Shkruan Eugen SHEHU/FOTO: Oxhaku i madh i familjes Vlora
Në panteonin e lavdisë së kombit tonë,padyshim Ismail Qemali zë vendin e nderit.Vitet e historisë shqiptare përkulen me veneracion përpara këtij burri ashtu siç janë përkulur breza të tërë shqiptarësh,këto vite historie të fillimshekullit,posaçërisht e kanë nderuar trimin ngase në supet e tyre ka rrahur e lirë flatra e shqipes tonë dykrenore.
Ismail Qemal Vlora,ka lindur në qytetin e Vlorës,me 24 janar 1844.Në fakt,origjina e Ismailit, ka rrjedhur nga fshati Kaninë,nga ajo fortesë e mrekullueshme natyrore,nga ai shkëmb gjigant në këmbë të të cilit,shtrihet qyteti piktoresk i Vlorës.Në defterët e turqve është përmendur me mijëra faqe trimëria e Sinan Pashës i cili u vra në Vlorë në vitin e largët 1503,duke luftuar kundër ekuipazhit të disa anijeve Raguziane që donin të pushtonin skelen.Sinan Pasha (ndër paraardhësit e Ismail Qemalit) u varros me nderime në oborrin e teqes së Kaninës pasi aty e kish lënë amanet. Nga generata në gjeneratë,dashuria për Shqipërinë jo vetëm që nuk u shua por erdh duke u rritur e zgjeruar ashtu siç rriten e zgjerohen shtratet e lumenjëve malore në prill kur shkrijnë borërat.Këtë të vërtetë historike pos të tjerave, e zbulon një pohim i thjeshtë i Ismail Qemalit në kujtimet e tij,shum më vonë,ndërsa shkruan ; “E vërteta është se katragjyshi ynë,Sinan Pasha,ishte shqiptar njëqind për qind për këtë jemi krenar”.(Ismail Qemali,kujtime,Toronto,Kanada , faqe 11 ).
I jati i Ismailit Mahmud bej Vlora,merr pjesë në luftimet e kaçakëve shqiptarë që kundërshtonin reformat turke të vitit 1847.Dihet se këto kryengritje popullore patën një jetë të shkurtër ndaj dhe u shuan me dhunë prej Portës së Lartë.Por sikur të mos mjaftonte dhuna,vrasjet e taksat akoma e më të rënda në shpinë të shqiptarëve,u deshën dhe burgimet e internimet.Kësisoj Mahmud bej Vlora u internua në Konje të Azisë së Vogël,ndërsa familja u çua në Selanik.Jeta e Ismailit të vogël mori papritmas rrjedhë tjetër por kjo duket se nuk e ka penguar aspak djalin e Vlorës të mësojë në një shkollë turke të qytetit.Kohën e lirë të tij,ai e kalon sidomos me të jamën Hedije hanmin, e cila ishte bija e Tahir bej Libohovës,ndër familjet më të pasura e të dëgjuara të Gjirokastrës. Sidoqoftë larg Vlorës së tyre,nënë e bir si edhe motra Bellkize do ta ndjenin veten të vetmuar.Por kanë qenë disa miq të familjes vlonjate që i ndihmuan.Ngase Ismail Qemali ishte nipi i Ibrahim Pashë Vlorës dhe ky dikur pat miqësi të ngushtë me Napoleonin e madh,këta ndërhynë në konsullatën fraceze të Selanikut. Sigurisht ka qenë ndikimi i francezëve pranë Portës së Lartë çka bëri që Ismaili me nënën dhe motrën e vogël të kthehen sërish në vendlindje.Natyrisht e jëma,Hedija,kërkonte me ngulm që biri i saj,Ismaili,një ditë të marrë rrugën sërish dhe të gjendet në qytetin e Janinës.Aty,sipas rekomandimeve të disa miqve të familjes,futet të studjojë në gjimnazin “Zosimea” ndër më të shquarit e kohës.Ndër të njohurit e parë aty është Naim Frashëri,poeti ynë i madh dhe dy bektashinjtë herë-herë,duke shëtitur buzë liqenit të qytetit,kanë kujtuar sigurisht teqet e Frashërit e Kaninës,këto vatra ku digjej pa u fikur askurrë prushi i shqiptarizmës.Pas mbarimit shkëlqyeshëm të “Zosimesë” Ismail Qemali shkon në Stamboll dhe ndjek studimet e larta në degën juridike.Tashmë është një djalosh i pashëm.Nëpërmjet Naimit njihet me Abdylin e Samiun dhe në shoqërinë e frashërllinjëve ndihet mjaft mirë.Padyshim,në kontaktet me ta janë ravijëzuar konturet e para të ideve për pavarsinë shqiptare ç’ka mund të nisej së pari me përhapjen e dritës së diturisë.
Gjatë kohës që ndiqte studimet në fakulltetitn e avokatisë,shkoi disa herë në Paris.Interesante është të dihet se pos të tjerave,aty Ismail Qemali u njoh me shkrimtarin e madh frances Viktor Hygo.Në bisedat me te,studenti shqiptar do të merrte njohuri të mëdha,në rrafsh të ideve iluministe. Pas mbarimit të studimeve të larta,Ismail Qemal Vlora,ngase zotëronte njohuri të mëdha në fushën e jurispondencës si dhe gjuhët greqisht,turqisht,frengjisht e italisht,u thirr të punojë në Ministrinë e Jashtme të asaj kohe në Stamboll.Në pak muaj pune,ra në sy jo vetëm disciplina e madhe e punës por edhe përkushtrimi i tij.Zgjidhet midis shumë kandidatëve për të punuar si kryesekretar i Ministrisë së Jashtme,dhe ishte vetëm 23 vjeç.
Në vitin 1870,biri i vlorës,pas rezulltateve të mira të arritura në Ministrinë e Jashtme,emërohet guvernator në Varna të Bullgarisë.Këtu,Ismail Qemali ndërmerr reforma tepër liberale duke konstrukturuar në një farë mënyre një shpresë të re për popujt që rronin nën sundimin e Portës së Lartë.Gjatë qëndrimit të tij në Varna,pos të tjerave,Ismail Qemali do të kishte kënaqsinë e madhe të priste Perandorin Franc Josef.Më vonë në kujtimet e tij,ai do të shkruante për impresionet që i pat lënë kjo vizitë. Ndërkaq,në idetë tij,ravijëzohen shpresat për një të ardhme tjetër të krejt popujve që përgjumeshin në natën osmane.Ndër prirjet e tij,tashmë shfaqet edhe ajo e gazetarisë.Ka punuar disa kohë si gazetar në “Da nube” dhe më vonë 1867 si drejtor i gazetës “Burimi i mendimeve”.Bie në sy,në shkrimet e tij,një mendim i qartë për autonominë e vilajeteve.Në fakt,pas kësaj autonomie,Ismail Qemali parashihte pjesën tjetër”të ajsbergut”,luftërat çlirimtare që mund të rridhnin si shkak i kësaj autonomie.Tashmë idetë dhe veprimet e tij kanë qenë diçka më të hapura dhe kjo nuk mund të kalonte pa u vënë re prej spiunëve të Perandorisë së madhe.Në vitin 1900, autoritetet e larta të Portës, e emërojnë Ismail Qemalin,si Qeveritar i Përgjithshëm i Tripolitanisë. Por nga burime shumë të fshehta,mësohet se ate e pret Syrgjyni ndaj miqtë e lajmërojnë dhe biri i Vlorës merr rrugën e ilegalitetit duke hequr dorë pa hezitim nga kariera e tij diplomatike.Mendohet se armiqësia e Portës së Lartë ndaj birit të Vlorës,mund të ketë lidhje edhe me Mid’hat Pashën. “Kur Mustafa Pasha u emërua prefekt në Dobruke të Bullgarisë,Ismail Beu ish diplomuar dhe kërkoi të emërohesh nëpunës pranë tij.Në atë kohë Guvernator i Filipopalit ishte Mid’hat Pashai,i famshëm kryeministër liridashës,që më vonë u vra prej Sulltan Hamidit ! Mustafa Pasha e këshilloi të merrte si këshilltar Ismail Qemalin ngase ky njihte mirë frengjishten.Këndejmi rodhi miqësia e ngushtë me Mid’hat Pashanë që mbeti deri në vdekje.Ky bashkëpunim e bëri Ismail Benë të njohur në qarqet intelektuale dhe i dha nam.Por njëkohësisht i ngjalli edhe një hije dyshim edhe tek Sultani”.(Safa Vlora,”kujtime personale e familiare rreth Ismail Qemalit”Romë1968).
Pas largimit nga Stambolli,Ismail Qemali shkon në Athinë.Natyrisht këtu nuk mund të gjejë do mjediset atdhetare të Stambollit por lidhjet e tija me patriotët shqiptarë nuk rreshtin me gjithfarë mënyrash.Në vitet e para të këtij shekulli,biri i Vlorës bashkëpunon ngushtë me Abedin Pashë Dinon,Shahin Kolonjën,Dervish Himën,Hasan Prishtinën etj,duke u rrekur në krijimin e një platforme ideore çka mund të nxiste që ato shkëndija të nacionalizmit,të bashkohen e të bëjnë zjarrin e madh të lirisë.Këtë platformë mbarëkombëtare,Ismail bej Qemali nuk mund ta arrinte kurrsesi me dy tri miq të tij në Athinë.Ngase e kupton këtë,ngase parasheh rënien e shpejtë të Perandorisë Osmane biri i Vlorës vrapon tashmë në Evropë.Disa dyqane që ja pat lënë i jati në Vlorë mundësonin një lloj jetese e çka i tepronte ai do ta përdorte vetëm për shpëtimin e kombit të vet.Të këtyre viteve janë një sërë veprimtarish të Isamil Qemalit i cili intuitivisht parandjente rrezikun e kombit dhe përpara tij nuk mund të heshte.Përshtypje të thella la sinqeriteti dhe guximi i tij në rrethet e patriotëve shqiptarë,ndërsa ata merrnin në duar thirjen e shkruar në të cilën ftoheshin krejt ata që donin shqipërinë për të marrë pjesë në shpëtimin e atdheut.Në Egjypt,Ismail Qemali takohet me Mehmet Ali Pashën,një tjetër shqiptar në hierarkinë lartë turke që i dha shpresë për të ndihmuar në pavarsinë e vendit.Në Napoli dhe Sicili u prit mjaft mirë prej arbëreshëve dhe u përcolli atyre imazhin e bashkimit rreth një ideje kombëtare të vetme,asaj të pavarsisë së trojeve arbërore. Personalitete arbëreshe e italiane të kulturës, e nderuan birin e vlorës duke mbështetur e përkrahur në çdo rast mendimet e tij për autonominë e Shqipërisë.Vlen të thuhet se kur shkoi sërish në Romë më 1907,ai u thirr në takim të veçantë prej Ministrit turk në kryeqytetin Italian.Ky i fundit nuk vonoi t’i jepte porosinë e Sulltanit që të “mos mirej me politikë”.Por shpirti i birit të Vlorës ish ndezur prej prushit të shqiptarizmës dhe ai nuk mund të shuhej askurrë.
Gjeneva,Parisi,Londra e Brukseli,do të ishin qytetet ku zëri i Ismail Qemalit do të dëgjohej i fuqishëm në mbrojtje të interesave të nëpërkëmbura të shqiptarëve.Ky zë do tu kujtonte Turve të Rinj,por edhe Evropës së qytetëruar se pos virtyteve të rralla e të vyera,shqiptarët ruanin në shpirt, të paprekur edhe ndjenjën e madhe të lirisë.Kësisoj,biri i Vlorës nderohej e respektohej nga rrethet përparimtare të këtyre vendeve,ndërsa në sytë e shqiptarëve porteti i tij lartësohej nga dita në ditë. Në shkrimet e tij,Ferid Vokopola,ish pjesmarës në ngritjen e flamurit në Vlorë,shkruan ;
“Për herë të parë pata fatin ta takoj Atë,në Korfuz,ku ishim në rrugë e sipër me dajën tim,të ndjerin Hasan Kodra dhe ishim nisur me anë të detit për të shkuar në Janinë.Dajua im e njihte fare mirë… Ishte një ditë prilli e 1908-ës,kur më prezantuan me Te.Mbas një përulje adhurimtare i putha duart dhe ai na urdhëroi të ulem afër.Kur ra fjala për veprimet e çetave të të ndjerit Riza Vleçishti,Cerçiz Topulli e të tjerë,pashë se i shkuan lot prej sysh,sy të shkëlqyer si të shqiponjës së maleve dhe tha : Liria merret e nuk falet… të marurit e saj nuk bëhet me anë të mëshirës por mjerisht me gjak.Këtë e kanë derdhur shqiptarët e shkretë gjatë shekujve pa e kursyer fare,por gjer më sot nuk kanë fituar kurgjë.Kemi luftuar e jemi sakrifikuar për të huajt… Tani koha po ja mbrin”.(F,Vokopola,revista “Njeriu “ faqe 3, Tiranë shkurt të vitit 1944 ).
Ka qenë vjeshta e vitit 1908,kur disa miq të Ismail Qemalit në qytetin e Vlorës,muarrën vesh se do të mbërinte në liman,me një anije italiane biri i tyre.Lajmi mori dhenë merenda pak ditëve dhe qindra vlonjatë shkonin çdo mëngjez në limanin e qytetit për të pyetur.Tashmë emri i Ismail bej Qemalit përcillej me respekt të jashtëzakonshëm ngase dihej veprimtaria e tij (së paku 8 vjeçare) në Evropë kur grinte zërin që Shqipëria të mos coptohej.Në mesditën e 18 shtatorit të vitit 1908,në drejtim të limanti të qytetit u shfaq lundruesja si një shpend i vogël,i bardhë,që sjell në krahët e veta ogure të mira.Dhjetra të rinj u hodhën në det dhe i prenë rrugën mjetit lundrues.Ata e muarën plakun e zbardhur mbi supe dhe e nxuarën në breg ndërkohë që qindra të tjerë aty thërisnin me forcë emrin e Ismail Qemalit.Për nder të birit të tyre,ate në mbrëmje,Vlora ngjante si të ishte në festë.Klubi atdhetar “Labëria” me ç’rast shtroi një darkë duke i propozuar birit të vet titullin e lartë të Presidentit të Nderit.Me lot në sy i emocionuar prej kësaj pritje gati familiare,Ismailbej Qemali u shpreh se”Jetën time s’mund ta ndalojë dot askush të shërbejë për vuajtjet dhe hallet tuaja”.Pas një vizite në shtëpinë e vjetër në Kaninë,ai shkon në oborrin e teqes ku preheshin të parët e tij.Aty plaku përshpërit disa fjalë që,vetëm ai dhe të parët e tij mund t’i kuptonin.Prej Kaninës,këtij shkëmbi gjigant natyror ai merr udhën nëpër fshatrat e lumit të Vlorës.Miq dashamirës të shumtë e presin birin e tyre duke i rrëfyer padyshim edhe hallet e mëdha të asaj jete të zezë shtypjeje e mjerimi.
Vizita e Ismail Qemalit,koincidon me zgjedhjet që do të zhvilloheshin për deputet në parllamentin turk,me ç’rast plaku i urtë me porosinë e miqve të shumtë,vendos kandidaturën në Sanxhakun e Beratit.Një muaj më pas,me zgjedhje,Ismail Qemali mundi të fitojë anipse propaganda e turqve për te kishte qenë tepër banale.Ngase i druheshin frymës,demokratike dhe diplomacisë së zgjuar të Ismail Qemalit,turqit e rinj dhe veglat e tyre përdorën edhe rrushfete për të rrëzuar plakun e urtë.Por shqiptarët,përpara se të japin besimin,i patën falur shpirtin këtij burri të madh,këtij vigani liberator. Ajo vepër madhore,ajo luftë e paçmuar në shërbim të kombit shqiptar,ajo forcë vepruese me të cilën Ismail Qemali synonte të zgjeronte qeverinë e përgjumuar osmane,janë padyshim kapitujt më të çmuar të jetës së tij.E nënvizoj këtë ide ngase,në tribunën e parlamentit osman të vitit 1908,zëri i tij ishte jo vetëm një klithmë ndaj fatit të Shqipërisë por edhe një vetëdije me ate çka do të ndodhte në Ballkanin e trazuar.Etnitë ballkanike patën nisur të zgjohen e forcohen duke paraparë edhe sulme të verbërta ndaj njera-tjetrës.Prandaj edhe deputetët e tjerë,nga viset ballkanike,në parllamentin osman askurrë nuk ja prenë fjalën plakut,përkundrazi çmuan çiltërsinë dhe zgjuarsinë e saj. Së bashku me Nexhip Dragën dhe Hasan Prishtinën (edhe këta deputetë në parllamentin osman) Ismail Qemali nuk kurseu energjitë e tij për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve.Këto të drejta,ai i pa kurdoherë të lidhura me zhvillimet ballkanike dhe Evropiane ngase e kish paraparë se në tokën e vet të bekuar, përplaseshin pa rreshtur interesat jo vetëm të fqinjëve por edhe të forcave të tjera të mëdha. Natyrisht ai kërkonte decentralizimin e Perandorisë Osmane por ishte tepër i matur në “autonominë e viseve të tjera”ngase,brenda kësaj lëvizjeje politike kërcënohej pa rreshtur fati i Shqipërisë së tij. Sipas të dhënave të dokumenteve arkivore të Turqisë,në vitin 1909,Ismail Qemali u thirr nga Sulltani dhe iu propozua detyra e Ministrit të Mbrendshëm të Perandorisë.Ne shqiptarët nuk duhet të harojmë se pos të tjerave,të huajt na kanë parë kurdoherë si modele karakteri të lartë e ndershmërie të thellë.Kjo ka qenë mbase shtysa e parë e Sulltanit mbi këtë propozim e mandej natyrisht edhe mund të largonte prej veprimtarisë së tij atdhetar.Por këtë funksion,plaku i urtë nuk e pranoi dhe kjo sigurisht që solli edhe zemërimin e Vezirit të Madh.
Kur edhe në parllament u krijua një gjendje e rëndë,Ismail Qemali duke marrë,edhe mendimin e miqve të vet,më 1909,largohet përfundimisht nga parlamenti.Prej tribunës së tij,Ismail Qemali pat goditur rëndë jo vetëm diktaturën e vendosur prej turqve të rinj,por edhe sëmundjet e mëdha sociale që kalbnin Perandorinë e madhe.Tashmë ai largohet përfundimisht nga Stambolli i bindur se për fatin e kombit të vet nuk duhej menduar aty,por gjetkë.Sa për Turqit e Rinj,pas këtyre që shkuan grumbull i madh shqiptarësh të asaj kohe,në kujtimet e veta,plaku i Vlorës do të shkruante : “Turqit e Rinj që i quajnë shqiptarët thjeshtësisht një popull mysliman,që nuk kishin ide politike të vetat përveç dëshirës që të mos paguajnë taksa…Me këtë shpresë,brenda më pak se dy vjet,ata nisën kundra Shqipërisë katër ekspedita ushtarake shtypëse.Por shqiptarët që gjatë shekujve të kaluar kishin bërë ballë fuqisë së kaq shumë perandorive,dhe nuk kishin rënë në gjumë as në kohën e Abdyl Hamidit,nuk u tmeruan nga kjo përpjekje.Përkundrazi,politika sulmonjëse e Turqve të Rinj qe maja që bëri të ringjallen prapë ndjenjat tona kombëtare dhe të lulëzojnë me një shkëlqim të ri. Fitoret që ushtritë e Xhavidit dhe Shefqetit patën këtu e atje kundër Shqiptarëve,s’bënë gjë tjetër,veçse i dhanë flakë prushit të mbuluar të kryengritjes”.(Ismail Qemali,”Kujtime “ Toronto- Kanada faqe 248 ).
Ndërkaq që plaku i Vlorës ndërmerrte udhëtime nëpër Evropë,ndërkohë që zëri i tij ndihej i fuqishëm në veshin e shurdhër të kancelarive perëndimore,në viset lindore të Shqipërisë,dhuna nuk kish të sosur.Trupat e Turgut Pashës kishin mësyer në drejtim të Kosovës dhe vrasjet,djegjet e grabitjet çonin shqiptarët përditë e më shumë në tragjedinë e madhe të mosegzistimit të tyre.Ismail Qemali,mbante kontakte të vazhdueshme me krerët kryesorë të rezistencës në Kosovë dhe përpiqej me ç’do mjet t’i tregonte Evropës se shqiptarët janë një popull autokton me historinë e kulturën e tyre. Por edhe Hasan Pristina e Nexhip Draga,filluan të denoncojnë këto krime në parllamentin turk.Zëri i tyre bubullues , gjëmoi ngahere duke nxjerë përpara atij parlamenti,të vërtetat ngjethëse mbi ngjarjet në Kosovë.Mandej,vlen të thuhet se protestat e tyre ndaj turqve të rinj,ishin të tilla saqë,shpesh kundërshtarët detyroheshin t’i dëgjonin kokëulur.Duke potencuar tragjedinë e atdheut të vet,Hasan Prishtina arriti deri sa të këcnojë turqit e rinj se “në të ardhmen vendi i juaj do të jetë në Gjygjin e Naltë (divan alij)”.Pikërisht në fund të vitit 1911,Ismail Qemali shkon sërish në Stamboll.Aty plaku i Vlorës takohet me personalitetet atdhetare shqiptare dhe hedh idenë e një kryengritjeje mbarëshqiptare e cila do të çlironte krejtësisht shqiptarët nga zgjedha osmane pesë shekullore.Një prej tyre, e përshkruan bukur Hasan Prishtinën i cili thotë ;
“Mbledhja u mbajtë nën kryetari të Isamil Qemalit… Mbas mbarimit filloi kuvendi.U numëruen dhe u përmenden edhe një herë krejt mizoritë e turqve të rinj në Shqypni,si edhe politika e tyne në çështje të shkollave e të shkronjave që pat shkue gjithmonë tue u rreptësue.Kuvendi nuk zgjati shumë e të gjithë shokët u bashkuen në këtë pikë :Për me i dhanë fund politikës turke në çështje të kulturës kombëtare e për me sigurue disa privilegje politike për Shqypni,nuk ka tjetër mjet veçse me fitue me nji kryengritje të përgjithshme.Kështu pra u vendue që të organizohej kryengritja e biseda nisi me rrjedhë mbi ket pikë të dytë : Qysh do t’u organizonte kjo lëvizje e kur kishin me fillue veprimet ? Në këte mes rolin ma të çmueshëm kishte për ta luajt Kosova.Për këtë arsye u vendue me gjetë e me i futë nga Mali i Zi në Kosovë pesëmbëdhjetë mijë pushkë, e me majtë në urdhën tem,pos këtyre,edhe dhjetë mijë napoleona ari”.(Arkivi Qendror i Shtetit, fondi Hasan Prishtina, “shkurtim kujtimesh mbi kryngritjen shqiptare të vitit 1912 “ faqe 74 ).
Besoj komentet janë të tepërta.Idetë dhe vendimet më kryesore të kuvendit madhor të Vlorës,janë marrë pikërisht në Stamboll prej burrave të tillë të shquar si Ismail Qemali,Hasan Prishtina,Nexhip Draga e dhjetra të tjerëve zemra e të cilëve rrihte veç për lirinë e trojeve tona arbërore.E ideuar aty,kjo kryengritje do të fillonte pikërisht në kullat e Isa Boletinit,për të zbritur më pas valë-valë deri në gjirin e bukur,në Prevezë të çamërisë sonë martire.Ajo do t’i zgjonte shqiptarët prej atij gjumi të zi dhe muaj më vonë,kur në Vlorë do ngrihej flamuri kuq e zi,atyre do t’u dukej si një ëndërr e llahtarshme.Në fillim të vitit 1912,Ismail Qemali shkon në Shqipëri.Ai pritet sërisht me madhështi dhe populli është i etur të dëgjojë si flet goja dhe zemra e burrit.Plaku i urtë e kupton dëshirën e madhe të tyre dhe nuk mungon në biseda e kuvende t’u thotë se liria vjen vetëm prej grykës së pushkës ngase ate nuk ta dhuron kush.Bën disa kuvende në Vlorë,Fier,Mallakastër e Berat ku populli i këtyre zonave i kërkon armë e udhëheqje për të luftuar.Nga maji deri në nëntor të vitit 1912,plaku i urtë niset sërish në Evropë.Ate s’mund ta mposhtë as sakrificat,as lodhjet,as rrugët e gjata dhe as mosha ngase në shpirt i vlonte ideali i madh i lirisë.Kudo ku shkonte,bisedat e tij janë të pjekura,të zgjuara,emocionsjellëse.Politikanë e diplomatë të huaj,përkulen me respekt përpara ideve të tij,ndërsa shqiptarët e thjeshtë,mërgimtarët, e adhurojnë deri në dashuri.
Aleksandër Stare Drenava –Asdreni,ndër atdhetarët aktiv të kolonisë shqiptare në Rumani shkruan:
“Mbledhjet u mbajtën disa ditë radhazi në hotel “Kontinental” në të cilin ardhë edhe antarë të kolonisë së Konstancës.U bisedua gjërë e gjatë mënyra,udha dhe mjetet që lupeshin përdorur për të përballuar rrezikun edhe sa të mundet pa vonuar për të vajtur sa ma shpejt në Shqipëri,për të gjetur edhe aty anarë besnik të kësaj ideje të shenjtë,të ngitjes së flamurit të Kastriotit dhe të zbritjes së flamurit të gjysëmhënës… Të gjithë të mbledhurit e përgëzuan e iu falën nderit z.Ismail Qemal Beut”.( Gazeta “Shqipëria e Re “ – Rumani , 29 nëntor 1929 ).
Kështu për të ardhur në nëntorin e lavdishëm të vitit 1912.Vetëm dy muaj më parë,Ismail bej Qemalit i ishte ofruar posti ministrit të punëve të jashtme të Perandorisë Osmane.Përpara këtij fakti,plaku i Vlorës u përgjegj pa hezitim se nuk pranonte ngase “ka ardhur ora që Shqipëria të shkunde zgjedhën e të bëhet komb i pavarur e mëvete”. Duke siguruar së pari mbështetje të plotë të atdhetarëve shqiptarë, e më pas disa mijëra armë e para,Ismail bej Qemali ndjente së thelli se momenti i duhur kish ardhur.Ora e historisë po binte,shqiptarët parashihnin lirinë e nesërme.Prej Bukureshti,me 5 nëntor 1912,Ismail Qemali u jepte miqve të vet në Shqipëri lajmin : “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar.Telegrafoni kudo,të kenë besim ndër fatin e atdheut”.(AQSH,Fo. 245/1 dosja 1 fleta 14).
Odiseja e udhëtimit për në Vlorë ishte gati në kufijtë e një drame.Por shpirti i madh i Ismail Qemalit nuk u përkul askurrë.Brenda tij,si brenda gjoksit të një shkëmbi,kishte bërë folenë shqiponja e flamurit kuqezi.Në qytetin bregdetar e presin krahëhapur.Tashmë jo vetëm Vlora por krejt vilajetet shqiptare ishin njohur mbi çka do ndodhte.Tragedia qëndronte në faktin se nëse Vlora priste festën e madhe nën tingujt e këngëve,krahinat e tjera shqiptare përcillnin e prisnin krismat e pushkëve.Por anipse,përmes krismave e plumbave,delegatët erdhën nga krejt Shqipëria dhe në datën e lumë të 28 .Nëntorit. burrat e kombit vendosën një zëri shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë.Brenda këtij akti të madh historik,ishin edhe luftërat shekullore të shqiptarëve për liri,edhe mijërat e të rënëve,edhe mijërat e shpresave të ardhme.Plaku i Vlorës,për këtë çast do të kujtonte :
“Kongresi i hap menjëherë.Në seancën e tij të parë,me 28 Nëntor 1912, u votua njëzëri ç’pallja e pavarsisë.Mbledhja në këtë kohë u ndërpre dhe delegatët lanë sallën për të ngritur në shtëpinë time,ku isha lindur dhe ku të parët e mij kishin jetur,midis brohoritjeve të mijëra njerëzve,flamurin lavdiplotë të Skënderbeut… Qe një çast i paharueshëm për mua dhe duart mu drodhën nga shpresa dhe kryelartësia që më vlonin në shpirt,në kohën kur po ngritja flamurin e Sovarnit të fundit të Shqipërisë.Mu duk sikur sopirti i heroit të pavdekshëm kaloi në ato çaste si një zjarr i shenjtë mbi kryet e popullit”.(Ismail Qemali “kujtime “ Toronto , Kanada , faqe 268 ).
Natyrisht akti i ngritjes së flamurit në Vlorë,do të kumtonte një ardhmëri tjetër në trojet shqiptare.Tashmë ishte hedhur tej sundimit osman pesë shekullore e përmes rrezeve të shpresës shqiptarët mund të shihnin nëpër mugetirë pak dritë mbi fatin e tyre.Në cilësinë e kryetarit të qeverisë së përkohshme,plaku i Vlorës që në ditët e para u angazhua tërësisht me formimin e ministrive,organizimin dhe funksionimin e tyre.Vendi ishte i varfër,arkë s’kishte aspak dhe përmes këtyre vështirsive Isamil bej Qemali do të punonte pa ndërprerje duke largura lodhjet e moshës. Natyrisht në shoqërinë tij tani ishin burrat e lavdishëm të kombit.Isa Bolentini,Mehmet Pashë Deralla,Sali Gjuka,Vehbi Dibra,Don Nikollë Kaçori,Luigj Gurakuqi,Mid’hat Frashëri,Murat Bej Toptani ,Ahmet Zogu,Myfit bej Libohova e dhjetra patriot të tjerë,do të ndanin kurdoherë hallet me plakun e Vlorës.
Shpallja e pavarsisë,njëherazi vlente të shoqërohej edhe në një përpjekje madhore në rrafsh të diplomacisë perëndimore.Ismail Qemali,ai si diplomat i klasit të lartë u ul dhe përpiloi vetë një tekst të shkurtër e koncis ku njoftonte Fuqitë e Mëdha për këtë akt të shqiptarëve.Në këtë notë pos të tjerave,thuhej se :”Asambleja Kombëtare e përbërë nga delegatë të krejt visive shqiptare, e mbledhur në qytetin eVlorës,spalli pavarsinë politike të Shqipërisë.Qeveria e përkohshme është e ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar i cili kërcnohet me shuarjen nga ushtria serbe.Duke paraqitur këto fakte,vazhdonte nota në fjalë,kam nderin t’i kërkoj Qeverisë së Madhërisë së tij Britanike,që të njohë këtë ndryshim në jetën politike të Shqipërisë.Shqiptarët që hynë në familjen e Evropës Perëndimore,janë kryelartë të murren sepse janë këtu më të vjetrit,kanë vetëm një qëllim,të jetojnë në paqe me gjithë popujt ballkanik dhe të bëhen element i drejt peshimit.Ata janë të bindur se Britanna e Madhe,sikurse e gjithë bota e qytetëruar do t’i presin përzemërisht këto ngjarje,duke i mbrojtur kundër çdo sulmi që mund t’i bëhet qënies së tyre kombëtare ose coptimit të vendit të tyre”.Kjo notë e hartuar prej Ismail bej Qemalit natyrisht nuk do të kalonte pa vëmendjen e Fuqive të Mëdha.Pamvarsisht prej ekuilibrave politike të mëvonshme,këto Fuqi të Mëdha,zbuluan përmës ngritjes së flamurit në Vlorë të vërtetën e thjeshtë se Shqiptarët mund të vetqeverisen.Njëherazi ata siguronin se duke ruajtur pavarsinë aq shumë të ëndërruar,tek e mbramja ato do të mbeteshin kurdoherë simbiozë paqeje në Ballkanin e trazuar.Por ndërsa plaku i Vlorës,me kabinetin e tij,ishin në ditët e para të asaj qeverisjeje aq të vështirë,fqinjët tanë nuk rreshtën nga synimet dhe kërcnimet e hapura.Disa luftanije greke qëlluan disa herë Vlorën duke shkatëruar ndërtesa e shtëpij.Rreth 400 ushtarë grek që ishin në Himarë zhvilluan disa ditë luftime por “patriotët vlonjat i zbrapsën disa herë duke zënë pomicione në Dukat”.(AQSH,fondi 71, dosja 1 , dokumneti nr.11,4043 ).
Nga fundi i djetorit i vitit 1912,në drejtim të Vlorës u drejtuan edhe nja 200 kalorës turq.Përballë tyre,në rrethinat e Vlorës,u vunë disa dhjetra burra të Shqipërisë të komnaduar prej Murat Bej Toptanit.U deshën vetëm dy – tri orë debate e mëndej kalorësit u larguan.Ndërsa serbët kishin kaluar prej kohësh Drinin,po bënin reprezalje në Dibër,Mat e Librazhd. Kësisoj,foshnja e porsalindur,qeveria e përkohshme u gjend e vetmuar në tallazin e detit.Ismail bej Qemali duke paraparë vështirsitë e mëdha gjithfarllojesh ndërmerr pas kësaj një udhëtim në Evropë.Në krah të tij,rrijnë Luigj Gurakuqi e Isa Bolentini të cilët patën ndjekur njëri me pendë e tjetri me pushkë ngjarjet e mëdha të atyre viteve. Ata dukej se vinin tashmë t’i jepnin zemër plakut të Vlorës,por ky ndërsa largohej prej gjirit të bukur të qytetit pikëllohej edhe më tepër.Në bisedat e gjata diplomatike në Romë,Vienë,Paris dhe Londër,me të drejtë,nuk u arrit diçka konkrete.Ngulmimi i plakut të Vlorës ishte që të ruhej sa të ishte e mundur tërësia toksore e trojeve shqipatre ngase ngjarjet në Ballkan sa vinin e bëheshin më të koklavitura.Ato probleme po zgjoheshin tash me largimin e Turqisë prej skenës Evropiane duke ringjalluar mëri të vjetra e orekse të reja,sllavogreke. Veçmas në Londër,me personalitete të shquara diplomatike,Ismail Qemali u përpoq të nxirte në pah se Shqipëria ish një komb që paraqiste vlera të mëdha për shkak të lashtësisë,guximit dhe shërbimeve që i pat sjellë evropës.Ndërkohë,biri i Vlorës, përcolli në Londrën plot mjergull e prapaskena politike,mesazhin se shqiptari as këkonte tjetër veç lirinë e trojeve të tij.Ai natyrisht kërkonte të rronte në fqinjësi të mirë me çdo fqinj,pamvarësisht nga e kaluara e largët apo e afërt.
”Po simpathija qe mu shfaq ndaj misionit që kesh ndërmarrë,qe ngushëllimi i vetëm për zemrën e coptuar të Shqipërisë kur muarën vesh vendimet e marra nga konferenca.Më shumë se gjysma e tokës së vendit,u ish dhanë Serbisë,Malit të Zi dhe Greqisë.Qytetet më të lulëzuara dhe pjesët më të begatshme të vendit qenë shkëputur dhe Shqipëria qe rregjuar e mbetur vetëm me pjesët më të thata,mbushur me gurë e shkëmbenj”.(Ismail Qemali , “Kujtime” Toronto – Kanada ,faqe 271 ).
Prej vitit 1913 e deri më 1919,jeta e plakut të Vlorës,rodhi kurdoherë me ate shqetsimin e madh për fatin e atdheut që e lindi.Edhe kur në Shqipëri vjen Princ Vidi dhe Ismaili largohet për në Francë,tok me familjen,ai sërish dërgon letra,telegrame,takon miq e diplomat të huaj,i bindur sidoqoftë se çdo tragjedi e shqiptarëve niste padyshim nëpër kancelaritë evropiane.Kështu derisa zemra e lodhur prej derteve të Shqipërisë,një ditë pushon së rrahuri.Ishte 24 janari i vitit 1919.
Trupi i tij u dërgua në Vlorë për t’u varrosur në teqenë e Kaninës.Ky ishte amaneti i fundit i plakut të mirë,i birit të Vlorës i krejt kombit e Shqipërisë.Varrimi i tij qe madhështor.Ullishtat e Vlorës u mbushën me mijëra njerëz që donin të flisnin për të fundit herë me burrin e madh.Era e ftohtë e janarit,tundete lastaret e ullinjëve që u ngjanin duarve të dridhura të plakut që ngriti flamurin.Një fjalë që mbajti në varrimin e Ismail Qemalit,professor Jani Minga ai shprehej ; “Popull i përzishëm,shumë të brengosur dhe shumë të vrejtur të shoh sot.Vallë ç’gjëme e tmerrshme të ka gjarë e që mandat të zezë ke dëgjuar ? Pyes me pikëllim shpirtin,pyes me zemër që dridhet.Po mjerisht kudo që rrotulloj synë,kudo që mbajnë veshët,një zë përgjigjet në çdo anë,nga çdo fytyrë e venitur dhe e shkëmbyer e juaja dhe del një zë i helmueshëm dhe i shëmtuar,dëgjohet se vdiq Ismail Qemali,vdiq plaku i Shqipërisë.HEU ! Thuaj më mirë,o i mjerë popull,vdiq burri më i madh i Shqipërisë,luftëtari ma i fortë i mendjes,i njenjave dhe i mendimeve kombëtare,vdiq mburesa ma e fortë dhe ma e madhe e kombit,vdiq politikani ynë më i madh,dhe diplomati ynë më i dëgjueshëm në fushë të politikës e të diplomacisë Evropiane… Po tikomb mos u dëshpro ! ka pjellë këjo tokë kaq e vjetër në Sinist të Ballkanit,Kastriotët e Qemalët,ka pjellë të tjerë burra,të cilët do të ecin kurdoherë pas gjurmëve të mëdha të këtyrevet e do ta mbajnë atdhenë e dashur e të shenjtë në mëvehtësi e në liri të plotë me emrin e At të madhit Zot”.(Gazeta “Kuvendi” – Romë , mars 1919 ).
Shumë vjet më pas,me kërkesë të popullit të Vlorës,trupi i Ismail bej Qemal Vlorës u rivaros në qendër të qytetit.Lavdia ende prehet aty.Që gjeneratat e tjera shqiptare të mësojnë prej këtij Panteoni.
Bern.-Zvicër