• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

50-vjetori i një çmendurie kombëtare

February 8, 2017 by dgreca

2 Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/Në historinë e kombeve të mëdha e të vogla ndodhin lloj-lloj fatkeqësishë: luftëra, pushtime, fatkeqësi të natyrës, e tjera.  Gjysëm shekulli më parë, pikërisht më 6 shkurt të vitit 1967 ndodhi një ngjarje që mund të cilësohet, për nga përmasat dhe pasojat fetare, kombëtare dhe kulturore, si një ditë fatkeqe në historinë moderne të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Atë ditë, regjimi komunist, me Enver Hoxhën në krye, filloi një luftë të ashpër kundër fesë, klerikëve dhe institucioneve fetare, duke shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, diçka që as deri atëherë dhe as deri më sot nuk e ka bërë ndonjë popull ose komb tjetër në botë.  Është kjo një ditë fatzezë në historinë e jetës fetare, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve, që Arkipeshkvi i Shkodër-Pultit, i Përndershmi Angelo Massafra, në kujtim të këtij 50-vjetori fatzi, shkruan në portalin katolik peregrinus.al,  se ky përvjetor shënon ditën kur Enver Hoxha deklaroi “vdekjen” e Perëndisë, “duke u mbrojtur pas një ideologjie të korruptuar, të imponuar me anë të terrorit”, një ditë kur, “një njeri i jepte vetes të drejtën të cenonte lirinë e njerëzve të tjerë.  Ishte kjo një ditë kur, “Përball Fjalës Krijuese të Hyut, Shqipëria zgjidhte fjalën shkatërrimtare të diktatorit të vet”, shprehet Kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit në shkrimin e tij.

Në Shqipërinë tonë post-komuniste — u kërkoj falje miqëve të mijë të cilët, ndoshta me të drejtë, më korigjojnë shpeshëherë për këtë përcaktim të sistemit politik të këtyre 25 viteve të fundit atje – sidomos vitet e fundit, vihen re tendenca për të riabilituar regjimin diktatorial komunist dhe figurën e Enver Hoxhës me qëllim për të revizionuar historinë e asaj periudhe, dhe me kollajllëk për të “harruar” përvjetorë si ky.  Në një mungesë totale të solidarizimit me viktimat e kësaj politike të çmendur 50-vjetë më parë, me sa kam venë re, ky përvjetor nuk tërhoqi ndonjë vëmendje nga institucionet shqiptare, as nga media, dhe as nga udhëheqsit politikë të cilët në faqet e tyre elektronike mezi presin të shënojnë çdo gjë, me rëndësi e pa rëndësi, historike dhe jo aq historike.

Por, sa për kujtesë, ishte Shkurti i vitit 1967, kur Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull, ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, fjalim ky me të cilin ai, shpalli luftë kundër ”ideologjisë fetare” dhe ”zakoneve prapanike”, duke e sanksionuar me ligj Shqipërinë kundër Zotit dhe si vendin e parë dhe të vetëm ateist në historinë botërore.  Fjalimi i diktatorit, mund të konsiderohet edhe si mbarimi i luftës kundër klerit dhe i tre institucioneve fetare të shqiptarëve, sepse kalvari i tyre, në të vërtetë, kishte filluar ç’prej vitit 1945.   Shumica e klerikëve katolikë shqiptarë, por edhe i të dy feve të tjera, mysimanë dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të pa-imagjinueshme nepër burgjet dhe kampet komuniste të regjimit hoxhist, në periudhën 1945-1960.   Numri i saktë i klerikëve të vrarë ose të vdekur nepër burgjet dhe kampet e përqëndrimit — katolikë, myslimanë dhe ortodoksë — nën torturat më ç’njerëzore të asaj periudhe — ndoshta nuk do të dihet kurrë.  Deri më 1950, komunitetet fetare në Shqipëri ishin dobësuar deri në një pikë sa që nuk mund të flitej më për ndonjë veprimtari normale të këtyre komuniteteve.  Ironia tragjike e kësaj situate është se e gjithë këjo çfarosje ndodhi ndërsa njëkohsisht, kushtetuta e Shqipërisë komuniste garantonte lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes.

Përveç ndalimit të fesë, me fjalimin e Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1967, Shqipëria komuniste kishte nisur gjithashtu revolucionin e saj bazuar në  Revolucionin Kulturor Kinez, duke e zhytur kështu kombin shqiptar në një katastrofë kulturore përmasash historike të paparë ndonjëherë, ndërkohë që ndërmori krimet më çnjërzore kundër popullit të vet, duke zhdukur pjesëtarët më të dalluar të elitës intelektuale dhe fetare shqiptare dhe së bashku me ta edhe një pjesë të madhe të thesarit të kulturës, të letërsisë dhe të traditave mija vjeçare të kombit shqiptar.  Në këtë 50-vjetor, i ashtuquajturi Revolucioni Kulturor në Shqipëri – vërtetsisht një kopje fatzezë e Revolucionit Kulturor dhe ideologjik të Kinës Komuniste – nuk mund të kuptohet as të shikohet ndryshe veçse një krim përmasash kombëtare, i kryer nga një regjim anti-kombëtar, në emër të një ideologjie sllavo-aziatike, kundër historisë dhe kulturës së kombit shqiptar. Ishte kjo një ideologji që kishte për qëllim zhdukjen e elitës fetare dhe kulturore shqiptare, e cila ndonsë e përbuzur dhe e zhdukur fizikisht — atëherë dhe sot dëshmon gjithnjë vlerat njerëzore, intelektuale, shpirtërore dhe shoqërore, të cilat nuk zhduken kurrë ndër shqiptarët.

Nuk besoj të ketë ndonjë popull tjetër – kur të merret parasyshë numri ipopullësisë së Shqipërisë – që të ketë pësuar vuajtje, procese gjyqësore dhe tortura më të mëdha dhe më të tmershme gjatë shekullit të kaluar se populli shqiptar.  Duke iu referuar periudhës komuniste, Papa Gjon Pali i Dytë me të drejtë është shprehur se: “Historia nuk ka parë ndonjëherë ato që kanë ndodhur në Shqipëri”.  Prandaj, është shumë e vështirë të merret me mend se si është e mundur që udhëheqsit politikë shqiptarë, institucionet shtetërore dhe kulturore të vendit — në një përvjetor si ky — të mos ndjejnë asnjë obligim ose përgjegjësi morale për të kujtuar këtë njollë të zezë të historisë kombëtare dhe viktimat e asaj periudhe. Ata heshtin   duke mbajtur qendrime indiferente ndaj gjenocidit fetar në Shqipëri dhe ndaj shkeljeve flagrante të ligjeve dhe marrveshjeve ndërkombëtare të lirive bazë të njeriut, përfshirë lirinë fetare të asaj kohe.  Ndoshta miqët e mi kanë të drejtë se përcaktimi “periudha post-komuniste” në Shqipëri, duhet të cilësohet disi ndryshe.

Sidoqoftë, ajo që mund të bëjmë në këtë 50-vjetor, nëqoftse asgjë tjetër, të pakën të kujtojmë këtë çmenduri kombëtare dhe viktimat e saj të pafajshme — të kësaj periudhe tragjike të historisë së Shqipërisë — me shpresën që ato krime të mos përsëritën më — në ato forma ose ndryshe — në trojet shqiptare, nga shqiptari kundër shqiptarit ose nga të huajt kundër shqiptarëve.

Por për fat të mirë, Perëndia nuk e kishte harruar Shqipërinë dhe shqiptarët.  Ashtu siç është shprehur edhe Dom Simon Jubani, gjatë meshës së parë në nëntor të vitit 1990, se megjithë përpjekjet e Enver Hoxhës për të zhdukur përgjithmonë fenë në Shqipëri, “Kishat e xhamitë i lartësojnë përsëri këmbënaret dhe minaretë e tyre drejtë qiellit si rrufepritëse, sinjal i shembjes së vet diktaturës”.

Por jo vetëm kaq.  Në këtë përvjetor të harruar le të shikojmë drejtë një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, duke iu bashkuar mesazhit shpresëdhënës të Papa Gjon Palit të II, në vizitën që bëri në Shqipëri më 25 prill, 1993, drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe në Tiranë, ku mes tjerash ka thënë: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin. Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”.   Me atë rast, Papa Gjon Pali i II porositi gjithashtu shqiptarët se, ”Kjo liri e besimit fetar të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Hyjin është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë.  Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjia, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet.  Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror….Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, ka deklaruar Papa Gjon pali i II në Tiranë, në prill të vitit 1993.

Në këtë 50-vjetor të ndalimit të fesë në Shqipëri dhe të fjalimit famkeq të Enver Hoxhës,  është një obligim moral dhe përgjegjësi politike dhe shoqërore që të kujtojmë krimet dhe viktimat e regjimit komunist, por njëkohsisht të mos harrohen, por të kultivohen përjetsisht, vlerat e vëllazërimit dhe të harmonisë jo vetëm fetare — për të cilën dallohen shqiptarët — por të zhvillohet edhe harmonia politiko-shoqërore, si një thesar për të sotmen dhe për të ardhmen e kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 vjetori, Frank shkreli, i një çmendurie kombëtare

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT