Kerry: SHBA, krah Shqipërisë në rrugën e reformave; Rama: Në mars votojmë ndryshimet për reformën në drejtësi/
TIRANË, 14 Shkurt/ATSH-Maela Marini/.- “Reforma në drejtësi ka një rol kyç për qëndrueshmërinë dhe rezultatet e çdo reforme tjetër në Shqipëri”.
Kjo u konfirmua nga Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp në selinë e kryeministrisë, me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Kryeministri Rama vlerësoi ndihmën e SHBA-së për kryerjen e kësaj reforme, si dhe garantoi se “marsi do të jetë muaji kur do të votohet në Kuvend paketa e ndryshimeve Kushtetuese për reformën në drejtësi”.
Rama-Kerry-konference shtypi Foto Flori Abazi (3)“Diskutuam në veçanti për reformën në drejtësi. U jemi mirënjohës SHBA-së për ndihmën e çmuar që i kanë dhënë vendit tonë në rrugën e kësaj reforme dhe për punën e palodhur të ekspertëve amerikanë në ekipin teknik të reformës. Objektivi ynë i përbashkët është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese. Kam besim që do t’ja dalim dhe fakti që nuk jemi vetëm, por me SHBA në krah e bën të pakthyeshëm këtë sukses”, deklaroi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, deklaroi se zhvillimi i mëtejshëm i partneritetit mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, do të luaj një rol kyç në sigurinë e rajonit. Rama shtoi se shqiptarët u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara, pasi pa ta, shqiptarët në tërësi nuk do të ishin më të respektuar se kurrë më parë.
Rama-Kerry-konference shtypi Foto Flori Abazi (5)“Ne shqiptarët ndajmë me SHBA-në një histori të re marrëdhënie shumë të ngushta që në prill të vitit të kaluar njohën zhvillim të ri përmes dokumentit të Partneritetit Strategjik. Është e vetëkuptueshme se lidhja jonë speciale me SHBA-në na jep përgjegjësi të posaçme në rritjen e sigurisë. Prandaj shqiptarët u janë besnikërisht mirënjohës SHBA”, tha Rama.
Lidhur me bashkëpunimin dypalësh në fushën e zhvillimit ekonomik, Rama u shpreh se “ka një rritje të interesit të kompanive amerikane ndaj Shqipërisë”, ndërsa u zotua se “do të mbështesim fuqimisht shtimin e pranisë së tyre në vendin tonë”.
“Një prej pikave të bisedës ishte siguria energjetike. E informova Sekretarin e Shtetit për ecurinë shumë pozitive të projektit tonë të ndërveprimit rajonal në këtë fushë dhe rolin që Shqipëria është gati të luajë, si një pikë ndërlidhëse këtu në Ballkan me tregun europian të energjisë, në veçanti nëpërmjet gazsjellësit Trans-Adriatik. Po ashtu, edhe për rëndësinë e veçantë që ne i japim shtrirjes së linjës së gazit, lart në korridorin Adriatiko-Jonian, si një domosdoshmëri strategjike, për integrimin rajonal, në kuadrin më të gjerë të integrimit europian dhe euroatlantik”, deklaroi Kryeministri.
Kryeministri Rama theksoi se në fokus të bisedës ishte edhe thellimi i bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm, edhe si pjesë e koalicionit botëror kundër ISIS. “E informova Sekretarin për masat e fundit që ka marrë Shqipëria në këtë drejtim, për forcimin e kuadrit ligjor, për punën e agjencive ligjzbatuese, për miratimin së fundmi dhe fillimin e zbatimit të strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm, si dhe për bashkëpunimin rajonal në këtë kuadër”, tha ai.
Sa i përket zhvillimeve në rajon, ai tha se “jemi tejet të kënaqur që Mali i Zi është ftuar në NATO, dëshirojmë shumë edhe të njëjtën gjë për Maqedoninë”. “Ndërsa Kosova dhe Serbia do vazhdojnë dialogun e tyre për të shkuar drejt normalizimit. Ne do ta intensifikojmë bashkëpunimin me SHBA për konsolidimin e zhvillimit demokratik jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje. Në rajonin tonë rrjeti i bashkëpunimit nuk ka qenë asnjëherë më aktiv. Tirana ka ambicien të jetë gjithnjë e më shumë zëri i paqes”, tha Rama.
Ai deklaroi gjithashtu se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është një dialog i lehtë por është pa diskutim e vetmja rrugë për të arritur suksesin.
Kerry: SHBA, përkrah Shqipërisë në rrugën transformuese të reformave
Rama-Kerry-konference shtypi Foto Flori Abazi (2)Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Kerry vlerësoi se “Shqipëria është në rrugën e duhur të reformave, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit, korrupsionit dhe forcimit të ligjit dhe shtetit ligjor”.
Duke inkurajuar reformat në Shqipëri, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry shprehu bindjen se paketa e refomës në drejtësi, që është duke u shqyrtuar do t’i japë një goditje krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.
“Kjo kërkon mbështetjen e çdo shqiptari. SHBA janë të gatshme dhe unë jam këtu për t’ju konfirmuar se ne jemi përkrah jush në këtë transformim, por në fund, vetëm shqiptarët mund t’i miratojnë ligjet”, deklaroi sekretari Kerry.
Rama-Kerry-konference shtypi Foto Flori Abazi (6)Ai vlerësoi se “Shqipëria ka bërë shumë përparim”. “Nuk është e lehtë të ndërtosh një demokraci të fortë dhe është puna e shumë dhjetëvjeçarëve. Shqipëria ka bërë përparim domethënës dhe është qartazi e angazhuar. Nuk ka asnjë mëdyshje se ajo do të mbështetet te SHBA”, tha Sekretari Kerry.
Kerry apeloi që gjyqtarët dhe prokurorët t’u përmbahen rregullave dhe të gjithë të trajtohen me drejtësi, pavarësisht se cila parti është në pushtet”.
Duke u ndalur te marrëdhëniet dypalëshe, Sekretari Kerry u shpreh se “Presidenti Obama më ka thënë që të kujdesemi për Shqipërinë”. “Ndodhem këtu sepse jemi miq. Ne jemi aleatë dhe kemi interesa të përbashkëta. Ne përkujtojmë 25-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike. Shqipëria ka qenë në koalicionin kundër ISIS që nga fillimi dhe po qëndron bashkë me ne në Afganistan. Shqipëria nuk është thjesht një mike. Shqipëria është një vend anëtare e NATO dhe kjo sjell përgjegjësi të veçanta për rajonin”, tha ai, duke shtuar se “Shqipëria është duke lëvizur në rrugën e duhur”.
Mesazhi që la sekretari Kerry në librin e përshtypjeve në Kryeministri
Tirane, 14 Shkurt/ATSH/.- Në kryeministri, sekretari Kerry la sot edhe një mesazh në librin e përshtypjeve.
“Faleminderit popullit shqiptar për pritjen jashtëzakonisht zemërgjerë në vendin tuaj të bukur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë krenare për miqësinë tonë. Shqipëria është një aleate e shkëlqyer e NATO -s. Një partner në luftën kundër ekstremizmit dhe një mike e shkëlqyer. Përshëndetjet më të përzemërta. John Kerry”.