• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ISH-POLITIKANI“ ME ÇELËSAT E KASHTËS

October 28, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/
Para disa vitesh një miku im që hiqet si “puro shehërli ” dhe paksa si “amerikano-shqiptar” (përndryshe biznesmen), në vigjilje të organizimit të manifestimit të Akademisë solemne kushtuar “Kongresit të Manastirit”, erdhi në zyrën time për të më vizituar. Me vete kishte një strajcë me disa sende të pëlqyeshme që i duheshin dhe që i shkonin manifestimit në fjalë. Këto materiale (në mungesë të mjeteve tona) ishin “më shumë se të mjaftueshme” dhe të mirëseardhura për Shoqatën e pedagogëve shqiptarë të Tetovës. Pos të tjerash më “dhuroi” edhe ca monedha “bojëjeshile” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një doracak ku ishin përfshirë imazhe të disa shqiptarëve mendjefemër që kishin vepruar në “tokën e premtuar”, një pikturë (kopje) e Abraham Linkollnit, një abetare me kapakë të zhubrosur, një stilolaps si atë të Mit’hatit, një hartë të Shqipërisë “etnike” dhe një fotografi të mbretit Ahmet Zogolli. Pasi m’i dorëzoi, më tha: “…, ki parasysh dhe ki në dijeni se ne të mërgatës Kongresin e organizojmë më mirë se ju !?”. Nuk e nguca. Jashtë asaj strajce kishte edhe një “fener dore”. Kjo ndihmë e tij sa më emocionoi, po aq edhe “ma trazoi gjakun dhe mendjen”, për arsye se paraprakisht kur një “kryebashkiaku katundi” iu drejtuam për ndihmë, ai në vend që të na jepte ndonjë lek, na tha troç: “Sa manifestime mëhallësh organizohen këtejpari, ju nuk jeni në prioritet…, unë nuk i kam ato mjete…”, kurse ne më vonë kuptuam dhe dëgjuam me veshët tonë se “lekët” i kishte destinuar për restaurimin e një kishe fshati. Se pse ky mik ma solli “fenerin” nuk e kuptova, por as që i parashtrova pyetje, duke menduar se ndoshta gjithë këtë e kishte me dhe për shaka…, prandaj dhe pyetja më mbeti majë gjuhës. Po edhe sikur ta pyesja, mendova, do ta trash batutën e radhës. Se ishte ”fener”, ishte, këtë e konceptova me “tamam”, por ama “fener” minierash nuk ishte, nuk ishte as “feneri i arabaxhiut” të atij mendjendriturit vlonjat, nuk ishte as “fener” makine, biçiklete, motoçiklete, “fener” gjuetari, as i atij hekurudhori, as “fener” i hajdutit e aq më pak i Diogjenit!? Ai ishte thjesht një “fener me karbit”.
Në ikje e sipër, miku im më tha: “Këto materiale do t’i përdorësh për alfabetin e Manastirit, ndërkaq fenerin do ta mbash për ditët kur nuk do të të shohin sytë…, kur do të të lërë takati i prapanicës si dhe kur do të të tradhtojë arsyeja jote, të cilën e shfrytëzon vend e pavend, sa për ta ushqyer atë “nacional-shovinizmin tënd të shfrenuar” dhe të të tjerëve si ti!?” Dhe shih ky “qerrata”, duke e përfunduar muhabetin, pos të tjerash i “dërdëlliti!?” edhe këto llafe: ”Nëse nuk arrin ta nxjerrësh mllefin me gojë e me shkrime, atëherë me këtë fener dore me karbit, do t’ua prishësh rehatinë gjumashëve!?”… Ia ktheva – ta bëj këtë budallaki në këtë moshë, nuk më shkon. Në të ikur ia përcolla një falënderim, mandej ia “futa a ia hoqa” një “sharje të ulët anadollake” dhe një “gjysmëshqiptare” (kjo sharje nuk ishte “seksuale”, përkundrazi ishte një “fyerje animale”, pavarësisht se ky gjest i ulët imi ishte paksa jashtë standardeve të moralit personal, po edhe atij kolektiv… (Që të dy “selamet” amerikano-shqiptari i kuptoi fare mirë dhe për këtë nuk u sikletos dhe nuk u hidhërua). Sharja “anadollake i dedikohej fenerit”, ndërkaq mirënjohja i shkonte kontributit të tij material si dhe mbështetjes morale. Mbaj mend, nuk u duk atypari në manifestimin në fjalë, jo se nuk e ftuam, por pse kishte pasur ca obligime të tjera më të rëndësishme. Pasi “ngela” vet ne zyrën time, ashtu ndër dhëmbë, i parashtrova pyetje “fiqirit tim”se pse pikërisht mua ma solli këtë “fener dore me karbit” (po ç’më duhet karbiti në këtë moshë, sidomos tash, pas gjashtë dekadash!?…, ndonëse intimisht ma ka “ëndja” që atë kanoçen e madhe të birrës së Korçës ta mbush me karbit, mandej t’ia “fus fitilin” dhe ta hedh në atë “oborrin e inatit dhe harresës sonë kolektive”, si dhe pranë derës së asaj mejhanes së bllokut tonë, ku qarkullojnë gjithfarë thashethemesh nga ana e atyre që bëhen “tapë” dhe që ia kthejnë shpinën shtëpisë së tyre. (Meqenëse më “mungonte informacioni i plotë” rreth karbitit, e pyeta një kolegun tim kimist se ç’kuptim kishte ky nocion, kurse ai ma ktheu: “Është një substancë kimike që ndryshe quhet karbur kalciumi (CaC2) dhe kur vjen në kontakt me ujin prodhon acetilen dhe nëse këtij të fundit ia fut zjarrin “bën potere të padurueshme”, andaj ki kujdes me karbitin!”. Pikërisht, ky shpjegim profesional i mikut tim, më ktheu në vaktin kur iu nënshtrova (ri)provimit nga lënda e kimisë. Meqë nuk dija ta lakoja këtë formulë, përsërita vitin. Lëre që ma ngjitën nofkën “ngelaq”, por edhe më përjashtuan a më shporrën nga gjimnazi i atëhershëm prestigjioz i Tetovës).
Lexuesit e nderuar (që humbasin kohën e tyre të çmuar duke lexuar shkrimet e mia) besoj se do të pajtohen nëse pjesën e dytë të këtij vështrimi do ta nisi dhe do ta përfundoj me “fenerin me karbit”, të cilin miku im “amerikano-shqiptar”, realisht duhej t’ia “dhuronte” një ikanaku politik të mëhallës së tij…, e “jo mua dhe bashkëpunëtorëve të mi”. Do t’ia kushtoj një ish-funksionari politik që dikur braktisi partinë politike dhe kryeparin e saj, një kryepar i cili e solli në “shehër” me opinga. Unë në këtë shkrim nuk do t’ia përmend emrin e as “partinë politike”, nuk do t’ia përmend as nofkën, për faktin se njerëzit të mos mendojnë se jam këmbë e krye “tarafxhi”…, nuk do të llafos as të shkuarën e tij të trazuar politike, e as qëllimet e tij, por thjesht do “të prek” vetëm një pjesë të historisë së vijimësisë së tij, në kërkim të një strehe të re politike. Një gjë e di, ai ndërroi të gjitha partitë politike shqiptare (ekzistuese) këtejpari në Maqedoni…, dhe ku shkonte a ku strehohej, lëre që bënte a hiqej si “i gjithëditur dhe i gjithëfuqishëm”, por edhe nxiste urrejtjen dhe përçarjen brenda në partinë politike “sezonale”…, dhe kur e zbulonin se kërkonte vendin e kryeparit si dhe çelësat e partisë, aq herë ia ngjitnin bishtin e lugatit, i jepnin një “fener dore” dhe “çelësat e kashtës” dhe, në fund, ashtu pamëshirshëm e dëbonin nga radhët e veta.
Dhe shih, për çudi, disa ditë më parë u duk në një medium nacional me ca kritika të zbehta drejtuar ca partive politike shqiptare dhe liderëve të tyre. Nuk “harroi” të kritikojë edhe ca mediume për arsye se në kohë të fundit kinse nuk ia kishin rikujtuar bëmat e tij. Nëse ky ish-ikanak, mëton ta “ringjallë të kaluarën e tij politike”, po edhe nëse me të vërtetë parapëlqen të jetë në “shënjestër” të vëmendjes së opinionit publik, atëherë fillimisht do të duhet të “marrë avdes” dhe mandej detyrimisht duhet të ndërtojë “një sjellje krejtësisht të ndryshme”, një qasje të re bashkëpunuese dhe një komunikim të mirëfilltë, sidomos me ato mediume (qofshin ato pamore, dëgjimore a të shkruara), për të cilat mendon se “…, nuk ia fusin me tamam”. Nëse paraqitjet e tij edhe në të ardhmen do të kenë atë ngjyrën nostalgjike, atëherë përgjithmonë do të përjashtohet nga vëzhgimi dhe vëmendja mediatike. Në instancë të fundit, mediumet nuk janë e as që mund të jenë zona të ndaluara…, aq më tepër kur dihet se ato veprojnë sipas rregullave, standardeve, kritereve dhe kodit të gazetarisë…, dhe kjo s’ka si bëhet ndryshe. Ky, me “fenerin në dorë”, vazhdon t’u “vardiset” partive politike. Duke e përfunduar këtë shkrim, miku im i “formulave”, përsëri më sugjeroi: “Ki kujdes me fenerin me karbit!?”

Filed Under: Analiza Tagged With: “ISH-POLITIKANI“ ME, ÇELËSAT E KASHTËS, Fadil Lushi

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT