• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Identiteti evropian i shqiptarëve

August 11, 2020 by dgreca

Nga Ismail KADARE*- Është folur shpesh për atë pjesë të Shqipërisë që, ndonëse s’guxon të dalë haptas, është kundër Evropës. Është folur për mafien dhe krimin e organizuar, që, duke mos njohur komb e atdhe, s’kanë si të çajnë kryet për to. Është folur për politikanë të korruptuar, që, ashtu si mafia, tmerrohen nga ligjet e demokracisë e nga standardet e Ballkanit evropian. Është folur për fjalimet antiamerikane në parlamentin shqiptar më 1997-ën, që kanë shkaktuar, me siguri, lot nostalgjikë në sytë e stalinistëve shqiptarë. Janë të njohura udhëtimet gjysmë të fshehta të politikanëve shqiptarë të të dy krahëve në vende disa herë të cilësuara si terroriste, me qeveri të dyshimta, që s’i duan as popujt e vet e me të cilat s’na lidh asgjë. Të gjitha këto dihen. E keqja është se kujtesa e politikës shqiptare është e shkurtër dhe, veç kësaj, disa nga politikanët tanë dinakërinë e tyre e kujtojnë për zgjuarsi. Është e kuptueshme që dhe haxhiqamilizmi, dhe komunizmi shqiptar do të linin pas vetes një frymë të sëmurë kundërevropiane. Është e kuptueshme që shumë njerëz do të ndihen keq në familjen e sotme të popujve. Problemi i mirëkuptimit ose moskuptimit shqiptar me kontinentin, është në thelb mirëkuptimi ose moskuptimi me vetveten. Raportet me Evropën s’mund të jenë veçse të qarta e pa dy- fytyrësi. Mesazhi i Evropës më 1997-ën dhe 1999-ën, ishte i qartë. Ajo na quante të vetët, ashtu siç ishim, me atë identitet që kishim. E vetmja kërkesë e saj ishte ajo që iu bë gjithë popujve të tjerë të ish-Lindjes komuniste: emancipimi, demokracia. Trillet, nazet dhe dyshimet nuk janë pa një burim. Një pjesë vijnë nga keqkuptimet tona të vjetra, një pjesë nga dredhitë e sotme. Ende disa vite më parë ishin të kuptueshme. Por në pranverë të këtij viti, ato janë të tepërta. Pengesat që s’na lënë, ose na duket se s’na lënë t’i afrohemi Evropës, përpara se t’i kërkojmë jashtë, duhet t’i kërkojmë brenda nesh. Nuk është pengesë asnjëra nga fetë e, sidomos, nuk është myslimanizmi ndaj të cilit dyshimi ngjan më i lehtë. Është thënë me të drejtë se të tri besimet janë të barasligjshëm në Shqipëri. Duke mos qenë pengesë asnjëri, po aq mund të thuhet se asnjëri s’është lokomotivë që na tërheq drejt Evropës. Në pengojnë, ata pengojnë të tre bashkë e, në tërheqin, këtë e bëjnë të tre njëlloj. Një shqiptar mysliman, është po aq i natyrshëm si shqiptar dhe si evropian, sa një katolik e po aq, sa një ortodoks. Në acarimet e shpesh në përpjekjet me turqit osmanë, shqiptarët myslimanë ishin në vijën e parë. Feja e njejtë me pushtuesin nuk ua mjegulloi idenë e lirisë. Bilbilenjtë, ata që në mënyrë aq të padenjë u përgojuan në Kuvendin shqiptar më 2006-ën, ishin një nga familjet martire, 13 djem oficerë të së cilës u varën brenda ditës nga pushtuesi me të njëjtën fé. E njëjta gjë ka ndodhur me shqiptarët ortodoksë. Martirët e vijës së parë kundër trysnisë mizore të shovinizmit fqinj, ishin pikërisht ata. Papa Kristo Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj që feja e njëjtë me kundërshtarin nuk ua zbehu për asnjë çast idenë e lirisë. Rexhep Qosja ka të drejtë kur thotë se nëse shqiptarët do të kishin ruajtur besimin fillestar, rikthimi i tyre në Evropë do të kishte qenë më i lehtë. Por kjo keqardhje e tij, nëse mund ta quanim kështu, bie ndesh me këmbënguljen se gjysma jonë i përket ndërkaq qytetërimit lindor. Me këtë pranohet ngadhënjimi i vonuar i shtetit osman. Me këtë pranohet se në gjithë gadishullin ballkanik i vetmi popull që u thye, qoftë edhe përgjysmë, ishim ne. Në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë, ne do të ishim të detyruar ta pranonim. Por kjo, për fat, nuk është kurrsesi ashtu. Siç u tha më lart, kombet nuk ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet. Nostalgjia e tërthortë që po shfaqet sot tek ne për otomanizmin nuk është vetëm e habitshme. Ajo është në radhë të parë poshtëruese. E po ashtu fantazma e Haxhi Qamilit, që përherë e më shpesh shfaqet në trojet shqiptare. Shtatorja që iu ngrit në qendër të Tiranës, më 2001, një shefi otoman, i shpallur si kinse themeluesi i qytetit, ka qenë fyerja më e madhe për kryeqytetin e shtetit, për historinë dhe ndërgjegjen shqiptare. Vetëm një popull që nuk e meriton lirinë mund t’i ngrejë shtatore pushtuesit të vet. Bashkia e Tiranës, e drejtuar në atë kohë “nga haxhi qamilët”, siç i cilësoi me të drejtë arkitekti Maks Velo, e ngriti atë shtatore natën dhe pa lajmëruar askënd, si keqbërësit. Banorët e pallateve rreth sheshit, ku ajo ende ngrihet sot, e mbajnë mend njeriun që printe vallen rrotull shtatores atë natë. Ky njeri mban një nga postet më të rëndësishme në qeverinë e sotme. Kjo shtatore është mishërimi i korrupsionit politik dhe moral të shkallës më të errët. Historianët e kanë shpallur të rremë këtë gjoja themelues. Emri i Tiranës si vend vendbanimi, është shumë më i vjetër se koha e këtij pashai. Klisheja krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu, thënë ndryshe një “vend i as-as-it”, s’na bën kurrfarë nderi. Së pari, sepse nuk është e vërtetë, së dyti, sepse, të lakmosh një cilësim të tillë, është njëlloj si të vetëshpallesh “gjysmak”, që në shqip midis të tjerash do të thotë “tarrallak”. Ideja e përhapur andej-këndej dhe fatkeqësisht e përkrahur nga Qosja, se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit”, të kujton një nga njollat e historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit. Ide të tilla delirante, ato me të cilat Shqipëria, për një kohë të gjatë, u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve. Por jo politikanëve tanë. Me sa duket, reflekset e vjetra të zyrave të Enver dhe Nexhmije Hoxhës, u vijnë në mendjet e tyre prej mitomanësh. Janë këto, me sa duket, që shkaktojnë çoroditjen kryesore në politikën shqiptare. Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të gjithë gamën që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoiste. Janë këto reflekse, që i shtyjnë këta politikanë, që, në vend që të përqëndrohen në çështjet e ngutshme madhore përpara të cilave ndodhet kombi shqiptar: mirëqenia, hyrja në Evropë dhe statusi i Kosovës, fillojnë e joshen nga fantazira pa kuptim, për të cilat nuk kanë as mundësi, as shtat e as tagër moral nga populli i vet. Të brengosesh se si do të pajtohet Perëndimi me Lindjen, të kinse ndërhysh, për shembull, në kinse rolin e ndërmjetësit, në mosmarrëveshjet SHBA – Iran, për energjinë bërthamore, kjo, në rastin më të thjeshtë quhet ëndërr në diell, kurse në rastin më të keq, e ka emrin korrupsion politik. Misioni i shqiptarëve në këtë planet, fati apo e thënia e

    tyre, është një dhe i pandryshueshëm: mbrojtja e interesave të vendit të tyre, që quhet Shqipëri dhe i popullit të tyre, që mban emrin shqiptar.

Mua më duket se problemet janë tepër të qarta dhe gjithçka është  në krah të kombit, akuzat që ngrihen janë marrëzi, ndërsa komentet kundërshtuese më duket se nuk kanë bazë.

Fragment: Marrë nga Sprova” Identiteti evropian i shqiptarëve”

Filed Under: Opinion Tagged With: i shqiptareve, Identiteti evropian, Ismail Kadare

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT