Tri dekada në shërbim të arsimit e edukimit të brezave të rinj.-Në ditët e para të organizimit të luftës në Rekën e Keqe, Jahë Sadria ishte në grupin e parë që solli arme nga Shqipëria Amë.- U arrestua dhe u burgos nga policia serbe dhe përkundër një terrori të paparë që u shkarkua mbi trupin e këtij personaliteti të pendës e të pushkës ai nuk u thye për asnjë moment/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Vdekja është e ftohtë. Po aq e ftohtë sa edhe dheu që pamëshirshëm mbulon kufomën. Vdekja është e frikshme, e tmerrshme, e dhimbshme… E dhimbshme, shumë e dhimbshme ishte edhe vdekja e këtoditëshme e Jahë Sadriut nga Ponosheci i Gjakovës. Lajmi për vdekjen e këtij njeriu në moshën 57 vjeçare jehoj pikëllueshem në zemrat e gjithë popullatës se Rekës së Keqe, Komunës së Gjakovës dhe të të gjithë atyre që e njohën në shumë pjesë të Republikës së Kosovës, por edhe në Shqipërinë nënë. Se sa shumë ishte i vlerësuar dhe sa shumë kishin lënë gjurmë veprat e tij, dëshmoi pjesëmarrja e mijëra qytetarëve në varrimin e këtij personaliteti. Fshati Ponoshec ishte tërësisht i bllokuar nga ato turma të mëdha që kishin ardhë në këtë fshat për t’ia dhënë lamtumirën e fundit Jahë Sadriut. Dhe me të drejtë kishte pyetur një kalimtar i rastit që kishte ardhur për të kryer një punë në këtë fshat se mos ndoshta paska vdekur “ Presidenti”. Po kush ishte në të vërtetë Jahë Sadriu?
Arsimi i gjeneratave të reja prioritet i prioriteteve
Jahë Sadriu lindi në vitin 1957 në Fshatin Ponoshec të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në fshat, gjimnazin në Gjakovë, ndërsa Fakultetin- Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë. Duke ndier nevojën për kuadro të reja e kualitative, Jahë Sadriu pa i përfunduar provimet e fundit të fakultetit nisi punën në shkollën e fshatit duke dhënë një kontribut të madh në edukimin e fëmijëve jo vetëm të këtij Ponoshecit por edhe të fshatrave përreth. Duke u shquar për një organizim të mirë në procesin mësimor ai arrin që të bëhet edhe drejtor i kësaj shkolle, në mandatin e të cilit u korrën suksese të jashtëzakonshme jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në aktivitete tjera të lira shkollore. Një kohë të gjatë këtë arsimdashës e brengoste dhe e shqetësonte shumë mos vazhdimi i shkollimit të mesëm të vajzave të kësaj pjese të Komunës së Gjakovës për shkak të kushteve të vështira ekonomike, por edhe për shkak të largësisë për të udhëtuar deri në qendrën komunale. Shi për këtë, ai mori iniciativën për të hapur paralelet e gjimnazit në Ponoshec, iniciativë kjo që u realizua shumë shpejt. Këtë fazë të shkollimit në Rekë të Keqe e udhëhoqi me sukses deri sa u pensionua para kohe për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Tri dekada me ditar në dorë përhapi dituri, edukoi e arsimoi aq shumë gjenerata. Nxënësit e tij të dikurshëm, shumë sish, kanë arritur të fitojnë edhe grada të larta shkencore në shumë lëmi e të mos flasim për të tjerë që kanë diplomuar në fakultetin juridik, ekonomik, të mjekësisë, teknik, filozofik etj. Afërsia me nxënësit e kishte bërë që ai të jetë i dashur e i respektuar nga ata, por edhe nga kolegët, prindërit dhe nga të gjithë ata me të cilët takohej. Në çdo tubim, ndeje dhe takim me njerëz të ndryshëm linte një përshtypje të një njeriu të mençur, të një njeriu që fjala e tij kishte peshë, që fjala e tij dëgjohej me vëmendje. Puna aktiviteti dhe angazhimi i pashoq që bëri në fushën e arsimit është një shembull që pa dyshim duhet ta ndjekin edhe kolegët e tij të tashëm e të ardhshëm. Për punën e tij të dobishme që kishte dhënë në fushën e arsimit Jahë Sadriu u dekorua me mirënjohje e dekorata nga institucione shkollore.
.
Kushtrimit për çlirimin e tokës dardane iu përgjigjë në ditët e para të luftës
Zullumi serb mbi popullatën shqiptare sa vinte e shtohej. Aksionet e shpeshta ndëshkuese policore- ushtarake lënin pasoja të rënda në çdo familje shqiptare. Pos që torturonin njerëz të pafajshëm dhe arrestonin për ditë djem e vajza, falangat serbe filluan edhe të vrasin qytetarë të pafajshëm. Populli nuk kishte kah t’ia mbante. Ishte kjo tokë dardane stërgjyshore dhe këtë ose duhet mbrojtur ose duhet nënshtruar atij okupatori barbar. Jo kjo nuk do të lejohej asesi nga burrat e këtij trualli sepse ata mjaft duruan këta fashist, këtë farë të keqe që erdhi nga Karpatet dhe që po terrorizojnë çdo fshat e qytet. Kushtrimi për t’i dalë zot atdheut trokiste në ndërgjegjen e secilit shqiptar.
Dhe Jahë Sadriu ishte ndër të parët që iu bashkua celulave të para të fshatit, të cilat filluan mobilizimin e luftëtarëve si dhe armatosjen e të gjithë atyre që ishin përcaktuar për të çliruar Kosovën me pushkë në dorë. Gjashtëdhjetë automatikët e parë që arritën nga Shqipëria ishin vendosur në shtëpinë e Jahës. Se sa ishte i përcjellur qysh më herët ky njeri i brymosur me ideale patriotike, dëshmon fakti se vetëm fati e deshi që ato armë të largohen nga shtëpia vetëm një orë para se të vinin forca të mëdha policore dhe paramilitare serbe që e rrethuan këtë shtëpi e bastisen dhe pasi nuk gjetën asgjë pa një pa dy ia futën flakën dhe e dogjën me themel. Nisur nga fakti se dritarët e informacionit në Kosovë ishin të mbyllura për shqiptarët, shokët e luftës e lutën Jahë Sadriun që të filloi luftën me pendë në dorë, përkatësisht që të vazhdoi dërgimin e lajmeve për zërin e Amerikës. Edhe pse i rrezikuar në çdo hap se ai mund të arrestohet Jaha me shkrimet e tij kishte tmerruar armikun, i cili kishte aktivizuar aparatin e tij për ta zënë e arrestuar këtë njeri shumë të rrezikshëm për ta. Nuk kaloi kohë e gjatë dhe Jahë Sadriu u kap nga sigurimi serb vetëm pesë minuta pasi e kishte dërguar një informatë për Zërin e Amerikës ku bënte fjalë për tmerrin që po shkakton okupatori serb në fshatrat e Rekës së Keqe. Kjo ndodhi me 24 prill 1998. Nga kjo ditë e deri me lirimin e tij dy vjet pasi Kosova fitoi lirinë Jahë Sadriu kishte përjetuar tërë arsenalin e tmerreve të torturës që di t’i përdorë një regjim sikurse që ishte ai fashist serb. E kishin rrahur deri sa ishte alivanosur, pastaj i kanë hedhur ujë për të ardhur pak në vete dhe për të vazhduar sërish me goditjet e tyre të pamëshirshme me shqelma, grushta, shkopinjë druri e gome. As natën e as ditën nuk e kishin lënë që të bëj më shumë se dy orë gjumë, duke kërkuar nga ai që të tregoj se me cilët ushtarak të SHBA-ve ishte në kontakt deri në ditën e burgosjes. Këto maltretime e veprime çnjerëzore Jahë Sadriu i përjetoj një kohë në Gjakovë, pastaj në Prizren, Pejë si dhe në Burgun e Dubravës. Në Dubravë sikuse edhe të burgosurit tjerë shqiptarë përjetoj egërsinë e policëve serb pas bombardimit të NATO-së, që ia bëri pavioneve të këtij institucioni që në atë kohë ishte shndërruar në grumbullimin e shqiptarëve nga të gjitha anët e Kosovës për të shërbyer, në rend të parë, si mburojë e caqeve të Aleancës Veriatlantike e më pastaj për të shprazur tërë urrejtjen patologjike që kanë kundër shqiptarëve. I plagosur në bark, Jahë Sadriu kishte parë me sytë e tij kasaphanën që kishte krijuar policia serbe duke vrarë e plagosur qindra njerëz të robëruar. Punëtorët e sigurimit i kishin thënë se ai kurrë nuk do të lirohet nga burgu deri sa atyre t’iu mbushet mendja për ta vrarë. Dhuna e shfrenuar çetnike nuk mundën në asnjë moment të thejnë shpirtërisht këtë njeri me zemër të madhe.
Jahë Sadriu nga ne u nda vetëm fizikisht sepse vepra e tij e madhe do të mbetët e pranishme për jetë e mot.