• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fatos Nano si Jovan Bregu

February 5, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Nëse i famshi Jovan Bregu kishte ëndërr një magazinë, Fatosi ka postin e presidentit. I pari çfarë nuk bëri, deri me pesëmbëdhjetë katshin i hyri drejtorit, por nuk u bë dot magazinjer. Zuri nga mblesëritë por e pamundur. Zuri nga letrat anonime, por prapë nuk u bë dot magazinjer. Edhe Fatosi, lideri me frymë liberale, i burgosuri i ”përndjekur” që kanë harruar ta dekorojnë, se, dëmshpërblimin e ka marrë katërfish. Të përndjekurit e vërtetë akoma merren me këstet shekullore të qeverive tona. Akoma nuk u zuri veshi një ndjesë publike për kalvarin e vuajtjeve, jetët e humbura, lirinë e grabitur, deri shuarjen e sojit. Nuk ka kush ta bëj. Të gjithë e pranojnë nën zë krimin historik, por të gjithë i shmangen sysh, aq sa nomeklatura e pas luftës erdhi nga një planet tjetër. Erdhi, qeverisi dhe iku. Kaq!

2) Sa herë që afrohen zgjedhjet presidenciale, Fatosi i hedh pak bojë mjekrës, flokëve dhe shfaqet frymëmarrë. Zakonisht me kohën burrat rrumbullakosen, Fatosi ishte zgjeruar. Fatosi nxjerr ëndrrën presidenciale. Megjithëse në rastin konkret, ka akoma kohë. Por Jovani modern investohet 100% kësaj radhe tek Rama, me mendimin se ai do t’i  fitoj i vetëm zgjedhjet e ardhshme. Dhe e ka shumë të kollajshme ta emëroi atë president, ashtu siç bëri me Ilir Metën në 2017-ën. Për ata që kanë memorie, Jovani modern e bëri këtë me Ilir Metën dhe Sali Berishën në 2012. Besoj u kujtohet pritja që kryeministri Berisha i bëri të ashtuqujturit liderit liberal, rivalit të dikurshëm, i cili ishte tërhequr nga politika më 2005. Atë kohë Edi Rama dhe partia nga ai vinte, nuk e mbështesnin. Qe një konflikt i hapur që me lëvizjen Mjaft. Pas mendjes së tij, i binte që për inat të Edi Ramës dhe mjaftistëve, Berisha mund ta suportonte në ëndrrën magazinë. Pas mendjes së tij Berisha nuk ishte kafsha poltike. Kjo zgjedhje do të ishte një grusht i fortë karshi Ramës. Por kjo nuk ndodhi. Berisha u justifikua me atë që do ishte normale që propozimi të vinte nga partia e tij. Mirëpo ”rilindasi” dhe mjaftistët nuk e honepsin. Kësisoj president doli një nga shumica. Që pavarsisht të gjithave, si proçedurë çoi përpara atë kulturën e firos sonë sociale, atë për një president amorf deri sa nuk e zgjedh populli. Tosi apo Jovan Bregu humbën sikur të mos kishin ekzistuar. 

3) Në zgjedhjet presidenciale të 2017 Jovani u rishfaq rishtas, kësaj here si garant palësh, i ”moderuar”, i qe mbushur mendja se partia nga ai vinte, por edhe mjaftistët, do e mbështesnin. Tashmë disa raporte ishin normalizuar. Ligji  me 84 votat e domosdoshme, ai që sillte çdo katërvjeçar zgjedhjen e presidentit, ai i ngërçeve parlamentare, i mos gjetjes së konsensusit për emrin, kishte rënë. Tashmë qe bërë një ligj i ri që president mund të zgjidhesh me një votim më të thjeshtë, qoftë me +1 votë. Pra 70 + 1 = 71. Kurrë se votonte opozita. Mirëpo ”rilindasi” dhe mjaftisti e kishin ndarë mëndjen. Nuk dëgjuan as këshillat e korifejve të letrave në emra konkretë. Jovan Bregun e socialistëve e përdorën sa për show. Madje në irritim e sipër, pyetjes se a keni biseduar me Nanon, a ju është ofruar ai për president. ”Rilindasi” iu përgjigj, ngrije piacën kur kalon në emra konkret, lista ime është shumë e madhe. ”Rilindasi” dhe mjaftistët kishin tjetër synim. Nxjerrjen në pension politik të një emri, aleati, një figure që tashmë nuk u duhej më. Ky ishte presidenti aktual i shqiptarëve. Rishtas një firo e vokacionit social, deri sa presidentin nuk e zgjedh populli. Pra Ilir Meta dhe jo Jovan Bregu.

4) Zgjedhjet e radhës, ato presidenciale janë korrikun e vitit që vjen. Jovan Bregu doli sot gjoja në atë rubrikën e kujtimore të të gjallëve të ndryshimeve të mëdha pos diktaturë. Në vend të një opinioni si aktor, Jovani bëri fushatë elektorale. Kësaj here në krah të ”rilindasit” dhe mjaftistit. Që domethënë ëndrra magazinë vazhdon. Pas mendjes së tij, ata që e zbythën janë sot aset kombëtar për shqiptarët. Dhe se ai do të jetë presidenti i 8 për shqiptarët. Duke dashur të na i plasi trutë në atë që akoma dështimi ynë social vazhdon. Megjithatë vëmendja sot është tek Jovan Bregu, jo tek shifrat. Zbulimi më i fundit, ndofta shkarasi, i një emisioni televiz, nga panelistet e Shqipëria live, informonte se 28% e të rinjëve janë të pa punë. Se sa është përqindja e të rinjëve në një shoqëri, ku ka fëmijë, mosha madhore, të moshuarit, nuk është e vështirë për ta kuptuar. Sidomos në një vend me afro dy milion banorë, ku 650 mijë janë pensionistë. Pra shifra 28% është katastrofë. Dhe jo rastësisht. Rikthimi i një 70 vjeçari që lyen mjekërr e flokë, i cili nuk dha kurrë llogari për çfarë ka në raport me atë që kishte, është pa dyshim vula e këtij regresi 30 vjeçar. Ndaj brezi i të rinjëve ka dy alternativa, o i pa punë, o refugjatë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fatos Nano, Ilir Levonja

JANE DESHMORET E PARTISE,JO TE ATDHEUT

January 21, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Ligji për marrjen e statutit Dëshmor i Atdheut është ndryshuar pafundësisht. Kjo në kuptimin e shtimit të neneve me nënpika të tjera. I fundit rezulton në dhjetorin e vitit 2018-të. Mban firmën e kryetarit aktual të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Ish ministër i Brendhsëm i diktaturës komuniste. Dhe një ndër të akuzuarit direkt për vrasjen e 4 studentëve në 2 prill 1991 në Shkodër.  Dhe kjo është e kuptueshme. Manipulimi me statutin në fjalë është i pa fund. Ndofta në Shqipëri mund të jetë ligji më i kapur me duar, sidomos në diktaturë pasi duheshin fryrë shifrat e atyre që ranë për lirinë e vendit. Kjo është një punë që u takon konstitucionalistëve, por që në vendin tim ata janë më të politizuar se Enver Hoxha, më të deformuar se Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano dhe së fundi Edi Rama. Ata janë po aq bastardë sa shefat e tyre politikë. Madje shkelin syrin kur ndryshojnë çdo paragraf, mjafton që të rriten gradat shkencore. Megjithëse nuk bëjnë shkencë, por vegjetojnë kancerin social. Kështu që çdo shef nuk e ka problem se kë, ku dhe kur mund të shpallë Dëshmorë të Atdheut. Studentët e Shkodrës dhe të gjitha ata që humbën jetën në përmbysjen e regjimit, duhet të ishin mirëfilli Dëshmorë të Atdheut. Por nuk janë. Ata janë venduar me titullin Dëshmorë të Demokracisë.  Se sa e rregullt është qasja, këtë mund ta thonë ata konstitucionalistët, jo hartuesit e një ligji. Por vendit tim ata i mungojnë. Madje më e pështira është edhe mungesa e mikrofonave të shtypit tek ndonjë të fundmit mohikan të ndërshëm konstitucionalist i mbetur. Shtypi sot është vetëm një kamarier i pamoralshëm. Studiot po ashtu. Ka një devijim total nga thelbi i Shqipërisë. Gjithçka zien vetëm në replikat personale të njëshave dhe ndihmat me qese vunerabël për fisnikët e varfërisë. Ose ata që janë, janë pjella të politikës, jo etikës hirearkike të rracës së drejtësisë. Institucionit më të domosdoshëm për një vend. Ndaj në vendin tim një ligj ka pafundësisht nene, pafundësisht pika. Madje një lidhëz shtuese, mund të bëj mrekulli. Kështu edhe me ndryshimet e radhës. Katër miltantë partie shpallen  Dëshmorë të Atdheut. Kokat e thinjura heshtin. Ore Zotëri, ata u vranë për karriken tënde. Jo për Atdheun e shkretë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Deshmore te Partise, Ilir Levonja

Poshtë imperializmi francez

January 18, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ 1) Tetori i vitit 2019 rezultoi jo i suksesshëm për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bashkimi Europian nuk i çeli negociatat me vendet përkatëse. Një kundërshtar i fortë qe presidenti aktual i Francës. Ai mbrojti idenë e një strategjie investimesh të menjëhershme në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut në ekonomi, arsim dhe kulturë. Madje edhe më pas ai do ta mbronte idenë e tij me shpjegimin se ”Në sytë e shumë njerëzve, unë jam presidenti francez që kam marrë rolin e njëriut të keq. Gjithsesi unë mendoj se nuk janë kushtet nga këndvështrimi europian për çeljen e negociatave. Proçedurat e pranimit për këto dy vende duhet të jenë të diferencueshme dhe të pakthyeshme. Qëllimi i vetos time është reformimi, pastaj anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Europë”.

2) Për të kuptuar reformimin ekonomik, së pari janë pagat e pa kontrolluara në nivel tavanesh a dyshemesh. Informaliteti etj. Dhe fakti që akoma shqiptarët paguhen me të futur dorën në xhep. Ndofta vetëm administrata shtetërore, mbase dhe një pjesë e privatit depozitojnë pagën tek llogaritë personale. Arsimin, mjafton të kujtoj një fakt që pas një investigimi i topstory-it po atë vit rezultoi se 23 deputetë ishin të pashkolluar dhe me diploma fallco. Madje prej tyre ishin deri ministra. Kulmi qe një farë Sadri Abazi i cili çertifikatën e një autoshkolle në Zvicër, e arshivon në Kuvendin e Shqipërisë si diplomë. Për kulturën. Demokracia është kulturë, madje bashkëpunim i ndërsjellë, balancim, vjen, qeveris dhe ikën. Mirëpo për shqiptarët nuk është kështu. Për kundër të gjitha shifrave, borxheve, pikiatës ekonomike dhe firove të burimeve njerëzore. Pushteti mbrohet me të gjitha mënyrat, madje deri në pikën e fundit të gjakut.

3) Për ta kuptuar disi më lehtë, por risjell një fakt. Po atë tetor, pra 2019… Zoran Zaevi kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut dha menjëherë dorëheqjen. Vendi duhej të shkonte në zgjedhje të reja. Arsyeja, nuk u çelën negociatat. Një premtim elektoral i pa arritur. Megjithëse dimër, kohë e vështirë, po vinte dhe pandemia. Maqedonia e Veriut ndoqi pikë për pikë kulturën europiane të tranzicionit të pushtetit. Mbajti zgjedhje të rregullta dhe rezultati nuk u kontestua. Nga ana tjetër në Shqipëri bie moralisht kuvendi për shkak të largimit frontal të opozitarizmit. Mbahen zgjedhje vendore pa kundërshtar politik. Votohen ligje themelore por pa asnjë konsensus. Ngrihen e protestojnë studentët. Proteston Opozita. Proteston shoqëria civile. Shëmben teatro në mes të natës, ndërkohë që grevistë kundër shëmbjes flinin brenda. E gjitha kjo lë të kuptohej se balancimi i pushtetit është një ëndërr imagjinare, kurse diktati i forcës me mjetet e demokracisë tashmë një realitet i gjallë. Gjithashtu kjo lë të kuptohet se Shqipëria nuk e ndihmoi rajonin, por i dogji shanset e mundshme edhe Maqedonisë së Veriut.

4) Megjithatë në raport me Shqipërinë, Maqedonia e Veriut vazhdon përpjekjet dhe nuk ka krijuar konflikt të hapur me vende si Franca. Kurse Shqipëria rezulton me plot indinjatë karshi Francës dhe presidentit të saj. Që ta mësojnë edhe derrat se kur Makroni përmend kulturën, e ka fjalën pikërisht për këtë, kulturën politike. Jo për kulturën e traditës, për vokalin e shpirtit shqiptar. Për politikën…, po ta kishte me qytetarin a me shoqërinë shqiptare, me popullin si e doni ju. Nuk i jepte një shkrimtari shqiptar një çmim të lartë si Oficer i Legjionit të Nderit. Një çmim i themeluar nga Napolon Bonaparti, një institucion shekujsh. Dhe kjo ndodhi në janarin e 2020. Pra bëni dallimin midis kulturës politike dhe kulturës kombëtare. Të parën e përfaqëson Edi Rama, të dytën Ismail Kadare.

5) Kultura jonë demokratike. Ku ta kapësh…. Vini re një gjë. Fushatat  zgjedhore nuk diskutojnë problemet e vendit, por marrëdhëniet mes njëshave. Intrigat, kush ja futi e kush ja hoqi. Partitë e reja, koalicionet etj. Një fakt që verteton se jeni të vrarë edhe për 4 vjet të tjera. Televizionet nuk i japin kurrë pjesën e duhur qytetarit, por lajmit që askujt nuk i duhet. Se si një karabush Berati la LSI për PS. Një karabush që mund të bëj gjithçka vetëm të jetë deputet.

Eshtë tashmë një luftë e legjitimuar kjo e deputetllëkut. Meritokracia, i kam dhënë kësaj partie, deputetllëku i përjetshëm. Deri pasurinë do ta shkrijë, o deputet o plasa. Nuk më zgjodhe, bëj parti më vete unë. Kthehuni tek opozitarizmi. Një kryetar partie i kërkon publikisht PD dy vende nga lista e saj, të vetin dhe të sekretarit. O je parti, o ik e hap krahun, or mik. Nuk mund të bëhesh deputet me votat e tjetrit, por me të tuat. Se ky është një mashtrim sy për sy. Kanë gjithë jetën e tyre shqiptarët që të paguajnë me taksat e tyre, për asgjë. Mund të kishin bërë ca rrugë në fshatrat ku po i ha balta me ato para. Kultura jonë politike, a demokratike…, fallxhorja, doktoresha e shkencave, gjumashi, deposita, më hëngërsh atë që nuk thuhet. Paratë e mia nuk ka birë kurve që i gjen. Kush nga ju këtu nuk voton nismën time, është i parjashtuar nga partia që tani. President pijanec, kryministër legen.., videot e tmerrit elektoral, rryshfeteve, përqindjeve, të vrarë në rrugë. Por që për çudi autorë nuk ka. Në burg shkon ai qytetari në periferi që lidh dritat pa leje, ajo pastruesja që të lyp 50 euro normalisht. Por kemi edhe agresorë politikë të fortë si Jozefina, e ka e gjetur dështimin tonë, e ka gjetur te ai që këto 8 vjetë ka vetëm çelsat e kashtës.

6) Kësisoj është e kuptueshme përse Franca refuzoi çeljen e negociatave me Shqipërinë. Përse Makroni na e drodhi publikisht. Edi Rama ka të drejtë të ankohet që ambasada e Francës po ia shtrëmbëron kuptimin fjalëve të tia. Edi Rama, thotë, Makron e bën për audiencë në Francë. Ne i kemi bërë detyrat, Franca nuk do, në koqe. Ne bar hamë dhe dorën nuk e shtrijmë. Poshtë imperializmi makronist francez.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Imperializmi Francez, poshte

Mallkimi kolektiv karshi një pastruse spitali

January 14, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Vendi im është vendi më i suksesshëm në botë. Sapo kamerat e një emisioni investigativ, rrëfyen se si një pastruese spitali merrte rryshfet, jo vetëm që e pushuan nga puna por edhe e arrestuan, madje e lanë në burg. Vendi im ka 3 ditë që këlthet madje po linçon një pastruese spitali. Çfarë nuk po thonë, të hëngërt mortja, t’u bëfshin helm, nga hundët të dalshin. Ngordhsh burgjeve si qeni. Në shesh të varin moj qelbësirë. Megjithëse e kanë edukate shekullore mitmarrjen dhe mitdhënien, prapë kjo pastruesja e dhjeu. Se gjëja e parë që bëjnë jo në spital se, spitali është i fundit. Po kudo, sikur edhe për një çertifikatë, e mbajnë dorën në xhep. Jo për të nxjerrur pistoletën, por dymijë lekshin. Të vjen faturistja e dritave dhe nuk ta shikon fare sahatin, i fut njëqindshe në dorë dhe ikën. Çfarë ka këtu. Ne këtë e quajmë zotësi. Ta thonë me mburrje në tavolinë, e bëra nusen e çunit me shkollë, i dhashë xhixhat botit. I gjeta punë nuses së djalit tjetër që kam në kurbet, e futa edukatore. Dha xhixhat baba. Të nxjerrin nga burgu të kesh vrarë edhe 5 veta. Sepse japim xhixhat. Operohen dhe të mburren se ishte doktor i shkëlqyer filani, qe baba paret dhe ma bëri zemrën të re. Por edhe kur e dinë që robi do u vdesi, prapë të japin xhixhat kokërr më kokërr. Madje me dhunë. Pse? E kemi kulturë, fët e fët, mbaro punë dhe kaq. Ajo që është më fantastike është fakti kur deklarojmë edhe faturat për një vend punë. Të merr miku në telefon e të thotë, ore më duhen kaq para se ma dha fjalën ai boti. Do ma marri gocën në punë. Kur bën një llogari të shpejt, rezulton se tarifa që do paguaj është e barabartë me pagën vjetore të dy vjetëve. Dhe ndodh që kur vjen partia tjetër, baba të merr në telefon sërisht se do paguaj për të mbajtur vendin e punës. Megjithatë kësaj kulture kancer sot i është kundërvënë e indinjuar një shoqëri e tërë. Tabela e qitjes është një pastruese spitali. Nuk ka bërë asgjë jashtë kësaj kulture. Ka zënë një vend pune me para dhe normalisht që do marri para. Ata që hiqen se shëndetësia jonë është e pastër, kanë marrë dyfishin e kësaj pastruese spitali. Komisioni i vetingut nxorri me pasuri të pa justifikuar thuajse 95% të kontigjentit të drejtësisë së vendit. Me një fjalë gjithçka që ata kanë nuk ka ardhur nga paga e punës, por nga mitmarrja, rryshfeti. Megjithatë asnjë nga ata nuk u ndalua e u burgos, madje as u linçua. Sot pastrusja e spitalit është në burg dhe ju të gjithë këlthisni. Zgjedhjet e Dibrës 2017, u demaskuan po me kamera, plasën hapur telefonat, blerjet, megjithatë Damianin e keni kryekomandant të reformës zgjedhore, jo në burg. Në burg është pastruesja. Në burg është ndonjë fukura që ”vjedh” energji. Një Beqir të rilindjes e hoqi Gjykata Kushtetuese (2011) se u gjend në konflikt të hapur interesi, i kalonte fondet e shtetit firmës së vet. As nuk u burgos e asgjë, e hoqet si deputet e bët ministër. Ministër të kësaj shëndetësie të indinjuar nga pastruesja. Dhe ai nuk përtoi t’iu vidhte dy herë, vjedhja shekullore me check up-in e famshëm. E bëre check up-in apo jo, leku ikte. Ju kujtohet ai skeçi me hotelin, aty e kishe dushin përse nuk e përdore. Shteti do e paguaj botin. Dhe sot e keni kanakar drejton zgjedhjet në Shkodër. Kurse në burg fusni pastrusen, sepse mori rryshfet, mashtroi me titullin, thoshte jam infermiere kur ishte pastruese. Nuk ka pak ditë që Gjykata e Arbitrazhit vendoi rishtas kundër qeverisë shqiptare, për prishje të njëanshme kontratash karshi invenstitorëve të Kurumit dhe Akërnia Solar, jo pak por 210 milionë euro. Megjithatë në burg ne fusim një pastruese spitali, jo peshqit 210 milionësh në euro. Fusim cironkat, pastrueset me 8 milionë lekë. Për besë i suksesshëm je vendi im.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, pastrusja e spitalit

Covodi kanakar…

January 12, 2021 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

Në vitin 2015, u mbyll forcërisht një televizion publik. Atë kohë kryeministri i Shqipërisë u tha shqiptarëve se me këtë veprim ndaloi pastrimin e parave të pista, se investitori ishte një lavatriçe kartmonedhash nga tregu i zi. Nga ky vendim plotësisht politik sot Shqipëria i detyrohet investitorit plot 110 milion euro. Madje sipas disa gazetave austriake, gjykata në Belgjikë ka urdhëruar që nga zyrat ku akumulohen fondet e kompanive ajrore, ato që fluturojnë mbi hapisërën qiellore shqiptare, të filloj dëmshpërblimi i investorit në fjalë. Bëhet fjalë për ish pronarin e televizionit Agon Chanel, Françesko Beket. Pra janë 110 milion euro, një shifër që ta kuptoni se sa e vlertë do ishte për momentin, mjafton të kujtojmë se spitali covid 4 në autosradën Durrës Tiranë kushtoi mbi 10 milion euro. Kjo edhe për faktin se u shfrytëzuan ambjentet e një universiteti të mbyllur si ai Kristal, megjithëse me hije dyshimi mbi shtetëzimin etj. Pra 10 milion euro brenda 110 milionshit llogaritet thjesht se sa spitale mund të ndërtoheshin në vend për të përballuar pandeminë. Megjithatë, sot ky krim ekonomik publik nuk ka asnjë të akuzuar nga drejtësia e vendit pikërisht për dëminin kolosal që u është shkaktuar qytetarëve shqiptar. Megjithëse ai është aty në krye të shtetit dhe për ironi të fatit shqiptarët vet merren me një darkë show në një nga restorantet e Dubait, se kanë paguar dhe si  janë zhgërryer disa bashkiakë, ministra apo mestarë marrëveshjesh të errëta që e kanë bërë publike tashmë informalitetin. Nga ana tjetër, për momentin po ky dëmshkaktuesi pandemik i ekonomisë së tyre sot po grindet me 5 familje bujqësh myzeqarë të cilët nuk e japin tokën për ndërtimin e një spitali rajonal, si dhuratë nga Erdogani. Pra një spitali dhuratë. Kjo është tashmë strategjia më infomale, më shkatërruese e identitetit shqiptar të cilët edhe pse kanë projektuar deri perandori, nuk po ndërtojnë dot vendin e tyre. Një kryeministër që e thotë publikisht se e bën me kënaqësi punën e lypsit për shtetasit e tij, kur nuk e ka bërë për familjen e vetë, nuk bën asgjë tjetër por vazhdon t’ua shtoj dënimin. Në kushtetuën e vendit prona gjoja është e shenjtë dhe mbrohet me ligj. Shtetëzimet janë vendime arbitrare të tipit Enver Hoxha. Por po ti referohemi vlerës së mësipërme, pra 110 milionshit, shqiptarët nuk kishin dhe nuk kanë përse të prisnin dhurata nga Erdogani. Do e ndërtonin vet një spital, madje në më pak se tre muaj. Biles edhe shtetëzimet do t’i bënin ligjërisht brenda vullnetit të lirë. Por kjo nuk ndodh. Se të ndërtosh vet nuk ka veç përfitime ekonomik, por edhe dinjitet social. Madje shifra prej 40% e popullatës në emigrim, do të ishte gati e përsgjymuar. Dhe shifra prej 650 mijë pensionistë do të ishte më e garantuar karshi pensioneve, nuk do mbante sytë tek gjeli i fund vitit. Prindërit shqiptarë nuk do e kalonin kohën në skajp duke folur me nipërit e mbesat emigrantë, por do i kish aty në fund javë. Përkrahja sociale nuk do ishte lukunia e surrogatove të politikës me pako me ushqime në dyert e njerëzve, por e ardhur bankare si gjithë bota perëndimore me qytetarët e saj. Mirëpo sot Shqipëria është një vend i dorës së tretë i Afrikës, moda e pakove të surrogatove derë më derë është bërë pandemi më vete. Sot shqiptarët hanë fara lulediellli trotuareve dhe qosheve, tymosin kafeneve, llomotisin për darkat në Dubai, për pandeminë, vaksinën, pa e kuptuar asnjëherë se kush në fakt është covid i vërtetë. Eshtë arithmetikë e thjeshtë, do vetëm të mprehni lapsin. Bëjeni!

Filed Under: Analiza Tagged With: Covodi kanakar, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT