• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ku po shkon arsimi shqiptar?

September 17, 2018 by dgreca

1 qemal ÇejkuNga Qemal Çejku/

Ndërkohë që ka filluar aksioni i shpërndarjes së librave falas, duket se po largohet vëmendja nga pika më e rëndësishme; cilësia e librave të përzgjedhur. Duket se vendin e autorëve tradicionalë të librave shkollorë e kanë zënë autorë të huaj. Libri i matematikës i përkthyer, Dituria Natyre po ashtu; nga ana tjetër libri i Anglishtes që është Cambridge vjen nga autorë gjermanë dhe jo anglezë. Profesorët dhe akademikët janë mënjanuar, tanimë çështja vlen tek përkthimi. Në këmbim të një sistemi arsimor ‘të globalizuar’ po marrim një brez i cili nuk do të mundet të kalojë asnjë klasë në universitet.

Arsimi dhe dija sivjet është lënë  në dorën e përkthyesve pasi çdo libër ishte me autor të  huaj duke mos vendosur  në  diskutim ata, por që  kush ishte arsyeja e braktisjes së autorëve shqiptarë, këtë akoma nuk e dimë dhe se si do të pranohet nga mësuesit dhe nxënësit kjo metodë e ‘re’ dhe që na duhet kohë për të provuar një eksperiment të ri.

Është e vështirë të kuptohet se pse u zgjodh të ecej në këtë drejtim; ideja parësore ishte lehtësimi i mësimeve për të gjithë nxënësit dhe gjimnazistët. Shembulli konkret janë gjimnazistët të cilët përballen me një matematikë relativisht të thjeshtë. Me reformën e re në arsim; një gjimnazist vitin e parë të shkollës së mesme i duhet të përsërisë elementë të cilat duhet të mësoheshin në klasën e shtatë. Mirëpo pavarësisht lehtësirave në nivel, përsëri nxënësit nuk kishin rezultatet që të gjithë prisnin.

Matematika është lëndë bazë dhe mjaft e rëndësishme, pyetja shtrohet: Elemente si limiti, derivati dhe integrali kur do të mësohen? Reformistët e mëdhenj kanë harruar të inspektojnë librat e universiteteve në drejtime shkencore. Një pjesë e profesorëve i quajnë të mirëqena këto koncepte. Përgjigja e një pjese të mësuesve të gjimnazit është sa e çuditshme aq edhe befasuese. Kurrikula e vjetër, një pjesë të koncepteve të sipërmendura iu prezantohen gjimnazistëve që në vit të dytë, për të lehtësuar procesin e të mësuarit, ndërsa këtë vit mësuesit thonë këto koncepte mësohen brenda një viti shkollor. Një kundërpyetje: Të njëjtët gjimnazistë që nuk arrin rezultate me mësimet e 9-vjeçares, do të arrijnë të përvetësojnë njohuri kaq të rëndësishme brenda një viti shkollor?

Si pasojë do kemi një nivel te dobët dhe një gënjeshtër se mësuesit dhe arsimi  do jenë prioritet i qeverisë, çfarë,  prapë do kemi propagandë si gjithmonë, jo ne sot kemi një sistem arsimor shumë herë më të dobët dhe një sistem i dobët arsimor është më i keq sesa analfabetizmi, sepse e mashtron njeriun duke besuar se është i aftë, kur nuk është. Në mënyrë të pashmangshme, njeriu atëherë bëhet burim i sëmundjeve sociale, duke përfshirë dhunën, ekstremizmin dhe praktikat e këqija dhe përfundon përhapjen e injorancës brenda familjes, lagjes dhe qytetit të tij. Shumica e asaj që ne ushqejmë studentët sot është edukimi i keq dhe rezultati është i dukshëm para syve tanë, kur mijëra njerëz në Shqipëri dalin si shembuj të një sistemi arsimor të dështuar.

Por për shumë nga familjet më të varfra, shkolla mbetet shumë e shtrenjtë dhe fëmijët janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi duke punuar ose duke dalë në rrugë. Familjet e tilla në Shqipëri mbeten të mbyllura në një cikël varfërie që vazhdon për breza. Në shumë qytete dhe në Tiranë, ndërsa edukimi i propaganduar nga qeveria është teorikisht i lirë, në praktikë ‘tarifat informale’ prindërit detyrohen të paguajnë për ‘sendet e detyrueshme’ si uniforma, libra, stilolapsa, mësime shtesë, tarifa provimi ose për teste dhe tarifa që shkolla vendos që në fillim të vitit shkollor, jo të nderuar propagandues nuk mjaftojnë librat me qera por reformë reale që arsimi të vendoset në shinat e zhvillimit masiv, drejt një shoqërie moderne dhe që përballon sfidat e jetës.

Nëse arsimi i lartë do të bëhet një sfidë  qytetare e të mësuarit, do të thotë të japësh vëmendje të ndërgjegjshme për cilësitë publike dhe produktive të krijimit dhe shpërndarjes së njohurive. Vënia e “publikut” në universitetet publike nënkupton shumëfishimin e hapësirave publike, ku njerëzit me pikëpamje të ndryshme mund të luftojnë me çështje të diskutueshme. Kjo do të thotë mbajtjen e krijimit të njohurive publike, të hapura dhe të arritshme, duke iu rezistuar tendencave drejt privatizimit pa kriter dhe fiktivitetit të njohurive.

Drejtoritë dhe zyrat e arsimit, prefekturat, bashkitë, institucionet përkatëse (zyrat e regjistrimit, policia, shëndetësia, shoqëria civile) dhe shkollat në një bashkëpunim mes tyre duhet të punojnë më së afërmi jo vetëm për të identifikuar fëmijët jashtë shkollor të padukshëm në statistika, por për të siguruar gjithashtu që fëmijët e tillë të marrin pjesë dhe të përfundojnë shkollën me çertifikata të vlefshme të shkollës si të gjithë fëmijët e tjerë.

Arsimi profesional? Nuk ka arsim profesional as në Kamëz dhe as në Tiranë dhe Shqipëri, kjo shkollë  ka zëvendësuar shkollat e riedukumit të dikurshëm pasi kemi një shkollë pa libra, pa programe mësimore dhe më kryesorja nuk kemi një lidhje me biznesin si hallka e domosdoshme e funksionimit normal dhe garantimi që këta nxënës do ishin burimi kryesor  drejt një punësimi.

Shkolla profesionale Kamëz ka filluar të tejkaloj çdo nivel ligjor, moral, edukativ pasi këtë vit stafi teknik dhe mentorët nuk rregjistrojnë nxënes në vitin e parë nëse nuk ke notën mesatare mbi 7.5, e drejta për arsim garantohet nga;  “Të gjithë nxënësit kanë të drejtë për edukim”, siç garantohet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (DUDNJ) , e cila u miratua në vitin 1948. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve (KDF) , e cila u miratua në vitin 1989 si konkretizim i të Drejtave Universale të Njeriut për Fëmijët, e konkretizon të drejtën për edukim.

Shkolla profesionale Kamëz e miratuar me VKM si Qendra e Formimit Profesional duke pasur si objeksion që të jetë një qendër për komunitetin duke ofruar kurse profesionale masive, por në fakt kjo shkollë është kthyer një shkollë bujqësore klasike komuniste dhe që aty regjistrohesh vetëm me urdhër partie, pra një grup bufash në dorën e PS, një turp, një skandal.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsimi shqiptar, ku po shkon, Qemal Çejku, Qemal ejku

Ku po shkon Shqipëri?

April 22, 2017 by dgreca

*Ku shkon Shqipëri? Kur do të shkëputesh nga mentaliteti  komunist  që  të  ka mbërthyer dhe të ka zënë frymën? Deri kur kështu?/

Nga Reshat Kripa/

Në këto ditë ku ndjehet ende atmosfera pashkëve më vjen parasysh thirrja që Jezusi i drejtoi Shën Pjetrit kur ai braktisi Romën nën presionin e paparë të kundërshtarëve të krishterimit. Jezusi iu shfaq atij dhe i thirri: Quo vadis? (Ku shkon?). Dhe Shën Pjetri  u kthye përsëri në Romë ku edhe u martirizua. Kjo thirrje më del parasysh sot dhe dua t’ia bëjë Atdheut tim dhe në mënyrë të veçantë gjithë personaliteteve shqiptare. Përse ua drejtoj këtë pyetje biblike?

Për çdo ditë në organet e shtypit të shkruar dhe në mediat audiovizive nuk shohim gjë tjetër veçse figurat e atyre që kanë mundur të ngjiten në shkallët më të larta të politikës shqiptare. Këto figura zenë më shumë se 50% të programeve të shtypit dhe të medias audiovizive.. Ndaj edhe unë dua të drejtoj thirrjen biblike:

“Ku shkon Shqipëri? “

Sot mundësitë e informacionit janë të pakufishme. Kështu edhe unë kam mundësinë të ndjek informacionet edhe nga media të huaja. Po përqëndrohem vetëm  në ato të shtetit fqinj, Italisë. Në  të gjitha emisionet e organizuara nga Rai Uno apo Mediaset nuk shoh që në më të shumtin e programit të tyre  ta zënë figurat politike, kryeministri apo opozita. Besoj se në një linjë me këto duhet të jenë edhe kanalet e mediave  të shteteve të tjera perëndimore. Përse kjo nuk ndodh në vendin tonë? Mund të mos kem të drejtë por mendoj se një gjë e tillë ndodh pasi në Shqipëri vazhdon ende mentaliteti komunist dhe kjo gjë ka verbuar edhe personalitetet e larta që mendojnë se duke u shfaqur sa më shumë në shtypin e shkruar apo në median audiovizuale ia rrisin më shumë vlerën vetes së tyre. Në të vërtetë, me këtë mënyrë ata janë bërë të bezdisshëm, madje do të thoja të padëgjueshëm., pasi i kanë tejkaluar kufijtë e një paraqitje normale. Unë nuk arrij të kuptoj se si vetë ata nuk  mundin ta kuptojnë një gjë të tillë..

Këto ishin mendimet e mia për figurat e larta politike por nuk janë vetënm ata. Nëpër organet e shtypit apo medias audiovizive lexojmë dhe shohim për çdo ditë faqe të tëra ku personazhe janë  po ato figura, po ata individë që i kemi parë dhe dëgjuar me qindra herë gjatë këtyre njzetegjashtë viteve pas përmbysjes së sistemit komunist që të grihen ca djathtas dhe ca majtas për çështje të ndryshme që në të vërtetë ndofta nuk i interesojnë askujt prej atyre që nuk janë verbuar nga propaganda e kohës. Kështu dëgjojmë dhe shohim  po ato figura analistësh dhe opinionistësh dhe habere të tilla si, për shembull, për një analist që paska denoncuar babanë e tij apo për një shkrimtar të dëgjuar që megjithëse paska qenë me funksione të larta, çuditërisht,  na paska qenë i përndjekur politikë, madje duke na i tejkaluar edhe neve që i hoqëm mbi shpinat tona tmerret e atij regjimi.

Nuk e di nëse të sipërpërmedurit përfitojnë ndonjë honorar nga organet ku ligjërojnë apo shkruajnë pasi jetojmë në sistemin kapitalist ku çdo gjë çmohet me pagesën përkatëse. E them këtë pasi personalisht nuk kam përfituar asnjë honorar, megjithëse gjatë këtyre 26 viteve kam botuar mbi 300 shkrime në shtypin e shkruar dhe mediat audiovizive, kam dhënë në to mbi 14 intervista të ndryshme dhe kam marrë pjesë në mbi 15 biseda të ndryshme në TVSH. Ora News, Planet, Shijak Tv, Top Chanel, Scan, NTV e të tjera.

“Ku shkon Shqipëri?”

Një ditë isha ulur në një bar dhe po pija kafe. Në krye të sallës ishte një televizor i madh. Kamarieri me pultin në dorë ndërronte stacionet njëri pas tjetrit. Një kanal transmetonte një intervistë me një drejtues të pozitës. Një tjetër një bisedë me një  të opozitës. Një i tretë një takim me një ish-informator të Sigurimit të Shtetit që kërkonte të na mbushte mendjen  me “heroizmat” e tij. I katërti një debat midis disa opinionistëve të njohur, që nuk ka ditë të mos i shohim nëpër ekranet e ndryshme. I pesti një takim me një drejtues të partive të vogla të pakicës, ndërsa i gjashti atë me një drejtues  të partive të vogla të shumicës.

I ngrati barist nuk dinte se në cilin stacion ta linte. Klientët, të djathtë dhe të majtë,

kërkonin secili kanalin që i përshtatej ideve të tij. Ndërkohë dëgjoj një zë tenori që foli:

– E di ç’ke more djalë, më mirë ktheje nga ndonjëri nga stacionet muzikore. Boll i kemi dëgjuar ato kambana të vjetëruara. Sido që të jenë, ato vajzat që këndojnë dhe kërcejnë pothuajse nudo, janë njëqind herë më mirë se pallavrat e tyre.

Baristi e dëgjoi dhe e vendosi përfundimisht televizorin në kanalin që transmetonte muzikë. Unë hodha vështrimin nga personi me zë tenori dhe njoha një mikun tim. I fola dhe ai erdhi.

– Kaq poshtë paske rënë, or mik, – i thashë – sa qënke katandisur të dëgjosh më mirë ato këngë që nuk dihet se kush i ka shkruar dhe cilit vend i përket, sesa debatet politike?

Miku buzëqeshi hidhur nën mustaqet që i lëviznin të nervozuara dhe u përgjigj:

– Për një gjysmë shekulli nuk dëgjuam gjë tjetër veç politikës. Nuk dëgjuam veç për Enverin dhe Partinë. Ka njëzetegjashtë vjet që ata u përmbysën dhe politika vazhdon të mbizotërojë në ndërgjegjen e njerëzve. Vazhdon të flitet, njësoj si atëherë, me elozhe për drejtuesit e partive. Në shërbim të kësaj janë vënë të gjitha organet e informacionit. Ato janë në garë me njëra-tjetrën se kush do të transmetojë ose do të shkruajë më shumë për ta. Jemi lodhur me këtë zhurmë propagandistike. Nuk durojmë dot më.

Heshti. Edhe unë nuk e ngacmova më tej. Nuk doja ta acaroja më tepër. Fjalët e tij bënë që mendimet e mia të fluturonin larg, në atë kohë kur njeriu nuk ishte njeri, kur personaliteti i tij pothuajse kishte rënë për tokë.

Para syve më dilnin ato ditët e viteve të kaluara, kur nëpër rrugët e qyteteve tona buçisnin zërat e “intelektualëve të shquar” që çirreshin sa dëgjoheshin gjer në kupë të qiellit:

“Lini zyrat burokratë, merrni rrugën për në fshat!“ ….A thua të kishin me të vërtetë aq dëshirë për të shkuar në fshat? Dhe ku? Në fshatin socialist që prodhonte grurë por hante misër. A mos vallë ishin zhveshur nga çdo ndjenjë personaliteti? Nuk e di nëse e kujtojnë ndonjë herë atë periudhë, kur sistemi i kishte shndërruar në kameleonë që nuk guxonin të shprehnin asnjë mendim, përndryshe do të përfundonin atje ku shkuan shumë të tjerë, në hapsanat e panumërta.

Para syve më dilnin disa filma, prodhime të kinostudios “Shqipëria e re”, ku çdo intelektual i shkolluar në Perëndim ose çdo  misionar  i  besimeve  fetare,  duhej  të  ishte patjetër “armik i popullit“. Për çudi këta filma i shoh të shfaqen ende nëpër ekranet e disa televizioneve.  Dëgjoj  dhe  disa  prej  krijuesve apo interpretuesve  të  tyre  të  mburren  me  këto  prodhime, ashtu siç mburren edhe disa krijues të këngëve apo shkrimtarë të realizmit  socialist  me  veprat  e  tyre  standarde  që,  në  më  të  shumtën  e rasteve, nuk kishin asnjë vlerë.

Këto skena sillja ndër mend në ato çaste që përmenda më lart. I kujtoja dhe mendoja:

– Vallë këta politikanë dhe intelektualë, a kanë sy të shohin të vërtetën? Apo nostalgjia e së kaluarës ua ka verbuar ato dhe nuk i lë të shohin realitetin ndryshe që ka filluar të lulëzojë në vendin tonë? Si nuk kanë kurajo qytetare të hedhin poshtë atë pjesë të jetës së tyre që sistemi ua shkatërroi?

Në këto çaste më kujtohen fjalët e Hamletit që ia drejtoi nënës së tij, mbretëreshës Gertrudë:

  • O nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe rro me gjysmën tjetër më të mirë.

Fatkeqët. Siç duket nuk u ka mbetur asnjë gjysëm tjetër e mirë. Në sytë e mi më duken si liliputë mjeranë që zvarriten për të gllabëruar një post ose për të fituar pasuri. Atëhere i dhashë të drejtë mikut. Ai më pa që po mendohesha dhe më tha:

– Mos u mendo fare. Do të të them diçka. Neve na i mori hakun vetë Enver Hoxha. Ai i qëroi të gjithë ata që na vranë neve. Sikur të kishte jetuar edhe ato pesë vjet, deri në  90-tën,  me siguri do t’i kishte qëruar të gjithë dhe do të kishim shpëtuar prej tyre.

Këto më bënë që para syve të më dilte thirrja e famshme biblike dhe në analogji me të unë dua të thërras:Ku shkon Shqipëri? Kur do të shkëputesh nga mentaliteti  komunist  që  të  ka mbërthyer dhe të ka zënë frymën? Deri kur kështu?

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ku po shkon, reshat kripa, shqiperi

KU PO SHKON MAQEDONIA?

March 2, 2013 by dgreca

Maqedonia nuk mund të ekzistojë me masa represive kundër popullit të pafajshëm shqiptar/

 Nga Isuf B. Bajrami/

Në shërbim të veprimeve destruktive të politikës antishqiptare u vu ushtria dhe policia maqedonase, e cila, nëpërmjet dhunës e terrorit, bastisjeve, rrahjeve, burgosjeve, vrasjeve, kërkon të shuan aspiratën e shqiptarëve për të drejtat e tyre legjitime kombëtare.

Kohëve të fundit përveç aksioneve represive ushtarako-policore, u thirrën nëpër polici në të ashtuquajturat “Biseda informative” një numër i madh shqiptarësh me profesione nga më të ndryshmet, nga të gjitha trevat etnike të shqiptarëve në Maqedoni. Nëpër stacionet policore këta intelektual të shquar u stresuan, u vunë nën një terror psikik të pashembullt, u keqtrajtuan fizikisht, u kërcënuan dhe u mbajtën me orë të tëra. Qëllimi kryesor i policisë-politike maqedonase është t’i mposhtë këta luftëtarë të dijes, t’i frikësoj, dhe në fund t’i detyroj të heqin dorë nga ideja për të drejtat themelore demokratike ku ka shqiptar në territoret etnike shqiptare në Maqedoni.

Këto veprime banditeske të autoriteteve dhe policisë-politike maqedonase janë një shprehje e urrejtjes së thellë që ata ushqejnë ndaj popullsisë shqiptare, me veprimet e të tyre antihumane, antikulturë, gjë që është e pashembullt për çdo vend evropian. Këto veprime kryhen në një kohë kur udhëheqës të ndryshëm politikë, personalitete të larta maqedonase flasin me të madhe për “barazinë”e popujve, për”respektimin”e të drejtave dhe të lirive të njeriut. E kjo është hipokrizia më e madhe e mashtrimi më i ulët që shfaqet aktualisht në Ballkan, sidomos në trojet ku banojnë kryesisht shqiptarët.

E drejta e shkollimit është e garantuar për çdo popull kudo në botë, është një e drejtë e patjetërsueshme, e shkruar jo vetëm në dokumentet ndërkombëtare, por edhe në Kushtetutat e vendeve demokratike. Nuk është parë dhe dëgjuar që në një vend evropian të ushtrohet dhuna e terrori, të përdoren armët dhe të derdhet gjaku ndaj një populli që lufton për të drejta kombëtare, arsimin në gjuhën amtare. Kjo ndodh vetëm në vendet me orientim sllavo-ortodoks; Serbi,Mal i Zi, Maqedoni, Greqi, në këto vende ballkanike që njihen për egërsinë dhe barbarinë e tyre.

Ky atentat i qeverisë maqedonase ndaj shqiptarëve është në të njëjtën kohë edhe një atentat ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ndër të parat e njohën Republikën e Maqedonisë pas “shkëputjes” së saj nga ish Jugosllavia titiste. Kjo politikë që ndiqet nga qarqet sunduese maqedonase është një politikë dritëshkurtër, pa asnjë të ardhme, një politikë që është në dëm edhe të vetë interesave të popujve maqedonas. Por duhet ditur se ekzistenca e vetë Maqedonisë si shtet rrezikohet tej mase, duke nëpërkëmbur një popull autokton,që ka gjuhën dhe zakonet e veta, kulturën dhe traditat e tij. Është e pamundur të nënshtrohet dhe të shtypet populli më i vjetër në Maqedoni, siç është populli shqiptar. Historia shumëshekullore e popullit shqiptar dëshmon për luftërat që ka bërë ai për të ruajtur identitetin e tij, për të mbrojtur trojet e tij nga pushtuesit e ndryshëm qysh në kohët më të hershme e gjer më sot.

Shumë shtete evropiane me demokraci të zhvilluara, me potencial ekonomik e shkencor, me një kulturë të lashtë, kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të vazhdueshme për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë, për sigurimin e barazisë së njerëzve përpara ligjit, për afirmimin dhe mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirisë së qytetarëve të saj. Kjo natyrisht nuk është arritur pa mund e përpjekje, pa luftëra dhe ndeshje sociale, pa kontradikta. E ne sot flasim për Evropën e qytetëruar dhe të emancipuar, për vende me demokraci të zhvilluar. Këto janë arritje të shënuara që ne i mbështesim dhe i përshëndesim, janë fitore që Evropa mundohet me fanatizëm t’i ruaj, zhvilloj e thelloj më tej.

E megjithatë ne e shohim qartë se si kjo Evropë “demokratike” dhe e civilizuar qëndron indiferente ndaj fateve të popujve të tjerë, ku shkelen këto të drejta, ku mungon barazia përpara ligjit, ku nëpërkëmben liria dhe pavarësia e individit, ku ushtrohet dhuna e terrori ndaj popullsisë së pafajshme. Shihet gjithnjë e më qartë hipokrizia e qarqeve sunduese evropiane ndaj fatit dhe të ardhmes së popujve të tjerë. Heshtin dhe bëhen të paditur për shpërnguljet nga Toplica e Sanxhaku, kur derdhet gjaku si lumi në fshatrat e Medvegjes, Bujanovcit, Preshevës, Karadakut dhe Tetovës, kur vriten, ndiqen dhe torturohen me qindra e mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre, kur ushtrohet një etnocid e gjenocid i pashembullt-sistematikisht ndaj popullit shqiptar. Është hipokrizi akordimi i kredive dhe furnizimi me armë më moderne në një kohë kur derdhet gjaku i shqiptarëve si Lum në shtëpitë e tyre.

Ndaj luftës disavjeçare në qendër të Ballkanit, ku janë shfarosur me dhjetëra e mijëra njerëz, ata kanë mbajtur qëndrim indiferent, për të mos thënë se e kanë nxitur atë për të nxjerrë përfitimet e veta. Shqiptarët vetëm në qoftë se me luftën e tyre të drejtë dhe çlirimtare do të dinë jo vetëm të rezistojnë, por edhe të dalin fitimtarë, atëherë Evropa e “qytetëruar”, e gjendur përpara një fakti të kryer, do të mbante një qëndrim tjetër dhe hipokrizia e saj do të dilte sheshit, kurse propaganda do të flasë me një gjuhë tjetër, se “ne evropianët gjithnjë kemi qenë në mbrojtje të pafajshmëve, në mbrojtje të lirisë dhe të pavarësisë së popujve”.

Ç’bëri Evropa kur ndaj shqiptarëve të pambrojtur u qëllua me armë. Me qëndrimin e tyre mospërfillës ata i nxitën qarqet sunduese serbo-maqedonase që të vazhdojnë edhe më tej dhunën e egër ushtarako-policore, duke shtypur çdo ëndërr të shqiptarëve për të drejtën e tyre legjitime kombëtare për arsimin në gjuhën amtare.

Është koha që shqiptarët t’i kuptojnë miqtë dhe armiqtë e tyre, çiltërsinë dhe hipokrizinë, fjalët nga veprat.

Qeveritarët maqedonë me të gjitha mënyrat përpiqen t’i ndalojnë shqiptarët të organizohen, të shkollohen, sepse nuk duan që ata të jenë të barabartë me ta. Kjo është arsyeja përse ata u hodhën me tërbim për të ndaluar themelimin e Universitetit të Tetovës, për të ndalur rininë shqiptare të marrë arsimin e lartë.

Gjakderdhja, terrori i egër ushtruar ndaj nismëtarëve për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe ndaj studentëve të parë në këtë tempull të dijes dhe kulturës, na kujtojnë pa dashur kohën e mesjetës kur shkencëtarët digjeshin të gjallë, ngaqë shkenca e tyre u hapte sytë njerëzve të pashkolluar, na kujtojnë Xhordano Brunon që u dogj i gjallë në sheshin e Romës për arsye të zbulimeve të tij të mëdha shkencore për planetin e Tokës.

Sikurse politika e pushtetmbajtësve serbo-maqedonë t’i përmbahej porosive dhe mësimeve të Goce Delçevit; “Kombet të bëjnë gara kulturore dhe jo gara të dhunës dhe të intrigave”, sikurse pushtetarët maqedonas t’i ktheheshin politikës reale dhe miqësore ndaj popullit shqiptar në Maqedoni, dhe në mënyrë demokratike të pranonte t’u njohë shtetasve shqiptar barazinë sociale, politike, nacionale, qytetare dhe shtetërore, kjo do të ishte ajo politikë që do të nxirrte nga pellgu i pafund këtë vend ballkanik. Kjo do të shërbente si një faktor i rëndësishëm për ekzistencën e Maqedonisë. Me barazi të plotë në çdo fushë, pa dhunë dhe diskriminim midis të gjitha nacionaliteteve që bashkëjetojnë sot në Maqedoni.

Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, nuk kërkojnë gjë më tepër, ata duan të trajtohen si qytetarë të barabartë me maqedonasit. Në qoftë se kjo politikë diskriminuese do të vazhdojë edhe në të ardhmen, atëherë shqiptarët do të kërkojnë t’i jepnin fund kësaj gjendjeje jo normale dhe do të kërkonin të ndaheshin nga Maqedonia. Pa asnjë hezitim e diskutim, kjo do të sillte shpërbërjen dhe zhdukjen nga harta evropiane të kombit maqedon.

Do të ishte mirë që qeveritarët maqedonas të nxirrnin përfundime pozitive nga qëndrimi realist i qeverisë shqiptare që ishte i vetmi shtet dhe komb fqinj i maqedonasve që e njohu ekzistencën e kombit dhe të shtetit maqedon. Në barazinë e plotë midis popujve qëndron edhe formula e stabilitetit të brendshëm të Maqedonisë. Në qoftë se nuk kuptohet realisht kjo gjë, atëherë pasojat do të jenë më të mëdha me përmasa katastrofike.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Bajrami, ku po shkon, Maqedonia

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT