• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët e Amerikës dhe tensionet politike në SHBA

January 13, 2021 by dgreca

NGA ILIR IKONOMI-ZERI I AMERIKES/

Si i shohin shqiptaro-amerikanët zhvillimet e fundit politike në SHBA në prag të inaugurimit të Presidentit të Zgjedhur Joe Biden? Zëri i Amerikës bisedoi në Skype me dy prej tyre. Më 6 janar, ditën kur një turmë e dhunshme sumoi Kapitolin, Marko Kepi, mbështetës i Presidentit Donald Trump nga Nju Jorku, ishte në Uashington.

“Ne ishim në pjesën ku mbajti fjalimin Presidenti Trump, që ishte më shumë afër Shtëpisë së Bardhë se sa afër Kapitolit. Kur iu afruam Kapitolit, pas fjalimit të Presidentit, e pamë që filloi rrëmuja dhe me grupin tonë vendosëm të largoheshim që të mos bëheshim pjesë e trazirave. Ishte një gjë shumë negative, që nuk duhet të ndodhte, sidomos këtu në Amerikë. U duk si një gjest ballkanik dhe jo si një gjest amerikan,” thotë zoti Kepi, i cili drejton organizatën Albanian Roots.

Shumë amerikanë ndajnë mendimin se me zhvillimet e fundit, siç ishte sulmi kundër Kapitolit, saga e gjatë e zgjedhjeve dhe sidomos teoritë konspirative që qarkullojnë me lehtësi në mediat sociale, demokracia amerikane është e kërcënuar si asnjëherë.

Edhe zoti Kepi shpreh shqetësimin e tij për kërcënimet ndaj demokracisë. Ai nuk është dakord, për shembull, me vendimin e kompanisë Twitter që i mbylli llogarinë presidentit Trump.

“Në një anë them se po, është e kërcënuar, sepse kur sheh akte të tilla që një kompani ia bllokon Presidentit të SHBA të drejtën e fjalës, ky është një shqetësim për demokracinë amerikane. Qeveria duhet të reagojë që të mos ndodhin këto gjëra. Nëse kjo i ndodh presidentit, atëhetë ç’mund të thuhet për ne? Sa i përket shtetit dhe ligjit nuk shikoj se do të ketë një ndryshim shumë të madh. Shteti amerikan gjithnjë do të funksionojë, sepse kemi Kongresin, Senatin dhe dy parti që mundohen të ruajnë ekuilibrin.” thotë zoti Kepi.

Richard Lukaj, themelues i grupit bankar Bank Street në Stamford të shtetit Konektikat, është i regjistruar si republikan dhe në të kaluarën ka patur rastin të njohë si Presidentin Trump gjatë marrëdhënieve të biznesit me të, ashtu edhe Presidentin e Zgjedhur Joe Biden. Ne e pyetëm zotin Lukaj nëse një proces shërimi në SHBA është i mundur me ardhjen e administratës së re:

“Mendoj se është shumë e mundur. Vazhdimisht në këtë vend ka patur erëra ndryshimesh. Votuesit kësaj here u shprehën për një ndryshim në drejtimin e vendit, një ndryshim të tonit, një ndryshim në karakterin e presidentit madje edhe përtej kësaj, siç u pa me fitoren e dy senatorëve në shtetin Xhorxhia, njëri prej të cilëve afrikano-amerikan dhe tjetri hebre. Mendoj se mesazhi ishte shumë i qartë. Era e ndryshimit e ka lënë pas retorikën populiste që pamë disa vite më parë,” thotë zoti Lukaj.

Por zoti Lukaj mendon se situata është ende shqetësuese, kur dëgjohen paralajmërime për kërcënime ndaj sigurisë në ditën e inaugurimit që po afron:

“Është ende një kohë tensionesh, kur zërat e njerëzve të arsyeshëm duhet të dëgjohen. Mendoj se mendjet inteligjente në të dyja anët e spektrit politik duhet të bien dakord se e ardhmja e vendit është më e mirë kur ka pajtim dhe dialog konstruktiv për zgjidhjen e problemeve, se sa grindje politike që e përçajnë vendin.”

Në mënyrë të veçantë, Partia Republikane ka qenë kohët e fundit mjaft në qendër të debateve politike. Për mbështetës të zotit Trump si Mario Kepi, e ardhmja e partisë është ende e panjohur. Kjo parti prej disa vitesh lëkundet mes besnikërisë ndaj Presidentit Trump dhe largimit nga ndikimi i tij.

“Si anjëherë më parë, nuk shikoj që ky kandidat, ose ky president që ne kishim, do të jetë si të tjerët që thjesht kryejnë mandatin dhe zhduken. Ai nuk kishte thjesht votues por një bazë që e ka mbështetur, një grup personash që më shumë besojnë tek ai sesa tek partia. Mendoj se mënyra se si do të sillet Partia Republikane me Presidentin Trump, do të tregojë për të ardhmen e kësaj partie,” thotë republikani Kepi.

Në komunitetin shqiptaro-amerikan pasionet politike nuk mungojnë. Richard Lukaj beson se politikisht ky është një komunitet si gjithë të tjerët, i integruar thellë në jetën e vendit, por me tiparet e veta sa i përket prirjeve politike.

“Mendoj se komuniteti shqiptaro amerikan nuk është ndryshe nga pjesa tjetër e vendit… Shumica e shqiptarëve që emigruan në SHBA erdhën këtu me një preferencë për të djathtën, siç ishte familja ime dhe të tjerë që ikën nga regjime socialiste dhe komuniste. Por është interesant se me kalimin e kohës, përvoja amerikane bëri që preferencat e tyre partiake të balancoheshin, duke arritur gati 50 me 50 për qind,” thotë bankieri Lukaj.

Ai shpjegon se ashtu siç ka ndodhur edhe me pjesën më të madhe të vendit, shqiptaro-amerikanët janë luhatur nga njëra anë e spektrit tek tjetra në varësi të çështjes që ka patur përparësi për komunitetin.

“I tillë ka qenë konflikti në Kosovë, kur simpatitë shkonin drejt sekretares Madeliene Albright dhe Presidentit Bill Clinton. Në fillim të viteve 90, kur Shqipëria po shkëputej nga komunizmi, ishte sekretari James Baker dhe presidenti Xhorxh Bush i vjetër që nxorën më në pah prirjet republikane tek komuniteti shqiptar,” thotë ai.

Zoti Lukaj bën thirrje që në momentin e tanishëm njerëzit të jenë më objektivë e më të peshuar, larg ndikimit të emocioneve që errësojnë gjykimin.(Ndiqini intervistat ne Zerin e Amerikes)

Filed Under: Interviste Tagged With: Ilir Ikonomi, Shqiptaret e Amerikes, tensionet politike ne SHBA, VOA

TE HENEN E 15 DHJETORIT NDERROI JETE FAIK KONICA

December 16, 2020 by dgreca

…Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor(1942), kur Faiku pësoi papritur hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.

Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar.

Marre nga: Ilir Ikonomi “Faik Konica, Jeta ne Uashington”…(Dielli 15 Dhjetor 2016)

Filed Under: Featured Tagged With: 15 Dhjetor, Faik Konica, Ilir Ikonomi

Kryeipeshkvi i Nju Jorkut viziton kishën shqiptare”Zoja e Shkodrës”

March 4, 2019 by dgreca

1 dom Pjetri.JPG1 Kryeipeshkevi i NY1 Ipeshkevi1 agim Kola

Nga Ilir IKONOMI*/

Kryeipeshkvi i Nju Jorkut, kardinali Timothy Dolan inkurajoi komunitetin katolik shqiptar të Amerikës të qëndrojë i bashkuar dhe të ruajë besimin. Ai foli të dielën pasdite gjatë një vizite në Kishën Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut dhe shprehu simpati për katolikët e Shqipërisë që vuajtën veçanërisht shumë gjatë komunizmit. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në kishën shqiptare dhe na dërgoi këtë material.

Kardinali Timothy Dolan u prit me përzemërsi dhe me një stuhi duartrokitjesh nga komuniteti katolik shqiptar që kishte mbushur kishën Zoja e Shkodrës në periferitë e Nju Jorkut.

Kardinali Dolan, i njohur si konservator dhe si njeri mjaft karizmatik, është kleriku më i lartë dhe kardinali i dytë që vjen për të dhënë meshë në këtë kishë.

Dioqeza që ai përfaqëson përfshin disa qindra kisha dhe komuniteti katolik shqiptar i Nju Jorkut e shikon vizitën e tij si një nder të madh.

“Ju admiroj shumë për arsye të historisë që ju keni, historisë së vuajtjes dhe përndjekjes për besimin tuaj të thellë katolik,” tha kardinali.

“Ata shkatërruan kishat tuaja, vranë priftërinjtë tuaj, ju shkatërruan katekizmin, ata madje nuk ju linin tu vinit fëmijëve emra të krishterë. E megjithatë, ju, prindërit dhe gjyshërit tuaj nuk u përkulën por u mbajtën fort pas besimit të tyre.”

“Dhe tani, ju e sillni këtë besim të thellë katolik që u sprovua në zjarrin e përndjekjes, këtu në Shtetet e Bashkuara, ku ne kemi nevojë për të. Sepse këtu në Amerikë ne nuk na është dashur të vuajmë aq shumë për këtë besim. Ne e marrim atë si diçka të natyrshme.”

“Prandaj ruajeni këtë besim, ruajeni gëzimin dhe unitetin në familjet tuaja. Ruajeni dashurinë për besimin tuaj dhe bëni që ai të jetë një dritë për botën. Ne kemi nevojë për ju, kemi nevojë për shembullin tuaj,” tha kardinali Dolan.

Kardinalit iu dorëzua një pllakat me fotografitë e 38 klerikëve shqiptarë të vrarë nga komunizmi në Shqipëri, dhe një portret i Nënë Terezës.

Famulltari i Kishës Zoja e Shkodrës, Dom Pjetër Popaj u bëri jehonë fjalëve të kardinalit. Ai kujtoi kohën kur në Shqipërinë komuniste përndiqeshin njerëzit e besimit, rrëzoheshin kishat dhe shkatërroheshin kambanaret:

“Krimet e kryera ndaj priftërinjve ishin përtej përfytyrimit njerëzor, pra që një qënie njerëzore duhej të trajtohej aq mizorisht nga një tjetër qënie njerëzore.”

Kardinali Dolan dhe Dom Pjetri folën përpara një audience ku një pjesë e mirë e njerëzve janë të ardhur nga Shqipëria dhe i kanë përjetuar vetë ato vuajtje.

Tonin Mirakaj është veprimtar i Kishës Zoja e Shkodrës:

“Unë personalisht ndiej një emocion të posaçëm sepse një prej atyre është Fran Mirakaj, xhaxhai im. Kur e pashë atë pikturë në dorën e tij ndieva sigurisht një emocion. Ai u zhduk, nuk dihet as varri i tij e asgjë tjetër. Fran Mirakaj është një ndër 38 martirët e Kishës Katolike. Ishte njpë akt i mirë që bëri Dom Pjetri që i dhuroi kardinalit atë pikturë bashkë me atë të shënjtores Nënë Tereza. Për ne shqiptarët të gjitha këto janë me shumë rëndësi.”

“Me fjalët e tij, ai respektoi shqiptarët, historinë shqiptare dhe të gjitha ato që kanë ndodhur në trojet shqiptare gjatë komunizmit dhe gjatë shtypjes ndaj besimit të fesë,” thotë Marjan Cubi, veprimtar i qendrës kulturore të Kishës.

Njerëzit e duan këtë kishë, e cila u ndërtua me ndihmën e të gjithëve, edhe të komunitetit mysliman. Ata vijnë me shumë dëshirë, disa udhëtojnë më tepër se një orë me makinë për të ardhur këtu. Nuk është thjesht një kishë por edhe një shtëpi.

Por kjo e dielë ishte mjaft e veçantë. Lidia Curanaj, është një personalitet i njohur televiziv i Nju Jorkut.

“Jemi shumë të gëzuar që ka ardhur kardinali. Jemi shumë krenarë që ka ardhur këtu. Ai na do dhe ne e duam,” thotë ajo.

Lidia e ka mësuar shqipen nga prindërit që emigruan në Amerikë dhe thotë se është mjaft e lidhur me këtë kishë:

“Nëna dhe babai kanë ardhur këtu pa shkollë dhe na kanë mësuar shqipen. S’e di krejt por mirë boll e di. Kemi blerë shtëpinë afër këtu për që qenë afër kishës. Aq shumë duam që të jemi shqiptarë. Duam edhe vajzën ta rrisim që të jetë shqiptare. Është me shumë rëndësi që vajzën ta rrisim të jetë amerikane krenare dhe shqiptare krenare.”

Kardinali Dolan ka një mënyrë të hapur komunikimi dhe dëshron t’i takojë të gjithë, një për një. Kur e pyesim se ç’mendon për komunitetin shqiptar, ai përgjigjet thjesht:

“I dua shumë, jam i gëzuar që ndodhem këtu”.

Ai thotë se një ditë Nju Jorku ndoshta do të ketë një arkipeshkv shqiptar.(Zeri i Amerikes)-Fotografite-Kortezi-Lidia Curranaj

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Ikonomi, Kryeipeshkvi i Nju Jorkut viziton kishën shqiptare, Zoja e Shkodres

Nju Jork: Nderohen aktivistët, mblidhen fonde për sinagogën në Prizren

March 3, 2019 by dgreca

NGA ILIR IKONOMI- VOA/

1 zeri i Amerikes

Organizata Shqiptaro-Amerikane e Grave “Motrat Qiriazi” nderoi të shtunën mbrëma në Nju Jork disa aktivistë dhe grumbulloi fonde për një muze hebraik në Prizren. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në Nju Jork dhe na dërgoi këtë kronikë:

“Motrat Qiriazi”, një organizatë e hershme e grave shqiptaro-amerikane mblodhi mbrëmë në Nju Jork aktivistë dhe donatorë për të shpërndarë disa çmime vjetore.

Avokatja Beti Beno është presidente e organizatës.

“Është një organizatë që merret me emancipimin e gruas. Gjithashtu kemi ndihmuar shkollat, artin, kulturën dhe u përgjigjemi kërkesave të komunitetit duke qenë të pranishëm në plotësimin e këtyre kërkesave.”

Por të shtunën, organizata u mblodh me një mision të veçantë. Përveçse nderoi me çmime disa personalitete shqiptaro-amerikane, ajo ndihmoi në grumbullimin e fondeve për një muze shqiptaro-hebraik që do të shërbejë edhe si qendër e Bashkësisë Hebraike të Kosovës.

Fjala është për rinovimin e një ndërtese të vjetër në Prizren që bashkiua e qytetit i ka dhënë për përdorim Bashkësisë Hebraike të Kosovës.

Biznesmenët e Nju Jorkut, Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, janë kryesorët që po mbështesin me fonde këtë projekt, i cili do t’i shërbejë qëllimit humanitar të promovimit të tolerancës.

Zoti Bajraktari thotë se ky muzeum dhe qendër komunitare do të tregojnë historinë e hebrenjve shqiptarë si dhe historinë e Besës dhe bujarisë shqiptare.

“Rrustem Gecaj dhe unë jemi angazhuar të grumbullojmë 50 mijë dollarë për muzeumin. Deri tani, kemi mbledhur mbi 30 mijë dhe deri në fund të këtij muaji do të arrijmë shumën 50 mijë. Ju falenderoj për bujarinë tuaj.”

Projekti realizohet me mbështetjen e ligjvënësit Eliot Engel, kryetar i komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve. Në emër të ligjvënësit, foli bashkëshortja e tij, Patricia Engel.

“Ngritja e një muzeu të ri të bukur në një vend me shumicë myslimane në një qytet me tre fe monoteiste tregon se është e mundur që njerëz me besime të ndryshme të jetojnë së bashku në paqe dhe harmoni.”

Teuta Sahatçija është përfaqësuese diplomatike e Kosovës në Nju Jork.

“Qeveria e Kosovës e ka dhënë ndërtesën. Komuna i ka dhënë të gjitha lejet. Por ajo ndërtesë, me ndihmën tuaj do të bëhet shtëpi… Shqiptarët edhe kësaj here dëshmojnë që jo vetëm në Luftën e Dytë Botërore i kanë shpëtuar hebrejtë prej holokaustit, por dëshmojnë çdo ditë që janë afër, që njerëz të ndershëm, që janë aty kur dikujt i nevojitet.”

Organizata e grave “Motrat Qiriazi” nderoi një numër personalitetesh që luajnë rol të dalluar në komunitetin shqiptar.

Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, shprehu mbështetje për organizatën.

“Do të dëshiroja të shprehja mirënjohje për të gjithë ju që shpesh në mënyrë vullnetare ndihmoni për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe, kulturën dhe traditën shqiptare.”

Në mbrëmjen festive, sopranoja Lindita Mezini Lole u nderua me çmimin Gruaja e Vitit; Afërdita Osmani Mësuese e Vitit, Dino Erbeli për filantropi, në mbështetje të Fondit për Fëmijët pranë Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane dhe pianistja Hermira Gjoni për kontribut të shquar në Arte dhe Edukim.

Filed Under: Featured Tagged With: Fonde Sinagoga ne Prizren, Ilir Ikonomi, Motrat Qiriazi, Nderohen aktivistet

Ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit

November 11, 2018 by dgreca

1 arkiv flam poli1 a salle31 Kleriket

Në Hartsdale të Nju Jorkut u zhvillua ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, një figurë shumë dimensionale, i cili ka qenë pjesëmarrës aktiv në disa periudha me rëndësi kritike të kombit shqiptar.

Mid’hat Frashëri, i njohur me emrin e penës Lumo Skëndo, u nda nga jeta papritur më 3 tetor 1949 në Nju Jork, ku kishte ardhur nga Evropa për të organizuar Komitetin Shqipëria e Lirë në Amerikë dhe trupi i tij deri tani prehej në varrezën Ferncliff të qarkut Weschester.

Verimtaria e përcjelljes së eshtrave u mbajt në Qendrën Nënë Tereza pranë Kishës Zoja e Shkodrës. Për të marrë pjesë kanë ardhur shumë personalitete shqiptaro-amerikane si dhe një delegacion nga Shqipëria, me përfaqësues nga qeveria dhe nga Instituti i Studimeve Historike në Tiranë, Lumo Skëndo.

Në komentet e pjesëmarrësve u theksua roli i Mid’hat Frashërit si kryetar i Komisionit të Alfabetit në vitin 1908, ku ai mbështeti abc-në shqipe me gërma latine; u fol për punën e tij prej dijetari me themelimin e revistës mjaft të njohur “Diturija” dhe për aktivitetin si njëri prej firmëtarëve të Pavarësisë në vitin 1912.

Mid’hat Frashëri ishte themelues dhe kryetar i organizatës Balli Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ka qenë cilësuar si kolaboracionist nga regjimi komunist dhe kjo vazhdon të jetë ende një pikë ndarjeje mes mbështetësve të tij antikomunistë dhe një pjese të historianëve.

Por shumë prej atyre që folën e cilësuan Mid’hat Frashërin si një figurë të madhe bashkuese për shqiptarët. Ata thanë se ceremonia e riatdhesimit në Nju Jork flet më së miri për këtë.

Në ceremoninë e sotme munguan disa anëtarë të organizatës panshqiptare Vatra, drejtuesit e së cilës i thanë Zërit të Amerikës se Vatra zyrtarisht nuk do të merrte pjesë. Sipas tyre, qeveria shqiptare, vendimin për riatdhesimin e Mid’hat Frashërit e shikon thjesht të lidhur me rolin e tij në çështjen e alfabetit, duke lënë mënjanë kontributet e tij politike si luftëtar kundër komunizmit.

Mid’hat Frashëri do të rivarroset më 14 nëntor në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, aty ku prehet i ati, Abdyl Frashëri dhe xhaxhallarët Sami dhe Naim, që të tre rilindas të shquar.(kronike e gazetarit Ilir Ikonomi per Zerin e Amerikes-Foto: Gazeta Dielli. Per me shume shihni ne Facebook:dielli vatra)

 

Filed Under: Featured Tagged With: ceremonia, Ilir Ikonomi, Mid'hat Frasherin, Midhat Frasheri

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT