• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lufta e enveristave karshi Enverit

June 30, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Eshte koha të themi, kjo fal kësaj shërrnaje demokrate… se humbja e PD-së nuk mund t’i faturohet më, vetëm Bashës. Madje Bashës i duhet hequr kapelja për këtë rezultat. Dhe duhet shkundur e kujtuar. Mjaft më nën çadër, nën rrebesh pështymash. Kuitjesh, krakëllima legenash e uturakësh. Paska qënë diku tjetër orgjia e saj. E humbjes. Pikërisht te ky legenizimi total i ”demokratëve” që ngulin e shkulin prasë midis ngrirjes dhe dorëheqjes, standarteve, familjarëve në parti etj. Si kunati, vjehrri, krushku, vëllai… një moral legenash që koha po e verteton më së miri.

PD-ja paska humbur që nga momenti kur Basha u zgjodh kryetar. Sigurisht me mbështjen e plot të Berishës. Dhe berishistëve që sot po dalin sa të tillë, aq edhe fashista, aq edhe enverista. Të gjithë flasin për standarte. Dhe shtrëmbërojnë buzët. Megjithëse në këto 27 vjet demokraci. Apo histori zgjedhjesh. Kurrë nuk i përmendën. Kurrë nuk i kërkuan tek ishët. Kurrë nuk i përmënden me çunat e komunistëve që nderonin me grusht tek temthi. Kurrë tek çunat e liderëve që sot janë miliarderë dhe subjekte filmi në Hollywood. Kurrë tek dhëndurrët, krushqit. Apo tek të dashurit e gocave që u bënë deri atashe. Dhe sot i gjejnë tek Basha dhe kunati i tij. Kjo nuk quhet më, jetë militante me dy standarte, por me më shumë se dy fytyra. Ndaj them që etapa e dytë, pas kohës së gjuajtjes me gurë. Eshtë kjo, koha e legenave.

2) Në historinë e zgjedhjeve tona. Ka pasur një alibi krejt absurde. Justifikimi i humbjes me vjedhjen e votës. Të gjithë liderët e deritanishëm. Përfshi këtu edhe kryeministrin aktual. E kanë justifikuar humbjen me faktin e vjedhjes. Dhe këto vitet e fundit me shitjen dhe blerjen e saj. Them absurd, pasi kushdo që ka përjetuar orë korridoresh partie. E di fare mire se të gjitha këto strategji janë sa të parapërgatitura. Aq edhe të sulmuara. Të gjithë kërkonin ndihmën e të fortëve. Madje u qeshte fytyra kur shikonin më në fund praninë e tyre në derë. Aq sa militanti intelektual, nën vetullat e vështrimit të të fortit, dukej një mendje bythë. Ky i dyti i nënshtrohej verbërisht një binjde se ai kundërshtari ishte vërtet një pocaqi kriminel dhe shushunjë enveriste. Ndërkohë që e vërteta qe ajo, që të dyja palët. I forti dhe shefi, vinin nga kjo shkollë. Nga ato bindje. Për rrjedhojë edhe atmosfera do i ngjante asaj në kushtet e punës së detyruar. Kur njeriu ia merrte shpirtin njeriut nën emrin e diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. Kjo u bë vazhdë dhe sot është një kulturë gangrenë e demokracisë sonë. Të gjithë besonim verbërisht se zgjedhjet vidheshin. Megjithëse botërisht e dinim mirë, se edhe ne, planin për të fituar zgjedhjet me vjedhje e kishim. Por dështuam. Nga ana tjetër fitonim përvojën e justifikimit. Zgjedhje pa standarte. Zgjedhjet u shitën. Zgjedhjet u vodhën etj.

3) Sot përshembull Sali Berisha po i thotë një ndjeksi të tij në FB se nuk e uroi Edi Ramën për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime. Në fakt ashtu është pjesëmarrje tepër e ulët. Një pjesëmarrje për të qarë hallin. Por pas përvojave politike, pas kërkimeve, ka një përfundim. Që pjesëmarrja e ulët ndodh kur njerëzit nuk i besojnë më politikanëve të tyre. Të thuash që vet Berisha nuk bën pjesë në këtë përfundim social, është si me ja fut vetes. Nga njëzetë e shtatë vjet demokraci. Ka qeverisur dymbëdhjetë. Dhe ka drejtuar njëzetë e dy vite partinë. Megjithatë 99% e administratës partiake, nuk i përmendi statutin. Dorëheqjen, apo familjen … askush. I besuan të gjitha, vjedhjen e votes. Mashtrimin qytetar. Manipulimin etj. Kush ia përmendi, ai një apo dyshi, iku emigrant në Amerikë. Kurse sot këta 99-përqindshat kanë marrë zjarr e flak. Dhe i kujtojnë Bashës statutin. Dorëheqjen. Standartet europiane etj.

