Ilir Levonja/Florida/
Aktualisht Kosova gjëndet në ngërç politik. Njëri krah mbahet tek e drejta kushtetuese, por nuk ka votat e duhura për të formuar qeverinë e re. Kurse krahu tjetër, koalicioni post zgjedhor, i ka votat, por formimi i qeverisë është me probleme ligjore. Kjo gjithmonë në bazë të Kushtetutës së vendit, së cilës i referohen përditë edhe palët.
Deri vonë, të gjithë ishim me sy e vesh aty. Por seanca e caktuar për këtë të enjte, (sot) u shty sërish. Deklarata e Flora Brovinës si deputetja më e vjetër e Kuvendit, futi në siklet edhe Presidencën. Sërish bisedime, sërish këmbëngulje. Unë do thosha vetëm kaq, ani Kosovë, u infektove edhe Ti. Nuk i shpëtove dot dheut amë, Shqipërisë. Akoma as majtas, as djathtas, as mespërmes. As veçmas. As tok, të gjithë. As zgjedhje të tjera.
Them u infektove, pasi në krahasim me zgjedhjet në Shqipëri, aty kishte më normalitet. Nëse mund ta quajmë kështu. Të paktën nuk kontestoheshin nga palët. Humbësi njihte fituesin. E uronte. Dhe rezultati dilte krejt në kohë. Kurse në Shqipëri, dalja e rezultatit kap kohën e shtatzanisë. Në këtë aspekt, Kosova qe një version për tu marrë shembull. Edhe në rastin Surroi me ngritjen e përqindjes së pragut elektoral. Mjaft më me parti që i shërbejnë individit. Me kryetarë që mbledhin votat thërrime të ”kryetarëve” në degë, për të qënë përjetësisht kryetar. Shqipëria, në raport me popullsinë është kampione e Ballkanit. Plot 113 të tilla. Shëmbulli i përkryer, Skënder Gjinushi.
Por në Kosovë ka ndodhur ndryshe. Madje edhe në aleanca të forta mes kundërshtarësh të ashpër. Siç ishin ato Rugova, Thaçi. Apo edhe qeverisja Rugova Haradinajn etj. Ndofta atëhere, e deri vonë, trysnia e luftës, e Serbisë ishin si të thuash një lloj shtyse e fortë për të bërë lëshime. Tani më, kjo atmosferë është bjerrur. Kosova ndihet plotësisht e lirë. Për rrjedhojë nisën e çelën tekat. Sepse më shumë se në luftrat e viteve, apo diktaturat, problemi më i madh i yni është Liria. Të jetuarit në Liri. Me njëri-tjetrin. Ne e kemi gati të pamundur.
Në webe të ndryshëm të Kosovës, deri vonë mbrëmë emetoheshin tabela rrugore me emra qytetesh, kilometrat. Për sa të tillë mund të shkosh në Romë, Paris, Vlorë, Durrës, Tiranë, Krujë etj. Kjo i përket së njëjtës frymë si edhe në Shqipëri. Ka kuptimin se njëra palë pengon tjetrën, si e si Kosova të mos bëhet pjesë e Europës. Dhe populli duhet të ngrihet. Sërish në emër të popullit. Nga ana tjetër kur futesh në komisionin zgjedhor të Republikës së Kosovës, vë re se pjesmarrja në zgjedhjet e fundit, 8 qershor 2014, është më e ulta në historinë e re të vendit. Megjithatë Kryeministri foli në emër të Popullit. Se kujt populli? Këtë e di, jo vetëm Thaçi, por të gjithë politikanët tanë.
Ndaj paraqitja e tabelave është logjika e demagogjisë së radhës. Kësaj here lidershipi në Kosovë e ka të vështirë të kapërceka mbi vetveten. Më shumë se popullin në Europë, burrat aty duan pashallëkun e tyre. Njësoj si në Shqipëri, kryetarë të përjetshëm, qeveritarë të tillë. Ani, Kosovë t’i dhembja e bukur. U infektove edhe ti.
Burrat e shtetit tim
Nga Ilir Levonja/Florida/
Në fakt janë djem të një province me emrin Tiranë. Më shau nga pas, më shau nga mamaja, më shau nga motra. Nga ana tjetër një bankë botërore akordon 150 million ndihmë në kredi. Dhe, çuditërisht, emetohet në krye të shumë gazetave, si një lajm I gëzueshëm. Që do të thotë borxh. Një lloj borxhi që kthehet I trefishuar. (E kemi konsumuar një herë këtë.) Madje një nga arsyet e shumta që I urrejnë çiftutët, është edhe fakti se ata shpikën biznesin e parasë. Pranverën e interesit. Kjo ishte dhe mbeti zotësia e tyre. Nga ana tjetër pavarsisht të mirave dhe të këqijave, vetë çifutët e thonë që mjerë kush lundron në Pranverën e interesit banker. Aty momentalisht po vozit edhe Shqipëria. Megjithatë burrat e shtetit tim, nuk I japin rëndësi faktit se kur, se qysh, se a do mundemi ta kthejmë mbrapa këtë borxh, në vlerën reale të interesit. Pa shitur, pa u shitur. Pa u blerë nga të huajt. Pa ripërjetuar Greqinë. Shto edhe kompontetët e tjerë, si taksa e kredisë, gjëra këto të një huamarrje. Më shau nga mamaja, më shau nga motra. Këtej, i nxjerrin mamatë në ceremoni papale. Mamaja është e shenjtë sa për tua thënë të tjerëve. Jo, se është e tillë. Motra është e shenjtë, sa për tu mburrur, jo se vërtet na dhimbset. Vëllai objekt muzeal, jo se na e do ënda. E vërteta, qëndron tek shihemi në gjyq. Megjithatë shown e kanë në dorë burrat e shtetit. Më shau nga mamaja, më shau nga motra, nga gruaja. Më shau prapa krahëve.
Sot Europa ngriu zgjerimin. Jemi disa vende. Dhe që të gjithë I përkasim Ballkanit Perëndimor të saj. Jemi një lloj prerje. Aq sa për pasojë, të tillë kemi dhe urrejtjen për njëri-tjetrin. Kjo ka domethënien, se të gjithë ne, ballkanasit perëndimorë, përfshi këtu edhe Greqinë një anëtare prej kohësh, e duam Europën për të përfituar, jo se ndihemi Europianë.
Krahas retorikës, Rama është rrugaç, kështu, ashtu; I tillë me ne, I tillë me ata të vetët…, që nuk ia vlen fare pasi shqiptarët e njohin Kryeministrin e tyre. Ia dine bëmat dhe batuat. Eshtë e udhës të shpjegohet pranvera e interesit të borxheve.
Kurse Ristani, nëse ka bërë burg dhe ka marrë pafajsi, ashtu si të tjerët, opozitarë e pozitarë, nuk ka asgjë të keqe. Nëse ndihet I pa fajshëm, nuk ka pse ankohet se më shau nga prapa, më shau nga mamaja. Bëjeni haptas, pranojeni . Ose pastroni partite, që të pastrohet Kuvendi, e kështu me radhë. Eshtë për të ardhur keq, që quani paudhësitë e njëri-tjetrit krime të rënda shoqërore, në një sistem demokratit…, kur janë harrur krimet e vërteta të një diktature.
Po kësi punë, duan burra shteti, jo nga ata që thonë, më shau nga mamaja, më shau nga prapa.
Fideli
Nga Ilir Levonja/
Një mbrëmje shkurti të vitit 2012, Fidel Ylli do gajaste Kuvendin e Shqipërisë duke kënduar kinezçe. Në fakt qe një miks provincial i një deputeti me sharm, pasi Sali Berisha kishte folur për një bashkëpunim ekonomik me vendin aziatik. Por edhe për futjen e gjuhës kineze në tekstet e shkollës. Performanca ia arriti qëllimit. U shkrinë së qeshuri.
Mirëpo tani, sot, opozita nuk ndodhet në Kuvend që t’i kthejë reston Fidelit. Do të ishte dita më e volitshme . Shqiptarët do të kuptonin kështu hendekun midis të thënës dhe të bërës. Por opozita mungon.
Ky detaj ka edhe një rëndësi tjetër. Hapat e shkurtër të memories civile.
Ndofta një ballafaqim ironish, sulmesh midis opozitës dhe pozitës, nga e shkuara mund të na japi mundësinë ku të shohim si në një ekran të madh, butaforinë, apo fallcitetin politik në kontekst me rrugën reale që duhet ndjekur. Shumë nga ne mendojmë se politikanët tanë e dine, jo se nuk e dine. Ata e bëjnë qëllimisht këtë, pasi kështu ndodh në politikë.
Por, edhe ky përfundim është I gabur.
Gjithsesi…, t’i kthehemi bashkëpunimit me Kinën. Vendi gjigand është bërë sot kantieri i botës. Pavarsisht politikës dhe të drejtave të mungura të njeriut, partia aktuale erdhi në pushtet permes një lufte të përgjakshme civile. E vetmja aleancë politike, nëse mund ta quajmë kështu, që njeh historia moderne kineze, ka ndodhur gjatë luftës së dytë botërore. Kur, Japonia sulmoi Kinën. Më pas, vendi i lodhur iu nështrua diktatit komunist.
Sot Kina, vazhdon kështu. Megjithatë, është tregu më prodhues. Aq sa edhe një nga superfuqitë e botës, Amerika, është debitor tek ajo.
Por ne si Shqipëri jemi në kushte të tjera. Në të njëjtë kohë, jemi njohje e vjetër.
Aq sa edhe unë kam pasur fatin, kur një fëmijë dhjetëvjeçar,të shikoja se si mbushej një pallat me njerëz si kukulla.
Ishte koha e bashkëpunimit të madh. Po ndërtonim ekonominë vendit, bazuar në dy shtylla kryesore. Punën vullnetare dhe punën e detyruar.
Metoda të cilat edhe Kina vet i kishte zbutur.
Megjithatë, shumë vende nga bota bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh, për sa I përket politikës dhe të drejtave të njeriut. Uzurpimit të Tibetit, apo
kurseve abstenuese të Kinës në OKB.
Kështu që nuk bëjmë keq edhe ne. Të paktën të jemi një here pragmatistë.
Sot të takosh e bashkëpunosh me një qytetar kinez, të duket sikur je pranë një roboti. Pak emotive, shumë racional, dhe aspak efuforik. Edhe pse janë kulti i punës.
Do të ishte mire që Kryeministri ynë, të kishte marrë me vete edhe Fidelin.
T’ia dëgjonim sërish zërin, edhe sot.
Shqipëria
Ilir Levonja/Florida/
Duke iu referuar një interviste të Maks Velos në gazetën Mapo, të dt 6 shtator 2014, në lidhje me veriorët dhe antimyslimanizmin e tij, etj.., apo përbuzjen për këtë shtresë besimtarësh në Shqipëri, para së gjithash duhet kuptuar dhe interpretuar nocioni për vendin, pozitën dhe zhvillimet ndër shekuj. Aq më tepër kur kjo vjen nga persona me sharmin e intelektualit. Apo nga këshilluesi i Kryeministrit të vendit, pozita që i gëzon Maksi.
Si ta perceptojmë vendin? Kjo nuk është çështje, por koncept. Fare thjesht, si nocion gjeografik. Fushë Kruja, Laçi, Shkodra, mbi Shkodra, Kukësi e Tropoja, (vende këto që sipas Velos, pjellkan krimin) edhe Puka që është më në brendësi, Mirdita, Dibrat bashkë, nuk janë veriu, I Shqipërisë. Por kërthiza e saj. Mjafton t’i referohemi poetikës, këngës së shqiptarizmës, ”dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri/ Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi”. (L.Poradeci). Dhe të mendosh vitet kur u shkrua, mund të dallosh fare mire se cili skaj është veriu apo jugu I vendit. Në pikërisht këtë nuk bëjmë. Pavarsisht se shesim patritotizëm. Biles këtë të fundit e konceptojmë pazgjidhshmërisht me armët, me kufijtë, me këlthitjen. Dhe më ironike, bëhet kur mendon se Kryeministri aktual, ka një këshiltar nga veriu I vendit.(Dhe për këtë duhet përgëzuar.) Po ndofta këshilltari tjetër nuk e di. Ose nuk do ta di, pasi pikërisht veriun e Shqipërisë e ka sjellur në Fushë Krujë.
Nuk është vetëm Maksi, por ka vite që ndodh ky ekuivok. Megjithëse po sipas ndërgjegjes intelektuale të një intelektuali kombëtar, juglindor, si Poradeci…, faji apo gabimi janë pjesë e bashkësisë. E jona, E -ne-s.
Në përgjithësi dasimi I gabuar I vendit, shto edhe kuptimin me nëntekst përkeqësues të fjalës, me etiketimin e veriorit, apo malokut etj…, arritën si të thuash vlimin në kohën e diktaturës së proletariatit. Mjafton të përmendim hermetizmin e kufijvë. Piramidat, brenda trupit të vendit. Jemi I vetmi vend në botë që kufizohemi me vetveten. Megjithatë pavarsisht asaj që na kanë bërë të tjerët, ne me mburrje ia bëjmë vetes. Qoftë edhe me fjalë. Qoftë edhe me ta perceptuar vendin.
Tani me pak radhë, për krimin dhe furinë antibesim.
Krimi nuk njësohet me numër veprash, pasi ka të njëjtën peshë. Qoftë 1 në jugun tënd. Qoftë 2, po në veriun tënd. Ose anasjelltas. Ai është krim. Edhe në Korçën e kulturës këto vitet e fundit po ndodhin gjëra që të habisin. Tjetër, njësimi I kanunit me krimin ordiner është, si të largosh veten nga ajo përgjegjësia e Lasgushit. Shqiptarët edhe sot e kësaj dite, ngatërrojnë dhomën e ngujimit, nga fuksioni i saj real. Nuk mund të themi që, veriorët se kaluan dot pragun e mesjetës kanunore, në lidhje me format e krimit. E vërteta është se në gjithë vendin, ne shqiptarët e post diktaturës, u bëm fushë e hapët e horrorit dhe farwestit.
Dhe e fundit, që të kemi myslimanë shqiptarë, mos mbyllni Universetet teologjike aty…, për të dërguar fëmijët në vendet e lindjes. Ashtu sikur, ta ndërtojmë besimin përmes shqiptarit dhe jo, – jo shqiptarit.
Shqiperi-Serbi- Thjesht, futboll
Nga ILIR LEVONJA/ Florida/
Më 14 tetor 2014 Shqipëria do të ndeshet në futboll me Serbinë. Kjo në kuadrin e eliminatoreve të Europianit 2016, në Francë. Qysh prej shortit, të dielën më 23/2/2014, kjo ndeshje futbolli është bërë temë e ditës. Ka shumë ethe, shumë strategji, shumë paraimagjinata, aq sa nuk shfleton dot një web këtej dhe andej Ballkanit. Megjithëse, e thënë thjesht, është një ndeshje futbolli. Të paktën nga njëra anë ka sfumuar finesën sharlatane të politikanëve. Megjithëse është pikërisht kjo e fundit që ka çuar në një lloj imazhi të frikshëm midis qytetarit shqiptar dhe atij serb. Pra, politika. Sidomos që nga shpërbërja e Perandorisë Otomane, u forcua me ngritjen e blloqeve, kultin e individit, deri sa na shkatërroi, dogji, vrau, shfarosi, zhvendosi nën dritën e rënies së murit të Berlinit.
Në të njëjtën kohë është e çuditshme se si deri dje shorti na shmangte. Sikur diçka misterioze I largonte këto dy vende, sikur I ruante. Ndofta ka patur ndeshje klubesh, them ndofta nga që nuk kam informacionin e duhur në lidhje me takimet sportive. Mbaj mend vetëm edicionin ’87-1988 kur Flamurtari i Vlorës eleminoi Partizanin e Beogradit nga kupat e Europës. Edhe sot e kam të gjall atë gol të Sokol Kushtës, por edhe mbylljen e trishtë të regjisë televizive me një buqetë lulesh hedhur në barin e fushës. Atëhere, dukej sikur ndesheshin dy botë amorfe alienësh. Jetonim atmosferën me dritë të pakët të yjeve, jo të lirisë.
Tani shorti i një kohe tjetër. Na vuri përball. Një sprovë e madhe.
Sepse deri pikërisht kësaj dite, trajta e ajrit midis shqiptarëve dhe serbëve ka qënë me përmbajtje jashtëzakonisht të lartë inkadeshente. Duket se tani është ujëzuar disi, në kuptimin kohor. Në një prove të re shqiptarët dhe serbët. Short inatçor, ku në fund të fundit u thotë njerëzve se, jepini kuptimin jetës, tregojini se sa e vlerë dhe e vërtetë është të jetuarit në liri. Qytetaria, bashkëjetesa, etj.
Mirëpo jashtë të gjitha këtyre, në kuadrin jetësor ka një tjetër panoramë. Shqiptarët dhe serbët vërejnë se kanë kaq shumë të përbashkëta midis tyre aq sa habiten me historinë. Flasim për qytetarin e thjeshtë, atë që përbën shumicën.
Kemi të përbashkët nervin, gjaknxehtësinë, tundimin nga fjala e dhënë, konceptin për mikun, ruajtjen e shpatullave etj. Por sidomos rakinë.
Unë përshembull kam vite që punoj me serbë, këtu ku jetoj. E kam trajtuar edhe më përpara raportin e marëdhënieve ballkanike në dheun e huaj. Me serbët kemi një afrimitet dhe kujdes gati kontraversal me atë realin në Ballkanin tone perëndimor. Nuk e di përsenë, përpiqem, ose më saktë kam kohë që dua ta kuptojë pse. Ndofta janë pikërisht tiparet e përmendura më sipër.
Kam këtu Gordanën nga Beogradi. Më tha një ditë se byrekun e kemi mësuar nga ju, nuk e njihnim. Një nuse e kushëririt, nga Prishtina, ajo na e mësoi. Pastaj flasim për gatimet e tjera, sarmën, apo lakramen me mish të grirë e oriz, shlivovicën e tyre, (nuk bën vaki të mos më sjelli një shishe të tillë sa here që shkon në Beograd) dhe rakinë e rrushit tone. Mallin e saj për konjakun Skëndërbeu, të Korçës.
Ndihmojmë njeri-tjetrin, e presim e përcjellim në aeroport. Dhe nuk na vjen mire kur na shenjojnë me gisht të habitur, serbë e shqiptarë?! Flasim edhe për historinë, politikën ndër vite të Ballkanit tone.
Eshtë thjesht një ndeshje futbolli, e tillë duhet trajtuar. Më shumë se serbëve u ka dhënë shqiptarëve një shans historik. Fitimtarëve! Një komb, një kombëtare.