Në 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë/
Nga Enver Memishaj/
- Familja që për shekuj ka qeverisur Vlorën
Familja Vlora, me origjinë nga Kanina e Vlorës, për shekuj me radhë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës.Kjo familje ka mbajtur ofiqin më të lartë të Sanxhakbeut të Vlorës, mëkëmbësit të Sulltanit, për afro 350 vjet, që nga viti 1481 deri në vitin 1828, jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto”. Edhe pas vitit 1828, kjo familje vazhdoi të ushtroi ndikim të madh në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në krahinën e Labërisë. Më 28 nëntor 1912, është po kjo familje që i dha historisë Ismail Qemal Vlorën, Atin e Kombit tonë, njeriun që krijoi Shtetin e Pavarur Shqiptar, pas 500 vjet robërie. Si themelues i kësaj familje, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505). Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i detrave, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane.
Sipas Ismail Qemalit “Familja jonë, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapështitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.
Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për ndonjë figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike.
Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi ndryshe. Për familjen e tij as që u fol ndonjëherë!
Veçojmë këtu Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, në krye të shoqatës “Ismail Qemali” dhe Dr. Bujar Leskaj, në krye të Institutit të Studimeve Politike “Ismail Qemali”, të cilët nuk u lodhën asnjëherë për të publikuar dhe lartësuar veprën e Ismail Qemalit dhe pasardhësve të tij.Pema gjenealogjike e Ismail Qemalit, mbetet ende një portret emblematik, për të cilin ka pak njohuri, prandaj është e nevojshme të trajtohet kjo temë nga studjuesit dhe historianët. Në kuadër të 105 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare po paraqesim disa aspekte nga jeta e Ismail Qemalit.
(Shih për më shumë Enver Memishaj “Kryetarët e Bashkisë së Vlorës 1912-2012”,Tiranë 2014f. 66)
- Ardhja e Ismail Qemalit në Vlorë, në vitin 1908
Më 20 shtator 1908, Konsulli i Austro Hungarisë në Vlorë, Kraus, në një relacion që i dërgonte Ministrit të Jashtëm në Vjenë, ndër të tjera i shkruante: “Ismail Qemal beu arriti këtu (më 18 shtator 1908) … i shoqëruar prej një delegacioni të pritjes prej 39 vetëve, të cilët prej Vlore, kishin dalë përpara për ta pritur në Korfuz. Në Skelë ishte mbledhur një mori njerëzish prej shumë mijëra vetësh të ardhur prej qyteteve dhe prej fshatrave përqark. Moloja ishte e stolisur me shumë flamurë. Mastet dhe shtyllat ishin të dekoruara me pëlhura me bojrat kombëtare kuq e zi…
Për festimin e ditës të gjithë dyqanet mbetën të mbyllur. Ismail Qemali u muar nga vapori prej pjesëtarëve të familjes Vlora që jetojnë këtu, Syrja beu dhe Xhemil beu. Kur të përmendurit hipën në urën e Skelës, Kryetari i Bashkisë Abas efendi Mezini, mbajti një fjalim në gjuhën turqishte, me të cilin ai i bëri përshëndetjen, dhe në emër të qytetit i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, lavdëroi patriotizmin fisnik të tij, e siguroi atë për respektin, dashurinë dhe mirënjohjen e bashkëatdhetarëve të tij dhe e përfundoi me një urra për personin e nderuar.
Pastaj mjeku Koleka dhe mësuesi në shkollën greke Minga, mbajtën fjalime patriotike në gjuhën shqipe. Më në fund djali i vogël i një banori të krishter recitoi një vjershë të rastit në gjuhën shqipe dhe i dorëzoi Ismail Qemal beut një tufë me lule, të cilin ai e puthi në ballë…
Pastaj i hipi një karroce që ishte mbuluar me një mbulesë të mëndafshtë të kuqe. Sapo ai, fill i vetëm, kishte zenë vend në të, turma e entusiazmuar, hoqi kuajt dhe e tërhoqi karrocën në triumf gjatë gjithë rrugës, prej afro 2 km deri në qytet, duke shkuar më parë në Bashkinë e qytetit…
Për t’u theksuar do të ishte gjithashtu, se duke udhëtuar prej Skelës në qytet, printe në mes përpara një flamur shqiptar me zhgabën dykrenore që mbante në krahëror një kryq dhe gjysëm hënëz…” (Bardhosh Gaçe “Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1872-1912”, Tiranë, 1999, dok. 25, f. 75-76)
Siç do të dëshmonte koha më vonë, qëllimi i Ismail Qemalit, nuk ishte vetëm propaganda për deputet, por kryesisht zgjimi popullit për të fituar pavarsinë nga Turqia. Me mbështetjen entuziaste të patriotëve vlonjatë, me gjithë aktivitetin që zhvillohej kundër tij nga kushriri Syrja bej Vlora dhe i biri Eqeremi, e ngriti popullin në këmbë në favor të tij dhe arriti të fitojë.
“U ftua popullsia në Bashki, për të bërë betimin që të vdesin për atdhe. Të pranishëm ishin, përveç kryetarit të Bashkisë Abas Mezinit, edhe Ismail Qemal beu”.
Nga raporti i konsullit austriak Kraus, si dhe nga shumë dokumenta të tjera, del e qartë se vlonjatët dhe shqiptarët e kishin flamurin në gji dhe në sepetet e tyre, pra e njihnin flamurin e tyre kombëtar dhe nuk u mungoi ai në furtunat dhe dallgët e kohës. Pra nuk është aspak e vërtetë ajo që pohon Eqerem bej Vlora në kujtimet e tij se në nëntor të vitit 1912, delegatët e kongresit të Pavarësisë nuk kishin flamur dhe nuk e njihnin atë, dhe prandaj nga kjo situatë i nxorri e i shpëtoi Eqerem bej Vlora duke u dhënë flamurin e tij !!!
- Udhëtimi Ismail Qemalit për në Vlorë në vitin 1912
Në nëntor të vitit 1912 patën ardhë prej Kosove nga Mirdita në Tiranë: Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Mid’hat Frashëri dhe i ndjeri Sali Gjuka, dhe patën ra bujtës në konak të Abdi Toptanit të cilët e diftuan situatën e rrezikëshme lakuriq. Abdi beu, kishte pas marrë më parë edhe një letër prej z. Syrja Vlora e cila i shpjegonte qartas shpartallimin e ushtrisë turke. Ai ua kishte pas dëftue tiranasve të këtushëm atë letër, por ata s’kishin besue.
Mbasi erdhi Bedri Pejani me shokë, biseduan këtu gjatë e gjerë dhe vendosën me mbledhe krerët e Shqipërisë së mesme në Vlorë për të shpallë indipendencën kombëtare. Prandaj dy nga këta zotni, shkuan në Elbasan dhe dy shkuan në Kavajë. Z. Abdi Toptani muar një akt përfaqësimi, të cilin kam pas fatin me e shkrue me dorën time, prej shqipëtarëve të Tiranës dhe shkoi në Durrës, ku ishte si major Mystafa vëllai Hamdi beut.
Abdi beu, para se të nisej me shkue në Durrës, kishte marrë një letër prej z. Mustafa Krujës, ku i kallëzonte se atje ka ardhë prej Trieste, i ndjeri Ismail Qemali me shokë, i cili don me shpallë indipendencën e Shqipërisë…Atëherë Ismail beu me shokë vendosën me shkue në Vlorë, por nuk gjejshin kuaj, sepse qeveria porositi qiraxhinjtë që të mos ju epshin kuaj me qera shqipëtarëve. Mbi atë u lajmërue Refik Toptani që ti bjerë një tuf kuaj prej Tirane, dhe ai me të shpejtë i çoi vetë kuajt në Durrës e ashtu u nisën këta zotni për në Vlonë:Ismal Qemali, Abdi Toptani, Murat Toptani, Luigj Gurakuqi, Kristo Meksi, Pandeli Çale, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja, Mustafa Kruja, Dom Nikoll Kaçorri, Jahja Efendiu, Abas Efendiu, Musa Ali Brahimi, dy djem vlonjatë dhe një krutan.
Këtij grupi të ndershëm i kishte dalë përpara në Çerm, Dervish Biçaku e i kishte dërgu në çiflik të vet. ( Shih për më shumë: H.I. Dalliu “Patriotizma në Tiranë” T. 1930, f.84, 85).
4.Kastriot Mahilaj: Vizita e Ismail Qemalit në Vranisht të Vlorës.
Në Vranisht ka një rrugë të shkurtër e të ngushtë që fshatarët e quajnë rruga e Ismail Qemalit. Ai kaloi në disa rrugë të fshatit, por vetëm kjo copë rrugë mori emrin e tij. Gojëdhëna thotë se, ndërsa ecte aty, plakut patriot i shkau këmba; duke qeshur ai nxori nga kuleta një monedhë të shtrenjtë dhe la porosi që ajo t’i jepej atij që do të shtronte këtë rrugë me kalldrëm. Ky nuk ishte kurrsesi një gjest paralliu. Dihet se ai mori shumë herë borxhe gjatë jetës. Dhe më tepër se një gjest shakaje ky episod ishte shprehje sado e vogël e dëshirës së tij të përjetshme për ta parë vendin të përparuar e të qytetruar.
Më të moçmit e fshatit tregojnë se Ismail Qemali erdhi në Vranisht me dy inxhinierë të huaj dhe një krushkun Ahmet Durmishi nga Karbunari. Darkën e ditës së ardhjes e kaloi në shtëpinë e Pasho Ramadanit, mik i Ahmet Durmishit, ndërsa 2 vakte të ditës tjetër ndenji në shtëpinë e Veli Dukës, i cili kishte një odë të madhe, të përshtatshme për kuvend të gjërë burrash. Gjatë shëtitjes që u bë në mal, ditën e dytë, inxhinierët mblodhën copëra gurësh dhe drurësh. Dy të huajt nga Evropa, duhet të kenë shoqëruar Ismail Qemalin në këtë krahinë të largët me kërkesën e këtij të fundit, për të parë parapraktikisht mundësinë e ndonjë përparimi ekonomik të kësaj krahine, sidomos po të zbulohesihin aty pasuri minerale. Janë të njohura interesimi e kërkesat këmbëngulëse të Ismail Qemalit në parlamentin turk për reforma ekonomike në Shqipëri.
Për kohën e kësaj vizite në ndonjë shkrim është përmendur viti 1909. Këtu është vendi për një saktësim. Pas 8 vjet endjeje nëpër Europë i dënuar nga Sulltani, Ismail Qemali u fal me shpalljen e hyrietetit (kushtetutës), në vitin1908. Prej fillimit të gushtit e deri në nëntor të këtij viti kur mori rrugën e Stambollit për të zënë vendin e tij në parlamentin turk, ai ndenji në Shqipëri. Pikërisht kësaj periudhe i përket vizita e tij në Vranisht. Nga ana tjetër vetë vizita u bë në kuadrin e takimit të tij si kandidat për deputet me zgjedhësit.
Ç’e shtyu Ismail Qemalin, që në një moshë të shkuar, 65 vjeç të merrte udhën jo të afërt Vlorë-Vranisht? Për këtë udhëtim atëhere lipseshin të paktën 8 orë dhe ai mund të zgjidhte një fshat tjetër, afër Vlorës, për të bërë takimin zyrtar. Takimi me zgjedhësit si kandidat për deputet i parlamentit perandorak ishte fasada ne shtëpisë; rëndësi kishte se çdo të thuhej brenda mureve të kësaj shtëpie. Dhe, gjithë sa tha e kuvendoi Ismail Qemali në shtëpitë ku bujti, dëshmojnë misionin patriotik të tij.
Pas, kësaj vizite ceta e Sali Muratit u rrit në numër, u armatos dhe i shpeshtoi aksionet. Kjo çetë luajti rolin e saj në kryengritjen e vitit 1912, u vu në shërbim të qeverisë së Vlorës duke penguar mësymjen e shovinistëve; u dallua në Luftën e Vlorës dhe veproi krahas forcave demokratike, në revolucionin e vitit 1924.
Ismail Qemali ishte ndër të parët, që kuptoi rrezikun e politikës së xhonturqve ndaj kombit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë nuk u projektua prej tij në një kohë të shkurtër, qoftë edhe për 2-3 vjet. Krahas kërkesës për një autonomi të gjërë, tokësore dhe administrative, ai, tok me udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare, punonte edhe për rrugën e dytë, atë të kryengritjes së armatosur, rrugë e cila edhe u ndoq. Duke ardhur vetë në këtë fshat të thellë të Labërisë, Ismail Qemali donte të shihte me sytë e tij patriotizmin e masave të gjëra fshatare, ta frymëzonte e ta mobilizonte këtë patriotizëm për betejat e ardhme. Në odat e kuvendit, shkruhet në historikun e Vranishtit, ai tha që fshatrat duhet të jenë gati për komb e atdhe, t’i falin gjakrat që kanë për të marrë. Shqiptari duhet të derdhë gjakun jo kundër vëllait të tij, po për çlirimin kombëtar.
Ka edhe një fakt tjetër të vogël që flet tërthorazi. Në Vranisht patrioti i madh bujti mik në shtëpinë e Pasho Ramadanit. Ky vranishjot pat shkuar disa herë në Korfuz për t’i blerë armë çetës së Sali Kapedanit. Dhe vetë Ismail Qemali, për kryengritjen e Veriut 1911-1912, u mor personalisht me blerjen e armëve nga Evropa. Ka shumë të ngjarë që Plaku i Vlorës ta ketë biseduar punën e armëve me këtë fshatar patriot.
Gjatë kësaj vizite dyditëshe Ismail Qemali gjeti kohë që t’i kërkonrte pleqërisë së fshatit 7 djem të zotë për t’i dërguar me bursë në shkolla jashtë vendit. Këtë punë ai e pat bërë edhe më parë, e bëri edhe më pas, sepse shpresonte shumë te djemtë e arsimuar e të ditur të Shqipërisë. Demokratët revolucionarë Avni Rustemi, Halim Xhelo e të tjerë e përligjën shpresën e Plakut të Bardhë. Edhe djemtë që kërkoi nga Vranishti punuan për mëmëdheun. Këta, si Dan Seferi e Meçan Kallarati, kur u kthyen prej shkollës së Korfuzit, u bënë pionierë të shkollës e të gjuhës shqipe në Labëri. Gjithashtu, në Vranisht ai la edhe dy abetare. Ja se ç’tregohet në historikun e fshatit: Në shtëpinë e Veli Dukës oda u mbush cep më cep me burra. Llaf pas llafi, Ismail Beu dëgjoi një potere të vogël te dera. Një burrë qortonte dy djem të vegjël që s’donin të iknin që andej. Miku kërkoi që t’ia sillnin aty fëmijët. Ata erdhën dhe ranë në gjunjë para tij. Ismail Qemali u fërkoi flokët, nxori nga çanta dy libra të hollë, ua zgjati fëmijëve dhe foli që ta dëgjonte gjithë oda e burrave:
– Po ju jap dy abetare, janë shqip. Duhet ta mësoni gjuhën tonë, ta shkruani dhe ta këndoni. I ruani të mos ua shohë hoxha. Ua jepni dhe të tjerëve fshehurazi. Pas këtyre do t’u vijnë edhe abetare të tjera.
Hoxha, «mësuesi i mejtepes», u ra në erë abetareve, erdhi me xhandarë për kontroll, por abetaret nuk i gjetën. Më 1909 ishin disa vranishjotë që dinin të shkruanin e të lexonin shqip. Më 1912 u çel shkolla shqip e fshatit. Po gurin e parë të kësaj shkolle e pati vënë vetë Ismail Qemali, 4 vjet më parë me 2 abetaret dhe me porositë që la për mësimin e gjuhës amtare.
Në historikun e Vranishtit përmendet edhe ky episod: Për nder të mikut, Pasho Ramadani bëri darkë të madhe. Me mish të pjekur në hell, me këngë e valle. Në mes të kuvendit, një bari vendas, Çelo Jonuzi quhej, ngriti aty për aty një këngë dhe e këndoi para mikut të madh:
Ismail beu me halle/ Gjezdise krale me krale/ Hallë e Shqipërisë qave/ Po s’ta vunë veshin fare…
Patrioti i madh, i çuditur, por edhe i kënaqur, iu drejtua fshatarit: «Mor ti burrë! Bari fshati e i ditke të gjitha. Politikën e Evropës e lojtke me gisht. Ti po na i tregon ngjarjet sikur ke qenë me mua».
Me atë intuitën e tij të pagabueshme, populli e njohu Ismail Qemalin si udhëheqësin e vet. Simpatia dhe besimi që kishte populli ndaj Ismail Qemalit nuk ishin të njëanëshme, këto ndjenja ushqente dhe ai ndaj popullit.
- Kujtime të Ali Asllanit për Ismail Qemalin.
Per Ismail bej Qemalin më kishte fjalosur shumë Mulla Xhaferri dhe Osman Efendiu. Mulla Xhaferri kishte qëndruar disa vakte në shtëpi të tij e u jepte djemve të Ismail Beut mësim. Ai e kishte pjekur me Osman Efendinë kur ky shkollohej në “Robert Kolezh”. Osman Efendiu sa herë merrte karta nga Vlora ja çonte Ismail Beut e ky i thosh: “Osman Efendi. Vlora është vendi i shenjtëruar. Me ka pikur malli per atë vend të bekuar e më del në ëndërr.”
Pasi u bë deputeti i Beratit (1909), Ismail Qemali u instalua në shtëpinë e tij në Orta Koy, ku frekuentohej nate e dite prej patriotëve shqiptarë. Gjatë vazhdimit të debateve të parlamentit turk ngjajtën incidente të rënda midis grupit shqiptar dhe xhonturqve. Bile Ismail Qemali u godit me shpullë në sallën e parlamentit prej kundërshtarëve të tij. Shqiptarët deshën të mirrin hakën për këtë ofendim të prijsit të tyre. Por ai, si udhëheqës i zgjuar e ndaloi këtë hapë të ngutshme dhe vijoi veprimtarinë e tij patriotike më me energji per të arritur sa më pare qëllimin e tij kryesor që ishte indipendenca e Shqipërisë.
Në këtë kohë ngjajti revolucioni i 31 Marsit që quhet në historinë turke (31 mart vakassi dmth ngjarja e 31 marsit) prej anës së xhonturqve për të rrëzuar sulltan Abdul Hamidin dhe për të eleminuar grupin shqiptar.
Xhonturqit, me të marrë fuqinë në dorë, çpifin kundër Ismail Qemalit gjoja se ai paska komplotuar kundër xhonturqve. Kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse Ismail Qemal beu u arratis për nëntë vjet, se Sulltan Abdul Hamidi deshi vetë ta vrasi Ismail Qemalin si udhëheqës i shqiptarëve. Ismail Qemali e mori vesh planin djallëzor të xhonturqve dhe u arratis në Evropë 1910-1911. Familja e tij iku pas tij dhe të gjithë u instaluan në Napoli e më vonë në Nic-Francë. Adresa e shtëpisë së tij në Nice ishte: Rue de France, Nr. 99, Villa Bore. Nga shtëpia e tij në Nice, vazhdonte aktivitetin e tij patriotik për çlirimin e Shqipërisë. Shtëpia e tij frekuentohej natë e dite prej patriotëve shqiptarë si Luigj Gurakuqi etj.
Ai ishte vazhdimisht në lëvizje nëpër kryeqytetet e Evropës për të gjetur mënyrën e shpëtimit të Shqipërisë. Dhe më së fundi përpjekjet e tia të palodhshme u kurorëzuan me sukses. Ideali i këtij patrioti të veneruar dhe të adhuruar u plotësua me ngritjen e flamurit kombëtar, nga ana e tij në Vlorë më 28 nëntor 1912.
* * *
Ditën që po kthehej Ismail Qemali nga mërgimi në Stamboll (pas hyrietit) të gjithë pjesëtarët e familjes së tij bashkë me djalin më të vogël, Qamilin, të cilin e kishte lënë 4 vjeç para se të arratisej, u nisën me araba per në molo.
Gruaja e tij me lot gëzimi në sy po priste çastin që ta përqafonte burrin e saj dhe të hidhte në krahun e tij djalin e tij më të vogël, që po priste me padurim të pushtonte babën e tij që po kthehej nga mërgimi. Nga shkaku i grumbullimit të mijëra shqiptarëve që kishin pllakosur gjithë skelën e Kara Koj-it, arabaja që mbante familjen e Ismail Qemalit nuk mund të përparonte dhe mbeti bllokuar midis kallaballëkut. Me t’u afruar vapori rumun skelës, u duk plaku me mjekër të bardhë në guvertë të vaporrit. Shqiptarët e muarën Ismail Qemalin krah më krah dhe e çuan në klubin e shqiptarëve prej ku vetëm pas një jave mundi të vinte pranë familjes së vet.
* * *
Më 1914 isha në Itali. Poqa në stacion të trenit Ibrahim Abdullanë, Osman Haxhinë e Omer Radhimën, kishin qenë në Romë e ishin pjekur me Ismail Bene për hallet e Vlorës e rebelët. Ibrahim Abdullau më dha një kartë me pesë rreshta që ma dërgonte Ismail Qemali. Më thoshte që të kthehem në Vlorë. Meraku i tij ishte të ngrihej prapë flamuri që kishin përdhosur rebelët.
* * *
Disa shënime karakteristike të jetës së tij:
Ai ka qenë një tip shumë i shëndoshë që nuk trembej kurrë nga të ftohtit dhe në kohrat më të ftohta vishej vetëm me një pardesy të lehtë.
Ushqimi i tij ka qenë: në mëngjez disa biskota, vetëm reçel portokalli dhe pinte shumë çaj. Zarzavate nuk hante kurrë. Qep dhe hudhëra nuk përdoreshin në gjellët e tij. Hante mish, brumera dhe embëlsira me qumësht.
Studionte vazhdimisht.
Në dhomat e tij të punës në Nicë (Francë) vazhdimisht ishte në kontakt me patriotët shqiptarë dhe veçanërisht me Luigj Gurakuqin.
(Marrë nga arkivi i familjes së Ali Asllanit. Këto kujtime janë shkruar në nëntor 1962 dhe janë botuar në gazetën: “Labëria”, Tiranë, dt. 30. 4. 1998)
- Si punonte dhe si i përballonte vështirësitë Ismail Qemali
Ismail Qemali shërbeu si kryetar i qverisë së parë shqiptare nga 28 nëntori 1912 deri më 24 janar 1914, kur dha dorëheqia si rezultat i presionit të të huajve dhe intrigave e presionit të kundërshtarëve të tij në Shqipëri.
Vullneti qëndruar dhe dëshira e popullit por ca më shumë shpresa kombtare u bënë ballë rreziqeve me çdo farë mënyre. Ismail Qemali natë e ditë nuk bën gjumë, nuk trembet aspak nga sulmet e armiqve sepse kumbiset në fuqinë e vërtetë besnike të popullit shqipëtar.
Populli shqipëtar i trëmbur nga rreziqet e tmerruara që kishin shkarkuar mbi shtetin tonë të ri, nga frika e topave, vijnë njëri pas tjetrit i madh e i vogël me nxitim te kryetari pa mos menduar se është mesnatë ose i pushtuar me punë. Ismail Qemali i priste me gëzim duke i këshilluar të jenë gati për shpëtimin e Shqipërisë, e ata dhe dylmerët e bagëtive i përgjigjeshin: “Jemi me ty dhe e presëm shpëtimin tonë nga ty”.
Kryetari Qeverisë priste çdo sërë njeriu që ti vinte, i dijtur e i pa dijtur, natë e ditë, kurdohera e gjenin të ngritur dhe pa mos u mërzitur fare u përgjigjej të gjith pyetjeve që i bënin. Nuk u tregua i madh dhe i rëndë, nuk u tregua fytyr ashpër si aristokrat ose feudal por gjithnjë tregohej si në sjellje ashtu dhe në punë si një demokrat e si një patriot dhe nacionalist i vërtetë. Tërë dimrin nuk e lanë nonjë natë Të fli më shumë se dy orë gjumë. Kish ngjarë shumë herë që të fli pa xhveshur se e ngrinin nga gjumi.
Dua të them që në këtë kohë ish e pamundur që një njeri tjetër të bëhej udhëheqës i kombit dhe t’ja arrinte qëllimit si Ismail Qemali i cili me këshillimet dhe sjelljet e tij në një popull fare të paorganizuar të fitojë një dashuri, një simpathi dhe me këtë mënyrë të formojë një fuqi të çeliktë e cila i vu fre të fortë Shqipërisë.
Ismail Qemali për të mbajtur fuqinë e vet kombëtare me besnikëri deri në fund, fillojë duke i bërë popullit lehtësira të ndryshme duke mos i shtrënguar në nxjerrjen e havajete, cave ua falte fare, ankesat zyrtare i shikonte sipas zakonit, lutjet i pranonte pa pullë, punëve fetare u bënte më të madhen nder e lehtësi, fatkeqësitë e ndryshme i ndihmonte, fali vergjin e luftës, bëri xhelepin 3 grosh kokën etj. Kujtdo njeriu i fliste me gjuhë të ëmbël, të vogëlit si të vogël, të madhit si të madh, trimit si trim, të frikshmit i jepte kurajo, të diturit i kuvëndonte fjalë filozofike, me pleqtë bënte shaka mbi përfundimin e ëndërrave e të shpatullave të cilat i kish në vënt të lajmeve telegrafike.
Në kohëra të fundit, rrëziku më i madh qe ajo që po mbarohet buka fare, por besnikëria e popullit qe e tillë që linin fëmijët e tyre pa bukë dhe mbanin luftëtarët e lirisë. Ishte një qetësi e madhe sa s’dëgjohej të vidhej ose vritej njeri. (Sali Hallkakondit “Historia e Shqipërisë së re” Vlorë, 1923, Enver Memishaj në “Rilindja”, Tiranë, dt. 24.11.1998)