• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Pakt me të hënën” i Istref Haxhillarit

June 10, 2015 by dgreca

Nga Përparim Hysi/
Zakonisht, për çdo mesditë,e marr një sy gjumë. Është bërë stereotip i pandreqshëm ky”sygjumi” im,sa, po ndodhi që të ma prishë dikush, mos kujtoni se do shpëtojë pa ndonjë mallkim. Se, tek zë e ta shtëlliz më tej këtë lloj çlodhjeje që aq më pëlqen, dua që t’ju them se ka më keq se sa unë. Dhe mjafton të më ndiqni e do shihni mandej: kam apo nuk kam të drejtë në “mallkimin” tim? Në Tiranë paska qenë një Vasil, i moçëm dhe ky si unë, aty nga shtatëdhjetat që aty nga ora 20 e mbrëmjes binte në gumë dhe, mandej, sikur topat e Allemanjës të binin, nuk çohej deri në mëngjes. Rronte me të shoqen dhe, për pesëdhjetë e kusur vjet , kjo ia kish mësuar huqin dhe kurrë nuk ia prishte ajkën.
Mirëpo shiko seç na ndodh. Ky, Vasili, na paskësh patur një vëlla ikur që në kohë të “merhumit” në Amerikë dhe, kur u hapën “portat” dykanatshe, vëllai lajmëroi që do vinte. Prit e prit dhe duket, kur kaloi ora 20, Vasil “Huqliu” fiu dhe në krevat. Aty nga ora 21 mbrriti, pas tridhjetë vjetësh, kurbetliu, Vangjel. E shoqja, po kur e quanin dhe atë Vasilika, drejt e tek krevati:- Çohu Vasil, se erdhi Vangjeli!
-Aha,- tha “Huqliu”,- jam në gjumë!!! Nesër,- i thuaj Vangjelit…
* * *
E solla këtë përqasje , se dhe mua kështu më ndodhi. Desh e bëra, si Vasili, po të lë Istrefi?! Kur them Istrefi,e kam fjalën për prozatorin e bukur Istref Haxhillari. Dhe jo vetëm ai, por dhe mikja jonë e përbashkët, MERI LALAJ. Kjo, pasi më dha dy libra të Istrefit, më mori në telefon dhe më tha:- I ke me kontratë. Romani është për Lidën (Lida Laze)dhe”Pakt me të hënën” është imi. Domethënë, unë qeshë vetëm një “i pajtuar me qera”. M’u kujtua kënga e “Qeraxhiut” që aq bukur e këndon e bukura ELI FARA “… qeraxhi të kam vëlla/ ma sill burrin me qera”. Pra jam pajtuar me “qera” tek Istref Haxhillari. Dhe si “qeraxhi”, po paguaj doganën.
Që është prozator nga më të mirët, Istref Haxhillari, këtë nuk e them vetëm unë, por është dëshmuar me çmime jo vetëm brenda vendit, po dhe jashtë. Unë nuk nisem veç nga këto, por tek mora një “xhiro” me qera “Pakt me të hënën” e përzura dhe atë Vasilin me gjithë huq. E vetmja që u çudit, në këtë prishje stereotipi, është imeshoqe që më tha:-Ç’ të ka gjetur? Ty, dhe kur të vjen çupa me dhëndërrin nga Shkodra, nuk rri pa e marr atë sygjumë.
Hë,- zë e mbrohem,- më ka ardhur një “dhëndërr” me një rigë mustaqe që nuk më lë rehat.
-Po pse,- vazhdon ajo,- nuk pret ai.
-Jo,- i them,- jam vonë. Sot është e mërkurë dhe ai “paktin” e ka filluar që të hënën.
* * *
Më duket se ia hoqa, sadopak, petët lakrorit. Dhe ky,”lakrori” i Istrefit është jovetëm “petërëndë”, por bluar në “mokrra Mokrari”, me miell të bardhë nga grurë kuturli. Tek e lexon, herë ndjen që je nga Pogradeci dhe, ca më shumë, tutje nga Mokrra. Në nuk ke ndjerë deri atëherë për Mokrën, fillo dhe lexo dhe, po nuk u bëre mokrar, unë shpohem në dy sytë. Ka një penë perfide, Istrefi. Tek lexoj faqe pas faqe, zë e meditoj: duket që natyra me larushinë e saj; me terrenin e thyer malor; me pyjet pa mbarim dhe me atë liqenin mitik që pogradecarët e quajnë”Gjol”, sikur kanë një bekim qiellor nga Zoti. Se jo më kot edhe poeti më i bukur, i pavdekshmi Lasgush, por dhe prozatorit më i magjishëm, Mitrushi, kanë “pirë” ujë tek ky”Gjol”. Dhe mos kujtoni se këta të dy dhe nuk ka tjetër: për fat të mirë të Letërsisë Mbarëshqiptare, Pogradeci e ka faqen të bardhë: si në prozë,ashtu dhe në poezi.Sikur, për një çast, të sillja para jush vetëm disa prej tyre, nuk kishit si mos më jepnit të drejtë. Istrefi po; Bujar Balliu është i tillë. Kopi Kyçyku dhe, pema që bie nën pemë, Ardian Kyçyku. Meri Lalaj që lëvron sa prozën,aq dhe poezinë. Veç tjerash, kjo dishepulle e profesor Skënder Lauarasit na ka dhënë shqip Anna Ahamatovën dhe Sergej Eseninin. Po mund të përmend, Misto Markon dhe poeti që vë” Xhindët të kërcejnë polka” që quhet Dhmitër Pojanaku; po Irini Nanushin e Liri Seitllarin e të tjerë.
* * *
“Pakt me të hënën” vërtet që është libër artistik, po, tek e shfleton, duket sikur të bën “pjesëmarrës” në këtë lloj pakti dhe të ndodhë si me atë rrëfenjën e qëmotshme: dha dy groshë e hyri në valle, dha pesëqind e nuk doli dot. Tek “Pakti…” njihesh me ngjarje e figura historike të cilat të bëhen aq të përafërta,sa të vjen keq që të ndahesh me to. Në ndodh kështu, pa dyshim, që merita është e Istref Haxhillari që nuk të lodhë duke zgjatur e stërzgjatur as frazat dhe as faqet. Kur lexon për Nikolla Naçon, Gjergj Pekmezin, Ali Kuçin, Atë Gjergj Fishtën, figura me një peshë relevante të veçantë, nuk ke se si mos ia dish këtij, Istref Haxhillarit.
Një kapitull më vete, por aq mbresëlënëse, është Mokra me gjithë mokrarët e saj: të nderuar e ballëbardhë ndër luftra, por dhe në vitet e paqes. Aq bukur dhe aq “imtësisht” shkruan për Mokrën, sa ti,sado që nuk ke qenë atyre anëve, tak dhe bëhesh vendali. Mua më duket se jam dhe unë nga Dunica. E sa për ata personazhë aq të gjallë, më duket se, po dhanë ballë këtyre anëve, kam borxh t’u dalë përpara dhe t’ju them:- Ç’kemi andej nga Dunica? Po nga Mokra? Ç’ të afërm ka lënë ai Xhaferri i Files? Po Sami Leka? Po Fari Muça? Ai, Flori Slatinja, ç’bën këtej Tiranës apo me trup këtu dhe me shpirt tutje Mokrës?- Ka ardhur ndonjë nga Osnati?
Dhe mund të vazhdoja të pyesja për Trebinjën për Zëmçën, për Llëngën me gjithë Kokoneshë…
Po ku mbarohen mbresat nga një “Pakt…” që e mora me “qera”. Qeraja qe e rëndë,aq sa më prishi gjumin. Po ç’pate, mor Istref Haxhillari? Sado me”qera”, po ia vlejti dhe”dogana”. Mokrar, mos t’u ndryshktë pena!

Tiranë, 10 qershor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Istref Haxhilalri, pakt me henen, perparim Hysi

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT