• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MONOPOLI I VEPRIMTARISË PLURIPARTITISTE NË POLITIKËN PARAZGJEDHORE

November 2, 2013 by dgreca

Shkruan: Isuf Bajrami/ Vend i Lekës/

Në Kosovë mund të flitet për pluripartitizëm, ndonëse kjo paraqet disa veçori që e dallojnë nga dukuritë e ngjashme në vende të tjera evropiane. Duke pasur parasysh veçoritë e çdo vendi, do të ishte e habitshme në fakt e kundërta, pra sikur pluripartitizmi politik të mos prezantohej alla kosovarçe.

Pluripartitizmi merr formë në çastin kur me çdo kusht tenton të realizohet dominimi i partitokracistëve në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Ky dominim nyjëzohet nëpërmjet pranisë dhe rrënjosjes masive të titistëve nëpër partitë e “mëdha” të vendit. Disa karakteristika që e dëshmojnë fare mirë këtë janë: programet fotokopje të partive politike; prirja për marrjen me çdo kusht e kompetencave institucionale; mungesa e lidhjes me bazën; ndarja e bazës elektorale mbi baza gjeografike,klanore e familjare; polarizimi i qëllimshëm i politikës. Një nga tiparet universale të pluripartitistëve është edhe monopoli i veprimtarisë së tyre në politikë. Në Kosovë, kjo mund të pohohet pa frikë, për sa kohë që sindikatat, shoqatat, fondacionet, në përgjithësi shoqëria civile, është ende në gjumë, për të mos thënë në komë, duke ua dorëzuar politikën tërësisht partive pluripartitiste. Partitë politike nuk janë të rrënjosura në shoqëri, as në territor, në kuptimin tradicional të përhapjes së organizatës partiake. Tërheqja e partive nga terreni ka pasoja të dyanshme; nga një anë partitë privohen nga funksioni i interpretimit të kërkesave sociale, duke filluar nga baza, çka do të thotë se partitë nuk janë në gjendje ta njohin realisht shoqërinë që duhet të përfaqësojnë; nga ana tjetër japin përshtypjen se nuk anojnë t’i uzurpojnë tërë hapësirat e jetës sociale. Partitokracistët,rezultojnë kështu,përderisa refuzojnë të rrënjoset në shoqëri, por në të njëjtën kohë mëtojnë se përfaqësojnë legjitimishtë të gjitha instancat shoqërore. Kapilarizimi i strukturave partiake në shoqëri më kujton epoka të kaluara, por njëkohësisht edhe vulën e padiskutueshme të partitokracisë së skajshme, si pushtet absolut i partisë mbi shoqërinë dhe ekonominë.

Më duhet të them se nga pikëpamja e përfaqësimit, sistemi i partive u shndërrua në partitokraci në momentin kur partitë shprehin vetëm interesa madhore, të përgjithshme, përgjithësuese e centraliste, pra kur humbasin aftësinë e shprehjes së interesave të vogla, të diferencave, të veçorive. Reagensi i partitokracisë identifikohet fillimisht tekpaaftësia e partive për të interpretuar dëshirën për ndryshime rrënjësore, sepse inercia e partive dallohet edhe tek përpjekja për të ruajtur status quo-në e së kaluarës. Rrjedhimisht shtrohet pyetja, a i duhen qytetarëve partitë politike që nuk e luajnë siç duhet rolin e tyre në shoqëri ?!!! Këtu batuta për shkërdhatokracinë e famshme pluri-par–titiste vjen e natyrshme, si fill i kuq që potencialisht ose realisht i përshkon të gjitha qelizat e shoqërisë stalinisto-titiste .

Për të përqafuar me optimizëm pluralizmin demokratik, duhet në radhë të parë të sqarohemi nëse pluripartitokracia e sotme, e pjesshme ose tërësore, nuk është pjellë e kultit stalinisto-titistë, pra nëse nuk është produkt i praktikave socialiste-vetëqeverisëse-titiste në mënyrë shabllone.

Ka nga ata që e shohin shpëtimin e deformimeve partiake tek ndikimet e huaja, ndoshta edhe tek globalizimi, që shkon përtej logjikës së partive nacionale. Në këtë rast mund të thuhej se në “laboratorin Kosovë” po testohet një variant i ri i pluripartitokracisë post totalitare komuniste.

Kur partitë organizohen në mënyrë demokratike, brenda kornizave të demokracisë së mirëfilltë pluraliste, për të mirën e qytetarëve që përfaqësojnë ligjërisht, pa ambicie monopolizuese e totalitarizuese, luajnë rol të rëndësishëm për bashkësinë shoqërore. Në të kundërtën, shndërrohen në problem për vetë jetën e qytetarëve për të cilën pretendojnë ta përfaqësojnë me qëllim që ta “përmirësojnë”.

Thelbi i sistemit demokratik është qytetari dhe dialogu i qytetarit me të ngjashmit e tij,e jo pushteti e monologu. Dialogu është thelbi ekspozues i demokracisë, përkatësisht përmes tij konvertohet pushteti në autoritet dialogues, ku qytetarët realizojnë vetveten e tyre dhe të tjerët në komunitet. Derisa dialogu është pjesa thelbësore, jo çdo dialog dhe komunikim shtrohet si duhet. Reklama politike është njëra prej formave komunikuese dhe, në të njëjtën kohë, manipuluese masive e qytetarëve. Pushteti në demokraci ka një status të veçantë, është i definuar qartë, dhe sa më i kufizuar që është ai mundësia për të abuzuar me të është ma i vogël.

Dialogu është kushti nëpërmjet të cilit njerëzit e realizojnë esencën e tyre në demokraci. Kjo do të thotë që njerëzit nuk mund të qeverisen para se të debatojnë lirshëm lidhur me formatin dhe rregullat e lojës së qeverisjes. Ky dialog, pra ka të bëjë me justifikimin e aktivitetit politik dhe, në planin koheziv, lidhet me një kontekst më të gjerë. Pra, konteksti në fjalë siguron që politika në vetvete të mbart një infuzion demokratik dhe në mënyrë permanente të justifikohet para popullit,para një opinioni publik real, e jo fiktiv apo siç njihet ndryshe publik fantazmë i ardhur nga diku tjetër. Për të qenë e realizuar kjo në rrafshin horizontal e praktik, më tej, shtron nevojën e krijimit të një opinioni të edukuar që gjykon politikën dhe që është i aftë të dekodojë fjalorin politikë të së kaluarës,tashmes dhe të së ardhmes. Më saktësisht, kjo lidhet me domosdoshmërinë e një publiku aktiv që është barometri kryesor i legjitimitetit.

Demokracia do të duhej të siguronte disa kushte që vet konceptualizmi i saj të mos shtrembërohej. Një prej këtyre kushteve që demokracia do të duhej të siguronte, që shekullarizmi i politikës e bëri të mundur atë, është konvertimi i statusit të pushtetit. Pra,në demokraci pushteti del si një vend i zbrazët: atë s’mund ta mishëroj më asnjë individ, organ apo parti, askush s’mund të jetë bashkësubstancial me të. Pushteti,sipas kësaj pikëpamje shihet qartë se është një “tokë e askujt”. Pra, kjo nënkupton se demokracia nuk i jep askujt një pushtet premordial-hyjnor në aspektin kohor. Ata që janë aty, përkohësisht (pushtetarët), janë sepse i janë nënshtruar një procedure periodike, përndryshe nuk do të ishin ose nuk do të ishte vet demokracia. Kjo lidhet me atë që pushteti në politikë është si paraja në ekonomi, ata që e kanë pushtetin e kanë për një periodë të shkurtër dhe qëndrimi i tyre aty (posti) varet nga rezultatet e punës së tyre dhe vlerësimi që do t’u bëhet këtyre rezultateve nga zgjedhësit-populli. Sikurse ekonomistët që konkurrojnë dhe pushtojnë tregje për të fituar , ashtu edhe politikanët konkurrojnë për pushtet në “tregjet politike”apo të quajtura ndryshe zgjedhje periodike. Pra,qeverisja demokratike është e kufizuar në planin kohor nëpërmjet zgjedhjeve periodike demokratike dhe mundëson shpëtimin e pushtetit nga monopoli si në komunizëm.

Demokracia e shpreh ekzistencën e vet përmes arsyetimit të aktveprimeve politike.Arsyetimi i aktveprimeve politike në raport me qytetarin është përgjithshmërishtë i lidhur me legjitimitetin e atyre veprimeve. Ky legjitimitet ka të bëjë me kapacitetin e sistemit politik në fjalë për të prodhuar veprime,të cilat qytetarët do t’i konsideronin legjitime dhe të drejta. Premisa parësore është se, në demokraci e drejta është jashtë sferës së pushtetit të përjetshëm. Pra, në këtë proces kërkimi, akterët politikë të këtij sistemi (politikanët, partitë politike) kërkojnë legjitimitet përmes debatit, përkatësisht komunikimit. Fusha (hapësira) ku kërkohet ky legjitimitet është publiku, kurse koha më e përshtatshme për aktorët e skenës politike (telepolitikanët) në kërkim të këtij legjitimitetit është fushata parazgjedhore.

Megjithëse politikanët reduktojnë kërkimin e legjitimitetit në një akt elektoral. Legjitimiteti nuk duhet të shihet në këtë prizëm, si një akt, sepse edhe si i tillë nuk është. Legjitimiteti nuk paraqet një akt kërkim që e gjejmë njëherë e përgjithmonë. Ai duhet, dhe do të duhej të kërkohej vazhdimisht për faktin e thjeshtë se, veprimi politik (veçanërisht sot) është veprim i komunikuar, e për më tepër, i mediatizuar. Në këtë kontekst, pushteti (që është synim i akterëve politikë) për të qenë legjitim duhet ,ose do të duhej që vet pushteti të krijon parakushte,ku do të debatohej mbi legjitimen dhe jolegjitimen.

Për ta kuptuar komunikimin politik (gjuhën e pushtetit ose gjuhën e atyre që e synojnë atë), që është një komunikim veprimi dhe që lidhet drejtpërdrejt me atë që quhet politikë simbolike, duhet ta shqyrtojmë realitetin politik. Realiteti politik, është një realitet i dyfishtë. Pra, të gjitha veprimet politike ndahen në mes të dimensionit instrumental dhe dimensionit ekspresiv. Dimensioni instrumental (vlera nominale) i realitetit politik karakterizohet përmes efekteve të vërteta të veprimeve politike, kurse dimensioni ekspresiv-shprehës (vlera simbolike) karakterizohet me simbole që iu servohen publikut në mënyrë të fabrikuar. Pjesë e këtij komunikimi,që është karakteristikë e politikës së kaluar simbolike, janë p.sh: stemat partiake,himnet ,flamujt, karizma e politikanit, buzëqeshjet koinciduese, shtrëngimi i duarve, etj. Dimensioni ekspresiv i veprimit politik është i lidhur pazgjidhshmërisht me politikën simbolike dhe është për ta kuptuar komunikimin politik në rrethanat konkrete. Dhe, për më tepër, të dyja këto dimensione lidhen me mediat dhe rolin e tyre. Në këtë rast,qytetarët mund të pyesin: a është politika simbolike produkt i nënshtrimit mediatik, pra a bëhet fjalë për një politikë të “mediatizuar”, të nënshtruar nga mediat, që gjithnjë e më shumë po e humbë kuptimin e saj (sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku rregullat vendosen nga mediatorët)? Pra, politika simbolike ,së pari, është realitet i çdo shoqërie politike që nga fillimi i veprimit politik. Së dyti,politika simbolike bashkëkohore ka marrë një proporcionalitet të zhdrejtë në tërësinë e realitetit politik sot, pra ka një proporcionalitet të zhdrejtë në raport me dimensionin instrumental (veprimet konkrete politike) dhe, për më tepër, janë krijuar simbole të reja për shkak të veprimit të instrumenteve mediatike , që shpesh quhet edhe pushtet masmediatik.

Në realitetin faktik, simbolet përdoren për ndërmjetësimin politik ndërmjet akterëve politik (politikanëve,partive politike,etj.) dhe telepublikut përmes reklamave mediale. Këto reklama mund të pasqyrohen si manipuluese, ku qytetari mund të humbë aftësinë e tij dalluese në këtë konfuzion të mjegullt dhe, pse jo, manipulues në përcaktimin e nevojave të tij. Metaforën e reklamës e përdor edhe përfaqësues i demokracisë minimaliste, ku politikanët i vendos në të njëjtën paralele me tregtarët dhe, sipas tij, që të dy e përdorin reklamën për të prekur indin emocional , emotiv, impulsiv të qytetarit. Qytetari, posa hynë në fushën e politikës, për shkak të mungesës së informacionit burimor për nevojën e analizës së tij politike, gjykon në mënyrë adoleshente,fëmijërore. Pra, shikuar në këtë linjë diskursi mund të afirmohet se politika dhe telepolitikanët (pra, këtu bëhet fjalë për prezantuesit e politikës, jo politikbërësit) janë shumë të shkëputur nga realiteti esencial, duke substituar agjendat politike me inskenime mediatike (apo bashkërenduar ato), dhe duke krijuar imazhe të paqena dhe identitete fiktive,e që e tëra akordohet me një telepublik politikisht pasiv dhe që e kupton pakë apo aspak politikën. Pra, shikuar në tërësi, këto agjenda të bashkërenduara me inskenime politike ngjasojnë si një katalog, recetë, kod apo plan”hyjnor” që zbatohen ose synohet të zbatohen në tokë. Parë si tërësi këto agjenda premtimesh përmbajnë: fjalë, intelektualizma, simbole, fraza josubstanciale, premtime, supozime, dispozime për një botë tjetër.

Megjithëkëtë, mund të konkludohet se politika simbolike është e pashmangshme për çdo realitet politik, nëpërmjet së cilës telepolitikanët janë në gjendje të socializojnë dhe formojnë një vullnet politik. Akterët politikë me anë të kësaj politike simbolike reflektojnë emocionet e publikut, e që e tëra ngërthen atraktivitet, pse jo shpesh herë, edhe zbavitje, edhe pse nga politika kërkohet përgjegjësi, seriozitet, e jo zbavitje. Meqenëse politika është komplekse për shumicën e qytetarëve, pra një sistem me shumë të panjohura,prezantimi i politikës para opinionit publik bëhet në formë ritualesh, stereotipash, skemash, simbolesh që përgjithësisht janë të pranuara nga publiku. Përderisa politika simbolike paraqitet si politikë simbolesh, ritualesh, pak a shumë të kuptueshme, simbole që janë publikisht të pranuara nga realiteti publik, veprimi politik mbetet në terr prapa skenës së mediave.

Pra,demokracia e mirëfilltë është një teknikë politike që kërkon një tërësi kushtesh. Konvertimi i statusit të pushtetit, ose formula gjithë pushteti askujt, minon mundësinë për të abuzuar me pushtet, dhe është thembra e Akilit në një shoqëri politike parademokratike. Dialogu me qytetarin drejtpërsëdrejti, ekspozon kushtin thelbësor që ushqen demokracinë me legjitimitet, dhe fusha ku kërkohet ky i fundit është opinioni publik, kurse koha më e përshtatshme është fushata parazgjedhore.

Vend i Lekës 02 nëntor 2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Isuf Bajrami, Monopoli i veprimatrise, pluripartise, politika parazgjedhore

POPULLI SHQIPTAR NUK KA BËRË KURRFARË MËKATI NË BASHKËSINË NDËRKOMBËTARE, QË TË JETË I DËNUAR TË JETOJË I NDARË

October 2, 2013 by dgreca

Shkruan: Isuf B. Bajrami/

“Shteti më së shumti është shtet në gjendje lufte. Shteti monist është shtet në shkallën më të lartë, sepse është shtet në luftë me nënshtetasit e vet!”- – Makiaveli/

Për aparatin shtetëror monist nuk janë të rëndësishëm njerëzit, sepse për të është i rëndësishëm sistemi i sundimit, për të s’është e rëndësishme jeta, sepse për të është e rëndësishme ideologjia.Serbia “shtet” që nuk mund të jetë i stabilizuar, sepse nuk është i siguruar me lirinë e nënshtetasve të vet. Ai është “shtet” i ndjekjeve ideologjike, politike dhe policore, i burgjeve, i kampeve dhe i pushkatimeve, i masakrave dhe dëbimeve masovike.”Shtet” që filozofi politike ka dhunën, metodë – manipulimin e rezultat – frikën e përgjithshme të qytetarëve.

“Shtet” që në emër të “demokracisë” mbrohet prej mendimeve të qytetarëve: që me kundërshtarët e vet politikë flet nëpër grykën e pushkës që prej mendimit të lirë dhe prej kritikës, mbrohet si prej armikut.”Shtet” që nuk donë të kuptojë se ligjet dhe normat shtetërore dhe shoqërore, teoritë politike, letrare dhe artistike, njësoj, janë sot që të mund të tejkalohen nesër prej ligjesh, normash, teorish më të reja, prandaj edhe më tëdrejta; është që thotë se gjatë historisë çdo gjë ka ndryshuar, por vetë mendon se është i pandryshueshëm dhe i përjetshëm.”Shtet” që kudo dhe kurdo e krijon dhe e kërkon të njëjtën, njëjtësinë, që, për këto arsye, le shkretëtirë në shpirtin e njerëzve. Pasojë e kësaj filozofie politike është kriza e rëndë shpirtërore dhe morale që përjetojmë sot dhe që përjetojnë të gjithë nesër. Është domosdoshmëri psikologjike dhe historike dalja prej këtij pellgu – diktaturë dhe prej këtij “shteti” – kamp.Të gjithë këto janë një e djeshme, por një e djeshme që i sjellë përvojë të hidhur të sotmes dhe të nesërmes.

Po jetojmë në një kohë historike kur vendoset për fatin e këtij trolli, të çlirohet apo të mos çlirohet?!

Gjendemi në udhëkryq historik: ta kemi fatin e rëndë të gjertanishëm, apo të kemi fat më të mirë.

Brezat e sotëm janë të tendosur mendërisht, fizikisht dhe moralisht: po përpiqen që ta ndërrojnë gjendjen e trashëguar aq të hidhur.

Çështja shqiptare është ndërkombëtarizuar, por nuk guxojmë të harrojmë se ndërkombëtarizimi nuk është bërë drejt.

Brezat e sotëm po bëjnë shumë, por kush e sheh realisht gjendjen në të cilën jemi.

Po jetojmë në kohën kur në hapësirat e perandorive të fundit në kontinentin evropian po krijohen shtete të reja kombëtare. Ngjarjet ecin me një ritëm të shpejtuar, por nuk munden të mos vërehen se ne ecim me vonesa, me turr dhe improvizime, kurse para institucioneve dhe forumeve ndërkombëtare dalim si grup etnik e jo si Komb.

Çështjen shqiptare nuk e kemi shtruar si çështje të pozitës së Kombit shqiptar në tërësi, në Ballkan, prej zgjidhjes të së cilës varet se do të ketë, a jo rend drejtësie, humanizmi dhe paqe në Ballkan.

Është një kohë, ku si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë titiste, bëhet rikomponimi politik dhe shtetëror i Ballkanit,e neve krijimi i shteteve të reja kombëtare në hapësirën e ish Jugosllavisë titiste, na zë pa e vendosur se çka duhet të kërkojmë.

Po krijohet një rend i ri botëror, i cili i ka disa parime të cilave u përmbahet, e ne nuk e dimë qartë se cili mund të jetë vendi ynë në atë rend.

Vendoset për ardhmërinë e gjysmës së Kombit shqiptar, e kjo më në fund, domethënë për ardhmërinë e krejt Kombit shqiptar.

Ne, megjithatë, ballafaqohemi me disa vështirësi të brendshme në jetën politike dhe morale me të cilat janë ballafaquar edhe paraardhësit tanë.

Ne jemi i vetmi Komb në kontinentin evropian, që mbi gjysma e popullit dhe territorit është nën sovranitet të huaj.

Në qoftë se deri dje synohej për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare, sot duhet të synohet bashkimi i popullit të ndarë.

Kjo është një rrugë e drejtë, drejt idealit shtetëror, domethënë drejt bashkimit, për popullin shqiptar më në fund është rrugë drejt mundësisë, që të jetë i barabartë me popujt e tjerë ballkanikë dhe evropianë, është rrugë drejt përparimit, mirëqenies dhe lumturisë.

E them kështu sepse duke synuar barazinë e popullit shqiptar me popujt e tjerë ballkanikë, synohet rend e drejtësi, humanizëm e paqe në Ballkan.

Vend i Lekës, 27 shtator 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Bajrami, mekati, shqiptaret, te denuar, te jetojne et dnare

KU PO SHKON MAQEDONIA?

March 2, 2013 by dgreca

Maqedonia nuk mund të ekzistojë me masa represive kundër popullit të pafajshëm shqiptar/

 Nga Isuf B. Bajrami/

Në shërbim të veprimeve destruktive të politikës antishqiptare u vu ushtria dhe policia maqedonase, e cila, nëpërmjet dhunës e terrorit, bastisjeve, rrahjeve, burgosjeve, vrasjeve, kërkon të shuan aspiratën e shqiptarëve për të drejtat e tyre legjitime kombëtare.

Kohëve të fundit përveç aksioneve represive ushtarako-policore, u thirrën nëpër polici në të ashtuquajturat “Biseda informative” një numër i madh shqiptarësh me profesione nga më të ndryshmet, nga të gjitha trevat etnike të shqiptarëve në Maqedoni. Nëpër stacionet policore këta intelektual të shquar u stresuan, u vunë nën një terror psikik të pashembullt, u keqtrajtuan fizikisht, u kërcënuan dhe u mbajtën me orë të tëra. Qëllimi kryesor i policisë-politike maqedonase është t’i mposhtë këta luftëtarë të dijes, t’i frikësoj, dhe në fund t’i detyroj të heqin dorë nga ideja për të drejtat themelore demokratike ku ka shqiptar në territoret etnike shqiptare në Maqedoni.

Këto veprime banditeske të autoriteteve dhe policisë-politike maqedonase janë një shprehje e urrejtjes së thellë që ata ushqejnë ndaj popullsisë shqiptare, me veprimet e të tyre antihumane, antikulturë, gjë që është e pashembullt për çdo vend evropian. Këto veprime kryhen në një kohë kur udhëheqës të ndryshëm politikë, personalitete të larta maqedonase flasin me të madhe për “barazinë”e popujve, për”respektimin”e të drejtave dhe të lirive të njeriut. E kjo është hipokrizia më e madhe e mashtrimi më i ulët që shfaqet aktualisht në Ballkan, sidomos në trojet ku banojnë kryesisht shqiptarët.

E drejta e shkollimit është e garantuar për çdo popull kudo në botë, është një e drejtë e patjetërsueshme, e shkruar jo vetëm në dokumentet ndërkombëtare, por edhe në Kushtetutat e vendeve demokratike. Nuk është parë dhe dëgjuar që në një vend evropian të ushtrohet dhuna e terrori, të përdoren armët dhe të derdhet gjaku ndaj një populli që lufton për të drejta kombëtare, arsimin në gjuhën amtare. Kjo ndodh vetëm në vendet me orientim sllavo-ortodoks; Serbi,Mal i Zi, Maqedoni, Greqi, në këto vende ballkanike që njihen për egërsinë dhe barbarinë e tyre.

Ky atentat i qeverisë maqedonase ndaj shqiptarëve është në të njëjtën kohë edhe një atentat ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ndër të parat e njohën Republikën e Maqedonisë pas “shkëputjes” së saj nga ish Jugosllavia titiste. Kjo politikë që ndiqet nga qarqet sunduese maqedonase është një politikë dritëshkurtër, pa asnjë të ardhme, një politikë që është në dëm edhe të vetë interesave të popujve maqedonas. Por duhet ditur se ekzistenca e vetë Maqedonisë si shtet rrezikohet tej mase, duke nëpërkëmbur një popull autokton,që ka gjuhën dhe zakonet e veta, kulturën dhe traditat e tij. Është e pamundur të nënshtrohet dhe të shtypet populli më i vjetër në Maqedoni, siç është populli shqiptar. Historia shumëshekullore e popullit shqiptar dëshmon për luftërat që ka bërë ai për të ruajtur identitetin e tij, për të mbrojtur trojet e tij nga pushtuesit e ndryshëm qysh në kohët më të hershme e gjer më sot.

Shumë shtete evropiane me demokraci të zhvilluara, me potencial ekonomik e shkencor, me një kulturë të lashtë, kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të vazhdueshme për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë, për sigurimin e barazisë së njerëzve përpara ligjit, për afirmimin dhe mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirisë së qytetarëve të saj. Kjo natyrisht nuk është arritur pa mund e përpjekje, pa luftëra dhe ndeshje sociale, pa kontradikta. E ne sot flasim për Evropën e qytetëruar dhe të emancipuar, për vende me demokraci të zhvilluar. Këto janë arritje të shënuara që ne i mbështesim dhe i përshëndesim, janë fitore që Evropa mundohet me fanatizëm t’i ruaj, zhvilloj e thelloj më tej.

E megjithatë ne e shohim qartë se si kjo Evropë “demokratike” dhe e civilizuar qëndron indiferente ndaj fateve të popujve të tjerë, ku shkelen këto të drejta, ku mungon barazia përpara ligjit, ku nëpërkëmben liria dhe pavarësia e individit, ku ushtrohet dhuna e terrori ndaj popullsisë së pafajshme. Shihet gjithnjë e më qartë hipokrizia e qarqeve sunduese evropiane ndaj fatit dhe të ardhmes së popujve të tjerë. Heshtin dhe bëhen të paditur për shpërnguljet nga Toplica e Sanxhaku, kur derdhet gjaku si lumi në fshatrat e Medvegjes, Bujanovcit, Preshevës, Karadakut dhe Tetovës, kur vriten, ndiqen dhe torturohen me qindra e mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre, kur ushtrohet një etnocid e gjenocid i pashembullt-sistematikisht ndaj popullit shqiptar. Është hipokrizi akordimi i kredive dhe furnizimi me armë më moderne në një kohë kur derdhet gjaku i shqiptarëve si Lum në shtëpitë e tyre.

Ndaj luftës disavjeçare në qendër të Ballkanit, ku janë shfarosur me dhjetëra e mijëra njerëz, ata kanë mbajtur qëndrim indiferent, për të mos thënë se e kanë nxitur atë për të nxjerrë përfitimet e veta. Shqiptarët vetëm në qoftë se me luftën e tyre të drejtë dhe çlirimtare do të dinë jo vetëm të rezistojnë, por edhe të dalin fitimtarë, atëherë Evropa e “qytetëruar”, e gjendur përpara një fakti të kryer, do të mbante një qëndrim tjetër dhe hipokrizia e saj do të dilte sheshit, kurse propaganda do të flasë me një gjuhë tjetër, se “ne evropianët gjithnjë kemi qenë në mbrojtje të pafajshmëve, në mbrojtje të lirisë dhe të pavarësisë së popujve”.

Ç’bëri Evropa kur ndaj shqiptarëve të pambrojtur u qëllua me armë. Me qëndrimin e tyre mospërfillës ata i nxitën qarqet sunduese serbo-maqedonase që të vazhdojnë edhe më tej dhunën e egër ushtarako-policore, duke shtypur çdo ëndërr të shqiptarëve për të drejtën e tyre legjitime kombëtare për arsimin në gjuhën amtare.

Është koha që shqiptarët t’i kuptojnë miqtë dhe armiqtë e tyre, çiltërsinë dhe hipokrizinë, fjalët nga veprat.

Qeveritarët maqedonë me të gjitha mënyrat përpiqen t’i ndalojnë shqiptarët të organizohen, të shkollohen, sepse nuk duan që ata të jenë të barabartë me ta. Kjo është arsyeja përse ata u hodhën me tërbim për të ndaluar themelimin e Universitetit të Tetovës, për të ndalur rininë shqiptare të marrë arsimin e lartë.

Gjakderdhja, terrori i egër ushtruar ndaj nismëtarëve për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe ndaj studentëve të parë në këtë tempull të dijes dhe kulturës, na kujtojnë pa dashur kohën e mesjetës kur shkencëtarët digjeshin të gjallë, ngaqë shkenca e tyre u hapte sytë njerëzve të pashkolluar, na kujtojnë Xhordano Brunon që u dogj i gjallë në sheshin e Romës për arsye të zbulimeve të tij të mëdha shkencore për planetin e Tokës.

Sikurse politika e pushtetmbajtësve serbo-maqedonë t’i përmbahej porosive dhe mësimeve të Goce Delçevit; “Kombet të bëjnë gara kulturore dhe jo gara të dhunës dhe të intrigave”, sikurse pushtetarët maqedonas t’i ktheheshin politikës reale dhe miqësore ndaj popullit shqiptar në Maqedoni, dhe në mënyrë demokratike të pranonte t’u njohë shtetasve shqiptar barazinë sociale, politike, nacionale, qytetare dhe shtetërore, kjo do të ishte ajo politikë që do të nxirrte nga pellgu i pafund këtë vend ballkanik. Kjo do të shërbente si një faktor i rëndësishëm për ekzistencën e Maqedonisë. Me barazi të plotë në çdo fushë, pa dhunë dhe diskriminim midis të gjitha nacionaliteteve që bashkëjetojnë sot në Maqedoni.

Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, nuk kërkojnë gjë më tepër, ata duan të trajtohen si qytetarë të barabartë me maqedonasit. Në qoftë se kjo politikë diskriminuese do të vazhdojë edhe në të ardhmen, atëherë shqiptarët do të kërkojnë t’i jepnin fund kësaj gjendjeje jo normale dhe do të kërkonin të ndaheshin nga Maqedonia. Pa asnjë hezitim e diskutim, kjo do të sillte shpërbërjen dhe zhdukjen nga harta evropiane të kombit maqedon.

Do të ishte mirë që qeveritarët maqedonas të nxirrnin përfundime pozitive nga qëndrimi realist i qeverisë shqiptare që ishte i vetmi shtet dhe komb fqinj i maqedonasve që e njohu ekzistencën e kombit dhe të shtetit maqedon. Në barazinë e plotë midis popujve qëndron edhe formula e stabilitetit të brendshëm të Maqedonisë. Në qoftë se nuk kuptohet realisht kjo gjë, atëherë pasojat do të jenë më të mëdha me përmasa katastrofike.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Bajrami, ku po shkon, Maqedonia

DEA BEJLERI, VOGELUSHJA SHQIPTARE QE LA AMERIKEN EDHE PSE ISHTE ME PASAPORTE AMERIKANE

January 14, 2013 by dgreca

Kushtuar Senatores së Diasporës Dea Bejlerit, vogëlushes 9 vjeçare  me pashaportë amerikane që la Amerikën, e detyruar, sepse prindërit nuk kishin dokumente…Shpesh gazetat, TV-të më së shumti ju kushtojnë vëmendje të rriturve për kontributet e tyre në aktivitete të ndryshme, duke i lënë pakuptuar në harresë botën e mrekullueshme të fëmijëve…/

Nga Keze Zylo Kozeta /

Në këtë shkrim personazhin kryesor kam Dea Bejlerin, nxënësen e shkëlqyer të Shkollës Shqipe, e cila ka filluar aktivitetin e saj në Diasporë qysh në moshën tre vjeçe.  Në shumë manifestime që janë organizuar në Diasporë në New York ajo ka marrë pjesë gjallërisht duke intepretuar poezi patriotike nga autorë të ndryshëm. Kohët e fundit në 15 vjetroin e TV “Kultura Shqiptare” kur drejtuesja e programit e pyeti se në ç’moshë ke filluar të recitosh, Dea iu pergjigj se ka qenë në skenë qysh në moshen tre vjeçe.  Në 100 Vjetorin e Pavarësisë që u organizua nga TV Alba Life dhe Shkollat Shqipe, Dea interpretoi poezinë: “Naganti i Isa Boletinit” shkruar nga poeti i Kombit Agim Shehu.  Por ajo nuk ishe vetem një intepretuese e poezive, ndërkohë shoqëroi në këngë dhe sopranonn e shquar znj.Lindita Mezini Lole. Edhe në ngritjen e Flamurit në Manhattan, në Panairin e librit që u organizua në New York nga Shoqata e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikane ajo interpretoi poezine “Unë e dua librin”, si dhe për vit në 28 Nëntor organizuar nga Shoqata “Devolli” dhe te tjera organizata ajo ka marrë pjesë me një dashuri të veçantë dhe pasion për të interpretuar poezi për Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë nga autorë të ndryshëm.Dea është një vajzë shumë e talentuar jo vetëm në Shkollën Shqipe por dhe në atë amerikane. Por viti 2013 Dean e zuri në Kanada, pavarësisht se ajo u lind dhe u rrit në New York gjer në moshën 9 vjeçe.  Prindërit e saj intelektualë patriotë Blerina dhe Neritan Bejleri u detyruan të largohen pasi nuk kishin dokumente. Ah këto ligje sa të mjera janë ndonjëherë?…Kur merr rrugët e mërgimit duke lënë pas mëmëdheun tënd dhimbshëm, mundohesh që me shok dhe miq në vendin që të pret ta kalosh me sa më pak dhimbjen dhe brengën me njerëz të mirë që mund t’i takosh rastësisht apo në mënyrë tjetër.Ndërsa shpesh mund të ndodh që të leshë prindërit, familjen, shoqërinë nga vendi që vjen, në emigrim plus punëve që duhet të përballosh për të krijuar jetën e re, duhet të njohësh dhe miq të rinj për të kaluar së bashku fundjavet apo festa e ndryshme që jo pak organizohen dhe në Diasporë.  Aktivitetet e ndryshme që kemi organizuar veçanërisht për Flamurin, Kombin, Kosovën na kanë lidhur ngushtësisht me familjen Bejleri. Disave mund t’ju ketë rënë fati që të gdhihen me dokumenta amerikane e kam fjalën për vendin ku jetoj prej vitesh, ndërsa të tjerë të stropaciten për ato të shkreta dokumenta me vite të tëra dhe nuk i marrin dot…  Kjo i ndodhi Deas me prindërit e saj, ndaj dhe u larguan për në Kanada e cila i mori denjësisht në gjirin e saj.Vit të mbarë në Kanda miqtë tanë Bejleri!

Ishte tejet e dhimbshme ndarja me Dean dhe familjen e saj.  Nuk do ta harroj kurrë ndarjen me vogëlushen, duke u përqafuar të dyja, lotët na rrëshqisnin pa komanduar, si e madhe që ishja mundohesha t’i gelltisja për hatër të saj, por ishte e kotë… Në mes këtij emocioni ndarës i thashë:  Ti do të vish prapë e ëmbla jonë se ti ke pashaportë amerikane, ke lindur këtu !  Dea me lot të nxehtë fëmije dhe duke me shtrënguar duart fort më tha:”Si nuk do të vi pranë jush?  Unë u rrita në Shkollën Shqipe, kam shumë shok dhe shoqe që dua t’i kem përgjithmonë”.

Por jo vetëm ne ndjemë dhimbje, por gjithë shkolla, nxënësit, mësuesit, prindërit u trishtuan pamasë për largimin e saj dhe të familjes.  Edhe mësuesja dhe nxënësit e klasës në shkollën amerikane ishin prekur shumë, Dea dhe atje nuk ishte një nxënëse e thjeshtë, por ajo ishte zgjedhur me vota prej të gjithëve si Senatore e klasës.

Pjekuria e saj para kohe dhe talenti më kanë frymëzuar për ta pasur gjithmonë personazh shumë të dashur në shkrime, poezi dhe libra të botuar.  Një prej tyre është poezia: “Senatorja e Diasporës” botuar në librin: “Mjellmat po të vijnë”.  Gjithmonë si mësuese pranë saj dhe duke e pasur bashkëpunëtore të TV Alba Life kam ndjesinë e veçantë se Dea do të ketë zërin e saj dhe do të nderojë Shqipërinë dhe në Kanada.  Ajo pranë Kanadasë ku prindërit e saj fituan dokumentet, shkoi me një “resume” tejet të pasur që do ta kishin zili dhe shumë të rritur.  Janë fatlumë organizuesit e shoqatave në Diasporën e Kanadasë që do të lidhen me Dean dhe do të ndjejnë nga afër talentin, vullnetin dhe patriotizmin që karakterizon këtë nxënëse të jashtëzakonshme me gjak shqiptari.  Kjo falë prindërve të saj intelektualë po aq aktivistë që po e rrisin dhe edukojnë me cilësitë më të mira si dhe gjyshërve që i falin aq ngrohtësi dhe dashuri.

Për kontributin e tyre si familje plot kulturë Presidenti i Alba Life z.Qemal Zylo organizoi një ceremoni me mësuesit dhe nxënësit e Shkollës Shqipe në Brooklyn.

Mamaja e Deas Blerina ka qenë mësuese qysh në hapjen e shkollës Shqipe, ndërsa Neritani një bashkëpunëtor i ngushtë, njëherazi dhe kryetar i shoqatës “Devolli”. Në ceremoninë që u organizua, Zoti Qemal .Zylo në emër të Bordit iu dha çertifikatën e mirënjohjes familjes “Bejleri” me motivacionin:  “Si aktivistë të shquar në Diasporën Shqiptare si dhe për kontributin e vyer që i kanë dhënë Shkollës Shqipe në New York”.Ata u larguan për në Kanada me shumë urime nga miq dhe shokë të shumtë që i donin dhe respektonin për kontributin e tyre.  Ndërsa Dea udhëtonte drejt Kanadasë, në vesh ende dëgjoja zërin e saj fëminor, se unë do të vi prapë në New York, ngase u rrita në Shkollat Shqipe dhe kam shumë shok e shoqe për të takuar…

 

Filed Under: Opinion Tagged With: destabilizing, factor, in the Balkans, Isuf Bajrami, serbia major

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • U FESTUA NË NEW YORK 114 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË DHE 30 VJETORI I SHOQATËS MALËSIA E MADHE
  • PËRPJEKJET E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI PËR ARSIM KOMBËTAR NË FUND TË SHEKULLIT XIX DHE NË FILLIM TË SHEKULLIT XX
  • Faik Konica, një nga figurat më të ndritura të mendimit shqiptar
  • Aristidh Kola dhe kulti i heroit
  • Këshilli rinor i QKSHA-Struga dhe kontributi në “Folenë e Shqiponjës”
  • MAGJIA E ARTIT LASGUSHIAN
  • Nga pafajësia në pafajësi…
  • Thimi Mitko, veprimtaria patriotike, jeta dhe kontributi atdhetar
  • “Ceremonia e 76 vjetorit të NATO-s dhe sfidat e gjeneratës tjetër”
  • Nga filmi “Adolescence” në realitet: Kush është fajtori kur shoqëria krijon vrasës: fëmijët që vrasin, apo ne si shoqëri që i kemi formësuar dhe shtyrë drejt kësaj pikë?
  • LETRA  E PROFESOR  YMER BERISHËS DERGUAR GJENERALIT  ANGLEZ  HADGSONIT MË 22 TETOR  1945
  • “7 MINUTA”…
  • “E kuqja Shqiptare” në New York
  • Diaspora shqiptaro amerikane nderoi ikonën e artit, humanistin Fadil Berisha
  • NJERËZ TË TRAZUAR…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities...
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT