Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nga aeroporti i Rinasit, ku dhe do të jetë ndalesa e parë e Papa Françeskut, bëri të ditur detajet e përgatitjeve që janë ndërmarrë për vizitën e Atit të Shenjtë.
‘‘Si çdo familje që kujdeset dhe bën disa përgatitje të veçanta për një mik të shtrenjtë, edhe qeveria shqiptare, në këto dy muaj, u mobilizua për të pritur Mikun e shtrenjtë, dhe të gjithë miqtë e tjerë që vijnë për këtë ngjarje me përmasa botërore’’ deklaroi Ministrja, ndërsa theksoi se, për të realizuar të gjitha projektet me rastin e ardhjes së Atit të Shenjtë, nuk ka qenë e lehtë.
‘‘Jemi më pak se 24 orë nga ardhja e Papës që ndalesën e parë do e ketë pikërisht këtu në këtë sallë të aeroportit e cila është rinovuar së fundmi edhe për të pritur Atin e Shenjtë, që vjen nesër, në përgjigje të ftesës personale të Kryeministrit Edi Rama. Pohoj që nuk ka qenë e lehtë që në një kohë kaq të shkurtër të realizonim gjithë objektivat e projektet tona, jo sepse nuk dimë a nuk mundemi, por sepse nuk mendonim që kjo ngjarje të reduktohej veç në protokollin e një dite, por në ngjarjen e kësaj vjeshte e të këtij viti: për Tiranën, për Shqipërinë, për shqiptarët, për rajonin, ngjarje me shumë dimensione: kulturore, shpirtërore, sociale dhe historike”, tha Kumbaro.
Kjo ishte arsyeja, vijoi ajo, pse përshpejtuam punimet rehabilituese në disa zona, siç është Sheshi Nënë Tereza dhe zona përreth, Pallati i Kongreseve, Muzeu Historik, Aeroporti. Kjo ishte arsyeja pse ndërtuam një kalendar shumë të pasur kulturor i cili u shtri jashtë kryeqytetit dhe vazhdon përtej datës 21 shtator.
Më tej, ministrja Kumbaro i ka drejtuar një falënderim të veçantë të gjithë atyre që kontribuan për realizimin e të gjitha projekteve. ‘‘Sot kthejmë kokën pas në këto javë pune intensive, dhe me cilësinë e Kryetares së Komisionit të Shtetit për organizimin e kësaj vizite, nuk mund të mos falenderoj për bashkëpunimin shembullor, të gjithë ata që kontribuan dhe vazhdojnë ende të punojnë me intensitet, me qëllim që çdo gjë të shkojë me sukses të sigurt deri në minutën e fundit’’, tha Kumbaro.
‘‘Më lejoni të shpreh mirënjohje veçanërisht për Kishën Katolike shqiptare me të cilën kemi ndarë në këto javë vështirësitë dhe arritjet dhe kemi qenë plotësisht të koordinuar për të kapërcyer çdo vështirësi, Nunciaturën e Vatikanit dhe Protokollin e shtetit të Vatikanit për të dakordësuar çdo element, citon deklarata e ministres Kumbaro. “Një falënderim me gjithë zemër shkon për të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare, dhe krerët e tyre: Komunitetin Mysliman, Kishën Ortodokse dhe Komunitetin Bektashi, për bashkëpunimin, komunikimin, mbështetjen dhe kontributin e tyre esencial në ndërtimin e kësaj fryme të një harmonie reale.
Sipas Kumbaros, kjo frymë bashkëpunimi ndërfetare me komunitetet kulmon sot me hapjen e një ekspozite krejt të veçantë, organizuar nga Ministria e Kulturës, dhe që titullohet BESIM, e që nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama përurohet sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozitë që do të jetë e hapur gjatë gjithë muajit tetor.
Për orët në vijim, Kumbaro u bëri ftesë të gjithë qytetarëve që do të jenë në Tiranën e Meshës së Shenjtë të ditës së nesërme, të dëshmojnë atë bashkëjetesë fetare për të cilën lëvdohemi.
“Po kështu i bëj thirrje të gjithë qytetarëve, këmbësorë dhe drejtues të mjeteve, të ndjekin me vëmendje të gjitha udhëzimet që kemi shpërndarë në media dhe rrjetet sociale, lidhur me lëvizjet dhe kufizimet e lëvizjeve, me pikat e shërbimit, me itineraret e përcaktuara. Stafet tona të angazhuara, policia e shtetit dhe vullnetarët që ndihmojnë në organizim, do të jenë pranë jush, me shenja dalluese për t’ju orientuar, por kërkojmë dhe bashkëpunimin e gjithsecilit, për mirëkuptim, durim, dhe buzëqeshje”, vijoi ajo.
Sipas Kumbaros, vizita e Atit të Shenjtë është një ngjarje e rrallë, jo vetëm për botën katolike, por për botën mbarë. Dhe Shqipëria do të di ta justifikojë se e meriton të jetë në qendër të vëmendjes së botës(K0rtezi-ATSH)