Mbresa nga “Ditët e kulturës shqiptare”,2016 në Mantova,një sofër e bashkuar e artit dhe zemrave shqiptare,në zemër të Italisë/
Nga Jaho MARGJEKA/
Jemi nisur nga Tirana një pasdite qershori drejt Italise,të ftuar nga Federata Nacionale e Shoqatave Shqiptare në”Ditët e kulturës shqiptare”në Mantova.Në bordin e autobusit nuk ka udhëtarë të rastit por artistë të Ansamblit të Këngëve e Valleve të Shqipërisë.Na pret një rrugë e gjatë prej njëmijë e sa kilometra deri në Mantova.Gerti,drejtori i Ansamblit sigurohet se gjithçka është gati,dhe nisemi.Udhetojmë gjithë natën.Udha përshkon brigjet e Malit të Zi e Kroacisë.Diku në autostradën e Kroacisë zbardh mëngjesi.Ngado gjelbërim.Ndalojmë herë pas here për pak pushim e për ndonjë kafe.Sapo kemi lënë prapa Rijekën dhe dikush na e kujton se aty ka luajtur njëri nga sulmuesit e kombëtares tonë të futbollit,Bekim Balaj, transferuar kohëve të fundit në Grozni dhe mesfushori po i kombëtares Odise Roshi.Edhe në autobusin tonë mbizotëron atmosferë “Europiani”.Mbërrijmë në Slloveni,në Kozina.Aty ndalojmë jo në auto Grill por në një Pizzeri,ku shohim se ka televizorë që japin sport.Është ora e kombëtares sonë në Finalet e Europianit,Francë 2016.Ka filluar ndeshja me Zvicrën.Emocionet janë të mëdha tek të gjithë.Qindra kilometra larg Shqipërisë dhe na duket sikur Shqipërinë tone e kemi aty,pak metra më larg,tek aparatet televizive.Krenari e ligjshme,edhe pse largohemi paksa të mërzitur.Kemi lënë prapa Slloveninë e nga sipër shohim Triesten.Midis Sllovenisë,cepi i fundmë i ish Jugosllavisë dhe Italisë,nuk ka më kufij,veçëse ca ish kabina kontrolli të braktisura,gjysëm të rrënuara,simbol i Europës së ndarë.
Mirëse të gjejmë Itali.Mirë se ju gjejmë motra e vëllezër shqiptarë.Për katër pesë orë jemi aty,në Mantova.
***
Buzëmbrëmje.Fushat e pamata të Lombardisë,që i gjarpëron mes për mes lumi Po,plot grurë e vreshta,sikur marrin pak frymë nga vapa e ditës.Mantova,qarkuar përreth nga tre liqene,dhe ajo,në mes si shtojzovalle.Kryeqyteti i kulturës italiane për vitin 2016,e këto ditë edhe i kulturës e artit shqiptarë.
“ABC”, quhet edhe hoteli ku akomodohemi, e neve për një çast na duket sikur organizatorët e kanë zgjedhur enkas.Edhe shqiptarët në vitet ‘90 gjithçka nga abc-ja e filluan në Itali.Tani është realitet tjetër.
Në darkën e mirëseardhjes përshëndetemi me mikpritësit dhe të ftuarit e tjerë që kanë ardhur përpara nesh në Mantova.Na e urojnë mirëseardhjen Presidenti i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali z.Ndue Lazri,anëtari i Kryesisë Klodian Cami,kryetarja e Shoqatës shqiptare “Shqiponjat”në Mantova,njëra nga organizatoret e perkushtuara të kësaj veprimtarie Anila Kaja,dhe piktorja Alketa Delishaj,veprimtare e palodhur që kujdeset të mos na mungojë asgjë në tavolinën e bollshme të mikpritjes.Presidenti i Federatës Ndue Lazri më tregon se e shtuna kur ne akoma ishim në udhëtim,kishte qenë e mbushur plot me veprimtari:-“Në shtëpinë e Rigoletos,bufonit tragjik të operas së Verdit një ndërtesë e viteve 1400 në hyrje të sheshit të madh e të bukur “Sordello”, përballë pallatit të famshëm e të madh dukal,ishte hapur ekspozita me fotografitë artistike të fotografit të talentuar Llesh Prendi,emigrant nga Lezha dhe me punimet në pikturë të Alketa Delishaj e Xhimi Hotit nga Shkodra.Ishte ekspozuar edhe një fotopeisazh i fotografes së re shqiptare nga Athina,Vivian Horieti.
Ndërsa në ceremoninë e hapjes kishin qenë të pranishëm të gjitha autoritetet lokale, që nga Kryetari i bashkisë, Mattia Palazzi, prefekti Carla Cincarilli, zëvendëspresidentja e provincës së Mantovës Francesca Zaltieri, përfaqësuesi i Rajonit të Lombardisë Marco Carra, komisari i armës së karabinierëve dr. La Gana, artisti Carlo Micheli që ishte marrë personalisht me organizimin e ekspozitës,etj.
Skulptori i punimeve në dru, regjisori, aktori dhe fotografi Llesh Biba,i ardhur posaçërisht me punimet e tij nga Tirana, i cilësuar si Salvador Dalì i artit shqiptar,i kishte dhuruar Kryetarit të bashkisë një skulpturë, nga njëra anë e së cilës është gdhendur stema e qytetit të Mantovës dhe nga ana tjetër portreti i Heroit tonë kombëtar,Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Pastaj në skenën e teatrit Bibiena,në pianon mbi të cilën ka luajtur Mozarti, në moshën 6 vjeçare, ishte ulur një vajzë e re shqiptare,Barbara Veleshnja Milova.Ndërkohë i riu shkodran Klodian Kojashi, një djalë i talentuar që jeton në Piemonte të Italisë,kishte sjellë historinë e një emigranti politik italian, nga Piacenza,famëmadhit Pietro Marubi,i cili aty nga vitet 1850 u vendos në Shkodër dhe që do ndërtonte dinastinë artistike të fotografisë“Marubi”, duke i lënë një trashëgimi e pasuri kulturore të pashembullt Shkodrës dhe Shqipërisë.
Ndërsa në sallën e bibliotekës “Nautilus”, vënë edhe ajo në shërbim të krijuesve shqiptarë,ishte promovuar vepra e poetit Tonin Nikolli, kryetar i Shoqatës të Shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë me qendër në Verona,ku mbi vlerat e krijimtarisë së Toninit kishte folur shkrimtarja Valbona Jakova që jeton e krijon në Breshia”.Më vjen keq që nuk ishit edhe ju,përfundon rrefimin Ndueja.
Mes bisedave të ditës e “planeve”për të nesërmen,tashmë darka ka mbaruar.E kemi tepruar pak me”Vino Rosso”.
Kthehemi vonë në hotel.Nata është e qetë.Qëndroj për pak çaste në verandë dhe imagjinoj surprizat që mund të na i sjellë e nesërmja.Me vehte kam ca kopje të një prej librave të mi me poezi.Rrugës në autobus dikush më ka thënë se në Mantova gjendet shtatorja e Virgjilit.
***
Mëngjesi i parë në Mantova.Në hollin e Hotel ABC-s,përshëndetem me Nduen dhe zëvëndësministrin e Kulturës z.Zef Çuni.Përveç kontributit të Ministrisë së tij me vënien në dispozicion të autobusit për Ansamblin e Këngëve e Valleve, ka ardhur edhe ai vet për ta ndjekur nga afër këtë eveniment të kulturës shqiptare në Itali.Në barin e hotelit tek pi kafen e mëngjesit shfletoj gazetat e ditës.”la VOCE di MANTOVA”shkruan për “Ditët e kulturës shqiptare”,me fjalë lavdëruese për komunitetin shqiptarë në Mantova dhe Itali,duke i ilustriar shkrimet me disa foto nga veprimtaritë e ditës.Ndërsa e përditshmja më e madhe sportive ne Itali “La Gazzetta dello Sport”,shkruan me simpati për lojën e kombëtares sonë ndaj Zvicrës,edhe pse me dhjetë lojtarë e një humjeje minimale.Ndërkohë më zgjat dorën dikush që më ngjan si i njohur,dhe nuk isha gabuar.Ishte gazetari e veprimtari i Komunitetit shqiptar në Itali Dilaver Baxhaku.Me Dilaverin njihesha që kur unë isha student dhe ai sekretar Kolegjumi te”Zëri i Rinisë”.Tani Dilaveri jeton midis Italisë e Shqipërisë.Shkon e vjen.Ka ardhur në Itali në vitin 1990.Ditët e para të mbërritjes këtu-thotë Dilaveri,kam bartur pllaka mermeri në kurriz,nga kati i parë i një ndërtese deri në katin e shtatë.
Mëngjesi i së dielës është i vërenjtur e me ca riga shiu.Grupi ynë i drejtohet zonës turistike të qytetit.”Casa di Rigoletto”është ndalesa jonë e parë.Bëjmë ca foto në oborr me Rigoletton.Ambientet brënda janë impresionuese.Po ashtu edhe ekspozita e hapur në këto ambiente e piktores e fotografes Alketa Bercaj Delishaj dhe e kolegëve të saj.Kolegu im në Radio Tirana gazetari Anxhelo Xhaçka kur u nisa,më kishte thënë ta vizitoja edhe Katedralen e Mantovës ku në një vitrinë
është ekspozuar dheu ku ka pikuar gjaku i Krishtit.Përpara Katedrales një grumbull i madh turistësh prisnin për të hyrë brënda.Ne kohën e kemi paksa të limituar.Kështu janë të dielat këtu,thotë Dilaveri,shpesh duhet pritur gjatë për t’i vizituar këto monumente të trashëgimisë njerëzore.
Mbërrijmë në sheshin “Mantegna” ku pasdite do të jepet koncerti i Ansamblit tonë.Pasdite nuk ka shi,thotë dikush nga organizatorët dhe na lajmëron se dreka është gati në restorant “ Xhi xhi”,aty afër.Unë e Dilaveri jemi harruar në bukuritë e mrekullitë e ndërtesave hijerënda qindra vjeçare të zonës muzeale,dhe me hijeshinë e kalldremeve me gurë të rrumbullakët, të tejmbushur me vizitorë.Më në fund mbërrijmë te “Xhi xhi restorant”.Një vajzë e gjatë simpatike na drejton tek një tavolinë ku ka vend edhe për dy karrige.Aty prezantohemi me drejtuesen e shoqatës arbëreshe “Vorea”nga Frascineto,Lucia Martino,dhe bisedojmë gjatë me të herë në arbërishte e herë me përkthimin e Dilaverit në italisht.E kisha dëgjuar,por tani po e takoja gazetaren e Radio Kosovës Vera Pelaj.Po ashtu kolegen,gazetaren e Radio Athinës,programi në gjuhën shqipe,Bardha Mançen,ndërsa poeten shkodrane që prej shumë vitesh jeton në Itali,Lili Bimi,doli se e kisha frend edhe në facebook.Përshëndetemi edhe me durrësaken Angela që kishte ardhur nga Ankona.Orët kalojnë shpejt me trokitje gotash,biseda e foto të përbashkëta.Faleminderit”Xhi xhi”.Vera juaj ishte më e mira e italisë.
***
Sheshi “Mantegna” është mbushur plot shqiptarë,turistë të huaj e italianë.Shqiptarët dallohen lehtë,më thotë Dilaveri,pasi i mbajnë fëmijët mbi supe,”kaliqafë”.Një diell mantovan na përkëdhelet mbi fytyrë.Ka ardhur ora e koncertit të Ansamblit tonë të Këngëve e Valleve popullore.Kemi udhëtuar qindra kilometra që nga Tirana për këtë moment të vecantë.Në tribunën e improvizuar përshëndesin autoritetet lokale dhe organizatorët nga Komuniteti Shqiptarë. Zëvendëskryetari i Bashkisë Giovanni Buvoli, i dhuron zëvendësministrit tonë të Kulturës Zef Çuni simbolin e poetit Virgjili,shtatorja e të cilit lartësohet vetëm pak më tutje nga sheshi “Mantegna”.
Gjëmimi i një daulleje lajmëron ardhjen e artistëve.Për pak në skenë dhe sheshin përpara saj sikur mbijnë nga dheu dhjetëra buqeta të mëdha shumëngjyrëshe.Janë valltaret e Ansamblit me shamitë e kuqe e të verdha,që valëviten hijshëm në konstelacionin e veshjeve të pjesëtarëve të grupit ku mbizotëron e bardha,e kuqja dhe e zeza.
Kënga e vaji janë balsam për shpirtin.Këta njerëz këtu kanë gjithçka por nuk e kanë këtu atdheun.Një pikë lot në cepin e syrit është dashuria,brenga e malli i Shqipërisë.
Kam fotografuar e kënduar edhe unë sa gati më është ngjirur zëri.Publiku e artistët tashmë janë bërë një.Vallëzojnë e këndojnë bashkë.Drejt nesh fytyrqeshur vjen një mesoburrë me ca mustaqe.-Mirëse keni ardhur pershendet,dhe tokim duart së bashku.Është poeti Skënder Lazaj,prezanton dikush.-Të kam kërkuar në “qiell” dhe u takuam në tokë i them Skënderit me të qeshur,pasi ditë më parë në Google në internet kisha hulumtuar për krijimtarinë e tij letrare,për rubrikën poetike të emisionit tim “Larg dhe Afër”në Radio Tirana.Skënderi jeton prej njëzet e ca vitesh në Breshia dhe ka botuar dy libra me poezi e ka në dorëshkrim edhe disa të tjerë.Ndërkohë në skenë është ngjitur Ansambli artistik i Shoqatës “Ana e Malit”,nga Ulqini,të cilët i ka përgatitur me kujdes e pasion të veçantë mësuesja dhe artistja e palodhur Luljeta Avdiu Cura.Kostumet e bukura shqiptare me ngjyrat e ndezura,xhamadanë të kuq e plisa të bardhë permbytin skenën e këtij sheshi.Një djalë i ri i afrohet mikrofonit.Jam Edis Luka nga Ulqini thotë ai,dhe me një zë burri nis e reciton ca vargje lirie.Kisha dëgjuar për artizanin shqiptar Petrit Kozeli, kavalier i republikës italiane, i njohur për këpucët dhuruar presidentit italian apo Papa Françeskos,por se do ta takoja këtu se mendoja.E urova me shpirt këtë shqiptar duarartë dhe më mbeti merak që për arësye të rrethanave të momentit nuk arrita të realizoja me të një intervistë.Një herë tjetër me siguri.
***
Nga sheshi”Mantegna”atmosfera është zhvendosur në darkën përmbyllëse të “Ditëve të kulturës shqiptare”në Mantova-2016.Këngët e vallet shqiptare s’kanë të mbaruar.Ansambli i Këngëve e valleve nga Tirana dhe Ansambli nga Ulqini kanë ngelur disi”prapa”.Fuqinë e kane marrë “vendasit”.Këgë e valle shkodrane e përmetare,çame e kosovare,nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan.Një sofër e bashkuar e artit dhe zemrave shqiptare,këtu në zemër të Italisë.Të ftuar në këtë darkë të përmbylljes së këtij aktiviteti ishin më se njëqind protagonist e pjesësëmarrës. Presidenti i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali gazetari e poeti Ndue Lazri me kolegen Anila Kaja dhe të palodhurin Klodian Cami, por edhe me zëvendësministrin e Kulturës të Shqipërisë z.Zef Çuni gjejnë ndonjë rast të falënderojnë e të bëjnë ndonjë foto me pjesemarrësit e protagonistët.Në një intervistë për Radio Tiranën z.Lazri na falenderoi përzemërsisht ne që udhetuan nga Atdheu për të marrë pjesë në këtë festë të artit e kulturës shqiptare në Mantova.Falenderoi në veçanti atë ekip të palodhur djemsh e vajzash shqiptare që jetojnë e punojnë në Mantova e që shumë ditë përpara aktivitetit dhe gjatë tri ditëve të tij kanë bërë pak orë gjumë me merakun që çdo gjë të shkojë mirë. Blerta Veleshnja e Massimiliano Artioli, Nesti Ballçiti e Adriana Ballçiti, Klaudia Gargjiola e Petrit Kozeli, Silvana Trumçi e Albina Lufi, Edvin Kaja e Kristina Cenolli,etj,etj. Mirupafshim vëllezër. Gëzuar dhe mirë se të takohemi përsëri.
***
Mesnata ka mbëshjellë anë e mbanë Mantovën.Fresku i natës përkëdhelet me shtatoren e Virgjilit që unë se pashë dot.Epo,t’i vish kaq afër e të ikësh pa e parë,..Ndoshta ndonjeherë tjetër.Edhe tri vjet bëhën plot njëmijë vjet që Virgjili poet fizikisht ka ikur nga fushat e gjera të Lombardisë e brigjet e lumit Po.E,megjithatë ngryset e gdhihet aty,në Piedestal,mes mantovanëve të vet.
Nesër në udhë për Atdhe.