• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRËFIM PËR NJË VATRAN TE RI DHE FAMILJEN E TIJ

November 5, 2012 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Një vit pasi kisha filluar punën si editor i Diellit, kryetari i Vatrës, njëkohësisht dhe Managing Editor, z. Agim Karagjozi, më sugjeroi:- Duhet të shkruash edhe për vatranët e thjeshtë, ata që nuk u vjen radha të përmenden në kronikat e gazetës, që nuk janë të zgjedhur, por e duan Vatrën. “Përpiqu që të gjesh shembuj në historinë e Vatrës, dje dhe sot”.

Jam duke e bërë këtë kërkim dhe kam gjetur vatranë të thjeshtë që i kanë dhënë shumë Vatrës, edhe pse nuk kishin poste drejtuse, as në qendër e as nëpër degë. Së shpejti me ta do të nis një rubrikë të re në faqet e Diellit.Për ditët e sotme zgjodha një vatran nga Kosova, jo se ka bërë shumë për  Vatrën, madje nuk ka më shumë se dy vjet anëtar, pra është vatran i ri, por jeta dhe aktiviteti i tij më intriguan. Shprehja e Idriz Çelaj se “Hyrjen në Vatër, e kam konsideruar si hyrjen në një vend të shenjtë”, ishte një arsye më shumë për ta bërë objekt të këtij shkrimi.

Idriz Çelaj iu përgjigj thirrjes së Vatrës për t’u bërë pjesë e saj, pa hezitim. Edhe kur vjen në Vatër, nuk ndjehet. Kur i japin ndonjë detyrë bën ç’mund për ta kryer, kur nuk e thërrasin, nuk shfaq shenja”mbetje qejfi”.  Kur i thamë në prag të 100 vjetorit të Vatrës se a mund të gjente dhjetë veta për të plotësuar një tavolinë, ai nuk tregoi entuziazëm, por  të nesërmen, telefonoi dhe solli 2500 dollarë. Po i fus vetë nga xhepi, jo se jam i pasur, po e dua Vatrën. Po nuk gjeta, do ta plotësoj me familjen time!

Kur iu kërkua që të mund të ndihmonte në aktivitetin për promovimin e librave të Prof. Nusret Pllanës nga Vatra, ai vetëm kërkoi se çfarë mund të bënte. Dhe ditën e organizimit erdhi me gjithë makinë tek Vatra dhe ndihmoi pa u kursyer. Kontributi që dha gjatë aktivitetit ishte i dobishëm.

Idriz Çelaj është i dashuruar pas poezisë që në fëmijëri. Ai më tregon se poezinë e parë e shkroi kur ishte në klasën e gjashtë. Ishte një poezi kushtuar mësuesit.Ai kujton takimet me poetin kombëtar Azem Shkreli, i cili duke ia vlerësuar poezitë, i dha kurajo. Kujton Idrizi: Kisha botuar një poezi. Azem Shkreli më tha: Me këtë varg tëndin mund të bëj një poemë të tërë. Vazhdo e shkruaj! Në Kosovë ka qenë anëtar i Kryesisë së Shoqatës së letrarëve të rinj, kryetar për degën e Pejës.Në fund të vitetve ’70 ka botuar në revistën “Pena” në Austri, Illyria, Bota e Re, Zëri i Rinisë, dhe ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i  revistës “Koha” në Mal të Zi.

Kur Idriz Çelaj botoi vëllimin me poezi “Për Ty dhe Arbanën”, Dielli shkroi pak rreshta prezantuse, por Idrizi nuk u zemrua. Megjithatë ai më falenderoi për ato pak rreshta prezantuse. Në fakt  vëllimi poetik i Idrizit (I shoqëruar me grafika të Ramiz Mujës) shquhet për frymën lirike dhe tonet epike të rrëfimit. Në 35 poezitë e librit ai ka derdhur metaforikisht shpirtin poetik.Poezia e tij përcjell ndjesinë e spërkatjes së vargjeve me aromë vendlindjeje, me epizmin e bjeshkëve, me gjakun e trimave që sollën lirinë e Kosovës. Idrizit i pëlqen që të shkruaj edhe për dashurinë, edhe për  historinë, edhe për simbolet kombëtare, si : Nënë Tereza, Ibrahim Rugova, Fan S Noli, Faik Konica etj.

Ende i kam në kujtesë vargjet e poezisë së tij”Nëse vdes”:  Nëse vdes/ Para Festës së Madhe,/ Kokën,/ Ma ktheni kah Shqipëria,/ Zemrën,/ Ia paça falë Kosovës/ Këngën/ Këndojeni për trojet Shqiptare…

 

    KREANARI  PËR TRASHËGIMINË HISTORIKE

 

Idriz Çelaj ndjehet krenar për paraardhësit e tij. Familja e madhe e tij ka lënë gjurmë në historinë për  liri dhe të drejta Kombëtare. Babai i tij, Binaku dhe xhaxhai Qerim, ishin pjesë të çetës së Zhuk Haxhisë, gjyshit të Idrizit. Janë të njohura trimëritë e  Zhuk Haxhisë që në kohën e mbrojtjes të Plavë e Gucisë , nga ushtria serbomalazeze. Në  fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar, popullsisë së kësaj treve i ishte zgjuar shpresa për t’u ribashkuar me trojet amtare. Prijësit e Rugovës dhanë një kontribut të jashtzakonshëm për vëllezërit e tyre të gjakut dhe gjuhës, të Plavës e Gucisë. Ndër luftëtarët e asaj kohe, kronikat përmendin: Zhuk Haxhia, Sak Faslia, Sylë Mehmeti, Ker Sadria, Sali Rama, Bek Rexhepi, Haxhi Mustafa, Tahir Coli e të tjerë.

Zhuk Haxhia i takonte familjes atdhetare të Çel Shabanit, ish komandant gjatë Lidhjes së Prizrenit ( I dekoruar nga Presidenti Sali Berisha më 1993). Trimëritë e kësaj familje nisnin që në fillim të shekullit të shkuar, ku i biri Çelë Shabanit, Haxhi Çela ishte udhëheqës dhe luftëtar i  njohur Rugovas, që u dallua në betejën e zhvilluar në Majën e Lanit kundër malazezëve. Zhuk Haxhia sa rroku pushkën në dorë nuk e lëshoi deri në vdekje. Ai ishte pjesë e luftës së Beranit më 1911,ndërsa më 1912 është pjesmarrës në Luftën e Moknës. Nga vitet 1918-1924 është njëri ndër luftëtarët  më të spikatur të Rugovës. Më 1941 Zhuk Haxhia  me çetën e vet luftoi për mbrojtjen e kufijëve etnikë dhe u printe vullnetarëve rugovas.   Ai nuk i uli armët gjatë viteve 1941-45. Çeta e tij kishte në përbërje trima të njohur të Kosovës; Ker Sadria, Sali Rama, Sak Faslia, Tahir Coli, Jashar Haxha, Hys Selimi, Riza Zymeri e të tjerë. Me çetën e tij, Zhuk Haxhia në bashkëpunim me Isuf  Bajraktarin dhe Haxhë Mustafën e mbrojtën  vijën kufitare prej Moknave deri në Qafë të Çakorrit. Luftimet i vazhduan edhe në vitin 1946. Pushteti komunist e dënoi Zhuk Haxhinë me vdekje, dënim që më pas iu kthye 20 vite burgim i rëndë. Në burg përfundoi edhe Babai i Idrizit, Binaku e axha Qerim, të cilët kaluan kufirin dhe shkuan në Shqipëri për të kërkuar mbrojtje, por regjimi i Enver Hoxhës, i ktheu sërish tek Tito. Përfunduan në burg të Gjilanit.

Një peng e ka Idriz Çelaj; Kullat e Zhuk Haxhisë dhe e Çel Shabanit, dëshmi të hsitorisë, të rrafshuara nga dy luftra, kanë mbetur të rrënuara në themele. Vetë Idrizi nuk ka mundësi financiare, ndoshta shteti i ri Kosovës duhet ta ndjejë për obligim, që ato kulla duhet të ringrihen dhe të dëshmojnë, ndërsa eshtrat e Çelë Shabanit kanë mbetur në Plavë, atje ku dhe u martirizua në emër të lirisë së trojeve. Edhe kjo mbetet detyrë e shtetit, por edhe shqiptarët e asaj treve ia kanë borxh Çelë Shabanit.

 

        KOHË TË VËSHTIRA NË KOSOVËN E OKUPUAR

 

Idrizi e ka prejardhjen nga një familje kelmendase e zbritur nga Mbishkodra në Rugovë. Ai ndjehet krnar për trashëgiminë historike të të parëve të vet. Më i përmenduri i fisit është Çel Shabani, një ndër komandanët e luftëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, i njohur  për  trimëritë e treguara ndër luftimet për liri, ku shquan heroizmi i tij në luftë e Nokshiqit. Çel Shabani dhe i biri, Sokol Çela, janë  personazhe të At Gjergj Fishtës tek “Lahuta”, ndërkohë që Çel Shabani është personazh edhe në romanin historik të Sulejman Krasniqit.

Vetë Idrizi ndjehet krenar që ka trashëguar nga të parët e vet kontribute atdhetarie. Ai studioi në Universitetin e Prishtinës , fakulteti Filozofik, dega Gjuhë-Letërsi, por kushtet e vështira në Kosovën e okupuar ia vështirësuan ushtrimin e  profesionit. Gjatë kohës së mbylljes së shkollave, hapjes së tyre nëpër shtëpi, për disa kohë ai ishte mësues vullnetar. Demonstratat e ’81-shit e patën gjetë student. Ishte kryetar i konviktit të Letërsisë me 500 studentë dhe u tregua tepër aktiv në demonstrata. “Nëse nuk u burgosa, merita s’ishte e imja, por e ish të burgosurit politik Xun Çeta, i cili nuk dekonspiroi emrat e organizatorëve. Idrizi kujton se me çarçafët e konviktorëve u shkruan parullat për liri e Kosova Republikë.

Aktiviteti politik i tij ra në sy të autoriteve të cilët më shumë se dhjetë herë e thirrën në biseda informative në rajonet e policisë. Në bisedat informative ai pyetej për aktivitetin politik, aktivitetin kulturor,  dhe atë pedagogjik. Merita e përballimit të dhunës psikologjike, ai thotë se i takon Avokat  Bajram Kelmendit, i cili e kishte udhëzuar se si duhej të tregohej i pa përkulur në seancat e bisedave informative.

Aktiviteti politik i Idizit në kohët e vështira të Kosovës së okupuar ishte dinamik. Ai ishte themelues i degës së LDK-së në fshatin Arbanë (ish Lutogllavë). Më pas me ftesën e Mark Krasniqit ndihmoi në zgjerimin e Partisë Shqiptare Demokristiane. Idizi ishte kryetar i degës për zonën me qendër në Tërstënik(Sot Trefish), dega më e madhe në Kosovë. Ishte edhe kandidat për deputet i asaj Partie.

Duke përfituar nga përvoja e të parëve, Idrizi ka qenë pjesë e komisoneve lokale për pajtimin e  gjaqeve. Ai ishte pjesë në pajtimin më të madh të gjaqeve që është bërë Te Verrat e Llukës , ku merrnin pjesë personalitete si: Anton Çeta, Zekria Cana, Mark Krasniqi, Avdi Kelmendi, Bajram Kelmendi, Flamur Gashi, Have Shala, Myrvete Dreshaj, e të tjerë. “

Idrizi shquhet për urtësi. “E kemi amanet nga Çel Shabani, që të mos krijonim konflikte mes shqiptarëve sepse pushka s’na shkon ndër shqiptarë, por vetëm ndaj shkjaut që na kishte zaptue vatrat. Shpesh herë këtë porosi ma ka përcjellë gjyshi, Zhuk Haxhia”,thotë ai.

 

                  DASHURIA PËR ARTIN E SKENËS

 

Idriz Çelaj është i dashuruar pas artit të skenës, veçanërisht pas dramës. Ai ruan në arkivin familjar shumë gazeta dhe revista, ku shkruhet për sukseset që ka arritur me trupat amatore të Pejës. Është i pasionuar pas regjisurës. Me trupën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Pejës, u nderua me çmim në olimpiadën “ Presheva ‘94”. Drama me regji të Idiz Çelaj dhe dy aktorët më të mirë të asaj trupe, Rudina  Xhara e Hysne Zeqaj, fituan çmime. Me ansamblin ’Ndrekë Luca” , regjisori i pasionuar Idriz Çelaj mori vendin e parë  me  komedinë e Kristo Floqit ”Burri-Burrë”. Në atë festival u shpërblyen katër aktorë të kësaj trupe, ku veçon Kushtrim Sheremeti, një aktor aktiv edhe sot. Meritën për zbulimin e tij e ka Idriz Çelaj.Shtypi e veçoi këtë shfaqje për nivelin e lartë të interpretimit.

Sukses tjetër arriti regjisori Çelaj në festivalin e  organizuar për nder të poetit kombëtar “At Gjergj Fishta” me dramën “Takimi i orës 9” të Ernest Koliqit. Aktorët amatorë dhanë një shfaqje të përkryer. Avni Kelmendi luante rolin e Luigj Gurakuqit, Agim Desku; rolin e avokatit arbëresh  Kostandin Stresto,  Mevlude Gjuka  në rolin e Rinës, profesoreshës së matematikës,  Rudinë Xhara  interpretoi rolin e Serafinës, motra e Rinës, Rejhane Muja luajti në rolin e shërbëtores. Regjisor ishte Idriz Çelaj me asistente Rudina Xhara,  me skenografi të  Afrim Gora dhe Aida Gjinkolli.

“Në Jogodë, kujton ai, morën mirënjohje nga organizatori, Lek Përlleshi.”

Edhe kur mbërriti në SHBA, Idriz Çelaj nuk hoqi dorë nga arti. Ai është rithemelues këtu në New York i Ansamblit artistik ”Rugova”.  Në radhët e ansamblit futi së pari vajzat dhe djalin e tij për të dhënë ai shembullin i pari. Ansambli dha shfaqje me nivel dhe u vlerësua edhe në Festivalin Shqiptar që organizon Qendra Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”.

Idrizi nuk ka hequr dorë nga pasioni për dramën. Ai është duke menduar për një projekt të afërm.

 

 

FËMIJËT, STUDENTË TË SHKËLQYER DHE SPORTISTË TË PASIONUAR

Idizi Çelaj u detyrua nga rrethanat e vështira të  luftës që ta zhvendoste familjen nga Kosova në SHBA. Me bashkëshorten Teutë dhe tre fëmijët, që kishte aso kohe, së bashku me një familje tjetër, u zhvendosën nga Kosova në Ulqin, më pas në Hungari, Zvicër, Argjentinë dhe mbërritën në Miami, që andej në Nju Jork.Një aventurë e gjatë e plot shqetësime. Sapo shkeli në Nju Jork, ia nisi punës. Duhej mbajtur familja, duheshin shkolluar fëmijët. Nuk i përbuzi punët e krahut.Bashkëshortja Teutë, pas kualifikimit filloi infermiere në Jacobi Hospital Center dhe u bë një mbështetje e sigurtë për familjen.

Fëmijët janë të mbarë; shkëlqejnë në mësime dhe janë të pasionuar pas sporteve. Kjo është dhurata më e mirë që ata u bëjnë prindërve të tyre. Idrizi thotë për Diellin se ndjehet krenar për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Ky është një gëzim i prekshëm në familjen e tij, si në shumë familje shqiptare këtu në SHBA.

Vajza e madhe, Marigona, studion për mjekësi në Westchester College. Rezultatet i ka të shkëlqyera. Madje katër provime të Kolegjit i pat dhënë që në gjimnaz. Pasion ka volejbollin. Pasion që e trashëgon nga i ati, Idrizi, i cili ka luajtur volejboll me përfaqësuesen e Universitetit, ku ishte shpallë “tekniku më i mirë i vitit”. Marigona ka dhe një pasion tjetër, gazetarinë. Artikulli i saj, “ A miracle  on Crompond Road “, botuar në Gazetën “The Anchor” në rubrikën ”School & Community”, u vlerësua nga lexuesit. Vajza tjetër, Albertina, është në vitin e  fundit të shkollës së mesme. Edhe ajo shkëlqen në mësime. Mjekësia  është objektivi i saj. Albertina është “Senior Editor” në gazetën “The Anchor”. Emri i saj është shënuar në faqen e parë të gazetës, ndërkohë që në çdo numër, janë botuar artikuj të saj. Në numrin e  fundit, në krye të faqes së dytë, botohet artikulli i Albertinës” Baby, it’s  Cold Outside”, ndërsa në botimin e pranverës pati  botuar artikullin” Watch Where You Throw That”. Shumë artikuj të Albertinës janë vlerësuar nga lexuesit dhe stafi i gazetës.

Vajza tjetër, Heroina (Rina, siç e thërrasin në shkollë), është në ballin e shkollës. Rina  është më rezultativja nga motrat për volejbollin. Shquhet për teknikën e lartë. Vitin e kaluar, skuadra e saj u shpall e dyta në kampionatin e shkollave të mesme. Nisur nga pasioni, teknika që zotëron, vullneti në stërvitje dhe shpirti i garës gjatë lojës, ajo është e vetmja që edhe pse nuk e ka moshën, luan me ekipin e të rriturave. Greta, më e vogla e motrave, ka pasion tenisin, ndërsa vëllai i tyre, Ardriti është i pasionuar pas futbollit.

Filed Under: Sociale Tagged With: dalip greca, Idriz Celaj, per nje vatran te ri, rrefim

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT