• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tërhiqe këmbën Blush

January 21, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Blushi u largua nga drejtimi i Libras. Por edhe nga politika. Të paktën sipas tij dhe shumë informacioneve në webe të ndryshëm. Eshtë një gjë krejt normale, në një demokraci normale. Nuk fitoi dhe dha dorëheqjen. Për më tepër që Libra u përfshi në një debat brenda lidershipit për deformim vote dhe punë nën rrogoz duke i shërbyer partisë mëmë…, Ps-së ose Rilindjes. U lurgua krejt ndryshe nga shumë të tjerë, krejt ndryshe nga tradita e florinjtë e kastës aktuale. Voto si të duash, sa here të duash, kur të duash se votat të gjitha janë për mua. Krejt ndryshe nga tradita e florinjtë e liderëve me vëth të shpuar, pa rruar, e tipave që fusin emrat në partitë e mëdha, e zhulsave që flasin për prosperitet duke investuar veç në kanalet që çojnë ujin në bahçet e tyre. Dhe krejt ndryshe nga katundarët e politikës aktuale, që flasin në emër të popullit dhe veç popullit ja fusin, ai e kritikoi popullin e tij.

Mëndjembushurit e politikës aktuale kurrë nuk e kritikojnë popullin. Por e kënaqin atë duke ja lëruar nënën njëri-tjetrit me prag e libër shtëpie. Populli vetëm duartroket.

Blushi është në fakt modeli i munguar, i domosdoshmi për vendin. Një model i brishtë. Një që duket bajat për gojët plot pështymë. Filloi atëhere kur brenda forcave, mendimi ndryshe përfundonte në rrugë. Dhe nga ai grup prej katër a pesë vetësh, e kam fjalën për Islamin, Malajn, Marko Bellon etj, ai mbijetoi. Për katër vjet, ka qënë një lloj opozitari i cili pati kurajon të demaskonte forcën e tij për lidhjet dhe prurjen e elemntit criminal në sallën e kuvendit. Nga ana tjetër një intelektual me vision, aq sa të bën të pëshpërisësh me veten, se, përse ajo sallë, ai vend nuk ka nja 10 të tillë. Një shkrimtar i mrekullueshëm, i drejtë dhe plot elokunce fjalë për rrugën plot kondradikta të figurave të vendit…, qofshin ato të kohës, qofshin aktualët. Një shkrimtar pjesë e tregut dhe jo e suporteve të klaneve që dirigjojnë, fondet, botimet, çmimet. Ai ka një aleat, lexuesin. Krejt ndryshe nga kokëviçat me orë rolex, a aleanca të befta, doli në rrugë derë më derë. Një lloj fushatisti që stonte me traditën e florinjtë të sazeve dhe kasetave. Të defaxhinjëve apo çingijeve me nishan në faqe. Një europian i kulluar i një populli të vjetër që rri e rri, beson nga lindja, mban sytë nga lindja, pret me gojën hapur po nga lindja. Një burrë universitet më vete që alegorikisht për hatër të artit të tij, i kujton popullit të vet daljen nga binarët. Një popull pjesë e perëndimit që kullohet pas haremeve të orientit.

U largua krejt normalisht, megjithëse plot po ia kujtojnë ikjen me atë ritin formal, shabllon, tonin…, sa për tu dukur që të duam. Duke thënë, se, nuk bëre mire? Pse ikën? Ku shkon? Ti i duhesh politikës.! Mos ik! Eja, ia rregullojmë atij dhe këtij, eja vjedhim ose blejmë vota. Eja ja shkërdhejmë nënën statutit, kryesisë, anëtarëve ku i kanë.

Iku, mire bëri.

Dhëntë Zoti e nuk kthehet se, ndryshe, do jetë një kopje e shëmtuar e atyre që na diftoi për kaq vjet.

Tërhiq këmbën Blush. Tërhiqe. Ose merr ca të tjerë prej dore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Tërhiqe këmbën Blush

Shqiptarët duhet të protestojnë edhe për të ndrequr liderët e tyre

January 16, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/5-Ilir-levonja-2-288x300-1 

Momentalisht Shqipëria mund të krahasohet me situatën në Teheran, Iran. Për faktin e një mungese të një fryme masash të profilizuar qartë. Apo një lloj kaosi në mendësinë sociale, si papunësia, por edhe kur e gjen një punë, paga është e ulët dhe informale, vendi i punës i pasigurtë, gjithnjë nën presionin që dikush jep një dorë parash, stanjacioni i çeljes së negociatave, madje ky i fundit i kërcënuar nga rikthimi i vizave etj. Pa lënë mënjanë situatën konfliktuale politike, pabesueshmërinë ndaj forcave sa që herë më herë përmendet monarkia si shpëtim. Por edhe diktatura apo regjimi i Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Hysni Kapos etj. Edhe në Iranin e sotshëm, protestat që habitën opinionin botëror, në dhjetorin e kaluar, ishin pak a shumë të tilla. Nisën për kushtet minimale, për paga më të mira, nga shtresat e zanave rurale, me pretendimin për përqëndrim në mirëqënien e vendit se konsumimin e resorteve energjitike për revanshe luftrash të ftohta me Amerikën. Qe një pjekuri e përkohshme sociale, pasi kërkesat u shtuan, deri në rikthimin e monarkisë së vjetër të shah Reza-s. Gjë që, habiti edhe nipojtë e stërnipat e përgjumur të dinastisë Pahlavi. Megjithëse sipas opinionistëve në shtypin e huaj, kjo ndodh për shkak të humbjes së besimit tek klasa politike, a revolucioni që vendosi supremitetit e Khameinëve me shokë. Madje kanë arritur deri aty sa, fajësojnë vetveten si pjesëmarrës të revolucionit të 1978-tës, pra të regjimit të sotshëm në pushtet.

Kur e pyetën njërin nga këta pinjollë, ai u përgjigj. Po, kur vrenjtet koha, njerëzit kërkojnë mes reve rrezet e diellit.

Irani ose vendi që thonë se qëndron mbi një oqean nafte dhe gazi natyror, kishte deri dje një lloj solidarizimi me regjimin e ardhur nga revolucioni islamik, për shkak edhe të konflikteve në rajon, si talebanët në Afganistan, Iraku me luftrat e tij, por sot si të parët dhe i dyti janë harruar. Isisin e ka marrë në dorë Amerika dhe Rusia. Ndofta është koha që të rishikojnë vetveten. Ose u kujtuan për vetveten, të lodhur nga regjimet, ideollogjitë etj. Ndaj edhe po pretostojnë…

Shqipëria sigurisht nuk ka konflikte aktuale në rajon. Por ka akoma frymëza radikale që here më here shpofin realitetin. Si përshembull kjo vrasja e një lideri serb në Mitrovicë. Por ka bjerrje të madhe në humbjen e besimit tek klasa politike. E cila edhe pse ka pikasur prej kohën një vale pakënaqësie në popull, paracakton data protestash së pari për emërime në drejtësi, a protokoll parlamentar, shkelje kushtetute etj., kur në fakt nervi që ngre masat në këmbë është ekonomia dhe liria e tij. Përse ka faj sot politika? Sepse shqiptarët kurrë nuk gjejnë qetësinë e duhur të gjykojnë shifrat, por vetëm bërtasin. Por, pa i mëshuar klasës politike, a duhet ata sot të protestojnë? Të dalin përmbi këtë kaus indeferentësh edhe të pakënaqur, edhe plot pretendime, edhe të paqartë se ku janë, ku ndodhen dhe ku duan të shkojnë. Pa asnjë diskutim që po.

E para janë pikërisht standarti më i ulët i të ardhurave që ata kanë për frymë, në rajon. Arsyeja e vetme që shumë prej tyre braktisin për ditë vendin. Shprehja tashmë lapidare për ‘ta, ”po iki për një jetë më të mirë” e ka origjinën tek ekonomia, informaliteti i saj ku për shkak të korrupsionit të lart mban në nivele të vobegta pagat e tyre.

E dyta, gjithmonë prej së parës, shqiptarët sot perceptohen si një frikë në rajon dhe europë. Aq sa ndonjë ditë mos u habisni që ndonjë politikan i huaj, të na krahasoj siç bëri presidenti i Amerikës me haitianët dhe salvadorasit etj. Shumë njerëz këtu ngërdheshin fytyrën me fjalët e Donald Trumpit, por më besoni, brenda vetes janë me atë. Plot emigrantë nga vendet në fjalë, për shkak të ngucjes ekonomike, revansheve politike, a konflikteve të vazhdueshme në vendet e tyre, shfaqin gjithçka. Aq sa ne vendin e lirisë dhe të drejtave të njeriut duken krejt shpifarak. Sado ta duash vendin tend, e rrëzon poshtë atë me një fisko të vogël fare. Siç ndodh sot përshembull me Venezuelën. Plot emigrantë të këtij vendi paketojnë deri ushqimet, si oriz, vaj, makarona, për njerëzit e tyre atje.

Dhe posta çuditërisht funksionon shkëlqyer. Atë e posedojnë mafiozët e pushtetit të cilët mbajnë gjallë në dukje ekonominë e tyre të vdekur.

E treat dhe e fundit, shqiptarët duhet të protestojnë për të ndrequr liderët e tyre. Ose për t’i larguar ata. Vendi sot është infektuar edhe nga një strategji e hedhjes hi syve. Kjo për vënien në shërbim të inteligjencës, e cila ka pjesën e saj në këtë kaos social. Vini re, sa here në konflikte të mëdha politike, sillen pjesë nga dosjet, krimet shekspiriane të familjeve të bllokut. Një shtyp i tërë në shërbim të tyre. Sillen ose shpiken tema mbi heronjtë, filmat, aq sa profesorë të tërë, institucione fetare, feja merret me një hero kombetar.

Këto quhen zhurma, bubullima, për t’ju larguar nga dhimbja e vërtetë. Ekonomia jonë haitiane…

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, shqiptaret dhe protesta

Ushqejmë njëri-tjetrin me banane

January 13, 2018 by dgreca

nga Ilir Levonja/

Gjatë vitit 2013, temë e ditës në Shqipëri ka qënë tritoli. Një fushatë qeveritare përmes një institucioni të quajtuar INUK, ose Inspektoriati i Ndërtimit Urbanistik Kombëtar. Një Institucion që po të pyesje dike, të ta përshkruante, me siguri do të vizatonte një figurine midis elefantit dhe Warysnikit, në fund të fundit të dy gjymtyrë kryesore feçkën kanë. Pra 2013-ta nuk ishte asgjë tjetër por tritol dhe feçka e INUK-ut. Një ekstazë sociale, sidomos e të majtëve të bashkuar, pas marrëveshjes së madhe në Shkoder, midis Ramës dhe Ilir Metës. Kaq të dehur nga era e tritolit, sa edhe sot e kësaj dite besojnë se pasurinë kombëtare e kanë zhvatur vetëm demokratët. Shefat e tyre janë të kulluar, madje i quajnë si gjë normale edhe këto format e kanabizimit të vendit, ku tek-tuk fal prokurorisë italiane dhe asa greke bie në rrjetë ndonjë çun blloku apo ish minister që ka protestuar fort, madje është ndeshur me uniformat si luan I vërtetë. Apo tenderime të tjera të mëdha me preteksin se po ndreqin firot e qeverisë parardhëse, në sheshet publike sot me një statut special të
rilindjes kineze.

Si gjithmonë ne entuziastët merremi me të drejtat e shefave, një turmë që mërmërit ca, ia bëri mire qenit, ca të tjerë, na të gëzoj tani… Në fakt është e gjitha kështu, një histori gati vulgare e jona fillo të qeverisësh duke prishur. Pra me prish, ndërto, prish, ndërto…, një motor që përtyp vetveten. Mjafton tu kujtojmë mbikalimin tek Zogu i zi, apo sheshin e legenave në Tiranë. Pa harruar ritin kancer që tender e asfalto sot dhe nesër çaje rrugën fillim e fund vetëm për të shtruar një kabëll. Të gjitha i kemi bërë me qejf, të eksituar pa e kuptuar asnjëherë se, si Berisha, si Basha, si Meta, si Rama. Dhe shpura e tyre në tërësi, nuk humbasin asgjë. Përkundrazi mbarsen, hapin fronte pune për arkat e tyre. Ne jemi vetëm ca gagarelë që bëjmë tifozëllëk majmunësh. Mbajmë në dorë nga një banane, ushqejmë njëri-tjetrin dhe gajasemi, kurse ata kanë plantacionet. Kanë edhe stallat mbushur plot me kokat tona. E njejta gjë po ndodh edhe tani këtë 13 milionshin e eurove dëmshpërblim nga gjykata e Strasburgut, për vjehrrin e Lulzim Bashës. Ca ta shpifin kur shkruajnë dhe pyesin naivisht se ku i gjeti vjehrri i Bashës aq para e token që të ndërtonte tek uji i ftohtë. Ndonjëri, ndofta shikon nga vjehrri i tij dhe habitet pse nuk ka edhe ai ndonjë truall diku, bash ku deti flladit gurët, e hapet tutje, një fushë plot të ardhura. I
hakërrohen prokurorisë… ca të tjerë, fërkojnë duart se dështoi Rama. Me këto politikat ”e forta” të rilindjes shqiptare. Pika që nuk na bie…, kemi dështuar ne. Janë paratë tona. Dhe po të llogarisësh se sa prishje, ndërtime, e prishje janë bërë përgjatë këtyre viteve, jemi taposur me banana para e mbrapa, lart dhe poshtë. Janë para publike që fare mire mund t’i
kishin shkuar investimeve publike. Vetëm në raste të veçanta dhe marrëveshje të mëdha prishen objekte të përmasave të tilla. Qofshin edhe kur janë produkt i tregtisë së zezë. E kam thënë edhe atëhere me një artikull të vogël, Tritol. Pronat e dyshimta mund të shtetëzohen, aq më më tepër që një vend si i yni ka sot kaq shumë nevojë për spitale, shkolla, a shtëpi të moshës së tretë. Dhe nëse tjetri do e fitonte rikthimin me gjyq, siç ndodhi me rastin e vjehrrit të Bashës, i kthehej godina, dhe aq. Kurse sot përfundimi i ftohtë, është, dëmshpërblim i pronarit, plus ato që morën ata banorë që jetonin aty, një
thellim i vrimës së zezë, asaj ku firojnë paratë publike, taksat e shqiptarëve. Pse? Për shkak të ekstazës dhe revolucionit të rilindjes. Një çmenduri të cilën e kurorëzojmë edhe me fronin e qeverisjes.
Që sot ka emrin Edi Rama. Ne, ushqejmë njëri-tjetrin me babane, ata me qeverisje, tenderime, para të thata. Kaq e
gjitha.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, me banane, njeri-tjetrin, Ushqejmë

Kalendar për RD-në e sotshme

January 6, 2018 by dgreca

1-ilir-levonja

Nga Ilir Levonja/

 Më 5 janar të vitit 1991, doli në qarkullim e para gazetë opozitare, Rilindja Demokratike. Ose RD-ja, siç edhe e njohin njerëzia sot. Ato emocione kohe janë të vështira të riprodhohen, por një gjë është e qartë, brezat që i provuan janë me fat. Kuptuan dobinë e ekzistencës së mendimit ndryshe, si pjesë e lirisë dhe të drejtave të individit. Provuan se kur lëvizjet mbartin frymë popullore, shoqërisë i ka mbetur akoma aftësia për t’u përmisuar. Megjithatë unë nuk do merrem me përfundime sociologjike, por tek atmosfera. Ndofta kjo do të ndihmojë në ndijimet e demokratëve për të kuptuar se sa larg masave, është sot demokracia në Shqipëri.

E sidomos PD-ja dhe RD-ja e saj, jo e demokratëve.

Duke qënë se jetoja në një qytet kryqëzim midis jugut dhe veriut, gjithçka vinte e ndërsjellë me autobozët e linjave, trenat, e ato pak makina tregtie. Edhe nga dritarja e autobuzit më kaë thirrur, më kanë kërkuar numrin e RD, pasagjerë të linjave të jugut. Gjithçka vinte përmes valëve të stacioneve italiane, pasi tonat ngjanin me ca garderoba kohe, ku ekzekutive kishte mbetur tashe jeta shablone dhe e vdekur e anormales. Në fakt gjithkush kishte ndijimet e kafshëve të safarit, vesh përpjetë, shikonin qoshet dhe vendet ku mbaronin rrugët që dilnin nga qyteti; gjithkush i druhej gjithkujt, edhe pse gjithkush e kishte kuptuar se kishte nevojë të merrte vesh për diçka ndryshe. Gjithkush kishte nevojë të shikonte të flitej të paktën një here ndryshe për një sekretar partie, a një drejtor ndërrmarrje. Figura të cilat tashmë ishin bërë objekte barcaletash. Ca për arrogancën në emër të partisë dhe ca për injorancën si mode e produkteve nga shkollave të saj, katedrat e të cilave konsideronin shkencë veprat e udhëheqësve. Kështu që nuk ishte e rastësishme që një sekretare me pushtet të kërkonte mbledhje për dhënie llogari të Warinskyt, një tip skllavatori që për një apo dy arsye teknike nuk kishte pastruar kanalet vaditëse. Rilindja e atëhershme që një lloj disku alienësh, një objekt magjik, t’i gëzonte sytë, t’i digjte duart, të shuante etjen, të mbushte sytë me lot e ta bënte ditën mezi të prisje deri tek e nesërmja, a numri i radhës. Në hapat e pluralizmit politik kisht edhe përpjekje absurde për ta ndaluar, por ishte e pamundur.

Kush e merrte në dorë, ndihej kaq triumfator sa nuk do ta kënaqte asnjë bufe, lavatriçe, a frigorifer, gjëra që për kohën ishin dallim klasor, ndikonin deri në fate krushqish, caktonin kufirin midis njeriut të kamur dhe shtresave të varfëra. Ca budallallëqe kohe që ishin pjesë e asaj mendësie me autorizime etj. E për më tepër në një kohë, ku Iphonet ishin endrra të të çmendurve. Megjithatë ato faqe linotipësh nga shtypshkronjat e Tiranës, kishin vlerën që sot e ëndërrojnë vet Iphonet. E kam fjalën për efektin në masë. Madje vet komunistët a socialistët ishin më të përvëluar për të kuptuar efektet e masturbimit nga bëma dhe luftrat e brendshme. Sa nuk është e rastësishme që sot Shqipëria ka për kryeministër një djalë nomlekature, komunisti, madje me termin efekt rilindje, rilindas, rilindje për këtë e atë. Janë të gjitha nga efektet e rilindjes së viteve 1991, nga masat, por që koha i ka atashuar në ca pozita, ku gjithkush mban vetëm me mburrje dhe dekoratat fallco. Pasi efekti tashmë është një nocion i memories. Një pllakë qivuri ku në përvjetorë këta kufomat e lirisë dhe të drejtave të njeriut, të transformimeve imagjinare të shoqërisë, kanë shancin të ngren dolli me gota kristali në emër të saj. Një RD e atëhershme ka qënë më shumë se sa e gjithë zhurma bashkë që bëjnë këta emetues dixhital sot, me përpjekjet e tyre të panumurta anti sociale, si e si të tërheqin vëmendjen e një mase që është krejt e budallepsur brenda hashashit të partive. Atëhere Rilindja demokratike ishte një revolucion masash, 120 mijë kopje, shpërndarë e shitur me shpejtësinë e elektronit. Sot një kavje e vetvetes për shkak të lojrave brenda llojit, pa masat, një kavje që as përvjetorin e saj nuk e kujton në faqet e saj. Madje nuk e di që sot ka ditëlindjen. Dhe kjo është fare e thjesht, është pushtuar nga teknicienët. Dhe mire që nuk del më me letër, se do e gjenim si lëndë të parë për banjot publike. Se ato thirrje nga dritaret e autobuzëve, për të patur një kopje të saj, janë tashmë një vegim.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Kalendar, për RD-në e sotshme

Ka peshq të mëdhenj por ka edhe gjela të mëdhenj

January 2, 2018 by dgreca

2 Ilir-196x300

Nga Ilir LEVONJA/Pak pas ndërrimit të moteve, duket sikur zuri fill edhe e famshmja reforma ne drejtësi. Kjo me këtë bumin mediatik që një gazetar studio ikën nga topchaneli. Ka edhe reforma të tilla. Si vet reforma, me dorëheqje të dhimbshme a vetlargime për pasojë e intrigave të brendshme midis sojit dhe sorollopit shqiptar. Viti që iku ka krijuar tek qytetarët një pritshmëri gati kolektive, me mbajtje fryme…, me kallama peshku në duar po presin të mbushin trastat. Peshqit e mëdhenj? Kush janë vallë?. Një kërshëri që na masturbon kolektivisht. Ca për inat dhe ca për qejf. Mirëpo nga ana tjetër këta, peshqit e mëdhenj vazhdojnë ritin… janë në qëndër të vëmendjes, përshembull si presidenti tek fëmijët jetim, një tradite nga Enver Hoxha. Por me pak garniture si Xingu, me natyrë të qetë në numërin e yjeve. Në promovim dyshekësh të ndojë firme së cilës mund t’i detyrohet ndonjë kacidhe fushate. Tjetri nga ballkoni i Surrelit si mbreti i kafshëve nga bregoret e Safarit, Kilimanxharos, duke i treguar horizontin bijëve. Ca fishekzjarre apo arritja e madhe e qeverisë. Më tutje ca opozitarë shik, pranë pemëve plot zbukurime që shqiptarët i adhurojnë duke vuajtuar konceptesh, a ta quajmë pema e krishtlindjeve apo pema e vitit të ri? Punë e madhe, të dyja bashkë. A ta quajmë plaku I Krishtlindjeve, apo gjyshi i vitit të ri? Po, prapë punë e madhe, rëndësi ka të na gëzojë. Ose që të dyja bashkë. Ndërkohë që statistikat disi të pakënaqura që prurjet e emigrantëve në këtë ndërrim motesh kapnin shifrat 14 million në valutë, këshillonin lehtësi investimi, apo të drejtën e votes të shqiptarëve kudo që janë. Ca qoka ku misionin opozitar e kryesojnë deri kuriozitetet e marrëdhëniet yllit me emrin Çiljeta, me shefat e mëdhenj. Por jemi tek reforma me vetlargim, në vitin e madh, këtë të Skëndërbeut.

Në fakt njerëzit e shtypit duam apo nuk duam ne, janë po aq dëmtues, bashkë shkaktarë në stanjacionin ekonomik dhe depresionin e thellë që ka kapur shoqërinë shqiptare, sa vet politikanët tanë. Duhet thënë se firove të këtyre 28 viteve në demokraci u dedikohet edhe një pasion gati militant, i tyre, duke i shërbyer peshqëve të mëdhenj. Se në fund të fundit, peshk i madh nuk është vetëm një, apo ata që lane pushtetin. Me nocionin peshk i madh duhet të përfshihet kushdo që qarkullon dhe ndan pushtet, tendera, fonde, që influencon në mbajtjen ndezur të konflikteve, vetos në reforma ligjore etj. Dhe ta dini se, sikur shtypi t’i qëndrojë misionit, apo moralit të tij social mbi të drejtën, peshqit e mëdhenj do ishin me kohë në rrjetat e shoqërisë. Nuk dine më shumë hetuesit apo investikuesit, sidomos në fushat që përmendëm më sipër, se sa gazetarët tanë. Mirëpo ka vdekur misioni. Ka kudo një shërbim prej të verbri, si e si për të ruajtuar një rehati materiale, për më tepër trendin e kohës duke dominuar studio televizive. Dhe kur vjen momenti, i luftës së brendshme brenda sojit dhe sorollopit, siç është dhe rasrti konkret midis topchanelit dhe Edi Ramës, vet largimeve u jepet një pamje gati prej mbërritjes së fundit të botës. megjithëse në këtë virane botë, është vertetur katërcipërisht, qysh kur zevëndësuam perënditë, Krishtin etj., që, nuk ka njeri të pazevendësueshëm. Sidomos kur të ashtuqujaturit vipa janë produkt palësh nga lufta apo konfliktet politike. Sot shqiptarëve nuk u thua dot një emër pasi e kanë me vërtik përgjigjen. Ky gazetar i Berishës, ky i Ramës, i Lulit apo i Metës. Dhe e vërteta ashtu është, se, të gjithëve u kanë shërbyer gazetarët me dikur gazetat e sot webet e tyre, liderëve dhe luftës, politike në vend, por tmerrësisht pak , ose aspak misionit të gazetarisë. Kush i është afruar, ka përfunduar në një izolim total si ai gazetari nga fshatrat e Korçës që ka frikë nga kamerat, me nofkën e të lajthiturit etj.

Ka mbetur pa gazetë, pa asgjë. Ndryshe, të tjerët japin intervista nga oxhaqe plot zjar vilash, drejtojnë makina të shtrenjta, posedojnë çmime karriere dhe kontribuojnë në emërime deri gjykatësish të lartë, në zgjedhje politike, duke qënë pra kokë e këmbë po aq pengmarrës të shoqërisë, sa padronët e tyre. Kjo është arsyeja që, skandalet e mëdha gjithnjë, aty, janë transformuar në show, duke krijuar një atmosferë stadiumesh me tifozë të majtë a të djathtë. I tillë ishte dhe rasti ish ministrit të brendshëm pak javë më pare, i tillë dhe soji Balla që langaritjet e një shtetari me mode, i zënë gafil në aferat e drogës, i transformoi plotësisht në luftë politike. Sot shqiptarët janë deri aty, sa nuk e kanë problem të bëhen kurban për Ramën a Berishën, pavarsisht faktit se droga vjen pikërisht nga sejmenët e tyre. Sot shqiptarët janë gati të martirizohen në një rrënim kolektiv, mjaft që shushunjave të tyre të mos u prishet rehati. Ndaj gazetarët janë pjesë e këtij mëkati kolektiv. Dhe nëse doni një reformë bashkëhore, normale, jo vetëm tek drejtësia, ajo duhet të fillojë nga termat e punësimit që posedojnë vet gazetarët. Një informalitet kolektiv. Brënda këtij informaliteti, përdorimi, militantizmi është dhe kjo që po ndodh në orët e para të motmoteve, me emra të mëdhenj, me reforma të mëdha etj. Janë zhurma, thjesht e për një arsye, peshqit e mëdhenj sinjalizojnë njëri-tjetrin, ndjekin rrymat, transportojnë, afrohen kur duhet e largohen kur duhet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Peshq te medhenj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT