Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, sqaron opinionin publik se shkrimi në portalin Telegrafi.com me titullin “Presidentja vet e 11-ta në Amerikë” është plotësisht i pavërtetë dhe i bazuar në insinuata.
Presidentja Jahjaga nuk do të jetë me një delegacion super të madh në javën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së por me një numër, si zakonisht të arsyeshëm dhe të vogël të ekipit të saj edhe politik edhe mbështetës. Në ekip do jenë vetëm 2 këshilltar politik, që është minimumi marrë parasysh javën dinamike gjatë Asamblesë së përgjithshme të OKB-se. Thirrja në burime anonime dhe të pakonfirmuara, që flasin për telegrafi.com, shtrembërojnë faktet, keqinformojnë opinionin publik dhe inskenojnë situata të paqena përmes ofrimit të informacioneve të rrejshme që nuk kanë asnjë bazë të vërtetësisë.
Presidentja Jahjaga gjatë gjithë mandatit të saj ka treguar kujdesin dhe respektin më të madh në shpenzimin e parasë publike dhe edhe njëherë theksojmë se për vite me radhë Zyra e Presidentes ka bërë kursime çdo vit nga mbi 20 për qind te buxhetit të saj që është rreth 1 milion e 700 mijë euro. Zyra e Presidentes e konsideron se shkrimet e këtilla bazuar në burime të paverifikuara, janë qëllimkëqija, të rrejshme dhe plotësisht denigruese.