• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PAK SOLIDARITET, JU LUTEM!

December 20, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Kjo nuk është një thirrje fetare, megjithse fetë kryesore të botës e kanë si pjesë të mësimeve të tyre, por në botën e fillim shekullit të 21, është më tepër një thirrje njerëzore.  Është një apel njerëzor dhe një domosdoshmëri kombëtare dhe ndërkombëtare, aq sa madje edhe Asambalea e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka vlerësuar rëndësinë e saj duke caktuar 20 dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare kushtuar Solidaritetit njerëzor në botë.  Në të vërtetë, solidariteti është identifikuar në Deklaratën e Millenium-it të OKB-esë, si njëra prej vlerave më themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit 21, ku thuhet se ata që vuajnë dhe përfitojnë më pak nga shoqëria ku jetojnë dhe nga mungesa e të mirave të kësaj bote, meritojnë ndihmë më të madhe nga ata që përfitojnë më së shumti, të privilegjuarit e shoqërisë.   Të bindur pra se promovimi i një kulture të solidaritetit njerëzor, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar, Asamblea e Përgjithshme eKombeve të Bashkuara duke shpallur Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit, ka venë në dukje rëndësinë që duhet t’i kushtohet solidaritetit njerëzor nga vet OKB-eja por edhe nga vendet anëtare të saj. 

Megjithse OKB-eja caktoi 20-dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit më 20 dhjetor të vitit 2002, solidariteti njerëzor, të pakën parimisht, ka qenë pjesë e punës dhe e veprimtarisë së Kombeve të Bashkuara ç’prej fillimit të ekzistencës së kësaj organizate botërore.  Dihet se krijimi i OKB-esë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ishte një përpjekje për të mënjanuar një luftë tjetër botërore dhe për të bashkuar popujt dhe kombet e botës në një front të përbashkët solidariteti me qëllim promovimin e paqës, të drejtave të njeriut, zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, në mbarë botën.  Është pikërisht, “fryma e solidaritetit” ajo në të cilën OKB-eja mbështet, “bashkpunimin për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare të karakterit ekonomik, shoqëror, kulturor dhe humanitar”.   Ishte pra, rezoluta (60/209) e 22 dhjetorit të vitit 2005 e Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, dokumenti që identifikoi solidaritetin si vlerën bazë universale që duhet të përcaktojë marrëdhëniet midis popujve, në shekullin e 21.

            International Human Solidarity Day 20 December

  Prandaj Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është një ditë për të festuar bashkimin megjith ndryshimet politike, kulturore e tjera; është një ditë për t’u kujtuar qeverive të shteteve anëtare të OKB-esë që të respektojnë angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare; është një ditë për të theksuar rëndësinë e solidaritetit shoqëror dhe politik; është një ditë për të debatuar mbi mënyrat për promovimin e solidaritetit midis njerëzve, dhe më në fund, është një ditë për të inkurajuar — me vepra — ndërmarjen e nismave të reja në përpjekje për të zhdukur varfërinë dhe për të promovuar një diskurs politik në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen vendet anëtare të OKB-së në veçanti dhe mbarë bota në përgjithësi, në fillim shekullin e 21.

Po si u shënua Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit njerëzor në botën shqiptare?!  Fatkeqsisht, ishte kjo një javë pa solidaritet, tepër e acaruar politikisht, një javë që jo vetëm nuk u karakterizua nga solidariteti njerëzor e vëllazëror, por ishte një javë që solli konflikt dhe mos pajtim në nivelet më të larta politike të Shqipërisë dhe si rrjedhim edhe në botën shqiptare në përgjithësi mbretëroi një atmosferë zhgënjimi, pasi ajo që ndodhë në Tiranë, për mirë ose për keq, fatkeqsisht, gjithmonë pasqyrohet domosdoshmërisht anë e mbanë trojeve shqiptare, e madje edhe në diasporë.  Ishte një javë kur pamë se në mungesë të institucioneve të forta me traditë demokratike dhe në mungesë të solidaritetit njerëzor dhe mbi të gjitha atij shqiptar, gjëndja politike u përkeqësua aq shumë sa që në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit flitet, jo për solidaritet dhe bashkpunim kombëtar, por për konflikte të reja midis palëve politike. Zot ruajna!  

As solidariteti kombëtar, as pajtimi kombëtar dhe madje as diksursi politik midis shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet të imponohet nga të huajt.  Kjo është diçka që duhet të ndërmerret nga vet shoqëria shqiptare dhe nga insitucionet e saj legjitime. Solidariteti midis palëve është një vlerë universale – ashtu siç e ka përcaktuar Organizata e Kombeve të Bashkuara për të gjitha vendet anëtare të saj — që duhet të bëhet pjesë e pandarë edhe e shoqërisë shqiptare.  Mbi të gjitha, është detyrë dhe përgjegjësi e kësaj klase politike të këtyre 27-viteve të fundit dhe e institucioneve të saj që të mos i fryjnë erës së konfliktit dhe të mos pajtimit politik dhe kombëtar, por të vendosin një frymë solidariteti, besimi dhe bashkpunimi midis palëve, për të evituar konflikte të mundshme në të ardhmen.  Ka ardhë koha që politika shqiptare të përballet me të vërtetën që po ndodhë në vend dhe të distancohet njëherë e mirë, qartazi dhe prerazi, duke gjetur zgjidhje bazuar në dialog, për konfliktet dhe mosmarrëshjet që kanë pllakosur atë vend për vite tashti, dhe bashkërisht të gjitha palët, në solidaritet me njëra tjetrën –të vendosin paqën, qetësinë dhe sigurinë për të gjithë.  Shqiptarët sot nuk kanë paqë!  Nëna Tereze, simboli jo vetëm i shqiptarëve për solidaritet, por edhe simboli botëror për mirësi, bamirësi e solidaritet njerëzor në mbarë botën, ka thënë se, “Nëqoftse nuk ka paqë, kjo ndodhë sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit”.

 Si shqiptarë, duam a s’duam, i përkasim njëri tjetrit, jemi të lidhur me njëri tjetrin dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe si të tillë duhet të tregojmë solidaritet ndaj njëri tjetrit, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit, por gjithmonë, pike së pari si njerëz por në rend të parë edhe si shqiptarë.  Apeli në këtë Ditë Ndërkombëtare të Solidaritetit është që t’i jepet fund kësaj atmosfere politike përçarëse dhe konfliktuale në radhët e politikës shqiptare kudo, si e vetmja alternativë për të cilën ka nevojë kombi shqiptar – në këtë fazë historike të tij, në fillim shekullin e 21-të — për të siguruar paqën, sigurinë, mirëqenjen dhe zhvillimin shoqëror dhe ekonomik afat-gjatë — në solidaritet me njëri tjetrin– si përgjegjësi dhe detyrim i përbashkët për arritjen e objektivave madhore të kombit.  Ka shumë për t’u bërë, por si të shënohet përparim në një atmosferë politike aq të acaruar, aq konfliktuale dhe përçarëse, si ajo që pamë këtë javë në Kuvendin e Shqipërisë?

 Jam i vetdijshëm se megjithse shumë prej nesh e admirojmë Nënë Terezën — jo vetëm si simbol i solidaritetit shqiptar dhe botëror –por siç ka thënë Papa Françesku, shembull i një njeriu që është përpjekur të “krijonte një botë të re, bazuar në solidaritet dhe përkujdesje ndaj të tjerëve” – ne nuk jemi Nënë Tereza dhe nuk mund të arrijmë gjërat që ajo ka realizuar.   Por secili prej nesh, kudo që jetojmë, në shoqëri me konflikt ose me më pak konflikt, e kemi rolin tonë për ta luajtur, “duke ndezur një qirinj, drita e të cilit do t’a mund errësirën” e konfliktit dhe të përçarjeve politike, nëqoftse jetojmë dhe veprojmë në solidaritet me njëri tjetrin.   Ky është edhe mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Soldaritetit!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Ju lutem, PAK SOLIDARITET

Një pyetje, ju lutem!

June 28, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Sikur ditën e mbërritjes së Kombëtares sonë në Tiranë, dikush të kishte qënë jo jashtë Shqipërisë por dhe jashtë planetit, për një kohë të gjatë, si fjala vjen astronaut në hapësirë; apo, Zoti mos e dhëntë, të kishte qënë në gjendje kome dhe të zgjohej i shëndetshëm atë ditë. Për rastësi, sa të hapte sytë, të përballej me ekranin e televizorit që po transmetonte kronikën e kthimit të Kombëtares; pritjen në aeroport nga vetë kryeministri; entusiazmin e sportdashësve gjatë rrugës për tek Bashkia; më pas tek minitria e Jashtëme, ku u pajisën me pasaporta diplomatike, në Kreyministri e të përfundonte tek darka madhështore që shtroi kryeministri me tërë ata të ftuar. (Më bëri përshtypje si nuk u ndalën dhe tek ministria e Brendëshme për t’iu dhënë Tahiri nga një pistoletë, se helbete, në këtë botë jallane, tërë krime nuk është keq ta kesh një të atillë). Të dëgjonte, më pas dhe fjalimin patetik të kryeqeveritarit…Shkurt, për të mos u zgjatur më tej, pa pikë dyshimi, ai do të pyeste: “Ç’ka ndodhur? Ç’trofe kemi fituar që po bëhet tërë ky manifestim i jashtzakonshëm, si asnjëherë tjetër?…Dhe, kur t’i thoshin se si qe e vërteta, që ne jo vetëm që s’fituam ndonjë kupë, por u eliminuam që në raundin e parë, ai do habitej e nuk do t’iu besonte dot syve e veshëve të vet: “More po ju pyes se ç’është tërë ai ekzaltim, se unë e kam mëndjen në rregull? Nuk ka mundësi që tërë kjo që po shoh të bëhet se kemi humbur…Sikur nuk kam dëgjuar ndonjëherë që njerëzit të gëzohen jashtë mase për një rezultat të tillë siç po më thoni ju…”.

Tani, le ta lëmë mënjanë fantazinë dhe të kthehemi tek realiteti. U fol e po flitet aq shumë për këtë veprimtari sa e ke vështirë në mos të pamundur, që të thuash diçka të re, siç po guxoj unë. Për më tepër që nuk njihem as si specialist sporti apo dhe as si ndonjë tifoz i madh. “Po atëhere, ç’dreqin ke që fut hundët këtu?!” – mund të shfrynte dikush, mbase dhe me të drejtë, paçka se sporti e sidomos futbolli nuk luhet vetëm për specialistët apo tifozët e apasionuar. Por, e mora këtë guxim për një arsye fare të vogël, për t’iu drejtuar lexuesve që mund të lexojnë këto radhë, me një pyetje fare të thjeshtë: duke parë tërë ato ceremonira, atë pompozitet e ekzaltim deri në histeri të gjithë piramidës sonë shtetërore, sinqerisht do të doja të dija se ç’do të ndodhte, ç’do të bënte kryeministri e turra që i shkon pas, sikur ne të kishim fituar, në mos kupën, të paktën të mos kishim dështuar që në raundin e parë?

Unë i ndoqa me interesim e emocion ndeshjet, qysh kur luftohej për klasifikim. Rastësisht u ndodha në një grumbull goxha të madh shqiptarësh, në Daun Taun, të Manhatenit, për të ndjekur ndeshjen me Sërbinë. Entusiazmi qe i jashtzakonshëm. Çdo sulm i yni përcillej me brohoritje që frenoheshin nga mos arritja e qëllimit. Jo vetëm kaq, por një djalosh i ri, jo vetëm që brohoriste me sa zë që kishte por ftonte turmën e mbledhur që ta shoqëronte në thirrjen e tij:”Shqipëri Etnike”. Se ç’hynte kjo parrullë atje edhe mund të mos e merrje vesh, por mbase me që kombëtarja jonë qe e përbërë nga tërë trojet shqiptare dhe jo vetëm nga Shqipëria shtetërore. Por tërë ai ekzaltim i jashtzakonshëm u shua si me magji pas dy golave që pësuam në fund të ndeshjes. Sinqerisht që m’u dhimbsën ata djem të rinj që ishin djersitur duke bërtitur gjatë ndeshjes dhe u zhgënjyen keqas nga fundi i pakëndshëm. Ne u larguam nga sheshi ku ndoqëm lojën të heshtur e kokëulur, si të na kishte ndodhur gjë. Nuk them që të mos e ndjekim ndeshjen me emocion apo dhe të mos shpërthejmë herë pas here me thirrje entusiaste. Por, kur mbaron loja, vendin e entusiazmit spontan duhet ta zërë logjika e ftohtë, aq më tepër kur je person publik e sidomos i veshur me pushtet, për më tepër kryministër i vendit.

Nga gjithë sa më sipër, absolutisht nuk mohoj lojën e bukur të futbollistëve tanë, shpirtin e tyre luftarak që meritonte vërtet vlerësimin maksimal, paçka se nuk na eci fati, gjë kjo më se normale në futboll, se jo më kot thonë se “topi është i rrumbullaktë”. Por mbas ndeshjeve, siç thashë dhe më lart, vendin e emocioneve duhet ta zinte analiza logjike, duke u përpjekur t’i përgjigjeshim pyetjeve se ku gabuam e ç’duhet të kishim bërë më tepër që të fitonim. Ndryshe, po vazhdove edhe më tej entusiazmin, është njëlloj si të gëzoheshin mjekët e sidomos të afërmit e ndonjë pacienti, nga që “operacioni doli me sukses, por… i sëmuri vdiq”. Pra, të ngopesh me lugë bosh.

Kjo më kujton një histori tjetër që tregohej në anët tona. Një i varfër, pa asnjë qindarkë në xhep, kishte ditë pa futur gjë në gojë. Tepër i uritur, trokiti në një derë e kërkoi diçka për të ngrënë. E zonja e shtëpisë, e keqardhur për të, i jep një lugë me gjalpë, duke i  kërkuar ndjesë se në atë moment nuk i ndodhej gjë tjetër. Ai e mori gjalpin, pasi e falenderoi atë që ia dha dhe vazhdoi rrugën. “E ç’do më bëjë ky çikë gjalpë mua, tha me vete, as që ma shuan dot urinë. Ndaj, me të, po lyej buzët poshtë e lart, që jo vetëm mos të dukem i uritur por edhe sikur jam shqepur në të ngrënë, që të mos iu bëhet qejfi por të pëlcasin ata që më kanë inat”.

Pyetja që shtrova më lart e kishte një mesazh por mos pandehni se unë, si dhe ju që mund të më lexoni, nuk e kuptojmë pse u bë gjithë ajo zhurmë e pse kryeministri ynë nuk kurseu jo vetëm fjalët e bukura por edhe milionin e eurove për kombëtaren tonë të pafat. Në stadiumin e ri, premtoi ai, do të vendoset një pllakë përkujtimore, me emrat e çunave…”.  A e shihni pra se ai flet komplet si ta kishte buxhetin e shtetit apo dhe tërë Shqipërinë, pronë të vetën dhe bën me të ç’të dojë e nuk pyet kërkënd. Mbret e shkuar mbretit..Ah, jo, më falni se mbretërit tani, përgjithësisht, nuk i pyet njeri, por diktator me plot kuptimin e fjalës. Motivi i tij qëndror, jo vetëm në këtë rast por, për të keqen e këtij populli, në gjithë veprimtarinë e tij të përditshmme, është që të jetë përherë në qëndër të vëmendjes si “pop-star”, edhe në sport, paçka se për detyrën që i është besuar po bën aq pak për të mos thënë se po prish punë. Madje, me të drejtë është thënë se me këto shfaqje pompoze ai përpiqet të largojë vemëndjen nga suksesi i munguar në qeverisje. Ai po bën ç’është e mundur që të zotërojë çdo gjë, po të kishte mundësi dhe jetën private të njerëzve e t’i përdorte ata si skllevër, se ashtu i ka quajtur, dele, dhe ai, për pasojë, mbetet të jetë bariu. A nuk e patë se ç’bëri ai me kombëtaren kur u kualifikua: që i mori siç qenë, direkt nga aeroporti, në kryeministri, duke lënë shqiptarët nga të gjitha trevat të prisnin në shesh, për t’iu treguar se ai është i pari dhe as që do t’ia dijë për të tjerët. Dhe e bën këtë me një kombëtare që në gjirin e saj nuk ka më shumë se 3 a 4 lojtarë nga Shqipëria.  Po edhe sikur të kishte më shumë, ç’e lidh atë me këtë kombëtare, kur nuk ka bërë asgjë për zhvillimin e sportit, në përgjithësi, e të futbollit, në veçanti?! Kurse tani që u kthyen doli e i priti në aeroport, hipi në autobuzin e tyre si të kishte frikë se mos i merrte ndonjë tjetër, paçka se në asnjë shtet të botës nuk njihet një protokoll i tillë. Dhe me një paturpësi të admirueshme, për t’i dalë çdo kundërvënieje përpara, ai shpërtheu tërë mllef: “Nuk dyshoj që cinikët e pandreqshëm, të cilët, i kemi jo aq të paktë mes nesh, sidomos kur ngjarjet nuk shkojnë siç dëshirojmë, do të hedhin helmin e tyre. S’do të mungojë as ajo shprehja “Shqipëria po përmbytet, Kryeministri e ka mendjen te futbolli!”. Se vërtet, kur po luante pjesën e parë të shou-t të tij, në nëntor 2015, shumë rajone të vendit po përballeshin me një përmbytje jo të zakonshme por ai as që donte t’ia dinte për hallexhinjtë që po gdhiheshin përjashta e po u shkonte malli dëm. E ku qëndron cinizmi i atyre që u ankuan për këtë, përveçse në mendjen e krisur të zotit kryeministër?! Po kësaj ligësie të tij, se cinizëm është pak ta quash, ç’emër t’i vëmë?

Jo vetëm në këtë rast por tërë veprimtaruia e tij politike është karakterizuar nga dëshira e paepur për pushtet, nga një egoizëm i pafre, nga një narcizizëm neveritës, duke thyer çdo rekord kur guxon e thotë se çdo gjë e mirë në këtë vend ka vetëm autorësine e tij dhe për këtë do të flasë historia. As më shumë e as më pak siç kanë vepruar e deklaruar tërë diktatorët që njeh histoiria, që nga Neroni e deri tek Enveri ynë. Ai e pat pohuar dhe vetë, që më 2003, tek e përditëshmja britanike “The Guardian”, që ai është një pop-star mes kryetarësh dhe kryetar mes pop-starësh. Le të shpresojmë se një ditë do të kthjellohet e do të shërohet nga deliret e madhështisë që po e çojnë në kufijtë e qesharakes e të vetëdijësohet se s’është për t’u pasur zili në asnjërën prej tyre. I dështuar në art, i dështuar edhe në politikë. Madje, sa më shumë përpiqet të shpërfaqë ngjyrat prej pop-stari, aq më shumë na humbet sysh bilanci i qeverisjes së tij, ku mungojnë thuajse krejtësisht arritjet në zhvillimin ekonomik të vendit, në përmirësimin e klimës së biznesit, në zbutjen e varfërisë, në modernizimin e infrastrukturës, në forcimin e institucioneve e sidomos të shtetit ligjor, në rritjen e konsumit, të mirëqenies e të cilësisë së jetës, në përgjithësi, për të cilat edhe është ulur në atë karrige. Pra, nëse dështimi në art përbën thjesht një fatkeqësi të tij, nga e dyta, si politikan, veçanërisht tani si kryeqeveritar, po vuan një popull i tërë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Andon Dede, Ju lutem, Një pyetje

Ju lutem, më ktheni një përgjigje, zoti Drejtor?

June 27, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

Para disa ditësh në Tiranë, me nismën e Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë dhe Fondacionit “Kondrad Adenauer”, u zhvillua konferenca kombëtare me temë: “In  memoria – Së bashku në nder dhe respekt të kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”, me pjesëmarrjen e Drejtorit të këtij instituti, zotit Bilal Kola, Avokatit të Popullit, zotit Igli Totozani, Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, zotit Blendi Klosi, Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, zotit Erjon Veliaj e të tjerë. Këtë lajm e mësova të nesërmen nëpërmjet njoftimeve në shtypin e përditshëm. Mendova se edhe mua, Kryetar i Shoqatës Antikomunste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës, anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, me qendër në Berlin, normalisht duhej të më kishte ardhur një ftesë  gjë, që për asnjë arsye nuk arrij t’i kuptoj, nuk më erdhi.

Para dy ditësh në Shkodër, me nismën e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, u zhvillua një manifestim i të përndjekurve politikë në nderim të 25 vjetorit të vrasjeve në kufi  në vitet 1989-1990, pas daljes së dekretit të Kuvendit të Shqipërisë ku termi “Tentativë arratisje” zëvendësohej me “Kalim të paligjshëm të kufirit” dhe dënohej vetëm me pak vite burg. Në këtë manifestim mori pjesë edhe drejtori i Institutit të Përndjekurve Politikë, zoti Bilal Koli, i cili e mori edhe fjalën dhe foli mbi problemet që, sipas tij, shqetësojnë shtresën që ai përfaqëson.

Duke qenë i pranishëm në këtë manifestim dhe duke dëgjuar kumtesat e mbajtura apo parë pamjet e filmit ku pasqyroheshin emrat e viktimave të këtij genocidi të zhvilluar në prag të përmbysjes së madhe, më dilte para syve pyetja:

  • Kush janë autorët e kësaj masakre? Ku ndodhen ata sot?

Sipas kumtesave të mbajtura pjesa më e madhe e tyre ndodhen në detyra drejtuese në administartën shtetërore dhe atë gjyqësore. Lidhur me sa më sipër dua t’i drejtoj zotit Kola pyetjen e mëposhtme:

  • A do të ngrini ju, si Drejtor i  Institutit  të   Përndjekurve Politikë,  një  padi  kundër

të gjithë këtyre kriminelëve që, duke shkelur ligjin që vetë e miratuan, vranë  një  numër të madh të pafajshmish duke përfshirë edhe gra e fëmijë? Sot shikojmë që gjykatat tona dënojnë të gjithë ata që në kundërshtim me ligjin kryejnë vrasje. Po për vrasësit e viteve 1989-1990 përse nuk zhvillohen gjyqe por, në të kundërt, ngrihen në detyra të larta? Ju lutem më ktheni një përgjigje.

Në konferencën e cituar në fillim të këtij shkrimi, ju zoti Kola shpallët nismën tuaj për domosdoshmërinë e ngritjes së një memoriali në kujtim të viktimave të komunizmit, nismë që u përkrah nga të gjithë pjesëmarrësit e konferencës. Por ju harruat se kjo, e ashtuquajtura nisma juaj, ka vite që është shtruar, qysh në vitin 2006 me rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, në mbështetje të rezolutave numër 1096 (1996) “Mbi masat për të  çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparshme komuniste totalitare” dhe numër 1481 (2006) “Nevoja për ndëshkimin  ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Madje për këtë ekziston edhe një ligj i miratuar disa vite më parë po nga Kuvendi i Shqipërisë për ngritjen e këtij memoriali. Atëherë si ka mundësi që e paraqisni si një nismën tuaj? Ju lutem më ktheni një përgjigje

.Le të shikojmë edhe disa nga pikat e tjera që përmban kjo rezolutë. Në njerën  prej tyre thuhet për akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq  për arsye politike. Sipas të dhënave zyrtare sot në Shqipëri janë ende mbi 5000 të vrarë që nuk  e kanë një varr ku të afërmit e tyre të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule. A keni dëgjuar të jetë aprovuar ndonjëherë ndonjë fond për gjetjen dhe rivarrosjen dinjitoze të tyre. A do të kërkoni ju akordimin e një fondi të tillë? Ju lutem më ktheni një përgjigje.

A do të kërkoni ju dënimin e diktatorit Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore që çoi në varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe heqjen  e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhëna atij dhe bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist, ashtu siç përmbahet në këtë rezolutë? Ju lutem, më ktheni një përgjigje.

A do të kërkoni rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore?

A do të kërkoni bërjen publike të të gjithë dokumentëve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve?

A do të kërkoni hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara? Për sa më sipër qysh në prill 2015 është miratuar nga kuvendi një i ashtuquajtur ligj për të cilin ju në një intervistë dhënë gazetës “Sot”, më 19 qershor 2015, keni deklaruar se pas një muaji do të bëhet zgjedhja e anëtarëve të autoritetit  për informimin dhe brenda tre muajve duhet të ketë përfunduar procesi i mbledhjes së dokumentave. Ka kaluar më shumë se një vit dhe autoriteti në fjalë ende nuk është zgjedhur dhe si rrjedhojë dhë as procesi i mbledhjes së dokumentave. A do ta kërkoni shkakun e kësaj vonese? Ju lutem, më ktheni një përgjigje.

A do të kërkoni hartimin e një strategjie kombëtare për eliminim e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipari dhe a do të ftoni institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekurit politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë?

A do të nxisni fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komunsite duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike?

A do të kërkoni organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist? Të gjitha këto janë kërkesa që i përmban rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë. Ju lutem më ktheni një përgjigje.

Hap faqen tuaj ne google dhe lexoj:

“Bilal Kola i ftuar në emisionin Jamais Vu të gazetarit Mustafa Nano në Ora News. (Minuta 48:00- 49:00 në videon e emisionit të plotë Jamais Vu) deklaroi:

 

  • Aspiroj  të  jem  në   Por në mënyrën më kategorike të  mundshme, nëse  do

isha 100 vjet jo një mandat, në mënyrën më  kategorike nuk do të lejoj njeri të  më  përdor  si

pushkë apo si plumb për të bërë maskarada të tilla” tha Bilal Kola

 

            Aspironi të jeni në kuvend? Është e drejta juaj por dua t’ju pyes:

  • Nëpërmjet kujt mendoni të shkoni në kuvend? Këtë të drejtë e  kanë vetëm  partitë

politike. Mos vallë nëpërmjet Partisë Socialiste? Ju lutem më ktheni një përgjigje.

Ju thoni se nuk lejoni njeri t’ju përdorë si pushkë apo si plumb për të bërë maskarada të tilla. Por a e kuptoni se organizimi i një konference si ajo që iniciuat ju ishte një  maskaradë  në kurriz të të përndjekurve politikë?

Këto ishin pyetjet për të cilat ju lutem të më ktheni përgjigje. Në të kundërt do të më vinte keq për mungesën e kurajos tuaj. Ju nuk jeni një njeri çfardo. Keni mbaruar në South Bank në Londër për drejtësi. Keni marrë diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit. Zotëroni Masterin në të Drejtën Ndërkombëtare Tregëtare nga Universiteti Metropolitan  i Londrës. Keni marrë titullin Doktor Shkencash  nga Universiteti Ndërkombëtar Montgomeri në SHBA. Në këto kushte është i papranueshëm ndryshimi i karakterit tuaj. Rrjedh nga një familje e njohur nacionaliste njëra nga figurat më të shquara të së cilës është edhe gjyshi juaj që ju i mbani emrin. Keni lindur në internim dhe e njhni mirë tmerrin e atyre kampeve.Ndaj nuk ka se si shpjegohet që jeni hedhur në prehërin e së majtës shqiptare. Megjithatë kjo është e drejta juaj që të zgjidhni.

Unë do t’ju lutesha të më ktheni një përgjigje për të gjitha këto.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ju lutem, më ktheni një përgjigje, reshat kripa, zoti Drejtor?

Ju lutem, më thoni nëse po gënjej!

March 28, 2013 by dgreca

PA do të ishte më mirë që Arta e Preveza të ishin me ne dhe sëpaku 10 mijë km2 të Çamërisë të ishin me Shqipërinë?/

 Nga Denion Ndrenika*/

Zakonisht merret shkas nga ndonjë ndodhi a vepër për të shkruar më parë në mendje copëza idesh e mandej, nëse e mbush atë, pra mendjen, e hedh në ndonjë fije kartë. Nëse ke pak mundësi apo hapësirë për ta dërguar diku për botim pasi e ke shkruar, aq më mirë ndihesh dhe kur thonë e “mban veten me gajret”. Rrjeti shoqëror “Fejsbuk”, na jep mundësi pa na u hidhëruar që po e shkruajmë në gjuhën “tonë”. Meqë shqipen e dua shumë, nuk po e shkruaj “Facebook”.

Këtu zuri fill një diskutim përgjithësisht i njohur dhe i ditur nga të ditur dhe të paditur. Nuk lidhet fare me ndonjë kujtesë filmash nxitur nga ndonjë zhvillim. “Hije që mbeten pas”, Matilda Makoçi, “Marjeta” me emrin e filmit sa mbaj mend (se nga Tirana asokohe 2-3 gjëra të ndodhura nuk harrohen), i tha të fejuarit prokuror: “Unë e dua dhe do ta mbroj tim atë! Ne jemi një”! Por, Agroni nuk u pajtua me gjëmën që i kishte bërë babai i të fejuarës dhe gjeti forcë ta prishte fejesën, kurse Matilda jo. Nuk thonë kot, “bëmë baba të të ngjaj”. Jo, nuk lidhet me këtë.

Disi “lidhet” me Dhespot Fotin. Me Kishën tonë Autoqefale. I shkruajta bashkëdiskutuesit tim nëse më jepte leje ta trajtoja temën, meqë ishim “palë”. Edhe nëse nuk më jepte, nuk mërzitesha, sepse profili është personal e kështu që e respektoj pafundësisht këtë të drejtë të tij, sikurse edhe do të isha mjaft mirë nëse edhe me mua bënin të njejtën gjë. Sidoqoftë, duke shmangur rreshtat e tepërt, po paraqes pikëpamjet.

Që në fillim saktësoj që çdo keqinterpretim i këtyre që shkruaj, nuk më përket as mua, as njerëzve të mi familjarë, farë e fis, as formimit tonë. Nuk kam asgjë prej gjëje me kërrkënd, qoftë sllav, grek, mysliman, ortodoks, katolik, bektashi, protestant, budist, apo çfarëdo tjetër. Respektoj plotësisht qenien e gjithkujt, kështu që keqinterpretime nga dashakeqësia i hedh poshtë dhe nga moskuptimi, kërkoj ndjesë. Kur flitet për figura të larta të besimit, padyshim që ndjesa nga moskuptimi është jashtëzakonisht e madhe preje meje.

Bashkëdiskutuesi në prag të ditëve të shenjta të ortodoksëve, publikoi një fotografi (të tijën) me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturinë e Tij Anastas Janullatos. Emri i Hirësisë është gojuar e përgojuar. Unë nuk po bëj këtë. Mos ma thoni se nuk qëndron hiç!

Në fotografi komentova: “O vëlla, Zoti të dhëntë hare e gëzim e ta dëgjoftë brengën që kemi të gjithë ne ortodoksët për mungesën e shqiptarisë në Kishën Tonë Autoqefale”! E di që menjëherë do të më hidheni e më kuturisni se këto fjalë janë të hidhura, të pavend apo ironike a ngacmuese. Duke më vënë përballë origjinën time nga Vunoi i Himarës së Vlorës, fare mirë mund të më thoni se përse e flas, sipas jush, ashtu fjalën e mirë. Unë përgjatë tërë kohës pyes vetëm më thoni, u lutem, nëse gënjej për ç’ka po shkruaj. Normalisht që aty-këtu kam përdorur ironi apo ndonjë frazë filmash, por jo me të keq, përveçse për të rikthyer në kujtesë historinë tonë të dhembshme me fqinjët grekë dhe me kishën greke.

“Po si merresh vesh me gjuhën e qoftëlargut (figurative kjo fjalë) o besimtar i mirë? Se, të të flasë shqip si të ka bërë nëna e baba është më mirë më duket mua. Si të bëhet të falesh në Zot kur kujton se kanë dashur të na shpëlajnë me far e fè, kur na kanë hidhëruar gjuhën e këngën, vajin dhe shpirtin? Nuk kam gjë hiç me Hirësinë e Tij, Fortlumturinë Anastas, përkundrazi origjina e Tij (me sa di unë) nga Durrësi më jep besë e shpresë se diçka i do shqiptarët, ndonëse kurrë nuk i ka mbrojtur, por me dashuri është përpjekur tërë këta vjet që t’ua falë mëkatet në greqisht dhe t’u mësojë këtë gjuhë me të njejtën devotshmëri me metoda moderne e jo si vite me radhë duke helmuar Petro Ninin, Negovanin e tanët peshkopë të dëlirë”!

Paskëtaj, a kisha shkuar larg te Petro Nini apo Negovani? Mora dhe vërejtje se po përfshija besimin me politikën. Kam mirëkuptim të pafund! Andaj, mendova dhe i shkruajta bashkëbiseduesit tim të mirë, korrekt dhe tepër të hapur për të trajtuar çështje të ndjeshme: “Duhet të kujtojmë tërë këta shqiptarë të mjerë që grekët ua ndërruan emrat me zor, që i lanë si fakirë 20 vjet në dyert e Ambasadave, që i hapën ndonjë shkollë në 2013 pas 20 vjetësh emigracion, që i nisin me detyrim të votojnë qafirët (figurative edhe kjo fjalë) në Himarë dhe në trojet etnike të shqiptarëve, që nuk u dhanë një abetare, që i kthejnë pavarësisht moshës në kufi sepse nuk kanë emrat e vendlindjes në gjuhën e hidhërimit (ende figurative), që i shfarosën çamët e nuk po shohin dritë të bardhë”.

Këtu, i shkruaja bashkëdiskutuesit se pajtohesha me të: “Nuk duhet të merremi me politikë me punët e Kishës sepse nuk jemi si Kisha që e bën këtë në çdo rast në mbrojtje të ndonjë gjakprishuri (unë vazhdoj me figura deri në fund të shkrimit) që i është mbushur mendja se është grek. Kot merremi me Negovanin dhe Luarasin, se ata donin të na jepnin shqipen e nënës, më mirë me grekun që na vret me rrënjë e me degë”. Diskutimi mori kritika aq më tepër në ditët e mëdha në pritje të ringjalljes së Jezu Krishtit. Prandaj shtova: “Unë bëra një urim të sinqertë pa u përfshirë në punën e Perëndisë. Unë urova që ta kemi përsëri shqiptare kishën tonë.

U kërkoj ndjesë të gjithëve që nuk mendojnë si unë, nuk kam dashur të prek askënd. Gjithkush është i lirë ta ndjejë veten si s’ka më mirë, qoftë edhe si grek, qoftë edhe si shqiptar që nuk mendon se greku na ka shfarosur, qoftë edhe si shqiptar palaço që urren fqinjët tanë që kanë vuajtur tërë jetën për të na zhdukur. Sinqerisht nuk kisha qëllim të keq”!

Besoj se shumëçka shkruaj unë nuk janë sajesa të miat. Normal, që na tregon historia. Edhe nëse ka qenë e njëanshme, e keqtreguar, e keqbërë, përderisa dikush tjetër nuk na ka vërtetuar të kundërtën. Në fakt, më duhet të vendos këtu një pjesëz interviste që bëra këtë muaj me drejtoreshën e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika për RTK-në në Prishtinë dhe gazetën “Illyria” në SHBA. Ja ç’më tregoi zonja Nika, që për mua ishte befasi e mirë, përkundër mosvlerësimit të nxitur prej fshehjes së historisë, përfshi ortodoksinë:

“Përsa i takon ortodoksisë shqiptare, unë jam befasuar kur kam parë që në një kishë të vogël në Vokopolë afër Beratit, prifti i asaj kishe, që është ortodokse, mban regjistrin e kishës në gjuhën shqipe! Jam duke folur për fundin e shekullit XIX! Një gjë që më ka befasuar, më ka mrekulluar! Kush e dinte këtë fakt?! Kush është marrë me këtë?! Askush! Jemi gjithnjë duke thënë që “Patriarkana nuk i donte dhe kishte… shqiptarët”! Jo, sepse po fole gjithnjë kështu, do të gjendet dikush tjetër që do të thotë “jo, nuk ishte e vërtetë”! Dhe, përderisa do ta thotë dikush tjetër, atëherë duhet të thuash të vërtetën! Unë e kuptoj që Patriarkana e Stambollit, meqënëse Kisha Greke ishte më e fuqishme dhe donte të thoshte që “jemi trashëgimtarë të Bizantit”, “e “kemi të drejtat”…

Të gjitha këto i kuptoj! Por, elementi shqiptar, ne, normal ne kishim qenë nën Perandorinë Bizantine, ritet e krishtera i bënim sipas Kishës së Lindjes, ortodokse, por nuk ishim grekë, ishim shqiptarë dhe vazhdojmë të jemi! Ka disa gjëra që është megjithë mend, ka ardhur momenti, ka vite që ka ardhur, por ne vazhdojmë të shkojmë në atë qerthullin e të sharit ose të të lëvduarit! O do të shajmë, o do të lëvdojmë! Nuk e di, nuk them një rrugë të mesme në traun e ekuilibrit, por ka një zig-zage”! Po vazhdoj pas kësaj ndërhyrjeje që e quaj me vend.

Tema mbeti nëse votuesit kishin ardhur me hir apo me pahir. Dihet që edhe me pahir. Kështu, që vazhdova edhe mbi të vërtetat e mëdha që duken sheshit se si nuk i kemi mbrotjur ne shtëpitë e lartësive tona patriotike që janë rrënuar dokudo, sëpaku me sa shohim nëpër lajme. Unë siç shkruajta më lart, vazhdoj me figura apo terma ironikë, mirëpo për diskutimin, jo adresimin ndaj ndokujt. “Nuk ka rëndësi cilin votuan. Rëndësi ka që u sollën me detyrim nga grekziu.

E di që ndërruan emrat me dhunë. Sepse, greku bën gjithçka. E di që ne si shtet dhe shoqëri e kemi menderosur. Nuk shfajësoj veten. Ne nuk duhet ta pranonim Fortlumturinë e Tij në Kishën tonë që në fillim. Aty ku është greku qoftë edhe me origjinë nga Durrësi, mënxyrë ka në mos sot, nesër. Ata të shtëpisë së Petros së Luarasëve janë ata që ndërtuan varrezat e kopukëve grekë që përdhunonin shqiptarët. Grekë, ortodoksë që nuk mbrohen nga Kisha jonë, por nga kishtarët grekë.

Ndaj, Kisha duhet të na kthehet. Me dëshirë, me mirësi, me ndershmëri, me përulje ndaj Perëndisë që do t’i falë kriminelët grekë të shpirtit, gjuhës dhe jetës. Një njeri i Perëndisë tërhiqet vetë nga e keqja që i bën shqiptarëve, nëse i do vërtetë. Të mos ua heqë Fan Nolin. As ikonat në shqip. As meshën të mos ua përdhosë me gjuhën e pakuptueshme. Çfarë ka të keqe këtu? Meqë ne kemi tërë këto faje e përgjegjësi edhe për shtëpitë e njerëzve tanë të ndritur, duhet të ulim kokën te paçavurret zemërgrira greke”? Të dashur lexonjës! Më shani nëse nuk u vjen përshtat kjo që shkruaj. Por, u lutem më thoni nëse po gënjej!

Duke pasur parasysh që shumë shqiptarë kanë ikur me vite e prej vjetësh në Greqi, ku tokat e tyre etnike ishin copëtuar e shqiptarët vendas dëbuar e masakruar, normal që mendova se mos po teproja diçka. Fundja, ka edhe njerëz që ndihen mirë me të drejtë të Zotit në Greqi. Shumë gjë e mirë, normale sa më s’bën, sidomos nëse nuk kemi në kujtesë se çfarë të keqe mund të na kenë bërë grekët. Këtu nuk kam ironi. “Ndoshta ne “greku hidhërim” nuk na ka bërë gjë personalisht”.

Kështu nisa të shkruaj sërish. “Mua jo e jo. As më ka vrarë, as vjedhur, asgjë prej gjëje. Kemi edhe nuse e dhëndurre grekë. Nuk më mërzit fare kjo! E keqja që na ka bërë është historia jonë që nuk e kemi më prej grekëve të zinj Çamërinë (nuk kam asnjë lidhje me çamët, që të mos thoni se flas nga vetja, as krushqi), Konicën e të tjera vise. A nuk është e zeza jonë kjo? A do të ishte më mirë që Arta e Preveza të ishin me ne dhe sëpaku 6 mijë rrënjë ullinj e vreshta në 10 mijë km2 të Çamërisë të ishin me Shqipërinë? Ky është faji ynë që nuk i kemi, apo që po t’i kishim do të ishim më mirë?

Shfarosja e shqiptarëve nga greku është e zeza e të gjithëve, si të 100 vjetëve apo 20 vjetëve më parë. Edhe asokohe kështu thuhej, që nuk na gjeti gjë, por pas 120 vjetësh nuk gjejmë dot varret e shqiptarëve. Kjo do të ndodhë edhe me cilindo që pas 20 vjet në Greqi do të jetë 50, pra do të humbë gjuhën, do të asimilohet, normale si rrjedhë historike. Që, të mos ndodhë kjo nuk duhet t’i marrim gjërat lehtë. Pikërisht debati që po bëjmë ne ka shkas Kishën Tonë Autoqefale. Nese do ta kishim shqiptare siç u ndërtua, do të bisedonim të përçarë sot?

Ja, kjo ështe e zeza greke! Përsëris që nuk kam gjë me Fortlumturinë e Tij”! Domosdo, që menjëherë në këtë linjë diskutimi, vijnë edhe kritikat se nuk po bëjmë dot paqe. Në fakt, nuk po bënim luftë, veçse parashtronim brengat tona të njejta, ndoshta edhe me këndvështrime të ndryshme. “Mirë e ke, sepse ka shqiptarë që nuk e ndjejnë veten keq me grekun, ka edhe nga ata që edhe pse greku nuk i ka bërë gjë personale, ndihen të vrerosur nga asimilimi dhe dhuna, masakrat dhe genocidi ndaj shqiptarëve të tjerë”-shtova shkurt.

E thjeshtë që në disktume ka mospajtime, ndaj bëhen. Lumturohem shumë nga kjo, aq më shumë që mirëkuptimi ishte i pranishëm tërë kohën. Fundja, pikëpamjet janë personale, ndërtohen nga formimi, historia, ndryshimet nëse janë bërë apo duhen bërë. Aty-këtu ndeshim edhe këndvështrime me karakter fetar, fatmirësisht jo problematike, ndoshta edhe paragjykuese. Na tregohet që figurat kishtare janë të niveleve të larta. Absolutisht që janë, vetëm një gomar flet ndryshe e për sa e njoh veten, unë nuk jam. Kështu, që shtova fjalitë e fundit.

“Nuk jam mysliman. Edhe po të isha nuk do të përbënte ndonjë krim, sikurse nuk është krim për askënd, qoftë mysliman, budist, ortodoks, katolik apo bektashi. Mua më vjen mirë që ti (i drejtohem bashkëdiskutuesit tim) diskuton. Sinqerisht! Fortlumturia e Tij meriton respekt për formimin e jashtëzakonshëm akademik! Unë nuk kam besuar kurrë se këtë formim Fortlumturia e Tij e përdor kundër shqiptarëve, të cilët i udhëheq në besim, ndonëse është grek.

Pra, të ndajmë gjërat. Unë dua që Kishën ta kemi shqiptare. Kam gabim këtu? Unë dua që ikonat të jenë në shqip. Mbaj faj këtu? Unë dua që Fan Stilian Noli, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi të lëvdohen e nderohen e jo përçmohen e mos përmenden. Krim është ky? Unë dua që meshën ta dëgjoj në gjuhën e nënës time, sikurse grekët në gjuhën e nënës së tyre. Të mos e them këtë? Unë dua që Kisha të mos mbrojë vetëm 2-3 vetë që mendojnë se kanë ndonjë origjinë të paprovuar greke, por të mbështesë edhe shqiptarët që të hapin shkolla shqipe në Greqi dhe shqiptarët ortodoksë që të kenë Kishë Autoqefale në gjuhën shqipe në Greqi. E rëndë është kjo kërkesë?”

E falenderova me zemër e sinqeritet bashkëbiseduesin tim për mirëkuptimin dhe diskutimin! I thash që shkrimin do t’ia dërgoja ta lexonte njëherë ai, meqë ishte zanafilla me fotografinë që vendosi. I thashë që pikëpamjet e kundërta nuk kanë pse na ndajnë. “Fundja, – shtova unë -, të dy jemi shqiptarë që e dimë me gjak e shpirt se çfarë na ka bërë greku jetë e mot e andaj pajtohemi që të mos na ndodhë më”. Ju lutem, më thoni nëse po gënjej!

  • E dergoi per Diellin, Sali Bollati

Filed Under: Opinion Tagged With: Denion Ndrenika, Ju lutem, me thoni, nese po genjej

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT