Janullatosi në delirin e shenjtërisë!
Nga Arben LLALLA/
A mund të sjellë ndokush ndërmend kur ka qenë hera e fundit që Kryepeshkop Anastas Janullatosi i ka dhënë intervistë ndonjë televizioni shqiptar? Ky mendim më erdhi, kur po ndiqja për arsye studimore, pasi kam detyrë t’i them të vërtetat e mia popullit tim, intervistën e fundit, të dhënë shumë shpejt pas asaj të parafundit, a thua se Janullatosi po përpiqet të kalojë në ajër disa mesazhe të qëllimshme dhe se e ndjen që po i mbaron koha. Bëhet fjalë për intervistën në versionin online të CNN Greek, e cila pasoi për pak javë intervistën që ai dha për ERT1, për festat e fundvitit 2015.
Pse Janullatosi nuk preferon të japë intervista për televizionet shqiptare? Vetëm sepse nuk do ndjehej komod me pyetje të tipit të gazetarëve grekë, që më shumë duket e venerojnë sesa e intervistojnë? Apo lidhet me faktin që Anastasi e di, se tek populli shqiptar është parë me dyshim që ditën e parë që u fronëzua si Kryepeshkop dhe se nuk mund të na krijojë ne mahnitjen që u krijon grekëve? Apo nga që e di se sponsorët e veprës së tij i gjen vetëm në Greqi dhe askund tjetër?
Fakti është që me një kërkim të thjeshtë mund të gjesh me dhjetëra intervista dhënë për çdo kanal grek, ku Janullatosi përsërit të njëjtat mite të jetës së tij, dhe kohët e fundit i ka shpeshtuar këto dalje publike në Greqi, si për të treguar merakun, që jetën e tij duhet ta shkruajnë sipas versionit që ai dikton, dhe jo sipas fakteve dhe dokumentave. Por këtë nder, ne nuk ia bëjmë dot, ndaj do merremi me çmontimin e çdo miti të tij, sa herë që ai del dhe tenton të na indoktrinojë.
Argumenti që Janullatosi predikon greqisht, pasi nuk e di mirë shqipen dhe ka hall se mos gabon në përcjelljen e dogmave të larta ortodokse, bie akoma më poshtë, kur Janullatosi as nuk preferon të flasë për publikun shqiptar, shqip as që bëhet fjalë, por të paktën të dalë nëpër ekranet e këtij populli, që e bariton si Primat. Ndaj, mediat tona që duan të kapin ndonjë mesazh prej tij, do të duhet thjesht të përkthejnë intervistat e tij që ai jep në Greqi, vendit të cilit i shërbeu gjithë jetën, dhe se ortodoksët shqiptarë do kenë qasje me bariun e tyre, vetëm nëpërmjet përkthyesit, pasi bariu, nuk ua preferon as gjuhën, as televizionet dhe as gazetarët.
Sigurisht, edhe në këtë intervistë, Anastas Janullatosi përsëriti disa prej miteve të tij, që dëshiron shumë të ngelen edhe pas ikjes së tij në qiell, dhe madje në këtë intervistë, ai e shpall që në qiell do ikë, dhe si shenjtor madje, mit që do ta shpjegojmë në mbyllje të shkrimit.
Nuk e di nëse publiku e percepton, por në këto intervista të fundit, kapen disa delire madhështie dhe vetëadhurimi që Janullatosi, ndoshta ngaqë mosha e thyer nuk po e ndihmon më, apo ndoshta nga që ka arritur në faza të avancuara të tundimit më të madh njerëzor, atë të rënies në megallomani, ka nisur dhe po thotë hapur gjëra që në botën kristiane (që predikon përulësi ekstreme), por edhe në atë akademike, apo artistike, askush nuk guxon t’i artikulojë, edhe pse njerëzit mund të besojnë madhështira për veten, të paktën ata janë aq të logjikshëm sa t’i mbajnë këto ngrefosje vetëm në mendimet e tyre, gjë që në rastin e kryepeshkop Anastasit nuk ndodh.
Së pari, ai hiqet si filozofi apo mendimtari iluminist, duke i dhënë këshilla Europës sesi të përballet me rrezikun e Islamit, të cilin e sulmon sërish egër, siç bëri edhe për Krishtlindje, kur referoi dhe vargje kuranore për dhunën dhe aludoi për profetin Muhamed opinione jo fort të përshtatshme për klimën e bashkëjetesës fetare. Me një fjalë thotë që Europa luftoi krishtërimin dhe vakumin që u krijua po e mbush Islami. Por Anastasi harron të thotë, se ç‘bëri ai me krishtërimin në Shqipëri, me ortodoksët që i gjeti 20% dhe i uli nën 7%, në minimume ekstreme historike.
Atyre që besojnë historinë se censusi i fundit zyrtar ishte i manipuluar, u them të vizitojnë cilëndo kishë ortodokse, përfshirë dhe Katedralen e re që meshon vetë kryepeshkop Anastasi dhe të shohin pjesëmarrjen e besimtarëve. Do gjejnë vetëm personelin e punësuar, i cili është i detyruar të jetë prezent. Nga burimet e mia, kam me qindra dëshmi ortodoksësh që deklarojnë se nuk shkelin më në kishë, ngaqë nuk e ndjenë më veten të përfaqësuar dhe se ndihen të fyer nga praktika e Janullatosit që kishën shqiptare e sakrifikoi në altarin e helenizmit. Janullatosi nuk na thotë, se ky vakum i rëndë që ai krijoi në Shqipëri, si dhe nga kush do mbushet? Përpara se Janullatosi t’i japë mend Europës, le të shohë dëmin e pariparueshëm që ai vetë i ka krijuar ortodoksisë shqiptare. Të ngresh një kishë, nuk do të thotë të hedhësh lekë e të bësh ndërtesa, të bukura nga jashtë, por bosh dhe të ftohta nga brenda.
Më pas, Janullatosi bën profetin dhe thotë se ka filluar lufta e tretë botërore, por ne këtë e dinim, se më përpara dhe në mënyrë të përsëritur e ka thënë Papa i Romës, dhe Janullatosi, si shkencëtar që është, të paktën të referojë mendime të njëjta që janë thënë përpara tij, që të mos bjerë në kurthin e plagjiaturës. Më interesant bëhet diskursi i tij, kur deklaron se qendra pushteti politik edhe ekonomik, kanë përqendruar kapitalin në dorën e tyre dhe se popujt po i çojnë në varfëri ekstreme, duke instaluar kështu një diktaturë të re. Nuk dua të referoj këtu listën e filozofëve që flasin për diktaturën e tregut, dhe të kompanive shumëkombëshe, pasi edhe këtu Janullatosi nuk po iluminon askënd, ai po shet sërish si të tijat mendimet e të tjerëve, por po shkojmë sërish te praktika e tij, që të shohim se teoria e tij është thjesht propagandë.
Çfarë bën Janullatosi me ata që ka nën vete? Sa e lufton ai varfërinë të paktën tek ajo pjesë e njerëzve që varen prej tij? Sa njerëz ka nxjerrë ai nga varfëria në Shqipëri? Sërish, si historian, në vizitën e fundit në Shqipëri, intervistova një numër të konsiderueshëm të punësuarish në KOASH, dhe dëshmitë e tyre më shokuan. Nga klerikët dëgjova që u mungojnë edhe gjërat më elementare të jetesës, me rroga qesharake, nën minimumin jetik, madje, Janullatosi u paguan shumën minimale ligjore në bankë, dhe pjesën tjetër, që të mos taksohet, ua jep me zarfe nën dorë, duke konsumuar kështu edhe evazion fiskal. Një klerik në Shqipëri paguhet rreth 300 dollarë, sa rroga e një banakieri, apo punonjësi higjiene nëpër institucione. Madje edhe kur të dalin në pension ata do të kenë pagesa minimale, sepse edhe siguracionet u janë paguar në minimumin e lejuar, duke i lënë kështu gjithë jetën të varfër, nën diktaturën ekonomike të Janullatosit, të njëjtë dhe më të egër, nga ajo që ai akuzon nëpër intervista.
Më të dhimbshme ishin dëshmitë e punonjësve laikë, katekistëve, të cilët paguheshin me shuma nën 250 dollarë, punojnë pa kontrata dhe shumë prej tyre edhe pa sigurim jetësor dhe shëndetësor, pa diskutuar shkurtimet pa paralajmërim nga puna, apo sjelljen arrogante të ndonjë peshkopi të konvertuar me ta. Nuk dua të zgjatem këtu, se do e kemi fokus të veçantë në të ardhmen, por gjendja ishte alarmante. Shumica e të punësuarve në KOASH, ishte në varfëri të skajshme dhe më e keqja ishte se nuk dilnin dot prej saj. Pyetjes sime, se pse nuk gjeni një punë tjetër, klerikët u përgjigjën se ishte e pamundur, pas periudhës së gjatë me veladonë dhe mjekër, askush nuk do t’i punësonte më, por dhe ata do ndiheshin me keq se tani. Ndërsa laikët thanë se ata kishin vetëm shkollim teologjik dhe se nuk do mund të gjenin një pagesë më të mirë nga kjo që merrnin se tregu do i konsideronte ekstremisht të pakualifikuar. Shumë prej tyre po bënin shkolla të tjera nga dëshpërimi dhe përpjekja për t’u shkëputur nga ky realitet.
Sërish këmbëngula me klerikët, ngaqë nuk u besoja veshëve, kur e dinin këtë gjendje, veshën rrobën e zezë? Ata m’u përgjigjën se vitet e para Janullatosi u premtoi se do t’i trajtonte me pagesën e një mësuesi gjimnazi, gjë që e mbajti vetëm për pak vite, por sot, ai e ka shkelur premtimin e tij, pasi rroga e një mësuesi gjimnazi me mbi 20 vjet përvojë i kalon të 500 dollarët. Sigurisht Anastas Janullatosi e kishte të lehtë ta shkelte premtimin, por klerikët nuk e kanë tashmë të lehtë të ikin prej kontratës së rrobës klerike, e cila është gati e përjetshme.
Kryepeshkop Anastasi Janulla duhet të shpjegojë përse ai i trajton kështu klerikët e vet? Nëse ka vështirësi ekonomike, gjë që nuk duket nga milionat që investohen, përse nuk i çliron të paktën nga veshja dhe pamja e dallueshme e tyre që ata të gjejnë punë të tjera? E thjeshtë, sepse do t’i mbajë të varfër, që t’i kontrollojë më kollaj dhe të kënaqë instiktet e veta diktatoriale. Ndaj, hirësi, mirë që na bën teori, por sot nuk e ke më luksin që gjërat e shtëpisë tënde të mos merren vesh, njerëzit e tu që vuajnë nga varfëria e kanë ngritur zërin dhe ti duhet ta dish, se diktaturat rrëzohen një ditë, qoftë edhe me vdekjen e diktatorit.
Nga ana tjetër, Janullatosi nuk hezitoi të bëjë viktimën, strategji e vjetër kjo, sa herë që ai ndjehet nën trysni. Ai tha se ka kaluar shumë zhgënjime e dhimbje në jetë, ka patur braktisje dhe tradhëti, edhe nga rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve. Nuk e dimë nëse e ka me peshkopët e konvertuar, të cilët duket se e kanë braktisur dhe nuk po e mbështesin më në gafat që bën, se ata janë përgjegjësi dhe zgjedhje e tij. Nëse ky zhgënjim është kronik, dy janë arsyet hirësi, ose ti nuk di të zgjedhësh bashkëpunëtorët e tu, i zgjedh ata vetëm nga niveli i adhurimit që ushqejnë për ty, dhe pastaj kur u bien maskat e hipokrizisë, ti mbetesh keq, si në rastin e ndonjë kabllogrami që të ka zbuluar tradhti të rënda në oborr. Ose je ti ai, që me sjelljen tënde arrogante, shkeljen që u bën në dinjitet, varfërinë që u imponon, apo edhe ndonjë arsye tjetër të errët, i detyron të të braktisin dhe e ke më të lehtë të qahesh sesa të pranosh pjesën tënde të fajit dhe të përgjegjësisë.
Janullatosi sërish qarkullon edhe në këtë intervistë mitin e atentatit që i kanë bërë për ta vrarë dhe plumbin e ngelur në dritaren e tij. Është qesharake të mendohet se dikush ka patur përqëllim ti bënte atentat atij, por ai dritare është qëlluar ndonjë plumb qorr të 97-s ose rikoshet. Nga ata plumba që kanë rënë në dritaret e dhjetëra shqiptarëve, dhe Anastasi na e shet për të disatën herë si atentat. Ish-oficeri i DEA-s Anastas Gjerasimos Jnaullatosi e di fare mirë se plumbin e një snajperi, nuk e ndalon dot kurrë xhami i një dritareje, por nëse ai ndjehet mirë me këtë mit, kjo është punë për e tij dhe për trashëgiminë që po lë në ato broçkulla që thotë.
Së fundi, Janullatosi shpërthen në delirin e madhështisë të shprehur në besimin e tij, se tani ai është tashmë një shenjt, dhe se shqiptarët duhet ta ngrenë kultin që ai ka një jetë që kuron, në nivele hyjnizimi. Ndaj legjitimohen edhe ikonat që ai ka porositur në katedralen e re dhe që e paraqesin si shenjt dhe mrekullibërës. Ai thotë: “Mjerë njerëzit që nuk kanë nderë dhimbje, ajo tëçon në një pjekuri të bredshme dhe do të guxoja të thosha në shenjtëri”. Ndaj, dhimbjet, zhgënjimet dhe tradhëtitë, na e kanë bërë punën e tyre, e kanë çuar Anastas Janullatosin në shenjtëri. Ajo çka tashmë na duhet të bëjmë, është ta adhurojmë e t’i falemi.
Ai këtë përjetim, të arritjes së niveleve të shenjtorëve e ka të sigurt brenda tij, fakti që me mani, po porosit vendin ku do prehet dhe po e zbukuron me afrekse, e tregon më së miri këtë gjë. Mbetet ta kuptojnë vetëm shqiptarët, që duhet ta kenë për nder që kanë një shenjtor të gjallë mes tyre dhe nuk e paskan kuptuar. Por, pjesa që nuk sugjestionohet prej shenjtorëve të vetëshpallur të ditëve të sotme, do vazhdojë të thellojë kërkimin mbi historinë e kishës shqiptare, se është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së kombit tonë. Ne, shumë shpejt do të sjellim fakte se si u ngjit Janullatosi në hierarkinë e kishës greke, pjesë e cilave organizatave parakishtare ishte, dhe se si u shkarkua nga funksionet e larta që mbante, duke marrë rrugën e mërgimit, së pari në Afrikë dhe më pas në Shqipëri dhe ç‘lidhje kishte ai me Jeronimin e Parë, (jo me të sotmin), Kryepeshkopin e juntës ushtarake greke.
Nëse Janullatosi na fton ta besojmë se është shenjtor, atëherë do të duhet të bëjmë një kërkim dhe hetim të plotë të jetës dhe bëmave të tij, ashtu siç është edhe praktika kishtare në këto raste. Sigurisht, që deri më sot, Janullatosi është shenjtori i parë që e ka shpallur përpara vdekjes shenjtërinë e tij, pasi kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e krishtërimit, por nëse nga kërkimi na del, që ajo që thotë ai qëndron, do vijë dita që edhe ne do ndezim një qiri përpara ikonës që ai ka urdhëruar të pikturojë në kishën e re, ikonografi grek Kristos Papanikolau.
Kryepeshkopi u ka ikur autoqefalisë, transparencës dhe arkitekturës së kishës shqiptare
Vasil Gjika/ Ish-deputeti flet për përplasjen mes kishës së Përmetit dhe Pallatit të Kulturës së qytetit… Rolin e kryepeshkopit Janullatus në humbjen e identitetit shqiptar në besimin ortodoks dhe pretendimet territoriale të fqinjit tonë grek…/
NGA ALEKSANDER CIPA/
Shoqëria e sotme shqiptare jeton kohën e “tabuve të ngacmuara”. Të tilla janë edhe ato të religjioneve, të cilat politika i trajton demagogjikisht. Disa prej çështjeve tona religjionare janë tashmë të hapura. Të frikshme në “nënkoren” e tyre. Kohët e fundit, kisha e Përmetit, apo Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” të këtij qyteti janë bërë temë e ditës dhe objekt i shumë mediave. Ka pasur prononcime shumëpalëshe dhe debati ende është i hapur. Ndërkohë që autoriteti më i lartë i Kishës Autoqefale Shqiptare e ka përcjellë si një shqetësim në dimensione jashtëkombëtare.
…Si përmetar dhe ish-deputet i këtij rrethi në krye të kohës së shpalljes dhe sanksionimit të pluralizmit politik dhe atij shoqëror, a e keni një mendim për këtë çështje? Nëse po, cili është ai?
Pse kaq zell për t’u përfshirë në këtë çështje shumë palë? Pse aq nxitim për t’u përfshirë edhe nga jashtë dhe si i gjykoni qëndrimet institucionale brenda dhe jashtë vendit, kam parasysh prononcimet dhe deklaratat e Kishës Ortodokse Autoqefale, të qeveritarëve tanë, qeverisë greke apo ekstremistëve të Agimit të Artë, bashkimit panepirot etj.?Me të drejtë ju e quani çështje. Ky problem ka qenë dikur në vëmendjen e atij komuniteti të qytetit të Përmetit, por kohët e fundit, duke thyer çdo rregull dhe etikë, janë përfshirë shumë palë, që nuk kanë asnjë përkatësi me qytetin dhe qytetarinë përmetare. Kam parë prononcime objektive dhe të drejta, siç ka pasur dhe “argumente” apo “gjykime” spekulative që marrin përsipër të ndajnë një problem që ka marrë verdiktin e gjykatave. Kemi parë dhe deklarata të nxituara dhe të tejkaluara, që për fat të keq kanë kapërcyer dhe kufijtë e Shqipërisë. Në këtë rast të mos harrojmë se: Problemi i pretendimit midis Drejtorisë Kulturore të Bashkisë së Qytetit Përmet dhe Kishës Ortodokse të atij qyteti është dhe mbetet problem i atij qyteti, i banorëve dhe institucioneve të tij, si dhe ligjit e gjykatave. Është një konflikt banal dhe i rëndomtë, në kuptimin e pretendimit të pronësisë (ka mijëra raste të tilla në vend) dhe është një përgjegjësi morale dhe qytetare e përmetarëve. Nuk kanë asnjë kuptim ndërhyrjet brutale që vërehen nga të gjitha anët dhe drejtimet, kur shikojmë të shoqërohen me një zell të tejkaluar dhe synime të mbrapshta për ta përdorur këtë sebep.Mua më duket pa vend çdo ndërhyrje që nuk bazohet në përkatësi ndaj çështjes. As besimtari ortodoks që vjen nga Gjirokastra për t’u tubuar në protestë në Përmet, nuk e ka këtë të drejtë. Ne përmetarët i kemi ndërtuar vetë kishat, teqetë apo xhamitë tona dhe dihet që dhe gjirokastritët apo kushdo komunitet tjetër, i ka ngritur me kontributin e brezave të vet këto ngrehina të shenjta. Akoma më tepër, kur për këtë problem janë shprehur gjykatat. Të gjitha ndërhyrjet e tjera jo vetëm janë të palejueshme, por synojnë me qëllim të mbrapshtë “përdorjen e çështjes së Kishës së Përmetit”. Kemi parë papërgjegjshmërinë e zakonshme zyrtare greke, në deklaratat e Ministrisë së Jashtme dhe të ndonjë deputeti (madje eurodeputeti) të Parlamentit grek. Jemi gjithashtu dëshmitarë të veprimeve primitive (duhet thënë dhe zyrtare) fatkeqësisht të zakonshme, të kthimit të qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare nga pala greke me deklarimet flagrante “ju kthejmë për kishën e Përmetit”, madje duke u shkarravitur (siç bëjnë rëndom) dhe pasaportat. Të gjitha këto, si dhe veprime të tjera të ngjashme, dëshmojnë mungesën e standardeve europiane të një vendi europian, si Greqia. Besoj se nuk ia vlen të merremi me veprimet, demonstrimet apo fjalimet e çartura të “të artëve”. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, m’u duk e drejtë dhe i mbështetur reagimi i Kryeministrit të vendit. Nga ana tjetër, nuk mund të mos jem i shqetësuar për deklarimet e Hirësisë së Tij, Janullatos, në emër të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Akoma më e gabuar më duket sidomos trajtimi i këtij problemi nga ana e Tij.
Keni dalë te personazhi kryesor zyrtar i Kishës Autoqefale Shqiptare në ditët e sotme. Një hierark i kontestuar dhe i shumëdiskutuar në mjedisin dhe debatin publik shqiptar të 23 viteve të fundit. Ju zoti Gjika jeni një ndër ish-deputetët që e keni mbështetur kurorëzimin e Hirësisë së Tij, Janullatos si kryepeshkop të Kishës Autoqefale të Shqipërisë… Cila ka qenë arsyeja reale e mbështetjes së atëhershme dhe cili është vlerësimi juaj sot?
Është e vërtetë. Kur na u paraqit në grupin parlamentar të atëhershëm të PD-së kandidatura e prof. Anastas Janullatos, u argumentua se vinte si një figurë me kualifikimin dhe kualitetin e nevojshëm kishtar, si dhe me zotimin e tij të shenjtë për sipërmarrjen e ringritjes së kishës ortodokse dhe ruajtjen e respektimin e autoqefalisë së kishës shqiptare. Nga ana tjetër, kandidatura alternative nuk u paraqitën, por u argumentua se nuk kishte mundësi të gjendej një kandidaturë shqiptare me kualifikimin e nevojshëm dhe se nuk kishte ndonjë ndryshim gjetja e ndonjë kandidature tjetër serbe, ruse apo bullgare.
Po sot, a rezulton e kryer apo e realizuar sipas jush, pritshmëria e besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë?
Natyrisht që pyetja juaj i drejtohet një opinioni më të gjerë dhe po ashtu të specializuar. Përgjigjja për këtë pyetje as fillon dhe as mbaron me atë çka mendoj unë. Ka pasur shumë vlerësime dhe do të ketë akoma në vijim. Por unë them se kemi mbërritur në momentin e të vërtetës dhe duhet të shprehemi me përgjegjësi për këtë gjendje të Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Nga ana tjetër, duhet të shikojmë se ç’thonë korifenjtë e autoqefalisë sonë. Pavarësisht se ata nuk janë më, duhet të shikojmë ato që kanë bërë dhe të lexojmë ato që ata kanë shkruar. Atje është dhe përgjigjja për pyetjen tuaj. Megjithatë puna e Hirësisë së Tij, Janullatos, për ringritjen e kishës ortodokse është bërë dhe nuk mund të mohohet. Janë një numër i konsiderueshëm objektesh të ngritura në të gjithë hapësirën e ortodoksisë. Natyrisht një vepër e lavdërueshme është dhe katedralja në kryeqytetin e vendit. Do të ishte me interes jo vetëm për besimtarët ortodoksë, por edhe për të gjithë publikun transparenca e financimit të këtyre investimeve, të cilat pavarësisht se janë asete të kishës, duhet të respektojnë ligjet e Republikës së Shqipërisë. Si arkitekt, qofsha i gabuar, por kam përshtypjen se të gjitha këto realizime janë identike me ato të kishës greke. Në mos më gabon kujtesa e shpjegimeve të profesorit tim të historisë së arkitekturës A.Meksi, “konfiguracioni planimetrik i arkitekturës së kishës bizantine shqiptare është ajo e kryqit të brendashkruar”. Për këtë çështje do të duhej të shpreheshin bizantologët (duhet thënë se kompetenca e bizantologëve shqiptarë është e shumë respektuar në Ballkan dhe më gjerë), dhe nëse unë kam të drejtë, do të kishim një abstragim serioz dhe të dëmshëm (madje me pasoja të rënda) të traditës së kishës shqiptare. Po ashtu, mund të evidentohet si punë e lavdërueshme edhe ngritja institucionale e kishës. Një armatë e tërë klerikësh e të gjithë hierarkisë sot militon në këto objekte në mbarë vendin. Përsëri edhe këtu transparenca e financimit të kishës ortodokse do të shpjegonte shumë gjëra që ndodhin aty. Nga prindërit e mi dhe gjyshërit, kam mësuar se priftin dhe dhjakun e kishës se fshatit i mbanin (paguanin) vetë banorët e fshatit, që po ashtu kontribuonin për mirëmbajtjen e kishave apo shpenzimeve të tjera. Le të na shpjegojnë nëse ndodh ende sot kështu! Unë nuk jam i përditësuar me nivelin e njerëzve që kanë veshur petkun e priftit gjithandej, por në vendin tim ka raste që paraqesin mirësi me kulturën e nevojshme dhe dinjitet, por ka raste që nuk e justifikojnë atë veshje dhe aq më tepër këtë shërbesë. E parë në mënyrë sporadike këto “ndodhi” janë të justifikuara, por janë të palejueshme ato raste kur “njeriu i kishës” bën miting, politikë, apo inskenon pantonima supesh me policinë. Në këtë rast duhet të themi se këta klerikë kanë shkelur jo vetëm ligjet e shtetit, por edhe ato të kishës. Kurse autoqefalia është goditur dhe provokuar rëndë. Të gjithë e dinë (dhe duhet ta dinë edhe në Greqi) se shteti shqiptar është laik dhe besimet fetare janë të ndara nga punët e shtetit. Klerikët këtu (të çdo besimi) nuk kanë ato prerogativa që kanë homologët e tyre grekë. Fjala e tyre vlen për ushqimin e shpirtit të publikut, por veçanërisht të besimtarëve.
I mëshoni në mënyrë eksplicite termit autoqefali. Konkretisht për çfarë e keni fjalën kur shpreheni: “Autoqefalia është goditur rëndë”?
Më duhet të them se nuk jam një njohës i hollë i dokumenteve të Autoqefalisë së Kishës Shqiptare. Mirëpo nuk është e nevojshme të jesh i tillë për të kuptuar se humbja (apo abstragimi) nga identiteti shqiptar i kishës ortodokse është një ngjarje e rëndë. Kur segmente të kishës kthehen në seksione të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, apo “zyra konsullore” greke duke bërë punën e komisioneve të gjetjes dhe konservimit të eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në trojet shqiptare! Këtu më e pakta që mund të themi është se Hirësia e Tij ka dështuar në konsolidimin dhe shprehshmërinë e autoqefalisë. Kur një veprimtari e tillë ndërshtetërore realizohet si një aksion i Kishës Autoqefale, atëherë s’e kuptoj se pse mund të flasim akoma për pavarësi të kishës sonë! Kur kisha jonë “Autoqefale” dhe vetë Hirësia e Tij, Janullatos, sensibilizon një shtet të huaj ortodoks për “të mbrojtur kishën e Përmetit”, atëherë këtu është shkelur jo vetëm autoqefalia, por vetë kombi ynë dhe shteti, Shqipëria. Pikërisht këtu është dhe fundi i iluzionit se kisha jonë ortodokse mund të jetë “autoqefale”. Askush dhe askurrë nuk duhej të guxonte të sulmonte Përmetin. Të sulmosh Përmetin (është interesante, por një gjë e tillë nuk është bërë historikisht as në vitet e kaluara, megjithëse nuk kanë munguar as më parë mendje dhe vullnete “agimesh të errëta”, si këto të sotmet) do të thotë të atakosh djepin e kombit, të qenësisë dhe formimit shqiptar. Do të thotë po ashtu se jemi në epilogun e kësaj marrie dhe, nga ana tjetër, duhet të jemi dhe në momentin që Hirësia e Tij, Janullatos, duhet të largohet, pasi ka kryer një vepër të rëndë në dëm të shqiptarisë. Qytetarët e Përmetit dhe kultura që mishëron ai popull, nuk mund të pranojnë kurrë që të ulin flamurin që ngritën Frashërllinjtë e mëdhenj, atë Stath Melani dhe Vangjël Gjika, Sejfulla Malëshova e Stavro Vinjau, Fan Noli e Faik Konica, Nikolla Naço dhe Tefta Tashko, Odhise Paskali dhe Mentori e Laveri, dhe dhjetëra e dhjetëra emra që i nderon dhe vlerëson i gjithë kombi ynë. Përkundrazi, është detyrë jo vetëm e përmetarëve, por e çdo shqiptari ta lartësojnë atë dhe veprat e këtyre shqiptarëve të mëdhenj, duke fshirë çdo iluzion apo ëndërr të megaliidesë, se mund të ngrenë flamurin grek në Përmet! Kjo gjë s’mund të ndodhë as me ato përpjekje liliputësh, të cilët dikur ngrinin lart pankartat ateiste nëpër mitingjet dhe programet komuniste për shkatërrimin e kishave dhe xhamive në Përmet, ndërsa vrapuan në vitin ’97 të pushtonin me “grevë urie” pallatin e kulturës “Naim Frashëri” në emër të kishës dhe, duke sfiduar dhe injoruar një traditë dhe nevojë të njohur kulturore dhe qytetare të Përmetit dhe përmetarëve. Ky është një akt i pastër vetëgjyqësie që dëmton dhe keqekspozon sjelljen e klerikëve të grumbulluar dhe të vetë Hirësisë së Tij.
Matanë arsyetimit tuaj zoti Gjika, ka një reagim “shqiptar” të munguar, infatil dhe të kompleksuar. Një ndjeshmëri e ulët reaguese nga qytetarët dhe në mënyrë të veçantë nga institucionet zyrtare të shtetit. Ka arsyetime që e çmojnë këtë si maturitet, ndërsa ka të tjerë që e konsiderojnë sjelljen dhe nënshtrimin e kronikshëm të institucionalizmit shqiptar. Ju vetë nga pozita e një ish-ligjbërësi si e vlerësoni këtë sjellje dhe reagim shqiptar?
Nuk është kështu përkundrazi, ka pasur reagim qytetar. Ajo që ka munguar ka qenë korrektësia, dinjiteti dhe serioziteti në qëndrimin e institucioneve dhe shtetit shqiptar. Po të shikojmë historinë e këtyre njëzet viteve të fundit të marrëdhënieve dhe politikës së ndërsjellët midis Greqisë dhe Shqipërisë, ato lënë shumë për të dëshiruar për mungesën e standardeve dhe nivelit evropian që i përkatësojmë. Shpesh ngjarjet e rënda në pikat kufitare, keqtrajtimin e qytetarëve shqiptarë nga autoritetet policore greke, virusin “antishqiptar” që prish kompjuterët grekë, reagimet brutale ndaj emigrantëve sa herë “që i mbetet qejfi” Greqisë, hapjen dhe mbylljen e portës kufitare jo si një portë shteti, por si një derë “buzuku” nga polici grek, kontrollet e imta dhe fyese të pasaportës shqiptare dhe kthimet pa asnjë kriter të paralajmëruar të qytetarëve shqiptarë pse janë çamë apo “kanë shkruar e folur keq për Greqinë”, rëndom janë kualifikuar si “veprime sporadike”, të qarqeve ekstremiste, të veçuara etj., etj. Në fakt, është e qartë që këto veprime janë në sistem të një politike zyrtare greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Asnjë gjë nuk është e rastësishme, përkundrazi është e përgatitur dhe e mirëplanifikuar dhe bëhet me përkujdesje. Kush mendoni se urdhëroi të ktheheshin qytetarët shqiptarë në pikën e “Tri urave” apo Kakavijë, polici grek që u mërzit për “kishën e Përmetit”? Jo, ajo është një portë që e mbyll dhe e hap shteti grek. Ky qëndrim i autoriteteve greke nuk përmbush dhe as përmban standardet europiane të marrëveshjes së “Shengenit” ku Greqia dhe Shqipëria bëjnë pjesë. “Shengen”-i grek nuk di në mund të gjendet kund në Afrikë! Do të dëshiroja që eurodeputeti që ngriti dhe i kërkoi hesap qeverisë greke për kishën time të Përmetit, të vinte dhe të hidhte një sy në Kapshticë, Kakavijë etj., për të parë se çfarë Europe i ofron Greqia Shqipërisë dhe s’i trajtohen emigrantët kur kalojnë pikat kufitare ndërshtetërore. Me pak fjalë, po të perifrazonim Konicën e madh do të thoshim se Greqia i sillet Shqipërisë si ai fshati i madh fshatit të vogël. Kur vjen puna për të keqtrajtuar apo “për t’u dhënë mësim allvanosve” shteti grek shkel çdo marrëveshje, dokument, apo konventë ndërkombëtare që ka firmosur. Për fat të keq, edhe shteti shqiptar i sillet Greqisë si ai fshati i vogël fshatit të madh. Nuk është krenari të themi se Shqipëria nuk është nëpërkëmbur dhe keqtrajtuar kësisoj nga Greqia as në kohën e Zogut, se në kohën e diktaturës s’ka pasur shanse. Dhe e gjitha kjo, sepse shtetarët tanë të sotëm, si nga “fshati i vogël” e kanë zgjedhur vetë të përunjen. Kapërdijnë çdo megalomani greke “për atë të shkretë Europë” dhe frikën e vetos greke. Mirëpo nga fshati i madh e kanë zakon që sa më shumë të tulatemi ne, aq më shumë e ngrenë zullumin. Kështu, deputetët tanë s’kanë kurajë të lidhin dy fjalë “për Çamërinë” (brenda kartave dhe të drejtës ndërkombëtare), në një kohë që në Parlamentin grek deputetët flasin hapur për pretendime territoriale dhe “tokë greke” brenda Shqipërisë! Ishte për të qeshur dhe për të qarë, kur kryedeputetja jonë zbuloi se “e paskemi votuar rezolutën, por s’i paskemi numëruar mirë votat”, duke e kaluar pa zë dhe pa e lexuar dhe një herë në atë sallë të Kuvendit. Nuk ka asnjë reagim zyrtar për shenjat dhe nishanet e Shqipërisë që shteti grek i përdhos aq lehtësisht dhe madje duke na kërcënuar “shkruajini gërqisht këto toponimet greke paçka sedhiavatirio është tuaja!” Nuk ka asnjë reagim nga institucionet relevante, apo dhe Avokati i Popullit kur djemtë shqiptarë që vuajnë dënimet në burgjet greke lëshohen natën si kavie për t’u gjuajtur dhe vrarë pyjeve dhe gërxheve të Greqisë, duke stërvitur dhe trajnuar trupat speciale greke. Mos harrojmë se atyre u është privuar liria, kurse siguria e burgjeve greke është detyrim i autoriteteve të atij shteti, që jo vetëm s’mbajnë përgjegjësi, por s’marrin asnjë konseguencë nga ligji dhe gjykatat, tek i kthejnë të dënuarit “me burgim” në “me pushkatim”! Si shqiptar do t’i kërkoja shtetit tim dinjitet dhe, të denonconte në mbarë Europën qoftë edhe një fjalë fyese të policit grek dhe jo më akte dhe veprime flagrante antiqytetare dhe antieuropiane si më sipër. Në Europë nuk mund të shkojmë pa dinjitetin, identitetin dhe ADN-në tonë shqiptare.
Platforma e pretendimeve territoriale, si dhe organizatat e caktuara greke dhe të diasporës së saj, historikisht kanë ekzistuar dhe investohen për këta objektiva të tyre. Por sa mendoni se ka ceduar Shqipëria përballë tyre dhe pse mendoni që kjo nuk i ka shqetësuar shtetarët tanë të këtij tranzicioni?
Unë mendoj se një platformë helenizuese e hapësirës periferike të shtetit grek, ka qenë dhe është institucionale në Greqi. Kjo platformë është e vjetër që kurse filloi helenizimi i Epirit (në hapësirën e viteve ‘730) dhe përfundoi me rënien e Perandorisë Osmane. Rolin determinues gjithmonë e ka luajtur kisha, e cila ka pasur devizë të saj “Ortodoksi do të thotë Greqi”, mbi një psikologji të përpunuar të opinionit panhelen si ajo e shekullit të 18 “kur bullgarët qenkan ortodoksë, atëherë ç’u duhet një shtet i tyre!”. Përsëri kisha është flamurtare këtë radhë edhe e kësaj nisme në vendin e shqiponjave, pavarësisht se ortodoksia shqiptare s’është greke, pasi shqiptarët u vunë nën kishën lindore të Kostandinopojës pas shekullit VIII dhe u shpallën “autoqefale” në vitet ’30. Në këtë kuptim “projekti shqiptar” jo vetëm që ka rëndësinë e tij në programin e helenizimit, por ka marrë përparësi këta njëzet vitet e fundit. Nga ana tjetër, lehtësisht vihet re se ka një shkallëzim të këtij programi. Deri dje flitej dhe pretendohej “për minoritetin dhe të drejtat themelore të tij”, tani flitet për “Ortodoksinë dhe të drejtat e kishës në Shqipëri”. Deri dje mitingjet, ceremonitë apo mbledhjet përkujtimore bëheshin në Greqi, tani (prej disa vitesh) ato bëhen në Shqipëri dhe në mes të ditës, madje edhe nga persona të paligjshëm që nuk u rezervohet një liri e tillë as në Greqi! Deri dje “e ngrinin zërin” zyrat konsullore dhe zyrtarët grekë për problemet në hartën e njohur të vendndodhjes së minoritetit, tani flet kisha dhe priftërinjtë për të drejtat në hartën ortodokse! Ahere ç’ka ndodhur, ndërsa politikanët tanë “janë të zënë” me politikat e mëdha të ditës që bëhen këtu, kemi të drejtë të pyesim: ku janë ligji dhe institucionet e shtetit tonë? T’u thuash shqiptarëve se “po shkelin të drejtat e besimit të një komuniteti” kjo do të duhej të shënohej në “Gines” po të ishte e vërtetë, pasi ka mbi dy mijë vjet që s’ka ndodhur! Nga ana tjetër, nën hijen e tolerancës dhe shtetit laik, nuk mund të mbulohet politika e përunjur dhe servile, për më tepër ajo nuk bën efekt. (Përgjigjja ekuivalente e një polici shqiptar kur ktheu mbrapa dhe ai disa qytetarë grekë në frymën e “reciprocitetit”, pati më shumë efekt dhe shteti grek e hapi prapë portën). Nga ana tjetër, gjërat po shkojnë në një drejtim të padëshiruar dhe të rrezikshëm: tek flisja me zyrtarë lokalë në Përmet, me shqetësim dëgjova shpërthimin e tyre “këto i bëjnë disa talebanë”! Përballë produkteve të tilla duhet të shqetësohemi seriozisht, pasi kurrë nuk ka ekzistuar ndarja dhe përçarja mes nesh për motive fetare dhe të besimit.(Kortezi-Shqip)
JANULLATOSI FOLI GREQISHT PER ORTODOKSET SHQIPFOLES, PERFSHI VANGJEL DULEN
Kryepeshkopi i rikujtoi shtetit shqiptar marrëveshjen e firmosjes me Kishën Ortodokse për rikthimin e pronave
Patriarku i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos, deklaron se protestat për të ashtuquajturën Kisha e Përmetit do të vazhdojnë. Në një mesazh të publikuar online, Janullatos flet për një sakrilegj dhe ndërsa bën historikun e godinës, i rikujton shtetit shqiptar se ka firmosur një marrëveshje me Kishën Ortodokse për rikthimin e pronave. Kisha Ortodokse do të vazhdojë të protestojë për Përmetin. E thotë Kryepeshkopi Janullatos, në një mesazh në greqisht të publikuar në Internet, ku nuk nguron të bëjë krahasime me myslimanet. SINK Në rast se një grup ortodoksësh , diçka që kurrë nuk mund të shkojë ndërmend nga mendja jonë që mund të ndodhë, të merrte kuranin e një xhamie dhe ta flakte në një kamion. Nuk do të ndodhte revolucion? Dhe, kjo do të bëhej me të drejtë dhe neve na thonë juve protestoni. Sigurisht që kemi për të protestuar. E përsëris që problem ynë nuk bën fjalë për një ndërtesë, por fakti është që kemi të bëjmë me një përdhosje. Janullatus shpjegon se nuk bëhet fjalë për një truall por për një vend të shenjtë që do të kthehet në salla bilardosh e kumara. “Nëse kishat tona ortodokse qenkan kundër qendrës kulturore, siç thonë ata, kush e ka kultivuar më shumë se sa ne arkitekturën, pikturën, muzikën, ndihmën reciproke ndaj njëri-tjetrit më shumë se sa kisha jonë. Pra, çfarë qytetërimi, kulture këta kanë ndërmend? Pra, që të vënë kumar dhe bilardo aty brenda. Këto janë ngjarje të idhta, dhe ne të gjithë e dimë që të gjitha ortodoksët në Shqipëri marrin pjesë në këtë fyerje që na është bërë”, tha ai. Patriarku grek I Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare pohon se historia e Kishës së Përmetit është e vjetër dhe nis në shekullin e XVII. “Historia zë fill qysh në shekullin XVII. Atëherë u ngrit në qendër të Përmetit kjo kishë. Shumë njerëz të tjerë bënë përpjekje që ta shkatërrojnë në kohë të ndryshme. Dhe e dimë shumë mirë se çfarë ndodhi në kohën e pushtimit gjerman, kur disa bashkëpunëtorë të tyre i ndihmuan për të bërë pikërisht këtë gjë. Faktet dhe ngjarjet janë të njohura. Pra këtë kishë të shenjtë e shkatërruan dhe thanë më pas të bëjnë një vatër kulture, një Shtëpi Kulture”, u shpreh Janullatos. Sipas Janullatos, në vitin 1998 Kisha pagoi edhe 700 mijë lekë të reja për punimet që ishin kryer nga shteti në ndertesë. Ndërkohë që duke iu referuar vendimit gjyqësor që ia riktheu godinën Bashkisë së Përmetit, kryepeshkopi flet për dëshmitarë të rremë. “Nuk duan të dinë se cila është e vërteta, nuk ju intereson. Ata jetojnë, lëvizin brenda gënjeshtrës. Dhe në vitin 2002 morën një vendim, por e dinin se kjo ishte diçka e gënjeshtërt. Dhe prandaj, për gjithë këto vite nuk guxuan ndonjëherë që të zbatojnë këtë vendim të tyrin të marrë në mënyrë të padrejtë. Dhe shikoni. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një truall. Nuk bëhet fjalë për disa ullinj. Bëhet fjalë për një vend të shenjtë, ku për shekuj të tërë kryhet mesha hyjnore. Dhe sikundër ka theksuar Asambleja e Kishave të Europës, që të gjithë vendet e shenjta, çfarëdolloj qofshin ato, kisha, xhami teqe, duhet t’u kthehen komuniteteve fetare që ju përkasin”, deklaroi Kryepeshkopi. Janullatos I kujton shtetit shqiptar se ka firmosur një marrëveshje ku angazhohet t’I rikthejë të gjitha monumentet që kanë ngelur dhe që I takojnë kishës ortodokse. Dhe gjykatat, nënvizon kryepeshkopi, janë pjesë e shtetit.
Onufri, Kisha e Valshit përballë Janullatosit dhe albanofobisë
Refleksione për ditën e zezë të 6 shkurt 1967/
Nga Hyqmet ZANE/
Zhurma e madhe për dëmet e shkaktuara në kishën e Valshit në zonën e Shpatit ku ka afresket e tij Onufri i madh, më shtyu si zhqiptar i mirë që të jemë visitor i saj në këto ditë të para të shkurtit. Kisha vite që nuk kisha vizituar këtë fshat, në zemër të të cilit ndodhet edhe kisha e famshme për nga pasuria që ka brenda saj, megjithëse e vogël në përmasa. I shoqëruar edhe nga një grup televizioni që donin të bënin punën e tyre, u bëra dëshmitar i jetës së kësaj zone të lashtë dhe të mbushur me histori. Ishte e treta herë që bëhesha visitor i fshatit të Valshit ku ndodhet kjo kishë e rrethuar me një gjelbërimi tipik malor, por në një pozicion të favorshëm që dinë t’i zgjedhin mjeshtrat e mëdhenj si Onufri.
/Në vend të hyrjes/
Që nga viti 1978 kur unë nisa rrugëtimin e viteve të punës si mësues në Zavalinën e largët të Shpatit, më ra në mend se puna e duarve të mjeshtrit të madh të pikturës dhe ikonografisë, do të duhej të ishte një kishë e madhe, por më shumë se ndërtesa, jo e madhe ishte puna, produkti prej artisti i Onufrit.
Afresket e shenjtorëve të kishtërimit ishin shumë e shumë herë më të vlefshme se vlera e një ndërtimi kishe. Në atë kohë kur isha mësues kisha bërë një vizitë edhe tek kjo kishë së bashku me kolegët e mij Devi Paparisto dhe Muç Xhepa
Dëbora kishte mbuluar anemanë fshatin nuk na pengoi që të shihnim faktin se në brendësi të kësaj kishe ishin afresket nga dora e Onufrit të madh. Ishte një kishë që në atë kohë mbrohej nga shteti. Por aksioni i madh komunist që nisi pas 6 shkurtit 1967 për prishjen e kishave dhe xhamive, kishte bërë të vetën.
Injoranca e kohës e kishte kthyer në depo drithi me një sabotim të madh që vinte edhe nga mosmirëmbajtja. Po nuk kishte sesi të mos të tërhiqte vëmendjen piktura, ngjyra, bukuria, mjeshtëria e Onufrit. Ishte tentuar që të vihej dorë për ndonjë restaurime, por ai ishte bërë nallbançe
O Zot, thashë me vete, edhe pse e dija që nuk duhej të manifestoja asnjë shenjë besimi, kur do të mendosh edhe për ne. Isha një besimtar, por jo i shpallur, se frika bënte të vetën dhe pasojat do të ishin skandaloze. Muçi mu afrua dhe më
thotë tek veshi “e shikon çfarë perle që janë këto” dhe ashtu natyrshëm bëri
indiferentin. I thashë Muçit nga ana ime “më fol për të’ dhe ai më rrëfen me atë mënyrën e tij brilante të të rrëfyesit.
/Tregimi nga Muç Xhepa/
“Isha ulur mbi një gur, – fillon te tregoje Muçi, – dhe në oborrin e shkollës,
(në valsh) për rreth shoh gurë të ngulur në tokë, disa të thyer e të tjerë në
pozicione të pjerreta. Pyes një koleg vendas. I ndrojtur ai më thotë se ka qenë varrezë. Ja atje tej është kisha, dhe bën me dorë. “Kisha e Shën e Premtes”. Sa shumë pata dëgjuar për Onufrin nga miqtë e mi piktorë. Kureshtja e mbyti frikën.
A mund ta shikoj e pyes? ‘Nuk ke çfare shef se e kane kthyer në magazinë, por meqë ke deshirë, shkojmë nesër pas mësimit, – më thotë kolegu.
Ashtu bemë. Hymë brenda dhe i mahnitur shikoj për herë të parë afresket, Shën Spiridhonin dhe Shën Mërinë. Onufri i madh, piktori i shekullit XVI, Onufrin nga Elbasani, ikonografi nga qyteti ynë kishte zbukuruar muret e kishës se vogël me ngjarje ungjillore. Plot talent e shije ai kishte pikturuar portret e shenjtëve me tiparet e malësorëve të Shpatit, njerëzve me të cilët kishte jetuar. Ato janë plot jetë. Afresket janë kombinim i disa ngjyrave bazë që pasurojnë koloritin duke e bërë të butë e të ëmbëlt. Arti i mjeshtrit të madh, rilindasit tonë të parë i përmasave europiane, është po aq i madh sa dhe ai i përtej Adriatikut.
Por, ndërsa andej veprat e artit ruhen me fanatizëm dhe shikohen prej vizitorësh nga të katër anët e botës, këtu antinjerëzit, diktatura e proletariatit i ka lënë të rrënohen me qëllim, duke e kthyer kishën, shtëpinë e Zotit, në
magazinë. (?!) Dhe krahësoje me këta malesorë fisnike e trima të Shpatit që e kanë ndërtuar dhe mbrojtur këtë kishë në periudhën më të egër të sundimit Osman, kur hordhitë aziatike po shfarosnin kombin e Gjergj Kastriotit, Iliret
autoktonë. Kjo kishë 500 vjeçare (daton rreth vitit 1554- 55) është nje monument kulturor që ndonëse me përmasa të vogla ka vlerë shumë të madhe. Është një nga të paktat kisha që i ka mbijetuar periudhës Otomane, por si duket nuk do t’I mbijetojë pushtimit komuniste. Disa nga afresket kanë pesuar përkeqësim nga mosmirembajtja dhe me kalimin e kohës do të humbin vlerat që kanë”.
Këtu miku im e ndërpreu rrefimin tij. Rrugës në afërsi të Gjinarit, në kamionin me te cilin udhëtonim, hipën disa njerëz të panjohur.
Realiteti
Të gjitha këto mu kujtuan këtë ditë të vizitës dhe menjëherë më erdhi në mendje se që nga ajo kohë, asgjë nuk kishte ndryshuar në pamjen e parë të kësaj kishe.
Po ajo ndërtesë, e njejta kishë, pa asnjë riparim, edhe pse kanë kaluar 22 vjet
nga ndryshimi i sistemit dhe shumë ndryshime të tjera kanë ndodhur. Duke qenë I shoqëruar nga ata të televizonit, ndjeja se sa pak paska ndryshuar mentaliteti edhe i vetë njerëzve që nuk tregonin ndonjë interes për kishën e tyre, po aq sa edhe vetë KOASH dhe hirësia e tij Janullatos që është në krye të kësaj kishe.
Kur mendoj se sa miliarda lekë janë hedhur në Katedralen e Tiranës apo sa kisha të tjera janë ndërtuar në të gjithë Shqiëprinë, bile edh enë Peqin, ku ka po nuk ka më shumë se tre familje ortodokse, si është e mundur që nuk është treguar asnjë interes për këtë kryevepër shumëshekullore që duhet të ishte në vendin e parë të listës së restaurimit të kishacve nga vetë Janullatosi si kryepeshkop..
Jamë ndeshur edhe herë të tjera me realitete të tilla, kur nga njera anë
Janullatos kërkon pronësëinë e saj në emër të KOASH si për shembull kisha Shën Maria e kalasë në Elbasan drejtohet nga famullitari At Nikolla Marku dhe harrohet krye vepra e Onufrit. Ndërsa për këtë kishë të Onufrit në Valsh më e vjetër ndoshta edhe se çdo kishë tjetër në Shqiëpri, ashtu si edhe ajo e
Shelcanit, ku përsëri është dora e mjeshtrit të madh, Janullatos nuk tregon
asnjë përkujdesje, asnjë investim, asnjë vëmendje. Përse kështu, pyeta veten. Në një kohë që eksarku Janullatos nga Greqia merret edhe me politikë dhe bën edhe zyrtarin grek në Shqiëpri, bën kujdes për varrezat e ushtarëve pushtues grekë që janë vrarë si armiq, ka harruar të verë dorë mbi këto kisha autoktone që kanë vulën shqiprtare dhe që janë të patjetërsueshme nga orgjinaliteti shqiptar që ato kanë.
Nuk është rastësi, por është strategji tipike greke, është hakmarrja e grekut Janullatos ndaj kombëtarizmit të kishës ortodokse shqiptare pa ndikime greke.
Nuk dua të akuzoj, por po analizoj realitetin që ka ndodhur, se edhe në kishën e Shelcanit gjithështu nuk është vënë dorë, por gjithçka i ka mbetur kohës dhe degradimit. Më keq akoma tek kisha e largët e Valshit.
/Opinioni im/
Dëmtimet e këtyre afreskeve nuk më habisin, por më trondisin. Më është krijuar bindja se një dorë e zezë është bërë kaq e kujdesshme sa vjen në një vend të fshehtë si kisha e Valshit dhe prish dorën e Onufrit të madh. Nga njera anë do të doja që vetë banorët e Valshit të kishin treguar të paktën dëshirën e mire për të mirëmbajtur ambjentet e jashtme të kësaj kishe, territorin e saj. Nga jashtë kjo kishë të lë përshtypjen e një ndërtese të zakonshme fshati, në një kohë që dihet se brenda saj ndodhen “pasuritë” e një mjeshtri të madh që sot janë pasuri kombëtare me vlera europiane. Duket se ateizmi dhe diskriminimi I fesë ka bërë vend në shpirtrat e prishur edhe të kësaj zone. Edhe banoërt që pyesnim gjatë rrugës nuk tregonin ndonjë interes për kërkesat tona.
Por më shumë se kaq, ligësia e Janullatosit që bën kujdes për të vendosur shishe me mbishkrime në gjuhën greke në themelet e kishave të reja të ndërtuara në këtë periudhë, po aq sa tregon kujdes për t’iu kundërvënë At Nikollë Markut përse ai mban qëdnrime për JO-greqizimit të kishës shqiptare, nuk bën asnjë kujdes për të harxhuar ca para për restaurimin e kishave të tilla të vogla por me një botë të madhe euroipanizimi nga dora e Onufrit të madh.
Kam frikë qe edhe prishja në këtë kishë mund të jetë vepër e proositur nga
antishqiptarët që kanë objeksione të qarta për të prishur autoktoninë e kishave dhe veprave të tjera vetëm e vetëm që të mos ekzistojë vërtetësia e
shqiptraizimit të kishave të themeluara pa ndikime greke. Edhe vjedhja e
këmbanares së kishes së Shelcanit pak kohë më parë, që ishte një nga më të
vjetrat, dhe zëvendësimi i saj me një tjetër këmbanare të vogël në përmasë të
ardhur nga Greqia, janë vepra të qëllimshme dhe të studiuara nga mendjet
antishqiptare veçanërisht ato greke që kanë herezi ndaj shqiptarëve. Gjtihashtu mund të them se herezia e Janullatosit ndaj Imzot Fan Nolit apo mos përmendja asnjëherë e Kryepeshkopit të parë të Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare (KOAKSH) Hirësia e tij At Visarion Xhuvanin, janë pjesë e skenarëve antishqiptarë që kanë hyrë si dorë e zezë në relogjomn ortodoks shqiptar. Këtu pikërisht mendoj se shteti duhet të ndërhyjë me strukturate veta për të dhënë drejtësinë e këtij realiteti për të mos lënë në harresë Onufrin e madh dhe autoktoninë e kishave shqiptare.
/Epilog/
Lexoja një ditë një citim të nxjerrëdiku që thoshte “Nuk ka kuptim të lësh dicka të shkojë kur e ke pasur për një kohë te gjatë. Por gjithashtu nuk ka kuptim të presësh dhe të shpresosh kur nuk ka mbetur më asgjë aty”. Onufri i madh ekziston dhe ka qenë pjesë e jona së bashku me kishat si në Shelcan e Valsh, ashtue dhe në Berat, ku ai ka lënë pasuritë e tij. Ekzistenca e kësja pasurie na obligon dhe na jep leksionin e parë se Europa që e duam shumë do të dijë të vijë edhe në këto monumente me vlera ndërkombëtare, duke pasur poara së gjithash edhe ndonjë guidë vlerash që posedojnë shqiptarët. Mos pasja e një guide të tillë edhe për kishat tona autoktone dhe të lashta, është një tjetër e keqe e qëllimshme e kryepeshkopit aktual, dijet e të silit në teologji dhe si profesor shumëzohen me zero, kur ato i shërbëjnë djallit dhe jo vlerave të vërteta që prishen netëve pa hënë. Në këtë mënyrë i madhi Onufi ynë i shquar dhe duar artë, së bahsku me kishat dhe afresket ku ai ka punuar si në Valsh e Shelcan apo Berat, ndodhen përballë albanofobisë ballkanike dhe vetë përballë janullatosit që hesht dhe bën sehir për realitetin antishqiptar.
E dergoi per Diellin:Rasim Bebo