• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRANËT NË WASHINGTON DC, URËLIDHJA MES DY KOMBEVE

January 9, 2015 by dgreca

Flet kryetarja e Degës së Vatrës në Washington DC, zonja Merita B McCormack/
Dielli- Si kryetare e degës së Vatrës dhe përfaqësuese e Vatrës në Washington,me 17 dhjetor, keni qenë e pranishme në betimin e z, Donald Lu , ambasadorit të ri të Amerikës në Shqipëri. A mund të ndani me lexuesit e Diellit mbresa dhe informacione nga ai takim?
Merita B McCormack:- Së pari, më lejoni të flas në emër të të gjithë Vatranëve në DC sepse ne cdo gjë e bëjmë bashkë. Lidhur me pyetjen, po, isha në atë ceremoni se bashku me kolege te tjere dhe ishte një nder dhe privilegj për të gjithë komunitetin tonë. Ambasadori Amerikan z. Donald Lu bëri betimin e tij më datën 17 Dhjetor 2014 dhe përshtypjet e mia, sikurse të shumë pjesëmarrësve janë tepër të mira. Salla e inaugurimit në fakt u ndryshua brenda një periudhe të shkurtër dhe mund të them se salla ku u bë inaugurimi ishte plot dhe kur hyri Ambasadori dhe familajrët e tij pati duartrokitje të gjata. Duket që ky amerikan me eksperiencë dhe karrierë të gjatë diplomatike ka shumë dashamirës dhe miq që i uruan atij punë të mbarë në Shqipëri. Ambasadori shoqërohej nga bashkëshortja dhe dy fëmijët e tyre. Po ashtu të pranishëm nga familja ishin edhe prindrit dhe vjerra e tij.
Siç mund të jetë vëzhguar në lajme ai foli edhe pak në gjuhën shqipe kur përshëndeti mbas betimit. Aty kishte edhe disa shqiptarë të tjerë , njerëz që Ambasadori Lu i njeh nga kontakte të ndryshme profesionale a personale, dhe besoj se shumica ishin amerikanë. Aty ishte edhe Ambasadori i shumëdashur Rajerson i cili me shqipen e tij të kulluar na mallëngjeu të gjithëve në orët e festës pas ceremonisë zyrtare. Pas betimit u bënë përshëndetjet personale me urimet përkatëse dhe pastaj u dha një koktej në një ndërtesë afër departamentit me rastin e Inaugurimit. Pritja kaloi në një atmosferë të këndshme dhe miqësore.
Dielli: Diçka konkrete rreth ambasadorit Lu?
Merita B McCormack -Ambasadori Lu flet shqipen shumë mirë, ka një humor të këndshëm dhe eshte një njeri mendjehapur e zemërgjerë.Ne shqiptaro-amerikanët duhet të bëjmë çmos të njihemi me të e të përcjellim tek ai jo vetëm urimet ,më të mira por t’i japim atij mbështetje maksimale për të kryer detyrën sa më mirë. Ai mund të kontaktohet përmes zyrës së tavolinës shqiptare ne departamentin e shtetit.
Diçka që duhet të na bëje akoma më shumë krenarë është se ai kur falenderoi autoritetet qeveritare amerikane për besimin që i kanë dhënë, gjithashtu falenderoi me emër dhe personalisht të gjithë stafin e seksionit të gjuhës shqipe në Institutin e Shërbimit të Huaj që në ato momente u ndjeva shumë mirë të dëgjoja emrat e bashkëatdhetarëve, specialistë të shqipes por edhe këshilltarë kulturorë që i kanë dhënë Ambasadorit Lu çka i nevojitet përgjatë punës në Shqipëri.

Dielli- Ky besoj se nuk ishte i vetmi takim që keni zhvilluar me zyrtarët amerikanë. Çfarë ka përcjellë dega e Vatrës tek zyrtarët amerikanë gjatë vitit që po mbyllim dhe si janë marrdhëniet me Departamentin e Shtetit, zyra për Ballkanin.
Merita B McCormack- Po natyrisht, kontakti i VATRËS me zyrtarët amerikanë është i vazhdueshëm dhe VATRA në DC natyrisht mban komunikimin hapur dhe transparent. Siç e dini festimi madhështor i 100 vjetorit të VATRËS dhe pjesëmarrja e zyrtarëve amerikanë ishte shembull ilustrativ i këtij fakti.
Presidenti i VATRËS , Dr. Gjon Buçaj herë pas here ka pasur rastin e komunikimit personal me zyrtarë nga departamenti i shtetit kur ka vizituar Uashingtonin dhe ne që jemi këtu, jemi si të thuash kontakti primar dhe ne e vlerësojmë faktin privilegjues por natyrisht edhe përgjegjësia që shoqëron këtë privilegj. Mund të theksoj se VATRANËT e DC janë qytetarë Amerikanë që kanë dhënë kontribut në Ushtri dhe Navy. Me djem si ata, natyrisht ne kemi ballin e hapur.
Dielli- Çfarë do të veçonte kryetarja Merita B McCormack nga veprimtaritë e degës në Washington për vitin 2014?
Merita B McCormack – Dega e VATRËS është e vetëdijshme për përgjegjësitë që ka dhe do të thoja se unë personalisht nuk jam askushi dhe nuk do të guxoja të flisja si individ sepse jemi të gjtihë bashkë që mblidhemi, bisedojmë, vendosim e bëjmë diçka, kur mundemi. Natyrisht aktivitetet tona këtu janë më tepër aktivitete edukative dhe informative, në kuptimin që ne jemi prezentë në aktivitete që kanë të bëjmë me çeshtjen shqiptare dhe shërbejmë si urëlidhje mes dy kombeve, atij amerikan e atij shqiptar duke theksuar vlerat pozitive të miqësisë e duke nxitur iniciativa që ndikojnë në forcimin e këtyre lidhjeve. Aktivitetet janë të shumta por do veçoja aktivitetin e sapo përmendur, pra inaugurimin e ambasadorit të ri Amerikan, po ashtu pjesëmarrja në disa aktivitetet ku kreu i shteti shqiptar, presidenti Nishani erdhi në DC, apo aktivitetin e Nëntorit ku prifti katolik shqiptar dhe personaliteti i medias, Dom Gjergj Meta pati mundësinë të fliste në disa vende, përveçesojmë këtu bibliotekën e Kongresit Amerikan ku audienca kryesore ishin diplomatë, që do të punojnë pranë ambasadave amerikane në Shqipëri e Kosovë. Dom Gjergji pati një temë më tre nën tema të rëndësishme dhe ishte një triptik interesant që përfshinte shumë material dhe i shërben shërimit kombëtar dhe të ardhmes së kombit shqiptar.
Dielli- A i mbulon dega jonë të gjitha zonat e Washingtonit e rerthina si shtrirje anëtarësie?
Merita B McCormack -Anëtarësia shtrihet në Uashington DC, Virxhinia, Meriland, Delauer dhe Karolina e Veriut
Dielli – Si ka funksionuar dega?

Merita B McCormack-Dega funksionon në rregull, ne paguajmë anëtarësinë,, marrim Diellin, shpërndajmë lajmin e mirë për Shqipërinë dhe marrim pjesë nëpër aktivitete të ndryshme. Ne shkojmë shumë mirë, si vëllezër e motra mes nesh.
Dielli- Ku do të fokusohet dega për vitin që vjen?
Merita B McCormack Dega e jonë natyrisht ka një detyrë unike mbi supe për faktin se ndodhet në kryeqytetin amerikan kështu që paralelisht me detyrimin që ka sipas misionit e statutit të Federatës , ne kemi edh përgjegjësinë për të mbajtur lidhjen e komunikimin e hapur me çdo institiutcion që ka interes për kombin shqiptar dhe për të mësuar të vërtetën e çështjes shqiptare.
Dielli- Si janë marrdhëniet dhe bashkëpunimi i degës së Vatrës me organizatat e tjera shqiptare që veprojnë në Ëashington dhe zonën përreth?
Merita B McCormack -Marëdhëniet tona ndër organizative janë shumë të mira. Djemtë e vajzat shqiptare në Ëashington mblidhen shpesh dhe në çdo organizim apo aktivitet ne jemi ose bashkëorganizatore ose pjesëmarrës, sipas mundësive dhe rastit, por VATRA gëzon respekt dhe dashuri dhe sa herë ne kemi aktivitete organizatat e tjera na gjenden pranë, pra sipas fizionomisë dhe natyrës së organizatave ne bëjmë bashkëpunim por edhe bashkërendim. Mund të them se jemi një komunitet kompakt dhe produktiv.Komunitetit shqiptar ne DC ka djem dhe vajza shumë të edukuar, dashamirës, të suksesshëm në fushat e tyre profesionale dhe me një dashuri të madhe për vendlindjen dhe për atdhenun e dytë, Amerikën dhe punojnë për forcimin e miqësise mes dy kombeve.
Dielli- Mesazhi juaj në këtë fundviti!
Merita B McCormack :Së pari Gëzuar festat! Të gjithë vëllezërve dhe motrave të krishterë ju uroj Gëzuar Krishtlindjen dhe të gjithë popullit shqiptar ju uroj Gëzuar Vitin e ri 2015!
Sa për meszahin që ne si Vatranë në DC duam të përcjellim është ky:
Le të ulim kokat, të bëjmë punë cilësore dhe të kemi si fokus qëllimin për të cilin jemi angazhuar. Mos harrojmë se kombi shqiptar sot është në një moment kyç historik dhe se Europa është e ardhmja e tij por mos harrojmë se integrimi Europian kërkon mund e djersë, kërkon ca dhimbje që do sjellin shërim e shëndet të gjatë. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka detyrën morale të ndihmojë në shumë drejtime dhe forcimi i miqësisë shqiptaro-amerikane është shumë i rëndësishëm në këtë proces. Mos harrojmë se Shqipëria ka në vetvete problemin e shërimit nga e keqja komuniste dhe se dyti shqiptarët në rajon kanë problemet e të drejtave civile po ashtu paralelisht mos harrojmë se shqiptarët në Ballkan janë kombi që duhet të shohin strategjikisht integrimin europian dhe se problemet që e shqetësojnë sot botën mund të bëhn edhe problem të kombit shqiptar e më gjerë nëse ne largojmë fokusin nga ajo çka kanë nevojë Shqiptarët. pra janë disa plane e disa pika ku duhet të mbajmë sytë e mendjes e të fokusojmë e shpenzojmë energjinë. Çdo shqiptar që votn ne SHBA duhet të bëjë detyrën morale të votës por gjithashtu duhet të kontaktojë përfaqësuesin e vet e t’i bëjë të ditur problemi e shqiptarëve ne Ballkan. Kjo do ta ndihmojë shumë më shumë çështjen shqiptare të përparojë. Pra çdo shqiptar në SHBA të konsiderojë veten si një ambasador i shqiptarizmit.
Dielli- Ju faleminderit për intervistën!
Merita B McCormack:Kënaqësia ishte imja! Faleminderit
(Intervista u botua ne Diellin e printuar, dhjetor 2014)
Ne Foto:Dega e Vatres ne Washington gjate nje veprimtarie te saj

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Interviste, Merita B McCormack, MES DY KOMBEVE, URËLIDHJA, VATRANËT NË WASHINGTON DC

MERITA BAJRAKTARI-McCORMACK: Dashuria ime e parë,muzika dhe letërsia

January 7, 2015 by dgreca

Nga Fadil SHEHU, Florida/
Ndonëse ka përshkuar një rrugë të gjatë, të mundimshme,duke përjetuar çdo moment etiketimin: familje me “njolla në biografi”, sërish besonte se do të prekte synimin. Ndonëse e talentuar si poete dhe këngëtare që në moshën 13 vjeçare, i prenë ëndërrat dhe i thyen zëmrën, duke mos e lejuar jo vetëm të mos vazhdonte shkollën e muzikës ku kishte fituar konkursin, por madje mos të ishte nxënëse e gjimnazit në Korçë. Kjo është poetja, shkrimtarja, drejtuesja e shoqatës Shqiptaro-Amerkane, editorialistja e disa gazetave prestigjioze në Amerikë, Shqipëri, Itali, Kroaci,vlerësuar me disa çmime, Merita Bajraktari-Mc Cormack,ikona e kësaj interviste.
-Si lindi dëshira për letërsinë, në veçanti poezia tek ju?
-Letërsia ka qenë bashkëshoqëruese e imja që kur mbaj mend. Pra vargëzimi dhe krijimtaria letrare në përgjithësi, kanë qenë dhe mbeten pjesë e pandarë e jetës sime.
-Ju jepej mundësia, që gjatë viteve të adoleshencës, të lexonit libra me poezi apo romane?
-Po, më jepej mundësia, sepse u rrita në një ambient ku gjithëkush lexonte. Babai im gjithnjë lexonte. Një pjesë e librave nuk ndodheshin nëpër raftet e bibliotekave të sistemit komunist, pasi ishin të ndaluara. Vëllezërit e mi përherë i mbaj mend me libra nëpër duar. Prindërit e mij shpesh herë lexojnë bashkë, ose babai lexon e nëna dëgjon tek bën punë dore. Familja ime ka qenë e mbetet një fole shumë e ngrohtë dhe artëdashëse.
-“Djepi” i Korçës dhe i Devollit nga keni prindërit tuaj, kanë nxjerrë njerëz të shquar, të letërsisë, artit dhe shkencës, si.Vangjush Miho,Dritëro Agolli, Elida Cangonji,… vëllezërit Belushi dhe mjaftë shqiptarë të tjerë që jetojnë këtu në Amerikë. Sa ju kanë frymëzuar këto figura, jeta dhe natyra piktoreske e trevës suaj?
-Padyshim që figurat e shquara dhe bukuria natyrore e trevës sonë, të cilat sot i kujtoj me mall e mirënjohje, kanë luajtur rol të veçantë në pasionet e viteve të adoleshencës. Por thurrjen e ëndërrave dhe pasioneve që të ofronte kjo moshë, pavarësisht nga geni letrar dhe ai muzikor, ne nuk mund ti shfaqnim. Mua dhe vëllezërve të mij, nuk na lejohej të bënim atë çka bënte Dritëroi, shkencëtarët apo artistët, sepse ne ishim “me njolla”në biografinë politike dhe duhet të pranonim realitetin që të mbijetonim. Por si fëmijë që ishim, bënim sikur harronim dhe i jepeshim jetës furishëm dhe ëndërronim sërish….e kur binim ndesh me “JO”-të e autoriteteve qeveritëse, na thyhej zemra e sërish ngriheshim. Ja kështu ka qenë frymëzimi, zhgënjimi e rifillimi, gjithnjë bashkëudhëtare.
-Ju kujtohet periudha kur keni shkruar poezinë e parë dhe kujt ia kushtonit?
-Poezinë e parë e kam shkruar në moshën tetë vjeçare, të cilën ja kushtoj nënës sime.
Ia dërgova revistës së atëhershme për fëmijë “Pionieri”. Natyrisht nuk u botua. Kush isha unë që të më botohej? Ndërsa prindërit dhe mësuesit e mij të dashur, ndjenin keqardhje për brezin tonë, brez që i thyhej zemra dhe i mbylleshin dyert. Unë nuk e kuptoja keqardhjen, por kujtoj sytë e tyre plot dashuri dhe buzëqeshjet e tyre tek na shihnin çdo ditë. Të gjithë mësuesve të mij që lexojnë këto rreshta ju them : FALEMINDERIT.
-Ju keni pasion edhe muzikën, por historia juaj lidhur me një moment të veçantë, të dhimbëshme. Ju e keni trajtuar atë në tregimin “Broken dreams”,(Endërra të thyera). Përse ky tregim është botuar në Anglisht dhe jo në Shqip?
-Këtë tregim e kam shkruar në anglisht, pasi e kisha disi të pamundur ta shkruaja në shqip, sepse më dhimbte thellësisht. Në Anglisht ishte pak më e lehtë, pasi dukej sikur fokusohesha në saktësinë gjuhësore e jo në mesazhin që përcillej, pra e detyrova veten të qëndroja jashtë ndodhisë. Ajo histori është kështu: Mësuese Kristina Demiri(Dojçe), drejtoreshë e shkollës sonë, duke parë që unë isha një nxënëse që jo vetëm shkruaja por edhe këndoja, më nxiti që pas përfundimit të shkollës 8-Vjeçare, të konkuroja për të studiuar në shkollën e mesme të muzikës“Tefta Tashko Koço” në Korçë. Pas disa javësh paraktikë me pedagogët e nderuar Sami Bujarin dhe Sotiraq Vangjelin, fitova konkursin për muzikë dhe të drejtën për të vazhduar këtë shkollë. Kisha bërë gati valixhet, rrobat, madje kisha filluar të njihja edhe shoqet e shokët e klasës. Por partia në pushtet kishte tjetër plan… Kurrësesi nuk mund të lejohej mbesa e kulakut të shkonte në shkollë arti. Gjyshi im, Minir Kalaja ishte shpallur kulak që në fillimet e luftës së klasave dhe asnjë nga familja e nënës sime, nuk u lejua të shkollohej në vitet e komunizmit. Nuk na takonte thoshin deri në brezin e tretë. Byroja e partisë në kooperativë e thirri babanë tim për vendimin që kishin marrë. Ishte fund gushti 1980. Pra ishte një fakt i kryer. Merreni me mend shokimin e një fëmije 13 vjeçare nga ky lajm. Opsioni i fundit mbeti shkolla e mesme bujqësore, e cila ishte hapur katër vite më parë në fshatin Progër, qëndra e koperativës, pasi për të vazhduar gjimnazin në Korçë apo Bilisht, për fëmijët nga fshati ishte “mollë e ndaluar”. Mbaj mend se atë natë nuk fjeta fare dhe e laga jastëkun me lotët e mi. Kur dola të nesërmen në mëngjez për të mbushur ujë tek çezma në krye të fshatit, para se të shkoja në punë (ne punonim në kooperativë gjatë verës), ishte duke kaluar sekretari i partisë. Në vend që ta përshëndesja, të ndaloja e t’ja reshtoja ankesat e kërkesat e mia, kur u këmbeva me të, vrapova shumë larg prej tij, me sa fuqi që kisha, sepse m’u duk sikur mu ndal zemra dhe fryma, tek pashë fytyrën e tij të ngrysyr. Frika dhe paniku më pushtuan dhe më mbajtën gjatë…aq gjatë sa edhe kur e shkrova këtë tregim nuk guxoja ta shkruaja në gjuhën shqipe
-Keni përfunduar studimet për Ekonomi Agrare në Shqipëri dhe për Administrim Biznesi në Angli. Ishte ky profesion që e bënit me shumë dëshirë, apo gjithmonë mendonit për dashurinë tuaj të parë muzikën dhe letërsinë?
-Shkollimi në Angli ishte një plotësim ose përmirësim i njohurive të mëparshme. Pra administrimi i biznesit megjithëse u bë një profesion i imi, nuk ishte dashuria ime e parë. Shkollimin për atë fushë e bëra pas martesës, por historia e edukimit profesional është disi e gjatë, me shumë dhimbje dhe zhgënjime, që mbase në ndonjë bisedë tjetër mund të trajtohet. Gjithësesi dashuria ime e parë, mbetet muzika dhe letërsia.
-Mendonit që ky profesion për ju tashmë do të qëndronte“prapa liste”?
-Siç e përmënda më përpara, profesioni në fushën e ekonomisë, asnjëherë s’ka qenë primar në kuptimin e dëshirës ose pasionit dhe po të kthehemi tek përputhja e pasionit dhe profesionit, mendoj se nuk ka distancë më të madhe në veten time, se ajo mes profesionit për të cilin kam marrë klasa, me dashurinë dhe pasionin për letersinë e artin, fusha për të cilat nuk kam edukim formal.
-Kur e kishit kuptuar se në vitet që trokisnin, gjëja kryesore që do të bënit, ishte të shkruanit?
-Mendoj se përparësia që ka marrë letërsia tek unë, kanë qenë vitet kur unë u bëra nënë e rrisja fëmijët, sepse pjesën më të madhe të kohës gjatë ditës e kaloja me ta. Kur ata flinin, unë kisha kohë të lirë, isha në qetësi fizike e shpirtërore. Atëhere shkruaja…
Si e kujtoni sot momentin e transferimit tuaj, në SH.B.A.,duke lënë një pjesë të ëndërrës pas?
-Largimi im nga Shqipëria ishte si një “shokim”, sepse kur u njoha me bashkëshortin, ai ndodhej në Shqipëri. Aty kisha njeriun e zemrës dhe familjen. Më pas kur ika, e kujtoj shumë mirë atë kohë, më dukej sikur kisha lënë pas një pjesë të shpirtit tim…dhe kështu edhe pas njëzet vitesh, ajo pjesë që ka mbetur në Shqipëri, më mundon në kuptimin e mallit dhe dashurisë për njerëzit, vendin, dashurinë e miqësinë që më mbrujti e më dha identitetin tim si vajzë shqiptare, që shërbeu si bazë për integrimin si grua e si nënë, në një botë krejt ndryshe nga ajo që lashë në Shqipëri.
-Në SH.B.A. jeni“ankoruar”së pari në Nju Jork dhe më pas në Uashington DC. Si i përjetuat fillimet e jetës së integrimit në këto vende ?
-Im shoq kishte të afërm në Nju Jork dhe kjo e lehtësoi integrimin, por natyrisht për mua çdo gjë ishte e re, dhe mezi u mësova siç mëson një fëmijë. Transferimi në Uashington DC, ishte disi më i lehtë, sepse Amerika si të thuash është njëlloj kudo.
-Si do e vlerësonit bashkëpunimin tuaj me shkrimtarë, poetë, këngëtarë, aktorë shqiptarë, të cilët mbartin vlera kombëtare e botërore ?
-Fakti që në SH.B.A. ka një numër të madh artistësh, shkrimtarësh, muzikantësh që janë breza të dytë e të tretë emigrantësh me origjinë shqiptare më ngazëllen. Me disa njihem personalisht është gjithnjë eksperiencë prekëse dhe e bukur të jesh mes tyre, të mësosh prej tyre, të bashkëpunosh dhe t’i admirosh ata! Me disa nuk njihem dhe mjafton geni shqiptar të na bëjë të lumtur. E rëndësishme është që shumëkush nga këta shqiptaro-amerikanë ndjehen krenarë për origjinën e tyre dhe kjo është një gjë shumë e mirë.
-Në harkun kohor të pak viteve, keni shkruar tre vëllime me poezi, të titulluar “Me zërin e Zemrës”, “Tinguj malli “, “Dritaret e Shpirtit”, dy antologji dhe një libër me tregime në shqip dhe një në anglisht. Ndërkohë jeni vlerësuar me çmimin “Pena e Artë” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe çmime të tjera letrare. Si ndjeheni përballë këtyre vlerësimeve?
-Këto janë shkruar vërtet në një kohë të shkurtër, por siç jua thashë, transformimi im si nënë, më mundësoi krijimtarinë intensive…Duke mëkuar fëmijët, tek shihja jetën e re që rritej me ta, gjithnmonë kam dashur të ndaj ndjenjën e të qënit prind dhe nënë. Kështu filloi procesi i të shkruarit poezitë që janë trajtuar në këto tre vëllime. Tregimet dhe antologjitë janë shkruar në kohë të ndryshme. Mendoj se këto libra janë pritur mirë…kam pasur shumë letra e mesazhe falenderuese nga lexues, miq të vjetër e të rinj të cilëve ju jam borxhlie. Duke u thënë të gjithëve faleminderit, ndjej se urimet e tyre më shërbejnë për motivim më shumë në rrugën si krijuese.
-Në cilat prej poezive tuaja qëndron i ndezur malli për vendlindjen, ku ju kaluat vitet më të mira të rinisë suaj?
-Librat kanë shumë vjershërime për mallin….aq sa libri i dytë mori titullin “Tinguj Malli”. Vajza ime, autore e kopertinave, për librin e dytë e pikturoi me doçkat e saj, pasi mësoi mesazhin e vargjeve përmalluese.

Cilat vargje kujtoni më shpesh, që ngjasojnë si trëndafil i çelur në buzë?
Do të veçoja vargje të mallit për vendlindjen, si dhe poezitë “Adriatik” dhe “Vargje për Vendlindjen”.

Libri juaj i fundit është ai me tregime “Lulet e Jargavanit”.Në këtë krijesë, ndodhen personazhe, të cilët jetojnë midis ëndrrës, emocionit, zhgënjimit,dhe shpresës. Mendoni se ju e gjeni veten dhe u përkisni një prej këtyre kufijëve?

Shumë prej tregimeve kanë elementë autobiografikë, por jo të gjithë. Fantazia krijuese punon dhe kam krijuar personazhe fiktivë, ambjente e situata nga më të ndryshmet për të sjellë histori që mund të tërheqin lexuesin. Por esenca e shumicës bazohet mbi ngjarje reale, ku përshkruhen vragat e traumat, që pësuam ne në vitet e fëmijërisë.
-Ju keni tre femijë. Cili prej tyre ka marrë nga tharmi juaj si poete dhe shkrimtare?
-E kam të vështirë të veçoj. Të tre shkruajnë dhe kanë talent. Nuk ka as organizatë partie, as këshill të bashkuar t’ia diktojë jetën vajzës, e cila tashmë është në Universitet. Ajo këndon shumë bukur dhe ka interpretuar në skena prestigjioze amerikane, përfshi dhe qëndrën Kenedi.Të shohim se çfarë do tu ofroj e nesërmja.
-Jeni nënë, bashkëshorte, punoni, shkruani dhe jeni e angazhuar në komunitet. Si e përballoni këtë trysni në jetën tuaj të përditëshme?
-Çdo njeri ka aftësi dhe një dhunti speciale. Zoti na ka krijuar unikë dhe na ka dhënë diçka që ne duhet ta mirëprdorim në shërbim të Tij dhe njerëzimit. Mendoj se ne shqiptarët të lindur mes viteve 1950-1990 nuk patëm as mundësinë, as rastin të shfaqnim talentet e mundësitë tona, dhuratën speciale, atë që quhet vokacion në jetë. Ne përfunduam ku na “hodhi” partia dhe këshilli i bashkuar. Im shoq, që nuk është shqiptar, kur mësoi të kaluarën e familjes time dhe vuri re dëshirën time për t’u marrë me artin e të shkruarit, më mbështeti fuqimisht. Ai është shtylla e familjes dhe ai që më jep forcë e kurajo. Ne punojmë si një skuadër e pandarë për familjen dhe kohën e lirë e përdorim sipas pasioneve dhe motivojmë njeri-tjetrin. Xhoni ka pasion hipizmin dhe unë shkoj kur ai ka gara, ndërsa kur unë dua të shkruaj, Xhoni më siguron mjedisin dhe më nxit të përfundoj atë ç’kam nisur.
-Ju shkruani në gazeten e VATRES ”Dielli” dhe ne ate kmunitetit “Ilyria”në Nju Jork,dhe revistat letrare,“Pena”,“Kuvendi”SH.B.A.,”Poeteka”Shqipëri,“Informatori”Zagreb,Kroaci,”Rrënjët”Itali,Ditët e Naimit”,Tetovë, Maqedoni. Mendoni se një pjesë e shkrimeve në këto organe ju kanë shërbyer si burime frymëzimi për të shkruar poezi?
-Po, besoj se nëse hapësira gjeografike e lexueshmërisë zgjerohet, po ashtu përgjegjësia e shkruesit ndaj lexuesit rritet, sepse ai apo ajo që shkruan, nuk mund të përdorë një organ publik thjeshtë për të shprehur një mendim apo botuar vargje, por por të kontribuar në diskutimin e një çështje. Në këtë pikëpamje, mund të them se frymëzimi duhet ti shërbejë qëllimit.
-Ju keni jetuar në shumë vende të botës si në Afrikën e Jugut, Europë dhe për shumë vite në Nju Jork dhe Uashington DC tashmë, ku jetoni për afër një dekade. A ka patur Merita kontakte me shqiptarë që ndodhen në këto komunitete?
Komunitetet shqiptare në Europë janë shumë të organizuar dhe po ashtu edhe në SH.B.A. Në Nju Jork ka komunitet të madh, ndërsa në DC disi më i vogël. Për komunitetin shqiptar në SH.B.A. dhe të kudondodhur, kam vetëm respekt dhe admirim. Nuk është e lehtë të lësh vendin e të rifillosh nga e para, por është pikërisht ky komunitet që mbështet njeri-tjetrin dhe jo vetëm për tu vendosur në SH.B.A. por edhe për t’u integruar. Nuk janë të paktë krijuesit në diasporë dhe për të gjithë kam respekt dhe mirënjohje.
-Lexuesit shqiptaro-amerikanë e më gjërë, i keni servirur krijimtari artistike letrare, si editore e dy antologjive letrare nga 26 krijuesë shqiptarë. Si janë pritur ato?
-Antologjitë letrare, janë mirëpritur dhe vlerësuar si në emigracion ashtu dhe në trojet amtare. Libri “Nënës” është i pari në këtë zhanër, kushtuar nënës, sepse dihet letërsia e realizmit socialist, mbante fillin ideologjik dhe nuk futej shumë në thellësinë e duhur për të krijuar, por i binte sipër e sipër, mjaftonte të ishte ideologjikisht korrekte.
-Ju keni përkthyer disa vepra nga anglishtja në shqip, duke veçuar këtu poemat e mirënjohura në botën anglisht folëse “I pamposhturi”,“Kolosi” etj. Sa kohë ju merr përkthimi letrar dhe si ndjeheni kur përktheni kryevepra të këtij niveli?
-Mund të them se përkthimi letrar kërkon një përkushtim të veçantë profesional. Nuk është e thjeshtë, një strofë mund të marrë ditë dhe një poezi mund të marrë javë të përkthehet, ose shqipërohet tamam e të flasë siç flet origjinali, ndonjëherë edhe më bukur (kujto si e ka përkthyer Noli Shekspirin, model që duhet mbajtur parasysh dhe që është i paarritshëm).
-Njiheni si drejtuese e degës “VATRA” në Uashington DC. Kështu u prezantua emri juaj nga“Albanian Excellence”në programin me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Mund të na flisni pak për këtë aspekt të jetës suaj?
– Si çdo shqiptar në SH.B.A.dhe unë ndjej detyrimin tim moral për çështjen kombëtare shqiptare në kuptimin e forcimit të identitetit, ruajtjen e promovimin e vlerave dhe forcimin e miqësisë së kombit shqiptar me atë amerikanë. Shpesh artikujt dhe opinionet lidhur me misionin VATRA, reportazhet nga aktivitetet etj., botohen tek “Dielli”që është organ i VATRES. I lutem zotit të më japë forcë e kthjelltësi që të justifikoj besimin e dhënë.
-Poeti Kolec Traboini ka shkruar për ju poezinë “Bilbilat e Cangonjit”, ndërsa shkrimtari, i ndjeri Riza Lahi, ka shkruar romanin “Serenatë në Nju Jork”, i cili i kushtohet tërësisht jetës suaj. Çfarë përmbajnë në vetvete këto dy gjini?
-Mund të them se i ndjeri Riza, më surprizoi dhe përjetë do të mbetem mirënjohëse . Rizai ishte një mik dhe një njeri i mirë në shpirt. Lidhur me poezinë e Kolës mund të them se jam ndier tejet e nderuar. Të dy këta krijues zemërgjërë janë treguar shumë bujare me mua. Falenderime.
-Kantautori i mirënjohur korçar Mihallaq Andrea, ka kompozuar disa këngë nga poezitë tuaja.Po ashtu dhe kompozitori nga Kosova me banim në Londër, Akil Koçi, ka kompozuar një këngë me lirikat e tua titulluar “In Absentia” interpretuar në skenat evropiane. Si ndjeheni për këto arritje?
-Jam shumë e prekur dhe shumë e detyruar ndaj tyre. E çmoj bashkëpunimin me këto dy figura të nderuara të muziikës shqiptare.
-Cila është dita më e bukur në jetën tuaj ?
-Kam shumë ditë të bukura, por nëse do detyrohesha të veçoja ndonjë, ato janë martesa me Xhonin, lindja e fëmijëve dhe ribashkimi me familjen time.
-Cilin vend për të shkruar preferon më tepër, duke e cilësuar si “limani” i krijimtarisë suaj?
-Shpesh herë mjafton një qoshe e qetë në shtëpi, por mund të them se bregdeti, gjelbërimi në pranverë dhe bora në dimër janë disi më frymëzuese.
-Çfarë synoni të arrini si krijuese për vitin 2015, i cili posa ka nisur maratonën e vet?
-Po shkruaj histori reale nga jeta në Shqipëri, kalvarin nëpër të cilat kalova unë dhe familja ime e mes tyre do të përfshihen dhe histori, që janë tipike e që përshkruajnë jetën përgjatë rregjimit komunist me synimin e shërimit dhe pajtimit kombëtar. Në aspektin e përkthimit, po përfundoj përkthimin në Anglisht të një libri që përshkruan historinë reale të një familje shqiptare gjatë periudhës së përndjekjeve serbe dhe ndërhyrjes së Natos për çlirimin e Kosovës. Eshtë një histori tepër e dhimbshme, por që përçon një dashuri të jashtëzakonshme, që mund të thuash se vetëm shqiptarët e mëshirojnë në atë formë dhe me atë forcë.

Intervistoi : Fadil Shehu
Janar 2015

Filed Under: Interviste Tagged With: : Dashuria ime e parë, dhe letërsia, Fadil Shheu, Interviste, Merita Bajraktari McCormack, MUZIKA

AMERIKANËT NUK JANË PUSHTUESIT, POR ÇLIRIMTARËT TANË

January 6, 2015 by dgreca

Intervistë e fundvitit me Z. Alfons Grishaj, Kryetar i Degës së Vatrës Michigan*/
Pyetje-Po lemë pas një vit të mbushur me plot ngjarje, çfarë do veçonte kryetari i Degës së Vatrës Michigan nga veprimtaria e kësaj dege?
Z. Alfons Grishaj: Çdo vit ka ngjarjet dhe ngarkesën e vet në kohë dhe hapësirë, si tek individët e angazhuar, organizatat,partitë apo edhe tek njerëzit e thjeshtë.
Tek Institucioni i Vatrës, çdo anëtar i saj,ndiheti privilegjuar që ka një vend ku të shprehë përgjegjësitë personale në funksion të një veprimtarie që i ka rrënjët në histori dhe që shtylla kryesore ka avancimin e çështjes kombëtare dhe kultivimin e identitetit nacional në diasporë. Ky mision e bën çdo vatran të ndihet i obliguar që krahas vëmendjes së nevojshme për jetën e përditshme familjare e profesionale, të jetë po aq i përditësuar me çështjen kombëtare dhe raportet e saj ndërkombëtare, ç’ka sigurisht vjen nga vetë historia e shkëlqyer që ka Vatra, nga një traditë që është përcjellur në breza. Kësaj tradite përpiqet t’i qendrojë rigorozisht dhe dega jonë.
Pas takimit vjetor në Michigan, aktiviteti më i rëndësishëm ka qenë ai në NY, ku dega jonë erdhi me piksynime të qarta për ndryshimin e disa neneve në Programin dhe Statutin e Vatrës. Sigurisht qendra dhe Z.Buçaj, na vlerësoi duke na dhënë mundësinë që një nga anetarët tonë të respektuar,Nevruz Nazarko, të drejtonte punimet e kuvendit.
Pyetje -Sa e pranishme është dega e Vatrës së Michiganit në jetën e komunitetit shqiptar në Michigan?
Z. Grishaj: Ne si degë jemi munduar të jemi sa më pranë komunitetit shqiptar,halleve dhe problemeve të tyre.Vatra është i vetmi organizëm që merret me përkrahjen e bashkatdhetarëve që kanë mangësi me emigracionin. Kemi ndihmuar dhe ndjekur me dhimbje problemet e tyre. Për këtë falenderojmë Konsullin e Nderit, Z.Bardha, i cili përmes zyrës juridike të Kongresmenit Peters,tani Senator i USA,mik i shqiptarëve, ka punuar me përkushtim në këtë drejtim.Sigurisht, Vatra tani, ka sekretarin e saj Mond Rakaj, që është përfaqësuesi jonë pranë kësaj zyre. Pothuajse në të gjitha evenimentet që zhvillohen në këtë komunitet, dega jonë është e pranishme. Më të rëndësishmet e këtyre evenimenteve janë dy:Mbrëmja e Letërsisë Shqipe që udhëhiqet nga Revista “Kuvendi” dhe botuesi i saj Pjetër Jaku, dhe festa e Pavarësisë, që udhëhiqet nga Kisha e Shën Palit, me Don Fran Kola në krye. Këtu Vatra është e tërësisht pranishme.
Pyetje-Po në politikën dhe institucionet amerikane, a është faktor dega e Vatrës? Çfarë do veçoni këtë vit që po lëmë pas? Takime,suporte?
Z. Grishaj: Ne i jemi mirënjohës Amerikës dy herë, së pari për moscoptimin e Shqipërisë dhe mëvetësisë së saj, dhe së dyti, për luftën në përkrahje të shqiptarëve për mëvetësinë e Dardanisë. Pa harruar mbështetjen e vazhdueshme që U.S.A. jep në dobi të zhvillimeve demokratike në dy shtetet shqiptare. Mirënjohja, tek ne shqiptarët është një virtyt obligues, që nuk mjaftohet vetëm me ndjeshmëri. Duke u ndjerë në borxh para Amerikës,ne si qytetarë të saj, duhet të punojmë pa kursim, që në momente të caktuara, të mbështesim ata personalitete të ndershme amerikane që punojnë sigurisht për interesat madhore të U.S.A. por që mbrojnë edhe interesat e popullit tonë dhe jo të bëjmë të kundërtën. Konkretisht është fjala për garën elektorale këtu në Michigan mes Senatorit vizionar Peters, mik i shquar i shqiptarëve, përballë kandidates Terry Lind Land,e cila nuk ishte kantidati i duhur për ne, fakt që u bë i njohur publikisht Av.Jozef Dedvukaj. Por në anën tjetër Vatra,Konsulli Bardha, Instititucionet fetare me liderët e tyre shpirtërore,Don Fran Kolaj e Dom Ndue Gjergji,shoqata Malësi e Madhe, e drejtuan komunitetin në kahun pozitiv, duke kontribuar në fitoren e Senatorit Peters, përfaqësues i popullit amerikan,por dhe përfaqësues i popullit shqiptar. Në vlerësim të kësaj, Senatori Peters, i kërkoi Z.Ekrem Bardha,ta festonim sëbashku fitoren, por dhe ditëlindjen e tij. Ishte një vlerësim i madh për ne.Për nder të Senatorit, Z. Bardha, shtroi një darkë në shtëpinë e Tij, me datën 14 Dhjetor 2014. Në këtë takim festiv të ngushtë merrnin pjesë nga Vatra, Alfons Grishaj,Kujtim Qafa, Mond Rakaj,Petrit Doda, i cili në mungesë të Don Fran Kolës, do të përfaqësonte dhe Kishën e Shën Palit, Donika Bardha,e cila do të ishte dhe zonja e këtij takimi, vëllezërit Gani dhe Ilir Bardha, Jozef Dedvukaj. Nga Kisha Zoja Pajtore, merrte pjesë Dom Ndue Gjergji si dhe biznesmeni Agim Lumani.
Dega e Vatrës Michigan, ka mbështetur kandidatë për pozicione të ndryshme në shtetine Michiganit, dhe do të ndihmojë edhe në të ardhmen me donacione të kosiderueshme, sa herë që kantidatët të jenë miq të shqiptarëve. Ne punojmë, dhe puna ështe ai barometër që tregon kohën.
Pyetje-Pse e anashkalove emrin Kosovë, dhe përmende Dardani ?
Z. Grishaj: Dardani është emër shqip. Kosovë është emër serb, më i vonë dhe i bie ndesh parimit të autoktonisë të shqiptarëve. Këtu, të gjithë duhet të bëjmë kujdes. Të parët politikanët e Prishtinës. Jo vetëm per emrin,por dhe për flamurin.Ne kemi një flamur, çdo shpikje tjetër, është djallëzore dhe e papranueshme.
Pyetje: -Si janë marrëdheniet e degës se Vatrës me komunitetet fetare?
Z. Grishaj: Me Teqen Bektashiane dhe Kishat, të shkëlqyera. Me Xhaminë e Imam Vehbisë, patriotit dhe besimtarit të madh, kanë qenë të shkëlqyera, por hë për hë, është një ngërç që na shqetëson dhe që shpresojmë se do të kapërcehet. Ne si Vatër, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Uashington,jemi munduar me mish e me shpirt, që Institucionet fetare t’i afrojmë pas ftohjes së krijuar si rezultat i keqinterpretimit të një deklarimi, i cili në thelb shprehte një dhimbje atërore. Kur e thashë më lart se ne i jemi borxhlinj Amerikës, ne duhet ta ndjejmë detyrimin, dhe nuk do të sillemi si hipokritë, e aq më keq të mos distancohemi nga aktet terroriste që disa shqipfolës kanë tentuar kundër këtij vendi mik. Amerikanët nuk janë pushtuesit tanë siç ishin turqit, por janë çlirimtarët tanë. Fishta,prej dhimbjes, duke parë laramanet dhe sahanlëpirësit shqipfolës, u shpreh: “Le ta marrë vesh gjithë bota mbarë/ se prej sodit unë nuk jam ma shqiptar!” E kush ishte shqiptar më i madh se ai? Gjërat duhet të shikohen me qetësi e maturi dhe jo me ngut! Çdo të ndodhte sikur njerëzit besimtarët e krishterë,t’i merrnin në të njëjtën mënyrë sharjet që i bëhen nënës të përbotshme,Nënë Tereza, e cila i shërbeu botës së dhimbjes? Nëse do të prireshim nga një sjellje e tillë, kohezioni ynë vëllazëror do të merrte fund e pasojat do të ishin tragjike. Gjëra të tilla duhet t’i kalojmë me mençuri dhe dashuri. Në fund të fundit, shqiptar meriton të quhet ai që di të sillet vëllazërisht me shqiptarin pikërisht në çastet e gjërave delikate.
Pyetje: -Sa familjare është Vatra me antarët e saj?
Z. Grishaj: Siç theksova dhe më lart,ne jemi munduar t’u qendrojmë pranë të gjithë bashkatdhetarëve sa herëu është dashur këshilla dhe ndihma. Se sa ia kemi arritur?
Ka dhe hatër mbetje,por duhet të jetë e qartë për këdo, se ky është një bashkim vullnetar për t’i shërbyer shoqërisë në emigracion dhe kombit në tërësi. Nëse dikush e shikon autoritetin tone si çështje posti,atëherë ai është dritëshkurtër dhe dashakeq.Veprimtarinë tonë si degë e mbajmëme financat që ua heqim familjeve tona. Sikur pranë nesh të mos ishin disa persona me vullnet të mirë si Ekrem Bardha,Don Fran Kola,Mond Rakaj,Petrit Doda,Kujtim Qafa a ndonjë tjetër, ne do ta kishim më të vështirë punën tonë. Ka dhe kritika.Ato janë normale dhe i pranojmë,kur kanë në thelb propozime konkrete në dobi të veprimtarisë sonë, por nuk mund të pranojmë asgjë kur vijnë nga dashakeqësia e segmenteve të caktuara,apo ngandonjë lajthitje e rastit. Të fundit, i injorojmë.
Pyetje-Jeni i kënaqur me antarësinë dhe ç’projekte keni për të ardhmen?
Z. Grishaj: Të them të drejtën dhe pse kemi mbi 70 anëtarë nuk jemi të kënaqur. Objektivi ynë është dyfishimi i anëtarësisë çka besojmë se do ta realizojmë,por nga ana tjetër jam i kënaqur me disa antarë të rinj, me mjaft emër në jetën amerikane, kudo të veçoja, Z. Paul Berisha, një nga kampionët e Amerikës në karate.Kujdes duhet të bëjmë me kuotizacionin, të cilin duhet ta kolektojmë në masën 100%.
Gjithashtu, kemi projekte për ngritjen e tri degëve të reja në Viskonsin,Atlanta dhe Teksas. Janari do na gjejë me më shumë energji, por me një kujdes, siç thonë mirditorët: “Ma mirë djepin bosh se dreqin mrenë!”Sigurisht, Vatra është dhe duhet të jetë e të gjithëve,por duke zbatuar Statutin dhe Programin. Maratona për të bërë sa më tepër degë dhe antarë kundër normave statutore do ta dëmtonte Vatrën, e cila në thelb është një organizim elitar. Dega e Vatrës Michigan do të zbatojë vetëm Statutin dhe Programin. Ne do t’i realizojmë objektivat e mësipërm,duke pasur dhe mirëkuptimin e qendres.
Pyetje -Jeni marrë aktivisht me politikë: Çfarë komentesh keni për gjendjen në Shqipëri nën qeverisjen e së majtës, ku portretet e Enver Hoxhës shfaqen në publik? Koment për fushatat e shembjeve të ndërtimeve pa leje, fushatës së vjeljes së dhunshme të faturave të energjisë, për taksat, për moszbatimin e vendimeve të gjykatave etj…
Z. Grishaj: Politika është një shkencë që merret me të gjitha problemet jetësore të shoqërisë. Politikë do të thotë sistemimi i vlerave në një konfiguracion të gjerë dhe zbatimi i tyre me një efikasitet largpamës. A ka politikanë Shqipëria dhe a bëjnë politikë ata? E kam thënë dhe më parë, ne nuk kemi pasur kurrë klasë politike apo traditë politike. E vetmja shkollë politike ka qenë“Shkolla e Partise!” Nga kjo shkollë kanë dalë njerëzit që udhëhoqën Shqipërinë në diktaturë. Politikanët e pas viteve 90 ishin njerëz të profesioneve të ndryshme që nuk e kishin haberin se çdo të thoshte politikë. Prandaj dhe është ky tranzicion i tejzgjatur.Vlerat e bashkëpunimit dhe respektit reciprok nuk ekzistojnë. Ato ekzistojnë vetëm në afera korruptive. Egoizmi është i pranishëm kudo. Shumica e pushtetmbajtësve mendojnë për vete dhe kurrë për interesat e shoqërisë. Aderencat e kohës së shkuar ende nuk janë shkulur. Partitë nuk kanë një vizion të qartë për të ardhmen, sepse, në rradhë të parë ato vetëm parti nuk janë. Kleptokracia po ja zë frymën shtetit dhe pauperizmi shpirtëror i tyre nuk përkon me luksin fallso që kanë ndërtuar për një kohë të shkurtër.
Diferenca e pagave është e tmerrshme,dhe faturat e pandershme vrasin qytetarët e ndershëm dhe puntorë. Papunësia është e lartë dhe kostoja e jetesës në rritje do ta shtojë edhe më tej varfërinë dhe diferencën mes shtresave. Vjelja me dhunë e faturave të energjisë pa asnjë masë zbutjeje është si taksa e gjakut, që turqit aplikonin mbi të krishterët. Nuk mbushen arkat e shtetit me taksa gjaku. Sigurisht,qytetarët duhet të mësojnë të zbatojnë ligjet, por qeveria duhet t’u krijojë kushtet e nevojshme për zhvillimin e një jete normale. Qeveria duhet që urgjentisht të hartojë politika konkrete për nxitjen e punësimit kryesisht në ata sektorë ku mund të operojnë investorë të fuqishëm të huaj.Mjerisht shoh që populli shqiptar do të kalojë një dimër të vështirë…shumë të vështirë.
Është e dhimbshme që në shekullin 21 të ringjallet kulti i Djallit dhe kjo i bën parashikimet akoma më të zymta. Le të kujtojmë pak kontekstin e këshillës që dha ambasadori Arvizu: “Mos e humbni Gjelin e artë”!
Korrupsioni politik ka nxjerrë jashtë funksionit të gjitha institucionet e pavarura të vendit. Politika ka nënshtruar drejtësinë dhe mosndëshkueshmëria e krimeve të zyrtarëve të lartë shihet tashmë pothuajse si një fenomen i përligjshëm, edhe pse disa çështje kanë qenë flagrante dhe të turpshme para syve të opinionit ndërkombëtar, për më tepër kur “specialistët”shqiptarë shpërfillnin edhe rezultatet e ekspertëve të FBI në gjykimin shkencor të provave. Këlyshët e korrupsionit kanë kohë që janë bërë ujq dhe ata që i shpëtuan ndëshkimit, pasi gëlltitën një të katërtën e koalicionit të shkuar, nuk po ngopen as me gjysmën e tryezëssë sotme.Çka ka mbetur pa u shqyer është vetëm njëri-tjetri. E kjo të kujton vargjet lapidare të Sadiut: “Këlyshët e ujkut dikush i ushqeu/ dhe kur u rritën, e hëngrën atë”!
Shpata e qeverisë pret nga e djathta,duke harruar që të djathtët nesër në emër të precedentit do të sillen njësoj ashpër, të nxitur aq më tepër nga përvoja e hidhur për shkak të shartesave kontaminuese.
Lojën e pandershme të politikës dhe paaftësinë e saj i paguan gjithnjë elektorati,i cili vuan për nevojat minimale të jetesës, shpesh herë i pavullnetshëm në votë dhe tashmë edhe i friksuaredhe pse liria e shprehjes është e sanksionuar në kushtetutë. Në fakt liritë në Shqipëri janë të kushtëzuara me heshtje dhe ky është një problem i madh për demokracinë.Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se në ç’ gjendje është demokracia në Shqipëri.
Sot është koha për të korrigjuar të gjithë sistemin në Shqipëri. Republika parlamentare ka dështuar. Shteti shqiptar në të vërtetë është një shtet kryeministror i tipit musolinian. Ka ardhur koha që zgjidhja të shihet tek një republikë presidenciale, sipas modelit amerikan që do të garantonte ndarjen e pushteteve, funksionimin e drejtësisë dhe përparimin gjithanshëm të shoqërisë.
Pyetje: -Po për opozitën, ç’ mendim keni për zhvillimet e këtij viti?
Z. Grishaj: Opozita nuk është duke bërë oponencë. Opozitarizmi nuk bëhet nëpër zyrate selisë së partisë, por atje në parlament.
PD dhe politika në përgjithësi duhet të përshtatet me rregullat e lojës dhe filozofinë e politikëbërjes jo vetem si shkencë, por dhe si praktikë. Pluralizmi ka lindur nga filozofia, me sens të qartë si rrugë dialogu.Lëvizja e fundit në PD, për freskimin e kryesisë, duhet vlerësuar. Promovimi i një elite të re ka qenë diçka e kërkuar me kohë si garanci për mos përsëritjen e gabimeve të së shkuarës. Por nuk duhet të mungojë respekti ndaj figurave historike. Ata gëzojnë përvojën që brezi i ri nuk e ka, dhe një pjesë e mirë e tyre mund të kontribuojnë ende me energjitë që disponojnë.
Çfarë është më e rëndësishme, PD duhet të dalë në terren derë më derë për të spjeguar alternativën e vet, veçse në rradhë të parë duhet tëidentifikojë një për një gabimet e qeverisjes së vet dhe të kërkojë ndjesë për to. Veçanërisht ndjesëduhet t’u kërkojë antarëve të vet të lënduar më parë nga mospërfillja dhe injorimi. PD duhet të ngjeshë gjithashtu raportet me aleatet e vet tëdjathtë. Me antarësinë që ka dhe duke rritur moralin e rënë, PD mund të ketë në zgjedhjet e ardhshme një fitore të ngushtë,por të sigurte.Nëse nuk punohet në këtë mënyrë shanset janë të pakta. Megalomania dhe vetkënaqesia nuk është virtyt i të zgjuarve por i atyreve që mëngjezin e hanë në darkë, dhe darkën në të gdhirë.
Pyetje- Keni një koment për Ligjin e Lustracionit dhe hapjen e dosjeve,që janë rishfaqur si inisiativa të përsëritura në politikën shqiptare?
Z. Grishaj: Ligjin për hapjen e dosjeve e ka kërkuar me insistim PD e Shkodrës,që në momentet e para të demokracisë, dhe nuk është meritë e të vonuarve që kërcejnë si pupagjela tani. Ta dijë mirë i gjithë populli shqiptar kjo është një lojë e turpshme. E gjithë kjo zhurmë bëhet, për të larguar vëmendjen prej më të rëndësishmes, dënimin e komunizmit në Shqipëri. Kush i bëri dosjet në Shqipëri? Përgjigja do të jetë: “O, nuk e di ti,oficerat famëkeq të sigurimit!” Deri këtu jam dakord, po kush i komandonte këta mjeranë, që sot do t’i bëjnë mish për top?A ishte aparati i Komitetit Qendror projektuesi dhe inicuesi i këtij turpi? Po! Atëherë pse nuk dënohen arkitektet e krimit dhe jo dosjepunuesit?Kur u dogj Komiteti i PP-së, në Shkodër,me 2 Prill 1991, një miku im MB më solli rreth treqind faqe dosje të përpiluara dhe të dirigjuara nga ai Komitet. Sot e kësaj dite kam disa dosje dhe një dosje interesante ku shkruhet Top Sekret. Veç t’i lexoje se çfarë trillimesh të turpshme. Ju mendoni se të kujt janë ato dosje? Ato dosje janë të njerëzve të thjeshtë dhe intelektualëve të rinj, disa prej të cilëve jetojnë në Michigan e New York. Duhen hapur më pare ato dosje të Byrosë Politike apo e Komitetit Qendror, prej nga kanë dalë urdhrat për të përndjekur, internuar, burgosur e pushkatuar të gjithë ata njerëz të pafajshëm që konsideroheshin si armiq nga pushteti komunist. Tek dosjet e bashkëpuntorëve, do të gjesh zanatçinj që nga berberët tek fotografët, nga shoferët tek magazinierët, nga puntorët e krahut tek brigadierët, nga mësuesit tek doktorët, nga civilët tek ushtarakët. Nëna që padisnin fëmijën, vëllau vëllanë, si në rastin e mikut tim FSH, që vëllau e futi në burg (Sikur F do të arratisej)për t’i kapur gruan etj., etj. Berisha ka lexuar shumë dosje me vëmendje, dhe njëherë i tronditur më pat thënë: “sikur të hapen këto dosje, do të prishen me qindra familje dhe do të ketë hakmarrje të përgjakshme”. A kishte të drejtë Berisha?Po! Ai kishte dhe ka të drejtë për dosjet e bashkëpuntorëve, por ai do të kishte mbetur përjetësisht në historinë e Shqipërisë nëse gjatë dy dekadave e gjysëm do të kishte realizuar procesin e ndëshkimit ligjor të autorëve të krimeve të komunizmit.Unë mendoj që hapja e dosjeve pa ndëshkim të krimit është një proces që kërkon të mbyllë me turp një kapitull të turpshëm të histories sonë.Lustracioni duhet të përfshijë sigurisht politikanët dhe njerëzit që kërkojnë pushtet, por edhe të gjithë ata që bëjnë dhe kanë bërë jetë publike në këto njëzet e pesë vjet pluralizëm, qofshin këta të zgjedhur apo të emëruar, gazetarë apo historianë, aktivistë të shoqërisë civile apo drejtues subjektesh elektorale deri në rang lokal.Lustracioni duhet t’i shërbejë kryekëput katarsës së shoqërisë.
Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë të gjinden dosjet e pushtetarëve të kuq,sepse ata kanë pasur në dispozicion gjithë kohën e nevojshme për t’i zhdukur gjurmët e provave inkriminuese.Do dalin disa dosje fatkeqësh,si për shembull: “Pelikani”, “Karramanja”, “Doku”, “Dezinjatorja”, “Plepi” apo këtu në emigracion si: “Bilbili”, “Fotografi”, “Korrieri”, “Studenti”, etj., etj. Ndonjëri që fshihet ende pas këtyre pseudenimeve nuk rri rehat edhe këtu në emigracion, edhe pse sipas ligjeve të shtetit amerikan, njerëzit që kanë kryer krime politike në vendet e tyre nuk mund të jenë shtetas të U.S.A. Por, unë nuk dua të merrem me të përdorurit, por me manipulatorët. Kërkoj një gjë që deri më sot nuk po e përmend askush: Të denoncohen hartuesit e Listave të Vdekjes, të cilatnë rast lufte do të ekzekutoheshin nga skuadrat e pushkatimit. Këto lista u botuan tek Gazeta “Pishtari”, dhe në to ishin dhe emrat e nënës time të dashur dhe vëllait tim Eduard Grishaj.
Qindra priftërinj, hoxhallarë, intelektualë,fëmijë, gra e nëna nacionaliste,puntorë u burgosen ,u pushkatuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes. A mund ta marrë përsipër drejtësinë historike Rilindja e Kuqe me portretet e Enver Hoxhës në tubime? Ata t’u bien baballarëve të tyre? Mos o Zot! Ambasdori i OSCE,Gert Ahrens, më pat pyetur nëse do tëmund të kishte ndonjë ditë reaksion nga të persekutuarit, me një fjalë, hakmarrje.Unë iu pergjigja se nëse dikush merr një plagë dhe nuk luhet me atë plagë, ajo shërohet. Nëse e ngacmon atë përsëri ajo pikon gjak! Nuk përjashtohet ajo mundësi! Në Bibël shkruhet, “sy për sy e dhemb për dhemb!
-“E kuptoj !”,m’u përgjigj ai.
Po e mbyll me thënien e Albert Camus: “In the midst of winter,I finally learned that there was in me an invincible summer.”
– Mesazhi juaj në pragun e Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve…
Z. Grishaj: Me shëndet Krishtlindjet dhe vit të mbarë për gjithë popullin shqiptar!
-Ju faleminderit për intervistën!
Z. Grishaj: Edhe ju falenderoj!(Intervistoi:Dalip Greca. U publikua ne Diellin e Printuar, Dhjetor 2014)
* Ne Foto: Kryetari i deges se Vatres ne michigan, z. Alfons Grishaj me Senatorin Gary Peters

Filed Under: Interviste, Vatra Tagged With: alfons Grishaj, dalip greca, Interviste

DR. BUÇAJ: DEKORIMI I MARTIRËVE TË VATRËS, AKT DREJTËSIE KUNDËR PADREJTËSISË

January 6, 2015 by dgreca

-Intervistë me Kryetarin e Vatrës, Dr.GjonBuçaj,me rastin e dekorimi të martirëve të Vatrës, dënuar nga diktatura komuniste*/
Dielli- Dr. Buçaj, në prag të festës së pavarësisë së Shqipërisë ju udhëtuat me një delagacion të Vatrës në Tiranë.Tashmë është bërëpublik fakti se qëllimi i atij udhëtimi ishin dekorimet që bëri Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani për martirët vatranë.A mund t’u jepni më shumë hollësi vatranëve përecurinë e asaj vizite?
Dr. Gjon Buçaj- Po, ai ishte qëllimi.Që në shtator kur ishte në New York, president Nishani na kishte ba me dije se martirët e Vatrës, do të dekoroheshin në nji ceremoni të organizueme me rastin e përvjetorin e pamvarsisë. Kur erdhi njoftimi nga Presidenca se data e dekorimit ishte caktue 24 nandori na bamë rezervimet e udhëtimit bashke me djalin tim, Eduardin dhe, në të njetën kohë, shpërndava njoftimin Kryesise dhe antarëve të Këshillit Drejtues me sygjerimin se do të ishte mirë që kushdo kishte mundsi të udhëtonte në atë rast për në Tiranë, për të marrë pjesë në ceremoninë ku kreu i shtetit shqiptar do të nderonte pas vdekjes disa vatranë të cilët kishin ra viktima të pafajshme tëregjimit gjakatar komunist. Fillimisht shprehu gatëshmeninë të vinin sekretarja e Vatrës znj.Nazo Veliu së bashku me z. Veis Belliu, si dhe antari i Këshillit Drejtues z. Çezar Ndreu.Kur erdhinjoftimi se përveç 12 martirëvet vatranë, me atë rast do të dekorohej edhe nënkryetari z. Agim Rexhaj, edhe ai bashkë me znj. Laura udhëtuen për në Tiranë.Ceremonia u zhvillua në ambientet e Presidencës në orën 5 të mbasdreketë 24 nandorit, në prezencën e shumë familjarëve të personaliteteve që dekoroheshin, si dhe të disa ish të burgosun dhe të persekutuem politikë. Takimi ishte i ngarkuem me emocione dhe për ne ishte gjithashtu nder që takonim farefisin e atyne atdhetarëve të cilët kanë qenë gjithëmonë inspirim për ne me veprimtarinë e tyne në shërbim të shqiptarizmit. Mbas ceremonise dhe përshëndetjevet dhe falënderimevet me presidentin, në emën të Vatrës shtruem nji koktel për pjesëmarrësit në restorantin Piazza me pronar z. Kadri Morinaj. Duhet përmendi me mirënjohje se ai refuzoj pagesën prej nesh.Ashtu si edhe pronari i hotelit Tirana International z. Ramë Geci nuk pranoi pagesat nga unë, as nga nenkryetari Rexhaj për dy dhomat gjatë kohës që qëndruem në Tiranë. I falenderojmë.
Dielli-Si dhe kur lindi ideja për dekorimin e martirëve të Vatrës?
Dr. Buçaj- Kujtimi i atyne që e themeluen Vatrën dhe e mbajtën me sakrifica në veprimtari të pandërpreme në sherbim të kombit, ka qenë gjithëmonë frymzim dhe shtytje për të vazhdue në gjurmat e tyne. Mirënjohja dhe admirimi për këta veprimtarë patriotë kanë qenë gjithëmonë prezent gjatë çdo kohë që jemi marrë me Vatrën.Kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës e kemi quejtë si akt vlersimi dhe mirënjohjeje për paraardhësit.Prandej nderimin e tyne e kemi pa si detyrë. Në mënyrë të posaçme na ka randue fakti se,në vend të nderimit dhe mirënjohjes,disa nga vatranët kanë marrë,në mënyrë mizore, ndëshkim të pamerituem, “në emën të popullit”. Kjo e ka ngarkue kombin me borxh ndaj këtyne martirëve.Prandej, në shtatorin e vitit të kaluem, në nji takim pune me presidentin Nishani në NY, i shprehëm mendimin se do ti kërkonim dekorimin e disave nga vatranët të cilët, mbas sherbimit për çashtjen kombtare ne Shetet e Bashkueme, u kthyen dhe vazhduen në atdhe veprimtarinë e tyne gjithënji në frymën e shqiptarizmit. Presidenti Nishani na tha se propozimin do ta merrte në shqyrtim me seriozitetin ma të madh. Mbas kërkimesh dhe konsultimesh, muejtëm me përpilue nji listë prej 12 vetësh të cilën ia dërguem presidentit. Kjo ishte mënyra se silindi ideja për dekorimin e martirëvet të Vatrës.
Dielli- Mendoni se u krye detyrimi moral i Vatrës ndaj vatranëve të persekutuar apo të pavlerësuar nga regjimi komunist me këto dekorime?Po për të tjerët, që kanë dhënë kontribut dhe kanë ndërruar jetë këtunë SHBA, a është menduar për ndonjë vlerësim në të ardhmen?
Dr. Buçaj- Kësaj here Vatra ka marrë inicjativën për të nderue vatranët që kanë emnues të përbashkët përsekutimin nga komunizmi, por ka edhe të tjerë të cilët kanë vdekë jashtë atdheut dhe nuk janë vlerësue nga shteti shqiptar; disa nga ata regjimi diktatorial do t’i kishte rreshtue me martirët po t’ikishte futë në dorë. Natyrisht vlerësimi dhe nderimi i veprimtarëve atdhedashës asht nji proces të cilin shteti shqiptar duhet t’a vazhdojë dhe kjo nuk asht detyrë vetëm e “Vatrës”. Shteti shqiptar duhet të vlerësojë edhe dhetamija viktima të tjerë tëpafajshme të regjimit pro sllava ntikombëtar edhe antinjerzor komunist. Por kjo nuk pritet se do të realizohet përderisa shoqnia shqiptare të mos i ketë la hesapet me të kaluemen tragjike të diktaturës.
Dielli- Ka personalitete të Vatrës, si Kristo Dako psh, që ka qenë kryetari Vatrës,editor i Diellit, delegat në Konferencën e Paqës, botues, autor librash, drejtor i Institutit të Lartë Femëror në Kamëz,pra me kontribut Kombëtar, që ende nuk është vlerësuar. Po ashtu shkrimtari Arshi Pipa, edhe pse një periudhë të shkurtër ka drejtuar Vatrën dhe ka edituar Diellin, por ka qenë gjithmonë në krah të Vatrës?
Dr. Buçaj-Përgjigjia e pyetjes para kesaj vlen pjesërisht edhe për këtë. Veprimtarëve të masipërm, ende të pavlerësuem, mund t’ushtohen edhe Kostë Çekrezi, Qerim Panariti, Rifat Gurrazezi, Xhevat Kallajxhiu, Hamdi Oruçi, Athanas Gegaj, Eduard Liço e të tjerë. Të gjithë duhen vlesërsue për kontributin politik e kulturor në dobi të çashtjes kombëtare.Kjo asht detyrë kryesisht e shetit Shqiptar.Kësaj here na jemi përqendrue tek nderimi i vatranëve që ranë viktima të komunizmit. Realizimi i dekorimit t tyne mendoj se ka randsi historike pse asht nji akt drejtesije kunder padrejtesise qe denon krimet absurd te komunizmit dhe bjen ndesh me qendrimin armiqsor të atij sistemi kundër vlerave që shërbyen atdheut në periudhat e ndryshem, pra në rrethana lirie ose edhe nen okupimin e huej. Atdheut i keborxh dashunine dhe ndimen me sakrifica jo vetem kurasht mire por edhe kur asht keq, jo vetem kur asht i lre, por edhe ma teper kur nukasht i lire.Prandej dekorimi i tyne ka qenë detyrë morale dhe juridike.
Dielli- Po ashtu me të njëtin dekoratë u vlerësua edhe zv/kryetari i Vatrës,z. Agim Rexhaj, ndërsa më parë jeni dekoruar ju dhe presidenti i nderit i VATRES, z. Agim Karagjozi. A mund të jepet një sqarim publik se kush ishte institucioni që bëri propozimet?
Dr. Buçaj-Askush nga Vatra nuk ka ba propozim për dekorime, përveç martirëvet të Vatrës. Nuk e dijmë se çfarë institucioni i ka ba propozimet, por asht fakt se presidenti Nishani ka sjell dekorata edhe për personalitete dhe aktivista të tjerë të diasporës. Dekoratat për ne të gjallëve të Vatrës na kanë ardhë krejtsisht të paprituna. Me ato nderohet Vatra dhe na do t’i mbajme me pervujtni, tue dijte se ka shume te tjere me merita sa na, ne mos edhe ma shume se na.
Dielli- Ju dorëzuat në selitë e Komuniteteve fetare fotografinë simbolike të klerikëve, pjesmarrës në 100 vjetorin e Vatrës.Diçka më shumë për mesazhin përcjellës dhe si u pritën ato?
Dr. Buçaj-Siç dihet, në kremtimit e 100 vjetorit të Federatës Pan Shqiptare Vatra që u organizu në prill 2012 në NY kanë qenë prezent në vend nderi përfaqsuesit ma të lartë klerikë të besimevet tona. Kemi dorzue institucioneve fetare nga nji fotografi prej atij kremtimi ku pasqyrohet kjo prezencë historike, që simbolizon harmoninë ndërfetare tek ne shqiptarët.Si e tillë u prit dhe u vlersue nga titullarët e institucionevet fetare si në Tiranë asht edhe në Prishtinë.
Dielli- Në Tiranë ju patët shumë takime, a mund t’i përshkruani me detaje?
Dr. Buçaj-Na kemi shkue me program zyrtarpër të marrë pjesë në ceremoninë e dekorimit të martirëvet vatranë dhe shfrytëzuem rastin për të sjellë fotografitë e klerikëve. Por në intervale te shkurta te kohes patëm kënaqsinë të takohemi edhe me disa nga miqt dhe personalitetet qe i kemi takue ne te kaluemen, qofte si mysafire ne Vater, qofte si mikpritesa ne Shqipni, si me kryetarin e bashkisë në Tiranë, Zotin Lulzim Basha, me ish kryemistrin Dr. Sali Berisha, z. Eduard Selami dhe miq të tjerë, sidomos ish të përndjekun politikë, z. Simon Mirakaj, Reshat Kripa, Uran Kostreci, Uran Butka, e të tjerë.
Dielli- Pas Tiranës, ju udhëtuat drejt Prishtinës.Cili ishte qëllimi dhe në çfarë aktiviteti morët pjesë?
Dr. Buçaj-Në Prishtinë udhëtuem, së bashku me z. Çezar Ndreu i cili vizitonte Kosovën për të parën here.Ndersa Çezarit iu desh te nesermen te kthehej ne Tirane megjithe kusherinin e vet Bashkimin qe na solli ne Prishtine me makine, une me Eduardin morëm pjesë në promovimin e librit “Letër Këmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” me autorë Skender Blakaj dhe Ismail Islmajli. Për botimin e këtij libri vatranet kane ndimue edhe pse ndër këto letër këmbime janë shumë nga Faik Konica, disa të panjoftuna ma parë.Libri, u promovue nga akademikë dhe autorë të njoftun,u prit shumë mirëdhe u komentue pozitivisht nga media. Kemi sjellë, me autografinë e autorit Blakaj, nga nji ekzemplar për të gjithë ata që kanë ndihmue financiarisht për botimin e tij, tue e ba Vatren bashkebotuese.
Dielli- Qeveria e majtë me kryeministër Ramën, ka sjellë një risi në mandatin e saj: Ka lejuar shfaqjen e portreteve të diktatorit Enver Hoxha, ndërkohë që përmes Bunk-Art, ka ekspozuar imazhet e udhëheqjes komuniste.Po mbushet një çerek shekulli dhe ende nuk ka një ligj që të dënojë Enver Hoxhën, që ende mbanë titullin Hero i Popullit…e të tjerë. Komenti juaj në emër të Vatrës?
Dr. Buçaj-Mund të them se shfaqj e portretit të dikatorit Enver Hoxha asht nji dukuni anakronike e cila shqetson shoqninë shqiptare dhe fyen të gjithë ata që vuejtën nga diktatura sllavo-komuniste.Mund të ju kujtohet se para zgjedhëjeve të vitit kaluem Vatra pat marrë qendrim kundër kualcionit të majte, për solidaritet me shtresën e ish të përndjekunëvet politik, të cilët kishin shprehë shqetsimin për sllogane pro diktatorit dhe për kërcenime për të kthye portretin e tij në sheshet e qyteteve të Shqipnisë. Këtë shqetësim ia kemi përmende edhe zotit Rama, kur ishte në New York mbas fitores së zgjedhjeve. Mungesa e denimit të krimeve dhe të krimineleve të komunizmit dhe të kryekriminelit Enver Hoxha, e len rrugën hapët për këtë dukuni recidive të së kaluemes tragjike dhe pengon zhvillimin dhe ecjen përpara të shoqnisë shqiptare. Qendrimi i Vatrës ka qenë i kjart që në fillimin e ndryshimevet politike mbas ramjes së murit e Berlinit. Shqipnia duhej të shkëputej nga e kaluemja e diktatures së kuqe, duhej të hapëshin dosjet, të zbatohej ligji i lustracionit, të vendosej respeki i të drejtave themelore të njeriut me kthimin se prones të konfiskueme nga komunizmi dhe me damshpërblimin dhe integrimin e shtreses së ish të përndjekunëvet politikë, duhej të denoheshin krimet dhe kriminelet dhe të kërkohej falje për krimet dhe padrejtësitë e ushtrueme mbi kurrizin e popullit per nji gjysme shekulli. Këto i kemi kërkue në mënyrë vazhdueshme si kushte të domosdoshme për ndertimin e nji shoqnie demokratike me ligj e drejtësi dhe pa korrupsion.Kësaj here ka propozue hapjen e dosjevet edhe kreu i partisë socialiste.Realizimi i ketij propozimi do te zhdukte edhe korrupsionin, pse Ligji i Lustracionit duhet te perfshije edhe transparencen e pasunise prrallore te grumbullueme nga hajnat dhe plaçkitesat qe i kane nxane frymen zhvillimit ekonomik dhe permiresimit te jetes se qytetarevet. Do të shohim shpejt ne se do te jete kjo nji nisme serioze, apo do të mbetet hipokrizi si deri tash.
Dielli- Si do t’i komentonit zhvillimet në Kosovë, cili është qëndrimi i Vatrës?
Dr. Buçaj- Çashtja e Kosovës ka qenë gjithëmonë në qendër të interesimit dhe të veprimit për lirimin nga robnia sllave. Tash që asht e pamvarun shqetësimi i Vatrës asht njisoj si ai i popullit te saj: për ecuninë drejt konsolidimit të pamvarsisë dhe të krijimit të nji jete ma të mirë e ma të drejt për kosovaret, të cilëvet korrupsioni dhe karrjerizmi po ia nxen fryemën. Besoj se popullin e Kosoves kjo gjendje e ka çue në kufi të durimit.
Dielli-Çfare do te veçonit nga zhvillimet ne trojet etnike?
Dr. Buçaj-Negative, mungesa e bashkëpunimt ne mes forcavet politike. Pozitive, rritja e patriotizmit dhe përforcimi i ndjenjes së bashkimit kombëtar në popull.Nisma private per te ndertue shpija nevojtarevet ne Luginen e Presheves, asht nji drite frymezimi.
Dielli- Si do ta vlerësonte veprimtarinë e Vatrës në mbyllje të këtij viti kryetari Buçaj?
Dr. Buçaj-Veprimtaria e Vatrës ka nji kahje pozitive me rritjen e numrit të anëtarëvet dhe me shtuemjen e degëvet.Duhet kujdes për ma shumë spjegime degëvet të reja dhe anëtarëvet të rinj mbi mënyrën e funksionimit të Vatrës si organizatë.Asht kënaqësi kur vren frymën e idealizmit atdhetar edhe tek radhët e reja që po i bashkohen Vatrës gjithënji e ma shumë.
Dielli- Cili është mesazhi në këtë fundviti?
Dr. Buçaj-Shëndet e gëzime dhe suksese të gjithë shqiptarëvet kudo janë, si dhe vatranëvet me urimin që ta mbajnë entuziazmin në rritje për nji Vatër të fuqishme në sherbim të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të çashtjes kombëtare, në frymën që na lan themeluesat dhe paraardhësat tanë.
Dielli- Faleminderit për intervistën!
Dr. Buçaj-Ishte kënaqsi.Edhe Editorit i uroj shëndet e gëzime familjare dhe ma shumë ndimë nga vatranët dhe nga lexuesat për “Diellin”.(Intervistoi:Dalip Greca)
*Kjo interviste u publikua ne Diellin e Dhjetorit 2014

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: AKT DREJTËSIE, dalip greca, DR. BUÇAJ: DEKORIMI I MARTIRËVE TË VATRËS, Interviste, KUNDËR PADREJTËSISË

Dr.Nail Draga:” Diaspora shqiptare, ka dhënë kontribut më vlerë gjatë gjithë kohës për çështjen kombëtare shqiptare”

November 20, 2014 by dgreca

Intervistoi: Beqir Sina/
NEW YORK : I ndodhur në SHBA- javën e kaluar, Dr. Nail Draga, drejtor i Qendrës Kulturore në Ulqin, si i ftuar në Konferencën e dytë ndërkombëtare, kushtuar shqiptarëve në Mal të Zi, e cila është mbajtur në Universitetin Oakland – Michiganit – mbajti kumtesë “Shqiptarët Në Mal Të Zi Në Regjistrimet E Popullsisë (1948-2011)” Në fund të kësaj vizite – në Nju Jork, Dr. Draga, i dha një intervistë të posaçme gazetarit tonë Beqir Sina, ku ai fletë për konferencën, gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, dhe se cila është sot pozita e shqiptarëve në Mal të Zi tetë vjet pas pavarësisë.
Autori i 8 librave ka marrë pjesë në shumë takime, tribuna, sesione, simpoziume dhe konferenca të ndryshme shkencore, nga fusha e gjeografisë, etnologjisë, historisë, ekologjisë dhe çështjeve të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit.
Dr Draga, ka qenë anëtar i Këshillit të përgjithshëm të arsimit(2003-2008), subjektit me të lartë arsimor në Mal të Zi. Me ftesë të kongresmenit Tom Lantosh, me datën 30.10.2003, në Kongresin Amerikan në Uashington ka dëshmuar në një seancë degjimore në lidhje me Poziten dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi. Ka marrë pjesë në takime të ndryshme shkencore në vend dhe në botën e jashtme me kumtesa nga fusha e gjeografisë.
Deri më tash, ai ka botuar rreth 300 artikuj, studime, recensione, vështrime dhe komente nga fusha e gjeografsië dhe e publicistikës, në botime të veçanta, revista dhe gazeta te ndryshme në hapësirën shqiptare dhe më gjerë.
Dr. Draga është një nder themeluesit e Shoqatës së Artisteve dhe Intelektualeve ART CLUB[3] (28.12.1990) në Ulqin si dhe president saj nga viti 1995-2002. Është themelues dhe kryeredaktor i revistës LEMBA (shkencë, kulturë, art) nga viti 1998. Po ashtu edhe redaktor dhe recenzentë i botimeve të ndryshme ne edicionin e botimeve të Art Club-it.Udhëheqes dhe organizator i shumë veprimtarive shkencore, kulturore dhe artistike. Gjithashtu merret edhe me publicistikë.
Cili është qellimi i vizitës suaj këtu në SHBA?
Isha i ftuar në Konferencën e dytë ndërkombëtare kushtuar shqiptarëve në Mal të Zi, e cila është mbajtur në Detroit. Konferenca u sponsorizua nga Departamenti i shkencave Politike dhe Enti i Studimeve ndërkombëtare të Universitetit Oakland, së bashku me disa shoqata shqiptaro-amerikane nga Nju Jorku dhe nga Miçigani.
Në këtë takim jam paraqitur me kumtesën “Shqiptarët në regijstrimet e popullsisë në Mal të Zi(1948-2011)”, ku kam trajtuar në mënyrë analitike pasaktësitë e tyre regjistrimeve sidomos sa i përket strukturës kombëtare të popullsisë, nga del se numri i shqiptarëve realisht ka qenë më i lartë se sa e ka paraqitur statistika zyrtare. Janë bërë krahasimet nga koha e monizmit dhe ate të pluralizmit, ku verehën dallime të mëdha. Aspak më mirë nuk qendron gjendja as më pjesëtarët e popujve të tjerë si serbeët, boshnjakët, kroatët etj.Nëse analizojmë të dhënat nga regjistrimi i vitit 1948 dhe këtë të fundit del qartë se kemi pasur të bëjmë me regjistrime ideologjike dhe koncepte unitariste, duke e paraqitur ketë mjedis si homogjen në mënyrë artificiale, edhe pse ky ishte dhe është tani mjedisi me heterogjen dhe me multinacional dhe kulturor në Evropën juglindore dhe më gjerë.
Ku më së shumti janë dëmtuar shqiptarët ? sipas jush
Në sajë te të dhënave të përpunuara sipas vendbanimeve shqiptare pikërisht në vitin 1948, një numër i konsideruar i shqiptarëve i kanë regjistruar si malazez. Rasti i zonës së Shestanit të Krajës në komunën e Tivarit për këtë vit është rast tipik i manipulimit të strukturës nacionale të popullsisë, sepse sipas këtij regjistrimi në zonën e Shestanit e banuar tërësisht me popullsi shqiptare, nga numri i përgjithshëm i popullsisë së regjistruar prej 1461 qytetarësh, 1452 janë deklaruar malazez, apo 99%(!!!), 3 kroatë(0.0020%),, ndërsa vetëm 6 persona janë deklaruar shqiptarë apo 0.0041%(!!!).. Ngjajshëm është vepruar edhe në vendbanimet dhe viset tjera shqiptare në Mal të Zi, sepse një veprim i tillë ishte orientim i politikës shtetërore, duke e paraqitur pjesëmarrjen e shqiptarëve nga 5-7% në kuadër të popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi, edhe pse realisht ajo ishte më e lartë rreth 10 përqindshit.
Ky veprim që thoni ju ishte në monizëm e në pluralizëm si qendron puna ?
Sipas analizës sonë regjistrimi i vitit 2003 ishte më objektivi se të gjithë regjistrimet e deritashme. Në vitin 2003 në regjistrimin e popullsisë Komisioni komunal, ka pasur ingerenca në përpunimin e të dhënave dhe publikimin e rezultatëve, ndërsa në vitin 2011, iu mohua një veprim i tillë. I tërë materiali është përpunuar nga Enti Shtetëror i Statistikës (Monstat), ku nuk ka qenë i angazhuar asnjë person i kombësisë shqiptare.
Nga të dhënat e dy regjistrimeve të fundit 2003-2011, sa iu përket shqiptarëve del qartë se kemi të bëjmë me një raport të panjohur deri më tash në Mal të Zi. Ndryshimi negativ me minus 17243 banorë (apo minus 36.16%) dëshmon qartë emigrimin e shqiptarëve nga viset e tyre e me këtë edhe pabarazinë ekonomike e sociale në Mal të Zi.
Në vendet jodemokratike ka kohë që vlen konstatimi se nuk ka rëndësi se si kush voton, por rëndësi ka se kush i numëron votat, ku në mënyrë analoge vlen edhe për përpunimin dhe publikimin e rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi.
Atëhere si shpjegohet kjo rënie kaq drastike?
Në këtë regjistrim të popullsisë(2011), në emër të metodologjisë se punës, nuk është regjistruar fare diaspora shqiptare, duke iu mohuar të drejten e tyre qytetare më të vetmin argument se janë më tepër se një vit në botën e jashtme. Ishte ky një veprim përfid për të zvogluar dukshëm numrin e shqiptarëve në ketë mjedis.
Ishte kjo një padrejtësi, sepse diaspora shqiptare paraqet 1/3 e diasporës së përgjithshme të Malit të Zi, që dëshmon qartë statsusin e tyre social dhe politik.Me ketë rast duhet cekur se ishin pikërisht bashkëkombasit tanë në diasporë qe kanë ardhur e kanë votuar në referendmin për pavarësinë e Malit të Zi me 21 maj 2006. Madje vota e tyre ishte vendimtare, ndërsa tash anashkalohen apo më mirë të themi eliminohen, edhe pse pjesa dërmuese janë ende në regjistrat zgjedhore. Ndërsa për ata të cilët janë regjistruar si diasporë me banim deri në një vit në botën e jashtme, janë evidentuar vetëm si numra, pa identitet nacional, gjuhësor dhe fetar, që është rast i panjohur deri më tash në regjistrimet e popullsisë.
Rënia e shqiptarëve në popullsisnë e përgjithshme në Mal të Zi nga 7.09%(2003) në 4.91%(2011), dëshmon qartë pabarazinë e tyre ekonomike dhe shoqërore në ata komuna si popullsi autoktone, nga Ulqini në jug e deri të Rozhaja në veri-lindje. Dhe nga një gjendje e tillë e pabarazisë praktike qytetare dhe nacionale, si shpëtim ishte migrimi në botën e jashtme, ku tash më tepër shqiptarë nga Mali i Zi ka në botën e jashtme se sa në vet Malin e Zi. Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me një dukuri shumë shqetësuese, sepse dita ditës jemi duke u zvogluar numërikisht e po ashtu duke u rrudhosur territorialisht.
Çfarë mund të kuptojmë, ne shqiptarët sot mbas 25 vjet pas rënies së murit të Berlinit?
Rënia e murt të Berlinit(9 nëntor 1989) ishte ngjarje madhore qe dha shpresen për popujt në diktaturat komuniste.Dhe me pas me bashkimin me e popullit të ndarë gjerman, filloj shëmbja e diktaturave komuniste në Evropë, duke i hapur deren demokracisë dhe pluralizmit politik.Me një fjalë popujt e hipnotizuar nga ideologjia komuniste filluan të kenë një frymarrje të lirë ndërsa shëmbja e asaj ideologjie në mënyrë praktike, ishte fundi i sistemeve të dështuara totalitare, të cilat ishin instaluar në mënyrë jodemokratike pas Luftës së Dytë Botërore. Në mënyrë të veçantë kjo ishte një fitore për ne shqiparët si në shtetin amë-Shqipëri por edhe në ish-Jugosllavi sepse mungonte liria e shprehjes së fjalës dhe e demokracisë së brendshme.Pikërisht në ketë kohë këmi edhe shkatëërrimin e Jugosllvisë që ishte shtet artificial nga themelimi i saj, si pasojë e kontradiktave të brendshme në sajë të politikës hegjemoniste të oligarkisë politike serbe.
Si është sot pozita e shqiptarëve në Mal të Zi tetë vjet pas pavarësisë?
Nuk kemi se çka të gëzohemi, për fat të keq jemi dëshpruar si popull.Kemi pritur qe të filloj dialogu me ne shqiptarët, për të filluar realizimin praktik të barazisë nacionale dhe qytetare, të garantuar me kushtetutën dhe standardët ndërkombetare. Por, nuk ndodhi një gjë e tillë, sepse këtu vazhdon mentaliteti i kohës së monizmit, me ndonjë ndryshim kozmetik të rastit. Ne nuk jemi të përfaqësusr në mënyrë proporcionale në punësim, as në nivelin lokal dhe ate qendror.Mungojnë investimet në viset shqiptare. Në emër të privatizimit u plaçktitën ndërmarrjet ekzistuese, papunësia është alarmante. Nuk fushën e arsimit nuk është punuar asgjë.Shqiptarët në shkollat më mësim në gjuhën shqipe, mësojnë me programe dhe tekste shkollore të imponuara. Përveç tekstit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, të gjitha tekstet janë nga autorë sllavë, të përkthyera në shqip. Tekstet nga lëndët e identitetit kombëtar si historia e kultura muzikore, janë skandaloze, mësojmë për të tjerët e jo për veten. Pra, kemi diskriminim praktik, duke arsimuar e edukuar nxënësit pa identitetin e tyre kombëtar, që është në kundërshtim me çdo normë ligjore e stndardët demokratike evropiane. Gjendja hiç më mirë nuk është as në fushën e informimit, kulturës etj. Dhe për ndryshime pozitive në ketë aspekt duhet të egzistojë vullneti politik i pushtetit për dialog me shqiptarët duke i trajtuar ata si partner e jo injoruar si veprohet në vazhdimësi.

Si e shpjegoni ju ndezjen e ndjenjave nacionaliste në Ballkan – kush duket se po i fryn erës së urrejtjes në këtë mes – E kam fjalën rreth incidentëve që kan ndodhur në Futboll – konkretisht tek ndeshja Sërbi – Shqipëri e zhvilluar në Beograd më 14 Tetor, dhe që u ndërpre për ato shkaqe çfarë ne i pamë në televizion apo jo ?

Nuk është diçka e papritur. Për fat të keq politika serbe me dekada me radhë e ka indoktrinuar popullin e vet, duke urrejtur në mënyrë patologjike popujt tjerë. Sepse sipas tyre ata janë popull hyjnor ndërsa të tjerët si jo ortodoks janë armiq të tyre. Një veprim I tillë është kamuflazhë për të realizuar konceptet hegjemoniste të politikës së Naçertanijes së shek.XIX, politikë e cila edhe sot është e pranishme te politika zyrtare serbe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur në pushtet janë ata radikalët të cilët ishin nxitësit dshe pjesëmarrësit direct të luftërave në ish Jugosllavi, që luftuan më armë për Serbi të madhe. Por, si të tillë ata janë të lënduar dhe të helmuar me ideologjinë e tyre, ku paraqitja e tyre publike në ndeshjën e futbollit në Beograd, ishte dëshmi transpasrente se ata kanë mbetur ku ishin në mitologjinë mesjetare dhe në urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve.
A janë “zbehur” pak kërkesat e shqiptarëve për të drejta për vetëqeverisje lokale dhe a duhet të heqin dorë nga kjo, – për të kërkuar, edhe me shumë për të marrë atë që u takon ?
Në ketë aspekt keni të drejt, shqiptarët duhet të jenë kembëngulës në kërkesat e tyre, dhe ata duhet shtruar në mënyrë të vazhdueshme qeverisë aktuale. Madje, duhet informuar edhe faktorin ndërkombëtar për pozitën dhe statusin politik të shqiptarëve në ketë mjedis. Vetëm ne ketë formë duke senzibilizuar opinionin mund të arrijmë qellimin e dëshiruar.
Sa ndihet ndihma e shtetit amë Shqipërisë në ketë drejtim?
Me keq ardhje them aspak. Shteti amë Shqipëria nuk është duke e luajtur rolin që i takon. Madje ajo në sajë të nenit 8 të Kushtetutës së Shqipërisë është e obliguar të interesohet për ne, por deri me tash përveç deklaratave të rastit, nuk kemi asgjë konkrete. Ka qenë e udhës të nënshkruhën marrëveshje apo memorandume bashkëpunimi sidomos nga fusha e arsimit dhe kulturës në mes dy qeverive, por çdo gjë ka mbetur në pritje. Një veprim I tillë tash në pluralizëm në rrethana të reja nuk mund të arsyetohet më asgjë, dhe është kundër interesave dhe identitetit tonë kombëtarë.

Në se ka diçka që është për tu nënvizuar në atë përse Shqiptarët e Amerikës janë shumë më lart me kërkesa se sa politikanët shqiptarë në Mal të Zi ?
Të jetuarit në një vend demokratik sikurse është SHBA, ka ndikuar që edhe diaspora e jonë këtu të jetë aktive duke qenë shëmbull edhe për ne atje në vendlindje. Dhe nuk është për tu çuditur në kërkesat e tyre, sepse ata nuk kanë hipotekat personale sikurse mund ti kenë përfaqësuesit tanë të subjekteve politike.
Çfarë është bërë dhe duhet bërë nga Diaspora në Amerikë, për shqiptarët në Mal të Zi ?
Diaspora shqiptare ka dhënë kontribut më vlerë gjatë gjithë kohës për çështjen kombëtare shqiptare. Në lidhje me ne shqiptarët në Mal të Zi, duhet të angazhohet vazhdimisht ne lidhje me snzibilizimin e opinionit, sidomos këtu në SHBA, duke pasur kontakte me personalitetet e nderuara shtetërore e sidomos senatorët dhe kongresmenet e ndryshëm. Nuk ka dilemë se diaspora e jonë ka qenë është dhe do të jetë ndërgjegja e kombit tonë, e cila çdo here ka pasur qendrim të drejtë dhe konkret për çështjen shqiptare në të kaluarën e deri në ditët tona.

Jemi në muajin e shenjët të festës së Flamurit – 28 Nëntorin e Shpalljes së pavarësë së Shqipëris – një mesazh nga ju ! për lexuesit tanë !
Për çështjet madhore të lemë anash interesat personale, klanore e partiake. Sepse të bashkuar e realizojmë të pamundurën, ndërsa të ndarë edhe të mundurën e kemi të pamundur. Të jemi të ndërgjegjshëm, se punët tona nuk na i kryejnë të tjerët. Pasi kjo intervistë po jepet në prag të festës kombëtarë 28 Nëntorit -Ditës së Flamurit Kombëtar, të gjithë shqiptarëve kudo që janë iu roj festën duke iu uruar mbarësi personale e familjare.a

Filed Under: Interviste Tagged With: Beqir Sina, Interviste, Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT