• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dosjet sekrete dhe tranzicioni i Shqipërisë

September 27, 2015 by dgreca

Intervistë me dr.Lori Amy mbi diktaturën, dosjet sekrete dhe tranzicionin e Shqipërisë/

Dr.Lori Amy, pedagoge në Universitetin e Georgias, është duke shkruar një libër të ri mbi Shqipërinë, kujtimet traumatike dhe identitetin nën regjimin komunist dhe gjatë tranzicionit.Për librin e saj ajo po mbledh gjithë historitë që i treguar shqiptarët mbi komunizmin dhe tranzicionin, në mënyrë, që sic thotë, bota ta kuptojë se sa shumë kanë vuajtur ata.“Për 50 vjet në regjimin komunist, afro gjysëm shekulli izolim, dhe e shtypur brutalisht, Shqipëria pësoi vuajtje të mëdha. Shqiptarët po vuajnë ende nga pasojat e komunizmit, por gjysma e popullatës nën 30 vjeç po vuajnë përsëri gjatë tranzicionit” – thotë ajo.

Kjo është, sipas saj, një tjetër përvojë traumatike, ndonëse varfëria e thellë tani ndryshon shumë nga varfëria e regjimit komunist.“Në atë kohë ishin të gjithë të varfër. Ndërsa tani pak njerëz kanë pasuri të përqëndruar fort në duart e tyre, ndërsa pjesa tjetër e popullit po varfërohet vazhdimisht. Diktatura shkatërroi besimin dhe çdo mundësi për besim” – thotë zonja Amy.

Një tjetër pasojë traumatike që regjimi ia përcolli tranzicionit është se tani njerëzit nuk kanë më besim që mund të arrijnë diçka me përpjekje, sepse besimi i tyre u tradhtua dhe u shkatërrua, por në 25 vjetët e fundit pak njerëz flasin për vlerat dhe shumica flasin vetëm mbi përfitimet, thotë dr. Lori Amy.

“Ekziston një boshllëk i madh midis përvojave dhe kujtimeve ndërmjet brezave të vjetër, të mesëm dhe të rinj. Kanë ndodhur shumë ngjarje të dhunshme, që nuk po përcillen si informacion nga një brez në tjetrin dhe zhvillimet e vërteta po harrohen pa u ndriçuar plotësisht”- shtoi ajo.

Sipas saj, është e kotë frik se gjoja hapja e dosjeve do të shkaktojë tension tek njerëzit që do të mësojnë kush i spiunoi, dhe ata mund të zemërohen dhe të kundërveprojnë.

Në vitin 2010 dr. Amy intervistoi shumë të burgosur politikë në Shqipëri dhe mblodhi shumë histori.

Prej tyre doli se këtu të gjithë viktimat i njohin gjyqtarët që i dënuan, prokurorët dhe dëshmitarët.

Ajo mendon se koha kur ata mund të sulmonin persekutorët e tyre ka kaluar, ndërsa nëpër dosjet e Sigurimit të Shtetit janë pa u zbuluar informatorët e niveleve të ulëta, në atë pjesë materialesh që kanë mbetur, sepse shumë prej tyre janë shkatërruar.

“Kur të nisë leximi i atyre të dhënave, unë pyes a kemi mundësi të ndalim një çast dhe të interesohemi jo se çfarë ka ndodhur, por pse dhe si ndodhi që pati aq shumë informatorë. Nëse ne do të studiojmë si ndodhi, atëherë ne do të zbulojmë strukturën e terrorit” – thotë dr. Ami.

Ajo mendon se çdokush në atë sistem ishte, në një mënyrë a në një tjetër, viktimë e dhunës së asaj strukture. Njerëz të ndryshëm e pësuan atë dhunë në mënyra të ndryshme.

Sipas saj, nëse njerëzit merren me pjesët e vogla të secilës ngjarjeje, atëherë do të humbin pamjen e plotë që duan të zbulojnë. Pastaj edhe lustrimi është çështje me rëndësi.

“Publiku e di mirë se kush ishte në zyrat e larta të regjimit komunist dhe më vonë gjatë 25 vjetëve tranzicion. Ata kishin në dorë gjithë dokumentat sekrete për veten e tyre dhe i shkatërruan ato. Ata nuk mund të linin pas dokumenta që njollosnin figurën e tyre. Kjo nuk është një çështje që zbulohet nga dosjet” – thotë ajo, duke shtuar se njerëz të regjimit komunist nuk duhet të mbajnë poste shtetërore në sistemin e ri, por kjo është një detyrë e vështirë.

Dr. Amy është gjithnjë pro që dosjet të hapen për arsye studimore, për të parë historinë e vendit, sepse qytetarët nën 30 vjeç nuk e dinë as nga vijnë. Hapja e dosjeve duhet të jetë një proces analizash kritike pse ndodhi ajo dukuri.

“Nëse mendojmë se hapja e dosjeve do të sjellë drejtësinë, – thotë studiuesja – ne mund të tradhtohemi përsëri, ne mund të zhgënjehemi përsëri. Drejtësia nuk do të vijë për shkak të hapjes së dosjeve. Drejtësia do të vijë kur secili prej nesh të përballet me të vërtetën për çfarë ka ndodhur në të kaluarën”.

Sipas saj, hapja e dosjeve është vetëm një përmasë e përballjes me të vërtetën, por hapja e dosjeve ka rrezik të keqpërdoret për konsum dhe për pushtet, si ka ndodhur për 25 vjet.

“Pyetja nuk është a duhen hapur dosjet, por si duhen hapur ato. Nuk është aq e thjeshtë; hyn aty, marr dosjen, e hap dhe e lexon çfarë ka brenda. Dokumentat duhen sistemuar, skeduar, arkivuar, dixhituar dhe ndarë në mënyra shkencore; këto procese nuk janë aspak të lehta” – tha dr. Amy.

Ajo mendon që hapja e dosjeve do të thotë analizë e tyre, çfarë, si dhe pse ndodhi. Sipas saj, kjo analizë është themelore, sepse shumë nga funksionet e atij regjimi vazhdojnë të zbatohen edhe tani.

“Kur të kuptojmë se çfarë ndodhi nën atë regjim, ne mund të përdorim analizën për të parë se si dhe pse strukturat e totalitarizmit vazhdojnë edhe sot. Përfitimi i vërtetë është se si të përfshihemi në mënyrë të frytshme në procesin e hapjeve e dosjeve” – thotë ajo.

Dr. Amy thotë se kur vizitoi për herë të parë Shqipërinë gjeti një vend kaq të pasur me histori, arkeologji dhe minerale, por që kishte një popull aq të varfër.

Libri i saj shpjegon se si kaloi Shqipëria nga Lufta e Ftohtë, nga e cila Shqipëria ende ka pasoja, në kohën e re.

Studimi përpiqet të shpjegojë se si mbërritën shqiptarët deri këtu, a munden ta ndryshojmë këtë trajektore dhe si mund të jetojnë më mirë në këto rrethana.

Dr. Amy thotë se ky libër u drejtohet brezave të rinj në Shqipëri, që ata të mësojnë dhe të kuptojnë çfarë ka ndodhur në vendin e tyre, sepse vetëm kështu ata mund të përfytyrojnë të ardhmen e tyre.(Intervistoi:Ilirian Agolli- VOA)

Filed Under: Interviste Tagged With: dosjet sekrete dhe tranzicionin e Shqipërisë, Dr. Lori Amy, Ilirian Agolli, Interviste

Arkiv-Rugova në intervistë para 21 vitesh: POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE

September 25, 2015 by dgreca

-Rezistencë e organizuar për të mbijetuar dhe të shpëtohet substanca, masa njerëzore shqiptare në Kosovë/

-Në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë/

-Shtet me të gjitha garancitë për të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë, ku askush nuk do të trajtohet si minoritet/

Ne Foto:Dr. Ibrahim Rugova, keshilltari Xhemail Mustafa dhe Behlul Jashari, 22 shtator 1994, interviste per ATSH/

Nga Behlul Jashari/ 25 Shtator 2015/ “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova, dhe në intervistën që kam zhvilluar në shtatorin 1994 – intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për ATSH-në,  e vlerësonte Referendumin e 26 deri 30 shtatorit1991 “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova i përgjigjej: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”. “Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti i Kosovës. “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. Sipas Rugovës, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, theksonte ai. Në intervistën që e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, Rugova falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në, për informimin nga Kosova e për Kosovën. “Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, në intervistën në vitin 1994. Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ekskluzive për ATSH-në, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë. Presidenti Rugova theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. “Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. Presidenti Rugova besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. “Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë  është marrë në konsiderim, dhe po  shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej  Rugova para 21 viteve në intervistë për ATSH-në, ku parashikonte ngjarjet dhe zhvillimet që ishin si ëndërr, por që pasuan dhe u bënë realitet. Ibrahim Rugova, i lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, u shua në 21 janar 2006, në Prishtinë, ku me ardhjen e shumë personaliteteve “Bota nderoi” shkruante në kryetitull në ballinë  gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja në një botim të jashtëzakonshëm të posaçëm për lamtumirën e njeriut që bëri epokë.

Ashtu si u botua të hënen e 26 shtatorit 1994  në gazetën e përditshme të rezistencës në Kosovë, “Bujku”, intervista me Rugovën e plotë është kjo:

 

MBITITULLI: Intervistë e Presidentit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare

 

Titulli:POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE

—

NËNTITUJT: Bëjmë një rezistencë mjaft të organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes. – Në planin ndërkombëtar, ideja për mbrojtje ndërkombëtare të Kosovës shqyrtohet. – Shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptojnë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese. – Dialogu me serbët gjithsesi në prani të faktorit ndërkombëtar. – Ideja për lidhje konfederale të Kosovës me Shqipërinë u prit mirë në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. – Me hapjen e problemeve me Shqipërinë, Greqia dëshiron ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. – Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale është një akt që e afirmoi tutje çështjen dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës. – Shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion. – Zgjedhjet në LDK ishin shumë të suksesshme në planin e vazhdimësisë, unitetit e konsolidimit

—

Prishtinë, 25 shtator (ATSH)

Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në një intervistë që i dha Agjencisë Telegrafike Shqiptare, flet për shkallëzimin e represionit e të terrorit në Kosovë, për shmangien e konfliktit e mbrojtjen ndërkombëtare për Kosovën, tendencat greke për destabilizim të Ballkanit e në raport me Shqipërinë e shqiptarët, politikën globale shqiptare e për bashkëpunimin me Shqipërinë, idenë e lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë, zgjidhjen e çështjes shqiptare në të gjitha trojet etnike në ish-Jugosllavi, për zgjedhjet në LDK – partinë më të madhe shqiptare në Kosovë, dhe për çështje të tjera aktuale. Intervistoi: Behlul JASHARI. (Kjo është intervista e parë e një presidenti të Kosovës për ATSH-në)

 

PËRDITSHMËRI REPRESIVE QË NGRITË TENSIONET NË KOSOVË E NË RAJON

Zoti President, institucione e asociacione ndërkombëtare (si Amnesty International në raportin e fundit etj.) kanë shprehur brengosje e shqetësim për shkallëzim të përshpejtuar të represionit e të terrorit në Kosovë. Çfarë është situate shikuar nga afër, si përditshmëri e popullit të Kosovës?

-Në Kosovë qe sa vite e kemi një përditshmëri represive, represion sistematik, që shkallëzon apo përshpejtohet edhe me ngjarje të ndryshme, siç i kishim vrasjet edhe këta dy muajt e fundit dhe momente të tjera të rënda. Është një represion masiv në Kosovë, dhe, natyrish, i ngritë tensionet politike këtu dhe në rajon. Represioni veçmas është shprehur pas largimit të misionit të KSBE-së nga Kosova. Prandaj, kërkojmë praninë ndërkombëtare në Kosovë, e po ashtu kushtëzimin e sanksioneve kundër Serbisë e Malit të Zi edhe me Kosovën.

Institucione e asociacione ndërkombëtare e kanë të njohur çështjen e Kosovës, sidomos Amnesty International, e cila ndjek situatën, më duket, prej 81-shës, e këtej, sidomos këto vitet e fundit. Situata ndiqet po ashtu edhe nga Federata e Helsinkit nga Vjena, pasaj nga Helsinki Uaç i SHBA-ve dhe nga mjaft institucione të tjera ndërkombëtare. Ne përshëndesim çdo interesim dhe angazhim ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.

 

REZISTENCË E ORGANIZUAR PËR TË MBIJETUAR

Ka kohë që Kosova jeton midis një gjendje lufte të pashpallur dhe të një paqeje të paqenë. Në këtë front dhune, siç e quani ju, si u arrit, që, megjithatë, Kosova dhe shqiptarët t’i shmangen konfliktit të hapur dhe të jenë faktorë të krijimit të stabilitetit në rajon?

 

-Flitet se në Kosovë është një paqe e këtij apo atij lloji. Do të kisha thënë se, megjithatë, është më mirë që ekziston një gjendje e tillë sesa të ndodhte ajo më e keqja. Mundësinë e një konflikti kemi arritur ta evitojmë në saje të politikës që kemi ndjekur deri tash, rezistencës paqësore dhe të një rezistence politike, njëhohësisht në saje të popullit të Kosovës, i cili nuk i ka pranuar provokimet. Populli ka dhënë mjaft sakrifica deri tash, qoftë me maltretimin, me situatën represive, pastaj me vrasje të ndryshme. Mund të them se nuk është një rezistencë pasive, siç komentohet shpesh. Pra, është një rezistencë mjaft e organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes.

Po ashtu, situatën në Kosovë duhet ta shikojmë në bazë të situatës në të gjitha rajohet e ish-Jugosllavisë, sepse është një rajon i mbërthyer në luftë, me fronte të hapura në Bosnjë, në Kroaci, pastaj në Kosovë me një front të dhunës dhe të represionit. Pra, në këtë kontekst, Kosova ka kontribuar që të ruhet një lloj stabiliteti dhe të shpëtohet substanca, masa njerëzore shqiptare në Kosovë.

GREQIA NUK KA TË DREJTË

Tendenca të reja të destabilizimit të rajonit u shfaqën kohëve të fundit edhe nga ana e Greqisë. Si i vlerësoni këto tendenca në raport me Shqipërinë, po edhe me Kosovën e shqiptarët, përgjithësisht?

-Për fat të keq, Greqia qe një kohë paraqitet si faktor destabilizues në Ballkan, mund të themi mbas Serbisë. Prandaj, ne kemi kërkuar disa herë nga Greqia edhe si anëtare e Bashkësisë Evropiane të kontribuojë për marrëdhënie më të mira fqinjësore me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar në përgjithësi. Nëse këtë mund ta interpretojmë si një lidhje me Serbinë, qoftë direkte apo indirekte, mund të them se kjo bëhet me qëllim që të minimizohet çështja e Kosovës në planin ndërkombëtar. Sot çështja e Kosovës po depërton në këtë plan si çështje që don zgjidhje në bazë të vullnetit të popullit të Kosovës. Ndërsa, me hapjen e problemeve me Shqipërinë gjithsesi Greqia dëshiron, dhe një herë e them, ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe, mund të themi, t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. Mirëpo, Greqia nuk ka të drejtë. Kemi të bëjmë me një minoritet të vogël grek në Shqipëri, i cili, edhe më parë ka gëzuar një vistër të drejtash ashtu si të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ndërsa sot, pas ndryshimeve demokratike, gjithsesi janë më të avancuara ato të drejta dhe do të avancohen vazhdimisht siç e ka realizuar dhe e premton qeveria shqiptare dhe presidenti Berisha. Prandaj, i bëj edhe një apel Greqisë që më tutje të ndikojë në qetësimin e situatës në Ballkan.

 

PROTEKTORATI QË E KËRKOJMË NUK ËSHTË QËLLIM FINAL

Për shkak të situatës së rëndë në Kosovë dhe rreziqeve të përhapjes së konfliktit edhe në Jug, Ju keni kërkuar shumë herë mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën. Në ç’formë do të ishte e mundshme ajo mbrotje dhe çfarë është qëndrimi ndërkombëtar lidhur me këtë kërkesë?

-Ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptonë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese.

Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim. Po shtoj edhe me këtë rast se ka disa keqkuptime në opinionin kosovar. E, duhet ditur se protektorati apo administrata civile nuk është qëllim final, por është vetëm një mjet legal i së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara për të qetësuar një rajon apo një territor, siç është Kosova, që të gjendet një zgjidhje pa luftë dhe pa konflike. Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës.

 

BISEDIMET SHQIPTARO-SERBE GJITHËSESI NË PRANI TË PALËS SË TRETË

Krahas gatishmërisë së kahershme shqiptare, kohëve të fundit janë shtuar edhe insistimet ndërkombëtare për dialog midis Prishtinës e Beogradit. Çfarë janë mundësitë dhe gjasat e fillimit të këtij dialogu?

 

-Ne, qe sa kohë, jemi përcaktuar për bisedime, për dialog, për marrëveshje me Serbinë. Po, Serbia nuk ka treguar interesim. Ne u përpoqëm t’i shfrytëzojmë edhe institucionet ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, siç ishte Konferenca e Londrës, e Gjenevës, ku ekziston Grupi i veçantë punues për Kosovën. Biseduam për disa probleme konkrete, para dy vjetëve, siç janë arsimi, masmedia, shëndetësia, por nuk arritëm kurrëfarë rezultatesh.

Tash për tash flitet për mundësitë e një dialogu dhe për këtë falënderoi bashkësinë ndërkombëtare, vendet e Bashkësisë Evropiane dhe vendet e treta, si ato skandinave, Austrinë, etj. Pastaj, SHBA-të janë të interesuara që të fillojë ndonjë bisedim, ndonjë dialog. Deri tash zyrtarisht nuk kemi pasur indikacione nga pala serbe, por shpresoj se edhe ajo do të bindet një ditë dhe do të bisedojmë, të gjejmë zgjidhje, qoftë në kuadër të institucionit ndërkombëtar, siç është Konferenca e Gjenevës, apo ndonjë tjetër. Por, ne gjithësesi kërkojmë një palë të tretë të autorizuar për dialog. Kur them të autorizuar mendoj që ky grup apo bosht shtetesh që është aktualisht në Grupin Kontaktues për ish-Jugosllavinë, që është tash për tash i koncentrar në Bosnjë, SHBA-të, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, pra nga ky grup të gjendet një palë e autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do të udhëheqte dialogun. Dhe, ky nuk është ndonjë kusht nga pala shqiptare, siç e paraqet Serbia duke dashur ta eliminojë palën e tretë, por, kjo është më shumë teknikë e dialogut, e bisedimeve, dhe kurrgjë më shumë. Dhe, në këtë drejtim ne insistojmë.

 

 

PROJEKTI I LIDHJEVE KONFEDERALE TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË LEHTËSON ZGJIDHJEN

Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?

 

-Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.

Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.

 

POLITIKA GLOBALE SHQIPTARE PO REALIZOHET

Shpesh theksoni politikën globale shqiptare, çfarë është kjo politikë e realizuar në praktikë dhe në këto kushte të ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij?

 

-Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare edhe ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që i ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët, nuk po shkoj më tutje, pas vitit 1912, pastaj 1918, sidomos pas ’45-tës, pra për herë të parë bashkëpunojmë në planin politik. Dhe, natyrisht, në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë e kemi një vizion se çka duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se një politikë globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte. Për shembull, me politikë globale shqiptare mendojmë që sa më parë ky mur mes shqiptarëve të bjerë.

Po ashtu politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në planin ndërkombëtar. Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj brenda dhe jashtë e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët. Kjo gjithësesi është një bazë, një element që premton realizimin e aspiratave shqiptare në përgjithësi. Besoj, shumë gjëra janë dëshmuar deri tash. Dhe, kur të kryhen disa punë tash, që i kanë rënë brezit tonë, do të bëhet një politikë globale shqiptare edhe më e madhe, edhe më e frytshme.

 

DOKUMENT I UNITETIT E INTEGRIMIT SHQIPTAR

Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?

 

-Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken.

 

NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE DUHET TA FUSIM KOMPROMISIN

Si kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, çfarë qëndrimi mbani lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet e paralajmëruara në Maqedoni?

-Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare aprovon dokumentet kryesore dhe një strategji globale. Si kryetar i këtij Këshilli, që kam një përgjegjësi edhe si president i Kosovës, mendoj se shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion, përkundër atyre grindjeve të vogla që kanë ndodhur, që janë pak a shumë normale në proceset e zhvillimeve politike të një partie. Prandaj, gjithsesi duhet të zënë më shumë vende në Parlament, e pastaj le të përcaktohen ato mes partive apo grupeve të ndryshme politike. Ne duhet të fusim në jetën politike shqiptare kompromisin, ju lutem, jo vetëm marrëveshjen, jo vetëm marrëveshje të ngurta, fikse, insistime fikse. Patjetër duhet ta fusim kompromisin, sepse kompromisi është një prej elementëve të demokracisë.  Dhe, të lirohemi prej asaj që e kemi jetuar në një sistem, ku kompromisi është kualifikuar negativisht. Prandaj, sot na duhen kompromisi, marrëveshja, falja e gabimeve, etj. Të gjithë flasin, dhe shumë mirë që flasin, për një ide, për çështjen kombëtare, por çështja kombëtare është shumë praktike. Prandaj në situatat e pluralizmit, në situatat e marrëveshjeve, insistoj në një kompromis dhe shpresoj se partitë politike shqiptare në Maqedoni, edhe pse ka pak kohë, do të gjejnë forcë dhe mundësi që të dalin së bashku si një bllok në zgjedhjet në Maqedoni. Është me rëndësi në këtë moment të zënë sa më shumë vende në Parlamentin e Maqedonisë. Masa shqiptare atje ekzison dhe nuk bën t’a humbim përfaqësimin, të drejtën e përfaqësimit në Parlamentin e Maqedonisë.

Të mos harrojmë se pa marrë parasysh vështirësitë që i pati, Grupi parlamentar shqiptar gjatë kësaj periudhe katërvjeçare në Maqedoni ka arritur mjaft, e ka afirmuar çështjen, edhe në institucione ndërkombëtare, edhe në institucionet e asaj republike, edhe në institucionet shqiptare në përgjithësi, edhe në jetën politike shqiptare.

LDK-ja TREGOI UNITETIN QË I DUHET PATJETËR KOSOVËS NË KËTË SITUATË

Me zgjedhjen dhe konstituimin e Kryesisë së LDK-së, kësaj jave, praktikisht përfunduan zgjedhjet në partinë më të madhe dhe më me ndikim të shqiptarëve në Kosovë. Si i vlerësoni ato, si dhe tendencat për diskreditim të LDK-së e të partive të tjera shqiptare?

 

-Këto zgjedhje, edhe para një viti në planin lokal – nëpër degë e nëndegë të LDK-së, ishin mjaft pozitive. Pastaj patëm një vonesë për shkak të rrethanave në të cilat veprojmë, sepse nuk është lehtë sot që të mbash një tubim të madh siç ishte Kuvendi i LDK-së në këtë situatë kur është i ndaluar çdo tubim publik për shqiptarët. U mbajt Kuvendi dhe ai tregoi një unitet, një konsolidim.  Pastaj këto ditë edhe Kryesia e LDK-së u zgjodh. Këtë e shoh si një sukses të madh të zhvillimit të kësaj partie, e cila e ka edhe barrën e një pushteti në Kosovë. Pra, është një kryesi e vazhdimësisë, kryesi e konsolidimit, siç ndodh në çdo parti, dhe, edhe një herë tregoi se LDK-ja është një forcë dhe një fuqi e madhe, e organizuar dhe relevante në Kosovë dhe në botën shqiptare.  Nuk është më partia në fillimet e saj, tash vërehet një lloj profilizimi i kësaj partie, dhe këtë duhet ta shikojmë si një proces normal. Është vështirë të flasim sot për profilizim partiak në Kosovë, sepse në këto kushte të okupimit është shumë vështirë, edhe çdo parti, ndoshta edhe më e vogla, e ndien barrën e interesave kombëtare, të interesave shqiptare në përgjithësi. Por, si një organizim i madh LDK-ja, megjithatë, tregoi se është një parti e fortë, di çka don, forcohet nga brenda, është parti që afron njerëzit e vullnetit të mirë për të bërë diçka. Dhe, kjo përgënjeshtroi edhe mjaft spekulime të ndryshme që mundohen sot t’i mëvishen lëvizjes shqiptare në Kosovë, në radhë të parë LDK-së, pastaj partive të tjera politike, me diskualifikime se nuk janë demokratike, jo e majtë, jo e djathtë etj. Siç dihet, me të majtën rreth Kosovës është manipuluar shumë, me mijëra njerëz kanë pësuar për këtë. Të gjitha këto bëhen me qëllim. Për shembull, janë munduar ta shpallin LDK-në edhe si parti terroriste, e çka jo tjetër.

Përkundër të gjithave, edhe kësaj radhe u tregua një unitet, një koncenzus, një bashkim partiak, një unitet që i duhet patjetër Kosovës në këtë situatë. Dhe, besoj se kjo do të ndikojë pozitivisht në jetën politike shqiptare në Kosovë dhe në jetën politike shqiptare në përgjithësi.

 

VIZIONI I ARDHMËRISË SË SHTETIT TË KOSOVËS

Ju lutem për një koment për Deklaratën Politike që e miratoi Kuvendi i Dytë i LDK-së, veçmas për vizionin për të ardhmen e Kosovës?

-Deklarata Politike e Kuvendit të Dytë të LDK-së është një dokument në vazhdën e dokumenteve të tjera, që i kemi pasur, që nga Programi i LDK-së, pastaj Deklaratës së përbashkët të të gjitha partive politike shqiptare. Në këtë Kuvend dhe në deklaratën që e aprovoi u theksua më shumë organizimi i ardhshëm i shtetit të Kosovës, që e kemi edhe në Kushtetutën tonë – një shtet i popujve të barabartë, i qytetarëve, me një ekonomi të lirë të tregut, i hapur ndaj botës. Një shtet, ku nuk do të lejohet, pas kësaj situate që e kemi, revanshizmi ndaj të tjerëve. Shtet me të gjitha garancitë për të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë, ku askush nuk do të trajtohet si minoritet. Është kjo një ide, një projekt, që vërtetë hasi në mirëkuptim dhe në përkrahje. Sepse, në këtë situatë në Ballkan të flasë njeriu për një perspektivë kombëtare qytetare është shumë vështirë, kur, për fat të keq, qarkullon ajo fantazma e çmendive të ndryshme, të konfrontimeve në këtë kohë. Ky ishte edhe një rezultat i Kuvendit të Dytë të LDK-së, dhe, natyrisht, punojmë në këtë plan.

 

REFERENDUMET SHQIPTARE U RESPEKTUAN NË LONDËR

Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.

 

-Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.

 

INTEGRIMET SHQIPTARE EDHE NË INFORMIM

Zoti President, Ju falënderojmë për këtë intervistë.

-Faleminderit. Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri.

…

Shtëpia e shkrimtarëve, që ishte shndërruar edhe në seli Presidence e institucionesh tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të okupuar e të panjohur ndërkombëtarisht, mund të vëzhgohej edhe nga dritaret e ndërtesës kryesore të Policisë në Prishtinë, që atëherë ishte serbe pas suprimimit antikushtetues e të përgjakshëm me kushtetutën e tankeve të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje. Në zyrën e Presidentit Rugova, në atë shtëpi, intervistën e incizova me dy kasetofona, jo vetëm për siguri teknike, por edhe për siguri të tjera. Njërin nga incizimet ia lash këshilltarit të Presidentit Rugova, Xhemail Mustafa, për çdo rast, meqë ishte droja se kur të dilja nga ajo shtëpi, që mund të ishte edhe e përgjuar,  rrugës do më ndalonte policia serbe dhe do konfiskonte kasetofonët me intervistën.

Ishte kohë e ndalesave dhe e okupimit të egër dhe vështirë ishte të ruhen e shpëtohen gjërat me vlerë për shqiptarët e Kosovën.

Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me ATSH-në, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë.

Intervista me Rugovën, e realizuar në 22 shtator, e botuar në gazetën “Bujku” të Prishtinës në 26 shtator 1994, edhe në ATSH u dërgua me ndonjë ditë vonesë, me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë.

Raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 majit 1992, ku Rugova u zgjodh President i  Republikës, shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë.  Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit të ATSH-së në Kosovë.

Zgjedhjet pasonin Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Republikës dhe Referendumin për Pavarësinë e Kosovës.

Kosova që para 24 vitesh ka votuar 99,87 për qind për pavarësinë në Referendumin e shpallur nga Kuvendi i saj dhe të zhvilluar nga data 26 deri në 30 shtator 1991.

Referendumi për Pavarësinë, seancat e Kuvendit kosovar për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe për Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, si edhe zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992,  janë mbajtur në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci. Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime. Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese. Në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, si e vlerësoi atëherë Komisioni për mbajtjen e Referendumit, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.

Filed Under: Interviste Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Interviste, paar 21 vitesh

Histori Kombetare-DR. IBRAHIM TEMO, PATRIOTI SHQIPTAR NGA STRUGA, ME KONTRIBUTE BALLKANIKE

September 11, 2015 by dgreca

Intervistë me historianin Shpëtim Sala – president i Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, autor e botues i veprës bibliografike “Dr. Ibrahim Temo në Fondet e AQSH” (QMKSH. Tiranë, 2015)/
Pyetje:    -Zoti Shpëtim, vepra juaj bibliografike “Dr. Ibrahim Temoja në Fondet e AQSh” paraqet interes shkencor e publik. Cilat janë burimet arkivore e konceptimi libror?
 
Shpëtim SALA: Bibliografia ime “Dr. Ibrahim Temoja në Fondet e AQSh” ka përmbledhur në një libër të vetëm të gjitha dokumentet (letra, kartëpostale, telegrame, dorëshkrime, memorandume, fjalime, kanonizma, proklamata, litografi, kartëvizita etj.) që ka dërguar, ka marrë apo ka mbledhur dr. Temo, një prej veprimtarëve më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Fondi “Ibrahim Temo” (Fondi 19) është tejet i vëllimshëm dhe me shumë rëndësi për historinë shqiptare të Rilindjes si dhe të viteve para e pas Shpalljes së Pavarësisë.
            Materialet arkivore janë përshkruar në këtë libër duke dhënë një konceptim të shkurtër të tyre. Në fund, secilit zë, i janë cilësuar: numri i fondit, dosjes, sasia e faqeve; data, muaji, viti i hartimit të dokumentit; në rastin e korrespondencave data, muaji, viti i dërgimit dhe mbërritjes së letrave; gjuha në të cilën është shkruar dokumenti, në se është dorëshkrim apo shtypshkrim; kush e ka nisur letrën dhe kujt i drejtohet ajo.
 
            -Ju keni vite që merreni me figurën e dr. Ibrahim Temos, ndaj na shenjoni shkurtimisht jetën e tij?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo lindi në Strugë më 21 mars 1865e ndërroi jetë po aty më 2 gusht 1945 duke e varrosë në varrezat myslimane të Mexhidies. Amaneti i tij ishte që të prehej në Strugë ose në ndonjë tjetër qytet brenda kufijve shqiptar të afërt me Strugën. 
Të parët e fisit të dr. Ibrahim Temos u larguan nga Gurabardhi i Matit për në Nahijen e Strugës në vitin 1780, ku aty kaloi fëmijërinë dhe e përfundoi shkollën fillore. Në vitin 1884 shkoi për në Stamboll. Fillimisht u regjistrua në vitin e parë të shkollës së mesme mjekësore të Ahirkapisë, ndërsa në prill 1888 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të Gjylhanesë në Stamboll, ku mbaroi studimet në fundvitin 1892 dhe atje mbrojti tezën e diplomës të titulluar “Sëmundja e Tërbimit”, duke u diplomuar si Mjek Ushtarak. 
Sot, në nderim të tij, gjimnazi i qytetit të Strugës dhe shkolla fillore në Strimnicë (komuna e Zhelinës) mbajnë emrin “Ibrahim Temo”.  Në pllakën e mermerit në hyrje të shtëpisë dykatëshe të Dr. Ibrahim Temos që ndodhet pranë lumit Drin, në Strugë, lexojmë: “Në këtë shtëpi më 21 mars 1865 u lind Dr. Ibrahim Murat Temo (1865-1945) veprimtar dhe personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Strugë më 20 gusht 2005”.
 
-Dr. Ibrahim Temo me krijimin e në veprimtarimin e Shoqërisë “Bashkim Përparim” thuhet se pati kontribute kombëtare shqiptare dhe persekutime otomane.
 
– Shpëtim SALA: Sigurisht, dr. Ibrahim Temo është krijuesi i Shoqërisë së fshehtë “Bashkim dhe Përparim” (1889) programi i së cilës bazohej në parimet e Kushtetutës Osmane (1876), kishte për qëllim emancipimin e shoqërisë osmane, ishin  kundër absolutizmit të Sulltanit.
Në shoqatat e Turqve të Rinj bënin pjesë mjaft shqiptarë që kishin bashkërenduar veprimtarinë e tyre me atë të Turqve të Rinj me qëllim që të realizonin Autonominë e Shqipërisë. Ndër veprimtarët më të shquar shqiptarë kanë qenë dr. Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri, Jashar Erebara e të tjerë.
Dr. Ibrahim Temo pati persekutime otomane. Ai e përshkruan me saktësi arrestimin e tij në librin “Egitim amaçli taranmiştir”. Shoqëria “Bashkim dhe Përparim” vendosi të krijojë degët e saj në Ohër, Strugë dhe rrethina. Në verën e vitit 1889 dr. Ibrahim Temo vendosi t’i kalojë pushimet verore pranë familjes në qytetin e Strugës. Me të mbërritur aty, ai rekrutoi të rinj shqiptarë atdhetarë, të shkolluar, inteligjentë. Dr. Ibrahim Temo ndërmori një veprim mjaft të guximshëm, duke ja paraqitur me shkrim idetë e shoqërisë “Bashkim Përparim”, në një takim kokë më kokë Qamil beut, komandant i repartit rezervist të Ohërit, pasi mendonte, se ai do ta ndihmonte për themelimin e Shoqërisë “Bashkim dhe Përparim” në Ohër. Mirëpo, Qamil Beu jo vetëm që nuk pranoi të bashkëpunonte, por i tha dr. Ibrahim Temos, seishte kundërshtar dhe armik i Sulltanit. Në telegramin dërguar Stambollit, Qamil Beu shkroi për propozimin që i kishte bërë Dr. IbrahimTemos, ndaj një javë më vonë, u arrestua dhe e nisën për në Stamboll. 
 
-Dr. Ibrahim Temo, pas disa arrestimeve nga otomanët, u arratis nga Stambolli e shkoi në Rumani. Cila është veprimtaria e tij, atje?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo, mbas dy arestimeve të tjera, u arratis si marinar nga Stambolli me vaporin “Meteor” që kishte përkatësi rumune dhe mbërriti në Konstancë të Rumanisë më 1 tetor 1895. Pasi qëndroi për një kohë të shkurtër në Konstancë u drejtua për në Bukuresht, ku pati përkrahjen e Nikolla Naços. Ai përfundoi në Bukuresht një kurs njëvjeçar specializimi, ku mori titullin “Doktor i Medicinës”. Nga Bukureshti (dhjetor 1896) ai u vendos në Mexhidije (Dobruxhë) nja 30 km. larg nga Konstanca, ku u caktua mjek i bashkisë së atij qyteti.
Dr. Ibrahim Temo pati një kontribut të dyfishtë në drejtim të zhvillimeve politike e kulturore shqiptare dhe atyre të Perandorisë Osmane. Ai kontribuoi në shoqëritë e Xhemijetit sëbashku me veprimtarë të tjerë shqiptarë, duke menduar se emancipimi politik dhe shoqëror i Perandorisë Osmane do të sillte për Shqipërinë plotësimin e dy kërkesave të rëndësishme për ta: Autonominë dhe lirinë e mësimit të Gjuhës Shqipe.
 
-Në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dr. Ibrahim Temo ka një vend të nderuar, një piedestal të lartë, ndaj ju si studjues donim t’na i vinit në dukje disa nga atributet e kontributet e veprimtarisë së tij të shumanshme?
– Shpëtim SALA: Veprimtaria dhe kontributet e dr. Ibrahim Temos e evidentojnë atë si një nga atdhetarët më të spikatur shqiptar. Vetëm në vitin 1896 ai ka këmbyer një korrespondencë mjaft të dendur me atdhetarët shqiptarë si: Dervish Bej Elbasani, Dervish Hima, Faik Konica, Hamdi Bej Ohri, Jovan Kuneshka, Kristo Luarasi, Ligor Marko, Mehdi Frashëri, Mid’hat Frashëri, Shahin Kolonja, Sotir Koleja, Viskë Babatasi e të tjerë. Në korrespondencën e tij me atdhetarët shqiptarë flitet për situatën në Shqipëri, përpjekjet e tyre për pavarësi, botimet në gjuhën shqipe, futjen e tyre në Shqipëri, kryengritjet e armatosura në Shqipëri, për alfabetet që duheshin përdorur në shkrimin e gjuhës shqipe, hapjen e shkollave shqipe, etj.
Faik Konica e konsideronte dr. Ibrahim Temon si një atdhetar të vërtetë. Në vitin 1898 Faik Konica i propozonte atij të vihej në krye të Shoqërisë “Përlindja e Shqipënisë”.  Dr. Ibrahim Temo, një vit më vonë, më 1899, i drejtohej Dervish Himës “…të shkruante verëm për Shqipërinë, çlirimin dhe bashkimin kombëtar, për reformat në Shqipëri, përparimin e gjuhës së saj.”
Dr. Ibrahim Temo vu në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar dhe në shkrimet e tij ka trajtuar ngjarje të rëndësishme si Lidhjen e Pejës, Kuvendin e Dibrës, Kongresin e Manastirit, Kongresin e Elbasanit, etj., Ai ka shkruar dhe ka vënë në dukje çështje të rëndësishme që lidheshin me fatin e shqiptarëve, për figura të shquara të Rilindjes Kombëtare, ashtu siç nuk mungojnë dhe mendimet e tij për çështje të shëndetësisë, të gjuhës dhe arsimit shqip. 
Dr. Ibrahim Temo dha kontributin e tij në krijimin dhe veprimtarinë e klubeve patriotike shqiptare, në hapjen e shkollave shqipe, në mbështetjen e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe. Ai e konsideronte shtypin si një mjet të fuqishëm në zgjimin dhe ndërgjegjësimin e kombit shqiptar. Ai ka mbështetur kryengritjet e armatosura në Shqipëri si një nga mënyrat e zgjidhjes së kërkesave kryesore të shqiptarëve. Ai ka qenë mbështetës i autonomisë dhe pavarësisë së Shqipërisë
Më 9 gusht të vitit 1898 dr. Ibrahim Temo nënshkroi Memorandumin e Komitetit Shqiptar në Bukuresht drejtuar Sulltanit dhe shteteve evropiane me kërkesa për Autonominë e Shqipërisë. Memorandumi është nënshkruar edhe nga anëtarët e tjerë të komitetit, si: Mehmet Bej Frashëri, Jashar Erebara, Pandeli Evangjeli, Dervish Hima ,etj. 
 
-Si shpjegohet se shqiptarët dhe Ibrahim Temo nga promotorr të Lëvizjes së Turqve të Rinj u shkëputen prej tyre?
 
Shpëtim SALA: Lëvizja Nacional-Borgjeze e Turqve të Rinj lindi në vitet ‘80 të shek. XIX, e drejtuar së pari kundër absolutizmit dhe despotizmit të Sulltan Abdyl Hamid II. Ata, njëherash, ishin kundërshtarë të autonomisë së popujve të shtypur, nuk merrnin në konsideratë çështjet kombëtare si problemi themelor i Perandorisë shumëkombëshe Osmane. Ata synonin të forconin pushtetin otoman të centralizuar mbi këta popuj. Thelbin e programit të tyre e përbënte ruajtja e unitetit dhe tërësisë së Perandorisë Osmane, paprekshmëria e Dinastisë Osmane. Ata synonin që pushteti i saj arbitrar, absolutist, të shndërrohej në një Monarki Kushtetuese Parlamentare. Ideologjia e tyre nuk arriti të ngrihej në shkallën e mendimit nacional-borgjez më të përparuar të kohës, por vijoi të mbështetej në osmanizmin dhe panislamizmin.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare bazohej në luftën kundër absolutizmit të Sulltanit dhe për emancipimin e shoqërisë osmane. Kërkesat e parashtruara nga Turqit e Rinj përkonin me Programin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të popujve të tjerë të shtypur në Perandorinë Osmane, pasi shqiptarët me përmbysjen e rregjimit të Abdyl Hamid II synonin të siguronin fillimisht Autonominë e tyre dhe si program më të avancuar të fitonin Pavarësinë. 
Një pjesë e atdhetarëve shqiptarë si Ibrahim Temo, Dervish Hima e Hamdi Ohri u përfshinë mjaft herët në Lëvizjen e Turqve të Rinj duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në aktivitetin e tyre. 
Dr. Ibrahim Temo ka qenë një nga themeluesit e Komitetit të parë Xhonturk “Bashkim e Përparim” (1899) dhe mbeti një nga veprimtarët më të dalluar të Lëvizjes të Turqve të Rinj, njëherazi një nga pjesëmarrësit më aktivë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. 
Në Lëvizjen e Turqve të Rinj morën pjesë gjithashtu Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Hoxha Kadriu (Prishtina), Jashar Erebara etj. Në vitet 1896-1897, kur Shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk kishte ngritur ende organizatat e saj në Rumeli, falë ndihmesës së degës së Konstancës të kryesuar nga Dr. Ibrahim Temo dhe veprimtarëve të tjerë shqiptarë, ajo arriti të shtrinte ndikimin e vet në Shkodër, Durrës, Manastir, Ohër, Strugë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Korçë, Starovë, Berat, Janinë dhe në qendra të tjera. Në disa nga këto qytete ishin ngritur bërthama të Shoqërisë “Bashkim e Përparim”, 
Shqiptarët që morën pjesë në Lëvizjen e Turqve të Rinj u përpoqën të formonin në gjirin e kësaj lëvizjeje një krah demokratik dhe përparimtar. Duke qenë dhe përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare këta veprimtarë shqiptarë në një varg thirrjesh, traktesh, manifestesh, promemoriesh si dhe në artikujt e botuar në shtypin e Turqve të Rinj iu drejtuan turqve e shqiptarëve, gjatë viteve 1896-1905, me kërkesat për “njohjen e kombësisë shqiptare, çeljen e shkollave shqipe”, “bashkimin e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm”, madje “formimin e një Shqipërie autonome”. Këto kërkesa u kundërshtuan nga Ahmet Rizaj dhe krerët e tjerë të Lëvizjes të Turqve të Rinj, pasi i quanin ato të papranueshme për “kombin sundues (turk) që ishte në fuqi” dhe “për shtetin osman që kishte si gjuhë të përgjithshme dhe zyrtare atë osmane”.
Mosmarrëveshjet midis Shqiptarëve dhe Turqve të Rinj (xhonturqve) për  kërkesat mbi Autonominë e Shqipërisë ndodhën në periudhën kur midis tyre kontradiktat ishin ashpërsuar ndjeshëm. Turqit e Rinj pasi nuk mundën ta frenonin vërshimin e nacionalizmit shqiptar, tentuan të ndryshonin drejtimin e tij. Një nga synimet e tyre ishte përpjekja për të hedhur poshtë kërkesën e shqiptarëve për një alfabet latin. Ata synuan që germat latine të Alfabetit Kombëtar Shqiptar të zëvendësoheshin me germa arabe. Ata shpallën në të njëjtën kohë që shkronjat latine ishin shpikje e të huajve, objektivi i të cilëve ishte të devijonin myslimanët e mirë nga besimi i tyre, dhe që shkronjat arabe ishin të shenjta, etj. Por dhe kjo propagandë naive e tyre, dështoi me turp përpara bashkimit të përgjithshëm të popullsisë shqiptare, myslimane e të krishterë, të cilët nën sloganin kuptimplotë të Rilindjes sonë Kombëtare, “Feja e shqyptarit ashtë shyptaria”, kishin sheshuar çdo ndarje fetare midis tyre. 
Dr. Ibrahim Temo filloi të distancohet nga Turqit e Rinj që nga viti 1902 kur nuk pranoi të merrte pjesë në kongresit e organizuar nga turqit e rinj në Paris. 
Në Kongresin Xhonturk të Parisit (4 – 9 shkurt 1902) morën pjesë përveç turqve edhe armenët, maqedonasit, arabët, shqiptarët (Ismail Qemali, Dervish Hima, Jashar Erebara, Hoxha Kadriu, Hamdi Bej Ohri) etj. Shqiptarët, midis të cilëve u shqua Ismail Qemali, kërkuan që t’u njiheshin atyre dhe kombësive të tjera joturke liria e gjuhës dhe e shkollës amtare, si edhe të drejtat e tjera politike. Ismail Qemali theksoi gjithashtu nevojën e përgatitjes së kryengritjes kundër absolutizmit të Sulltanit, ku të merrnin pjesë edhe forcat ushtarake dhe ishte për përdorimin e dhunës, rryma të tjera në kongres, ishin për një politikë paqësore. 
Pas këtij Kongresi të Parisit dr. Ibrahim Temo botoi disa artikuj në gazetat e tyre (498), ku demaskonte atë pjesë të platformës ku prekeshin aspiratat për të cilat luftonte populli shqiptar.
Në rrethanat, kur Shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk deshi t’u njihte popujve jo turq asnjë të drejtë kombëtare, shqiptarët u rezervuan në raportet e tyre me Lëvizjen e Turqve të Rinj. Sikurse dëshmon edhe shtypi i kohës (“Shqipëria”, Bukuresht, 1897-1899; “Drita”, Sofje, 1901-1908; “Shkopi”, Kajro, 1907-1908; “Kombi”, Boston, 1906-1908 etj.), shumica e qarqeve atdhetare shqiptare e shihnin me mosbesim Lëvizjen e Turqve të Rinj. 
 
-Cili ishte pozicioni i Ibrahim Temos ndaj Kongresit të Dibrës?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo me rastin e mbledhjes së Kongresit Kushtetues Shqiptaro-Osman (Kuvendi i Dibrës, 23 – 29 korrik 1909) i dërgonte parisë një letër, ku ai iu kërkonte atyre pozicionimin e tyre të qartë ndaj Turqve të Rinj dhe i këshillonte organizatorët të mos u besonin dhe të mos bashkëpunonin me ta.
Ai iu propozonte organizatorëve të Kongresit që të bëheshin disa ndryshime në protokollin e mbledhjes. 
 
-Cili është kontributi i Ibrahim Temos në Shpalljes e Pavarësisë, në qverisjen e Princ Vidit, në Konferencën e Paqes në Paris?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo luftoi dekada të tëra, sëbashku me atdhetarë të tjerë shqiptarë për të aritur në ditën e Shpalljes së Pavarësisë.  
Në tetor të vitit 1912 ai ka qenë në krye të një grupi shqiptarësh në organizimin e pritjes që ju bë Ismail Qemalit në Konstancë, dhe e shoqëroi për në Bukuresht, ku u prit më 20 tetor të vitit 1912 nga një grup i madh shqiptarësh të kolonisë të këtij qyteti.
Nga Ohri dhe Struga në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë morën pjesë: Zyhdi Bej Ohri, Dr. Myrtezai dhe Nuri Efendi Sojliu, ndërsa dr. Ibrahim Temo nuk pati mundësi të ishte pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Në këtë ngjarje të shënuar mori pjesë vëllai i tij Nuri Sojliu. një nga përfaqësuesit e Strugës në këtë ngjatje të shënuar, një nga firmëtarët në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.
Dr. Ibrahim Temo mbërriti në Durrës në fund të majit 1914, i dërguar nga Qeveria Rumune, në krye të një grupi sanitar të Kryqit të Kuq të Rumanisë. Ai u emërua në qeverinë e Princ Vidit, drejtor i përkohshëm (provizor) i shëndetësisë. Dr. Ibrahim Temo sëbashku me ekipin e tij dha një kontribut të vlefshëm për luftimin e sëmundjeve infektive dhe në veçanti të malarjes. Dr. Ibrahim Temo, sëbashku me Dr. Halit Bej Bërzhezhdën, kishin hartuar përpara vitit 1909 një projekt në të cilin ka bërë plotësime edhe Jashar Erebara, dhe me anën e të cilit synonin zhvillimin e shëndetësisë në Shqipëri. Me gjithë përpjekjet e tyre Projekti nuk arriti të realizohej për shkak të mungesave financiare dhe kohës së shkurtër të qeverisjes të Princ Vidit në Shqipëri.
Dr. Ibrahim Temo në bashkëpunim me Asdrenin hartuan një raport prej 10 faqesh, të cilin ja dorëzuan Qeverisë Rumune. Në raport pasqyrohej gjendja në Shqipëri, si dhe aprovimin për mënyrën e qeverisjes së Princ Vidit. Raporti duhet të jetë hartuar në fillim të muajit gusht të vitit 1914
Me largimin e princ Vidit nga Shqipëria iku dhe dr. Ibrahim Temo e u vendos sërisht në Konstancë.
Dr. Ibrahim Temos ju dha Akti i Përfaqësimit për në Konferencën e Paqes në Paris nga Kolonia Shqiptare në Rumani. Ai e kryesoi delegacionin e kësaj diaspore. Ai ishte një ndër antarët aktiv të kësaj Konference dhe u vu në mbrojtje të të drejtave legjitime të popullit shqiptar. Sëbashku me dr. Ibrahim Temon, si përfaqësues të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, ishin dhe atdhetarët e shquar: Dhimitër Berati e Pandeli Evangjeli. Më 4 maj 1919 dr. Ibrahim Temo dhe Pandeli Evangjeli i dërguan në emër të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë një Memorandum Presidentit Willson, ku theksohej se Populli Shqiptar ka të gjitha të drejtat për të patur shtetin e tij të pavarur.
 
-Cili ishtë këndbështrimi e qëndrimet e dr. Ibrahim Temos në marrëdhëniet e shqiptarëve me maqedonasit?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo ka trajtuar gjerësisht marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. Në dokumentet që ndodhen në Fondin “Ibrahim Temo” (333, 509, 521, 1007, 1044) materialet dokumentare dëshmojnë kontributin e Dr. Ibrahim Temos në zgjidhjen e çështjes Maqedonase (498, 558). 
Dr. Ibrahim Temo ka shkruar disa artikuj mbi problemin maqedonas, mbi qëndrimin e Rusisë, Gjermanisë, Italisë, Serbisë ndaj këtij problemi. Intelektualët shqiptarë dhe maqedonas u organizuan në shoqëri të përbashkëta me qëllim bashkërendimin e veprimtarisë për të realizuar të drejtat e tyre kombëtare. Një nga shoqëritë e përbashkëta ishte ajo “Shqiptaro-Maqedonase”, e cila u krijua në Vjenë në fillim të vitit 1912. Në programin e shoqërisë kërkohej të luftohej shovinizmi e nacionalizmi kombëtare e spekulativ. Të respektoheshin kishat e xhamitë, shkollat në gjuhën amtare etj.
Dr. Ibrahim Temo dhe atdhetarët shqiptarë kontribuuan në krijimin e shoqërive të përbashkëta shqiptaro-maqedonase në Bullgari, Maqedoni, Austri etj. Qëllimi kryesor  i tyre ishte lufta kundër pushtimit turk.
Shqiptarët i kanë marrë pjesë dhe i kanë ndihmuar maqedonasit në Kryengritjen e Ilindenit (1902). Nga ana e tyre, në vitin 1902 komitët maqedonas zunë rob në Maqedoni amerikanen Miss Stone të shoqëruar nga shqiptarja Katerina Cilka. Ata i zunë dhe i trajtuan ato si skllave dhe për t’i liruar ato komitët maqedonas kërkuan 30.000 lira turke (150.000 dollarë). Me grabitje dhe me dhunimin e grave zinte fill Kryengritja e Ilindenit. Qëllimi kryesor i komitëve maqedonas në këtë rast nuk ishte vetëm sigurimi i një sasie të madhe parash, por edhe pengimi i veprimtarisë së Shoqërisë Biblike në botimet dhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.
Dr. Ibrahim Temo përshëndeste bashkëpunimin e shqiptarëve me maqedonasit në luftën e përbashkët kundra turqve. Ai u ftua në një konferencën që do të organizohej më 30 mars 1903 në Paris, me titullin “Maqedonia dhe Shqipëria”, traditat, zakonet dhe pavarësia e tyre.
Drejtuesit e Lëvizjes Maqedonase në vitet e luftës së përbashkët kundër sundimit osman nuk kanë qenë të sinqertë me shqiptarët. Por kjo është një temë mjaft e gjerë për t’u parashtruar në kuadrin e një interviste tematike.
 
 
-Ju, si studjues e botues i kësaj bibliografie për dr. Ibrahim Tema, mund të na thoni se cilat janë ndër vite veprat e tij letrare, dokumentare e ato shkencore për mjekësinë ?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo botoi në shtypin e Xhemijetit dhe në shtypin shqiptar mjaft artikuj në të cilët përfshihen analiza mbi zhvillimet në Shqipëri, Maqedoni, Bullgari, Rumani e në veçanti në Perandorinë Osmane. 
Dr. Ibrahim Temo botoi dy libra, atë me kujtime për jetën e Ataturkut dhe, tjetrin – për krijimin e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Librin me titull  “Atatürkü niçin severim” (Pse e dua Ataturkun) më 1937 në Konstancë librin “Itihad ve Teraki Cemiyetinim te sekkübü” (Formimi i shoqërisë “Bashkim Përparim”) më 1939.
Gjatë periudhës që vijonte studimet për shkencat mjekësore dr. Ibrahim Temo botoi: “Aile Tabibi” (“Mjeku i Shtëpisë”) me 300 faqe, në 1. 000 kopje, Stamboll, 1894 dhe “Tegadi ve devam-i hayat”. (“Ushqimi dhe zgjatja e jetës”). Në përfundim të studimeve të larta për mjekësi mbrojti tezën e diplomës me temën: “Kudus hastaligi daulkelb” (“Sëmundjen e Tërbimit”) dhe “Tababet-i oval ve Hijz-i sihha (“Medicina popullore dhe mbajtja e shëndetit”), Mexhidije, 1914, (botuar me alfabet arab)
 
-Së fundit, si është vlerësuar figura e Ibrahim Temos nga studiuesit shqiptar e të huaj?
 
Shpëtim SALA: Personaliteti e veprimtaria politike dhe shoqërore e Dr. Ibrahim Temos është vlerësuar nga mjaft historianë shqiptarë e të huaj. 
Faik Konica, bashkëkohës i tij, deklaronte se: Dr. Ibrahim Temo e ka zemrën më shqiptare se vetë Faiku, dhe se shkruan shqip më mirë se vetë ai.
Sigurisht, janë të shumtë historianët shqiptarë dhe të huaj që e kanë vlerësuar veprimtarinë e dr. Ibrahim Temos, si: Kristaq Prifti, Stavro Skëndi, Hasan Kaleshi, Josef Hammer, Karl Sushein, Enver Pasha e të tjerë.
Dr. Ibrahim Temo mbetet një nga figurat atdhetare shqiptare me përmasa e kontribute ballkanike, pasi diti të bashkërendojë veprimtarinë e tij në shërbim të Çështjes Kombëtare Shqiptare me ato të popujve ballkanikë. Ai është dhe përfaqësues i kontributit që shqiptarët e Strugës dhanë për Çështjen Kombëtare Shqiptare. 
Dr. Ibrahim Temo është një nga figurat e shquara të kombit shqiptar, për të cilin e ardhmja ka për të fol më shumë e më mirë se e deristotmja.

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr. Ibrahim Temo, historiani Shpetim Sala, Interviste, Ramiz Lushaj

THIRRJA NË FILOZOFINË E PRESIDENTIT RUGOVA ËSHTË ZËRI DHE VEPRIMI QË PËHERË DUHET TË MBES GJALLË

July 27, 2015 by dgreca

Intervistë me Anton Kolajn, veprimtar i çështjes kombëtare dhe ish- nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës/
Intervistoi per Gazeten “DIELLI”: Mikel GOJANI/
Biseda me z. Anton Kolaj, ka shumë motivacione. Profesor Anton Kolaj, është një emër i njohur i angazhimit dhe veprimit politik dhe kombëtar në Kosovë. Ishte njëri nga veprimtarët e hershëm të kauzës kombëtare. Për veprimtari politike dhe kombëtare më 1989 është arrestuar dhe burgosur, ku burgjet i ka vuajtur në Leskovc të Serbisë, Beograd dhe Pejë. Ishte themelues i Degës se LDK-s në Klinë dhe me vone, për shumë vite, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Njëri nga bashkëpunëtorët e dr. Ibrahim Rugovës, konceptit politik dhe filozofik të tij i mbetet akoma besnik. Me z. Kolaj, përmes kësaj interviste shpalosëm shumë gjera të rëndësishme dhe tematike.
“DIELLI”: Z. Kolaj, jeni një emër mjaft i njohur i jetës politike dhe kombëtare, për të qenë edhe më afër lexuesve konsiderojmë që është e dobishme të na prezantoni një biografi tuajën.
• Anton Kolaj: Jam i lindur më 3.10.1953, në fshatin Zllakuqan të Komunës së Klinës. Shkollimin fillor kam kryer në vendlindje, shkollën e mesme, gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë, ndërsa studimet kam përfunduar gjatë viteve 1973-1977 në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës, Dega Filozofi –Sociologji. Jam i martuar me Drita Palushajn nga Klina, baba i pesë fëmijëve: Albani, Artani, Blerta, Besa dhe Gjini. Prej muaj shtator 1977 deri më 1989 kam punuar mësimdhënës për lëndët filozofi, sociologji dhe psikologji, në Gjimnazin” Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe Kijevë (i larguar me dhunë nga regjmi serb nga procesi i punës për aktivitet dhe bindje politike në kauzën e mbrojtjes dhe të afirmimit të të drejtave kombëtare dhe njerëzore). Prej muajit mars deri muajin qershor të vitit 1989 isha i arrestuar në të ashtuquajturin proces të izolimit të rreth 250 intelektualëve shqiptarë të Kosovës. Prej muajit dhjetor 1989 deri në muajin maj 1990 kam punuar si sociolog i punës në NNIT“Mirusha“ në Klinë, mirëpo prapë i përjashtuar nga puna nga ana e regjimit serb, si i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm për sistemin kushtetues serbo- jugosllav. Me aktivitet politik jam marrë qysh herët, si pjesëmarrës aktiv në demonstratat e viteve të 81-ta në Kosovë dhe zhvillimeve të mëvonshme lidhur me to; iniciator dhe bashkëthemelues i Degës se LDK-s ne Kline, kryetar i parë i Degës së LDK-së në Klinë, iniciator dhe bashkëthemelues i Këshillit për pajtimin e gjaqeve për Komunën e Klinës; anëtar i Kryesisë (korrik 1990) dhe më vone nënkryetar i LDK-së i zgjedhur në Kuvendin e parë zgjedhor të LDK-së (5 maj 1991); Co-Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës (1991-94); Deputet ne Parlamentin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 24 majit 1992; në Zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 kandidat për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-s. (merr rreth 5000 vota, kandidati më i votuar në Klinë). Nga janari 1995, gjendem me familje ne Gjermani.
“DIELLI”: Në angazhimet politike dhe kombëtare jeni kyçur qysh herët. Çfarë keni mundësi të na flisni për këto angazhime tuaja shumë të hershme dhe me interes dimensional?
• Anton Kolaj: Pyetja është shumë sfiduese. Nuk me vjen lehtë të përgjigjem në këtë pyetje, sidomos kur njeriu duhet të flas për vetveten. Unë, si shumë bashkëkombës të mi, kemi pasur fatin që të jetojmë dhe veprojmë në kohë kthesash të mëdha historike. Vitet e shtatëdhjeta i kujtoj si vite të një fryme më të lirë, në rrafshin nacional. Pas shumë përpjekjeve dhe vuajtjeve, populli shqiptar fitoi disa liri të cilat u sanksionuan edhe në Kushtetutën e vitit 1974. Megjithatë, shqiptarët, edhe me këtë kushtetutë, nuk ishin te barabarte me të tjerat entitete në ish-Jugosllavi.
Klina, nga vij unë, në këto vite u bë me gjimnaz. Unë i takoja gjeneratës së parë të gjimnazit. Dashuria për shkollim u bë e madhe. Kjo, fale edhe angazhimit të mësimdhënësve, vullnetit të prindërve dhe të nxënësve. Por, në këtë rrafsh duhet veçuar një figurë tepër të rëndësishme, e cila dha një kontribut të madh në përhapjen e arsimit shqip. Ky ishte drejtori parë i gjimnazit “ Luigj Gurakuqi” në Klinë, i nderuari prof. Frrok Gojani.
Për opinionin e gjerë, duhet thënë se gjer në ato vite, në jetën politike, arsimore dhe kulturore në Klinë e dominonte elementi serb. Tani gradualisht ky dominim i padrejtë, po ndryshohej. Kthesat po bëheshin, por jo pa vështirësi. Në Kline gjimnazi u bë vatër e dijes dhe rezistencës, si shumë qendra tjera në Kosovë. Si rezultat i këtij hovi zhvillimor që po bënte Kosova, në njërën ane dhe pengesave e sanksioneve që i bënte pushteti i asaj kohe, plasën demonstratat e 1981-ës. Kjo ishte një periudhe me shume sfida dhe kthesa të shpejta.
Shovinizmi serb, dhe jo vetëm ai, bënte çmos për t’ua marrë shqiptarëve ato të drejta që u garantoheshin me Kushtetutën e vitit 1974. Këto dallgë lirie dhe të drejtash, fuqizoheshin çdo ditë, dhe shumë shpejt u pa se kornizat e Kushtetutës së 1974 –ës ishin të ngushta për shqiptarët. Në këto vite isha mësimdhënës në gjimnazin „Luigj Gurakuqi“ në Kijevë. Për shkak të qëndrimit dhe rezistencës që behej nga disa mësimdhënës dhe nxënës dhe synimit dhe sulmit që bënte politika e atëhershme zyrtare e Jugosllavisë kundër shkollave dhe institucioneve tjera në Kosovë, kjo shkollë, shihej si halë në sy, si për politikën komunale klinase, po ashtu edhe për atë krahinore dhe qendrore.
Personalisht, por edhe shume kolegë të mi të nderuar, që jepnin mësim aty, me paraqitjet tona dhe qëndrimet shumë të forta kombëtare dhe profesionale, kontribuuam, së bashku me nxënës dhe prindër, që ideja e Kosovës Republikë të mos trajtohet dhe pranohet si ide kontrarevolucionare! Përkundrazi, janë të njohura angazhimet tona teorike dhe praktike rreth afirmimit dhe avancimit të idesë për Republikën e Kosovës. Për punën time dhe të disa kolegëve të mi të respektuar të kësaj periode, duhet pyetur nxënësit tanë. Ata ishin rrugëtarët dhe implementuesit më të denje të angazhimeve tona.
Më vonë, nga Kijeva, diku në vitin 1983/84, kalova në gjimnazin „Luigj Gurakuqi“ në Klinë.
Klina ishte një mes shumë interesant për pushtetin jugosllav, e posaçërisht për nacionalistët serb, të cilët nuk ishin bukur pak në numër.
Kishte ide që në Klinë, duke pasur parasysh përbërjen konfesionale të popullsisë shqiptare, të eksperimentohet me konflikte mbi këtë bazë. Dhe gjimnazi shihej si institucion shumë i përshtatshëm për këto qëllime. Në disa klasë nxënësit uleshin të ndarë. Kjo më ra në sy posa erdha nga Kijeva në Klinë dhe në biseda, së pari, me disa kolegë me të cilët na lidhnin mendimet dhe pikëpamjet, biseduam dhe filluam një aktivitet sqarues. Personalisht, mendoja se ky veprim i nxënësve shqiptarë nuk vinte nga bindja fetare, por ishte më tepër karakter regjional, d.m.th. nxënësit uleshin spontanisht, varësisht se nga cilat shkolla vinin. Por, kishte përpjekje që kjo situatë të keqpërdorët. Arsimtarë serbë, shovinistë të përbetuar, përpiqeshin të keqpërdorin këtë situatë. Dorën në zemër, unë, por edhe disa kolegë të nderuar, ishim shumë të hapur në biseda me nxënësit në këtë drejtim. Gjimnazi i Klinës, përpos funksionit primar që kishte në ofrimin e arsimit dhe të dijes, u bë një vatër e rezistencës intelektuale dhe politike kundër shovinizmit serb.
Shovinistët serbë i tmerronte kjo qendër arsimore dhe fryma që zhvillohej në të. Ata sulmuan fillimisht emrin e gjimnazit, me pastaj sulmuan dhe burgosen nxënës dhe profesorë, por për asnjë çast nuk arritën synimin e tyre. Ky gjimnaz, si dhe te tjerët gjithandej Kosovës i dha shumë kuadro të fushave të ndryshme dha së fundmi edhe shumë luftëtarë të lirisë.
Le të më lejohet, për lexuesit më të rinj të sjell diç nga e fryma antishqiptare që dominonte në vitet ‘80-ta dhe të 90-ta të shekullit të kaluar. Në Fushë – Kosovë në fundvitet e tetëdhjeta dhe fillim të nëntëdhjetave, vepronte Shoqata famëkeqe antishqiptare „Bozhur“, që për platformë politike dhe strategjike kishte idetë shoviniste antishqiptare çubriloviqiane. Përpos tjerash në ato vite, ata lansuan propagandën se gjoja shqiptarët e besimit katolik, po kërkojnë ndihme tek serbët, se janë të terrorizuar nga shqiptarët e besimit mysliman! Unë, atëherë pata një shkrim që u botua në të përditshmen “Rilindja”, ku me argumente demantova këtë politikë antishqiptare. Shkrimin e përfundova me konstatimin se “ne , shqiptarët jemi vëllezër dhe se 99 fije na bashkojnë dhe vetëm një na veçon!” Ky shkrim u prit shumë mirë nga nxënësit e mi, nga qytetarët shqiptarë, jo vetëm të Klinës, por edhe anë e kënd Kosovës dhe më gjerë. Por ky shkrim mbeti i pafalshëm për regjimin serb, i cili, gjatë qëndrimit tim në burg, përpos „mëkateve” tjera ma numëruan edhe këtë “mëkat!”
Kur sot lexoj dhe shikoj disa paraqitje dhe veprime devijante në Kosovë, të cilat përpiqen të fusin ndarje dhe urrejtje ndërfetare ndër shqiptarë, nuk më mbetët tjetër gjë vetëm të klith gjer në kupë të qiellit dhe të them: “Këto ide nuk janë të panjohura për ne! Këto janë “Made in Serbia!” Shqiptarë ruhuni nga këto ide dhe këto veprime!
“DIELLI”: Në vitet e ’90-ta ishit nënkryetar i LDK-së. LDK-ja ishte forca e parë politike në Ballkan e cila sfidoi ideologjinë komuniste. Çfarë mund të shtoni për ato vite të themelimit, punës dhe angazhimit të LDK-së, në krye me strategun dhe vizionarin, dr. Ibrahim Rugova?
Anton Kolaj: Siç dihet LDK-ja u formua më 23 dhjetor 1989. Nëse i hedhim një sy ngjarjeve nëpër të cilat kalonin shqiptarët nën Jugosllavi, mund të konstatohet se ishin shterur të gjitha mundësitë, që në kuadër të sistemit ekzistues politik jugosllav, të avancohen dhe të mbrohen më tej të drejtat e shqiptarëve në Kosove dhe vise tjera shqiptare në Jugosllavi! Në anën tjetër, as aktivitetet e grupimeve ilegale shqiptare, qofshin brenda, qofshin jashtë, nuk mundnin, për arsye objektive dhe subjektive, të bënin diç më serioze në afirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve!
Në Ballkan po frynte një erë e re, ajo e pluralizmit. Jugosllavia po vlonte nga brenda. Shumë Republika jugosllave nuk dëshironin më të jetojnë në një shtet të tillë, ku primatin e kishin serbët. Në planin ndërkombëtar, pas lodhjes dhe shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, pas rënies së Murit të Berlinit, e ndryshimeve tjera në rajon, u krijuan kushtet që edhe shqiptarët e Kosovës, me veprime tjera, të ndërmarrin hapa që ishin kompatibel me situatat e krijuara.
Formimi i LDK-s si një vullnet dhe synim i elitës intelektuale shqiptare të Kosovës, u bë shpejt ajo kthesa e madhe historike për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë. Ndikimi i LDK-së dhe i frymës kombëtare dhe politike që rrezaton ajo, ndikoi shumë tek shqiptarët, si në Maqedoni, Mal të Zi Kosove Lindore dhe Diasporë.
Fryma bashkëpunuese, komunikimi i urtë dhe tolerant e gjithëpërfshirës, ngadalë, por suksesshëm, po vendoste themelet e një organizimi të ri ndërshqiptar. Filluan te instalohen vlerat e një forme të re organizimi politik, dhe pa pasoja e turbulenca, pa vëllavrasje e konflikte, dita – ditës, po shkatërrohej sistemi politik i LKJ dhe po ngushtohej hapësira e ndikimit të tij në jetën e shqiptarëve.
Kështu e parë, LDK-ja përkrah synimit social-politik dhe kombëtar, shumë shpejt u shndërrua në një lëvizje gjithëkombëtare. Në ato vite, krijohej përshtypja, më të drejtë se Prishtina ishte bërë qendër e botës shqiptare!
Shtëpia e vogël e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku gjendej selia e LDK-se dhe ku punonte Presidenti Rugova me bashkëpunëtorët e tij, u bë një shtëpi – kala, që rrezatonte vizion, paqe, urtësi, demokraci, qëndresë dhe apel për liri!
LDK-ja në atë kohë ishte forca kohezive e të gjithë shqiptarëve dhe adresë e respektuar për ndërkombëtarët. Nga aty Presidenti Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, punuan, vepruan dhe menaxhuan tërë jetën politike, sociale, kulturore dhe shtetërore.
Për hir të së vërtetës historike duhet theksuar se të gjithë akterët e jetës politike në Kosovë, në ato vite, më pak përjashtime, tregonin një angazhim dhe sakrificë të jashtëzakonshme për kauzën kombëtare. Kjo mënyrë e punës u reflektua edhe në masat e gjera, gjithandej Kosovës. Tanimë dihet se në çdo lagje, fshat apo qytet, tregohej një vetëdisiplinë, vetëmohim, sakrificë dhe solidaritet për të qëndruar, për të punuar dhe për të realizuar synimet për liri kombëtare!
LDK-ja në këto vite, në bashkëpunim me të gjithë subjektet tjerë politikë e jo politik të shqiptareve, si partitë politike, sindikatat, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, bashkësitë fetare etj., koordinonin veprimet të cilat synonin formimin e shtetit të Kosovës dhe çlirimin e saj nga okupatori serb.
“DIELLI”: A kishte ne atë kohe vështirësi dhe mospajtime ndër shqiptarë
Anton Kolaj: Gjithsesi, nuk duhet kuptuar se në atë kohë ndër shqiptarët nuk kishte mospajtime. Po. Kishte mendime tjera, njerëz të pakënaqur, të tillë që nuk e kishin kuptuar ende demokracinë, që nuk e kuptonin drejt rendin e ri ndërkombëtare, nostalgjik të përkatësive dhe simpative të kaluara politike, qofshin ndaj sistemit politik të Enver Hoxhës, apo edhe të tillë që kishin një dhembshuri për të kaluarën e tyre komode në Jugosllavinë e Titos! Kishte edhe asi që politikisht i takonin organizimeve të vjetra djathtiste, si Balli Kombëtar etj.
Pra, siç shihej duhej punuar dhe vepruar me një kulturë të lartë të tolerancës dhe mirëkuptimit. Në këtë drejtim, kultura komunikuese e Presidentit Rugova (ai nuk fyente dhe nuk anatemonte askënd), u bë segment i rëndësishëm i LDK-së, madje shenjë që këtë subjekt e dallonte nga subjektet tjera në Kosovë.
Punohej me një përkushtim të lartë dhe ajo që quhet aktivizim i resurseve dhe potencialeve, ishte bërë preokupim i LDK-së. Kështu, ruhej një kohezion kombëtar dhe çdo ditë pushtoheshin hapësira të pa shfrytëzuara që dërgonin kah shtetndërtimi.
Ajo që latinët e vjetër thonin „ Ec ngadalë që të arrish më shpejt në cak“, u tregua, së pakut për ato vite gjer në prag të luftës, si e suksesshme!
“DIELLI:” Koncepti politik, filozofik dhe humanist i LDK-së në atë kohë ishte një koncept mbi platformën e së çiles dominonte opsioni paqësor. Me këtë politikë, tepër racionale për kohën, u ndërtuan dhe funksionuan shumë segmente të jetës, po ashtu njëherësh u vunë edhe themelet e shtetësisë së republikës së Kosovës. LDK-ja ishte bartëse e gjitha këtyre veprimtarive dhe këtyre organizimeve që jeta shqiptare në atë kohë nën okupimin serb i kërkonte këto organizime, çfarë mund t’u shtoni këtyre konstatimeve?
Anton Kolaj: Rreth kësaj pyetje, gjer më sot, ka pasur mendime të ndryshme. Disa, atë rrugë e glorifikojnë dhe përpiqen ta paraqesin si një “lutje kishtare!” Të tjerët duan ta shohin si një rrugë ose opsion të „qulltë“ që nuk dërgon askund!
Nëse „kandari“ më i mirë i matjes së diçkahit është praktika, atëherë me plot gojën mund të thuhet se filozofia politike e LDK-s, në ato vite ishte një filozofi politike, shumë aktive në rrugën e shtetndërtimit dhe lirisë kombëtare.
Nihilistet e kësaj rruge, apo të këtij opsioni, janë viktima të miopisë politiko- intelektuale dhe të përvojave historike, posaçërisht të atyre në Ballkan.
Si njëri prej bashkëpunëtorëve të Presidentit Rugova, në ato vite, mund të them se LDK-ja ishte një Lëvizje për çlirim dhe shtetformim. Në këtë aspekt, rezistenca, organizimi i segmenteve shtetërore, në tërësinë e tyre, ngritja permanente e vetëdijes kombëtare, forcimi i vetëbesimit të qytetarëve, orientimi properëndimor dhe bindja e miqve në sinqeritetin tonë karshi këtij orientimi, nuk ishin diç që mund të bëheshin brenda natës. Jo gjithmonë, vullneti dhe dëshira, janë të mjaftueshme. Por, këto janë, kuptohet, parakushte mbi të cilat fillon ndërtimi i diçkahit.
Nuk është e re nëse them se resurset dhe kapacitetet tona kombëtare, duke përfshirë edhe Shqipërinë në ato vite, nuk përputheshin me nevojat dhe synimet e LDK-së dhe subjekteve tjera shqiptare në Kosovë. Shqipëria në ato vite, kalonte nëpër disa faza tepër të rënda dhe me turbulenca të rrezikshme. Shkurt, shteti shqiptar në atë kohë, në aspektin e funksionalitetit, ishte jofunksional. Unë nuk them se në Shqipëri nuk mbështetej ideja e Kosovës për pavarësi, por ishte „takati“ tepër i vogël i shtetit, turbulencat transitore kah demokracia, nuk jepnin asnjë sinjal për ndonjë ndërmarrje serioze. Këtë e them edhe nga kontaktet e mia që në atë kohë, si ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, nga LDK-ja, kam pasur me funksionarë të lartë të shtetit të Shqipërisë.
Në anën tjetër, Republikat tjera të RSFJ-së, nuk e shihnin Kosovën si aleat, por si akter për të realizuar synimet e veta. Për lexuesin e ri le të përmendet këtu marrëveshja sekrete Tuxhman- Millosheviq. Edhe faktori ndërkombëtare, ende nuk shkonte kah një mbështetje, për të shpejtuar dinamiken e veprimeve tona. Te disa ende shiheshin gjurmët e propagandës serbo-jugosllave, dhe hetohej një skepticizëm e madhe karshi opsionit tonë!
Kur të merren parasysh të gjithë këta faktorë, tani pas një çerekshekulli, edhe me me zë mund të them se Lëvizja e Shqiptarëve e udhëhequr nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova, si dhe subjektet tjerë shqiptarë, ishte një lëvizje që suksesshëm vunë themelet e shtetësisë dhe të çlirimit të Kosovës.
Të përkujtojmë se në këto vite u organizuan dhe ndërmorën shumë veprime që vërtetojnë atë qe u tha më lartë. Me lejoni t’i përmendi disa nga këto:
Deklarata e Pavarësisë- 2 Korrik 1990; Kushtetuta e Kaçanikut shtator 1990; Referendumi gjithëpopullor për Pavarësinë e Kosovës ( fundi i shtatorit 1991); Formimi i Qeverise së Kosovës ( nga të gjithë subjektet politikë të Kosovës me ministri brenda dhe jashtë Kosovës); Zgjedhjet e para shumëpartiake dhe Presidenciale, të mbajtura më 24 maj 19902 etj. Shkurt, synimi nuk ishte paqja me çdo kusht, por liria dhe pavarësia e Kosovës.
“DIELLI:” Pas përfundimit të luftës, ne Kosove u krijua nje realitet i ri. LDK-ja, nën udhëheqjen e dr. Ibrahim Rugovës, edhe përkundër shumë sfidave dhe vështirësive që iu paraqitën, prapë ishte forca politike që kishte besimin më të madh tek masa e gjerë popullore. Thuhej që “forcat e luftës” çliruan vendin, mirëpo prapë se prapë LDK mbeti partia më e besueshme.
Anton Kolaj: Ka disa arsye pse ndodhi kjo: Së pari, sipas mendimit tim, figura politike dhe udhëheqëse e Ibrahim Rugovës nuk ishte zbehur dhe rrënuar. Populli e vlerësonte punën, përkushtimin dhe sakrificën e tij. Le të parafrazoj një diplomat të lartë amerikan, pas një vizite që menjëherë pas lufte e kishte bërë së bashku me Ibrahim Rugovën në Komunën e Malishevës:“ Populli e donte dhe përkulej para tij”!
Në anën tjetër LDK-ja ,sikur edhe subjektet tjerë shqiptarë, përkundër propagandës agresive mohuese që është zhvilluar në ato vite, ishte pjesë reale e luftës, qofshin këta individ në formacione të caktuara të UÇK-s ose komandantë e ushtarë në formacionet e FARK-ut. Së dyti, disa që veten e konsideronin“çlirimtarë“ pas luftës keqpërdorën idenë e luftës dhe të çlirimit. Ishte e neveritshme qe pas luftës të shiheshe gjithandej, grafitë të ndryshme nëpër mure shtëpish e pronash grafitet: “E nxënë UÇK!“ ose „e nxënë x y komandanti“ etj. Këto shëmti dhe keqpërdorime që iu atribuoheshin „çlirimtarëve“, u ndëshkuan në zgjedhjet e para të pas luftës. Udhëheqësve politikë të të ashtuquajturit “krah i luftës”, nuk ju shkoi përshtati t’i ndalojnë këto veprime. Së treti, u dëshmua se demokracia ka disa rregulla tjera të lojës. Por, a do të fitonte LDK-ja pa Ibrahim Rugovën, mendoj se jo. Populli ishte bindur se ai nuk e donte luftën, por u angazhua shumë për liri dhe pavarësi kombëtare!
“DIELLI:”LDK-ja e sotme, kuptohet se nga ndryshuar rrënjësisht nga ajo e kaluara dhe sot themeluesit dhe bartësit shumëvjeçarë të aktiviteteve dhe veprimtarive të kësaj partie pothuaj janë eliminuar, sa është e justifikueshme kjo politike?
Anton Kolaj: Së pari unë, ende nuk mendoj se ka një LDK të djeshme dhe një të sotme. E vërteta është se tani, pas lufte, dhe posaçërisht pas shpalljes se Pavarësisë së Kosovës, kemi tjera rrethana dhe një realitet krejt te ri.
LDK-së iu është dashur të ecë nga koncepti i partisë-lëvizje, kah koncepti i një partie politike modern , pra të bëjë ndryshime të rrënjësishme. Pastaj, pas vdekjes së Presidentit Rugova, LDK- nuk është më parti e liderit. Ajo, si çdo parti moderne, do i nënshtrohet rregullave të reja atë të lojës. Gara e brendshme i ka turbulencat e caktuara! Dikush kënaqet e dikush mbetet i pakënaqur. Disa edhe zhgënjehen ose tërhiqen, ose kërkojnë alternativë tjetër!
Njohësit e kësaj fushe dhe të këtyre praktikave, vërejnë se në këtë rrugë transformimi, ka vështirësi të caktuara. Nuk mjaftojnë vetëm ndryshimet statutare, kjo merr kohë gjersa njeriu të mësohet me një nevojë dhe realitet të ri!
Tani t`i kthehem pjesës se dytë të pyetjes: Demokracia ka disa rregulla interesante dhe shumë sfiduese të lojës. Meritokracia nuk është i vetmi kriter i mjaftueshëm për të mbetur në rendin e parë.
Le të më lejohet, për lexuesit e rëndomtë, të sjell një shembull nga fusha e sportit. Pavarësisht nga fama, p.sh., në boks, dikush të sfidon ose me nokaut, ose me poenë. Kjo nuk do të thotë se akëcili boksier i famshëm, me daljen nga ringu, i vdes fama! Me kalimin e kohës ai kujtohet për rezultatet e tija. Por nëse ai dëshiron për të luajtur prapë, duhet për t’u përgatitur për meçe tjera, për sfida tjera. Por, edhe në politikë, sikur edhe në sport, ka tejkalime, ka hile, kuptohet, nëse mungon referi!
Ata që duan të merren aktivisht në politikë, nuk duhet të vajtojnë, por të angazhohen, me ide e projekte dhe të mos kenë frikë për të dalë prapë në ring!
Unë nuk njoh shembuj në politikë, që dikush të thotë: “Eja në karrigen time, se ti je burrë ose grua e mirë!”
“DIELLI:” Edhe sot LDK-ja thirret në frymën e rugovizmit, këtë sintagmë mos e ka vetëm sa për t’u mbështetur në filozofinë e Dr. Rugovës, sepse pothuaj të gjithë e dimë që LDK e ka humbur identitetin që ka pasur. Sa pajtoheni me këto pikëpamje?
Anton Kolaj: Unë nuk mendoj se LDK e ka humbur identiteti e vet. Thirrja në filozofinë e Presidentit Rugova është zëri dhe veprimi që duhet të mbes gjallë dhe të begatohet me risitë tjera që sjell jeta. Përndryshe, nëse nuk ka risi, atëherë mund të shndërrohet në dogmë. Unë jam kundër dogmave.
Në anën tjetër, realiteti ynë në Kosovë është shumë sfidues. Ka varfëri, mungese të perspektivës ekonomike, dukuri devijante shoqërore, si korrupsion, reketim, nepotizëm, prostitucion, keqpërdorim funksionesh, depërtime të ideologjive të ndryshme antidemokratike e kombëtare. Këto janë bërë pengesë e madhe për të ecur vendi përpara.
Në anën tjetër, Serbia vazhdon të bëjë pengesa dhe shantazhe të shumta, si në planin e brendshëm, duke i manipuluar serbët vendorë (rasti i Veriut të Kosovës), po ashtu duke sabotuar përpjekjet tona dhe të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve përmes bisedimeve.
Nëse shtrohet pyetja, se a ka rrezik të devijohet nga shtyllat kryesore të rugovizmit, mund të them se po. Ky rrezik është permanent. Dhe, këtu mendoj se LDK-ja , dhe jo vetëm kjo, ndodhen të sfiduara dhe nganjëherë të shantazhuara. Jemi dëshmitarë se në Kosovë dhe hapësirat tjera shqiptare, po synohet të depërtojë islami politik. Kjo është sfidë për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe për shtetin e Kosovës në veçanti. Terreni socio- ekonomik dhe fetar, është shumë i volitshëm për këto depërtime. Zakonisht, në vende të varfra ekonomikisht dhe pa një tradite shtetërore, të rrethuar me shtete që nuk janë miqësore, ky virus gjen shumë shpejt mesin social për shumëzim. Dhe tani t’i kthehem të ashtuquajturës “lojë politike”: disa parti politike, këtu nuk përjashtohet as LDK-ja, për nevoja të votës ose edhe për mungese të identitetit politik, koketojnë me këtë frymë politike.
Në qoftë se prurjet e reja janë të pakontrolluara, ato herët ose vone, mund ta ndryshojnë identitetin e çdo subjekti!
LDK-ja dhe Dr. Rugova kanë qenë shumë herët objektivë sulmi nga grupimet antishqiptare. Kjo për faktin se RUGOVIZËM përpos tjerash domethënë përkushtim për familje të shëndoshë, shtet të fortë, ekonomi stabile të tregut, identitet dhe kulturë kombëtare, tolerancë ndaj përkatësive tjera nacionale e fetare, ndarje e fesë nga shteti, demokraci europiane dhe miqësi të përhershme me SHBA-të.
Pa dashur për ta zgjatur, mund të them se shumë nga këto segmente, sot në forma të hapura ose më të kamufluara, janë objekt i sulmeve ose i planeve për sulm! Pra, rreziku tjetër që i kanoset LDK-së është e thënë në mënyrë filozofike një lloj eklekticizmi, d.m.th. përpjekje për t’i lidhur gjerat që nuk mund të lidhen, në fillim, dhe më vonë për të ndryshuar tërë këtë begati historiko-kombëtare. Në disa komuna, ku shumicën e ka LDK-ja, hetohen këto praktika dualiste dhe eklekticiste!
Në një shoqëri ku festat fetare (krishtere apo islame) kalojnë kufijtë familjarë, ka tendencë që të shkohet kah një formë e një teokracie, së pari shpirtërore, e me pastaj kah ajo politiko- shtetërore!
Në ato shoqëri, ku zëri i minareve dhe kambanave, është më i lartë se zëri i universiteteve dhe dijes, nuk ka bereqet!
“DIELLI”: Jeni angazhuar ende ne LDK dhe si i shihni aktivitetin e LDK- në Gjermani?
Anton Kolaj: Po, unë mbes i angazhuar ne aktivitete intelektuale që organizon LDK-ja dhe klubet tjera shqiptare të rrethinë ku jetoj.
Pas zgjedhjeve të fundin të këtij viti të Nëndegës së LDK-së për NRW në Gjermani, për arsye kohe nuk kam ndonjë funksion në strukturën udhëheqëse. Domethënë jam, siç thuhet “anëtar i thjeshtë i LDK-së!”
Ka shumë anëtarë të devotshëm që organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore etj. Mendoj se çështja e degëve jashtë duhet të analizohet, diskutohet dhe konform rregullave ligjore të vendeve europiane ku jetojnë shqiptarët, të bëhen plotësim-ndryshime në Statutin e LDK-së, ose te nxjerrët ndonjë rregullore e veçantë. Kështu do hiqeshin keqkuptimet dhe do jepej një shtytës për një ecje të mëtejme.
“DIELLI:”Ju keni pasur shumë oferta nga subjekte të ndryshme politike në Kosovë, mirëpo i keni mbetur besnik konceptit politik të LDK-së.
Anton Kolaj: Po është e vërtetë kjo që thoni. Unë ju jam mirënjohës për respektin dhe ofertat. Ishin shumë serioze dhe atraktive. Kam shumë miq në disa nga partitë politike tjera. Por, ende vazhdoj të jem në LDK.
“DIELLI:”Cili është mesazhi juaj për lexuesit e “Rrezores?”
Anton Kolaj: Të gjithë lexuesve iu dëshiroj shëndet dhe suksese në të gjitha segmentet e jetës!
-Ju faleminderit!
-Qofshi me nder!

Filed Under: Interviste Tagged With: DR. IBRAHIM RUGOVA, Interviste, Mikel Gojani, Prof. Anton Kola

TONIN MIRAKAJ, RRËFIMET E NJË VATRANI GJYSËMSHEKULLOR NË VATËR

July 14, 2015 by dgreca

NGA DALIP GRECA*/
Tonin Mirakaj e ka nisë veprimtarinë në Federatën Vatra që në vitin 1961, pesë vite pasi kishte lënë vendlindjen. Me 20 shtator 1956 familjarisht ishin larguar nga Shqipëria për të fituar lirinë, por sapo shkelën në Jugosllavi, e ndjenë se kishin rënë nga shiu në breshër.Sistemet e qeverisjes dhe shtypjes të drejtave njerëzore, ngjasonin si vëllezërit siamezë. Gjithësesi azilkërkuesit shqiptar përfitonin në atë kohë nga që mes dy shteteve vazhdonin mosmarrëveshjet ideologjike. Sipas z. Tonin Mirakaj egzistonte edhe një tjetër faktor i favorshëm për emigrantët azilkërkues:Jugosllavia si nënshkruese e traktatit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat njerëzore, duhej të pranonte refugjatë politik, për të cilët edhe merrte ndihma të konsiderueshme nga Komisariati i Lartë i Refugjatve në Gjenevë.Natyrisht që këto ndihma kontrolloheshin nga shërbimi sekret i shtetit, UDB-a, që fuste në rrjetën e saj refugjatët shqiptar dhe i perdorte si akrrem ndihmat.Gjuetia e UDB niste me ata që ishin të njohur, nëse nuk pranonin të futeshin në agjenturën e shërbimit sekret për t’u përdorur kundër Shqipërisë, atëherë futeshin në lsitën e armiqëve të Jugosllavisë dhe asgjësoheshin.
Në fund tëvitit 1959, Toninin me vëlla e motra i dërguan në kampin e refugjatëve të Gerovës në Kroaci, një kamp i njohur për keqtrajtime e vuajtje. Kalimi nga Kroacia për në Perëndim ishte një aventurë më vete, që nisi në gusht 1960. Zgjodhën mesnatën si aleate dhe së bashku me një mik të familjes lanë kampin në terr dhe u arratisën.Aventura zgjati plot katër ditë e net, duke zgjedhur rrugë të parrahura, shtigjeve të maleve të Kroacisë dhe Sllovenisë, arritën në Itali.
Mbërritjen e tyre në aeroportin “Idle Wild” të New York-ut dhe historinë që sillnin me vete e ka përshkruar Gazeta”Daily News” e datës 25 shkurt 1961.
Tonini pat fatin që të takonte dhe të bashkëpunonte me disa nga përfaqësuesit historik të diasporës,nacionalistët që kishte ardhur në ShBA pas Luftës së II Botërore. Ai kujton se si njohu atdhetarë të tillë si :Miko Kokolari, nje patriot i vërtetë, dhe një ndër udhëheqësit e Vatrës. Profesor Nexhat Peshkëpia, editor i gazetës “Shqiptari i Lirë”, Prof. Rexhep Krasniqi, kryetar i Komitetit Shqipëria e lirë, Ing.Vasil Gërmenji, përfaqësues i Shqipërisë, në organizatën e kombeve të robëruara,A.C.E.N. ( Assembly of European Captive Nations), Kostandin Vangjel, sekretar i Komitetit dhe të tjerë.
Po si shkoi tek Federata “VATRA”, Tonini? Në majin e vitit 1961, ai kujton se kishte shkruar një tregim dhe ia dërgoi gazetës “Shqiptari i Lirë”. Pas pak ditësh mori një telefonate nga Prof. Peshkëpia, i cili e ftoi për një takim në zyrën e tij, që ishte në14 East 34th Street, në Manhattan,N/Y. Profesori e priti me dashamirësi.Takimi i ka mbetë në kujtesë.Tregimi i shkruar nga Tonini“Kokrrat e Misrit” u botua në qershor të vitit 1961. Nexhatit i kishte pëlqyer tregimi, dhe e inkurajoi Toninin.U botuan disa tregime e shkrime dhe bashkëpunimi me “Shqiptari i Lirë” vazhdoi deri në vitin 1991, kur u mbyll.
Tonin Miraka u bë pjesë e veprimtarive të komunitetit shqiptar. Ai kujton se me kërkesën e Kryetarit të Komitetit Shqipëria e Lirë, prof. Rexhep Krasniqit dhe bashkëpunëtorve të tij, Tonini kryesoi kremtimin e 28 Nëntorit të vitit 1970, ku morën pjesë me qindra shqiptarë dhe amerikanë, si dhe përfaqësues të 9 shteteve të Europës Lindore, antarë të A.C.E N.it. E ka përcjellë këtë ngjarje gazeta Shqiptari i Lirë, Nëntor-dhjetor 1970. Por kur dhe nëç’rrethana shkoi Tonini në Vatër?
Profesor Nexhat Peshkëpia, që në takimin e pare e pat këshilluar që të zgjidhte një një shoqëri kulturale, siç ishte Federata“Vatra” dhe jo partitë politike qe kishin grindje me njëra-tjetrën.
Në fund të bisedës, Prof. Peshkëpia i kishte dhënë Kanunoren e Vatrës dhe e kishte këshilluar që ta lexonte, të shihte c’program kishte dhe më pas do të bisedonin. Tonini e lexoi menjëherë Kanunoren dhe iu duk Vatra cerdhe atdhetarie e idealizmi.Pikat 1,2, 5 dhe 28, e binden se kjo ishte shoqeria, ku duhej të shkonte.U anëtarësua në verën e vitit 1961, 51 vite të shkuara.
Tonini sjell ndërmend disa “coffee houses” në zonën ku banonte,të cilat frekuentoheshin nga shqiptarët e vjetër, që nuk i kishin në sy të mirë emigrantët politik.Mendonin se Shqipëria ishte e lirë, me qeveri shqiptare, dhe emigrantët e pas luftës i cilësonin reaksionarë. Ishte vështirë të merrje përkrahje prej tyre.Bënte përjashtim Miko Kokolari, i cili, sipas Toninit, përpiqej të balanconte marrdhëniet mes të vjetërve dhe emigrantëve politik.Me kalimin e kohës, kjo situatë ndryshoi. Miko e kishte zyrën në Revington Street,dhe aty u vinte në ndihmë emigrantëve të rinj dhe të vjetër, pa dallim.Aty, gjendej gazeta Dielli, si edhe lajmërime të tjera për aktivitete në komunitet.
Tonini u anëtarësua në degën e Vatres # 29, N.Y.dhe N.J., e cila bënte dy mbledhje në vit.Njëra ishte për të zgjedhur delegatët për në kuvend, që ishte i përmotshëm, dhe mbahej në Boston. E dyta mbas kuvendit, ku bisedohej për vendimet, që ishin marrë në kuvend, dhe zgjidhej udhëheqja e re e degës.Këto mbledhje, bëheshin në sallën e kulturës, pranë kishës Orthodokse të Shënkollit në 48th street, ndërmjet 10 dhe 11th avenue, në Manhattan.Në mbledhjen e parë që mori pjesë si Vatran, ndjeu një gëzim të veçantë.Në atë mbledhje kishte ardhë Hirësia e Tij Peshkop Fan S. Noli.Ishte hera e parë që e takonte.
Në kuvendin vjetor të vitit 1970-71, Tonin Mirakaj ishte një ndër delegatët e degës #29, N.Y. dhe N.J.
Kujton udhëtimin nga Nju Jorku së bashku me Muharrem Babameto, Agim Karagjozi, dhe Hajdar Tonuzin.Ishte kuvendi i parë që merrte pjesë dhe u takua edhe me Anthony Athanas, Barny Kirka,Gregory Chiriako, Kristo Thanas,Rev. Arthur Liolin. U njoh me delegatë nga shtete të ndryshme.Nga Detroit me ing. Ahmet Dervishi, dhe Fehmi Kokolari, nga Toronto, u njoh me Ibrahim
Kullën e të tjerë. U familjarizua me punimet e kuvendit vjetor, dhe zbatimin e kanunores, si edhe me kulturën dhe pjekurinë e vatranve të vjetër si Ramadan Ali Arza, Florence Pano, Nik Kreshpani, Pauline dhe Peter Lukas,Harry Stoja e të tjerë.Të gjithë kishin një dashuri të zjarrtë për Vatrën dhe Atdheun. Kjo shprehej në diskutimet në Kuvend.Përmes jetës në Vatër fitoi pjekurinë e një aktivisti që mori përsipër edhe organizimin e drejtimin e veprimtarive.
Tonin Mirakaj ka qenëanëtar i bordit,i zgjedhur në disa kuvende, ka qenë zv/ kryetar i përgjithshëm i Vatrës më 1980, 1981, 1982, ndërkohë që kryetar ishte Dr. Andrea Elia, dhe 1984-85 me kryetar Harry Stoja. Po ashtu ai është zgjedhur kryetar i Deges # 29 New York dhe New Jersey, 1978-79, me N/kryetar ing.Mahmut Tsungu, sekretar Rasim Sina, arkëtar Zef P. Deda, dhe anëtare Nexhmije Zaimi, Ramiz Dani, Zef Perndoca e te tjere.Ka kryer edhe detyrën e arkëtarit të kësaj dege me 1976-77, kur ishte kryetare zonja Nexhmije Zaimi. Detyrën e arkëtarit të degese ka kryer edhe më 1977-78, kur ishte kryetar Selahedin Velaj.
Ndër veprimtaritë ai veçon Seminarin e vitit 1972,kushtuar 100 vjetorit të lindjes të At Gjergj Fishtës, ku ishte bashkorganizator me Muharrem Babameto, që u organizua në Waldorf Astoria Hotel, ne New York. Po ashtu në kuvendin vjetor të vitit 1978, u zgjodh kryetar i kuvendit të Federatës Vatra, mbajtë në Hilton Hotel, New York, duke patur si sekretar Rasim Sina, dhe reporter Gjeto Sinishtaj. Në vitin 1979, ishte sekretar i kuvendit te Vatres, mbajtur ne Anthony’s Pier 4, ne Boston, Mass.Ndërkohë që në vitin 1982,Tonin Mirakaj ishte një ndër organizuesit e seminarit të 100 vjetorit të lindjes së Fan S. Nolit, mbajtë në New York Hilton Hotel.Ai qe përgjegjës për mbledhjen e ndihmave për shpenzimet e rastit, dhe botimin e librit “Flamurtar i Kombit”, me autoreditorin e Diellit, Edward Licho.
Kronika e pjesmarrjes së tij në veprimtaritë e Vatrës është e pasur: Me 6 nëntor 1983 ishte folësi kryesor në drekën organizuar nga Vatra, për nder të editorit tëgazetës Dielli,z.Xhevat Kallajxhi, mbajtë në Anthony’s Pier 4, në Boston.Fjalimi gjendet në Dielli,March 16,1984.
Në vitin 1984,Mirakaj ishte sekretar i kuvendit të Vatrës,që u mbajt në Detroit, Michigan, ku u kremtua edhe 75 vjetori i gazetës Dielli, ndërsa në kremtimet e 28 nëntorit 1994, kryesoi kremtimet e festës së Flamurit, që u mbajt në New York Hilton, organizuar nga Vatra, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar.
Tonin Mirakaj ka kryer edhe detyrën e sekretarit për Vatra’s Permanent Fund, me kryetar ing. Agim Karagjozin.Po ashtu ishte anëtar i Vatra’s “Konstitutional Revision Committee”, bashkë me profesor Sami Repishti, Harry Stoja, Agim Karagjozi e të tjerë si dhebashkorganizator me ing. Agim Karagjozin i transferimit të eshtrave të Faik Konicës, në Atdhe, 1995.
Z. Miraka ka punuar me disa kryetarë të Vatrës, si me Kristo Thanas,Nik Kreshpani, Barny Kirka,Gregory Chiriako, Ahmet Dervishi, dr. Andrea Elia, Harry Stoja, Arshi Pipa dhe ing.Agim Karagjozi. Ai pohon se tëgjithë kishin një dashuri të zjarrtë për Vatrën.Ka qenë në strukturat udhëheqëse nga viti 1970,deri më 1997. Ai veçon Anthony Athanas dhe Prof. Arshi Pipa.
Z. Mirakaj mendon se shkruhet e flitet shumë për 50 vitet e para të jetës së Vatrës,dhe fare pak ose aspak, për 50 vitet e dyta, përpjekjet dhe dedikimin e shumë vatranëve,për ta mbajtë dhe forcuar Vatrën.Nga kontribuesit udhëheqës të gjysmës së dytë të shekullit, ai veçon Peter Chikos,Kristo Thanas, Barny Kirka, Ramadan Ali Arza, Ing. Ahmet Dervishi, Dr. Andrea Elia, Pauline Lukas, Anthony Athanas. Nga aktivistët në degën # 29, New York dhe New Jersey, veçon Miko Kokolari, Vahit Çika,Muharrem Babameto, Nexhmije Zaimi,Petraq Ktona,Ing. Mahmut Tsungu e të tjerë.Nuk harron të përmend edhe editorët e Diellit Dr.Athanas Gega, Refat Gurazezi, dhe Xhevat Kallajxhiu.Të gjithë këta në Botën e Amshuar. Nga ata që ende janë në këtë Botë, çmon punën e ing Agim Karagjozit,Hajdar Tonuzit, prof. Sami Repishti, Selahedin Velaj, vëllezerit Seidi dhe Sabit Bitici, Zef Pernoca, kryetarit të tanishëm, Dr. Gjon Buçaj,Anton Çefa,Esat Bilali e të tjerë, të gjithë vatrane të “Dimrit dhe të Beharit”.
Vatrani gjysëmshekullor, mendon se Vatra ka meritën se ka ditur që të ruajë marrdhënie të shkëlqyera me bashkësitë fetare në Amerikë, veçanërisht në festën e Flamurit, aplikon rotacionin në lutjen fetare.Levizja kombetare e shqiptarve te Amerikes e ka bazen te Kisha Orthodokse dhe Vatra, qe u formua 3 vjet mbas Kishes.Të dyja mbështetën njëra tjetrën në mbrojtjen e interesave kombëtare. Keto institucione, paten ne fillim udheheqes te perbashket, qe kordinonin perpjekjet per te bashkuar mergaten shqiptare.Udheheqes te shquar, largpames, patriotë të
vertete dhe intelektualë te persosur si Fan S.Noli, Faik Konica,Llambi Çikozi, Kristo Kirka e shume te tjereorganizuan mitingje nder qytete e shtete, ku banonin shqiptare, dhe shumë shpejt themeluan Vatrën dhe degët e saj duke bashkuar në federatë më shumë se 5 mijë shqiptarë.
Për Mirakën shembull i veprimtarive të Vatrës mbetet kremtimi i 60 vjetorit te gazetes ‘Dielli’, ne Nëndor te vitit 1969, mesha ne Kathedralen e Shen Patrikut, ne Manhattan, New York,me celebrant kryesor Eminencen e Tij Terence Cardinal Cooke, dhe pjesemarrje te mijra shqiptarëve, duke qene të pranishëm klerikë te tri besimeve, Katolik, Orthodoks dhe Musliman.Pati gjithashtu nje grup klerikesh dhe besimtaresh arbereshte ritit Bizantin,ardhur nga Italia.
Duke qenë një veprimtar aktiv, z. Mirakaj, ka qenë pjesë e pritjeve dhe përcjelljeve të personaliteteve nga trojet shqiptare. Ai veçon dr. Ibrahim Rugovën, që u ftua në ShBA në tetor 1989, nga Kisha katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”, që organizoi në Fordham University seminarin për 300 vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit. I ndjeri I.Rugova ishte nder folesit e seminarit, i ftuar nga komisioni organizator, që e kryesonte Tonin Mirakaj.Ai kujton se kaluan një javë bashkë nën shoqërimin e jë rrethi miqësh si: Dom Rrok Mirdites, Dom P.Popaj, Gjek Gjonlekaj, Fran Shala, Vellezerit Bitiçi,Simon Simolacaj,i ndieri Pretash Curanaj, etj.
Dr. Rugova kishte informacion të gjërë për Vatrën dhe konsideratë të lartë.Në përshëndetjen përpara ligjëratës mbi Bogdanin, ndër të tjera tha: “Nisma e kishës katolike shqiptare për të shënuar këtë jubile, është nismë e mirë… Pa ndonjë kompliment të tepruar, kjo nismë sikur e vazhdon traditën e Vatrës së Bostonit,ecila me decenie veproi në planin kulturor e kombëtar”.
Mirakaj kujton porosinë e Rugovës: “ Forcojeni Vatrën, se u duhet shqiptarëve”.
– E ndiej veten tëlumtur, që isha një ndër personat kryesor,që bënë të mundur, ardhjen e parë të dr. Rugovës në Amerikë, thotë Mirakaj.
Po ashtu ai kujton pritjen e dr. Berishës me 16 Qershor 1992, si presidenti i parë i Shqiperisë demokratike:”I beme nje pritje madheshtore, me pjesemarrjene 2000 bashkatdhetarve në Hilton Hotel, në New York.Mbrëmja u kryesu nga z.Seidi Bityçi, fjalën përshëndetse e mbajti Profesor Sami Repishti.Komisioni përgatitës pati Co-Chairman z. Sokol Neçaj dhe Tonin Mirakën.
Ndër personalitetet e botës shqiptare, Miraka kujton me shumë dashuri, profesor Martin Camaj, icili kishte respekt dhe konsideratë tëveçantë për Vatrën.Sa herë që vinte në Amerikë, e kishte mysafir në shtëpinë e tij.
Po ashtu kujton edhe takimin me presidentin Rexhep Mejdani në New York, ku Tonini ishte i ftuar së bashku me bashkëshorten në darkën e shtruar ne Roosevelt hotel me 2 Maj 2000.Ai thotë se presidenti la përshtypje të mirë me vizion intelektual.
Me një respekt të veçantë ai kujton Nexhmije Zajmin, zonjën e Vatrës, e cila pat studiuar ne Wellesley College, ku edhe botoj librin “Doughter of the Eagle”. Mori pjesë në disa mandate, në këshilla të degës # 29, NY dhe NJ, si edhe në bordin e Federatës, me qendër në Boston.Në kuvendin e vitit 1977 u zgjodh nënkryetare e Vatres, me kryetar ingj. Ahmet Dervishin.Ne NY ajo kishte nje rreth aktivistesh me te cilet kishte nje bashkepunim shumë të mirë si: Petraq Ktona, Agim Karagjozi, Hamdi Oruchi, Selahedin Velaj, Zef Pernoca,Tonin Mirakaj etj.Kur i vinte ndonje mysafir nga larg, Nexhi i therriste miqet e saje per “Wine and cheese”, ku bisedohej gjithmone, ne nje atmosfere te kendshme miqsore. Ajo, banonte ne 120 East 79th street, dhe Tonini me familje ne 81 street dhe 5th Ave. Kjo afersi i bente vizitat me te shpeshta.Ai kujton një rast kur në shtëpinë e saj takuan të Hasan Dostin.Biseda kishte zgjatur 4 orë.
Tonin Mirakaj ndjehej i gëzuar që përjetoi atmosferën e 100 vjetorit të Vatrës, pasi është anëtar i saj për më shumë se gjysëm shekulli dhe uron federatën për shekullin e dytë të jetës së saj.
Mesazhi i tij, është mesazh urimi për të gjithë vatranët, që nuk kursyen mundin e tyre për të ndihmuar federatën, me të cilën mburren shqiptarët e Amerikës, veçanërisht vatranët.Shqiptarët e Amerikes, këshillon ai,duhet t’i japin përkrahje asaj.Brezi ri po trashëgon një “pasuri” të çmushme, që duhet ta çojë më të konsoliduar në shekullin e dytë.
*Dielli-Arkiv-Ne foto: Nga e djathta: I perndershmi Rrok Mirdita, Sejdi Bitici,dr. Ibrahim Rugova, Tonin Mirakaj dhe Engjell Sejdaj gjate diteve te Seminarit organizuar me rastin e 300 vjetorit te Pjeter Bogdanit, ku Rugova dhe Sejdaj ishin ligjerues.Nju Jork , Tetor 1989.

Filed Under: Interviste Tagged With: dalip greca, Interviste, Tonin Mirakaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT