i Kosovës, është i panegociueshëm. “Unë nuk kam mandat që të hapi këtë temë në procesin e dialogut. E dyta, karakteri unitar i Shtetit të Kosovës, unë nuk kam mandat që të bisedojmë për këtë çështje dhe parimi i tretë, marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh kryeministri Hoti/

 PRISHTINË, 17 Qershor 2020- Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në tryezën e diskutimit me temën “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë”, e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Hoti tha se ka mandat që të negociojë mbi bazën e Kushtetutës dhe ajo i jep autorizime të qarta që të udhëheqë këtë proces. “Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e bën edhe më të qartë, në detaje i tregon kompetencat e mia në procesin e dialogut, të cilat kompetenca as nuk dua, as nuk mundem t’i transferoj tek dikush tjetër, e as nuk do të lejoj që dikush tjetër të ndërhy në kompetencat e mia. Po besoj që kjo nuk ka nevojë as të thuhet realisht pasi për aq kohë sa Kushtetuta është e qartë nuk kemi pse të brengosemi për këtë çështje”, tha kryeministri Hoti.

Më tej, kryeministri Hoti tha se parimi mbi të cilin ne do ta vendosim këtë proces është: E para, integriteti territorial i Kosovës, është i panegociueshëm. “Unë nuk kam mandat që të hapi këtë temë në procesin e dialogut. E dyta, karakteri unitar i Shtetit të Kosovës, unë nuk kam mandat që të bisedojmë për këtë çështje dhe parimi i tretë, marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh kryeministri Hoti.

Gjatë këtij diskutimi, kryeministri Hoti është përgjigjur edhe në pyetjet e përfaqësuesve të shoqërisë civile që kishin të bënin me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me këtë proces.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT HOTI:

Faleminderit shumë z. Kryeziu për ftesën dhe për mundësinë që sot të prezantojmë edhe përpara juve, përpara shoqërisë civile, përpara ambasadorëve, përpara njerëzve që në organizata të ndryshme të shoqërisë civile ose në kapacitete të ndryshme që kanë pasur në të kaluarën e kanë përcjell këtë proces nga afër tash e shtatë – tetë vjet prej se ka filluar ky proces i dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Të nderuar Ambasador i Zvicrës, Ambasador i Shqipërisë,

Të nderuar pjesëmarrës, profesor Mustafa, të gjithë që jeni prezentë, përfaqësues të partnerëve tanë zhvillimor, të organizatave që e keni mbështetur Kosovën ose Qeverinë e Kosovës në të kaluarën në kapacitete të ndryshme.

Sinqerisht jam i nderuar që përpara një audience të tillë që kanë përvojë detale disa në këtë proces, të prezantoj qasjen që kemi ne karshi procesit të dialogut.

Në fjalën time jam i bindur që nuk do të dëgjoni asgjë të re që nuk e kemi thënë më përpara. Atë që e kemi bërë bashkë me bashkëpunëtor, me kabinetin, është se e kemi strukturuar qasjen që duhet të ketë Qeveria e Kosovës në këtë proces edhe e kemi formalizuar mënyrën se si duhet të zhvillohet ky proces.

Kjo është besoj e reja që ne kemi prezantuar edhe qasjen për të siguruar transparencë të plotë gjatë këtij procesi i cili unë besoj se është procesi më jetik që i ndodh Kosovës nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 dhe tash konsolidimi dhe përmbyllja le të shpresojmë përmbyllja e konsolidimit  të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ky është një proces siç e dini që ka filluar nga viti 2011 për të normalizuar marrëdhëniet tona mes të dyja vendeve.  Mandej me marrëveshjen e vitit 2013 dhe si derivat të saj ka pas një listë të gjatë të marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel. Sigurisht kemi plot arsye për të mos qenë të kënaqur me moszbatimin e atyre marrëveshjeve, por ka plot prej këtyre marrëveshjeve që kanë siguruar normalizim të jetës dhe të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve në segmente të ndryshme të ekonomisë dhe shoqërisë tonë. Edhe në veçanti në funksionalizim të institucioneve të Kosovës në mbarë territorin e Kosovës dhe për këtë jemi falënderues ndaj BE-së dhe vendeve të tjera partnere që na kanë qëndruar afër dhe që e kanë bë atë ndikimin e nevojshëm tek vendi ynë fqinj Serbia, që të respektojë këto aranzhime në funksion të normalizimit të funksionimit të ekonomisë dhe të shoqërisë në mes të dy vendeve tona.

Tash përveç përballjes me COVID dhe me një plan të rimëkëmbjes ekonomike, ne në fokus tonin si qeveri kemi dialogun domosdo dhe t’ju them sinqerisht me shumë dëshirë do të isha marr në baza ditore me profesionistë shëndetësorë  për t’u marrë me rritjen e rasteve tash me COVID, se si të hapim ekonominë ndërkohë që parandalojmë përhapjen e COVID-it, se si t’i zbatojmë sa më parë masat për rimëkëmbjen ekonomike, por gjysmën e energjisë time dhe të kabinetit është duke e marrë procesi i dialogut.

Po e them një gjë të cilën e kam thënë edhe njëherë publikisht që të jemi të gjithë në të njëjtën faqe kur flasim për procesin e dialogut. Unë nuk jam prej personave që kam marr pjesë përpara në procese të dialogut , pra nuk i di prapaskenat e këtij procesi. Atë që kam kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë në ditën e parë që e kam marrë detyrën në telefonatat në Berlin, në Paris, në Bruksel edhe në Uashington edhe në të tjera, por në veçanti këto katër qendra kryesore kam kërkuar si kryeministër të di ku ka arritur procesi. Përgjigja e tyre ka qenë e qartë “Nuk ka arritur askund. Të dyja palët do të uleni në tavolinë si dy shtete të pavarura dhe do të negocioni për të mbërri një marrëveshje gjithëpërfshirëse që duhet të çoj tek njohja reciproke”. Dhe çka nënkupton kjo, nënkupton të gjitha konspiracionet e ndryshme për harta, për shkëmbime territoreve, për mua janë jorelevante. Nuk janë të vërteta. Nuk e di a ka ndodhur a nuk ka ndodhur, por nuk merren parasysh dhe nuk janë pjesë e diskutimeve që unë do të kem bashkë me ekipin tim në këtë proces. Dhe tash, nisur nga kjo, jemi ulur brenda kabinetit bashkë me partnerët e koalicionit dhe kemi strukturuar qasjen tonë në këtë proces, prandaj thashë në fillim që në platformën tonë nuk do të dëgjoni diçka të re, përveç një qasje që është e strukturuar dhe e organizuar karshi këtij procesi.

I kemi vendosur parimet tona në këtë proces. Unë kam mandat që të negociojë mbi bazën e Kushtetutës, as një mandat tjetër nuk kam. Kushtetuta më jep autorizime të qarta që të udhëheq këtë proces, edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e bën edhe më të qartë, në detale i tregon kompetencat e mia në procesin e dialogut, të cilat kompetenca as nuk dua as nuk mundem t’i transferoj tek dikush tjetër, e as nuk do të lejoj që dikush tjetër të ndërhy në kompetencat e mia. Po besoj që kjo nuk ka nevojë as të thuhet realisht pasi për aq kohë sa Kushtetuta është e qartë nuk kemi pse të brengosemi për këtë çështje.

Parimi mbi të cilin ne do ta vendosim këtë proces është:

E para, integriteti territorial i Kosovës, është i panegociueshëm. Unë nuk kam mandat që të hapi këtë temë në procesin e dialogut.

E dyta, karakteri unitar i Shtetit të Kosovës, unë nuk kam mandat që të bisedojmë për këtë çështje dhe parimi i tretë, marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Tek objektivat me të cilat ne hymë në këtë proces, sigurisht njohja reciproke dhe më lejoni ta them shumë hapur dhe të shpreh kënaqësinë time që me të gjithë partnerët që bisedoj, kur shtohet kjo çështje, të gjithë e konfirmojnë para meje që kërkojnë që Kosova të ulet në tavolinë të dialogut për njohje reciproke dhe për normalizim të marrëdhënieve. Është një ndryshim shumë i madh. Nga viti 2011, 2013 e këndej dialogu është zhvilluar për normalizim të marrëdhënieve. Tash, dialogu zhvillohet për njohje reciproke dhe normalisht  si derivat i saj edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Pra, objektiva jonë është njohja reciproke, njohja nga pesë vendet e BE-së, që ende nuk na kanë njohur deri më tash, anëtarësimi në OKB, si çdo vend tjetër, shfuqizimi i Rezolutës 1244, këto janë ato që duhet të arrihen menjëherë kur të nënshkruhet, kur të arrihet marrëveshja dhe normalisht marrëveshja duhet t’i hapë rrugë Kosovës sikur çdo vend tjetër të shkojë nëpër procedura të zakonshme, standarde të integrimit euroatlantik.

Dhe gjithashtu kemi për qëllim pra, njëra nga objektivat e rëndësishme është që këtë marrëveshje duke qenë se është duke u formatizuar po i themi si marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohjen reciproke dhe çështjet tjera që i përmenda, por edhe adresimin e të gjitha çështjeve të hapura që i kemi me Serbinë. Nga të pagjeturit që është çështje bukur e ndjeshme, pensionet, kthimi i të dhënave kadastrale, i artefakteve, reparacionet e luftës, suksesioni i ish- Jugosllavisë e plotë e plotë çështje për të cilat qeveria është e përgatitur me ato që quhen “position papers” për secilën prej këtyre temave. 

E katërta që besoj është e rëndësishme, mënyra se si do ta organizojmë procesin e dialogut. Unë e kam bërë qëndrimin tim të qartë para partnerëve të koalicionit dhe kam marrë mbështetjen e plotë nga ta që unë nuk do të përkrahi asnjë format, delegacion të dialogut, i cili nuk është institucional. Pra nuk ka struktura mbi institucionale ose jashtë institucionale që dialogojnë në emër të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim unë e kam formalizuar forumin e liderëve të partive politike parlamentare.

Edhe ju mund ta shihni nga titulli i këtij, është forum, pra është një organizëm ku kryetarët e partive politike e parlamentare që kanë përgjegjësinë politike në bazë të numrit të votave që kanë në Parlamentin e Kosovës do të mblidhemi dhe do të diskutojmë për qasjen e qeverisë në procesin e dialogut. Unë do të jem plotësisht i hapur me ta duke i informuar ata para çdo procesi të rundit të dialogut dhe pas çdo rundi të dialogut.

I kam takuar veç e veç liderët e partive politike, kam dërguar ftesa edhe tek opozita. Një pjesë e opozitës kanë refuzuar, një pjesë nuk është se kanë refuzuar, por ende nuk kanë pranuar të vijnë në takim. Unë e këtu shfrytëzoj edhe këtë mundësi këtu përpara jush, përpara mediave, që t’i ftoj ata në takimin e forumit të liderëve të partive politike.

Sot në mëngjes unë e kam ftuar takimin e parë  të këtij forumi për nesër në ora 11:00, duke qenë se është intensifikuar menjëherë çështja e dialogut me një ftesë të parë që tanimë kemi më datë 27 qershor në Uashington dhe paralajmërimi mandej  për samitin e Parisit, dikur në muajin korrik.

E para, sa i përket organizmit është forumi i liderëve politikë që e ka përgjegjësinë politike për të siguruar një marrëveshje e cila duhet të jetë e zbatueshme, e ratifikueshme në Kuvendin e Kosovës dhe mandej e zbatueshme.

E dyta, brenda zyrës time do të themeloj Këshillin e ekspertëve për dialog. Këtu do të përfshihen të gjithë njerëzit që kanë përvojë në këtë proces për të siguruar atë që quhet memorie institucionale, të gjithë pa përjashtim, nga negociatat e Vjenës e deri e më tash. Kjo është për neve tepër e rëndësishme për t’u siguruar që në procesin e arritjes së marrëveshjes për njohjen reciproke ne i adresojmë ato çështjet tjera që i përmenda, me qasje shumë profesionale, të pagjeturit, reparacionet, dëmet etj etj, një listë e gjatë e çështjeve që qeveritë e kaluara me këta ekspertë kanë punuar me formate të ndryshme.

Tanimë kam siguruar mbështetjen e Ambasadës Britanike dhe Ambasadës Norvegjeze për të mbështetur punën e Këshillit të ekspertëve të Zyrës së Kryeministrit, së shpejti do të themelojmë një lloj sekretariati, 3-4 veta që do ta bëjnë punën teknike të organizmit  dhe besoj se është çështje ditësh kur do të ftojmë një takim të zgjeruar të gjithë njerëzve që në forma të ndryshme kanë qenë të përfshirë në procesin e  dialogut. Plot prej tyre janë në institucione të ndryshme, disa janë në shoqëri civile, unë me kënaqësi do t’i ftoj të gjithë që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.

Dhe elementi i fundit tek mënyra e organizimit është themelimi i Komisionit Parlamentar për Dialog, i cili Komision do të udhëhiqet nga opozita. Besoj që përmes forumit të liderëve të partive politike dhe këtij Komisioni Parlamentar ne sigurojmë mekanizmin e përfshirjes së të gjitha forcave politike në këtë proces. Unë besoj se është ndryshim signifikant prej qasjes që ka ekzistuar pak më herët, sepse para dy tre vitesh  qeveria e atëhershme na u ka qasur neve atëherë në opozitë që të hyjmë në proces të dialogut por të marrim rol udhëheqës dhe për mendimin tonë, atëherë e kemi vlerësuar që ai ka qenë mekanizëm mbi institucional. Atë që po e kërkojmë tash është një proces i konsultimeve përmes forumit të liderëve të partive politike, një komision parlamentar që e udhëheqë opozita që e mbikëqyr procesin e dialogut, por barrën për procesin e merr Qeveria në bazë të Kushtetutës.

Këtë qasje që e prezantova sot  unë e kam bëtë publike para disa dite në një tryezë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Tanimë e kam komunikuar tek ambasadorët e QUINT-it në një takim formal për këtë çështje që e kam ftuar në zyrën time. Gjatë kësaj jave do të kemi një takim me të gjithë ambasadorët e BE-së për t’i informuar formalisht edhe njëherë për këtë çështje. Ambasadorët e Kosovës që janë në qendrat kryesore në Evropë dhe në SHBA, i kanë marrë udhëzimet e qarta për qasjen e qeverisë karshi procesit të dialogut dhe ne e konsiderojmë vetën të gatshëm për të filluar këtë proces.

Siç ju informova nesër do të mbajë takimin e parë formal me të gjithë liderët e partive politike për t’i informuar pak në detaje për agjendën e takimit të parë për dialog që ndodh në Uashington më datën 27 qershor dhe nga ai takim e tutje do të sigurohemi si qeveri që të jemi plotësisht transparent në këtë proces.

Nuk ka asgjë që qeveria do të mbajë brenda zyrave e të mos e ndajë me partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës dhe me shoqërinë civile. Unë këtë proces e shoh tepër të rëndësishëm, jo vetëm për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, sepse me njohjen reciproke ne përmbyllim një çështje dhe lëvizim si çdo vend tjetër drejt BE-së, por është çështje e sigurisë evropiane. Këtë e kam bërë të qartë tek ambasadorët dhe kisha përshtypjen, së paku kjo është intuita ime nga ai takim, se ka një dakordim në këtë drejtim që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është çështje e sigurisë evropiane. Kjo është tepër e rëndësishme që sa më parë të përmbyllet ky cikël i integrimit evropian të regjionit për të ndaluar dominimet nga lindja dhe keni parasysh për çka po flas në këtë drejtim.

Ju falënderoj shumë për vëmendjen, Ju falënderoj z. Kryeziu!

Unë mbetem i hapur për sugjerime, kritika, vërejtje që mund të keni në këtë proces.

Filed Under: Featured Tagged With: Hoti, marrveshja em serbine, Platforma e Qeverise

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT