• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VRANARI PROMOVOHET NE UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI”

December 9, 2012 by dgreca

Universiteti “Ismail Qemali” promovon botimet e vitit 2012 të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj/

Nga Saimira Konda/

E quaj veten të nderuar dhe të privilegjuar që pasqyroj një takim letrar sa të bukur dhe tejet produktiv të një zonje të respektuar, e vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Nuk e tepëroj me entuziazmin tim, pasi referuasit apo moderatori u pritën me duartrokitje nga të pranishmit.
Dje më 7/12/2012, ditën e premte, në orën 11, në sallën e Konferencave në Universitetin “Ismail Qemali” me nismën e Z. Bujar Leskaj (ish Ministër i Kulturës) dhe nën drejtimin organizativ të Rektorit të këtij tempulli dijeje, Prof.Dr. Albert Qarri, u promovuan tre libra të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, ku u prezantuan 4 botime të vitit 2012. Theksoj 4 botime, pasi romani “Rikthim i Ismail Qemalit” është botuar dy herë. Botimi i parë u bë nga Sh. Botuese”LULU” (USA),nën kujdesin e Dr. Fatmir Terziut – Londër. Kurse ribotimi u bë nga Sh. Botuese “Nacional”.
Moderator i takimit ishte Z.Fitim Haxhiraj.

Librat që u analizuan dhe u bënë të njohur për të pranishmit  janë:
1- “Rikthim i Ismail Qemalit” -roman
2-“Çmimi i Dualizmit “-novelë
3- “Bashkë në dashuri dhe  atdhetari” studim, që u botua në Bukuresht nën kujdesin  e plotë (tekniko-financiar) të Z.Baki Ymeri.
Ky takim ndryshe nga promovimet e tjera të shkrimteres Haxhiraj kishte një vlerë të veçantë pasi u bë në prani të mëse 300 studentëve.Morën pjesë përfaqësues të: Ministrisë së Kulturës, Zv/ministri Abaz Hado, ish ministri i Kulturës, Z.Bujar Leskaj(Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me përfaqësues të Qarkut Vlorë ,sekretari i Qarkut Vlorë Z. Ridvan Mersimi, Drejtori i Drejtorisë Arsimore Vlorë, Z.Ermal Xhelili,përfaqësues të  shoqatave, “Ismail Qemali”, “Ali Asllani”,”Dukati”,”Labëria”, “Kanina”, “Shoqata e të persekutuarëve”, shkrimtarë dhe lexues të autores.

Moderatori Fitim Haxhiraj, pasi falenderoi Rektorin e Universitetit, z. Bujar Leskaj, Zv/ministrin Hado, Sekretarin e Qarkut, Z.Ridvan, drejtorin e arsimit Z. Xhelili studentët dhe pjesëmarrësit, për këtë takim në Universitetin që mban emrin e Ismail Bej Vlorës, burrit të shquar të kombit, themeluesit të Pavarësisë dhe shtetit të parë shqiptar, citoi këto vargje të kënduara në Labëri:

“Moj Vlorë,

    moj strehë  xheneti,

       Doli e foli prefekti,

       Osmën Haxhi Muhameti:

       Të mblidhet gjithë mileti

       Se vjen Qemali nga deti”

“Labëri”

Fjalën e çeljes e mbajti Rektori i Universitetit, Z. Qarri, i cili e quajti domosdoshmëri takimin me një shkrimtare të tillë me përmasa tej kufijëve tanë shtetëror me studentët e Universitetit. Ai e quajti të rëndësishëm futjen e letërsisë bashkëkohore në institucionet  e arsimit dhe Kulturës për një edukim dhe drejtim ndryshe studentëve dhe brezit të ri.
Më pas, Prof.Dr . Bardhosh Gaçe “Mjeshtër i Madh” bëri analizën e romanit “Rikthim i Ismail Qemalit”dhe nxori në pah vlerat e tij, referat që do ta japim të plotë, fjalën e të cilit moderatori Haxhiraj e përshëndeti me disa vargje krenarie pr të shoqen:

“Zoti i madh që je lart.

Ma bëre dhuratë mua.

I lumtur që e kam shoqe

I nderuar që e kam grua!”

Fitim Haxhiraj
Bedri Çoku ardhur enkas nga Tirana, foli për vlerat e Vilhelmes si shkrimtare, së cilës ia mohuan të gjitha të drejtat humane apo si një nga gratë e para , që theu frikën e punoi në fushën sociale për demokracinë tonë të brishtë, për emancipimin e shoqërisë dhe veçanërisht në integrimin e gruas, ka luftuar dhe vazhdon të luftojë me letërsinë e dhe publicistikën e saj për barazi gjinore si dhe zbutjen e problemeve sociale . Z.Bedri Çoku theksoi se asnjë shkrimtar tjetër ,jo në 16 vjet por as në 68 vitet e pasluftës, si Znj. Haxhiraj që i ka dhuruar lexuesit 32 libra, me mijëra faqe , gjë për të cilën e falendereoj. Si Vilhelmja nuk ka tjetër në Shqipëri, është unikale.Ndaj pa droje jam i lumtur që e quaj “Shkrimtarja e Kombit”.

Nxënësja e shkollës së mesme “Orikum” Brixhid Çeloj, përshëndeti takimin me poezinë në hyrje të romanit, e cila me deklamimin e bukur, bëri gjithë auditorin të ngërthehej pas fjalëve të saj shprehëse.

“E Djeshmja”

Iku…

si ku kështu?!

Mbeti diku…

në rrugët e drobitura,

nën peshën e kohës.

La pas të qeshurat,

gëzimin,

dhembjen…

dhe zhgënjimin që lë mohimi.

Harroi përleshjet mes epokave.

Shpërfilli

ngërdheshjet demoniane,

hakërrima zagarësh…

lajkat servile…

buzëqeshjet hipokrite…

dhe me pluhurin e shekujve i mbuloi…
Ajo që iku dje,

vazhdon të çapëlojë

këmbëzbathur …

e përbaltur…

e lodhur…

e sfilitur…

Në shinat e jetës

bashkëudhëton me të sotmen,

rrugën e Nirvanës i tregon…

E sotmja …kapur për dore,

të dyja i ngërthen…

dilemën që nesër pritet të vijë

me gungaçen e zymtë që shkoi…

Buzëqeshjen…

shpresën…

të bukurën e rilindur…

mes dallgëve zulmëmëdha të jetës…

në një pikëkohë …e tashmja i bashkon!”

Vivra
Z.Ahmet Demaj, mësues, Kryetar i Sh.” Labëria”, autor i librit”Burimi që s’fal”,para se të bënte analizën e novelës “Çmimi i Dualizmit”,tha: “Z.Fitim Haxhiraj e kam njohur si qytetar, si artist, koreograf e kërcimtar, apo aktor, kohët e fundit si menaxher i letërsisë së bashkëshortes, znj.Vilhelme, kurse sot po njoh një moderator të shkëlqyer. Pas analizës së novelës, u shpreh duke pyetur: “Kjo novelë, këlthet ulërin:’ O njerëz, çfarë jemi dhe ku po shkojmë?” dhe më pas vazhdoi: “Kjo ngjarje mos ndodhtë në Shqipëri…larg nga vendi im, larg nga qyteti a fshati im, larg nga lagjia ime dhe larg nga shtëpia ime…!”

Ndërsa Z.Bajram Koshena pasi dhe mendimin për vlerat letrare të krijimtarisë së Vilhelme Vranarit, ku ai gjente veten, përshëndeti me  një poezi kushtuar autores:

 

Lulja që mbiu në gur

 

Në agun e qiellit arbëror

Kur nata ra…

mbi qiellin blu të vendit blu,

dhe maleve shkrepin vetëtima

Rrënjët …

Ti fort i mbolle mbi gurë,

Atje…,

ku lindin vetëm trima.

Mbi kalanë e lashtë

të Kaninës Zonjë…

u rrite …hodhe shtat,

detet e kaltër ta lanë ball

ti emrin e saj e ngrite lart.

S’të trembën vitet e përgjakur

fjala jote…

mes territ çeli si dritë

mirësi…

shpresë shpërndau anekënd,

edhe pse të keqen barbarët

mbillnin për çdo ditë,

Ti shpërfillëse

të ardhmen e brishtë po gdhend.

Lule je

në ballkonin mbi Vlorë,

fjala aromë mirësie

kë kundërmon në çdo vend

sikur Zoti…

të paska dërguar me dorë.

Si rreze drite, ngjyrë ergjënd

fjala jote

si ujëvarë që zbret nga mali

mendjekthjellët..

nën shkëlqimin diellor,

e shtrenjta jonë, Vilhelme Vranari,

je si rreze drite…

në agimet e qiellit arbëror!

Ish i burgosuri politik,qytetari fisnik,Anëtar Nderi i Sh.”Ali ASllani”,Z.Shaban Xhyheri, përmes fjalëve të tij si i moshuar përcolli te studentët mesazhe e dukimi mbi vlerat e një letërsie bashkëkohore, ku shkrimtarja i bënë radiografinë dhe autopsinë shoqërisë dje edhe sot. Lexoni letërsinë e saj që të njihni të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët. Moderatori Haxhiraj e përshëndeti me vargjet:

“Kështu lufton shqiptari,

për mëmëdheun e tija,

ndaj e gjithë bota thonë :

“atje buron trimëria!”

Zv/ministri Abaz Hado përgëzoi takimin e mrekullueshëm, uroi për vlerat e kësaj shkrimtareje të famshme brenda kufijëve tanë tokësor, në trevat shqiptare. E vlerësuar me çmime edhe jashtë vendit, në formë autoktritike pranoi mungesën e futjes së letërsisë moderne, veçanërisht të zonjës së nderuar Vranari për t’u studiuar nga nxënës dhe studentët tanë. E mori si detyrë për të ardhmen.

Nxënësja e gjimnazit të Orikumit, Marsela Seferi uroi shkrimtaren dhe përshëndeti të pranishmit me poezinë në ballinën e fundit të romanit. E ulur në gjunjë, ajo vajzë e re 16-17 vjeçe, iu fal qytetit “Nder i Kombit”mes duartrokitjesh për qytetin ëndërr.

Të falem , o Vlorë

 

Të falem …

ty Vlorë!

O qytet i Diellit,

ty…Parajsa,

ku kanë folenë Perënditë…

Adriatiku i kaltër…

të dhuroi mirësinë…

Joni blu i thellë…

me të tepërt të fali bujarinë…

Kodrat me agrume e ullinj…

dhuratë e vyer për begati.

Të pyes moj fatmadhe:

-a gjendet ndokund..

një tjetër Perlë margaritare…

si ti ?!

 

Ndaj Zoti…

me bujari të përkëdheli…

sepse të ka pasur …

dhe përjetësisht të ka

“Të Përzgjedhurën e tij…”

 

Unë…

bija jote të përgjërohem,

sot e përgjithënjë,

se kurrë nuk do të të ndërroj

me asnjë thesar të gjithësisë…

 

Të lutem,

më thuaj,

o qytet ëndërr…

a mund ta gjej vallë …

tjetërkund…

si ti një tjetër mrekulli ?! 

                 Vivra

Iniciuesi i takimit, biri i Vlorës Z. Bujar Leskaj i bëri një analizë prurjes letrare dhe cilësore të autores. Kujtoi promovimin e trilogjisë “Vështroni Meduzën”më 2005, kur ishte Ministër i Kulturës, e kam quajtur Zonjën Vranari “Musine Kokalari e Vlorës” kurse trilogjinë “Saga e Vranajve”.Ajo që ka shumë vlerë është ballafaqimi që i bën autorja të vërtetës së hidhur. Nga romani ai udhëtoi bashkë me Ismail Qemalin nëpër vite duke pasqyruar vlerat e diplomatit të shquar, fisnikut të mençur që pas Skënderbeut themeloi shtetin e parë shqiptar. Si Skënderbeu për kohën e vet, edhe Ismail Bej Vlora kanë vlera të pallogaritshme dhe janë të papërsëristshëm. Vilhelmja na e solli të gjallë në këtë 100 vjetor., gjë që nuk e bëri asnjë tjetër: Ndaj kritiku i mirëfilltë Dr. Fatmir Terziu dhe Prof. dr.Eshref Ymeri e kanë quajtur“E munguara në letrat shqipe”

 Së fundmi shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj shprehu falenderimet për të pranishmit, iniciues dhe organizatorë, si dhe lumturinë e saj që ky promovim u bë mes studentëve, pasi para së gjithash ajo është mësuese.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ismail Qemali, Saimira Konda, Universiteti, Vilhelme Vranari

Rrugëtimi historik i Ismail Qemalit

December 3, 2012 by dgreca

(Nga arratisja deri në Pavarësi)

Nga Gani Qarri/

Pas shpërthimit të Luftës Ruso-Turke, në prill të vitit 1877, gjendja e krijuar në rajon, tregonte se shpërbërja e Perandorisë osmane ishte vetëm pyetje kohe, ashtu si edhe copëtimi i territoreve të saj, nga Fuqitë e Mëdha. Por problemi kryesor për shqiptarët, qëndronte aty se kjo shpërbërje i kishte gjetur ata të pa përgatitur për situatën e krijuar ndaj kërcënonte seriozisht edhe tërësinë e tyre territoriale, sidomos nga Rusia e cila me qëndrimet e saj tendencioze për mohimin kategorik të ekzistencës së popullit dhe Shqipërisë në tërësi, synonte shuarjen e përhershme të çështjes sonë kombëtare, daljen e Serbisë në bregdetin shqiptar dhe dominimin rus në Ballkan. Kështu që, Ismail Qemali si njëri nga intelektualët dhe diplomatët më të shquar të kohës në oborrin e sulltan Hamitit të dytë,do ta hetonte shpejt dhe vlerësonte drejt e me kohë, krizën e thellë e cila pritej ta përfshinte Perandorinë osmane, në fund të shekullit XIX. Ndaj,pa asnjë hezitim e vonesë, filloi përpjekjet dhe bashkëpunimin me intelektualë dhe patriotë të kombit kudo që ata vepronin, për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe gjetjen e mundësive të zgjidhjes së çështjes kombëtare. Në atë kohë,ky Burrë-Shteti, konsiderohej si diplomat shumë largpamës dhe njëri ndër personalitetet më të zgjuara të Perandorisë osmane,ndaj duke parë rreziqet të cilat kërcënonin shqiptarët me shkatërrimin e kësaj Perandorie, në vitin 1897,ai do ti dërgonte një promemorie Sulltan Hamitit të dytë,me anë të së cilës kërkonte futjen e reformave që mund ta ruanin tërësinë tokësore Perandorake dhe me këtë edhe shpëtimin e tokave shqiptare nga grabitjet e fqinjëve, duke synuar kështu shpalljen e një shteti autonom në kuadër të Perandorisë,pasi që në atë kohë Evropa dhe Bota, ende nuk pranonin krijimin e një shteti shqiptar në Ballkan.

 

Kjo promemorie gjeti jehonë deri te vet qeveritarët e Perandorisë,por sado që idetë e stërholluara të Ismail Qemalit pranoheshin me dëshirë nga udhëheqësit perandorak dhe Sulltani,kërkesa për bashkimin e katër vilajeteve dhe krijimin e një shteti autonom shqiptar në këto territoret,ani pse kjo ide nuk kundërshtohej fort nga shumica e Fuqive të Mëdha, derisa paraqitej në kuadër të Perandorisë, e armiqësoi atë me Sulltan Abdyl Hamitin e dytë,i cili ishte kundër çfarëdo forme të shtetësisë shqiptare, ndaj vendosi që si masë ndëshkimi, ta transferonte Ismail Qemalin në Tripoli.

 

Pasi që vendimin e Sulltanit për transferim e shihte si rrezik për jetën, dhe kurth për eliminimin fizik të tij, Ismail Qemali vendosi që në vitin 1900, me ndihmën e konsullatës angleze të arratisej nga Stambolli,duke shkuar së pari në Athinë ku do ta takonte mbretin grek-Jorgji, takim ky i cili do ta përcillte si hije e zezë gjatë gjithë jetës, sidomos pas vrasjes së 4000 e disa shënime flasin edhe për 7000 djem të ri shqiptar nga Jugu i Shqipërisë të cilët atëbotë ishin marrë nizam nga Perandoria,por me arsyetimin e gjoja të një tentim dezertimit të tyre,ata do të vriteshin që të gjithë sipas një urdhri të gjeneralit gjakatar turk, Xhavit Pasha.

Faji për këtë tragjedi kombëtare, do ti hidhej Ismail Qemalit,”bazuar” në dyshimin se kinse gjatë qëndrimit në Athinë, mund të kishte arritur një marrëveshje të përfolur konspirative me mbretin Jorgji të Greqisë,për kalimin e Shqipërisë së Jugut nën pushtimin grek, ndaj nisur nga ky qëllim ai kishte ftuar ushtarët shqiptar që ti dorëzonin armët dhe dezertonin nga ushtria e Perandorisë për ç`gjë Xhavit Pasha do ti pushkatonte që të gjithë -këta mijëra djem të ri. Duke mos harruar dhembjen për flijimin e këtyre mijëra djemve të rinj shqiptar,kur flasim për gjendjen e Perandorisë së atëhershme turke, siç edhe pritej nga të gjithë,ajo pa reforma të menjëhershme,do të shkatërrohej shpejt dhe pa shërueshëm nga kryengritjet dhe luftërat në rritje kundër saj gjithandej. Ndaj,mjerisht fati më i keq e priste Shqipërinë, e cila në këtë rast me bekimin e Fuqive të Mëdha,ajo ishte para që do të copëtohej nga vendet hegjemoniste fqinje të cilat prisnin me një këmbë për t`iu vërsulur asaj si ujku gjahut dhe gllabëruar nga të gjitha anët. Gjendja e krijuar do ti detyronte atdhetarët shqiptarë kudo e sidomos Hasan Prishtinën,i cili ishte më i zëshmi me vërejtjet e tij në Parlamentin turk, se nëse nuk do të pranoheshin kërkesat e shqiptarëve për një shtet autonom në kuadër të Perandorisë, ai i pari do ti printe luftës, dhe kështu do të ndodhte që nga fillimi i saj më vonë, i cili në bashkëpunim me Bajram Currin e Isa Buletinin do ta parapërgatitnin me kohë popullin për kryengritje të përgjithshme kombëtare. Ndaj,Ismail Qemali duke parandjerë situatën,kishte vendosur që sa më parë të largohej nga Perandoria dhe bashkë me atdhetarët e tjerë shqiptar, kudo që ata vepronin, të përpiqej për shpëtimin e atdheut në ato kohë. Sipas raportit të konsullit austriak në Vlorë dërguar në maj të vitit 1900, në Vjenë të Austrisë, ai bashkë me tre djemtë e tij do të arratisej po atë vit nga Stambolli dhe Perandoria për t’u bashkuar me atdhetarët shqiptarë në vendet Evropiane të cilët ishin të gatshëm të luftonin për çlirimin e Shqipërisë. Fal karrierës së tij të bujshme diplomatike, inteligjencës që zotëronte dhe njohjes që kishte me politikan, ambasador e diplomat të vendeve të ndryshme në Evropë dhe më gjerë,bashkatdhetarët shihnin te Ismail Qemali udhëheqësin e tyre politik dhe njërin nga prijësit kryesor të shtetit të ardhshëm kombëtar të cilin ata ëndërronin ta krijonin. Me tu arratisur nga Stambolli, ai do të vizitonte disa shtete evropiane, ku do të përgatiste opinionin për shtetin autonom ,për të cilin deklarohej hapur dhe vendosmërisht, duke paralajmëruar njëkohësisht rrezikun e copëtimit të trojeve etnike shqiptare nga vendet hegjemoniste fqinje të cilat nxiteshin me të madhe që në atë kohë nga Rusia për pushtimin e tyre. Pas disa muajsh lobimi, Ismail Qemali nga mesi i tetorit të vitit 1900,do të kërkonte nga shqiptarët kudo, që ata të bashkoheshin për krijimin e shtetit të tyre autonom në kuadër të perandorisë,si një zgjidhje e përkohshme,për të cilën nuk kërkohej pëlqimi dhe as pranimi i tij nga Fuqitë e Mëdha. Ndryshe, në atë kohë ishte i pa mundshëm krijimi i një shteti kombëtar,kur në Evropë ekzistonte bindja se shqiptarët nuk ishin të zotët të mbanin shtet, ndaj parashihej krijimi i një shteti autonom në kuadër të Perandorisë, udhëheqja e mirë e të cilit,do ti bindte Fuqitë Evropiane për të pranuar të drejtën e kombit tonë për krijimin e shtetit të tij mbi trojet e veta në Ballkan. Madje siç do të shprehej Ismail Qemali,për shqiptarët kishte ardhur koha kur nuk mjaftonte vetëm gatishmëria e flijimit të jetës për atdhe por ata tani duhej të mësonin edhe për ta mbajtur dhe udhëhequr si duhet, shtetin e tyre të ardhshëm kombëtar. Ndaj, pas krijimit të një shteti autonom në kuadër të Perandorisë, puna e parë që bashkëkombësit duhej të bënin, ishte hapja e shkollave në gjuhën shqipe ku shqiptarët do ta mësonin atdhedashurinë dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare, gjë që pa një shtet autonom nën regjimin e sulltanit Abdyl Hamitit të dytë, këto ishin të pa mundura,ngase edhe mësimi në gjuhën amtare,për shqiptarët ndalohej nga Perandoria turke. Për këtë qëllim,Ismail Qemali kishte vizituar disa vende Evropiane si Anglinë, Italinë dhe Austro-Hungarinë, ku kishte kërkuar ndihmën e fuqive të mëdha dhe përkrahjen e tyre për krijimin e shtetit autonom me shpresën se pas forcimit të autonomisë së Shqipërisë, shqiptarët do të mësoheshin të qeverisnin me vetveten dhe të mbanin e udhëhiqnin edhe shtetin e tyre të pavarur, pas daljes nga Perandoria, e cila pritej të shembej shpejt. Duke udhëtuar nga vendi në vend, dhe marrë mendimet e secilit nga diplomatët dhe ministrat e shumtë evropian, Ismail Qemali shpejt do të bindej se ndihmë të sinqertë,në atë kohë ishte e gatshme të ofronte vetëm Austro-Hungaria, e që më vonë kjo edhe do të dëshmohej në vepër, gjatë përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë,kur angazhimi dhe përkrahja e Qeverisë së Austro-Hungarisë, në dobi të çështjes shqiptare, ishte më e madhe se e cilit do vend tjetër në rajon dhe më gjerë.

Madje, nga shumë historian, analist e studiues të këtyre ngjarjeve, mendohet se pa ndihmën e Austro-Hungarisë dhe ministrit të jashtëm Leophold Bertchold, krijimi i shtetit shqiptar, gati se do të bëhej i pa mundur në atë kohë, ndaj me të drejt,në frymën festive të 100 vjetorit të pavarësisë,dhe në mënyrë krejtësisht të merituar,një rrugë në Tiranë u nderua në këtë vit jubilar, me emrin e ish ministrit të jashtëm austriak,ndihmësit dhe përkrahësit më të madh-nga jashtë, të pavarësisë së Shtetit Shqiptar, Leophold Berchtold. Në fillim të shpërbërjes perandorake,shqetësimi i parë serioz i atdhetarëve shqiptar për rrezikun e nisjes së copëtimit të trojeve të tyre, do të vinte nga pretendimet Bullgare për shtrirjen e kufijve të saj, sipas marrëveshjes Ruso-Turke të Shën Stefanit,e cila synonte marrjen e një pjese të Kosovës deri në Kumanovë, pjesën veriperëndimore të Dibrës dhe Drenovën me Boboshticë deri në afërsi të Korçës Ndaj, që me fillimin e kryengritjes së armatosur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Ismail Qemalin e Hasan Prishtinën i gjejmë kudo me përpjekjet e tyre për krijimin e një komiteti udhëheqës të kryengritjes,të cilët për mbështetjen e luftës, kërkonin ndihmë nga të gjitha shoqëritë shqiptare që vepronin brenda dhe jashtë vendit deri në Egjipt. Ismail Qemali kishte edhe një detyrë më tepër të ngarkuar nga rrethanat e ajo ishte për shuarjen e panikut dhe ruajtjen e qetësisë në popull edhe nën kushte lufte,e cila dëshmohet me telegramin e datës 9 nëntor të vitit 1912,që ai i dërgonte nga Vjena parësisë së Vlorës me të cilin përpiqej ti qetësonte shpirtrat e alarmuar të shqiptarëve nga sulmet e pa reshtura të ushtrive greko-serbe të cilat kishin mësyrë Shqipërinë nga Jugu dhe verilindja. Ndaj, ai u bënte thirrje shqiptarëve nga atje që edhe në ato çaste të rënda lufte e pushtimi,ta ruanin qetësinë dhe shpërndanin lajmin e gëzueshëm se: ” E ardhmja e Shqipërisë ishte siguruar, kurse ai dhe delegatët tjerë do të vinin me vaporin e parë që do të nisej për në Shqipëri”. Por, para se të shkonte në Vjenë, Ismail Qemali kishte vizituar shoqatat atdhetare në Rumani, nga të cilat ai do të inspirohej dhe bindej përfundimisht, që në vend të autonomisë së një shteti kombëtar në kuadër të Perandorisë e cila ishte para shkatërrimit të përgjithshëm,të shpallte Pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Kështu që me të arritur në Vjenë,ku delegacioni shqiptar do të pritej në nivel in më të lart ministror nga vet ministri i jashtëm Austro-Hungarez, Leophold Berchtold, kërkesa e Ismail Qemalit drejtuar këtij burrështetasi të famshëm evropian dhe përkrahësi besnik të Shqipërisë së pavarur,do të shprehej për ndihmë në arritjen e Pavarësisë, të cilën Leophold do ta merrte seriozisht dhe përhapte me vendosmëri në të gjitha takimet ministrore të shteteve evropiane, duke ndihmuar edhe delegacionin shqiptar me një anije për arritjen e tyre sa më parë në Shqipëri,ku ata do ta shpallnin Pavarësinë e vendit të tyre. Ndaj,Ismail Qemali me bashkëpunëtorë, nga Trieste udhëtuan me Vaporin austriak “Baron Bruck” të cilët më 22 nëntor të vitit 1912,do të mbërrinin në Durrës,ku kishin planifikuar të shpallnin Pavarësinë. e Shqipërisë, sikur me të arritur aty,të mos gjenin një gjendje aq alarmante dhe të acaruar nga frika e marshimeve serbe të cilët kishin mësy për të marrë Shqipërinë e mesme dhe bregdetin shqiptar,në mënyrë që të pengonin edhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Por,fal luftës së vendosur të Isa Buletinit me bashkëluftëtarët e tij, në hapësirat në mes Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi, shqiptarët arritën të bllokonin ushtrinë pushtuese serbe të gjeneralit gjakatar-Jankoviq,duke i mundësuar kështu Ismail Qemalit me bashkëpunëtorë që të shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë edhe pse jo në Durrës. Kurse ai vet për shkak të luftimeve,mundi të arrinte vetëm një ditë pas shpalljes së Pavarësisë, në Vlorë . Ndaj, Ismail Qemali me delegatët shqiptar,të shtrënguar nga gjendja e krijuar dhe tensionet e ngritura në qytetin bregdetar, do të niseshin me urgjencë për në vendlindjen e tij,të cilët pas disa ditësh rrugëtimi plotë sfida e vështirësi,më në fund, natën e 27 nëntorit,do të arrinin në Vlorë, ku të nesërmen më 28 nëntor të vitit 1912, përfundimisht do të shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë dhe formimin e qeverisë së parë të sajë.

 

Gani Qarri Cyrih, Nëntor 2012.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gani Qaeei, Ismail Qemali, udhetimi

ISMAIL QEMAL Bej VLORA- DUART E SHENJTA QË NGRITËN FLAMURIN

November 16, 2012 by dgreca

 

 Shkruan Eugen SHEHU/FOTO: Oxhaku i madh i familjes Vlora

 Në panteonin e  lavdisë së kombit tonë,padyshim Ismail Qemali zë vendin e nderit.Vitet e historisë shqiptare përkulen me veneracion përpara këtij burri ashtu siç janë përkulur breza të tërë shqiptarësh,këto vite historie të fillimshekullit,posaçërisht e kanë nderuar trimin ngase në supet e tyre ka rrahur e lirë  flatra e shqipes tonë dykrenore.

  Ismail Qemal Vlora,ka lindur në qytetin e Vlorës,me 24 janar 1844.Në fakt,origjina e Ismailit, ka rrjedhur nga fshati Kaninë,nga ajo fortesë e mrekullueshme natyrore,nga ai shkëmb gjigant në këmbë të të cilit,shtrihet qyteti piktoresk i Vlorës.Në defterët e turqve është përmendur me mijëra faqe trimëria e Sinan Pashës i cili u vra në Vlorë në vitin  e largët 1503,duke luftuar kundër ekuipazhit të disa anijeve Raguziane që donin të pushtonin skelen.Sinan Pasha (ndër paraardhësit e Ismail Qemalit) u varros me nderime në oborrin e teqes së Kaninës pasi aty e kish lënë amanet. Nga generata në gjeneratë,dashuria për Shqipërinë jo vetëm që nuk u shua por erdh duke u rritur e zgjeruar ashtu siç rriten e zgjerohen shtratet e lumenjëve malore në prill kur shkrijnë borërat.Këtë të vërtetë historike pos të tjerave, e zbulon një pohim i thjeshtë i Ismail Qemalit në kujtimet e tij,shum më vonë,ndërsa shkruan ; “E vërteta është se katragjyshi ynë,Sinan Pasha,ishte shqiptar  njëqind për qind për këtë jemi krenar”.(Ismail Qemali,kujtime,Toronto,Kanada , faqe 11 ).

  I jati i Ismailit Mahmud bej Vlora,merr pjesë në luftimet e kaçakëve shqiptarë që kundërshtonin reformat turke të vitit 1847.Dihet se këto kryengritje popullore patën një jetë të shkurtër ndaj dhe u shuan me dhunë prej Portës së Lartë.Por sikur të mos mjaftonte dhuna,vrasjet e taksat akoma e më të rënda në shpinë të shqiptarëve,u deshën dhe burgimet e internimet.Kësisoj Mahmud bej Vlora u internua në Konje të  Azisë së Vogël,ndërsa familja u çua në Selanik.Jeta e Ismailit të vogël mori papritmas rrjedhë tjetër por kjo duket se nuk e ka penguar aspak djalin e Vlorës të mësojë në një shkollë turke të qytetit.Kohën  e lirë të tij,ai e kalon sidomos me të jamën Hedije hanmin, e cila ishte bija e Tahir bej Libohovës,ndër familjet më të pasura e të dëgjuara të Gjirokastrës. Sidoqoftë larg Vlorës së tyre,nënë e bir si edhe motra Bellkize do ta ndjenin veten të vetmuar.Por kanë qenë disa miq të familjes vlonjate që i ndihmuan.Ngase Ismail Qemali ishte nipi i Ibrahim Pashë Vlorës dhe ky dikur pat miqësi të ngushtë me Napoleonin e madh,këta ndërhynë në konsullatën fraceze të Selanikut. Sigurisht ka qenë ndikimi i francezëve pranë Portës së Lartë çka bëri që Ismaili me nënën dhe motrën e vogël të kthehen sërish në vendlindje.Natyrisht e jëma,Hedija,kërkonte me ngulm që biri i saj,Ismaili,një ditë të marrë rrugën sërish dhe të gjendet në qytetin e Janinës.Aty,sipas rekomandimeve të disa miqve të familjes,futet të studjojë në gjimnazin “Zosimea” ndër më të shquarit e kohës.Ndër të njohurit e parë aty është Naim Frashëri,poeti ynë i madh dhe dy bektashinjtë herë-herë,duke shëtitur buzë liqenit të qytetit,kanë kujtuar sigurisht teqet e Frashërit e Kaninës,këto vatra ku digjej pa u fikur askurrë prushi i shqiptarizmës.Pas mbarimit shkëlqyeshëm të “Zosimesë” Ismail Qemali shkon në Stamboll dhe ndjek studimet e larta në degën juridike.Tashmë është një djalosh i pashëm.Nëpërmjet Naimit njihet me Abdylin e Samiun dhe në shoqërinë e frashërllinjëve ndihet mjaft mirë.Padyshim,në kontaktet me ta janë ravijëzuar konturet e para të  ideve për pavarsinë shqiptare ç’ka mund të nisej së pari me përhapjen e dritës së diturisë.

  Gjatë kohës që ndiqte studimet në fakulltetitn e avokatisë,shkoi disa herë në Paris.Interesante është të dihet se pos të tjerave,aty Ismail Qemali u njoh me shkrimtarin e madh frances Viktor Hygo.Në bisedat me te,studenti shqiptar do të merrte njohuri të mëdha,në rrafsh të ideve iluministe. Pas mbarimit të studimeve të larta,Ismail Qemal Vlora,ngase zotëronte njohuri të mëdha në fushën e jurispondencës si dhe gjuhët greqisht,turqisht,frengjisht e italisht,u thirr të punojë në Ministrinë e Jashtme të asaj kohe në Stamboll.Në pak muaj pune,ra në sy jo vetëm disciplina e madhe e punës por edhe përkushtrimi i tij.Zgjidhet midis shumë kandidatëve për të punuar si kryesekretar i Ministrisë së Jashtme,dhe ishte vetëm 23 vjeç.

  Në vitin 1870,biri i vlorës,pas rezulltateve të mira të arritura në Ministrinë e Jashtme,emërohet guvernator në Varna të Bullgarisë.Këtu,Ismail Qemali ndërmerr reforma tepër liberale duke konstrukturuar në një farë mënyre një shpresë të re për popujt që rronin nën sundimin e Portës së Lartë.Gjatë qëndrimit të tij në Varna,pos të tjerave,Ismail Qemali do të kishte kënaqsinë e madhe të priste Perandorin Franc Josef.Më vonë në kujtimet e tij,ai do të shkruante për impresionet që i pat lënë kjo vizitë. Ndërkaq,në idetë tij,ravijëzohen shpresat për një të ardhme  tjetër të krejt popujve që përgjumeshin në natën osmane.Ndër prirjet e tij,tashmë shfaqet edhe ajo e gazetarisë.Ka punuar disa kohë si gazetar në “Da nube” dhe më vonë 1867 si drejtor i gazetës “Burimi i mendimeve”.Bie në sy,në shkrimet e tij,një mendim i qartë për autonominë e vilajeteve.Në fakt,pas kësaj autonomie,Ismail Qemali parashihte pjesën tjetër”të ajsbergut”,luftërat çlirimtare që mund të rridhnin si shkak i kësaj autonomie.Tashmë idetë dhe veprimet e tij kanë qenë diçka më të hapura dhe kjo nuk mund të kalonte pa u vënë re prej spiunëve të Perandorisë së madhe.Në vitin 1900, autoritetet e larta të Portës, e emërojnë Ismail Qemalin,si Qeveritar i Përgjithshëm i Tripolitanisë. Por nga burime shumë të fshehta,mësohet se ate e pret Syrgjyni ndaj miqtë e lajmërojnë dhe biri i Vlorës merr rrugën e ilegalitetit duke hequr dorë pa hezitim nga kariera e tij diplomatike.Mendohet se armiqësia e Portës së Lartë ndaj birit të Vlorës,mund të ketë lidhje edhe me Mid’hat Pashën. “Kur Mustafa Pasha u  emërua prefekt në Dobruke të Bullgarisë,Ismail Beu ish diplomuar dhe kërkoi të emërohesh nëpunës pranë tij.Në atë kohë Guvernator i Filipopalit ishte Mid’hat Pashai,i famshëm kryeministër liridashës,që më vonë u vra prej Sulltan Hamidit ! Mustafa Pasha e këshilloi të merrte si këshilltar Ismail Qemalin ngase ky njihte mirë frengjishten.Këndejmi rodhi miqësia e ngushtë me Mid’hat Pashanë që mbeti deri në vdekje.Ky bashkëpunim e bëri Ismail Benë të njohur në qarqet intelektuale dhe i dha nam.Por njëkohësisht i ngjalli edhe një hije dyshim edhe tek Sultani”.(Safa Vlora,”kujtime personale e familiare rreth Ismail Qemalit”Romë1968).

  Pas largimit nga Stambolli,Ismail Qemali shkon në Athinë.Natyrisht këtu nuk mund të gjejë do mjediset atdhetare të Stambollit por lidhjet e tija me patriotët shqiptarë nuk rreshtin me gjithfarë mënyrash.Në vitet e para të këtij shekulli,biri i Vlorës bashkëpunon ngushtë me Abedin Pashë Dinon,Shahin Kolonjën,Dervish Himën,Hasan Prishtinën etj,duke u rrekur në krijimin e një platforme ideore çka mund të nxiste që ato shkëndija të nacionalizmit,të bashkohen e të bëjnë zjarrin e madh të lirisë.Këtë platformë mbarëkombëtare,Ismail bej Qemali nuk mund ta arrinte kurrsesi me dy tri miq të tij në Athinë.Ngase e kupton këtë,ngase parasheh rënien e shpejtë të Perandorisë Osmane biri i Vlorës vrapon tashmë në Evropë.Disa dyqane që ja pat lënë i jati në Vlorë mundësonin një lloj jetese e çka i tepronte ai do ta përdorte vetëm për shpëtimin e kombit të vet.Të këtyre viteve janë një sërë veprimtarish të Isamil Qemalit  i cili intuitivisht parandjente rrezikun e kombit dhe përpara tij nuk mund të heshte.Përshtypje të thella la sinqeriteti dhe guximi i tij në rrethet e patriotëve shqiptarë,ndërsa ata merrnin në duar thirjen e shkruar në të cilën ftoheshin krejt ata që donin shqipërinë për të marrë pjesë në shpëtimin e atdheut.Në Egjypt,Ismail Qemali takohet me Mehmet Ali Pashën,një tjetër shqiptar në hierarkinë lartë turke që i dha shpresë për të ndihmuar në pavarsinë e vendit.Në Napoli dhe Sicili u prit mjaft mirë prej arbëreshëve dhe u përcolli atyre imazhin e bashkimit rreth një ideje kombëtare të vetme,asaj të pavarsisë së trojeve arbërore. Personalitete arbëreshe e italiane të kulturës, e nderuan birin e vlorës duke mbështetur e përkrahur në çdo rast mendimet e tij për autonominë e Shqipërisë.Vlen të thuhet se kur shkoi sërish në Romë më 1907,ai u thirr në takim të veçantë prej Ministrit turk në kryeqytetin Italian.Ky i fundit nuk vonoi t’i jepte porosinë e Sulltanit që të “mos mirej me politikë”.Por shpirti i birit të Vlorës ish ndezur prej prushit të shqiptarizmës dhe ai nuk mund të shuhej askurrë.

  Gjeneva,Parisi,Londra e Brukseli,do të ishin qytetet ku zëri i Ismail Qemalit do të dëgjohej i fuqishëm në mbrojtje të interesave të nëpërkëmbura të shqiptarëve.Ky zë do tu kujtonte Turve të Rinj,por edhe Evropës së qytetëruar se pos virtyteve të rralla e të vyera,shqiptarët ruanin në shpirt, të paprekur edhe ndjenjën e madhe të lirisë.Kësisoj,biri i Vlorës nderohej e respektohej nga rrethet përparimtare të këtyre vendeve,ndërsa në sytë e shqiptarëve porteti i tij lartësohej nga dita në ditë. Në shkrimet e tij,Ferid Vokopola,ish pjesmarës në ngritjen e flamurit në Vlorë,shkruan ;

“Për herë të parë pata fatin ta takoj Atë,në Korfuz,ku ishim në rrugë e sipër me dajën tim,të ndjerin Hasan Kodra dhe ishim nisur me anë të detit për të shkuar në Janinë.Dajua im e njihte fare mirë… Ishte një ditë prilli e 1908-ës,kur më prezantuan me Te.Mbas një përulje adhurimtare i putha duart dhe ai na urdhëroi të ulem afër.Kur ra fjala për veprimet e çetave të të ndjerit Riza Vleçishti,Cerçiz Topulli e të tjerë,pashë se i shkuan lot prej sysh,sy të shkëlqyer si të shqiponjës së maleve dhe tha : Liria merret e nuk falet… të marurit e saj nuk bëhet me anë të mëshirës por mjerisht me gjak.Këtë e kanë derdhur shqiptarët e shkretë gjatë shekujve pa e kursyer fare,por gjer më sot nuk kanë fituar kurgjë.Kemi luftuar e jemi sakrifikuar për të huajt… Tani koha po ja mbrin”.(F,Vokopola,revista “Njeriu “ faqe 3, Tiranë shkurt të vitit 1944 ).

  Ka qenë vjeshta e vitit 1908,kur disa miq të Ismail Qemalit në qytetin  e Vlorës,muarrën vesh se do të mbërinte në liman,me një anije italiane biri i tyre.Lajmi mori dhenë merenda pak ditëve dhe qindra vlonjatë shkonin çdo mëngjez në limanin e qytetit për të pyetur.Tashmë emri i Ismail bej Qemalit përcillej me respekt të jashtëzakonshëm ngase dihej veprimtaria e tij (së paku 8 vjeçare) në Evropë kur grinte zërin që Shqipëria të mos coptohej.Në mesditën e 18 shtatorit të vitit 1908,në drejtim të limanti të qytetit u shfaq lundruesja si një shpend i vogël,i bardhë,që sjell në krahët e veta ogure të mira.Dhjetra të rinj u hodhën në det dhe i prenë rrugën mjetit lundrues.Ata e muarën plakun e zbardhur mbi supe dhe e nxuarën në breg ndërkohë që qindra të tjerë aty thërisnin me forcë emrin e Ismail Qemalit.Për nder të birit të tyre,ate në mbrëmje,Vlora ngjante si të ishte në festë.Klubi atdhetar “Labëria” me ç’rast shtroi një darkë duke i propozuar birit të vet titullin e lartë të Presidentit të Nderit.Me lot në sy i emocionuar prej kësaj pritje gati familiare,Ismailbej Qemali u shpreh se”Jetën time s’mund ta ndalojë dot askush të shërbejë për vuajtjet dhe hallet tuaja”.Pas një vizite në shtëpinë e vjetër në Kaninë,ai shkon në oborrin e teqes ku preheshin të parët e tij.Aty plaku përshpërit disa fjalë që,vetëm ai dhe të parët e tij mund t’i kuptonin.Prej Kaninës,këtij shkëmbi gjigant natyror ai merr udhën nëpër fshatrat e lumit të Vlorës.Miq dashamirës të shumtë e presin birin e tyre duke i rrëfyer padyshim edhe hallet e mëdha të asaj jete të zezë shtypjeje e mjerimi.

  Vizita e Ismail Qemalit,koincidon me zgjedhjet që do të zhvilloheshin për deputet në parllamentin turk,me ç’rast plaku i urtë me porosinë e miqve të shumtë,vendos kandidaturën në Sanxhakun e Beratit.Një muaj më pas,me zgjedhje,Ismail Qemali mundi të fitojë anipse propaganda e turqve për te kishte qenë tepër banale.Ngase i druheshin frymës,demokratike dhe diplomacisë së zgjuar të Ismail Qemalit,turqit e rinj dhe veglat e tyre përdorën edhe rrushfete për të rrëzuar plakun e urtë.Por shqiptarët,përpara se të japin besimin,i patën falur shpirtin këtij burri të madh,këtij vigani liberator. Ajo vepër madhore,ajo luftë e paçmuar në shërbim të kombit shqiptar,ajo forcë vepruese me të cilën Ismail Qemali synonte të zgjeronte qeverinë e përgjumuar osmane,janë padyshim kapitujt më të çmuar të jetës së tij.E nënvizoj këtë ide ngase,në tribunën e parlamentit osman të vitit 1908,zëri i tij ishte jo vetëm një klithmë ndaj fatit të Shqipërisë por edhe një vetëdije me ate çka do të ndodhte në Ballkanin  e trazuar.Etnitë ballkanike patën nisur të zgjohen e forcohen duke paraparë edhe sulme të verbërta ndaj njera-tjetrës.Prandaj edhe deputetët e tjerë,nga viset ballkanike,në parllamentin osman askurrë nuk ja prenë fjalën plakut,përkundrazi çmuan çiltërsinë dhe zgjuarsinë e saj. Së bashku me Nexhip Dragën dhe Hasan Prishtinën (edhe këta deputetë në parllamentin osman) Ismail Qemali nuk kurseu energjitë e tij për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve.Këto të drejta,ai i pa kurdoherë të lidhura me zhvillimet ballkanike dhe Evropiane ngase e kish paraparë se në tokën e vet të bekuar, përplaseshin pa rreshtur interesat jo vetëm të fqinjëve por edhe të forcave të tjera të mëdha. Natyrisht ai kërkonte decentralizimin e Perandorisë Osmane por ishte tepër i matur në “autonominë e viseve të tjera”ngase,brenda kësaj lëvizjeje politike kërcënohej pa rreshtur fati i Shqipërisë së tij. Sipas të dhënave të dokumenteve arkivore të Turqisë,në vitin 1909,Ismail Qemali u thirr nga Sulltani dhe iu propozua detyra e Ministrit të Mbrendshëm të Perandorisë.Ne shqiptarët nuk duhet të harojmë se pos të tjerave,të huajt na kanë parë kurdoherë si modele karakteri të lartë e ndershmërie të thellë.Kjo ka qenë mbase shtysa e parë e Sulltanit mbi këtë propozim e mandej natyrisht edhe mund të largonte prej veprimtarisë së tij atdhetar.Por këtë funksion,plaku i urtë nuk e pranoi dhe kjo sigurisht që solli edhe zemërimin e Vezirit të Madh.

  Kur edhe në parllament u krijua një gjendje e rëndë,Ismail Qemali duke marrë,edhe mendimin e miqve të vet,më 1909,largohet përfundimisht nga parlamenti.Prej tribunës së tij,Ismail Qemali pat goditur rëndë jo vetëm diktaturën e vendosur prej turqve të rinj,por edhe sëmundjet e mëdha sociale që kalbnin Perandorinë e madhe.Tashmë ai largohet përfundimisht nga Stambolli i bindur se për fatin e kombit të vet nuk duhej menduar aty,por gjetkë.Sa për Turqit e Rinj,pas këtyre që shkuan grumbull i madh shqiptarësh të asaj kohe,në kujtimet e veta,plaku i Vlorës do të shkruante : “Turqit e Rinj që i quajnë shqiptarët thjeshtësisht një popull mysliman,që nuk kishin ide politike të vetat përveç dëshirës që të mos paguajnë taksa…Me këtë shpresë,brenda më pak se dy vjet,ata nisën kundra Shqipërisë katër ekspedita ushtarake shtypëse.Por shqiptarët që gjatë shekujve të kaluar kishin bërë ballë fuqisë së kaq shumë perandorive,dhe nuk kishin rënë në gjumë as në kohën e Abdyl Hamidit,nuk u tmeruan nga kjo përpjekje.Përkundrazi,politika sulmonjëse e Turqve të Rinj qe maja që bëri të ringjallen prapë ndjenjat tona kombëtare dhe të lulëzojnë me një shkëlqim të ri. Fitoret që ushtritë e Xhavidit dhe Shefqetit patën këtu e atje kundër Shqiptarëve,s’bënë gjë tjetër,veçse i dhanë flakë prushit të mbuluar të kryengritjes”.(Ismail Qemali,”Kujtime “ Toronto- Kanada faqe 248 ).

  Ndërkaq që plaku i Vlorës ndërmerrte udhëtime nëpër Evropë,ndërkohë që zëri i tij ndihej i fuqishëm në veshin e shurdhër të kancelarive perëndimore,në viset lindore të Shqipërisë,dhuna nuk kish të sosur.Trupat e Turgut Pashës kishin mësyer në drejtim të Kosovës dhe vrasjet,djegjet e grabitjet çonin shqiptarët përditë e më shumë në tragjedinë e madhe të mosegzistimit të tyre.Ismail Qemali,mbante kontakte të vazhdueshme me krerët kryesorë të rezistencës në Kosovë dhe përpiqej me ç’do mjet t’i tregonte Evropës se shqiptarët janë një popull autokton me historinë e kulturën e tyre. Por edhe Hasan Pristina e Nexhip Draga,filluan të denoncojnë këto krime në parllamentin turk.Zëri i tyre bubullues , gjëmoi ngahere duke nxjerë përpara atij parlamenti,të vërtetat ngjethëse mbi ngjarjet në Kosovë.Mandej,vlen të thuhet se protestat e tyre ndaj turqve të rinj,ishin të tilla saqë,shpesh kundërshtarët detyroheshin t’i dëgjonin kokëulur.Duke potencuar tragjedinë e atdheut të vet,Hasan Prishtina arriti deri sa të këcnojë turqit e rinj se “në të ardhmen vendi i juaj do të jetë në Gjygjin e Naltë (divan alij)”.Pikërisht në fund të vitit 1911,Ismail Qemali shkon sërish në Stamboll.Aty plaku i Vlorës takohet me personalitetet atdhetare shqiptare dhe hedh idenë e një kryengritjeje mbarëshqiptare e cila do të çlironte  krejtësisht shqiptarët nga zgjedha osmane pesë shekullore.Një prej tyre, e përshkruan bukur Hasan Prishtinën i cili thotë ;

“Mbledhja u mbajtë nën kryetari të Isamil Qemalit… Mbas mbarimit filloi kuvendi.U numëruen dhe u përmenden edhe një herë krejt mizoritë e turqve të rinj në Shqypni,si edhe politika e tyne në çështje të shkollave e të shkronjave që pat shkue gjithmonë tue u rreptësue.Kuvendi nuk zgjati shumë e të gjithë shokët u bashkuen në këtë pikë :Për me i dhanë fund politikës turke në çështje të kulturës kombëtare e për me sigurue disa privilegje politike për Shqypni,nuk ka tjetër mjet veçse me fitue me nji kryengritje të përgjithshme.Kështu pra u vendue që të organizohej kryengritja e biseda nisi me rrjedhë mbi ket pikë të dytë : Qysh do t’u organizonte kjo lëvizje e kur kishin me fillue veprimet ? Në këte mes rolin ma të çmueshëm kishte për ta luajt Kosova.Për këtë arsye u vendue me gjetë e me i futë nga Mali i Zi në Kosovë pesëmbëdhjetë mijë pushkë, e me majtë në urdhën tem,pos këtyre,edhe dhjetë mijë napoleona ari”.(Arkivi Qendror i Shtetit, fondi Hasan Prishtina, “shkurtim kujtimesh mbi kryngritjen shqiptare të vitit 1912 “ faqe 74 ).

  Besoj komentet janë të tepërta.Idetë dhe vendimet më kryesore të kuvendit madhor të Vlorës,janë marrë pikërisht në Stamboll prej burrave të tillë të shquar si Ismail Qemali,Hasan Prishtina,Nexhip Draga e dhjetra të tjerëve zemra e të cilëve rrihte veç për lirinë e trojeve tona arbërore.E ideuar aty,kjo kryengritje do të fillonte pikërisht në kullat e Isa Boletinit,për të zbritur më pas valë-valë deri në gjirin e bukur,në Prevezë të çamërisë sonë martire.Ajo do t’i zgjonte shqiptarët prej atij gjumi të zi dhe muaj më vonë,kur në Vlorë do ngrihej flamuri kuq e zi,atyre do t’u dukej si një ëndërr e llahtarshme.Në fillim të vitit 1912,Ismail Qemali shkon në Shqipëri.Ai pritet sërisht me madhështi dhe populli është i etur të dëgjojë si flet goja dhe zemra e burrit.Plaku i urtë e kupton dëshirën e madhe të tyre dhe nuk mungon në biseda e kuvende t’u thotë se liria vjen vetëm prej grykës së pushkës ngase ate nuk ta dhuron kush.Bën disa kuvende në Vlorë,Fier,Mallakastër e Berat ku populli i këtyre zonave i kërkon armë e udhëheqje për të luftuar.Nga maji deri në nëntor të vitit 1912,plaku i urtë niset sërish në Evropë.Ate s’mund ta mposhtë as sakrificat,as lodhjet,as rrugët e gjata dhe as  mosha ngase në shpirt i vlonte ideali i madh i lirisë.Kudo ku shkonte,bisedat e tij janë të pjekura,të zgjuara,emocionsjellëse.Politikanë e diplomatë të huaj,përkulen me respekt përpara ideve të tij,ndërsa shqiptarët e thjeshtë,mërgimtarët, e adhurojnë deri në dashuri.

Aleksandër Stare Drenava –Asdreni,ndër atdhetarët aktiv të kolonisë shqiptare në Rumani shkruan:

“Mbledhjet u mbajtën disa ditë radhazi në hotel “Kontinental” në të cilin ardhë edhe antarë të kolonisë së Konstancës.U bisedua gjërë e gjatë mënyra,udha dhe mjetet që lupeshin përdorur për të përballuar rrezikun edhe sa të mundet pa vonuar për të vajtur sa ma shpejt në Shqipëri,për të gjetur edhe aty anarë besnik të kësaj ideje të shenjtë,të ngitjes së flamurit të Kastriotit dhe të zbritjes së flamurit të gjysëmhënës… Të gjithë të mbledhurit e përgëzuan e iu falën nderit z.Ismail Qemal Beut”.( Gazeta “Shqipëria e Re “ – Rumani , 29 nëntor 1929 ).

  Kështu për të ardhur në nëntorin e lavdishëm të vitit 1912.Vetëm dy muaj më parë,Ismail bej Qemalit i ishte ofruar posti ministrit të punëve të jashtme të Perandorisë Osmane.Përpara këtij fakti,plaku i Vlorës u përgjegj pa hezitim se nuk pranonte ngase “ka ardhur ora që Shqipëria të shkunde zgjedhën e të bëhet komb i pavarur e mëvete”. Duke siguruar së pari mbështetje të plotë të atdhetarëve shqiptarë, e më pas disa mijëra armë e para,Ismail bej Qemali ndjente së thelli se momenti i duhur kish ardhur.Ora e historisë po binte,shqiptarët parashihnin lirinë e nesërme.Prej Bukureshti,me 5 nëntor 1912,Ismail Qemali u jepte miqve të vet në Shqipëri lajmin : “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar.Telegrafoni kudo,të kenë besim ndër fatin e atdheut”.(AQSH,Fo. 245/1 dosja 1 fleta 14).

  Odiseja e udhëtimit për në Vlorë ishte gati në kufijtë e një drame.Por shpirti i madh i Ismail Qemalit nuk u përkul askurrë.Brenda tij,si brenda gjoksit të një shkëmbi,kishte bërë folenë shqiponja e flamurit kuqezi.Në qytetin bregdetar e presin krahëhapur.Tashmë jo vetëm Vlora por krejt vilajetet shqiptare ishin njohur mbi çka do ndodhte.Tragedia qëndronte në faktin se nëse Vlora priste festën e madhe nën tingujt e këngëve,krahinat e tjera shqiptare përcillnin e prisnin krismat e pushkëve.Por anipse,përmes krismave e plumbave,delegatët erdhën nga krejt Shqipëria dhe në datën e lumë të 28 .Nëntorit. burrat e kombit vendosën një zëri shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë.Brenda këtij akti  të madh historik,ishin edhe luftërat shekullore të shqiptarëve për liri,edhe mijërat e të rënëve,edhe mijërat e shpresave të ardhme.Plaku i Vlorës,për këtë çast do të kujtonte :

“Kongresi i hap menjëherë.Në seancën e tij të parë,me 28 Nëntor 1912, u votua njëzëri ç’pallja e pavarsisë.Mbledhja në këtë kohë u ndërpre dhe delegatët lanë sallën për të ngritur në shtëpinë time,ku isha lindur dhe ku të parët e mij kishin jetur,midis brohoritjeve të mijëra njerëzve,flamurin lavdiplotë të Skënderbeut… Qe një çast i paharueshëm për mua dhe duart mu drodhën nga shpresa dhe kryelartësia që më vlonin në shpirt,në kohën kur po ngritja flamurin e Sovarnit të fundit të Shqipërisë.Mu duk sikur sopirti i heroit të pavdekshëm kaloi në ato çaste si një zjarr i shenjtë mbi kryet e popullit”.(Ismail Qemali “kujtime “ Toronto , Kanada , faqe 268 ).

  Natyrisht akti i ngritjes së flamurit në Vlorë,do të kumtonte një ardhmëri tjetër në trojet shqiptare.Tashmë ishte hedhur tej sundimit osman pesë shekullore e përmes rrezeve të shpresës shqiptarët mund të shihnin nëpër mugetirë pak dritë mbi fatin e tyre.Në cilësinë e kryetarit të qeverisë së përkohshme,plaku i Vlorës që në ditët e para u angazhua tërësisht me formimin e ministrive,organizimin dhe funksionimin e tyre.Vendi ishte i varfër,arkë s’kishte aspak dhe përmes këtyre vështirsive  Isamil bej Qemali do të punonte pa ndërprerje duke largura lodhjet e moshës. Natyrisht në shoqërinë tij tani ishin burrat e lavdishëm të kombit.Isa Bolentini,Mehmet Pashë Deralla,Sali Gjuka,Vehbi Dibra,Don Nikollë Kaçori,Luigj Gurakuqi,Mid’hat Frashëri,Murat Bej Toptani ,Ahmet Zogu,Myfit bej Libohova e dhjetra patriot të tjerë,do të ndanin kurdoherë hallet me plakun e Vlorës.

  Shpallja e pavarsisë,njëherazi vlente të shoqërohej edhe në një përpjekje madhore në rrafsh të diplomacisë perëndimore.Ismail Qemali,ai si diplomat i klasit të lartë u ul dhe përpiloi vetë një tekst të shkurtër e koncis ku njoftonte Fuqitë e Mëdha për këtë akt të shqiptarëve.Në këtë notë pos të tjerave,thuhej se :”Asambleja Kombëtare e përbërë nga delegatë të krejt visive shqiptare, e mbledhur në qytetin  eVlorës,spalli pavarsinë politike të Shqipërisë.Qeveria e përkohshme është e ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar i cili kërcnohet me shuarjen nga ushtria serbe.Duke paraqitur këto fakte,vazhdonte nota në fjalë,kam nderin t’i kërkoj Qeverisë së Madhërisë së tij Britanike,që të njohë këtë ndryshim në jetën politike të Shqipërisë.Shqiptarët që hynë në familjen e Evropës Perëndimore,janë kryelartë të murren sepse janë këtu më të vjetrit,kanë vetëm një qëllim,të jetojnë në paqe me gjithë popujt ballkanik dhe të bëhen element i drejt peshimit.Ata janë të bindur se Britanna e Madhe,sikurse e gjithë bota e qytetëruar do t’i presin përzemërisht këto ngjarje,duke i mbrojtur kundër çdo sulmi që mund t’i bëhet qënies së tyre kombëtare ose coptimit të vendit të tyre”.Kjo notë e hartuar prej Ismail bej Qemalit natyrisht nuk do të kalonte pa vëmendjen e Fuqive të Mëdha.Pamvarsisht prej ekuilibrave politike të mëvonshme,këto Fuqi të Mëdha,zbuluan përmës ngritjes së flamurit në Vlorë të vërtetën e thjeshtë se Shqiptarët mund të vetqeverisen.Njëherazi ata siguronin se duke ruajtur pavarsinë aq shumë të ëndërruar,tek e mbramja ato do të mbeteshin kurdoherë simbiozë  paqeje në Ballkanin e trazuar.Por ndërsa plaku i Vlorës,me kabinetin e tij,ishin në ditët e para të asaj qeverisjeje aq të vështirë,fqinjët tanë nuk rreshtën nga synimet dhe kërcnimet e hapura.Disa luftanije greke qëlluan disa herë Vlorën duke shkatëruar ndërtesa  e shtëpij.Rreth 400 ushtarë grek që ishin në Himarë zhvilluan disa ditë luftime por “patriotët vlonjat i zbrapsën disa herë duke zënë pomicione në Dukat”.(AQSH,fondi 71, dosja 1 , dokumneti nr.11,4043 ).

  Nga fundi i djetorit i vitit 1912,në drejtim të Vlorës u drejtuan edhe nja 200 kalorës turq.Përballë tyre,në rrethinat e Vlorës,u vunë disa dhjetra burra të Shqipërisë të komnaduar prej Murat Bej Toptanit.U deshën vetëm dy – tri orë debate e mëndej kalorësit u larguan.Ndërsa serbët kishin kaluar prej kohësh Drinin,po bënin reprezalje në Dibër,Mat e Librazhd. Kësisoj,foshnja e porsalindur,qeveria e përkohshme  u gjend e vetmuar në tallazin e detit.Ismail bej Qemali duke paraparë vështirsitë e mëdha gjithfarllojesh ndërmerr pas kësaj një udhëtim në Evropë.Në krah të tij,rrijnë Luigj Gurakuqi e Isa Bolentini të cilët patën ndjekur njëri me pendë e tjetri me pushkë ngjarjet e mëdha të atyre viteve. Ata dukej se vinin tashmë t’i jepnin zemër plakut të Vlorës,por ky ndërsa largohej prej gjirit të bukur të qytetit pikëllohej edhe më tepër.Në bisedat e gjata diplomatike në Romë,Vienë,Paris dhe Londër,me të drejtë,nuk u arrit diçka konkrete.Ngulmimi i plakut të Vlorës ishte që të ruhej sa të ishte e mundur tërësia toksore e trojeve shqipatre ngase ngjarjet në Ballkan sa vinin e bëheshin më të koklavitura.Ato probleme po zgjoheshin tash me largimin e Turqisë prej skenës Evropiane duke ringjalluar mëri të vjetra e orekse të reja,sllavogreke. Veçmas në Londër,me personalitete të shquara diplomatike,Ismail Qemali u përpoq të nxirte në pah se Shqipëria ish një komb që paraqiste vlera të mëdha për shkak të lashtësisë,guximit dhe shërbimeve që i pat sjellë evropës.Ndërkohë,biri i Vlorës, përcolli në Londrën plot mjergull e prapaskena politike,mesazhin se shqiptari as këkonte tjetër veç lirinë e trojeve të tij.Ai natyrisht kërkonte të rronte në fqinjësi të mirë me çdo fqinj,pamvarësisht nga e kaluara e largët apo e afërt.

”Po simpathija qe mu shfaq ndaj misionit që kesh ndërmarrë,qe ngushëllimi i vetëm për zemrën e coptuar të Shqipërisë kur muarën vesh vendimet e marra nga konferenca.Më shumë se gjysma e tokës së vendit,u ish dhanë Serbisë,Malit të Zi dhe Greqisë.Qytetet më të lulëzuara dhe pjesët më të begatshme të vendit qenë shkëputur dhe Shqipëria qe rregjuar e mbetur vetëm me pjesët më të thata,mbushur me gurë e shkëmbenj”.(Ismail Qemali , “Kujtime” Toronto – Kanada ,faqe 271 ).

  Prej vitit 1913 e deri më 1919,jeta e plakut të Vlorës,rodhi kurdoherë me ate shqetsimin e madh për fatin e atdheut që e lindi.Edhe kur në Shqipëri vjen Princ Vidi dhe Ismaili largohet për në Francë,tok me familjen,ai sërish dërgon letra,telegrame,takon miq e diplomat të huaj,i bindur sidoqoftë se çdo tragjedi e shqiptarëve niste padyshim nëpër kancelaritë evropiane.Kështu derisa zemra e lodhur prej derteve të Shqipërisë,një ditë pushon së rrahuri.Ishte 24  janari i vitit 1919.

Trupi i tij u dërgua në Vlorë për t’u varrosur në teqenë e Kaninës.Ky ishte amaneti i fundit i plakut të mirë,i birit të Vlorës i krejt kombit e Shqipërisë.Varrimi i tij qe madhështor.Ullishtat e Vlorës u mbushën me mijëra njerëz që donin të flisnin për të fundit herë me burrin e madh.Era e ftohtë e janarit,tundete lastaret e ullinjëve që u ngjanin duarve të dridhura të plakut që ngriti flamurin.Një fjalë që mbajti në varrimin e Ismail Qemalit,professor Jani Minga ai shprehej ; “Popull i përzishëm,shumë të brengosur dhe shumë të vrejtur të shoh sot.Vallë ç’gjëme e tmerrshme të ka gjarë e që mandat të zezë ke dëgjuar ? Pyes me pikëllim shpirtin,pyes me zemër që dridhet.Po mjerisht kudo që rrotulloj synë,kudo që mbajnë veshët,një zë përgjigjet në çdo anë,nga çdo fytyrë e venitur dhe e shkëmbyer e juaja dhe del një zë i helmueshëm dhe i shëmtuar,dëgjohet se vdiq Ismail Qemali,vdiq plaku i Shqipërisë.HEU ! Thuaj më mirë,o i mjerë popull,vdiq burri më i madh i Shqipërisë,luftëtari ma i fortë i mendjes,i njenjave dhe i mendimeve kombëtare,vdiq mburesa ma e fortë dhe ma e madhe e kombit,vdiq politikani ynë më i madh,dhe diplomati ynë më i dëgjueshëm në fushë të politikës e të diplomacisë Evropiane… Po tikomb mos u dëshpro ! ka pjellë këjo tokë kaq e vjetër në Sinist të Ballkanit,Kastriotët e Qemalët,ka pjellë të tjerë burra,të cilët do të ecin kurdoherë pas gjurmëve të mëdha të këtyrevet e do ta mbajnë atdhenë e dashur e të shenjtë në mëvehtësi e në liri të plotë me emrin e At të madhit Zot”.(Gazeta “Kuvendi” – Romë , mars 1919 ).

  Shumë vjet më pas,me kërkesë të popullit të Vlorës,trupi i Ismail bej Qemal Vlorës u rivaros në qendër të qytetit.Lavdia ende prehet aty.Që gjeneratat e tjera shqiptare të mësojnë prej këtij Panteoni.

Bern.-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Ismail Qemali

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT