Irma Kurti fituese e Çmimit Ndërkombëtar: “Universum Donna” për Letërsinë, ekuivalent i “Gruaja e Vitit” si dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” të vlefshëm për jetë, nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër./
Nga Liliana Pere/Interviste/Histori suksesi.Gruaja Shqiptare ne Bote/
Poete dhe autore e njohur e teksteve të suksesshme të këngëve të muzikës së lehtë, shkrimtare, përkthyese e gazetare.
Irma Kurti është botuese e shumë librave në poezi e prozë në shqip, italisht dhe anglisht. Ka fituar dhjetra çmime prestigjoze në Konkurse Ndërkombëtare në Itali dhe në Zvicër. E para shqiptare që në vitin 2013 fiton Çmimin Ndërkombëtar: “Universum Donna” për Letërsinë, ekuivalent i “Gruaja e Vitit” si dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” të vlefshëm për jetë, nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
Irma Kurti jeton në Bergamo, Itali.
Shënime biografike:/
Irma Kurti filloi të hedhë hapat e parë në udhën e letërsisë në moshën 10 vjeçare. Në vitin 1980 nderohet me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 35-vjetorit të Revistës “Pionieri”. Në 1989 klasifikohet në vendin e dytë në Konkursin e organizuar nga Radio – Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Poezi të saj botohen ndërkohë në gazetat e revistat “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Nëntori” dhe “Shqiptarja e re”.
Pas mbarimit të studimeve në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në degën e gjuhëve të huaja-anglisht punon si mësuese dhe më vonë gazetare në disa organe shtypi. “Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta” është libri i saj në publicistikë që përfshin artikuj dhe ese të botuara në faqet e shtypit.
Ka lëvruar poezinë, kryesisht atë lirike. Që në bankat e shkollës së mesme e në vazhdimësi emri i Irma Kurtit do të identifikohet si autore e shumë teksteve të këngëve nëpër Festivale në RTSH e Koncerte Pranvere. Një nga poetet e pakta femra që ka krijuar dhjetra tekste këngësh të suksesshme të cilat kanë merituar duartrokitjet e publikut e janë nderuar me çmime. Përmendim këtu: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “E njejta ëndërr”, “Një çast në kujtesën tënde”, ”Larg nga vetvetja”, “Trokite tek dera”, “Nuk iu zemërova pranverës”, “Të jem për ty Number 1”, “Imazh i largët”, ”Nën dritën e qirinjve” etj.
Për auditorin e muzikës së lehtë, në maj 1998, Irma Kurti lançoi kasetën e më vonë CD-në me këngë me tekstet e saj më të njohura e në vitin 2013, CD-në e dytë.
INTERVISTA/
Pyetje: L Pere:Keni filluar të shkruani që fëmijë. A ruani ndonjë mbresë të dikurshme që nuk është mbuluar nga pluhuri i harresës?
Pergjigje : I Kurti “E shtuna letrare artistike për fëmijë” në Radio Tirana që e prisja dhe e dëgjoja me emocion të jashtzakonshëm sa herë që në të citoheshin vargjet e mia. Gjithashtu, festivalet në RTSH, kur i ndiqja direkt në sallë; ai emocion i papërshkrueshëm, i rrallë, e rrethuar siç isha nga duartrokitjet e publikut, ndjesia e bukur e të qënurit anonime ndërsa në skenë më shqiptohej emri apo këndoheshin vargjet e mia.
Imazhi më i bukur i atyre viteve ishin prindërit e mi, ndihma e tyre e pakursyer, sidomos e babait tim në fushën e letërsisë. Ai ishte mjek, por mbi të gjitha, lexues i apasionuar. Shpesh trokiste në dyert e redaksive me poezitë e mia në duar, më sugjeronte tema që sot janë shndërruar në poezi e tekste këngësh, ka qenë bashkëbiseduesi dhe kritiku im më i madh, por që nuk më tha kurrë: “të lumtë!”. Në të gjitha librat që botoj, në çfarëdo gjuhe, dedikimi i vetëm është për prindërit e mi të mrekullueshëm: Hasan e Sherife.
Pyetje: L Pere
Si lindi bashkëpunimi me muzikën?
Pergjigje : I Kurti Në vitet e shkollës tetëvjeçare në qytetin e Elbasanit, ku kalova fëmijërinë, kam kënduar në disa festivale per pionierë, bile jam nderuar dhe me çmime. Kur zëri më la, ose më saktë, më braktisi guximi për t’u ngjitur në skenë, u lidha me këngën në një mënyrë tjetër, përmes teksteve.
Pyetje: L Pere
Në një intervistë jeni shprehur se krijimtaria juaj ndahet në para dhe pas ardhjes së demokracisë, në atë para emigrimit në Itali dhe pas. Pse kjo ndarje, çfarë e dallon krijimtarinë tuaj të atëhershme me të tanishmen?
Pergjigje : I Kurti Për mua kjo ndarje ka më tepër kuptim kohor, simbolik. Poezitë e tekstet e këngëve që kam krijuar përpara viteve 90-të janë lirika dashurie, të tilla mbeten dhe sot e nuk do t’u ndryshoja asnjë presje. Kur mendërisht krijimtarinë time e ndaj kështu, nuk kam se si të mos mendoj vështirësitë e shumta me të cilën duhej të përballej një vajzë e re, e papërvojë në një botë të egër e cinike ku askush nuk ia hapte dyert. Atëhere botimi i një libri ishte utopi dhe po kështu e paperceptueshme pjesëmarrja në Festivalin e vetëm të këngës në RTSH. Jam e lumtur që megjithë brishtësinë time, munda ta shkel atë kështjellë e të lë një gjurmë.
Lidhur me pjesën e dytë të pyetjes, tematika e krijimtarisë sime në emigrim ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme. Duke jetuar larg, unë e shoh realitetin shqiptar nga një tjetër këndvështrim, poezia e proza ime përmbajnë nostalgji, po dhe mllef e zemëratë.
Pyetje: : L Pere Nga buron zemërimi juaj?
Pergjigje : I Kurti Në kthimet e mia në Tiranë nuk mund ta mohoj që zemërohem e trishtohem kur takoj sërish ato fenomene e dukuri që më detyruan të largohem përfundimisht gati 10 vjet më parë: politikanë pa skrupuj, zyrtarë të korruptuar dhe të pasjellshëm, mosrespekt ndaj gruas, mentaliteti i mbyllur e gjëra të vogla banale të së përditshmes si autobuzët e mbushur përplot, zvarritja e tyre nëpër rrugë, tymi i cigareve në lokale, thirrjet e bisedat me zë të lartë, etj.
Pyetje: :L Pere Jeni fituese e dhjetra çmimeve të rëndësishme në Konkurse Ndërkombëtare. Si kanë influencuar këto në proçesin tuaj krijues?
Pergjigje : I Kurti Çmimet kanë luajtur një rol të rëndësishëm, së pari, në planin personal. Ato më shtuan besimin tek vetvetja dhe tek talenti im per të shkruar, më ndihmuan të ringrihem në këmbë dhe të rilind. Të gjitha ato ndjesi që vendi im m’i zbehu, m’i shtypi e m’i ndrydhi duke më kthyer në një qënie të dobët dhe të pasigurtë, duke e shndërruar ekzistencën time në hije. Por çmimet kanë rëndësi dhe më gjërë, sepse në çdo fitore unë përfaqësoj Shqipërinë dhe kontribuoj sadopak në kapërcimin e barrierave që ngrejnë paragjykimet.
Pyetje: : L Pere
Aktualisht, cila është lidhja juaj me Shqipërinë?
Pergjigje : I Kurti
Shqipëria është pjesë e pandarë e krijimtarisë sime. Në Tiranë më kthen botimi i librave dhe lidhja që kam me lexuesin shqiptar; kjo lidhje është e fortë dhe nuk mund të këputet. Por e tashmja dhe e ardhmja ime janë në Itali. Nuk jetoj e dyzuar dhe nostalgjia e malli per vendin tim nuk janë shkatërruese.
Unë i jam mirënjohëse Italisë, mbi të gjitha, sepse më zgjoi nga gjumi letargjik ku kisha rënë në apartamentin tim të vogël në Tiranë, e mënjanuar nga klanet, hatërllëqet, makinacionet dhe hipokrizitë e botës së artit, pjesë e të cilave nuk mund të bëhesha dot.
Pyetje: : L Pere A ka qenë e lehtë rruga e suksesit per Irmen?
-Të shkruash për mua është jo vetëm pasion por dhe një disiplinë. Si e tillë ajo kërkon punë të vazhdueshme, këmbëngulje dhe sakrifica. Kam bërë një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë, shpesh jam rrëzuar, jam zhgënjyer, jam vrarë në shpirt. Por kur emocionet i ndaj me lexuesit, kur marr prej tyre mesazhe falenderimi dhe vlerësime, kur pas gati 30 vjetësh vargjet e këngëve të mia këndohen ende me nostalgji, fjalët nuk mund të shprehin gëzimin e mirënjohjen. E megjithatë kam qindra mijra kilometra të tjerë për të përshkuar dhe plot objektiva që më presin per t’u realizuar.
Ju falederoj Irma per intervisten e bukur te nje z me krrimtari te bukur dhe te vleresuar. Mirenjohje dhe urime nga zemra e dashur Irma, je krenari e grave te vendit tend dhe e e gjithe Shqiperise me krijimtarine tuaj te suksesshme.
Ndërgjegja e zemrës
Nga Rrustem GECI-Dortmund/
Kush është Irma Kurti? Irma Kurti është emër i madh në poezinë bashkëkohore shqipe. Ka botuar 6 libra me poezi, një me tregime, një roman, dhe një libër me publicistikë. Në gjuhën italiane ka gjashtë libra, ndër të cilët, dy botohen për herë të parë. Përmbledhjet e saj poetike janë botuar dhe në Shtetet e Bashkuara. Ka në proçes botimi një roman dhe në sirtar dy vëllime të tjera me poezi.
Irma ka nisur të hedhë vargjet e para që në moshën 10 vjeçare. Në 1980 nderohet me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 35- vjetorit të Revistës “Pionieri”. Vargjet e saj botohen në gazetën Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Nëntori” Shqiptarja e re”. Kurse sot poezitë e tregimet ia gjen në shumë Antologji: “Il Federiciano” publikim i Shtëpisë Botuese Aletti Editore 2010, “Diffusione Autori” 2011 të “GDS Edizioni”, “Lingua Madre – Racconti di done straniere in Italia 2012/2013”, “Enciklopedia Universale e Autorëve Italianë” etj. Apo në disa Antologji të Librarisë Ndërkombëtare të Poezisë në Maryland, USA si: “Forever spoken” (Të thëna përgjithmonë), Antologjinë poetike: “The best poems and poets of 2007” (Poezitë dhe poetët më të mirë të 2007) etj.
E lindur dhe e diplomuar në Tiranë, në degën anglisht, nis karrierën e saj si mësuese e më pas gazetare në disa organe shtypi për të vijuar me specializime në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, SHBA, Francë, Itali, Greqi etj. Është ndër të pakta autore femra që ka dhënë një kontribut të çmuar si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve nëpër festivale në RTSH a koncerte pranvere, para viteve 90-të e më pas. Në biografinë letrare ka shumë çmime të fituara me kompozimet e teksteve të saj si dhe dhjetra tekste mbajnë emrin e saj në fonotekën e Radio-Tiranës.
Irma Kurti jeton prej vitesh në Itali. Aktualisht është poetesha më e vlerësuar jashtë atdheut me çmime dhe mirënjohje nga ente e botues të njohur të librit në Itali e Zvicër. Por, në Shqipëri dhe Kosovë, Lidhjet e Shkrimtarëve bëjnë sikur nuk i dëgjojnë arritjet e saj dhe heshtin.
Prej vitit 2010 deri në 2014, poetja shqiptare “ka rrëmbyer” 16 çmime letrare për poezi dhe prozë: të para, të dyta, të treta, speciale e çmime të kritikës. Ia vlen të përmendim këtu çmimin “Universum Donna” për letërsinë, ekuivalente me “Gruaja e Vitit” si dhe “Ambasadore e Paqes” që në 2013 i është akorduar nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Zvicër.
Poezia e Irma Kurtit është e ëmbël, e rrjedhshme dhe emocionale, sublime dhe shkundulluese. Në vargjet që mbajnë titullin: “I dashur, ti s´mund ta dish” poetja shkruan: Ti s’e kupton ç’do të thotë të jesh i huaj/ në një vend të bukur e magjepsës si ky/të të mungojë gjithçka, tek e fundit asgjë/një copë kartë me emrin “leje qëndrimi”. Ti s’e ke provuar të ecësh si hije në rrugë/ sepse emri yt s’ekziston në asnjë zyrë/shikon ëndrrat të shkelen nën hapat e tu/asnjëri emrin nuk ta shqipton, je anonim.
Poezia e Irmës e ka rrënjën thellë në shpirt, në vuajtjen dhe në dhimbjen e të jetuarit, në ato eksperienca unike që dikush provon larg tokës së tij e larg kujtimeve. E pikërisht nga ato krijimi lind si një gonxhe e bukur.
“Poezia ka lindur dhe është rritur me mua. Nga brishtësia e vargjeve të para si fëmijë e adoleshente, në rini e deri tek vargjet që tashmë mbajnë stuhitë e jetës, dhimbjet e zhgënjimet e përhershme që pjell kjo botë e çmendur” thotë Irma. “Por, një gjë është e sigurt: çdo varg i imi mban firmën e shpirtit”.
Në të njejtën poezi vazhdon: I dashur, ti s’mund ta kuptosh edhe sikur/pranë zjarrit të flas pareshtur natë e ditë/se vuajtja nuk ka zë, as dhimbja gjithashtu/ç’do të thotë të jesh i huaj, ti s mund ta dish.
Poezia e Irma Kurtit është lirikë e përkryer, është dramë, protestë dhe trishtim njerëzor, është thirrje për një botë më të mirë, pa luftra, pa maska e hipokrizi.
Në poezinë: “Perla”, Kurti shkruan: “Kjo është kohë e vyshkjes së vlerave/e humbjes së miqve një e nga një/ashtu si pemët i humbasin gjethet/ndërsa stin’ e vjeshtës troket në ditë. Është kohë e njerëzve të nervozuar/të zemëruar, as ata s’dinë me kë/e njerëzve që nuk dinë të heshtin/e atyre që flasin, por s’thonë asgjë.
Drita e mendimit në poezinë e Irma Kurtit, është e qartë, e pandotur dhe buron rrjedhshëm. Poetesha zëmadhe, duke jetuar të përditshmen e saj në Bergamo nuk mund të mos të shkruajë për mallin, nostalgjinë për folezën e fëmijërisë që është veshur me pluhurin e harresës.
Në poezinë “Nuk shitet kjo shtëpi” ajo shprehet kështu: Nuk shitet, as nuk blihet kjo shtëpi/aty flenë e zgjohen miliona kujtime/si thërrmija të bardha enden në ajër/bisedat që lamë atje dhe ëndërrimet.
Peisazhi në poezinë e Irma Kurtit është kolorit me ngjyra të theksuara të natyrës njerëzore. Shkëpus një strofë nga “Sonte muret s’më përkasin”: Shpirti im kthehet në pupël të lehtë/me flokët e borës ai fluturon në ajër/s’më mbetet gjë tjetër, vetëm ta pres…/ E pastaj, bashkë të hyjmë në shtëpi.
Falë deteve të Mesdheut që e ndajnë nga vendlindja, vargjet e Irma Kurtit kanë butësinë e ujit, purpurin e diellit dhe të ajrit, fortësinë kontinentale të tokës.Por në to ka dhe shumë shpërthime, shumë mllef që e bëjnë vargun e saj të freskët dhe përtëritës. Në poezinë: “Vargje të zemëruara” ajo shkruan: Mendoja se e lashë në vendin tim mllefin për politikën/ – lumin e pistë që veç vërshon/me sa duket në çdo vend të botës të shkelësh/ka fjalë e veprime që të zemërojnë po njëlloj. Ka politikanë që s’ndryshojnë nga njëri-tjetri/pavarësisht nga gjuha, janë këtu apo atje/ngjajnë si dy pika uji, nuk ka zot t’i dallojë/ ndoshta për këtë emrat ua ngatërroj shpesh.
E pyes Irma Kurtin për të na treguar diçka më tepër rreth romanit që së shpejti do të dalë në qarkullim dhe ajo përgjigjet: “Çdo rresht i këtij libri është i ndërtuar mbi motivin e një dhimbjeje dhe i kushtohet një njeriu shumë të dashur për mua, tim eti, që më dha dorën që kur isha fëmijë dhe më drejtoi në udhën e gjatë, të vështirë e magjike të letërsisë. Librin e kam shkruar me lotë në sy, brënda një kohe relativisht të shkurtër, kam jetuar si brënda një ëndrre dhe krejtësisht në pushtetin e të shkruarit. Shpresoj që ai të trasmetojë tek lexuesi dhimbjen po dhe forcën për ta kthyer lotin në shpresë dhe buzëqeshje”.
Poetesha e ndan jetën e saj krijuese me lexues shqiptarë apo italianë, duke qënë shpesh e ftuar në qytete të ndryshme të Italisë për të prezantuar librat dhe krijimtarinë e saj.
Libra të Irma Kurtit në shqip:
– Këtë natë me ty, poezi 1999;
– Shihemi në një tjetër botë, poezi 2002;
– Qirinjtë janë fikur, poezi 2003;
– Bëj sikur fle, poezi 2005;
– Puthja e fundit, poezi 2007;
– Midis dy brigjeve, roman autobiografik 2010;
– Një vjeshtë pa kthim, tregime 2013;
– Nën bluzën time, poezi 2013;
– Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta, publicistikë 2013.
Në gjuhën italiane
– Tra le due rive (Midis dy brigjeve), autobiografi, 2011;
– Risvegliare un amore spento (Të rizgjosh një dashuri të shuar), poezi, 2011;
– Un autunno senza ritorno (Një vjeshtë pa kthim), tregime, 2012;
– Sotto la mia maglia (Nën bluzën time), poezi, 2013;
– Le notizie arrivano anche qui (Lajmet vijnë edhe këtu), tregime, 2014;
– Non è questo il mare (Nuk është ky deti) poezi, 2014.
Në anglisht:
– I knew the gray sky (Njoha qiellin gri), poezi, 2014;
– Under my blouse (Nën bluzën time), poezi 2015.
Çmimet:
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2010 “Napoli Cultural Classic”, Itali, në kategorinë e autorëve te huaj.
Çmim special në Konkursin Ndërkombëtar “Coluccio Salutati”, Borgo a Buggiano, Pistoia.
Çmim i parë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2011 “Napoli Cultural Classic”, në kategorinë e autorëve te huaj.
Çmim i parë ne seksionin e prozës në Konkursin Ndërkombëtar “Lago Gerundo- Europa e Cultura” edicioni i 9-të, në Paullo, Milano për librin “Midis dy brigjeve”.
Çmim nderi në Konkursin Ndërkombëtar “Terre di Liguria 2011”(Tokat e Ligurias) në La Spezia për librin “Midis dy brigjeve”.
Çmim i kritikës në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë e Prozës 2011 “Integrimi kulturor për një botë më të mirë” në Milano me përmbledhjen poetike: “Të rizgjosh një dashuri të shuar”.
Çmim Special, Targa e Universitetit të Paqes, në Edicionin XIII, 2012 të Konkursit Ndërkombëtar “Europa” në Lugano, Zvicër me librin “Midis dy brigjeve” .
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2012, Qyteti Recco, Genova me librin : “Të zgjosh një dashuri të shuar”.
Çmim i dytë ne Konkursin e 26° Ndërkombëtar “Giovani Gronchi” në Pontedera, Pisa, me librin: “Një vjeshtë pa kthim”.
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar: “Europa” 2013, në Lugano, Zvicër me librin: “Një vjeshtë pa kthim”.
Çmim Ndërkombëtar “Universum Donna” Edicioni IX Edizione 2013 dhe Emërtimi “Ambasadore e Paqes” të vlefshme për jetë, nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes i Zvicrës Italiane.
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar Valle Vigezzo “Andrea Testore” në seksionin e emigracionit me tregimin: “Sekreti i një ditë pranvere”.
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Giovanni Gronchi” 2013 me librin: “Midis dy brigjeve”. Çmim Special në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Città di Pontremoli” 2014 për librin: “Një vjeshtë pa kthim”.
Çmim i parë në Konkursin Letrar “Città di Treviglio” për tregime.
Çmim i tretë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Antico Borgo” 2014, La Spezia për librin: “Nën bluzën time”.
Arritjet e shkrimtares Irma Kurti në poezi, prozë dhe publicistikë më bëjnë krenar edhe mua si autor i këtij shkrimi, për këtë motër të gjakut dhe të kombit tim. Suksese Irma në krijimtari!