Nga Ilir Levonja/
Lorik Cana e mbylli intervistën me fjalët e Samiut (Frashërit)…, ”shqiptarët më së pari duhet të mundin vetveten dhe do fitojnë shumë beteja”. Jo rastësisht ai ka qënë gjithmonë një referues i përkryer i çështjes kombëtare. Dhe e ka mbrojtur përmes një sjellje tepër profesionale. I është referuar pjekurisë së njerëzve që përmes urtësisë të gjejmë vetveten. Dhe kështu është. Dhe kështu ndodhi. Ky kualifikim historik do kishte ndodhur më përpara. Ndofta që më 8 tetor 2015. Por vrulli i ekzaltimit dhe devijimi i misionit të futbollit drejt nacionalizmave dhe furisë politike, u kthye një presion torturues për ta. Pa diskutim ka qënë nata më e vështirë. Ndaj ndodhi dhe ai rezultat që na fyu me shi akull të ftohtë.
Gjithsesi çfarë ndodhi sot është shuplaka më e fortë për politikën historike sidomos pas rënies së Perandorisë Osmane e këtej. Madje dhe fakti real pse ne jetojmë në pesë shtete.
Pikërisht këtij dështimi grindjesh të personalizuara, që nga familjet Vlora, Toptani, Zogu, Qamilët, etj. Revolucionet dhe anti të tillët. Shto edhe dhunën e diktaturës së proletariatit, ku humbën idealet, u shpik dhuna, krimi i tipit sheksiparian. Ekzekutimi i zërit ndryshe, shfarosja që shuajti aq jetë të pafajshme. Shpikja e armikut të klasës. Dhe jo ndofta, por gjëndja shfaronjëse e vetvetes që ia kaloi edhe fushatave pushtuese të Italisë dhe Gjermanisë. Që mire apo keq…, na njohën rreshtnash nëpër varret reale të truallit ilir. Por kjo nuk do ndodhte kurrë për faktin e dashurisë së përjetshme që ne krijojmë në raport me liderin. Jemi gati të varrosim gjithçka, si e si ta mbajmë tjetrin pafundësisht në pushtet. Të mbulojmë çdo krim të shëmtuar me egoizmin e detyrës dhe aspak të ndjesës njerëzore. Edhe pse hiqemi më katolikë se Papa. Edhe tregohemi më myslimanë se Allahu.
Jo më larg se dje, ndoqa një emison të titulluar ”Divorce Albanian Style” të një gazetare nga Bullgaria Adele Peeva. Mbi tërë atë kalvar të sajuar, torturash, barbarish etj. Ndarje që quhen si të sojit shqiptar. Më bëri përshtypje se si dy apo tre prokurorë çështjesh në fjalë. Edhe pas kaq e aq vitesh, nuk kishin kurajon të kërkonin një ndjesë publike. Karshi detyrës, aq më tepër pas mbarimit të saj, pas futjes së kohës në mes, pas një dështimi epokal…, ndjenja e reflektimit është më e prekshme. Më e lehtë për tu dalluar dhe e ndarë me ne njerëzimin qoftë edhe për të pastruar sado pak vrajet shpirtërore. Por çuditërisht që të tre ata, ish persekutorë nuk shfaqën as më të voglën ndjenjë pendese. Kjo edhe kur e vërteta tashmë njihet botërisht, për lojën e shpikjes së armiqve të klasës. Për vrasjet, shkatërrimin, denigrimet …, përmes arrestimeve, burgosjeve apo dënimeve afatgjata të pikërisht shqiptarëve të martuar me gra të huaja. Një absurditet i gjallë që sot ka fytyrën e devotshmërisë. Atëhere duhet ta dime mire të gjithë ne shqiptarët se, Enver Hoxha nuk e bëri vetëm diktaturën. Por bashkë edhe me ne. Që nuk ndjejmë aspak faj, që nuk skuqemi, që nuk dime të kërkojmë falje.
Pikërisht për këtë që nuk arrijmë të mundim veteveten.Loriku është shembulli që mundi vetveten. Kujtoni kohën e batutave dhe denigrimit duke filluar që nga Kosova. Tek ne, me aleancat politike që u përpoqën të përfitonin me anëtarisimin e tij. Siç ishte rasti I Aleancës Kuq e Zi që u kthye në parti politike. Dhe menjëherë Loriku, u çanëtarsua.
Shpesh kthehen në të tilla, shumë prej tyre. Dhe si parti shohin xhepat e vetit, më së pari. Kurse çështja mbetet thjesht demagogji. Këtë po bën Vetvendosja sot në Kosovë. Arriti deri tek gazi lotësjellës në Kuvend. Sepse nuk mundin dot vetveten. Kështu edhe ne, që edhe pse të degjeneruar,i pranojmë. Shqyejmë njëritjetrin dhe marrim rezltate të rekordeve botërore. Një komb në pesë shtete.
Megjithatë politika ka filluar më të madhe, që nga minuta e 85 e ndeshjes sot në Armeni.Të postojë foto nga djemtë atje, të postonin ngjyrën e kuqe. Që vet ata e kanë përdhosur. Të mburren me atë që ata e kanë shpërdoruar për kaq vite. Dhe që ata djem nga pesë treva të ndara e bën. Duhet thënë atyre djemve, kapitenit së pari, që të postojnë foto me njerëzit e thjesht, me shqiptarët kudo që janë. Jo me ata kollarexhinjë që na ndanë dhe vazhdojnë të na ndajnë.
Duhet thënë dhe politikanëve, merrni shembullin e djemve të kombëtares. Mundi vetveten.Dhe bëni një shtet që të krenohemi.
Grua do të vras…!
Nga Ilir Levonja/
Nisur nga ngjarja e fundit në Fier. Por edhe nga shumë të tilla. Përfshi edhe ato raportimet kontraverse që vinë nganjëherë si bujë e madhe. Që iks grua u denoncua nga i shoqi për dhunë etj.
Apo burri denoncon gruan që e rreh se pi. Me një fjalë vjen i pirë. Dhe bën ato që në zanatin e pijanecit quhen llogje, llum, sharje, llapje goje, qaravitje, nevrikllëk, thyerje pjatash etj. Ka në të vërtet një trajtim dy pamjesh. E para si sensacion, që si është e mundur kjo apo ajo grua të rrahi, denoncojë burrin? Dhe për më tepër me humor, aq sa pjesa dërrmuese e shoqërisë kënaqen duke u shfryrë, duke thënë që, ama burrë qënka ky? Burrë muti. Burrë koti. Të isha unë ia këpusja kokën.
Ndërkohë që ka edhe gra që nuk ngurojnë ta quajnë kurvë apo rrospie rrugësh, për faktin e thjesht se i mori erzin burrit të saj. Nxorri në treg hallet apo problemet e shtëpisë. Pak rëndësi ka se i ka vajtur në majë të hundës. I ka mbaruar durimi. Dhe nuk ka çudi që kjo grua të jetë kandidate e shkëlqyer e një spitali psiqik etj. Pra në përgjithësi trajtohet me humor dhe debate sharjesh të forta mes njëritjetrit. Pa e pranuar asnjëherë se debati i nxehtë mban akoma të shtresuar, rolin parësor të burrit pasha dhe parazit. Dhe atë dytësor të gruas. Të një soji shërbyeseje, kokëulur e tipit të Çajupit nga Zagoria.
Aktualisht sot, thuajse një pjesë e madhe e grave në provincat e shqipfolëse, e dine akoma se burri ka të drejtë t’i vrasi. Madje shumë prej tyre e kanë kthyer këtë mëndesi në një devotshmeri shembullore. Aq sa e kanë për nder të vriten nga dora e tij. Nga ana tjetër, burrat e konsiderojnë veten si shenjtin e traut të shtëpisë. Edhe pse nuk punojnë, pasi u bie vlera përshembull të shesin në treg. Ose me ndonjë tezgë në dorë, diku në rrugë, pranë shkollave, stacioneve të autobuzëve etj.
Vende ku ka pik lëvizjesh…, prapë kërkojnë llogari.
Prandaj edhe sot realiteti jonë është dy pamjesh. Pamja e parë, burra që përcillen në mëngjes tek dera. Që u sojitet paraqitja, hekuri, rruarja, mustaqa. Që u kontrollohet xhepi i praptë e kanë plot apo jo. U jepet çelësi i makinës për të shkuar në zyrën kafene, me profesionin e përditshëm, kafe teke raki, xhiro, fara luledielli, stadium, mitingje politike. Që u lahen këmbët, u shtrohet tavolina, u bëhet gati krevati të pushojnë se janë lodhur nga llogjet e ditës. Nëse vine të dehur, u afrohet legeni dhe u mbahet koka. Dhe kështu e përjetësisht, burri është burrë.
Pamja e dytë, gra që veshur e ngjeshur pasi kanë përcjellur burrat dalin e shesin. Ku…? Në vendet pik, që përmenda më sipër, si shkolla apo lulishte, kryqëzime etj. Bërtasin që të shesin. Bërtasin në rrugë. Kurse në shtëpi e kanë të ndaluar. Në rrugë e kanë me pash lejen. Dhe nëse nuk e kanë bërë gati drekën për pashallarët e tyre, darken po ashtu. Që nuk kanë planifikuar tu lajnë edhe makinën.
Burri ka të drejtë t’i rrahë, t’i vrasi. Aq më tepër kur nuk I ka ecur edhe dita. Në ato bisedat me gjizore e teke raki. Në ato biseda që ky apo ai mu tregua legen, jo burrë etj. Në ato biseda që mbyllen sot e kësaj dite me një togfjalësh krenar, ai është burrë dhe i lumtë dora.
Kështu edhe sot. Edhe pse e përdorim Turqinë si tallje për kulturën pashallore që na la.Prapë ne jemi tek koha e saj.Sepse vdesim për pak dembelizëm.Për pak qyl, rehatllëk dhe para që vine nga qielli.
Megjithëatë në tokë rri e shtrirë një grua, një nënë. Simboli i një blete robotike shqiptare. Nderi i një burri që vetëm mburret.
Pa gurë është më e bukur fitorja
* Shqiptaret duhet t’i luten Zotit t’i ruaje nga vetevetja/
*Shoh një marri gati kolektive, televizionesh, studiosh, webesh… Shoh disa webe në Kosovë që e trajtojnë problemin e deklaratave të një djali nga Gora me emrin Miralem Sulejmani, si shkak paralajmërim të një rrebeshi vërshëllimash dhe sharjeve. E thonë me kënaqësi se, çfarë ka për të hequr i ziu në Elbasan…/
* Paska deklaruar që ndihet serb. Në fund të fundit, çfarë ka këtu për t’u befasuar. Një goran i lindur në Beograd, i rritur aty. Brenda një familje futbollistësh. Nga shkolla serbe. I suksesshëm në Europë. Mjaft t’i shikosh skedën. Çfarë duhet të presim./
Nga Ilir Levonja/
Nëse nuk fitojmë sot me Serbinë, nuk është faji i ekipit. Biles përgatituni të mos u shkumosni duke i sharë. Eshtë faji i juaji. I këtij publiku apo populli që mbeti me brohorima entuziazmi. Aq sa duket sikur është forcë vullnetare e përjetshme. Më vjen keq që shprehem kështu. Unë jam pjesë e juaja. Por me keqardhje zbuloj se jemi më shumë se sa duhet. Më shumë se sa duhet për zhurmë, për fjalë patriotike, për dukshmëri, për të bërtitur etj. Dhe me sa duket, as që kemi për të vënë mend. Më shumë se sa duhet të dehur. Më shumë …
Nuk e di nga i gjejmë këto energji çoroditëse. Këto shfryma që një njeri i urtë i përmbledh me thelbin e mbrojtjes brenda psikologjisë tonë. Zot na ruaj? Por nëse të tjerët, ata jashtë sojit shqiptar.
I luten Zotit t’i ruaj nga gjithçka. Shqiptarët duhet t’i luten t’i ruaj nga vetvetja. Pra jemi më shumë se normalja. Jemi sa për t’u dukur. Sa për t’u treguar esnaf me fjalë, jo si burrat që pretendojmë se i kemi dhe se i respektojmë. Nuk jemi të tillë… Dhe për më tepër tani, në liri.
Shoh një marri gati kolektive, televizionesh, studiosh, webesh… Shoh disa webe në Kosovë që e trajtojnë problemin e deklaratave të një djali nga Gora me emrin Miralem Sulejmani, si shkak paralajmërim të një rrebeshi vërshëllimash dhe sharjeve. E thonë me kënaqësi se, çfarë ka për të hequr i ziu në Elbasan. Përse? Paska deklaruar që ndihet serb. Në fund të fundit, çfarë ka këtu për t’u befasuar. Një goran i lindur në Beograd, i rritur aty. Brenda një familje futbollistësh. Nga shkolla serbe. I suksesshëm në Europë. Mjaft t’i shikosh skedën. Çfarë duhet të presim.
Patriotizëm? Për Gorën, apo goranët…? Të cilët edhe aty ku janë sot, flasin akoma sllavisht. Dhe ndihen serbë, bullgarë apo maqedonas? Pra në mes të Shqipërisë. Kurse një i rritur në mes të Beogradit, vetëm pse ka emër mysliam, duhet të ndihet shqiptar. Ndryshe është tradhtar dhe Elbasani do e fërshëllejë?! Ndërkohë që kemi shqiptarë që çfarë nuk po bëjnë të ndihen deri kinezë. Mjaft që të ikin prej asaj Shqipërie.
Dhe nuk e di pse duhet të kënaqesh kaq me ekzaltim, deri frenetisht sikur do ringjallim gjithë çfarë kemi humbur nga politikat shfarosëse të Serbisë. Madje ngelëm duke kujtuar genocidet, barbaritë, luftrat nga mesjeta e këtëj. Se kush ka të drejtë, serbët apo shqiptarët? Dhe sepse atyre u pëlqen të mashtrojnë historinë në sytë e njerëzimit, ne duhet ta zhbëjmë atë. Njerëzimi e di më mirë nga ne historinë. Por si nga tradita, nga vitet që palosen, e keqja e vetvetes i ka mbajtur në barazpeshë anët e kandarit. Nuk ka qënë vetëm i huaji, por edhe me ne njëritjetrin. Ndaj sot na ka kapur marrëzia.
Ndaj jemi edhe kaq të shfrenuar. Na ngjan se na ka ardhur shanci në derë që ata njëmbëdhjetë njerëz në fushë t’i dërrmojnë deri sa të na kënaqet shpirti ynë prej vullnetari të përjetshëm. Pa e kuptuar aspak se po i përgjigjemi, vulgaritetit historik me të njëjtën monellë. Jo për liri, jo për lavdi, jo për patriotizëm por thjesht se kemi rënë në grackën e vulgarizmit. Sidomos, së pari studiot e Kosovës. Një vrull i shfrenuar, të gjorët viktima, lufta, liria, vatani. Autobuzi i ekipit serb me flamur shqiptar. Si u ka shpëtuar serbëve? Si u a hodhëm?! Gorani Miralem Sulejmani etj. Ai ambasadori atje, që refuzoi notën e protestës etj. Bravo, bravo i qoftë. Këto janë përralla.
Ideollogji. Pasi sa kohë që nuk respektoni njëritjetrin dhe mbetët duke u zënë me domate e tranguj në Kuvend. Nuk ka komb kështu. Por ka njerëz që për komb kanë dëshirën e shfrenuar. Së dyti, mjaft i ratë më qafë gjoksit dhe dëshmorëve të luftës. Kosovën e çliroi NATO dhe Amerika. Po, kështu është. Ata e çliruan. E çliruan por jo për të themeluar 57 parti, jo për të rrahur gjoksin, jo për t’u vulgarizuar si armiku i juaj, jo për tu ekzaltuar dhe bërë qiellin e Ballkanit të barbarizuar nga një lloj reshje benzine sikur kemi kapur dhe çliruar botën.
Së treti këta tipa që përgjërohen me drone e që politikanët tanë dritëshkurtër i publikojnë pamjet e tij me mjekërr talebani, për heroin e stërrët të fushës së zezë. Ja morën shpirtin së kuqes.
Shqiponjës, etj. Që nuk ngopen dhe i shtojnë dozat deri në histeri. Ballistin po e përmend edhe bota. Po, po…, por nuk ka përse të jetë e habitshme, që pas disa ditëve të na thuhet se e kanë pompuar qëllimisht me sponsorizim të serbëve. Ata qytetarë që mallkojnë një qeveri kur ndalon.
Dhe që janë gati të shkelin me mijra ligje vetëm e vetëm që ”patrioti” ballist, të dali e të ndezi qiellin e benzinë.
Së katërti, shqiptarët brenda shtetit të kafshuar amë. Që edhe pse kanë një grup të mrekullueshëm profesionistësh, duan si e si t’i bëjnë talebanë xhihadistë.
Webe, statute me patriotizëm. Poza pa fund politikanësh. Dhe e keni vënë re, që këta shtetarët tanë mbushen plot statute e foto, me lojtarë me emër, me këngëtarë e aktorë. Dhe policë apo ushtarakë të vrarë. Vetëm në adete e mysybete. Jo në të përditshmen. Statute të tilla…, Mbytini, vritini etj.
Një komb një atdhe. Edhe pse ia mbajmë njëritjetrit traun tek hunda. Jemi vëllezër, jemi shqiptarë.Kthjellohuni se, qytetarisë së një vendi të lashtë i ka ardhur koha të dëshmojë. Për prapësitë e historisë që mundet edhe jo, të të duan ndëshkimin prej Zotit. Por jo prej shqiptarëve.
E sotshmja është një ndeshje futbolli që duhet të justifikojë edhe drejtësinë europiane karshi burokracisë dhe marrëdhënieve mes tarafeve dhe miqve të interesit. Që çuditërisht mëshirohen deri në intelektualë të tipit Mishel Platini. Shqiptarët e kanë brohoritur, adhuruar, dashurar.
Por puna është se ai u bë pjesë e pikërisht, kësaj vulgarizme globale që vuan prej shekujsh edhe qytetaria në Ballkanin perëndimor. Jepuni serbëve ujë bujarisht dhe lërini të qetë djemtë tanë.
Jepuni serbëve mesazhe paqeje. Po ashtu dhe njerëzimit nëpër botë. Jo tipat e ballistave që vdesin të duken talebane. Jepuni lule, jepuni brohoritje dhe tregojuni se klasit të respektit i erdhi shanci në historinë ballkanase të tregohet prej lashtësisë shqiptare. Ajo ka kohë që ka triumfuar.
I druhem kësaj shfryme, kolektive. Qoftë e afërt dita kur edhe të ndërrojmë.
Rastësisht në rrugë
Nga Ilir LEVONJA/
Kohë më parë …/
Ajo i tha përmes telefonit se do e priste në dritare, por nga mbrapa pallatit. Nuk i besohej. Vështroi receptorin por që andej erdhi ai tingulli i mospërfilljes së aparatit kur nga ana tjetër nuk të pret askush. Vërtet i tha eja? Pse habitej? Ndofta nga që u bënë vite që i lutet ta pranojë. Vite përgjërimesh. Ndaj vrapoi përjashta.
Ajo paradite vjeshte e kulluar mes stërkalash dielli dhe zhaurima njerëzore, sikur u harmonizua si me dorë. Edhe zemra brenda gjoksit, rregulloi pampamet. Ndryshe nga përpara pallatit, ku rruga e Ypsilonit vlonte nga lëvizjet. Mbrapa, prehej një qetësi lagjeje. Rrethina e tërë pushonte nën një qiell blu. Aq sa të krijohej përshtypja sikur natyra, bota, njerëzimi, patën rezervuar edhe rastin tënd.
-Dhe sa do vazhdosh të më ndjekësh? – e pyeti ajo.
Ai u hutua. Iu kthjelluan sytë e kaltër deri në një pasiguri këmbësh. Vuri dorën tek muri me tulla.
-Këtë e di ti, jo unë. Varet gjithçka nga ty. Më thuaj po, tani, dhe kaq. Të tjerat janë punë e jonë, e përbashkët. Më kupton. E ardhmja është e të dyve, nuk është më vetëm e imja apo e jotja, – tha ai me qetësi por me rend fjalësh që i dolën vetiu prej anës më të mirë të qënies së tij.
Ajo qeshi.
-Pastaj ata të dy ikin diku siç ikin zogjtë, -vazhdoi ai.
Dhe ajo ia priti…,
-Prandaj edhe ti nuk ke ikur?
Ai iu përgjigj.
-Sa të mbarosh ti shkollën. Të ikim të dy.
Qe koha e ikjeve të para. Natyra në qytet qe e mbarsur me ethet e saj, sikur kishte rënë epidemia e ikjeve. Ikja nuk kishte moshë. Po ndërsa të martuarit kishin hallin e familjeve, të dashuruarit, sidomos djemtë e rinj, të vajzave që donin.
Ajo vetëm sa çoi buzën në gaz. Në qiell për rastësi kaloi një avion. Edhe pse larg, dukej si një krijesë e bardhë. Gati lodër, gati një pëllumb nga ato që varim për zbukurim në pemën e vitit të ri. Lëshonte nga pas një vazhdë të bardhë e cila dikur bëhej fashë e udhtë.
-Ja sikur na i bën për zili, -tha ai.
Ajo çoi sytë nga qielli dhe vetëm sa u tulat në krahët e saj. Ndodhej diçka lart. Qe dritare nga ato ku të duhet të kolovitesh. Çfarë dëshirë e madhe. Vetëm ta puthte pak. Sytë e saj në bojën e mjaltit. Mjaltit të zënë, nga ai i i luleve të drurëve shekullorë. Kishte mbledhur flokët mbrapa, i dukej qafa, nofullat, veshët. Çfarë mrekullie. Sikur ta prekte pak. Por mes tyre ishin hekurat, lartësia. Frika se mos po vinte ndonjë nga fqinjët. Megjithëse ishte qetësi. Ora duhej të ishte njëmbëdhjetë e paradites. Nuk donte ta bënte me fjalë. Por nuk mundi. U ngjit. U kacavier.
-U çmende, – ia priti ajo dhe i përplasi kanatin e dritares, midis një trembje të lehtë dhe një kënaqësie që fytyra e djalit mbarte nervin e burrit.
Ai pa përreth. Qetësi. Megjithëse krrima e kanatës akoma jehonte. Seç qe aty mbrapa një shtëpi me mure guri të lartë. Ku në verandë një grua e moshuar ushqente macen. Plaka nuk ishte asgjëkundi edhe pse dukej sikur po e shikonte.
Iku me kokën ulur. Nga një dritare tjetër u përhap një këngë nga programet e mërzitshme të paraditeve televizive. Nga ato populloret ku përzihen si zhaurimë xhinglash instrumentet muzikore. ”E imja moj/ do të jesh përjetë.” Përbri i kaloi një burrë me biçikletë. Kërrujti fytin dhe aq. Djalëria është kuriozitet. Ndaj atij iu duk sikur burri e kishte me ‘të. Nxitoi. Në atë lagje qyteti ai qe një i huaj. I panjohur. Aq me tepër me ato flokë të gjatë. Me xhiboks bluxhins ku fekste një noçkë kau. Vajza në fjalë nuk i ndaloi më. Sikur panikosej prej tij. Kaluan dy muaj. Por hiç. Madje kur dilte nga shkolla, ecte në krah të katër vajzave. Mes të qeshurave të tyre. As që e shikonte. Ai kullohej tek druri i ekualiptit. Shikonte qoshen e rrugës Ypsilon ku ajo do të kthente. Njerëzit që nxitonin me çantat plot. Zilet e biçikletave që kumbonin hera-herës si të çjerra bagëtish të imta.
-Qënke bërë i tmerrshëm, – tha një nga shokët, në kuptimin që ajo zuri të kthehej në shtëpi e shoqëruar. Pati domethënien që ai nuk duhej ta ndalte më. Ose ta linte rehat. Kurse ai tha shokut se, nuk e mendonte ashtu. Mirëpo një ditë më pas ato, vajzat qëndruan aty pari. Afër tyre. Ata ishin tre djem. Kurse ato katër. Shoku i qeshi me naivitet. E shikoi gjatë dhe zë ulët i tha se ato as që druheshin më fare prej tyre.
-E pastaj, -ia ktheu ai.
-Kur nuk të ka një çikë frikë, ka domethënien që nuk e pjerth fare për ty, -ia ktheu tjetri.
Atë kohë vajza e tij u shkëput nga shoqet duke u përshëndetur dhe nxituar e vetme. Nuk i hodhi sytë fare nga ai. Ai u mendua. ”Çfarë po ndodh? Iku vetëm për të më sfiduar? Apo kërkon ta ndjek nga pas?”. U mendua. Shoku e vështronte po njësoj. me pak ironi. Megjithatë, ai nuk e ndoqi. Dhe, gjysmë ore më vonë, do i dhimbte, do e torturonte, aty e përjetësisht…, ai ngurim, ajo ngathtësi, ajo stepje për të mos i shkuar nga pas. Ajo stepje për të mos këmbëngulur.
Ndërkaq, treshja e vajzave u kthye mbrapsht dhe u shkoi djemve mu tek hundët. Qeshën. Ai vetë nuk i vështroi, veçse në grimë çasti aty afër u ndjeu erën. Parfumin e mishit që i ngjan freskut të luleve.
-Mbaroi nuk ia ndjen më për ty, biles na shpërfillin edhe ne që vimë me ty. Nuk e shikon, kaluan këtu para nesh sikur të mos ekzistojmë fare, -tha i njëjti shok.
-Po ti çfarë pret, përse nuk i shkove nga pas. Ajo për ty u nda nga shoqet, – i tha tjetri shok.
Ai heshti. Pa nga vajza, shpina e saj u tret përetej. Tek qoshku i rrugës Ypsilon, tek pallati me granil të bardhë. Nga ana tjetër vështroi shoqet e saja. Ato sërish qeshnin teksa shkonin trotuarit që ata kishin vite që e ruanin. Nuk i urreu. Qe një lloj lufte nervash nga mendjet njerëzore. Megjithatë ai besoi se i dha kuptim orëve. Dikur edhe shokët e tij ikën. Mbeti vetëm fare. Kujtoi atë ditë kur guxoi e u ngjit tek kangjellat e dritares për ta puthur. Nuk ndodhi. Pastaj kujtoi ca vargje.
Puthja është zanat i së përditshmes,
gabimi që do e bëjmë përjetësisht.
Qeshi hidhur, kështu shkruante në poezitë e tija një shoku i vet. Pastaj prapë asgjë. Vetmi në anë të rrugës. Të ndahesh nuk do të thotë të kesh domosdo arsye të forta.Rruga mbeti ashtu me lëvizje. Mirëpo atij nuk i ikej. U ul në ato telishta hekuri, pranë kaçubave kuadrate prej ligustrash dhe dëshiroi që jeta të ndalte aty. Jo për të mbaruar, jo për t’u ngrirë, jo për t’u fiksuar e mos feksuar më, por thjesht për të patur një pritje tërësisht të përjetshme. Me diferencën në duar, mes një dite me pritje dhe një dite pa pritje. Aty do rrinte. Për të mos e besuar asnjëherë se ashtu mbaroi e gjitha ajo lojë e bukur ndër ato vite pritjesh e përcjelljesh. Për të mos jetuar me mendimin se plaga mbyllet, por nuk ikën. Eshtë aty. Vetëm sa zë kore. Por edhe kur korja bie, mbetet një njollë.
***
Kohë më pas …Fill mbas shtatë vitesh, ndërsa i jepte mjetit të tij një calibra e silvërt, në rrugët e një qyteti bregdetar, plot me palma nga të dya anët. Afër një stacioni treni. Ku ca më tutje ndiheshin dhe dukeshin qiellit feçkat e vinçave të portit. Shfryma e kripës…, në një pas dreke të vakët. Aq sa ata që ishin me ‘të, kolegë të katërt, dy çifte, edhe pse gjysmë të përgjumur nga dreka e bollshme, zunë të diskutonin për plagët e dashurive të para.
-Çfarë bisedash që bëjmë edhe ne, – tha njëri.
-Pas një dreke si kjo po nuk fole të zë gjumi, -ia priti tjetra.
Atij iu kujtua nga koha e largët dielli i rrugës Ypsilon. Binte ashtu deri sa perëndonte. Dhe njerëzit dukeshin si silueta. Vetëm ajo dukej e brajtë, e prushtë madje verdikt i diellit si mbetje në tokë. Qeshi…
-Po ti në timon pse vazhdon të qeshësh? – e pyeti kolegia nga mbrapa.
-Kot, – ia ktheu ai.
Ajo e pëlqente. Edhe ai, madje kishin filluar të dilnin bashkë.
-Ku ishe tani me mëndje. Hë na i thuaj edhe ne, – iu lut ajo.
Por asesi nuk e tha, nuk e tregoi. E ruante si diellin e tij të vogël, të avullt që kushedi se ku ajo ngrohte botën me krela lulesh në këndin e një burri tjetër.
Pikërisht atë çast, nga e majta një grua e re, me fustan të kuq tentoi të kalojë rrugën. Ai frenoi i trembur. U nguros tërësisht, kur pa se ishte pikërisht ajo, vajza e rrugës Ypsilon. I rrahu zemra aq fort, aq me kumbim njësoj si atëhere. Gruaja e re kaloi qetësisht duke shikuar se mos po vinte ndonjë tjetër makinë. Pasi kjo që ndaloi iu bind vështrimit të saj. Bulevardi qe i gjerë. Dhe ajo as që ia hodhi sytë se cili qe njeriu në timon. Ai u gëzua si fëmijë. Dhe nuk i erdhi aspak keq. Aspak. U shplodh që e pa dhe që ajo ishte akoma po njësoj aq e bukur.
-Çu hutove o njëri, po jepi të ikim, – i tha kolegu përbri.
Por ai priti. Duke harruar njerëzishëm koleget mbrapa që po e vështronin me habi. Sidomos ajo me të cilën sapo kishin filluar të dilnin bashkë. Mbajti këmbën lehtë mbi pedalin e gazit deri kur gruaja e rrugës kaloi në anën tjetër, duke i shkelur vizat e bardha, sikur të ecte mbi një tastierë pianoje. Zemra hovte si flutur lëndinash. Gjithçka iu bë e purpurt, rruga e ligustrave, Ypsiloni, hija pas pallatit, shtëpia e plakës, burri me biçikletë etj.
Të nesërmen kolegia që kishte në makinë, ajo që pëlqeheshin, i tha midis të tjerave se nuk ia vlente më lidhja që kishin. Ai u mërzit. Dhe nga darka ktheu një dopio fërrnet. Aty në banak, pinte dhe dikush tjetër në këmbë. Burri, për çfarë nuk i foli. Madje i afruan nëri-tjetrit nga një gotë më shumë.
Dikur ai tjetri i tha me pikëllim:
-E vërteta e dashurive të para i ngjan ekzistencës së dy ishujve që vetëm sa i bëjnë hije njëri-tjetrit. Kur ka erë, i çojnë mesazhe të ujshme. Kur ka shi, bëjnë sikur nuk shikohen. Kur moti është i kthjellët, argalisen për zili të njëri-tjetrit. Vetëm kur i shkund ndonjë tërmet, kur i zhvendos akoma më larg aq sa nuk shihen, vetëm atëhere e kuptojnë se përse u bën ishuj.
Ai fshiu sytë në supet, si një foshnje që shikon diku dhe askund. Një ishull që priste nën shoqërinë e një fari vetmitar. Dhe pritja nuk kishte mbaruar asnjëherë.
Çështje grupimesh
Nga Ilir Levonja/Florida/
Në emër të egos, të më shkojë e imja. Ne sot nuk e besojmë me njëritjetrin. Nuk njohim dialogun dhe ndaj kudo ka dhunë. Lajme të natyrës bujë. Për rrjedhojë grupime. Gjysma e socialistëve janë tërësisht të heshtur. Të pa punë. Të qartë tashmë se sa të kapur janë nga LSI. Gjysma tjetër kujdeset për shëndetin e LSIs, për dietën e Metës. Dhe luten në heshtje të mos u iki Ilir Meta.
Pasi milioni i votave, nuk është, nuk paska qënë aset i tyre tërësisht. Pavarsisht idealit, gangrena e interesit bluan si mola. Kështu ata ndihen të përdoruar. Të pushtuar. Kështu në qëndër të vëmendjes kanë përkujdesjen të mos i prishin qejfin Ilir Metës, se sa të ndreqin popullin. Pra sfidën që u ka caktuar koha. Ose një pjesë e tyre e kalojnë ditën të zbulojnë nëse ua ka futur apo jo LSI e qytetit ku jetojnë, emrin në të kuq? Dhe tregohen delikatisht të kujdesshëm. Nuk duan t’u prishin qejfin. Nëse ua prishin qejfin, ata nuk e kanë të vështirë të bëjnë aleancë me pëdëistët. Sapo e bën një të tillë në një provincë me emrin Përrenjas.
Nga ana tjetër edhe demokratët ndodhen të dyzuar dhe të pashpresë. Madje të ndarë. Njëri grup rend pas statuve të Berishës si opozitar i fortë. Dhe jetojnë me emocionet e së kaluarës. Duke u shprehur vazhdimisht me atë mendësinë, që, ai që më bëri mirë mua, është njësh. Ndërkohë mallkojnë veten pse Berisha i besoi partinë Bashës.
Ndërsa tjetri grup pas Bashës që po përpiqet të luaj me versionin që i irriton shqiptarët demokratë, apo dhe shqiptarët socialistë, një aleancë të mundshme PS dhe PD. Si fundi i botës. Kaktaklizëm e egos të më shkojë e imja. Me atë që çuditërisht po riciklon në postet drejtuese, humbësit. Dhe aludon me aleanca. Por as kjo nuk ka për të ndodhur.
Dhe grupimet vazhdojnë me LSIn. Ata që më mire se kushdo tjetër, e dine që i bëjnë kot shantazhet me video seksi. Destabilizim kombëtar etj. Janë shashka. Por është strategji e tyre.
Kështu i forcojnë imazhin e dobësuar liderit të tyre. LSI i ka kapur në vend të keq të dya partitë. Sistemi zgjedhor shqiptar. Dhe ata prapë bëjnë shantazhe, me aleanca të Berishës apo çamët etj. Edhe pse e dine mire që në 2017, Meta do të jetë kryeministër i Shqipërisë.
Por thjesht, vesi i njerëzve që duan t’u shkojë e tyrja. Qoftë kjo edhe me dhunë. Madje nuk kursejnë as moçalorin e tyre. Atë që u hapi rrugën aleancave të pa konceptueshme në realitetin politik shqiptar, Dritan Priftin. Atë që u mësoi se si të votoheshin në masë me metodat e shpërblimit. Ndaj sot ata numërojnë jo pak por njëqind e shtadhjetëmijë vota. Vetëm strategjia e moçalorit. Strategjia që quhet zotësi shqiptare.
Dhe me që ra fjala tek moçali. Frymëzimin LSI e merr andej. Nga begatia e hapësirës së moçalit. Simulon me të madhe zhurme fermerët, fasonët. Madje shkojnë e bëjnë foto mes specave dhe shalqinjëve, domateve në sera, trangujve me shumicë. Buzë lagunës asaj breroreje të artë që deri dje e kishim gulagun e krenarisë të shfrytëzimit të njëriut prej njeriut. Dhe hambarin e Shqipërisë njekohësisht.
Dhe me që ra fjala tek moçali, moçalorët e mire. U kanë bërë vend malorëve të fasonistit. Jetojnë atje akoma dhe prej maleve mbajnë vetëm atë kënaqësinë e traditës. Punojnë me moçalorët, kanë krushqi, nipër e mbesa. Dhe i çmojnë. Mirëpo fasonistit i pëlqen akoma vesi i kohës se denigrimit krahinor.
Megjithatë Meta ka akoma video. Kanë 90% e lësëistave për njëritjetrin. Por e tillë është koha shqiptare. Koha e grupime që nuk kanë asgjë mangut nga ato të Sirisë së Bashar al Assadit.
Ndaj dhe shqiptarët e tjerë vetëm ikin.Po i referohen së fundi edhe fatit në Llotarinë Amerikane. Eshtë muaji tetor, ditët për të fituar. Grupimi tjetër është shtypi, që mezi pret ndonjë statut fb. Të ndonjë personi publik. A ku di unë se çfarë tjetër… Të kënaqi lexuesit duke masakruar qoftë dhe një të pakët zë. Nga ato që përpiqet paksa…, butësisht, me delikatesë. Shumë femërore, prej diçkaje intelektuale, duke pranuar realitetin, atë që edhe të dështosh është po aq njerëzore sa të fitosh. Si është rasti konkret i një mjeke në Tiranë me emrin Anika Dokle. Shtypi kënaqet kur grupimet nxjerrin nga gjirizet e salcës së barkut, shfrymën me hudhra e raki, xaxiq, apo turshi…, të thesareve nga miniera e sharjeve. Nga ndjekësit e sojit një grupim më vete. Thjesht për inat. Pse të shkojë e saja dhe jo e imja, e jona e tyrja etj.
Dhe grupimi tjetër…,ai që i ka mbaruar të gjitha hallet…, ai më patrioti…, ai që po pret të shqyej Serbinë e shqyer më 8 tetor 2015.
- « Previous Page
- 1
- …
- 80
- 81
- 82
- 83
- 84
- …
- 102
- Next Page »