Sa paradoksalë që jemi. Sa absurd?!

E ngritëm një kulturë me mashtrim të vetvetes, tani kërkojmë ta zhbëjmë me shurrë.

4) Mbrëmë në një studio televizive, pashë përshembull Patozin. E them që në krye, më vjen keq që emra si ai, apo si Blushi do i mungojnë kuvendit të shqiptarëve. Patozin e kam ndjekur edhe në shkrime. Një elegance për tu patur zili. Po ndryshe në një studio ku ankohej me atë devizën e shqiptarit gjynahqar. Që, unë kështu e ashtu, unë nuk kam luftuar për vete, as për këtë e as për atë. Eshtë një lloj qaravitje shqiptare. Nuk ka arritje me qaravitje dhe justifikim hapje krahu, a dorëzimi. Apo përmendje standartesh. Futje sëmundjesh etj. PD-ja nuk është e sëmurë. Eshtë më keq se kaq. Në PD ka rënë epidemija për shkak të trashëgimisë. Arritja eshtë e ftohtë. Bëhet me gjoks, jo me naivitet shqiptari.

Dhe standartet, jo vetëm ti, por çdo bir pd-je do bënte mire t’ia kujtonte më së pari liderit shpirtëror. Shumë nga ne akoma nuk po duan ta kuptojnë se, jemi infektuar aq keq, sa do duhet një karantinë e gjatë për tu shëruar. Dhe kjo nuk ndodhi në katër vjet. Epidemitë shkaktohen nga mbartja. Nga koha … flen dhe zgjohen. Luftohen, flen prapë. Por kurrë nuk vdesin. Dhe për këtë pyesni Berishën se është mjek. Dhe e njeh fare mire sojin e kolerës. Një lloj epidemie klasike.

Të urosh kundërshtarin është praktikë normale në një vend normal. Të heshtësh është praktikë e kolerës që thotë jeni popull dhe rroftë populli kur më votoni mua. Dhe jeni mut, e u bëfshi mut, kur nuk më votoni mua.

Kjo ndodh veç tek ne, dheun e paradoksit.

5) Në vitet e para të demokracisë. Soji që krijoi këtë antikulturë. Prirej që dështimet e veta, para nesh, t’i mbulonte edhe me propogandë. Një e më dy ai apo ky janë enverista. Eshtë për të ardhur keq që edhe pas kaq vitesh, shqiptarëve u serviren këto prroçka propogande. Sepse karshi të gjitha dëshmive dhe mënxyrave midis njëri-tjetrit. As vëllai vëllait nuk i kërkoi ndjesë. As profesori, profesorit. As intelektuali, intelektualit. Jo më shtetari, shtetarit. Paradoksi më i madh përshembull, fillon nga Edi Rama. Një djalë nomeklature që bën propogandë me vargjet e Fishtës. I bukuri poet, nuk është asnjë gjë tjetër, shembulli i gjallë, produkti i luftës së klasave të babait. Shpërbërë e denigruar prej etërve të Edi Ramës. Mirëpo ne na argëtojnë këto gjëra. Në vend që të ulemi atje në shesh, të kapim duart, të qajmë mënxyrat që i shkaktuam dhe po i shkaktojmë njëri-tjetrit. Bëjmë akoma propogandë…u shërbëjmë propoganduesve. Më zi se Enveri dhe më zi se Hitleri, sa kohë që bëhemi robër të njëshave. Dhe sa kohë e lëm veten të përdoremi. Merremi me humbje kohe me shumicë. Kërkojmë jo të bëjmë dallimin midis ngrirjes dhe dorëheqjes. Por të përmbushet qejfi jonë shtazarak, i filozofisë, kështu dua dhe ma ka qejfi mua.

Ndaj e gjitha është po ajo, lufta e enveristave karshi enverit. Lufta e shushunjave, e legenëve dhe e uturakëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, karshi Enverit, Lufta e enveristave

Koha e atyre që gjuajnë me gurë

June 28, 2017 by dgreca

1-ilir-levonja-2-288x300-1-1-1

Nga Ilir Levonja/Florida/USA/

 1) Aty nga mesnata, që kaloi, Lulzim Basha dha i pari njoftimin e fitores së kandidatit të PD-së, për kryetar bashkie në Kavajë, Isa Sakja. Kavaja mbante paralelisht edhe zgjedhjet lokale. Për shkak se më 8 mars 2017, Gjykata Kushtetuese shkarkoi kryetarin e atëhershëm Elvis Roshin. Fal një kontributi me denoncim shkresor në organet përkatëse, të partisë demokratike. Kishte nisur kështu një lloj reforme në ruajtjen e laicitetit të shtetit nga feja e krimit. Ndërkohë që ca orë më përpara, ai kish ngrirë vetveten me një ndjenjë faji nga të gjitha funksionet e tia. Shkak humbja në zgjedhjet e përgjithshme. Nga ana tjetër një marri sharjesh e fyerjesh vërshonin nga ”elita” e të të ashtuquajturve demokratë rrace. Nga ai soji, që siç thotë një myzeqari im…, shkuan në PD me pantallona të grisura dhe u larguan me vila. Poshtë kësaj kësule, ai i gëzohej fitores. Ndofta më e domosdoshmja ato çaste njerëzore. E një burri familjar. Në fakt edhe për Shqipërinë e lodhur nga lufta e ashpër politike. Nga një lloj korace nervash, të standarteve që kemi vendosur këto njëzetë e shtatë vite pluralizëm. Si të thuash ai lajm nga Kavaja, duhet të ketë qënë një zgjim nga koma. Fillimi i një misioni të madh për individin.

2) Në fakt, minutat e fundit para heshtjes zgjedhore, në një studio televizive Basha, ndofta edhe pa dashje, ndofta edhe me dashje. Tha se, dua të falenderoj atë Shqipëri me këmbët në baltë. Atje ku shkela e më pritën. Pashë popullin…, pak a shumë këto. Mirëpo ne, nga që i presim shkurt drutë. Asnjëherë nuk analizojmë përmbajtjen tekstore, si tregues të njeriut. Jashtë të gjitha indicjeve nga ai, por brenda vemedjes sonë. Çfarë shohim tek ai, nga gjestet, veprimet dhe mbresat. Kësisoj, që aty u pa se, si do që të venin punët, Basha vetëm dorëheqje nuk kishte për të dhënë. Madje nga aty, dëshmoi se sapo kishte filluar misionin e politikanit. Ndaj është ajo frymë përtëritje që i dha Kavaja. Dhe emri i atij demokrati, Isa Sakja. Pse për ‘të Kavaja të rikonsiderohet si kryeqyteti i lirisë dhe demokracisë.

3) Gjatë orëve të fundit është folur shumë për mungesën institucionit të dorëheqjes tek ne. Shumë fare. Ne jemi të përkryer ta shohim këtë mungesë tek tjetri, por asesi tek vetja.

Shumë demokrat, shumë analistë studiosh… shumë militantë me sy të kuq. Përmendnin Berishën pas zgjedhjeve të 2013-ës. Po, Berisha dha dorëheqjen, por pas njezetë e katër vite pushtet. Kjo është absurditet politik shqiptar. Dhe jo model demokracie perëndimore. E dha dorëheqjen dhe nuk iku. Eshtë akoma aty. Po nuk është vetëm Berisha, kujtoni Edi Ramën me kastën e tij pas humbjes së zgjedhjeve të 2009-ës. Po kaq absurde, në këto rrethana, është edhe të presësh aplikimin e standartit të dorëheqjes në kulturën tone demokratike. Kemi mbjellur shi, erë, bubullima…, dryne me çelsa të humbur do të korrim. Kështu që, Lulzim Basha sapo ka nisur misionin. Sapo ka filluar të ndjejë domethënien dhe ekzistencën e liderit të një force të madhe. Sapo ka filluar një rrugë përplasjesh. E cila në mendësinë shqiptare, është e domosdoshme. Lulzim Basha nuk e bëri. Një rrugë përplasjesh të ashpra brenda llojit. Ndofta është në ato ujra. Kastash dhe emrash. Dhe në PD, këta emra që erdhën aty me pantallona të grisura. Që sot zgjasin dhe firmosin lista. Që u pllasin militantëve, të shkojnë e të nxjerrin me shqelma Lulzim Bashën. Nuk janë vetëm bejler të pushtetit. Por edhe të sundimit unik. Që është një antivlerë. Vlera ka vdekur, ose vdes, edhe të vdes, qysh sa nismat ndërrmerren me klithma. Me gishtin tregues. Me linçime. Jo me përbashkësinë e fajit.

4) Megjithatë, zgjedhjet e fundit në Shqipëri dëshmuan shumë. Më shumë nga pritshmëria. Një vargan gërmor arritjesh:

  1. a) Një parti mund të fitoj e vetme.

Nuk është i domosdoshëm koalicioni fiktiv me parti, emra. Dhe kryetarë deputetë të përhershëm. Për shkak të aleancave fallco. Duke stopuar karrierën breznore në partitë e mëdha. Duke u zënë rrugën të rinjëve që militojnë me një ëndërr në sy. Dëshmi që asnjë tjetër, si partia demokratike nuk po e vuan. I duhet dhënë prioritet sfidave dhe jo rehatllëkut të individëve.

  1. b) Një individ në pluralizëm mund të bëj vërtet reforma.

Pavarsisht mendjes sonë, shijes a preferences. Eshtë shumica ajo që orienton.

  1. c) Një politikë e tipit qytetari dixhital denoncon, është demode.

Madje shkak kryesor për disfatë me bythë përpjetë.

ç) Mënyra se si e zgjedhim presidentin, presidenti është krejt hallkë e pavlefshme. Shpiku presidentin fushatist. Antikushtetues. Dhe për rrjedhojë.., domosdoshmërinë e formës a mënyrës së zgjedhjes së tij, që, të largojmë iformalizmin e hirearkisë shtetërore.

  1. d) Populli nuk mallkohet pse nuk pëlqen mëndjen tënde.

Kjo është mendësi e vjetër. Kërkesa e llogarisë e të tjera, fillon gjithmonë nga vetja.

  1. dh) Populli është frymë. Një domosdoshmëri brenda selive. Një dominim.
  2. h) Dhe se në drejtimin e një shteti vjen përmes kësaj fryme. Jo frymës së meritave nga e kaluara partiake.

5) Aktualisht partia demokratike i ngjan asaj shtëpie ku të gjithë kanë qejf të hedhin gurë në çatinë e saj. Më shumë ata që kanë qeverisur. Ata i kanë pretendimet më të mëdha. Të drejtën. Ata flasin për moral. Por e drejta është gjetkë. Eshtë tek ata që, as kanë qeverisur, as kanë plotformuar, as kanë vjedhur tenderash. As kanë pështyrë. Por thjesht kanë qënë dhe janë, simpatizantë. E kundërta ndodh tek ne. Tek ne bota e paradoksit social. Hedhin gurë ata, ishët me pantallona. Dikur i jepnin deklaratat nga ca dhoma apartamentesh me punë vullnetare. Një dhomë e guzhinë. Nga ca divanë shtatë mijë lekësh…, me cigare në dorë. Me ca letra të shkruara me shkrim dore. Sot nga studio e vilave bregdetare. Me mure librash të palexuar. Por që janë dekor hirearkik. I mutërve dhe kohës së tyre. Japin deklarata me mendjen se janë stofi i shoqërisë. Kur në fakt janë haleja e saj. Ata që për inat të njëri-tjetrit, çuan një vend të tërë në luftë civile. Por ne shkojmë në varreza vetëm në rast vakish. Edhe atëhere. I shikojmë të vdekurit përciptas. Kemi frikë. Por kemi edhe turp. Atë turpin e shejtanit a dreqit. Jo turpin e njeriut normal. Njeriu normal skuqet. Skuthi, shtyhet të dali. Aty në varreza është memoria jonë e vdekur. Po sa prej nesh kanë humbur shokun, mikun të njohurin. Sa soje shtëpish shqiptarësh janë në hasmëri e të larguar nga vendi. Kurse ata japin deklarata. Qëllojnë me gura. Dhe njerëzia, dëgjo po flet filani. Kur duhet të thonë, shiko, hapi sytë, po flet m….i.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Koha e atyre, që gjuajnë me gurë

Urime Edi Rama!

June 26, 2017 by dgreca

Opinion nga Ilir Levonja/

 1) Më parë se të gjejmë fajtorin, të mësohemi e të themi urime. Të urojmë kundërshtarin. Pse jo? E akuzuam për shumë gjëra. Dhe në qofshin të vërteta. Prapë mbi verdiktin e popullit nuk dilet. Ashtu do populli, ashtu do bëhet. I kërkuam garanci vote, na e dha postin e rojtarit. Na tha, merreni atë kolibe. E ruajeni votën. Dhe me sa u pa, e bëm shkëlqyeshëm këtë punë. Tani përse rrimë strukur dhe nuk e themi një fjalë.

Na dha pushtet. Na tha, hajdeni bujrum e ta bëjmë.

Në mendësinë tonë demokrate, dhënia e 7 posteve të rëndësishme. Do quhej çmenduri. Ashtu sikur e quajtëm fitore në tavolinë. Kur dihet botërisht se, asnjë fitore e vërtetë nuk ndodh nga tryezat. Po nga llava popull. Ndaj ne demokratët bëjmë mire të ndjekim më shumë futboll. Të shkojmë në stadium. Që të kuptojmë se sa e vlertë është fryma e masës.

2) Në vendin tonë u mboll kanabis me shumicë. Dhe me të drejtë shumë nga ne ishim të irrituar. Por ne harrojmë një fakt. Nga natyra ne shqiptarët vdesim për pak qyl. Për pak informalizëm. Kemi postulatin, bëj një sy qorr e një vesh të shurdhër. Kështu edhe kanabizmi, përballë papunësisë. Ose punës akoma me mik. Dhe tani me mik partie. Përballë dyzimit në ikje. Pasi ai fqinji atje në Amerikë përshembull, po bën namin me dollar. Nga pema po i vjel… Pse mos të rregullohemi edhe ne. Ca vazo lulesh me kanabis. Ca rrëpira diku etj. Apo nuk kemi marrë toka me shumicë, kudo. Dhe ia hodhëm edhe këtë dimër. Një lloj llogjike e kandarit tone. E profilizuar me informalizmin e ekonomisë së tregut të kioskave, që nga koha e Sali Berishës. Kësisoj Edi Rama është në rregull. Pasi ia njohu këtë dhunti popullit të tij.

Dhe ja, e mori një rezultat plebishitar.

3) Në vendin tonë u fol për një borxh të lartë, por ne harruam një fakt. Se kishim pjesën tonë në këtë hendek ekonomik. Duke lënë plot punë përgjysëm. Të cilat efuroia e fushatave marramendëse. Na bënte të nxitonim kur hidhnim ziftin përsipër. Një fakt që e pashë me sytë e mi. Përshëmbell, rrugët, krenaria jonë. Jo që nuk janë të parametrave të europës a botës. Por u kthyen në një burim aksidentesh me shumicë. Dhe kërkojnë rivlerësim projektesh. E rimbursim fondesh. Këtë na e vuri në dukje edhe kundërshtari. Dhe me të drejtë. Megjithatë, ashtu si ne… si horia jonë. Rama iu përvesh qëndrave të qyteteve. Dhe ne harrojmë një fakt. Atë frymën e revolucionit kulturor që shqiptarët vdesin ta demonostrojnë. Kemi qënë aleat të kinezëve. E reja mbi gërmadhat. Edhe pse vet, udhëtojmë deri në Jeruzalem të prekim një gur nga vendet e vjetra. Që sot modernët shqiptar, i quajnë si bota, vende të shenjta. Kështu që, Edi Rama në rregull është. Pasqyrë e popullit.

4) Tani t’i kthehemi pak punës sonë politike si demokratë.

Eshtë e tmerrshme, por jemi një stan i tërë me llogjikën e babaqemos. Akoma nuk duam ta kuptojmë se ishim ne që e suportuam fitoren plebishitare të Edi Ramës. Ishim ne vet, me dy duar. Me çfarë ? Me riciklimin e humbësve nga zgjedhjet e kaluara, lokale. Me Sali Berishën dhe rubrikën e qytetarit dixhital. Dhe sot të vjen për të vjell kur dëgjon demokratë që i kërkojnë Saliut të marri frenat e të zgjedhi një të hajrit. Se kjo zgjedhja e radhës. Që na çoi në një humbje spektakolare, nuk ishte e tija. Por e kojshisë së Saliut. Saliu e zgjodhi Lulzim Bashën. Kështu që përpara se t’i kërkojmë dorëheqjen Lulit. Bëjmë mire t’ia kërkojmë Saliut. Nuk ka qytetarë më, në botën shqiptare, që të votoj me dëshirë…, një ish ministër, një kryeministër, një ish lider. Veç atyre që me fanatizëm hiqen se janë demokratë. Por këta nuk janë populli. E demokratëve që të qeverisin u duhet për së pari vota e popullit, pastaj ajo e tyrja. Po me sa duket, ata që po i luten Saliut, duan ta lënë PD-në, në opozitë ngahera.

Dhe një gjë thelbësore, kur brenda një force nisin vegjetimet. Kur ka me shumicë figura që nuk hapin krahun. As ka për tu reformuar. Por faleminderit popullit që na bie me votë pas kokës.

5) Ne e ndihmuam Edi Ramën edhe me faktorin LSI. Nuk po dinim se kë kishim kundërshtar. Marrëveshja qetësoi nervat e vendit. Të njerëzve. Por politikisht, në kohë fushate, na vuri të zgjedhim. Siç dihet programet ekonomike nuk pinë ujë tek ne. Në javët e para goditëm LSI, pastaj Berisha na kujtoi se kundërshtari ynë ishte PS-ja. Dhe ne o burra. Një paradoks politik, pasi po qeverisnim me ta. Nga ana tjetër…, i dhamë mundësinë njerëzve të shikojmë fytyrën e vërtetë të një force si LSI. Sharje, kërcënime, fyerje, dhunë… elektorati i të lëkundurve është gati 33% sot tek ne. Si kujtoni, do bëheshin aletatët tanë. Pas kërcënimeve të Metës. Dhe deklaratave bjerini. Apo zarfeve nën dorë gjoja si traditë lezhiane etj.

Po aleat kë kishim? PS-në apo LSI-në. Qeverisnim me PS-në. Shanim LSI-në. Me këtë force, një stërkëmbësh politik shqiptar. Që deri dje u fuqizua nga gërrvërret mes të djathtëve dhe të majtëve. Kurrë shqiptarët nuk kanë për të parë më, një president, presidentin e tyre. T’u kërkojë të armatosen, thjesht se ashtu ia do qejfi i prishur i Ilir Metës. Nga një marëveshje Basha Rama.

Shkurt një humbje e merituar. Ndaj i thoni urime Edi Ramës.

Ngushëllojeni Ilir Metën. I shkoni për kafe. Regjistroni Sali Berishën si anëtarin më të ri të LSI-së. Madje dhe të ricikluarit e tjerë. Dhe hapni dyert për gjakun e ri.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Urime Edi Rama

Një vështrim përciptas dhe a po shiten e blihen vota në Shqipëri

June 24, 2017 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

1)Janë plot mbi dy million shqiptarë që priten të votojnë. Nëse kjo shifër kap gjasat e një përqindje të konsiderueshme në pjesëmarrje. Shanset i ka opozita. Gjithmonë kur pjesëmarrja është e lart, opozita fiton. Kjo ndodhi edhe zgjedhjet e kaluara kur i fitoi opozita e atëhershme me në krye Edi Ramën. Por nëse përqindja e pjesëmarrjes do jetë e ulët, i vetmi shanc për fitore qëndron tek pozita aktuale. Ose jo një rezultat uauuu midis PS-së dhe PD-së. Pa injoruar aspak LSI-në. Eshtë një garë kokë më kokë mes të majtëve. Por edhe një shanc i madh për të shitur a blerë vota. Një mundësi e artë për kontestime. Vonesat në rezultate, tashmë histori normale në traditën tone zgjedhore.Pra pjesëmarrja e ulët i ka të gjitha brenda. Përveçe vullnetin real të një vote nasash. Dhe kjo do e mbaj vendin akoma në një stanjacion reformash e zhvillimi.Ndaj shqiptarët duhet ta eleminojnë sa më shumë indiferencën. Dhe mos pjesëmarrjen në votime. Eshtë në denim e tyre.

2) Të bëhesh deputet në Shqipëri, duhen nga 9 mijë vota deri në 14 mijë. Kjo varet nga qarku në raport me popullatën. Ndaj listat e partive dominohen nga emra me aktivitet tregtar a prodhues. Pak ka aspirantë nga shkencat e politikës. Fare pak. Dhe për një vend me histori të re në ekonominë e tregut. Kjo është një situate që nuk i shkon për shtat pritshmërisë. Kësiosj fushatat e tyre kanë qënë të përqëndruara në buxhetin personal. Si një meritë a kusht kyç për të qënë në radhët e para të subjektit. Por edhe një mundësi e artë për të blerë vota. Dhe për t’i detyruar njerëzit të mos votojnë sipas dëshirës, vullnetit. Por të kushtëzuar nga nderet e tipit bëje për mua. Ma ke…, ose ta kam borxh. Kjo në Shqipëri konsiderohet normale. Kështu që, gjithkush vazhdon me atë menefregizmin se, hë mo se vote është. Votohet një here në aq e kaq vjet. Pa e kuptuar asnjëherë se ajo vote, sado periferike, sado e vetme, balancon termat në ndarjen e pushtetit. Dhe si e papërgjegjshme është një indeks i artë i kapjes së pushtetit. I marrjes peng. Dhe një vetburgosje me budallallepsje qejfliu se i bëri një nder iks-it apo ypsilonit.

Eshtë një dënim katastrofik i ardhmërisë së fëmijëve. Për shkak të ndërtimit me inat të një shoqërie pa shance të barabarta. Kësisoj përqindjet e ikjes nga vendi, të fëmijëve tuaj do vazhdojnë të ngrihen me suskses të plot. Kjo fal mendësisë fshatarake, bëje për mua.

3) Çfarë ishte fushata e radhës. Krejt e kundërta e fushatave paralele në vendet me ekonomi të zhvilluar. Duke filluar që nga kryeministri dhe rilindja socialiste. E gjitha një zhurmë e tipit të propogandës. Kam bërë, bëra, do të bëj. Dhe krahas kohëve të foljeve, bërë, bëra, bëj… një suferinë sharjesh e nxjerrjesh të palarash për ish aletin e tij. Atë që ia bëri dhuratë vendit dhe qytetarëve si për president. Se sa garant për kushtetutën e vendit, do jetë tashmë një person politik I tillë. Këtë e di vetëm Edi Rama. Dhe nuk e di se si po e kapërdijnë shqiptarët njeriun sharm dhe përfaqësues të tyre në rrang kombëtar e botëror.

Ashtu si shumë traditas të tjerë, të stanjacionit… edhe ky u mor me paraardhësin duke zeruar gjithçka.

Ndërkohë solli dhë risi regresive, si pjesëmarrja e hapur në fushatë e një kryetari bashkije. I cili përmes spoteve televizive, u tregonte shqiptarëve se ndryshimet e kryeqytetit i dedikohen donacioneve nga kryeministri. Kjo është absurde dhe ndodh vetëm në Shqipëri. Dhe nuk e di se si ndihen të qetë qytetarët e Tiranës, karshi taksave dhe të tjera detyrime që ia paguajnë një për një Bashkisë së tyre.

Në këtë hulli qëndroi edhe partia simotër dhe qeverisëse e LSI. Madje lufta më e ashpër është kjo mes vedit. Mes tyre…

E gjitha një vullkan ethesh e përbuzjesh karshi njëri-tjetrit.

Se sa të vërteta janë, mos hezitoni ta besoni. I dine mire, pasi I kanë bërë. Ose ato që ia ngjeshin njëri-tjetrit, janë të vërteta pasi janë në genin e tyre.

Fushatës i mungoj gjëja më kryesore. Programi me libër në dorë. Këtë e pati vetëm Lulzim Basha. Por në ethet e sharjeve dukej dorë e dytë. Aq më tepër me kundërvëniet brenda sojit të djathtë. Megjithatë, ishte i vetmi, pavarsisht listave, i vetmi ai që foli me një program libër. I vetmi që stononte në zellin e sharjeve. Dhe gërrej për shifrat. I vetmi pasi shqiptarët e duan ndryshe fushatën. Ashtu si e bëri Rama me Metën. Me libër shtëpie, jo me libër ekonomie tregu.

Fushatës i mungoi debati real. Ai që në botë realizohet midis profesorëve të universiteteve dhe subjekteve politikë. Drejtuesëve. Ekipeve …Çfarë ata sjellin. Në vend të panelit nga universitetet e vendit. Ishte ai paneli më i mërzitshmi, më i neveritshmi i të gjitha kohërave në Shqipëri. I gazetarëve grupazh që bëjnë pyetje nga një javë të gjatë dhe e vdesin qysh në krye vlerën e debatit real dhe aq të domosdoshëm për parametrat e ekonomisë së tregut.

Kësisoj shqiptarët vazhdojnë të besojnë në forcën e ngjyrës nëpër sheshe. Në garën në numrin në pjesëmarrje nëpër sheshe. Në dekoret e flamujve dhe trendit të liderëve. Asesi se ku u pikon çatia. Asesi në faktin se dhimbja e trupit tend është në trupin tend, jo tek ngjyra dhe flamujt e horizmës.

4) Apo shiten votat në Shqipëri.?.

Eshtë fare e thjeshtë. Sa kohë që keni lista nëpër dyqanet a pikat e shitjes me shumicë. Në rrethina a lagjet tuaja. Nuk ka asnjë diskutim. Votat po shiten e po blihen nga dy here.

E theksuam më sipër se kandidatët vijnë nga bota e tregtisë.

Ia dine marifetet kandarit. Më jep e të jap.

Po i blen edhe ai që akuzon! Po i blen dyfish. Pavarsisht se po arreston. Kjo nuk është asgjë. Dhe mos i shani kot. Nuk është se janë njerëz të pandershëm. Nuk janë qytetarë. Janë product i taktikave të deritashme. Ose frut i demokracisë sonë.

Çfarë të bëjnë? Punë nuk ka. Po edhe atje ku ka, është punë me pare xhepi. Kam do të jap. Nuk kam… nuk të jap. Kur të kem do t’i jap. Dhe ku ta plasi kokën i shkreti. Pronari pi birra me kalecat e policisë së shtetit. Me avokatët a prokurorët që janë bërë si zarzavatet me hormone. Qoshe më qoshe…

Janë produkt i dështimit tone social. Dhe as që iu plas bytha për një vote.

Ndaj paçim fat në demokracinë tonë. Unike për nga lloji.

Filed Under: Opinion Tagged With: e votave, Ilir Levonja, ne Shqiperi, Shit-blerja

Kartoni jeshil

June 23, 2017 by dgreca

 kartoni-jeshil

Nga Ilir Levonja/Një qytetare e Kosovës, përmes një statuti në FB, tregon se si e kishin kthyer në kufi me Shqipërinë. Për mungesën e një dokumenti që quhet kartoni jeshil. Ndihej e mërzitur pasi kishte udhëtuar gjithë natën me qëllim që dita e re ta gjente në destinacion. Dhe se shërbimi i ofruar në doganë, shto edhe ca dokumenta të tjerë, kapnin vlerën e 240 eurove. Një shifër e kripur për xhepat e shqiptarëve në dy shtetet e tyre.

Mu kujtua vetja një vit më parë, kur në doganën e Tushemishtit. Ndërsa prisja në radhë, për tu hedhur deri në Ohër. Punë miqsh e shokësh…, një qytetar më foli për ca letra shëndeti dhe këtë kartonin jeshil. Bashkë me time shoqe gjykuam se sa të humbnim ditën me letra kësisoj, venduam të argëtoheshim me teto Ollgën në ujdhesat e fshatit buzë liqenit. Sot këtë punën e kartonit ma kujtoi kjo qytetare shqiptare. E Kosovës. Në oborrin e doganave mes shqiptarëve. Ndaj u futa në webet e këtyre shoqërive të kartonave. Ose siguracioneve si na pëlqen të themi. Pak a shumë gjeta kudo këtë shpjegim:
”Polica Karton Jeshil është sigurimi i detyrueshëm për të gjithë automjetet e regjistruara në Republikën e Shqipërisë që udhëtojnë jashtë Shqipërisë.
Kartoni Jeshil mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit motorik, në përputhje të plotë me parashikimin e Ligjit te shtetit te huaj, ku ka ndodhur rasti ne sigurim dhe ofron asistencë teknike: pasi merr përsipër trajtimin e dëmit në mbrojtje të interesave të klientëve”.
Ky tekst nga Shqipëria. Për qytetarët shqiptarë.
U futa edhe ne webet e Kosovës. Byroja e Sigurimeve në Kosovë. Për Kosovën ka një kleçkë. Me që Kosova nuk është pjesë e OKB-së, iu dashka që këtë palo karton ta përfitojë nga një shtet tjetër. Dhe se përpjekjet kishin vite që bëheshin mes Shqipërisë, Sllovenisë, e Maqedonisë.
Nuk kam punë me Maqedoni, as me Slloveninë. Por me Shqipërinë. Me këtë mefshtësi administrate dhe burakroci kolektive. Për lehtësimin e proçedurave në lidhje me ndërkomunikimin shqiptar në rajon. Dikur paska ekzistuar një marrëveshje rajonale mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, për lëvizje të lirë. Pa kësi kartonash. Por qënka hequr. Mirë i huaji e ka bërë të rrugës. Që të na i hedhi pasaportat syve. Po ne me njëri-tjetrin. Megjithëse për gjykimin tim është një farsë e kripur letrash si e si për të rjepur vetveten. Sidomos tani në kohë sezonesh. Ku me të drejtë ai vëllai kosovar më tha se Shqipëria na dhemb shumë or mik, ndaj edhe vemi. Po të çmend nga çmimet. Eshte një farsë e kripur si puna e atyre koaludimeve, që do ca në xhep, ai tek porta, pastaj ata të sportelit. Dhe ata që shikojnë se si vine anash gomat e mjeteve. Ne këtej na mjafton patenta dhe siguracioni. Asnjë lloj kartoni jeshil, i verdhë, i kuq. Zarfi i letrave të mjetit është i zbrazët. Dhe xhamat pa pulla që të t’i shohi polici në rrugë. Mund të kalosh gjithë ditën e Zotit shtet më shtet, mjafton të kesh para të furnizosh mjetin me karburant.
Dy gjëra janë për tu theksuar:
-E para, shqiptarët para pak ditësh mbushën statutet me dhimbjen për vdekjen e Helmut Kohlit. Nga njëri shtetar tek tjetri. Si në Kosovë e Shqipëri… e quajtën mik. Thanë që ai ishte kështu e ashtu. Miku i madh i shqiptarëve. Miku jonë.
Të gjithë kishin hallin të demonstronin se sa mik ishin me Kohlin.
Po askush nuk tha. Askush nuk foli që ta kenë si shembull. Atë veprën më madhore të tij, politikën për afrimin dhe bashkimin e gjermanëve.
-E dyta, në këtë fushatë sherrnaje… Shqipëria u përqëndrua e gjitha në denigrimin e njëri-tjetrit. Kap e përplas. Shtyu, pështyu. Kësisoj dhe përngahera sepse jo, që, nuk kemi Kohla… por kemi Helm+mut për njëri-tjetrin.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Kartoni jeshil

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT