• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Shqipëri kudo ta lypin or zotëri

January 11, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ka disa ditë që puna e këtij gjyqtarit nga Fieri është dominante në webet tona. Dhe shumë syresh ngrejnë supet, gajasen, i vënë gojës dorën përsipër etj. Sikur çfarë ka ndodhur. Çfarë ka bërë ai gjyqtari?! Mirëpo në Shqipëri kudo ta lypin or zotërinjë, zonja a shoqe. Nuk e di përse habiteni. Kudo…

Tek gjendja civile për një çertifikatë. Tek përmbarimi. Tek patentat, tek kouladimi i mjeteve. Tek lejet e çiftes. Tek vërtetimet në fakultete. Tek posta. Tek abonentë, kartat e identiteti, pasaportat. Kudo. Në korridoret e spitaleve nuk bëhet fjalë, të rjepin deri sa të dali grima e fundit e frymës. Ku nuk të rrjepin e nuk ta lypin në Shqipëri? Ku? Në dogana?

Mos e fol. Të gjallë të rjepin. O ta marrin atë ”kafenë” e përqindjes, o kurrë nuk të zhdoganohet malli. Ne kemi postulat në gojë faktin, njoh unë dikë aty. Kam një mik. Ta rreugulloj unë. Shkojmë bashkë. Le të jetë edhe institut për studimet bërthamore ne, do ta modifikojmë ligjin, do i modifikojmë shkresurinat, do ta punësojmë për hatër të mikut një kasap. Jemi unikal për këtë… miku të bën artist, miku të bën shkencëtar. Miku të paguan për gjithë jetën qyl. Miku dhe partia…

A e dini se si mu përgjigj një herë një zonjë boll e kualifikuar. Dhe me një bagazh dijesh. Kur e pyeta pse e papunë. Më tha, sepse jam pa parti, nuk kam para të tepërta të jap, tua fus nën dorë, nuk di të hap shalët. Ja tre arsye ku mund të vdesësh i papunë. 

Kjo është Shqipëria jonë vëllezër.

Megjithatë gajasemi me një gjyqtar që ta lyp. Që palos eurot në një lokal të zbrazët. I gjithi në dispozicion të tij. Të kujton ato pamjet e filmave me kapot e mafiozëve, kur uleshin dy koka e vulosnin. Përreth vetëm tavolina të zbrazta. 

Dhe ky është fundi. Ose rënia në batak e një shoqërie e cila po e ha të gjallë vetveten. 

A ka rrugë për ta ndalur këtë theqafje. Pa asnjë diskutim që ka. Duke filluar së pari nga shteti vet. Eshtë fare e kollajshme, çdo fund viti të verifikohen të ardhurat. Fare e kollajshme. E kemi përsëritur sa jemi bërë shkumaxhinj nga goja. Gjyqtar je zotrote? Po.. sa e ke pagën, sa ke marr për një vit. Dalin të gjitha. Kaq. Dhe çfarë janë teprica, kuptohet se nga vinë. Dhe me to merret ligji pastaj. Por ata nuk duan ta bëjnë këtë. Sepse, së pari u nxjerrin sytë vetvetes. Nuk duan ta bëjnë që nga qeveria. Shtetarët e ardhur me votë. Së dyti nuk duan ta bëjnë as opozitarët. Lëre çfarë kërkojnë vetingun e figurave politike. Eshtë një blof spektakolar. Asgjë tjetër. Por ajo që më habit dhe që është e treta në radhë…, është fakti po ne, ju, të gjithë, si shoqëri përse nuk kërkojmë një veting rrënjësor nga 1990-ta e këtej. Një zbythje totale e kastës që erdhi nga apartamentet një dhomë e guzhinë, nga sekretariatet e partisë së punës, katovica etj., dhe që sot janë sipërmarrës a investitorë dhe në masën 100% i kanë nipërit e mbesat me studime jashtë duke varrosur traditën dhe universitetet tona. Pra për një katarsis kombëtar. Dhe të gjitha këto me paratë e taksave, të rrjepjes, rryshfetit, lypjes, poshtërimit, burgosjes. Kjo më habit, neglizhenca jonë. Dhe dashuria e pafund karshi këtyre kryetarë a kryeministra, partish etj. Aq sa kam përshtypjen se vendi tashmë, është plotësisht i angazhuar, vend partiakësh, jo qytetarësh. 

Ndryshe nuk ka se si shpjegohet kjo rënie, ky degradim, ky fund plot dimër thashethemesh e kamerash të fshehta.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, kudo ta lupin, shqiperi

Eshtë turp kombëtar tu kujtosh shqiptarëve të Kosovës pasaportën

January 3, 2019 by dgreca

….-Eshtë turp kombëtar tu kojtosh moshën, pasi një i djathtë safi si Ahmet Zogu, ai që themeloi shtetin e parë modern, ai që i dha vlerë pasaportës sonë, nuk ishte ishte më shumë se 21 vjeç kur u bë ministër i brendëshëm në qeverinë e dalë nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës në janarin e vitit 1920. Po kujt i flet thuaj: atyre që nuk janë as mish e as peshk. Pengmarrës më të këqij se Edi Rama dhe gjithë kabinetet e tij. Në fund të fundit, është një nga ato qoka që Edi Rama e përdor me taktika propogande. Dhe që ju bini këndshëm në rrjetë./

2-Ilir-196x300-1

Nga Ilir Levonja/

Ka disa ditë që opozita merret me një shqiptar të Kosovës, atë që Edi Rama e emëroi si ministër të punëve të jashtëme të Shqipërisë. Kjo ndodhi në asamblenë urgjente të rilindjes së Ramës, e cila përfundoi me një riformatim të qeverisë. Në atë asamble ku të gjitha forumet dolën kallpe, kot, si ai i freshistave apo i grave socialitste etj. Dolën kallpe sepse u zunë në gjumë, gafil, sidomos freshistët prej studentëve. Por edhe gratë që kishin fjetur gjumë pa e nuhatur asnjëherë situatën. Nuk e di a është çështje opozitare kjo, pra emërimi i një djali të ri me prejardhje nga Kosova. Ajo dhimbje e madhe e shqiptarisë në tërësi?! Asesi që jo, pasi derisa nuk njeh Edi Ramën, as që diskutohet më në emra të përveçëm. Aq më tepër kur interpretimet ngërthen me kushtetutën, qytetarinë etj., të një shqiptari të Kosovës. Kjo a ky lloj opozitarizmi nxjerr atë cektësinë intelektuale të një shumice dërrmuese kur i qasen me kurajo historisë së kabineteve qeveritare ndër vite. Flasin me bindje se gjithë asat e deritanishëm të qeverisjen kanë qënë shtetas krejt të kulluar, puro nga Shqipëria amë. Kjo ta neveritë fund e krye vetveten dhe soji për shkak se i kemi kaq me pushtet e kaq me bollëk të paditurit sa nuk çfarë thuash. E para zë fill me një lloj interpretimi a dialogu dite që dëgjojmë deri tek gazetarë të televizioneve kombëtare kur thonë kosovarët. Dhe jo, shqiptarët e Kosovës…Eshtë një kulturë tashmë e konsoliduar e një lagështirë që po na rrëzon çatinë në kokë, por edhe normale për shkak të informalitetit në arsimimin, punësimin dhe të tjera. Megjithëse mburremi me Lidhjen e Prizërenit, bash truallin e moteve kur vërtetë Shqipëtarët quheshin shqiptarë dhe jo kosovarë, lebër, myzeqarë a brashnjarë etj. Megjithëse kemi pasur edhe një kryeministër me emrin Hasan Proshtina. Një ministër mbrojtje me emri Mehmet pashë Dërralla, një tetovar etj., prapë nxjerrin ca faqebuçko, ca ”opozitarë” plot yndyrë dhe bëjnë opozitarizëm me të ashtuquajturit e tyre kosovarë. Moj opozitë, nuk jemi për Edi Ramën. Kaq! Nuk jemi për ato mijra arsye… për së pari se e gjitha, situata ekonomike dhe dëshira për të jetuar aty është një panoramë perfektë e dhomave në qytetin studenti. Eshtë një dështim total social pasi ka një lubi thithëse fondesh, një lubi vrimash të zeza kudo, gjithandej… Eshtë një dështim total nga degradimi i rënies së administratë, punësimi, pagat e ulta, rryshfeti, borxhi, koncesionet dhe grabitja e pronave publike. Dhe ju, jo se nuk i dini. I dini shumë mirë. Dhe e keni shancin ndër duar ditë më ditë. Por si ta shpjegosh sfidën e munguar politike të djegjes së mandatave, në raport me këtë emërimin antikushtetues të një qytetari nga shteti i dytë i shqiptarëve, Kosovën e përvëluar?! Një vrimë në ujë! Një hiç opozitar. Aty e kishit situatën, studentët, zgjedhjet e parakohëshme. Eshtë absurde të rrish jashtë institucionit gjashtë muaj se nuk njeh qeveriun. Dhe pastaj të kthehesh me gjoja miratimin e reformës së ligjit të zgjedhjeve etj. Një absurd opozitar si ky i këtij që drejton sot me mjetet e propagandës nga diktatura e proletariatit. Eshtë fare e thjeshtë, ju nuk doni sfidën politike. Që është largimi i qeverisë së Edi Ramës. Asesi jo! Ju po prisni radhën. Kalimin e pushtetit. Mëndje mbushur…, për të vazhduar ta shisni, ta shpërdhosni, ta shqyeni më keq se tri p-të e Edi Ramës dhe lali Erit si e si të fryni a dyfishoni të ardhurat tuaja në bankat e botës. Kthimi në parlament i juaji ishte vrarja më e madhe, thika pas shpine prirjeve dhe shpirtit demokrat. Një qurravitje teknicienësh që njohin perfekt intrigat dhe manovrat e holleve, por aspak dëmin social të një vendi që ka mbi 40% të fuqisë vitale në emigrim. Nuk mund të bësh marrëveshje shteruese me kaq kollajllëk. Nuk mund të flasësh në emër të popullit duke menduar se ata janë me ty. Edhe pse vret e pret sheshit demokracinë e zgjedhjeve dhe të të zgjedhurit. Në vitet 90-të u ngritëm me moton jo dyzetë vjet në pushtet. Tani po i kultivojmë ekzemplarët e Enverit me karrika parlamenti.

Duke degdisur vitalitetin me qejEshtfin më të madh. Merreni me një ministër të ri një djalë shqiptar. Eshtë turp kombëtar tu kujtosh shqiptarëve të Kosovës pasaportën. Aq më tepër kur themi që nuk njohin Edi Ramën. Eshtë turp kombëtar tu kujtosh moshën, pasi një i djathtë safi si Ahmet Zogu, ai që themeloi shtetin e parë modern, ai që i dha vlerë pasaportës sonë, nuk  ishte më shumë se 21 vjeç kur u bë ministër i brendëshëm në qeverinë e dalë nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës në janarin e vitit 1920. Po kujt i flet thuaj: atyre që nuk janë as mish e as peshk. Pengmarrës më të këqij se Edi Rama dhe gjithë kabinetet e tij. Në fund të fundit, është një nga ato qoka që Edi Rama e përdor me taktika propogande. Dhe që ju bini këndshëm në rrjetë. Se, sado që kanë firmosur publikisht, prapë raporti i shkëmbimeve a konsolidimit të shqiptarëve në dy shtete, është një brishtësi të dhimbshme.

Mjaft të përmendimin se sa pak është bërë në unifikimin e teksteve a programeve mësimore në arsimin parauniversitar.

Aty ku nis edhe rruga e vërtetë e një kombi. Por këto e të tjera nuk kanë vlerë opozitare. A, nuk u bashkangjiten dot programeve tuaja në platformat e reja të perspektivës. Sepse ju nuk jeni opozitarë, por partia e babës, birit, e stanjacionit.

Filed Under: Politike Tagged With: Eshtë turp kombëtar, Ilir Levonja, pasaportën, tu kujtosh shqiptarëve të Kosovës

Ermal Mamaqi si kamerdarja e fundit e Edi Ramës

January 2, 2019 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298

Nga Ilir Levonja/Dielli

2 ermal

Më bëri përshtypje një spot publicitar i këtij Ermal Mamaqit që fatkeqësisht Shqipëria e mban për një showman. Një spot nga ato me porosi nga lart me ca britma karagjozësh se kur do të flas a kur do të flasim. Ku në ‘të e sipër ndërfutej edhe Edi Rama. Nuk është e vështirë të kuptohet se e gjitha është një aludim flagrant me refuzimin e studentëve për të negociuar për ato nëntë pika a nëntë kërkesa që ata kërkojnë tu plotësohen. Edi Rama çfarë nuk bëri, çfarë nuk sajoi, gjithfarësoj skenarësh me studentë freshistë, marksista të Bashës dhe Fahrisë, a pedagogë të gazhdares shto edhe makinerinë mediatike të tij për bisedime. Jemi deshmitarë të gjithë, të këtyre ngjarjeve të fundvitit, dhejtorit a pranverës së hershme shqiptare për ndryshime të mëdha, por nuk ia arriti.

Tani që studentët janë pranë familjeve të tyre, në këtë ndërthyrje vitesh, në këto ditë bulevardesh pa trafik të rënduar, për shkak të relaksit nga ushqimet e rënduara dhe me bollëk nitrati. Me shtypistat që promovojnë suksesin e tyre të dështuar të 2018-ës, si fasadat me modele xheli a çmimet e pafundme etj., del në skenë me vishtullëk fytyra e shtrembëruar e Ermalit dhe Edit të parruar me britmat se kur do të flasin dhe se na çmeni ky Mamaqi. Janë nga ato raste kur abuzimi me lirinë e kohës së shqiptarëve është një pushtim i dhunshëm, pasi gjatë gjithë një viti kalendarik shtëpitë e tyre janë plot me pështyma kuvendi, a personazhesh politike. Dhe tani në këtë vegjetim dy javor, me surretërit që shtrembërohen si e si të kanalizojnë gjithçka në jetën e tyre rozë me gjoja skupe sikur aty të jetë zhvendosur Hollywoody i viteve pesëdhjetë. Dhe me thënë të drejtën, ka një degradim kaq total sa na ka mbytur malli për estradat e kohës, pasi kishin personazhe në skenë, kishin burra e zonja të rënda, kishin karaktere, dekor, kurse sot ngërdheshje dhe xhel, zhargon e banalitet.

Por më e keqja është kur penetrojnë deri nën sqetullat e politikanëve, në strategjitë e tyre për të thyer deri protestat e studentëve. Dhe ky spot publiçitar që transmetohet gjithë këto ditë, me diçiturën se kur do të flasim, për të shtunën në orën 21 në Xing me Ermalin nuk është asgjë tjetër po një nga stërkëmbëshat që Edi Rama u përpoq t’ua vinte studentëve ndër këmbë në protestat e dhjetorit të kaluar. Vetëm në Shqipërinë postdiktaturë ka ndodhur që ca valixhedrunja nga Macukulla a ndonjë skaj tjetër, të bëhen milionerë a showman as, në më pak se dy vjet. Pastaj të flasin për vaskat a masazhet në Karaibe duke harruar opingat dhe rrugët plot baltë të rrethinës nga ata vijnë. Madje flasin a pozojnë me presidentin për kura ecjesh në male, sikur ta ketë shok lagjeje dhe se mund të ndërhyjnë kur të duan. Kjo është në vazhdën e atij degradimi me përdorimin e lirisë dhe të të kuptuarit të misionit tënd. Pa e ditur asnjëherë se arti në përgjithësi është një opozitarizëm i fortë. Jo një bashkëpunim me pushtetin… Edhe pse koha ka njohur plot raste që figura të njohura kanëbashkëpunuar deri me diktarorë, si rasti i Gabriele D’Annunzios…, por ai ishte një hero lufte, një politikan, aristokrat etj. Megjithatë një pakicë në totalitetin ajkës që për dreq frymëzuan deri koka si Mussolini etj. Dhe me që i përmenda emrin, i kërkoi ndjesë universit italian të kulturës duke e sjellur këtu, në këtë katrahurë karagjozësh të artit aktual shqiptar. Të atij soji që pasi e kanë lënë vendin pa një strukturë kombëtare artorë e kulture, që nuk kanë lexuar një libër janë sot ”ajka” e degradimit tonë. Unë e kam përsëritur me dhjetra herë që liria e shqiptarëve sot është e pushtuar nga këta ngërdhëshist e fytyrës, nga ERTV-ja, lali Eri dhe politika me studiot, telenovelat e Turqisë etj., duke zëruar pa mëshirë realitetin e vërtetë shqiptar. Sikur ato para që investohen për blerjen e telenovelave, ose e gjysma e tyre, kushedi se sa skenarë nga sirtarët e shqiptarëve do të bulëronin. Kushedi se sa emisione do bëheshin për katër qoshet e kombit. Histori shqiptare apo Marin Mema nuk do ishin të vetmit. Vijeni re se si ka gjashtë muaj që një kryeministër i përdor në mënyrë brutale idetë a inisiativat e grupeve si një e shtunë ndryshe, a unë jam një lule dielli, duke bërë shtëpi për të varfrit, pa u dhënë asnjëherë llogari shqiptarëve se me çfarë parash, si e qysh. Me çfarë mjetesh ligjore etj. Megjithatë jemi tek këta showmenët, që çfarë nuk bëjnë të fshehin të ardhurat e tyre, deri zbythje kuvendi, pa e vrarë mendjen asnjëherë se 80% e atyre që punojnë me ta janë pa siguracione dhe statut nënpunësi. Mjafton xhepat e tyre, mjafton të flasin studiove për fëmijët e tyre, për shoqërinë e qokave, përqindjet dhe honorarët, pa të tjerat kush po pyet. Sidoqoftë ata studentë e kanë parë, po e shohin dhe nuk asnjë diskutim që këtë intrigë çunash Tirone po e përtypin në vend të çamçakëzit. Ato pankarta dhjetori, kanë qënë trëndafilët a luleborët e pranverës së vërtetë shqiptare. Kanë qënë bizhuteritë më të bukura stinore dhe nuk ka asnjë diskutim që do lulëzojnë rishtas. Sado të përpiqen grafomanë të tillë, sado të kërkojnë ta mbajnë me dhëmbë shtrënguar shakaxhiun e tyre, theqafja ka nisur.

Filed Under: Politike Tagged With: e Edi Rames, Ermal Mamaqi, Ilir Levonja, si kamerdarja e fundit

QEVERIA E RE, PËRPJEKJE PËR TË SHPËTUAR TË VJETRËN

December 29, 2018 by dgreca

Fundi i paralajmëruar i një qeverisje demode…./

Ilir-Levonja-300x298

– Lufta brenda llojit është po aq shtërpëzuese sa droga dhe prostitucioni. Edi Ramën nuk mund ta mbroj dot një propaganduese studiosh, a komisarja politike e ekraneve, si Spiropali. As patosi socialist i Erionit të vogël… ai babai i Elbasanit të ha të gjallë. Po kështu edhe xhuxhi i Durrësit… Shpëtimi qëndron tek katarsisi, rruga, masat, përmbysja.

Nga Ilir LEVONJA/

1) Të gjitha këto lëvizje, në qeveri, nuk janë asgjë tjetër veçse ca përpjekje të kota për të shpëtuar rënien e saj. Por ajo ka marrë rrugën. Madje mos u çudisni kur t’i shikoni me ca xhaketa të shqyera, ose të përbuzur, vërtitur qosheve si plaçka të panevojshme. Në një farë mënyre ky është një sinjal i qartë për klasën politike në përgjithësi. I ka rënë për rrisk Edi Ramës që të mbaj mbi shpinë gjithë fytyrat e shushunjëzimit të vendit. Dhe lum shqiptarët nëse veprojnë në kohë, duke hequr përfundimisht dorë nga gara e shpërblimeve për një gjel deti a ca ditë pushimi. Këto statutet limfatike në fb, të të dorëhequrve, nuk janë asgjë. Mos u merrni me përshembull ish ministren e arsimit Nikolla. Si ia dhjeu kryeministrit me diplomaci etj. A lotët e iks a ypsilon ministri. Nuk kishin asgjë në dorë. As ai, as ajo, as ajo tjetra e kulturës, apo ai që dilte nga shtatë herë në ditë, ai i pusetave dhe bërrylave të rrugëve. Ai i energjisë a i turizmit… Ishin të gjithë ca kuklla tavoline, që zhvendoseshin kollajllisht. Jo nën petkun e intelektualit a sharmin e shtetarit që punon për vendin, por ca figurinave që janë gati të përpëliten në litar mjaft që t’i shërbejnë shefit. Ka marrë gremisjen e gjitha. Dhe kjo jo për hatër të opozitës. Jo, jo aspak… Jo për hatër të këtij apo atij, por për hatër të kohës. Si opozitarizmi dhe qytetaria janë mundur prej kohës. Kjo për faktin se opozitarizmi nuk e njeh qëllimisht sublimitetin. Dhe Edi Rama, nuk ka se çfarë të bëj me pushtetin. Nuk di ku ti shpjerë duart. Kanë marrë fund pasi koha i ka nxjerrë zbuluar.

2) Në fakt vendi ynë ka nevojë jo vetëm për një katarsis politik, por edhe një lëvizje me veprim të drejt për drejtë në dënimet publike. Dhe kam përshtypjen se po i vjen era. Ka nevojë për një parapërgatitje burgjesh, për konfiskime etj…, pasi vetëm kështu mund të shkarkoj dëmin e madh moral karshi qytetarit që po e braktis, por edhe atë ekonomik të faturave të mbarsurave, të prishjeve pa fund, borxhe që u takojnë atyre që nuk kanë lindur akoma. Deri sa na ka mundur koha, them se këtë nuk pres ta bëj përshembull ish ministrja e kulturës. Apo ai i pusetave etj. Ka vdekur një herë e mirë dinjiteti intelektual. Janë të gjithë ca zorraxhinj të tenderimeve duke bërë garë me njëri-tjetrin në përqindjet e zhvatura. Kjo është arsyeja që nga dje e sot vlaga e internetit yshtet mbi atë që se çfarë thotë a si i përgjigjet ky ministër apo ai ministër pas shkarkimit të beftë prej Edi Ramës. Eshtë një qejfhumbje kohe, sepse asnjë prej tyre nuk ishte i dobishëm. Ishin thjesht ca marioneta që firmosën pa fund, fonde me destinacione përfitimesh personale. Përshembull kjo kulutra shqiptare, një dështim total, i gjithi. Një theqafje me sukses…, pasi ironia më e madhe është një fakt që të dërrmon sytë. Thua viti i Skënderbeut, dhe hapësirën televizive të shqiptarëve e mbush me telenovela Turqie. Askush nuk pyeti se sa është përqindja e kohës që shqiptarët të njohin hallet e vetveten midis atyre vet, Skëndërbeut dhe Mehmet pushtuesit. Është një absurditet social. E për më tepër për një shtet që akoma nuk i ka dhënë një dorë gëlqere shtëpisë së poetit kombëtar Gjergj Fishta. Kjo është çështje gjenetike e kohës, kur nuk di se çfarë bën tjetër me pushtetin veçse të vjedhësh. Ndaj mos u kënaqni me këto se si ia ktheu iksi apo ypsilon ministër Edi Ramës. Mos u kënaqni, por qani.

3) Eshtë një nga ato përpjekje djallëzore për të shpëtuar jo për të ndrequr qeverisjen e vendit. Nuk ka më qeveri ai vend. Dje studentët, sot ca mërgimtarë. Nuk e di deri ku arrijnë fjalët e manipulimeve nga partitë, por për një gjë ju siguroj… në sytë e emigrantëve, sidomos atyre që kanë kapur dekadën, përdorimi politik është një strategji e dalë boje. Pasi në raport me vendin ku jetojnë, duke parë se si bëhet politika aty, nuk intimidohen nga afshet partiake, qofshin majtas apo djathtas. Të jeni të bindur se tek një emigrant perëndimor nuk ka dashuri të përjetshme karshi njëshave. Nga ajo dashuria me aromë diktature proletariati etj., vrit e prit e prij Enver, jemi grusht bashkuar rreth teje. Përkundrazi ka neveri me shumicë kur shohin akoma fytyra që bëjnë politikë prej gati tridhjetë vjetësh tashmë. Sidomos kur ata janë emigrantë ekonomikë…, ruhuni nga emigrantët e rrahur prej politikës.

Eshtë një nga ato përpjekje e stërmunduar, ku ai që e di më mirë se kushdo tjetër, që e ka humbur betejën është vetë Edi Rama. Dhe me siguri është duke studiuar obsionet a modelin Gruevski. Kjo nga betejat e humbura me klanin e oligarkëve dhe kartelin e drogës. Por dhe rrathët e shtuar të emisarëve klanore brenda llojit. Lufta brenda llojit është po aq shtërpëzuese sa droga dhe prostitucioni. Edi Ramën nuk mund ta mbroj dot një propaganduese studiosh, a komisarja politike e ekraneve, si Spiropali. As patosi socialist i Erionit të vogël… ai babai i Elbasanit të ha të gjallë. Po kështu edhe xhuxhi i Durrësit… Shpëtimi qëndron tek katarsisi, rruga, masat, përmbysja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, PËRPJEKJE PËR TË SHPËTUAR, Qeveria e re, TË VJETRËN

Opozitë, gjuaj me mandate jo me vezë!

December 20, 2018 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298

Opinion nga Ilir Levonja/ Florida/

Nga mesi i muajit maj 2017, pas gati tre muaj protestash, u mbyll e ashtuquajtura Çadra e lirisë. Kjo u kurorëzua me nj marrëveshje nate, për një bashkëqeverisje të gjerë duke i kthyer ata ministra në subjekt gallatash elktorale, si rasti asaj ministreshës që kërkonte kushte në një udhëtim në Prishtinë.

Qe marrëveshja më absurde duke dalur përfundimisht nga nervi demokrat, për shkak të natyrës radikale në kërkesa dhe në plotësimin pa asnjë kusht të tyre. Ajo që pak e shumë e shohim sot tek vervi studentor. Kjo tashmë përfshihet në të ashqujturën opozitarizmi i kulturuar a europian i Lulzim Bashës. Megjithëse kur shikon jelekverdhët e Francës këto ditë dimri, nuk e di se për cilën Europë flasin pushtuesit e sektit demokrat në vendin tonë. Qe një mbyllje kaq e squllët sa përfundimisht bindi edhe paqësorët më skeptikë të politikave të buta a të urta midis lidervë të të gjitha krahëve.

Bash atëherë kur po mendohej se këmbëngulja e kish ngritur vlagun, Luli e boshatisi karabinanë me një shtrëngim duarsh alla çunash lagjeje me Edi Ramën, duke u thënë demokratëve të dërrmuar se ishte i detyruar, i kishte bërë presion Amerika etj. Shkurt një humbje e madhe e cila e katandisi të djathtën në atë që është edhe sot, një tavolinë me pjata plot pilaf, paçe e fasule.

Nisur nga protestat e fundit, një emision i mbrëmshëm në topchanel, hidhte dritë mbi bordet e universiteteve që përfitonin dhe administronin fondet drejt për së drejti nga tarifat studentore. Kjo në kuptimin që, çfarë ata kishin, çfarë ata administronin ishin të ardhura kryekëput nga familjet shqiptare. Jo nga qeveria! Jo, jo, aspak… para familjarësh që buza e plasur e tyre e di se si i sigurojnë. Ishte një indicje e madhe për të dëshmuar qartë se sa e lartë është shkalla e korrupsionit në vendin tonë. Sidomos pas një oditimi me kamera të dokumentacionit të kontrave dhe projekteve financiare të këtyre viteve demokraci. Apo ajo shifra tjetër prej gjashtë milion euro për ca roje gjumashër e të zhubravitur bythësh nga karrika dhe lojrat elektronike. Ishte alarmante se kamionët me fonde ishin hedhur për meremetim zyrash, blerje makinash dhe shpërblime vjetore. Dhe asnjë kokërr leku për blerjen e bazës materiale a pajisjeve laboratorësh, indicje që konfirmojë ekzistencën dhe seriozitetin e një Universiteti. Rekordin e mbante Universiteti i Elbasanit… Megjithatë shumë nga e di se institucionet shqiptare në përgjithësi presin me sytë nga deti a qielli, për donacione nga vendet e rajonit dhe bota. Edhe kjo një kulturë vrastare kjo që të nxjerr sytë, një model që e ka përvetësuar Edi Rama kur provomon gjoja zhdukjen e mjerimit duke u ndërtuar nga një shtëpi robve të vithisur në katrahurën që ka gatuar soji i tij.

Atë çfarë tregonte ky emision i dokumetuar, opozita e ka bërë me kohë. Duke filluar nga vota e manipuluar, infiltrimi i krimit në kuvend, konçensionet banale dhe reformat mashtruese të qeverisë etj. Mirëpo mbeti në kuadër të denoncimit dhe aq. Megjithëse koha i ka dhënë mundësinë që tregojë rracën a sojin pa kompromis të të djathtit, prapë squllet me ca marrëveshje dhe ”europinizmin” e këtij holandezit fluturues, në pritje të mbarimit të mandatit të Edi Ramës. Dhe për më keq akoma, shet plotësisht vetveten bash në pikun e kufirit ligjor të djegjes së mandateve, duke u kthyer në kuvend e gjuan me vezë Edi Ramën veç për t’i hedhur hi syve demokratëve dhe protestës legjitime të brezit të humbur, minierës informale të shoqërisë shqiptare e cila po sakrifikon sa nuk ka vej më, veç për mandatin e Lulit dhe babës së tij Sali Berishës. Nxjerr një deputet të dhjamur, i cili krruajti xhepat, sa mezi gjeti një vezë për të gjujtuar një shënjestër që edhe sytë lidhur t’i kesh nuk mundesh të gabosh. E thënë më troç qe kjo shfaqja më pa vlerë e atij që mban emrin opozitar.

Një grup naivësh që para platformës studentore, para vendosmërisë për të mos negociouar të atyre të rinjëve shqiptarë, duken si kalamaj kopshti që nuk dinë se çfarë duan, çfarë kërkojnë…, a kush janë. E gjitha kjo nuk është asgjë tjetër por një nëpërkëmbje studentore, një suport për Ramën dhe shpurën e tij, një vazhdim i asaj marrëveshje dritë shkurtër të majit të vitit të kaluar, duke vazhduar ta transformojë hapësirën blu të qiellit të shpirtrave të lirë në ngjyrën e kuqe të të ashtuquajturës republika e re.

Sot demokratët duhet të kishin gjuajtur me mandate, jo me vezë. Duhet të burgoseshin rrugëve, jo në parlament. Duhet të mos negociojnë, jo të kërkonin radhën për të folur.

Nuk e bën. Ndaj lum vendi që u ka ju djemë e vajza studentë!

Filed Under: Analiza Tagged With: gjuaj me mandate, Ilir Levonja, jo me vezë!, opozite

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT