• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISMAIL QEMALI DHE KOMITETI I MILANOS

January 19, 2019 by dgreca

LE GAULOIS (1913) / MIRATIMI I ISMAIL QEMALIT PËR KRIJIMIN KOMITETIT SHQIPTAR TË MILANOS/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Janar 2019/

“Le Gaulois” ka botuar, të premten e 11 prillit 1913, në faqen n°2,  një shkrim në lidhje me krijimin e një komiteti shqiptar në Milano me miratim të Ismail Qemalit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një komitet shqiptar/

 Milano, 10 prill./

“Në mesin e refugjatëve shqiptarë u formua një komitet, nën patronazhin e princit mirditor Bibdoda, me ndihmën e disa personaliteteve të kolonive shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe Itali.

Ky komitet, i miratuar nga Ismaïl Qemal Beu, ka për qëllim të informojë opinionin publik evropian mbi kërkesat e kombit shqiptar dhe të mbrojë të drejtat e tij; ai përfshin përfaqësues të krahinave të ndryshme të Shqipërisë;

 Ky komitet do të fillojë publikimin e një gazete me seli të përkohshme në Milano.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Ismail Qemali, Komiteti I Milanos

Shqiptarët dhe pavarësia

October 7, 2018 by dgreca

VOSSISCHE ZEITUNG (1912) / JA ÇFARË SHPREHU ISMAIL QEMALI NË TRIESTE PARA SE TË NISEJ PËR NË DURRËS/1 qemali Ismail

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Tetor 2018/

“La Presse” ka botuar, të enjten e 21 nëntorit 1912, në ballinë, deklaratën e Ismail Qemalit, dhënë për “Gazette de Voss – Vossische Zeitung” në Trieste para se të nisej për në Shqipëri për evenimentin më të rëndësishëm të vendit tonë.

Çfarë ka shprehur më konkretisht asokohe lideri shqiptar ?/

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Shqiptarët dhe pavarësia

 Berlin, 20 nëntor.Gazeta Voss (Vossische Zeitung) shkruan se kreu shqiptar Ismail Qemali, i cili gjendet në Trieste, planifikon të largohet për në Durrës, me një avullore të Lloyd-it.

Ai tha se sapo të mbërrijë në destinacion do të shpallë pavarësinë e Shqipërisë :“Ne duam ta vëmë Evropën përpara faktit të kryer dhe të krijojmë menjëherë një qeveri të përkohshme.

Shqiptarët, nëse është e nevojshme, do të luftojnë me trimërinë më të madhe për pavarësinë e tyre.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Ismail Qemali, Shqiptarët dhe pavarësia

THEODORE ROOSEVELT PËR FRONIN E SHQIPËRISË?!!!

December 2, 2017 by dgreca

ISMAIL QEMALI PËR NEW-YORK WORLD (1913) : “NËSE THEODORE ROOSEVELT KANDIDON PËR FRONIN E SHQIPËRISË, FITON !” REAGIMI I ISH-PRESIDENTIT AMERIKAN./

1 Roozvelt Teodore

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  2 Dhjetor 2017/

Deklarata i Ismail Qemalit, mbi sugjerimin e kandidaturës së Theodore Roosevelt për tu bërë mbret i Shqipërisë, ka bërë jehonë në New-York, ku gazetarët vendas janë vërsulur asokohe menjëherë ne drejtim të ish-presidentit amerikan me qëllim që të njohin reagimin e tij lidhur me këtë çështje./

Ja si e përshkruajnë gazetat franceze, “L’Intransigeant” dhe “L’Aurore”, këtë ngjarje, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

L’Intransigeant, Ballinë, E martë, 13 maj 1913 : “Roosevelt, mbret i Shqipërisë !”

image (1)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/

New-York, 12 maj. – Qemal Beu, delegati shqiptar në konferencën e Londrës, është intervistuar nga një përfaqësues i New-York World, të cilit i ka thënë se nëse ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Theodore Roosevelt, kandidon për fronin e Shqipërisë, ai beson se shqiptarët do ta zgjedhin atë si më të preferuarin nga çdo kandidat tjetër.

L’Aurore, Faqe n°3, E mërkurë, 14 maj 1913 : “Z. Roosevelt, mbret i Shqipërisë !”

1512159882

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

New-York, 13 maj. – Z. Roosvelt ndiqet nga gazetarët që kur New-York World publikoi një intervistë të Qemal Beut, kreut të qeverisë së përkohshme shqiptare, aktualisht në Londër, i cili thuhet se tha se nëse ish-presidenti i SHBA-së do të ishte kandidat për fronin e Shqipërisë, ai do të kishte shanse për sukses.

 

  1. Roosevelt, i cili konsideron këtë botim qesharak, shmang çdo deklaratë, qoftë edhe humoristike.

Filed Under: Histori Tagged With: Froni i Shqiperise, Ismail Qemali, Theothor Roozvelt

ISMAIL QEMALI NË VLORË

November 25, 2017 by dgreca

1 Shpallja e BavaresiseNë 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë/

Fejzo Enver memshaj

Nga Enver Memishaj/

  1. Familja që për shekuj ka qeverisur Vlorën

Familja Vlora, me origjinë nga Kanina e Vlorës, për shekuj me radhë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës.Kjo familje ka mbajtur ofiqin më të lartë të Sanxhakbeut të Vlorës, mëkëmbësit të Sulltanit, për afro 350 vjet, që nga viti 1481 deri në vitin 1828, jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto”. Edhe pas vitit 1828, kjo familje vazhdoi të ushtroi ndikim të madh në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në krahinën e Labërisë. Më 28 nëntor 1912, është po kjo familje që i dha historisë Ismail Qemal Vlorën, Atin e Kombit tonë, njeriun që krijoi Shtetin e Pavarur Shqiptar, pas 500 vjet robërie. Si themelues i kësaj familje, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505). Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i detrave, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane.

Sipas Ismail Qemalit “Familja jonë, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të  veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapështitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.

Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për ndonjë figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike.

Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi ndryshe. Për familjen e tij as që u fol ndonjëherë!

Veçojmë këtu Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, në krye të shoqatës “Ismail Qemali” dhe Dr. Bujar Leskaj, në krye të Institutit të Studimeve Politike “Ismail Qemali”, të cilët nuk u lodhën asnjëherë për të publikuar dhe lartësuar veprën e Ismail Qemalit dhe pasardhësve të tij.Pema gjenealogjike e Ismail Qemalit, mbetet ende një portret emblematik, për të cilin ka pak njohuri, prandaj është e nevojshme të trajtohet  kjo temë nga studjuesit dhe historianët. Në kuadër të 105 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare po paraqesim disa aspekte nga jeta e Ismail Qemalit.

(Shih për më shumë Enver Memishaj “Kryetarët e Bashkisë së Vlorës 1912-2012”,Tiranë 2014f. 66)

  1. Ardhja e Ismail Qemalit në Vlorë, në vitin 1908

Më 20 shtator 1908, Konsulli i Austro Hungarisë në Vlorë, Kraus, në një relacion që i dërgonte Ministrit të Jashtëm në Vjenë, ndër të tjera i shkruante: “Ismail Qemal beu arriti këtu (më 18 shtator 1908) … i shoqëruar prej një delegacioni të pritjes prej 39 vetëve, të cilët prej Vlore, kishin dalë përpara për ta pritur në Korfuz. Në Skelë ishte mbledhur një mori njerëzish prej shumë mijëra vetësh të ardhur prej qyteteve dhe prej fshatrave përqark. Moloja ishte e stolisur me shumë flamurë. Mastet dhe shtyllat ishin të dekoruara me pëlhura me bojrat kombëtare kuq e zi…

Për festimin e ditës të gjithë dyqanet mbetën të mbyllur. Ismail Qemali u muar nga vapori prej pjesëtarëve të familjes Vlora që jetojnë këtu, Syrja beu dhe Xhemil beu. Kur të përmendurit hipën në urën e Skelës, Kryetari i Bashkisë Abas efendi Mezini, mbajti një fjalim në gjuhën turqishte, me të cilin ai i bëri përshëndetjen, dhe në emër të qytetit i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, lavdëroi patriotizmin fisnik të tij, e siguroi atë për respektin, dashurinë dhe mirënjohjen e bashkëatdhetarëve të tij dhe e përfundoi me një urra për personin e nderuar.

Pastaj mjeku Koleka dhe mësuesi në shkollën greke Minga, mbajtën fjalime patriotike në gjuhën shqipe. Më në fund djali i vogël i një banori të krishter recitoi një vjershë të rastit në gjuhën shqipe dhe i dorëzoi Ismail Qemal beut një tufë me lule, të cilin ai e puthi në ballë…

Pastaj i hipi një karroce që ishte mbuluar me një mbulesë të mëndafshtë të kuqe. Sapo ai, fill i vetëm, kishte zenë vend në të, turma e entusiazmuar, hoqi kuajt dhe e tërhoqi karrocën në triumf gjatë gjithë rrugës, prej afro 2 km deri në qytet, duke shkuar më parë në Bashkinë e qytetit…

Për t’u theksuar do të ishte gjithashtu, se duke udhëtuar prej Skelës në qytet, printe në mes përpara një flamur shqiptar me zhgabën dykrenore që mbante në krahëror një kryq dhe gjysëm hënëz…” (Bardhosh Gaçe “Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1872-1912”, Tiranë, 1999, dok. 25, f. 75-76)

Siç do të dëshmonte koha më vonë, qëllimi i Ismail Qemalit, nuk ishte vetëm propaganda për deputet, por kryesisht zgjimi popullit për të fituar pavarsinë nga Turqia. Me mbështetjen entuziaste të patriotëve vlonjatë, me gjithë aktivitetin që zhvillohej kundër tij nga kushriri Syrja bej Vlora dhe i biri Eqeremi, e ngriti popullin në këmbë në favor të tij dhe arriti të fitojë.

“U ftua popullsia në Bashki, për të bërë betimin që të vdesin për atdhe. Të pranishëm ishin, përveç kryetarit të Bashkisë Abas Mezinit, edhe Ismail Qemal beu”.

Nga raporti i konsullit austriak Kraus, si dhe nga shumë dokumenta të tjera, del e qartë se vlonjatët dhe shqiptarët e kishin flamurin në gji dhe në sepetet e tyre, pra e njihnin flamurin e tyre kombëtar dhe nuk u mungoi ai në furtunat dhe dallgët e kohës. Pra nuk është aspak e vërtetë ajo që pohon Eqerem bej Vlora në kujtimet e tij se në nëntor të vitit 1912, delegatët e kongresit të Pavarësisë nuk kishin flamur dhe nuk e njihnin atë, dhe prandaj nga kjo situatë i nxorri e i shpëtoi Eqerem bej Vlora duke u dhënë flamurin e tij !!!

  1. Udhëtimi Ismail Qemalit për në Vlorë në vitin 1912

Në nëntor të vitit 1912 patën ardhë prej Kosove nga Mirdita në Tiranë:  Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mid’hat Frashëri dhe i ndjeri Sali Gjuka, dhe patën ra bujtës në konak të Abdi Toptanit të cilët e diftuan situatën e rrezikëshme lakuriq. Abdi beu, kishte pas marrë më parë edhe një letër prej z. Syrja Vlora e cila i shpjegonte qartas shpartallimin e ushtrisë turke. Ai ua kishte pas dëftue tiranasve të këtushëm atë letër, por ata s’kishin besue.

Mbasi erdhi Bedri Pejani me shokë, biseduan këtu gjatë e gjerë dhe vendosën me mbledhe krerët e Shqipërisë së mesme në Vlorë për të shpallë indipendencën kombëtare. Prandaj dy nga këta zotni, shkuan në Elbasan dhe dy shkuan në Kavajë. Z. Abdi Toptani muar një akt përfaqësimi, të cilin kam pas fatin me e shkrue me dorën time, prej shqipëtarëve të Tiranës dhe shkoi në Durrës, ku ishte si major Mystafa vëllai Hamdi beut.

Abdi beu, para se të nisej me shkue në Durrës, kishte marrë një letër prej z. Mustafa Krujës, ku i kallëzonte se atje ka ardhë prej Trieste, i ndjeri Ismail Qemali me shokë, i cili don me shpallë indipendencën e Shqipërisë…Atëherë Ismail beu me shokë vendosën me shkue në Vlorë, por nuk gjejshin kuaj, sepse qeveria porositi qiraxhinjtë që të mos ju epshin kuaj me qera shqipëtarëve. Mbi atë u lajmërue Refik Toptani që ti bjerë një tuf kuaj prej Tirane, dhe ai me të shpejtë i çoi vetë kuajt në Durrës e ashtu u nisën këta zotni për në Vlonë:Ismal Qemali, Abdi Toptani, Murat Toptani, Luigj Gurakuqi, Kristo Meksi, Pandeli Çale, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja, Mustafa Kruja, Dom Nikoll Kaçorri, Jahja Efendiu, Abas Efendiu, Musa Ali Brahimi, dy djem vlonjatë  dhe një krutan.

Këtij grupi të ndershëm i kishte dalë përpara në Çerm, Dervish Biçaku e i kishte dërgu në çiflik të vet. ( Shih për më shumë: H.I. Dalliu “Patriotizma në Tiranë” T. 1930, f.84, 85).

4.Kastriot Mahilaj: Vizita e Ismail Qemalit në Vranisht të Vlorës.

Në Vranisht ka një rrugë të shkurtër e të ngushtë që fshatarët e quajnë rruga e Ismail Qemalit. Ai kaloi në disa rrugë të fshatit, por vetëm kjo copë rru­gë mori emrin e tij. Gojëdhëna thotë se, ndërsa ecte aty, plakut patriot i shkau këmba; duke qeshur ai nxori nga kuleta një monedhë të shtrenjtë dhe la porosi që ajo t’i jepej atij që do të shtronte këtë rrugë me kalldrëm. Ky nuk ishte kurrsesi një gjest paralliu. Dihet se ai mori shumë herë borxhe gjatë jetës. Dhe më tepër se një gjest shakaje ky episod ishte shprehje sado e vogël e dëshirës së tij të përjetshme për ta parë vendin të përparuar e të qytetruar.

Më të moçmit e fshatit tregojnë se Ismail Qemali erdhi në Vranisht me dy inxhinierë të huaj dhe një krushkun Ahmet Durmishi nga Karbunari. Darkën e ditës së ardhjes e kaloi në shtëpinë e Pasho Ramadanit, mik i Ahmet Durmishit, ndërsa 2 vakte të ditës tjetër ndenji në shtëpinë e Veli Dukës, i cili kishte një odë të madhe, të përshtatshme për kuvend të gjërë burrash. Gjatë shëtitjes që u bë në mal, ditën e dytë, inxhinierët mblodhën copëra gurësh dhe drurësh. Dy të huajt nga Evropa, duhet të kenë shoqëruar Ismail Qemalin në këtë krahinë të largët me kërkesën e këtij të fundit, për të parë parapraktikisht mundësinë e ndonjë përparimi ekonomik të kësaj krahine, sidomos po të zbulohesihin aty pasuri minerale. Janë të njohura interesimi e kërkesat këmbëngulëse të Ismail Qemalit në parlamentin turk për reforma ekonomike në Shqipëri.

Për kohën e kësaj vizite në ndonjë shkrim është përmendur viti 1909. Këtu është vendi për një saktësim. Pas 8 vjet endjeje nëpër Europë i dënuar nga Sulltani, Ismail Qemali u fal me shpalljen e hyrietetit (kushtetutës), në vitin1908. Prej fillimit të gushtit e deri në nëntor të këtij viti kur mori rrugën e Stambollit për të zënë vendin e tij në parlamentin turk, ai ndenji në Shqipëri. Pikërisht kësaj periudhe i përket vizita e tij në Vranisht. Nga ana tjetër vetë vizita u bë në kuadrin e takimit të tij si kandidat për deputet me zgjedhësit.

Ç’e shtyu Ismail Qemalin, që në një moshë të shkuar, 65 vjeç të merrte udhën jo të afërt Vlorë-Vranisht? Për këtë udhëtim atëhere lipseshin të paktën 8 orë dhe ai mund të zgjidhte një fshat tjetër, afër Vlorës, për të bërë takimin zyrtar. Takimi me zgjedhësit si kandidat për deputet i parlamentit perandorak ishte fasada ne shtëpisë; rëndësi kishte se çdo të thuhej brenda mureve të kësaj shtëpie. Dhe, gjithë sa tha e kuvendoi Ismail Qemali në shtëpitë ku bujti, dëshmojnë misionin patriotik të tij.

Pas, kësaj vizite ceta  e Sali Muratit u rrit në numër, u armatos dhe i shpeshtoi aksionet. Kjo çetë luajti rolin e saj në kryengritjen e vitit 1912, u vu në shërbim të qeverisë së Vlorës duke penguar mësymjen e shovinistëve; u dallua në Luftën e Vlorës dhe veproi krahas forcave demokratike, në revolucionin e vitit 1924.

Ismail Qemali ishte ndër të parët, që kuptoi rrezikun e politikës së xhonturqve ndaj kombit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë nuk u projektua prej tij në një kohë të shkurtër, qoftë edhe për 2-3 vjet. Krahas kërkesës për një autonomi të gjërë, tokësore dhe ad­ministrative, ai, tok me udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare, punonte edhe për rrugën e dytë, atë të kryengritjes së armatosur, rrugë e cila edhe u ndoq. Duke ardhur vetë në këtë fshat të thellë të Labërisë, Ismail Qemali donte të shihte me sytë e tij patriotizmin e masave të gjëra fshatare, ta frymëzonte e ta mobilizonte këtë patriotizëm për betejat e ardhme. Në odat e kuvendit, shkruhet në historikun e Vranishtit, ai tha që fshatrat duhet të jenë gati për komb e atdhe, t’i falin gjakrat që kanë për të marrë. Shqiptari duhet të derdhë gjakun jo kundër vëllait të tij, po për çlirimin kombëtar.

Ka edhe një fakt tjetër të vogël që flet tërthorazi. Në Vranisht patrioti i madh bujti mik në shtëpinë e Pasho Ramadanit. Ky vranishjot pat shkuar disa herë në Korfuz për t’i blerë armë çetës së Sali Kapedanit. Dhe vetë Ismail Qemali, për kryengritjen e Veriut 1911-1912, u mor personalisht me blerjen e armëve nga Evropa. Ka shumë të ngjarë që Plaku i Vlorës ta ketë biseduar punën e armëve me këtë fshatar patriot.

Gjatë kësaj vizite dyditëshe Ismail Qemali gjeti kohë që t’i kërkonrte pleqërisë së fshatit 7 djem të zotë për t’i dërguar me bursë në shkolla jashtë vendit. Këtë punë ai e pat bërë edhe më parë, e bëri edhe më pas, sepse shpresonte shumë te djemtë e arsimuar e të ditur të Shqipërisë. Demokratët revolucionarë Avni Rustemi, Halim Xhelo e të tjerë e përligjën shpresën e Plakut të Bardhë. Edhe djemtë që kërkoi nga Vranishti punuan për mëmëdheun. Këta, si Dan Seferi e Meçan Kallarati, kur u kthyen prej shkollës së Korfuzit, u bënë pionierë të shkollës e të gjuhës shqipe në Labëri. Gjithashtu, në Vranisht ai la edhe dy abetare. Ja se ç’tregohet në historikun e fsha­tit: Në shtëpinë e Veli Dukës oda u mbush cep më cep me burra. Llaf pas llafi, Ismail Beu dëgjoi një potere të vogël te dera. Një burrë qortonte dy djem të vegjël që s’donin të iknin që andej. Miku kërkoi që t’ia sillnin aty fëmijët. Ata erdhën dhe ranë në gjunjë para tij. Ismail Qemali u fërkoi flokët, nxori nga çanta dy libra të hollë, ua zgjati fëmijëve dhe foli që ta dëgjonte gjithë oda e burrave:

– Po ju jap dy abetare, janë shqip. Duhet ta mësoni gjuhën tonë, ta shkruani dhe ta këndoni. I ruani të mos ua shohë hoxha. Ua jepni dhe të tjerëve fshehurazi. Pas këtyre do t’u vijnë edhe abetare të tjera.

Hoxha, «mësuesi i mejtepes», u ra në erë abetareve, erdhi me xhandarë për kontroll, por abetaret nuk i gjetën. Më 1909 ishin disa vranishjotë që dinin të shkruanin e të lexonin shqip. Më 1912 u çel shko­lla shqip e fshatit. Po gurin e parë të kësaj shkolle e pati vënë vetë Ismail Qemali, 4 vjet më parë me 2 abetaret dhe me porositë që la për mësimin e gjuhës amtare.

Në historikun e Vranishtit përmendet edhe ky episod: Për nder të mikut, Pasho Ramadani bëri darkë të madhe. Me mish të pjekur në hell, me këngë e valle. Në mes të kuvendit, një bari vendas, Çelo Jonuzi quhej, ngriti aty për aty një këngë dhe e këndoi para mikut të madh:

Ismail beu me halle/ Gjezdise krale me krale/ Hallë e Shqipërisë qave/ Po s’ta vunë veshin fare…

Patrioti i madh, i çuditur, por edhe i kënaqur, iu drejtua fshatarit: «Mor ti burrë! Bari fshati e i ditke të gjitha. Politikën e Evropës e lojtke me gisht. Ti po na i tregon ngjarjet sikur ke qenë me mua».

Me atë intuitën e tij të pagabueshme, populli e njohu Ismail Qemalin si udhëheqësin e vet. Simpatia dhe besimi që kishte populli ndaj Ismail Qemalit nuk ishin të njëanëshme, këto ndjenja ushqente dhe ai ndaj popullit.

  1. Kujtime të Ali Asllanit për Ismail Qemalin.

Per Ismail bej Qemalin më kishte fjalosur shumë Mulla Xhaferri dhe Osman Efendiu. Mulla Xhaferri kishte qëndruar disa vakte në shtëpi të tij e u jepte djemve të Ismail Beut mësim. Ai e kishte pjekur me Osman Efendinë kur ky shkollohej në “Robert Kolezh”. Osman Efendiu sa herë merrte karta nga Vlora ja çonte Ismail Beut e ky i thosh: “Osman Efendi. Vlora është vendi i shenjtëruar. Me ka pikur malli per atë vend të bekuar e më del në ëndërr.”

Pasi u bë deputeti i Beratit (1909), Ismail Qemali u instalua në shtëpinë e tij në Orta Koy, ku frekuentohej nate e dite prej patriotëve shqiptarë. Gjatë vazhdimit të debateve të parlamentit turk ngjajtën incidente të rënda midis grupit shqiptar dhe xhonturqve. Bile Ismail Qemali u godit me shpullë në sallën e parlamentit prej kundërshtarëve të tij. Shqiptarët deshën të mirrin hakën për këtë ofendim të prijsit të tyre. Por ai, si udhëheqës i zgjuar e ndaloi këtë hapë të ngutshme dhe vijoi veprimtarinë e tij patriotike më me energji per të arritur sa më pare qëllimin e tij kryesor që ishte indipendenca e Shqipërisë.

Në këtë kohë ngjajti revolucioni i 31 Marsit që quhet në historinë turke (31 mart vakassi dmth ngjarja e 31 marsit) prej anës së xhonturqve për të rrëzuar sulltan Abdul Hamidin dhe për të eleminuar grupin shqiptar.

Xhonturqit, me të marrë fuqinë në dorë, çpifin kundër Ismail Qemalit gjoja se ai paska komplotuar kundër xhonturqve. Kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse Ismail Qemal beu u arratis për nëntë vjet, se Sulltan Abdul Hamidi deshi vetë ta vrasi Ismail Qemalin si udhëheqës i shqiptarëve. Ismail Qemali e mori vesh planin djallëzor të xhonturqve dhe u arratis në Evropë 1910-1911. Familja e tij iku pas tij dhe të gjithë u instaluan në Napoli e më vonë në Nic-Francë. Adresa e shtëpisë së tij në Nice ishte: Rue de France, Nr. 99, Villa Bore. Nga shtëpia e tij në Nice, vazhdonte aktivitetin e tij patriotik për çlirimin e Shqipërisë. Shtëpia e tij frekuentohej natë e dite prej patriotëve shqiptarë si Luigj Gurakuqi etj.

Ai ishte vazhdimisht në lëvizje nëpër kryeqytetet e Evropës për të gjetur mënyrën e shpëtimit të Shqipërisë. Dhe më së fundi përpjekjet e tia të palodhshme u kurorëzuan me sukses. Ideali i këtij patrioti të veneruar dhe të adhuruar u plotësua me ngritjen e flamurit kombëtar, nga ana e tij në Vlorë më 28 nëntor 1912.

*      *      *

Ditën që po kthehej Ismail Qemali nga mërgimi në Stamboll (pas hyrietit) të gjithë pjesëtarët e familjes së tij bashkë me djalin më të vogël, Qamilin, të cilin e kishte lënë 4 vjeç para se të arratisej, u nisën me araba per në molo.

Gruaja e tij me lot gëzimi në sy po priste çastin që ta përqafonte burrin e saj dhe të hidhte në krahun e tij djalin e tij më të vogël, që po priste me padurim të pushtonte babën e tij që po kthehej nga mërgimi. Nga shkaku i grumbullimit të mijëra shqiptarëve që kishin pllakosur gjithë skelën e Kara Koj-it, arabaja që mbante familjen e Ismail Qemalit nuk mund të përparonte dhe mbeti bllokuar midis kallaballëkut. Me t’u afruar vapori rumun skelës, u duk plaku me mjekër të bardhë në guvertë të vaporrit. Shqiptarët e muarën Ismail Qemalin krah më krah dhe e çuan në klubin e shqiptarëve prej ku vetëm pas një jave mundi të vinte pranë familjes së vet.

*     *     *

Më 1914 isha në Itali. Poqa në stacion të trenit Ibrahim Abdullanë, Osman Haxhinë e Omer Radhimën, kishin qenë në Romë e ishin pjekur me Ismail Bene për hallet e Vlorës e rebelët. Ibrahim Abdullau më dha një kartë me pesë rreshta që ma dërgonte Ismail Qemali. Më thoshte që të kthehem në Vlorë. Meraku i tij ishte të ngrihej prapë flamuri që kishin përdhosur rebelët.

*    *    *

Disa shënime karakteristike të jetës së tij:

Ai ka qenë një tip shumë i shëndoshë që nuk trembej kurrë nga të ftohtit dhe në kohrat më të ftohta vishej vetëm me një pardesy të lehtë.

Ushqimi i tij ka qenë: në mëngjez disa biskota, vetëm reçel portokalli dhe pinte shumë çaj. Zarzavate nuk hante kurrë. Qep dhe hudhëra nuk përdoreshin në gjellët e tij. Hante mish, brumera dhe embëlsira me qumësht.

Studionte vazhdimisht.

Në dhomat e tij të punës në Nicë (Francë) vazhdimisht ishte në kontakt me patriotët shqiptarë dhe veçanërisht me Luigj Gurakuqin.

(Marrë nga arkivi i familjes së Ali Asllanit. Këto kujtime janë shkruar në nëntor 1962 dhe janë botuar në gazetën: “Labëria”, Tiranë, dt. 30. 4. 1998)

  1. Si punonte dhe si i përballonte vështirësitë Ismail Qemali

Ismail Qemali shërbeu si kryetar i qverisë së parë shqiptare nga 28 nëntori 1912 deri më 24 janar 1914, kur dha dorëheqia si rezultat i presionit të të huajve dhe intrigave e presionit të kundërshtarëve të tij në Shqipëri.

Vullneti qëndruar dhe dëshira e popullit por ca më shumë shpresa kombtare u bënë ballë rreziqeve me çdo farë mënyre. Ismail Qemali natë e ditë nuk bën gjumë, nuk trembet aspak nga sulmet e armiqve sepse kumbiset në fuqinë e vërtetë besnike të popullit shqipëtar.

Populli shqipëtar i trëmbur nga rreziqet e tmerruara që kishin shkarkuar mbi shtetin tonë të ri, nga  frika e topave, vijnë njëri pas tjetrit i madh e i vogël me nxitim te kryetari pa mos menduar se është mesnatë ose i pushtuar me punë. Ismail Qemali i priste me gëzim duke i këshilluar të jenë gati për shpëtimin e Shqipërisë, e ata dhe dylmerët e bagëtive i përgjigjeshin: “Jemi me ty dhe e presëm shpëtimin tonë nga ty”.

Kryetari Qeverisë priste çdo sërë njeriu që ti vinte, i dijtur e i pa dijtur, natë e ditë, kurdohera e gjenin të ngritur dhe pa mos u mërzitur fare u përgjigjej të gjith pyetjeve që i bënin. Nuk u tregua i madh dhe i rëndë, nuk u tregua fytyr ashpër si aristokrat ose feudal por gjithnjë tregohej si në sjellje ashtu dhe në punë si një demokrat e si një patriot dhe nacionalist i vërtetë. Tërë dimrin nuk e lanë nonjë natë Të fli më shumë se dy orë gjumë. Kish ngjarë shumë herë që të fli pa xhveshur se e ngrinin nga gjumi.

Dua të them që në këtë kohë ish e pamundur që një njeri tjetër të bëhej udhëheqës i kombit dhe t’ja arrinte qëllimit si Ismail Qemali i cili me këshillimet dhe sjelljet e tij në një popull fare të paorganizuar të fitojë një dashuri, një simpathi dhe me këtë mënyrë të formojë një fuqi të çeliktë e cila i vu fre të fortë Shqipërisë.

Ismail Qemali për të mbajtur fuqinë e vet kombëtare me besnikëri deri në fund, fillojë duke i bërë popullit lehtësira të ndryshme duke mos i shtrënguar në nxjerrjen e havajete, cave ua falte fare, ankesat zyrtare i shikonte sipas zakonit, lutjet i pranonte pa pullë, punëve fetare u bënte më të madhen nder e lehtësi, fatkeqësitë e ndryshme i ndihmonte, fali vergjin e luftës, bëri xhelepin 3 grosh kokën etj. Kujtdo njeriu i fliste me gjuhë të ëmbël, të vogëlit si të vogël, të madhit si të madh, trimit si trim, të frikshmit i jepte kurajo, të diturit i kuvëndonte fjalë filozofike, me pleqtë bënte shaka mbi përfundimin e ëndërrave e të shpatullave të cilat i kish në vënt të lajmeve telegrafike.

Në kohëra të fundit, rrëziku më i madh qe ajo që po mbarohet buka fare, por besnikëria e popullit qe e tillë që linin fëmijët e tyre pa bukë dhe mbanin luftëtarët e lirisë. Ishte një qetësi e madhe sa s’dëgjohej të vidhej ose vritej njeri.                                                                                                                                           (Sali Hallkakondit “Historia e Shqipërisë së re” Vlorë, 1923, Enver Memishaj në “Rilindja”, Tiranë, dt. 24.11.1998)

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Memishaj, Ismail Qemali, ne Vlore

LE MATIN: BISEDA ME ISMAIL QEMALIN

April 25, 2017 by dgreca

LE MATIN » / RRËFIMI I BISEDAVE TË GAZETARIT FRANCEZ ME ISMAIL QEMALIN NË HOTELIN « PERA », KONSTANDINOPOJË (1912)/

1 Le Matin

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Prill 2017/Gazeta franceze, « Le Matin », të hënën e 10 prillit 1939, ka botuar, në faqen e parë dhe të dytë të saj, shkrimin e gazetarit Stéphane Lauzanne për Shqipërinë me titullin « La lutte de l’Albanie pour la liberté – Lufta e Shqipërisë për liri ».

Shqipëria sapo kishte humbur sërish pavarësinë e saj si rrjedhojë e pushtimit nga Italia fashiste.

Gazetari francez, nëpërmjet kësaj ngjarje të dhimbshme për vendin tonë, rikujton periudhën para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të 28 nëntorit 1912, ku ka patur mundësinë të bisedojë më atdhetarin shqiptar, Ismail Qemalin, në Hotel « PERA » me vendodhje në Konstandinopojë.

Ai ka sjellur asokohe, për publikun frankofon, bisedat e tij me kreun e parë të Shtetit Shqiptar, dhe përshkruan njëkohësisht Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në vijim, shkrimi i veçantë, sjellur nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :« Në vitin 1912, gjatë luftës ballkanike, ishte, në Konstandinopojë, në Hotelin Pera, një burrë me një mjekër të bardhë, e cila i vinte në dukje dy sytë tij ngjyrë blu dhe tepër ekspresivë. Për dyzet ditë që zgjati lufta, ai nuk u largua nga holli i hotelit. E gjeja çdo mbrëmje kur kisha mbaruar së dërguari shkrimet e mia gazetës « Matin » dhe më pyeste :

– Çfarë lajmesh ?

I thashë një ditë se Serbët kishin luftuar (mundur) Turqit. U duk i kënaqur dhe thjesht më tha :

– Ah, shumë mirë !

Por, tre javë më vonë, pasi « rrota e fatit » kishte ndryshuar, i mësova se Turqit kishin mundur Bullgarët. Nuk u duk fare i emocionuar dhe prapë më tha :

– Ah shumë mirë !

– Dëgjo – i thashë – nuk është e mundur që të jetë shumë mirë që Turqit të jenë si fitues ashtu edhe humbës…

Atëherë, ai më shpjegoi mendimin e tij, i cili rridhte nga populli i tij – sepse ai ishte Shqiptar dhe quhej Ismail Qemali. – Po, ishte shumë mirë pavarësisht fituesit apo humbësit. Kishte sosur momenti që, ai kishte pritur gjatë gjithë jetës së tij, populli kishte pritur për shekuj me radhë, momentin  kur më në fund Shqipëria do të shkundte zgjedhën turke dhe do të bëhej një komb i pavarur. Ajo u bë, në fakt, disa javë më vonë, dhe Ismail Qemali do të ishte kreu i parë i qeverisë së përkohshme.

Ismail Qemali fliste me krenari për historinë e vendit të tij, i cili përgjatë Adriatikut ofron të njëjtin aspekt të çizmes ashtu si Portugalia përgjatë Gadishullit Iberik, por mes shkëmbinjëve dhe kreshtave. Sipas pemës gjenealogjike, raca tij ishte më e vjetra e Evropës, sepse ajo e kishte origjinën në fiset e para aziatike, të cilat kishin ardhur dhe ishin vendosur në agimin e botës sonë të vjetër pikërisht në Iliri. Gjithsesi, kjo racë, nuk kishte asnjë lloj lidhje me racat sllave, greke, turke, romake të Ballkanit dhe ajo kishte ruajtur pastërtinë primitive të saj.

Ajo praktikonte zakonet më kurioze të mesjetës, si për shembull i lejonte gruas të udhëtonte e vetme nga një skaj i vendit në tjetrin pa u sulmuar apo ngacmuar nga dikush. Dhe burrat, në luftë të vazhdueshme (hakmarrje), vinin mbi çdo gjë, fjalën e dhënë (besën).

Kurioz, ky vend i egër, i paarsimuar, i pamëshirshëm, ishte vendi ku ideja e kombit i kishte rrënjët më të thella sesa besimet fetare që degëzoheshin në një sasi sektesh.

E pyesja shpesh Ismail Qemalin :– Si do t’i bëni bashkë katolikët e Shqipërisë veriore, myslimanët e Shqipërisë qendrore dhe ortodoksët e Shqipërisë jugore ?

– Ata janë të bashkuar – më përgjigjej ai me padyshim – nga adhurimi i vetëm që ata bartin më vete për atdheun prej gjashtëqind vitesh.

Për këtë, Ismail Qemali nuk e ekzagjeronte.Kur, në shekullin e XV-të, turqit vërshuan nga Azia dhe thyen « digën » e Konstandinopojës, përballë tyre u gjet në gadishull raca antike shqiptare, e cila u bëri atyre një rezistencë të lartë. Legjioneve osmane iu desht pesëmbëdhjetë muaj për të pushtuar Shkodrën dhe kur jeniçerët hynë në qytet gjetën aty kufomat e grave mbi muret rrethuese. Këto gra kishin luftuar si burrat.

Pesë shekuj më vonë, në vitin 1878, Evropa, e cila e ka zakon të jetë bujare me eshtrat e popujve që nuk i njeh mirë, i bëri dhuratë Serbisë territoret e Kursumlisë dhe të Vranjës, ndërsa Malit të Zi ato të Plavës dhe Gucisë. Si arsye, një lëkundje e gjatë tronditi malet shqiptare. Serbisë iu desht të përdorë armët për të marrë këto territore, ndërsa Evropa dërgoi një flotë ndërkombëtare në Ulqin që Mali i Zi të merrte pjesën e tij… Shqipëria, e indinjuar, iu drejtua Turqisë, e cila kishte lejuar masakrën e tokës së Shqipërisë së vjetër. Një kryengritje e tmerrshme shpërtheu. Portës së Lartë iu desht një ushtri prej 30.000 vetash për të shtypur atë.Me pak fjalë, një popull që luftoi për shekuj me radhë për të mos qenë vasal dhe para njëzet e shtatë viteve besoi se do të ishte përfundimisht i pavarur.E shoh ende, atë mëngjesin e nëntorit 1912, kur Ismail Qemali, i emëruar nga Evropa kryetar i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë autonome, u largua nga Hotel Pera, me një çantë në dorë. Çanta e tij nuk ishte e rëndë, por zemra e tij ishte e mbushur plot shpresë.

– Po marr anijen – tha ai. Po nisem për Shqipëri, si vend i lirë.

– A do të jetë ajo e lumtur ? – E pyeta.

– Ajo do të jetë, meqë është e çliruar nga zgjedha turke.

Ja pra, i miri Ismail Qemali ishte ëndërrimtar, sepse mund të çlirohesh nga zgjedha turke, por pa qenë për këtë i lumtur…»https://www.darsiani.com

 

Filed Under: Histori Tagged With: biseda, gazetari francez, Ismail Qemali, Le Matin

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT