• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Amanetet e pambajtura

April 12, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nuk e di se çfarë ka ndërmend qeveria me lëndën kulturë fetare, pasi po kërkoj edhe në webin e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri. Dhe nuk po gjej asgjë. Ndërsa vet Kryeministri ka dhënë një shpjegim përmes një statuti të një publicisti shqiptar, Ardian Vehbiu. Të cilin pak vite më parë (2014) edhe e nderoi me një nga çmimet e përvitshme letrare që jep Ministria e Kulturës. Çmimin Ardian Klosi. Ne kemi kohë që bëjmë shtet të shokëve dhe të miqve. Dhe aty shqiptarët kanë zënë të përleshen me njëri-tjetrin, mbi të mirat dhe jo të mirat që sjell futja e kulturës fetare në shkolla. Ose se sa është në fakt përqindja e myslimanëve në Shqipëri. Dhe sa e besimeve të tjera. Çfarë të mirash ka një falje namazi. Dhe përse janë kaq imponues tashmë njerëzit e besimeve etj.

Do të ishte e mirë që, ide të tilla të vinin nga poshtë. Nga grupe pune mësuesish. Të cilat të shërbenin edhe në ato kualifikimet me shumicë që bëjnë në Shqipëri në lidhje me doktoraturat. Por tek shpesh idetë hidhen nga sipër… Dhe ata poshtë si gjithmonë vetëm sa aplikojnë. Madje fillojnë edhe i përvishen punës se si të bindin sa më shpejt njerëzit mbi domosdoshmërinë e kësaj apo asaj ideje të hedhur prej njëshit.
Kështu ndodhi edhe në Shqipërinë e vitit 1968-të. Enver Hoxha shpiku tezën feja është opium për popujt. Dhe rinia mori kazmat. Nga ana tjetër sot e kësaj dite ky revolucion kulturor i dedikohet asaj. Rinisë shqiptare të atyre viteve. Objektet e kultit, pjesa dërrmuese u rrafshuan. Madje klerikët, edhe pse mes tyre kishte revolucionarë të mirëfilltë, u shpallën lebrozët e shoqërisë. Sidomos kleri katolik i Shkodrës e malsisë rreth saj. Ndërkohë klerikë ordodoksë e myslimanë në jug të vendit, u kthyen në murgjër brenda banesave të tyre.
Mirëpo mësuesit vet, profesorët, akademikët janë më të politizuar se vet politika. Kjo për arsyen e thjesht, rrogën. Eshtë një shtresë e tërë krijuese, hartues tekstesh, disiplinash. Apo përshtjatje të niveleve arsimore nga Europa dhe bota në përgjithësi, që janë të nënshtruar. Duhet thënë të gjithë të trysnizuar. Të infektuar me sëmundjen e shitjes së personalitetit drejt zyrave të qeveriut. Këtu ka të drejtë ai, buçkoja nga Korça, që me ato videot e tija të përditshme…, si kastraveca, pjata fasulesh, zagarësh rrugësh. Që u thotë shqiptarëve se edhe unë isha me Berishën, por në 92 -shin ama. Tashmë ka kaluar njëzet e pesë vjet dhe gjykimi e rreshtimi si 92-shin është vërtet stanjacion.
Por mësuesit vet, profesorët, akademikët kanë mendjen tek listat emërore që do i afrojnë partisë këtë apo atë sezon të ri. Si të furnizojnë partinë me gjak të ri. Dhe se këta e meritojnë të kenë këtë apo atë iks post drejtues në të ardhmen. Kështu që, i bie… se, unë të rregulloj e mbroj ty, dhe ti mua. Sa për dispencat, disiplinat shkencore, kushtet e të tjera pret puna e shkollës. Ndaj kjo është arsyeja që me të drejtë një nga kuratorët bashkëkohor të historisë së letrave shqipe. Edhe ky i huaj…, Robert Els thotë se ne shqiptarët kemi më shumë parulla se histori.
Megjithatë nisur nga një ndjesi e vrarë, them lëreni ta bëj. Le të përfshihen aty misionarët e besimive në vendin tonë. Të rinjtë kanë nevojë të mësojnë. Se si e predikonin gjyshërit tanë fenë. Dhe si e predikojnë këta. Si visheshin gjyshërit tanë klerikë dhe si vishen këta të sotshmit. Të tregojmë të vërteta e mëdha që nga reformat agrare të dovletit, tek e drejta e armë mbajtjes. Kujt besimi i lejohej dhe kujt nuk i lejohej etj. Strategjitë e Anadollit etj.
I kemi borxhe martirëve si Negovani. Të cilit akoma nuk ia kemi mbledhur gjakun. Amanen e tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Amanetet e pambajtura, Ilir Levonja

VASILI I MADH

April 10, 2016 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Në ato fillimet e mia rreth shkrimtarisë, ka pjesë të padiskutueshme edhe një njeri. Ai është inxhinjeri kimist Vasil Bozo. Ose Vasili i madh siç e thërrisja ndonjëherë. Me sa mësova së fundi, nuk jeton më. (Një sëmundje e rëndë e ndau para kohe prej nesh) Dhe në raste të tilla, sidomos kur je larg, trishtimi është dyfish.

Çfarë ia vlen t’i kujtojmë… Jam në udhëtim dhe ndërsa shkëmbehem me pyje pa mbarim. Shkëmbehem edhe me portretin e qeshjen e tij. Me ato ndërhyrjet e ”pa takta” që bënte, si e si të rregullonte një poet nga qyteti. Unë përshembull mbaj mend se si ashtu ”pa diplomaci” i kërkoi ambasadorit rumun një bursë për mua, në një drekë poetike në Divjakë për nder të Ahmatovës dhe Blandianës, pikërisht në ato vitet e para të demokracisë. Sipas Vasilit të madh, kulturës rumune i bënte nder kualifikimi im aty. Unë isha një penë me vlerë. Në fakt ato kohë sapo kisha folur me atë për koiçidencat letrare që përfitohen nga krahasimet midis autorëve të rajonit dhe mbarë botës. Kisha prekur poetikën e Ana Blandianës dhe Flora Brovinës. Detaje këto që i kam interpretuar më vonë në një ese të gjatë dhe që tashmë është e botuar në disa organe shtypi, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Jashtë meje, kur e gjykoj sot them se Vasili i madh kishte konkluduar brenda asaj shpirtgjerësie që e karakterizonte. Ai ishte shenjti i gjallë, engjulli mbojtësi i yni.

Por unë nuk dua të ndalem tek ai dhe unë. Por tek ai dhe të tjerët… Tek ai, dhe poezia. Tek ai dhe poetët apo shkrimtarët në përgjithësi. Pasi kam përshtypjen se veprat e mëdha nuk janë vetëm ato që duken…., ka edhe memoria plot të tilla. Lum kush ka një memorie kësisoj. Lum kush ka shumë në vetvete dhe i ndan me ne.

Për së pari mbaj mend se si shkrimtari Halil Jaçellari e tregonte kudo se, për hatër të Vasilit ishte bërë me shtëpi. Në ato mbledhjet ku ndaheshin apartamentet drejtori, një burrë kaba që për nga rrëfimet i ngjan peronazheve klasikë të memories së letërsisë botërore. Diku si Zorba dhe diku si koloneli Buendia, i drejtohet kolektivit dhe i thotë. Këtij pesëkatëshi a katërkatëshi, ndajeni e bëni si të doni ju. Nuk u ndërhyj unë…, vetëm hiqmëni mënjanë një hyrje se më hëngri kokën ai im bir. E do për një shkrimtar. Biri ishte Vasili i madh. Më i ndjeshëm se çdo pushtet.

Për së dyti, se si në një nga ato ndërrmarrjet e kohës. Me sa më kujtohet në një fabrikë tullash, ku tashmë ishte vet një kuadër. I dha për shtëpi pa gajlen e pushtetit…, një nga ato barangot e ndërtuesve. I bindur se po bënte një xhest të madh historik, poetit Sherif Bali.

Ishte apo nuk ishte, apo se ishte…, për ‘të qe një çati mbi kokë. Një strehëz për një poet i cili kërkonte të vinte me shtëpi në qytet.

Për së treti, po një tjetër poeti, Baki Nezhës…i siguroi një punë më të mirë. Nuk i besohej që një lirik i fjalës të thyente gurë. Duhej të bënte medoemos diçka. Dhe e bëri…

Për së katërti… Janë shumë të tilla. Dhe Vasili i madh thoshte shpesh, me gojën e popullit. Bëje të mirën dhe hidhe në lum.

Nga mësova edhe një përcjellje e një gazetari të vjetër me emrin Dhimitër Shtëmbari, kohët e fundit Vasili kishte rënë në gjëndje depresive. Me gjithë bukurinë e fjalëve të Dhimtrit. Gjithçka më ngjalli atë efektin e bisedës së burrit me burrin. Ne e kemi të tmerrshme t’ia themi njëri-tjetrit dy fjalë në sy. Por unë po përpiqem.

Ndofta në këtë rrokapjekje jete, njeriu i madh dikujt i duket budalla, dikujt havardar, e jo serioz. E dikujt ndryshe nga këto që unë thashë. Të gjallët e kanë për dreq të dallojnë cilësitë. Thonë se papunësia të hëngri kokën vëlla. Nuk e di. Dhe disa më thanë se ti ishe dhe socialist. Dhe vet ata të lanë pa punë. Eh….., socialistët si ty? Apo si i ndjeri tjetër, shoku yt i mirë Vladimir Çuni! Në këtë virane demokracinë shqiptare ishe nga të paktët që nuk e kishe problem të shoqëroheshe me socialistë, komunistë, ballistë, legalistë, republikanë, socialdemokratë, apo demokratë. Madje tek ty etiketimi nuk e ndante dot njeriun. Nga ata që ti ndihmoje ishin edhe kulakë, apo klasë e përmbysur. Por ti ashtu ishe gatuar, aq sa me mendje tek Tagora, tek filozofitë, tek shekujt, tek qeveritë, dënimet dhe lufta për njëri-tjetrin shkonin si shaka publike. Po kjo virane kështu është mik i madh… I madhi shtrihet për tokë. Dhe konia leshatore leh në parlament. Popujt janë ashtu siç thoje ti, në radhën e kosit.

Dua të them edhe diçka të vogël. Diçka shoku… se poezia rron në shekuj, në saj të ekzistencës së sojit tënd. Këtij soji prej ëngjulli. Askush, asnjëherë nuk e ka dashur, e do, e mbron…, e mbrojtur atë si ty. Me një delikatesë që ka emrin e kristalit. Kimisë së shpirtit njerëzor. Dhe ndjesë që fola kaq pak për ty .

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, VASILI I MADH

Për kë votoi Edi Rama?!

April 10, 2016 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Po Edi Rama për kë votoi? Qe kjo një pyetje që më bëri të nënqesh. Më erdhi ashtu papritur. Ndërkohë po kërkoja në internet epokën e luftës politike midis treshes amerikane Barak Obama, Xho Bajden dhe Hillari Klinton. Koha e fushatës së kandidatëve brenda demokratëve. Nga republikanët dukej sheshit që Xhon Mekej kishte shance të mëdha. Dhe shumë shpejt do ishte kandidati i vetëm i tyre. Ndërsa demokratët akoma po luftonin ashpër. Po sulmonin keqas njëri-tjetrin. Këta ishin ata që përmenda më sipër…, Obama, Bajden, Klinton. Këtu e nëntë vite më parë. Atëhere se si më dukej politika e këtij vendi. Si teatër. Si një lojë e përkryer ku drama luhej faqe njerëzimit. Pas atyre që thoshin këta aktorë për  njëri-tjetrin, dukej sikur nuk kishin për ta përfunduar kurrë bashkë atë shfaqje teatrale. Mirëpo ndodhi e kundërta. Si Klinton dhe bajden i hapën rrugën Obamës dhe u kërkuan zgjedhësve të votonin për ‘të. Ky qe pragu i konturimit të rivalitet të ardhshëm elektoral midis Obamës dhe Xhon Mekejt. Midis republikanëve dhe demokratëve. Tashmë dihet, atë betejë e fitoi Obama.  Për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë ai ftoi pikërisht dy ish kundërshtarët e tij në parti. Dhe ai që ishte në tavolinën e nderit në darkën e inagurimit qe po rivali presidencial Xhon Mekej.

Të gjitha këto më kishin futur në botën e kërkimeve për shkak se Kryeministri im sapo ishte përgojuar në Associated Press, një bashkësi gazetarësh me seli në New York. Quante rrezik të madh fenomenin Donald Trump për marrëdhëniet e Shqipërisë sime me Amerikën.

Në memorien time dilnin fytyrat e rivalëve të mësipërm. Dhe natyrisht pamja e Edi Ramës më bëhej naive. Më dhimbseshin dhe ato këshilltarë qeveritarësh…, që edhe pse kanë një barrë edukimi në supe prapë nuk mund të dalin dot para njëshit të sojit shqiptar. Ai i di të gjitha.

Tani që t’i shpjegosh Edi Ramës se raportet e presidentit amerikan me Kuvendin. Apo raportet e Shtëpisë së Bardhë me Kushtetutën e vendit. Se si rregullohen dhe administrohen…, është të një gjë e pakonceptueshme për kaplloqet e politikës shqiptare. Kështu që nuk ia vlen as të t’i kujtosh se sa rrezik është në të vërtetë Donald Trump për amerikën dhe qytetarët e saj.

Por po ua them shqiptarëve me dy a tri rreshta. Donald Trump është një produkt sfidues i qytetarëve të lodhur me premtimet e politikës. Një njëri që vjen nga biznesi dhe fal kulturës së demokracisë amerikane ka mundësinë të konkurojë mes një grupi kanditatësh politikë me përvojë. Në Shqipërinë e Edi Ramës një rast të tillë kanuni politik të nxjerr nga dera e mbrapme. Dhe me ceremoni degjenerimi. Mirëpo Kryeministri ynë duke menduar se di gjuhë të huaja, di edhe poltikën, kulturën dhe demokracinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tani që t’i përgjigjem pyetjes së atij njeriu, që më largoi nga këto meditime. Se për kë votoi Edi Rama …, mjafton t’i përmend një mesazh tjetër. Ai më erdhi nga një qytet jugor i Shqipërisë…

Nga 1777 pjesëmarrës, vetëm 27 votuan kundër referendumit. I bie 1750, pro. Ose 99. 08%

pro fortlumturisë së tij Edi Rama.

Për kë votoi atëhere vet Edi Rama? Për askënd. As për veten e tij. Vetëm se kur u fut aty, në kthinën e krimit, pështyu fletën, e shau…, çfarë nuk i tha. Se ua dhjeva të gjithëve. Por të parit ty o Blush.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Për kë votoi Edi Rama?!

Kush nuk është i korruptuar në Shqipëri

April 5, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Sot botën mbarë e ka përfshirë i ashtuqujtuari skandali i Parajasës Fiskale. Që ta themi shkoqur, fshehja e lekut. Ruajtja për një ditë të zezë. Të cilët plangprishësit e botës mbarë, e kanë për filozofi të jetës. E kam fjalën për ata pushtetarë, pashallarë, a diktatorë regjimesh…, të cilët kanë vrarë, vjedhur e pirë gjakun e popullit të tyre. Ne nuk jemi shumë të mirëinformuar. Megjithëse tek-tuk dikur, nga filmat. Sidomos ato të mafies italiane, mësonim diçka. Por prapë nuk kishim ide mbi domethënie të tilla. Përshembull kameleonin misterioz Tano Karridi, në Oktapodin e famshën të viteve ’80-të. Lëvizjet e tia në disa ishuj apo kështjella të vetmuara nga Siçilia deri në veriun e liqeneve alpine. Përballë atyre hijeve me drita nën nivelin e mjekrrës. Burra që u ndihej vetëm zëri, e dallonin nga duart me unaza të mëdha smerladesh. A puro të rënda, që modelonin bosin e kohës. Kaq ishte njohja jonë. Ishte, ose është e gjitha.

Megjithatë, këto njëzet e pesë vite, mjeshtrat e korrupsionit padyshim që nuk mbetën mbrapa edhe në vendin tonë. Ndaj sot duket e habitshme që një institucion akuze të ndihet i paqartë. Nga ana tjetër një vend i tërë bën zhurmë përmes shtypit. Thjesht për tu dukur kohor me atë në mbarë botën.
Kudo t’i shikosh, CNN, BBC, New York Times, etj. Referuar kësaj e asaj. Kremlinit, Israelit, Buenos Airesit, Riadit etj. Ndërkohë kur vetë njerëzit disa këtej e disa andej, luftojnë në kore, se si të mbrojnë apo jo, parkun tek liqeni. Por edhe transformin e radhës të sheshit Skënderbej. Ajo që sot po çirren edhe në Shqipëri për letrat fiskale nga Panamaja e largët. Nuk është asgjë tjetër veçse një zhurmë e radhës. Cili person politik a jo politik mund të konsiderohet skandal në Shqipëri.? Pasi ne luftën ndaj korrupsionit. Atë që quhet gangrena e njerëzimit. E kemi të deklaruar. E konsiderojmë si mision. Madje i futemi një nisme jete pikërisht me këtë qëllim. Cili qytetar shqiptar, i çdo lloj krahu në politikë. Nuk e di se në forcën ku militon dhe e voton, nuk e di se shefat e tyre me nga një apartament nga koha e planeve pesëvjeçare. Apo me brigadat vullnetare me orët e punës, sot janë frekuentues të resorteve nga më të shtrenjtat. Cili nga këta qytetarë nuk vritet për kryetarin, djalin,vëllain, motrën, gocën, gruan. Apo të afërm të tjerë… Madje i bindur se ka vepruar drejtë, edhe pse ka vrarë. Edhe pse ka vjedhur. Edhe pse ka futur kriminelë në Kuvendin e shqiptarëve? Cili intelektual shqiptar nuk i ka ndyer duart në këtë parajsë të mëkatit? Dhe që njerëzit aty nuk e dinë? Ndaj është e habitshme. E pakuptueshme se cilit skandal duhet t’i trëmbemi ne shqiptarët.?! Cilit emër? Cili emër është ai që mezi e presim? Ai apo ata që na kanë pirë gjakun dhe ne nuk e dime.?
Kush nuk është I korruptuar në Shqipëri? As Zoti vet!
Duhet të jesh shqiptar, e kaq naiv, e të mos kuptosh se lufta globale e korrupsionit në mbarë botën. Në Shqipëri ka dështuar që në embrion. I bëm miliarderë me ndërgjegje. I mbrojmë me kokë. Tani mezi presim tu shohim emrat. Ky është paradoks.

Filed Under: Analiza Tagged With: i korruptuar, Ilir Levonja, Kush nuk është, ne Shqiperi

Sot më 3 prill

April 3, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/

Me që stuhia e statuteve për 2 prillin ka pushuar. Furia e fb me elozhet për heronjtë. Le të bëjmë një bilanc të demokracisë sonë.

Madje të flasim me çunat. Me ata katër bij nënash. Portretet, idealet që ata kishin janë edhe motoja jonë.
Si tha vëllai i njërit prej tyre. Çdo përvjetor më bëni të njëjtën pyetje. Do i mësoni emrat e vrasëseve apo jo? Zoti vonon, por nuk harron…., etj.
Por ja që Zoti harroka vëlla. Harroka dhe me kujdes të pastër.
Djema u bënë njëzetë e pesë vjetë. Po një orë nuk kemi qënë në pushtet. Një orë sikur të kishim në dorë çelsat e shtetit. Diktaturat qënkan kaq të koklavitura sa dosjet ikin në drejtim të paditur. Dhe se kush shtiu mbi ju është gati e pamundur të zbulohet.
Se, ata, qëllojnë atje…, që të godasin këtu. Ndaj lavdi dëshmorëve si ju. Këtë punë po, dime dhe e bëjmë. Po e bëjmë me zell ama. Po vimë e këlthasim për padrejtësinë e kohës. E të demokracisë sonë. Këlthasim edhe kur gjëndemi aeroporteve të Evropit.
Dhe që ta dini. Demokracia jonë është si vijon.
Në këto njëzet e pesë vite, ngelëm me pushkë krahut duke luftuar komunizmën. Po një komunist nuk kemi vrarë.
Në këto njëzet e pesë vite ngelëm duke share bijtë e komunistëve. Që janë si etërit e tyre. Megjithatë me ata i kemi bërë aleancat.
Demokracia jonë? U ngritëm gërmadhash. Përmbysëm ca pasanikë të ideollogjisë. Për të krijuar ca miliarderë realë.
E kemi bërë vendin si një nga ato komplekset e rritjes dhe mbarështimit të gjës’ së gjallë. Prodhues të krahut të punës për botën karshi.
Demokracia jonë? Shëmbëm një diktator. Dhe kemi sajuar nja pesëmbdhjetë të tillë. Që zhdukin njëri-tjetrin me kamera të fshehta. Rrahin gjoksin. Ngrejnë dy gishtat. Ai shtrëngonte grushtin.
Demokracia jonë? Kemi prodhuar kaq shumë kuadro në një administratë që nuk ekziston. Sa shkon në punë pa brekë dhe pas një jave ke tre shtëpi. Tre makina… tre dashnore, tre restorante të preferuar. Ke edhe elektorat.
Veçse me ambasadën e Amerikës e kanë pak pisk. Nuk u jep vizë.
Demokracia jonë. Kemi shoqata me shumicë… qytetarësh, po qytetar nuk jemi. Shoqata gjithfarësoj. Ndaj gjithëfarësojesh jemi.
Demokracia jonë? Po tha i pari është e kuqe, është e kuqe. Po tha i pari është e zezë, është e zezë. Po tha i pari je armik, je armik. Po tha i pari nuk je armik, nuk je armik.
Demokracia jonë? Tek lapidarët e dëshmorëve, ditën flasin korifejt e demagogjisë. Natën flenë të pastrehët, të palarët, drogaxhinjtë. Të ngopurit dhe të pangopurit. Madje edhe zagarët e rrugës.
Demokracia jonë? Çfarë t’ju them… se, më janë bërë lëmsh arritjet. Shteti i së drejtës, tregu i lire, Europa, ngritja e pages, mirëqënia, arsimimi, kualifikimi, infrastruktura, shitoret e shëtitoret, xhirot, pedonalet, bujqësia, vandalizmi, tritoli, aeroportizmi, kalamajt, këndi lojrave, historia, data e çlirimit, lira dhe demokracia etj.
Sikur të ishit gjallë, ta dini se prapë do ishit armiq të kësaj demokracie. Dhe se prapë do u kishim vrarë.
Kështu siç po u vrasim përditë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Sot më 3 prill

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT