[Mbresa nga leximi i romanit “Përralla e hidhur shqiptare” (“L’amara favola albanese”) e shkrimtarit Alberto Frashëri.]/
“Duke vuajtur nga agimi në perëndim, duke ëndërruar nga perëndimi në agim…
Kaluan kështu në një heshtje të shtirur e të ankthëshme, muaj, vite e dhjetëvjeçarë : vite të pakthyeshme të njerëzve, që numuronin ata në vend që t’i jetonin, që lindnin jo për të gëzuar dritën, por për t’u fshehur n’errësirë….”-Alberto Frashëri/
Shkruan:Eugjen Merlika/
“ Besoj se e jona nuk është thjesht përralla e shpresave të humbura, por historia e atij që u çorodit në zbrazësirë duke fshirë fenë e të parëve, e mbeti pa asgjë në të cilën të mund të besonte.”
Po e nis përshkrimin e mbresave, nga leximi i romanit, me një fragment të shkëputur nga faqja e parë e librit. Ka një titull që nxit kurreshtën e lexuesit italian, të cilit i është dhënë 15 vjet të shkuara, në fundin e një mijëvjeçari që u mbyll ndërmjet shpresës dhe pasigurisë. Libri është shkruar në vetë të parë por autori, që në fillim, përcakton se nuk është autobiografi e tij, edhe se elementë të saj besoj se nuk mungojnë. Është rrëfimi i një njeriu të takuar rastësisht, i një biri italiani apo italianeje që, i kthyer në Itali, “besonte se kishte gjetur një atdhe mbas vitesh të një pritjeje t’ankthshme.” Ai njeri, në një çast të rrëfimit të jetës së tij, kupton se kujtesa nuk e bën mirë punën e saj e këtë mangësi e bashkon me një bindje, të krijuar nga përvoja e shkurtër e asaj pak kohe që është në Itali dhe hesht, duke u pajtuar me mendimin se “Do t’ishte më mirë të harroja” se “Askush nuk do të më kuptonte”.
“Ndërsa un vendosa t’i tregoj historitë e tij.” shpjegon autori. Kështu zë fill tregimi i jetës së një individi, të një familjeje, të një kategorie njerëzish, të cilët ishin gjysëm shqiptarë e gjysëm italianë që, fatkeqësisht, mbetën të tillë gjithë jetën e tyre, gjysma, pepino në Shqipëri e albanesi në Itali! Historia e tyre nuk është shkruar asgjëkundi, mbasi ata nuk përbëjnë një bashkësi të madhe, nuk janw një pakicë kombëtare, ishin një produkt i një epoke marredhëniesh politike e njerëzore mes dy popujsh, që i ndante deti por i bashkonin shekuj të gjatë historie. Ata kishin të përbashkëtën e tyre, që ishte një histori krijimi familjesh, të cilat kishin në bazën e tyre ndjenjën më fisnike njerëzore. Dashuria, në format e saj të ndryshme, e lindur ndërmjet djemve e vajzave të dy popujve, në shumicën dërmuese të rasteve, i qëndroi provave, herë herë të një ashpërsie të jashtzakonëshme. Ajo rezultoi një ndjenjë shumë e fuqishme, e shoqëruar nga karaktere, të cilët parimet e besnikërisë kundrejt familjes, i quanin dogma të padiskutueshme, që pajtoheshin edhe me edukatën katolike që kishin marrë që në fëmijëri.
Autori, në veprën e tij, të cilën u a kushton nënës dhe disa shokëve e shoqeve të fëminisë e të rinisë, të jetës stdenteske, merr përsipër të paraqesë me nota të theksuara realizmi mjedise, jetë, personazhe e ngjarje, të ngulitura thellë në kujtesë e të riprodhuara me mallin e së shkuarës e të viteve të ëndrravet. Ai, fatmirësisht, nuk ka provuar në vetë të parë anën më mizore të realitetit shqiptar, të cilin mundohet t’a paraqesë, burgjet dhe internimet. Megjithatë ai realitet mbetet i pranishëm, edhe se anësor, në ngjarjet e rrëfyera. Personazhe si Borja, si Clara e Zefi, si Evdali, si Vito, njerëz të afërt të rrethit shoqëror e familjar, të përndjekur nga diktatura, të burgosur apo t’internuar, përshkruhen me shumë dashamirësi e mirëkuptim. Personi rrëfyes i ngjarjeve jeton me fatkeqësitë e dhimbjet e tyre edhe se rregullat e dhunës shtetërore nuk i lejojnë të jetë pranë tyre fizikisht.
Mjedisi kryesor që zotëron dramën e romanit është ai i Tiranës, i kryeqytetit. Në qendër është ai familjari, me ngrohtësinë e tij ; prindërit “ishin gjithmonë të heshtur e të dëshpëruar” ; gjyshi, “miku i parë”, që i fut nipit të vogël dëshirën për të lexuar, që nxjerr nga kujtesa vargjet e Saadiut apo Omar Khajamit ; babai që sillte nga magazinat e hekurudhës librat e vjetra si “Liza në botën e ççudirave” apo “Djemtë e rrugës Pal” ; shkolla fillore dhe episodi i vizatimit të mjekrës së Stalinit e qortimi para gjithë nxënësve, në prani të nënës. Jeta nuk është diçka e mbyllur në katër muret e shtëpisë, ajo shtrihet në komshinjtë, tek t’afërmit, në lagjen, në qytetin, i ngjan rrathëve koncentrikë të një pellgu uji, kur në mes të tij hidhet një gur. Në këtë kuadër, që zmadhohet me ngjarjet e familjeve të rrethit miqësor e shoqëror, kryesisht ato të përzjerat italo – shqiptare, gjen vënd edhe shteti, i pranishëm kudo me fuqinë e verbër të marrëzisë, të paaftësisë, të dhunës e paarsyes në fatet e qytetarëve.
Romani i ngjan një galerie pikturash ku, secili nga personazhet, vizatohet me të veçantën e tij e të gjithë i bashkon nuanca e ngjyrave që artisti përdor. Nuancat e tyre shkojnë nga ngjyra gri drejt së zezës që përfaqëson krimin shtetëror. Në këtë renditje kuadrosh spikasin fatet e Borjas e familjes Brodski, baba e bir në burgje të gjata, ku babai vdes, ndërsa djali i ri ushtar dënohet me 15 vjet pune të detyruar, sepse reagon ashpër kundrejt veprimit të kolegut të tij që vret një djalë të ri që kërkonte të kalonte kufirin. Clara ishte një grua triestine, që jetonte në Tiranë me të shoqin dhe dy djemtë. Burri arrestohet e dënohet me 12 vjet burgim, si agjent i CIA-s, ndërsa ajo nxirret nga shtëpia dhe dërgohet në internim në një fshat të jugut. Shtëpinë e saj e merr një komunist, babai i një shoku të klasës së djalit të saj, Zefit, siç ndodhte rëndom atëherë, në epokën e kusarisë komuniste.
Babai i rrëfyesit kishte studjuar në Itali, kishte marrë edhe nënshtetësinë, duke kryer shërbimin në Pallatin Mbretëror dhe ishte martuar me një vajzë rrobaqepëse, Marian. Ata kishin pesë fëmijë. Babai kishte kaluar disa muaj në kampin e Prishtinës, i arrestuar nga gjermanët mbas kapitullimit të Italisë.
Një personazh i veçantë është Mrika, një grua malësore e tepër besimtare, prototip i një katolikeje të vërtetë, e gatëshme të ndihmonte këdo që ishte në nevojë. “Ajo nuk të jepte këshilla, por të tregonte një histori të Biblës ose të jetës së Jezuit.” vëren autori. Eqeremi, djali i pronarit të shtëpisë, një tiranas autentik, ishte një tip mjaft interesant. Thellësisht i ndershëm, ndihmon këdo që ka nevojë por është veçanërisht i ndjeshëm ndaj njerëzve të luftuar nga regjimi. Ka një ëndërr të fshehtë në veten e tij : të përmjerrë varrin e udhëheqësit. Autori nuk na tregon nëse ai e realizoi dëshirën e tij, por edhe vetë dëshira tregonte brumin me të cilin ishte gatuar. Ishte shok klase dhe miku i Borjas, deri në arrestimin e tij, por mbrapa bënte çmos të ndihmonte nënën e tij.
Familja Pinari ishte pronare e fushave të tenisit, deri sa pushteti vendosi t’i shtetëzojë ato për të ndërtuar një bunker të nëndheshëm antiatomik. Është argëtuese biseda e Pinarit me ministrin, tek i cili drejtohet për t’u ankuar për shtetëzimin e fushave të lojës.
Periudha e gjimnazit jepet me ngjyra më të çelura. Shokët kryesorë janë Isaia dhe Ahimi, të dy të shkëlqyer në mësime, të matur e të kusyer. Isaia ishte nipi i një shkencëtari të gjuhësisë, por edhe bir i një ish prefekti nacionalist, të vrarë nga partizanët sepse nuk donte komunizmin në Shqipëri. Ahimi ishte hebre, por asnjëri as tjetri nuk e tregonin historinë familjare. Duhej jetuar në errësirë, për të patur ndonjë shpresë të vakët për një jetë afër “normalitetit” të kohës. Në gjimnaz është edhe mësuesja e rusishtes, një grua nga thellësitë e Siberisë, që ishte martuar me një ingjinjer shqiptar. Nadiezhda u thonte nxënësve t’a thërrisnin me atë emër, që do të thonte “shpresë”. Por mbas dy vjetësh, kur mësuesja u hoq nga puna e saj, një ditë që e takoi nxënësin e saj i tha :”Më quaj Nadia, Nadiezhda nuk ekziston më!” Sjellja e regjimit kundrejt grave të huaja, të martuara në Shqipëri, është një njollë turpi për të gjithë shqiptarët që, historikisht, janë vlerësuar për konceptet e tyre të mikpritjes e të respektit për jabanxhinjtë.
Ekdali ishte një burrë atdhetar. I rritur në Selanik, ka kryer studimet në Vjenë për artet e bukura e ka punuar si konsull i Shqipërisë në qytetin e lindjes. Më 1944, kur funksionarët shqiptarë u përzunë nga Greqia, Ekdali nuk zgjodhi rrugën e SHBA-s, por deshi të kthehej në vendin e të parëve. Sapo hyri në kufi, një partizan e shoqëroi për katër orë në këmbë dhe e dorëzoi tek organet e dhunës. U dënua me gjashtë vjet burg. Atë Niku ishte një prift katolik, gjithmonë i gatshëm t’u qëndronte pranë besimtarëve, por edhe të tjerëve, duke ngulitur tek ta kurajën dhe shpresën. Vdiq para se Shqipëria të bëhej shtet ateist, por vuante shpirtërisht përndjekjen që i bëhej kishës. Një tjetër personazh emblematik i romanit ishte Vito. Kishte qënë partizan në moshën 14-vjeçare, madje për të ishte kompozuar edhe një këngë e njohur. I dërguar për studime në BS, pati një karierë të shkëlqyer në aviacionin ushtarak. Mbas prishjes me BS u Largua nga puna si vëllai i Dakos, që kishte patur një qëndrim të dyshimtë gjatë luftës, ndërsa ky i fundit ishte drejtor në sajë të “partizanit të vogël”. Anakronizmat e regjimit nuk njihnin kufij.
Këta ishin, në një paraqitje të shkurtër, disa nga personazhet e romanit, përfaqësues të një pjese të shoqërisë e secili, në mënyrën e tij, ndihmon plotësimin e mozaikut të veprës. Në shumicën e tyre, ata mbeten pozitivë, përfaqësues të asaj Shqipërie tradicionale në të cilën vlerat e trashëguara respektohen. Por nuk mungojnë edhe personazhet e krahut të kundërt, as edhe shfaqjet masive të instrumentalizimit nga pushteti të turmave, si ato të të rinjve që shkatërronin objektet fetare dhe vlerat e tyre artistike. Në roman flitet edhe për shumë letra anonime që i shkonin organeve drejtues të universitetit, për të sinjalizuar cenet në biografi të studentëve të pranuar.
Autori, me të drejtë, është shumë i ndjeshëm ndaj dënimit të Borjas, që ze një vend qëndror në përsiatjet e tij mbi sistemin, në të cilin jetonte.
“Të shtiesh e të vrasësh. T’i shtiesh në trup nga afër atij djali të panjohur, që ishte njëri nga ne e që kërkonte t’i kthente shpinën mjerimit. Kush e di se çfarë donin. Ndofta ëndërronin një botë të ndryshme. Por a ishin me të vërtetë kaqë të zotë sa të ëndërronin botë të ndryshme ?” Ajo pyetje mbetet edhe sot pa përgjigje, sepse ai realitet aq mizor e jashtë çdo logjike njerëzore, ende sot nuk është dënuar me forcë nga ata që kanë trashiguar politikën dhe pushtetin. Deri në ditët e fundit të ndërrimit të regjimit, kryetari Urjah Hip i komunistëve shqiptarë urdhëronte që të vriteshin të rinjtë që përpiqeshin të arratiseshin. Askush nga drejtuesit e rinj të kalesës nuk pati guximin të kërkonte dënimin e tij për krim kundër shqiptarëve…..
Përsiatja e vazhdueshme, kalimi në filtrin e aryes e të ndërgjegjes së autorit të çdo veprimi, me të cilin përballet përshkrimi i ngjarjeve të mëdha që trondisnin shoqërinë dhe individët, është një kostante e veprës së Frashërit, që mbetet në tërësinë e saj një amalgamë e këndëshme e fotografimit të realitetit dhe interpretimit të tij, në dritën e ideve të iluminizmit, të qytetërimit. Autori është një intelektual i mirëfilltë që, në heshtje, mban qëndrimin e tij kundrejt një bote të vogël, në të cilën jeton e i kujton shprehjen madhore të Princit të Danimarkës : “Kjo botë u çthur! O prapësi, o dreq! Që un s’paskam lindur të të ndreq!”
Në roman renditen ngjarje të rëndësishme të Vendit, si dënimet ciklike e periodike, jo vetëm të “armiqve të klasës”, por edhe të drejtuesve të regjimit, episodi i bombës në Ambasadën sovjetike e pasojat e saj tragjike të njohura, prishja me BS të Krushovit e dramat e panumurta familjare që rrodhën nga absurditeti i një politike skajore, për të cilën qytetari apo familja duhet t’ishin vetëm “ushtarë të partisë”. Përshkruhet bukur atmosfera e viteve 60, me krenarinë e marrë të “mbrojtjes së parimeve”, me luftën e përherëshme kundër “kanunit”, “besimevet fetare”, “zakoneve prapanike” e “ndikimeve të huaja”. Ishte koha e “dimrit të vetmisë së madhe”, që përmbysi të gjitha vlerat shekullore të shqiptarëve e historisë së tyre, për t’u njëjtësuar me dukurinë më negative të gjithë historisë kineze, t’ashtuquajturin “revolucion kultural proletar”. Nuk mungojnë në vepër veprimtaritë masive, si aksionet e rinisë, zboret ushtarake, apo puna në prodhim, në kantjere apo fusha, ndërtimi i bunkerëve apo paradat e mëdha të 1 majit e 29 nëndorit, me figurën e “udhëheqësit në qendër, që “vadiste me gjak kopështin e tij”.
“Dikush kujtonte profecinë e një meshtari të moçëm gjatë luftës së fundit :
“Ma parë do të vërsulen mbi të pasurit dhe zakonet e tyre, pastaj do të kapen me ne, kisha e xhamia nuk do të jenë më, e mandej do të mbyten me njëri tjetrin; do të jetë një natë e pambaruar gjaku, mbas së cilës do të kthehemi neve….”
Meshtari largpamës nuk mund të parashihte më saktë, ndofta fjalët e fundit nuk u vërtetuan krejtësisht, por nuk i heqin asgjë vlerës së profecisë….
Romani përbëhet nga shtatë kapituj, një epilog dhe një “Rrëfim të fundit”. Çdo kapitull fillon me një shprehje të zgjedhur nga fanarë të dijes njerëzore. Thellimi i shkrimtarit në analizën e aspekteve të ndryshme të realitetit, të ngjarjeve e dukurive, përfundimet e tij filozofike të shumta e të larmishme janë vlera e shtuar e romanit dhe bëjnë atë ndër më përfaqësuesit, nga më cilësorë, të letërsisë së këtyre viteve.
Autori e përfundon rrëfimin e “Përrallës së hidhur shqiptare” në vitin 1969, me aksionin e rinisë për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë – Fier. Siç duket e ka quajtur të mjaftueshëm portretizimin e Shqipërisë së rinisë së tij, kujtimet e asaj periudhe mbeten gjithnjë më të përmallëshmet. I ka kursyer lexuesit terrorin e gjysmës së dytë të viteve 70, luftën e brëndshme në gjirin e udhëheqjes, që çoi në zhdukjen e Mehmet Shehut, të Kadri Hazbiut dhe të dhjetra kuadrosh të larta të ushtrisë, kulturës dhe ekonomisë, prishjen me Kinën dhe dhjetëvjeçarin e fundit të mjerimit ekonomik të pashëmbullt të Vendit.
Epilogu trajton shkurt edhe fundin e regjimit të diktaturës, që lidhet edhe me fatin e shumë personazheve të tij, që nxitojnë të kthehen në Itali, mbasi “baraka jonë u shemb papritmas” mbas “dhjetëvjeçarësh letargjie për të mos u harruar”. Por jeta e re në Italinë e prindërvet nuk ishte ajo e “ëndërruara”. Atje familjet e të riatdhesuarvet u konsideruan si emigrantë të thjeshtë ekonomikë dhe autori, me hidhërimin e përrallës shqiptare në gojë, pohon : “Nga biseda e funksionarit dhe nga përsosmëri e mustaqeve të krehura mirë, kuptova se njerëz si un nuk kishin më një atdhe….”
Zhgënjimet përbëjnë një nga kostantet e zakonshme të jetës njerëzore, bëhen më të rënda kur vijnë mbas një pritje të gjatë shpresah e iluzionesh. Megjithatë libri pëfundon me një falënderim për ata persona që e kanë ndihmuar në ecjen e tij, në vëndlindjen e nënës. Para këtij falënderimi ai pohon përfundimin në të cilin arrin me përvojën e tij jetësore, në dritën e s’ardhmes të viteve që ka përpara, për fat në jetën e një njeriu të lirë, sado të mbushur me vështirësi e sakrifica, të cilat janë dhe ato bashkudhëtare të përherëshme të individëve e të shoqërive.
“Të kuptosh historinë tënde e të besosh në traditën, fenë dhe zakonet, cilatdo qofshin, është absolutisht e domosdoshme për të përcaktuar ide e vlera, të cilave i besohet e ardhmja.”
Mendoj se botimi i veprës në shqip do të ishte një ndihmesë e konsiderueshme në jetën letrare e në kujtesën e shqiptarëve, për të mos harruar gjysmë shekullin gri të historisë së tyre.
Maj 2015 Eugjen Merlika